Që kur Gjergji ishte fëmijë, familja e Kastriotëve i ndjeu rrjedhimet shkatërrimtare të pushtimeve muslimane. Dokumentet tregojnë se në vitin 1409 Gjon Kastrioti ishte detyruar t'u dorëzonte peng muslimanëve një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishën, dhe më pas edhe djalin e vogël, Gjergjin. Ky u dorëzua si peng rreth moshës nëntëvjeçare, kur muslimanët pushtuan Krujën (në fillim të vitit 1415) që ishte në kufi me zotërimet e Kastriotëve.
Dërgimin e Gjergjit të vogël në oborrin musliman rreth moshës nëntëvjeçare, e dëshmojnë, pavarësisht nga njëri-tjetri, burime historike bashkëkohore ose pak më të vona, vendase e të huaja. Këtë e pohojnë autorët e vjetër shqiptarë, veprat e të cilëve shërbejnë si burime më të rëndësishme për njohjen e historisë së Shqipërisë të shek. XV, si Marin Barleci, Marin Beçikemi, Gjon Muzaka, Dhimitër Frëngu. Edhe në jetëshkrimin më të hershëm për Gjergj Kastriotin, të hartuar rreth viteve 1481-1482 prej Martin Segonit, tregohet se ai u dërgua i vogël peng, u rrit dhe u edukua pranë oborrit të sulltanit. Të njëjtën gjë njoftojnë edhe kronistë e historianë të huaj, bashkëkohës me Skënderbeun, si italianët F. Filelfo, I. Potani, R. Volaterani, bizantini L. Halkokondili, shumica e autorëve muslimanë të shek. XV e XVI: Ashik pasha Zade, Tursuni, I. Bitlisi etj.
Gjergji, pasi u mor peng rreth moshës nëntëvjeçare, u dërgua në kryeqytetin e Perandorisë muslimane, në Edrene. Ai u edukua këtu gjatë një periudhe dhjetëvjeçare në shkollën e iç-ogllanëve, ku u dallua mbi të tjerët. Në këtë shkollë futeshin zakonisht djemtë e zotërve të nënshtruar për t'u përgatitur e edukuar në frymën muslimane si komandantë të zotë e feudalë të bindur. Këta zakonisht shërbenin si spahinj në vendet ku pushtimi musliman ndeshte në qëndresën e popullsisë, si dhe në vendet nga ata kishin ardhur.
Gjergj Kastrioti nga natyra ishte i pajisur me dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Sipas dokumenteve të kohës dhe njoftimeve të Marin Barlecit, Gjergj Kastrioti kishte mendjemprehtësi të veçantë dhe arriti të zotëronte disa gjuhë të huaja. Ai ishte shtatlartë, shpatullgjerë e shumë i fuqishëm. Luftonte mbi kalë e në këmbë dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës e të armëve të tjera.
Gjergji u shqua gjatë viteve të shkollës, kur iu vu emri mysliman Skënder, dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake, në Ballkan dhe në Azi të Vogël, gjatë të cilave fitoi një përvojë të madhe ushtarake. Pasi mbaroi shkollën e iç-ogllanëve, Skënderbeu hyri në kuadrot ushtarake të sistemit feudal musliman dhe përparoi shpejt në karrierën shtetërore, nga pozita e spahiut deri në postin e lartë të sanxhakbeut.
Funksionet si kuadër musliman për vite të tëra Skënderbeu i ushtroi në Shqipëri, duke u lidhur me mjedisin vendas dhe interesat e familjes së tij. Emri i Gjergj Kastriotit për herë të parë përmendet në Shqipëri bashkë me ata të vëllezërve të tij në dokumente të vitit 1426 për çështje pronësie. Në këtë kohë Skënderbeu kishte mbaruar shkollën e iç-ogllanëve dhe ishte në Shqipëri si spahi, më pas u bë subash i Krujës dhe qëndroi në këtë post zyrtarisht deri në fund të vitit 1438, kur në zeametin përkatës është shënuar se i rijepej Zaganoz Beut. Qysh në fillim, kur u hartua regjistri kadastral musliman i vitit 835 h. (1431-1432), zeameti i subashit të Krujës është regjistruar me emrin e Zaganoz Beut. Pas riemërimit zyrtar në fund të vitit 1438 në postin e subashit të Krujës, Zaganoz Beu duhet të jetë rikthyer me vonesë në Krujë, sepse Skënderbeu përmendet në Shqipëri edhe më 7 dhe 10 korrik të vitit 1439. Nuk dihet se cilët fshatra formonin timarin e tij në Shqipëri, kur ai ishte në postin e një spahiu. Ndoshta kanë qenë disa fshatra të vilajetit të Dhimitër Jonimës, diku midis Lezhës e Rubikut, ku në mes të viteve 30 Skënderbeu pati në zotërim një timar të madh, me të paktën nëntë fshatra.
Skënderbeu konsiderohej si bashkësundimtar me të drejta të plota me anëtarët e tjerë të familjes në veprimtarinë politike të Kastriotëve. Prandaj emri i tij është shënuar gjatë viteve 20 e 30 në aktet zyrtare që rregullonin marrëdhëniet e Kastriotëve me vendet e tjera, si p.sh. në vitin 1426 në një aktblerje nga Kastriotët të një pirgu pranë manastirit Hilandar në malin Athos dhe në një aktdhurimi të dy fshatrave të Kastriotëve për manastirin e Hilandarit, si dhe në mars të vitit 1438 kur Stanisha dhe Gjergji kërkuan qytetarinë e Venedikut dhe më vonë (korrik 1439) edhe atë të Raguzës. Qytetaria veneciane e raguzane kërkohej që, në rast shkatërrimi e dëbimi nga zotërimet e veta prej muslimanëve, familjarët e Gjonit të strehoheshin në këto vende.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si kuadër musliman Skënderbeu punoi aktivisht për mbrojtjen e interesave të familjes së tij. Kështu, sipas një dokumenti musliman pa datë, kur Gjon Kastrioti ra në konflikt me muslimanët dhe humbi krahinën e Ishmit (Mysjen), Skënderbeu u kërkoi autoriteteve muslimane që ta merrte si zeamet këtë krahinë. Gjatë këtyre viteve ai kishte një timar të madh në trevën Lezhë-Rubik, që përshkohej nga udha e karvaneve që lidhte bregdetin me Prizrenin. Kjo rrugë ishte shumë e rëndësishme për veprimtarinë ekonomike e tregtare të shtetit të Kastriotëve. Më 1437-1438 Skënderbeu u bë qeveritar (subash) i vilajetit të Krujës dhe siguroi për këtë një feud të madh prej dhjetëra fshatrash. Ky gradim ndikonte shumë në forcimin e pozitave ekonomike e politike të zotërimeve të Kastriotëve që shtriheshin në lindje e në veri të vilajetit të Krujës.
Pas vdekjes së Reposhit (1431), që i qe kushtuar jetës fetare, dhe të Konstandinit, dy vëllezërit e tjerë drejtuan shtetin e Kastriotëve, sepse ati i tyre, Gjon Kastrioti, ishte i sëmurë dhe vdiq në maj të vitit 1437. Të dy vëllezërit i kushtuan vëmendje ruajtjes e forcimit të marrëdhënieve me Venedikun e Raguzën, prej të cilave arritën më 1438 e 1439 të siguronin të drejtat e privilegjet që kishte patur ati i tyre me ato dy vende. Ata vepruan bashkërisht deri kur vdiq Stanisha më 1446.
Pas vitit 1439 Skënderbeu nuk përmendet më në tokat shqiptare. Në këtë kohë në Ballkan po fillonin trazira të reja, si rrjedhojë e aksioneve ushtarake antimuslimane të Janosh Huniadit. Prandaj sulltan Murati II e largoi Skënderbeun nga posti i subashit të Krujës, duke e emëruar sanxhakbej me sa duket larg tokave shqiptare, ndoshta në Nikopol të Bullgarisë.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si funksionar musliman, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu del me emrin mysliman (Iskënder) në dokumentet muslimane, kurse në ato perëndimore ka përdorur vetëm emrin e krishterë Gjergj, gjë që shpreh lidhjet e tij me parinë drejtuese shqiptare.
Sigurimi i privilegjeve dhe i qytetarisë së Venedikut e të Raguzës në fund të viteve 30, në një kohë kur Skënderbeu po përparonte në karrierën politike si kuadër i Perandorisë muslimane, tregojnë se ai e shikonte të ardhmen jo në kuadrin e karrierës së një funksionari musliman. Përkundrazi, praninë e tij në radhët e kuadrove muslimane, ai e gjykonte si diçka të përkohshme. Në kushtet kur së bashku me të vëllanë, Stanishën, kishin marrë drejtimin e zotërimeve të Kastriotëve, largimin e tij nga posti i subashit të Krujës dhe emërimin si sanxhakbej larg Shqipërisë, Skënderbeu nuk mund ta shikonte si një "gradim", por si shprehje të mosbesimit të sulltanit ndaj tij.
Ndonëse kaloi një kohë të gjatë në shkollën e iç-ogllanëve e në vende të huaja si kuadër e komandant i shquar i ushtrisë muslimane, Skënderbeu mbajti lidhje të ngushta me familjen e tij, me interesat e zotërimeve të tyre. Ai jetoi për vite të tëra në atdheun e vet, ku u brumos dhe u formua në mjedisin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesit të huaj musliman dhe të disfatave të para që muslimanët pësuan në Shqipëri gjatë kryengritjeve të viteve 30. Kthesa rrënjësore e Skënderbeut në nëntor të vitit 1443, duke ardhur në Shqipëri për të ngritur lart flamurin e luftës kundër pushtuesve muslimanë, ishte rrjedhojë e përvojës jetësore shumë të pasur të tij dhe e luftës së shqiptarëve.
Kryengritja e Përgjithshme Çlirimtare (nëntor 1443)
Shqiptarët e vazhduan luftën kundër pushtuesve muslimanë në forma të ndryshme edhe pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV. Nëpër dokumente të gjysmës së dytë të viteve 30 dhe fillimit të viteve 40 përmenden në viset shqiptare spahinj të vrarë, spahinj që, për të shpëtuar kokën, kishin braktisur timaret etj. Qëndresa e përhershme kundër pushtuesve muslimanë dhe rrethanat e favorshme ndërkombëtare që u krijuan në fund të viteve 30 e në fillim të viteve 40 të shek. XV nxitën disa nga fisnikët shqiptarë të ngriheshin në luftë kundër pushtuesve të huaj.
Ndërkaq në jetën kishtare e politike të Shqipërisë ndikuan pozitivisht vendimet e Koncilit të Ferrarës, që u mbajt gjatë viteve 1438-1439. Krahas papë Eugjenit IV, në të morën pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të universit ortodoks, si perandori i Bizantit, Johan Paleologu, patriarku i Konstandinopojës, Jozefi, dhe peshkopët bizantinë e sllavë më në zë. Në korrik të vitit 1439 përfaqësuesit e të dy palëve nënshkruan tekstin e bashkimit shpirtëror të të dy kishave nën supremacinë e Papatit. Ky vendim ndikonte pozitivisht për zbutjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet kishave ortodokse e katolike në Shqipëri dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet sundimtarëve shqiptarë të besimit katolik dhe ortodoks, si dhe të këtyre me forcat politike të huaja. Vendimet e Koncilit të Ferrarës ndihmonin bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane, që politikisht ishin shumë të copëtuara e të përçara, në luftën kundër armikut të përbashkët, pushtuesve muslimanë, luftë që filloi të propagandohej si një kryqëzatë e të krishterëve kundër pushtuesve aziatikë e besimit të tyre islam.
Në fillim të viteve 40 të shek. XV rrethanat ndërkombëtare favorizonin shpërthimin e kryengritjeve antimuslimane në Shqipëri. Me vendosjen në fronin e Hungarisë të mbretit të Polonisë, Vladislavit, trupat hungareze, të komanduara nga vojvoda i Transilvanisë, Janosh Huniadi, kaluan nga veprimet mbrojtëse në mësymje dhe përkohësisht arritën të ndalnin përparimin e muslimanëve drejt Evropës Qendrore. Pasi grumbulloi një ushtri të fuqishme, të përbërë prej hungarezësh, polakësh, rumunësh etj., J. Huniadi kaloi Danubin, u fut në thellësi të Ballkanit dhe në shtator të vitit 1442 u shkaktoi një disfatë të rëndë trupave muslimane. Fitorja e ushtrisë së J. Huniadit ngjalli shpresa te popujt e shtypur të Ballkanit, nxiti lidhjet e sundimtarëve ballkanas me Hungarinë e me forca të tjera politike të kohës për zgjerimin e frontit të luftës antimuslimane. Aktivisht veproi në këtë drejtim papa Eugjeni IV, i cili nëpërmjet peshkopëve të vet nxiste elitën drejtuese shqiptare e ballkanike të rrëmbente armët kundër muslimanëve sapo trupat e J. Huniadit të marshonin sërish në drejtim të Ballkanit Qendror.
Këtë situatë ndërkombëtare disa fisnikë shqiptarë, midis tyre edhe Gjergj Arianiti, e vlerësuan të përshtatshme për fillimin e luftës. Në kuadrin e përgatitjeve Gjergj Arianiti forcoi lidhjet me vendet e tjera, duke dërguar përfaqësuesit e vet në Romë e në Bosnjë. Në gusht të vitit 1443 ai siguroi qytetarinë e Raguzës, që të strehohej familjarisht në atë qytet po qe se do thyhej prej trupave muslimane.
Në shtator të vitit 1443 Gjergj Arianiti sulmoi forcat muslimane në lindje të zotërimeve të tij dhe i dëboi pushtuesit nga shumë krahina të Shqipërisë Qendrore. Fitoret e tij ndikuan në jetën politike të Shqipërisë dhe patën jehonë edhe në vendet e tjera. Vetë ai vazhdonte përgatitjet për vijimin e luftës kundër muslimanëve. Më 21 tetor përfaqësuesit e tij, sipas porosisë që kishin bërë në Raguzë, morën këtu flamurin e Arianitëve, që t'u printe luftëtarëve të tij në betejat e ardhshme. Në fund të muajit nëntor Gjergj Arianiti i kërkoi Raguzës t'i shiste bombarda, armë këto që i duheshin për çlirimin e kështjellave.
Lufta çlirimtare u përhap edhe në trevat e Shqipërisë së Poshtme. Gjin Zenebishi, i biri i Depës, u kthye nga mërgimi duke zbarkuar në bregdetin shqiptar pranë Butrintit. Me ushtrinë që organizohej këtu marshoi nëpër rrethinat e Gjirokastrës në drejtim të Kosturit, ku forcat e tij u sulmuan në befasi dhe u shpartalluan nga një ushtri muslimane dhe vetë Gjini mbeti i vrarë.
Në fund të vitit 1443 lufta çlirimtare e shqiptarëve mori hov të mëtejshëm nga zhvillimi i ngjarjeve në Ballkan.
Në tetor të vitit 1443 trupat hungareze të komanduara nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin, u futën në thellësi të Ballkanit dhe filluan “Fushatën e Gjatë" që vazhdoi deri në fillim të vitit 1444. Ato marshuan në drejtim të viseve verilindore shqiptare. Kudo ato gjetën gatishmërinë e banorëve të krahinave ku kalonin për të luftuar së bashku kundër të njëjtit arimik. Vetë Huniadi shkruante ato ditë se ushtria e tij po "rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, arbër, serbë, boshnjakë".
Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, ku trupat muslimane u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluara. Ushtria e J. Huniadit vazhdoi marshimin në thellësi të zotërimeve muslimane gjatë një dimri të ashpër dhe u fut në Bullgari, duke zbritur deri në juglindje të Sofjes. Gjatë 5 dhe 6 dhjetorit 1443 ushtria e J. Huniadit pësoi disfatë në Vasilicit dhe filloi tërheqjen. Pas një muaj, më 5 janar 1444 ajo pësoi një disfatë të dytë në Pirot (në juglindje të Nishit). Me humbje të ndjeshme të shkaktuara edhe prej kushteve natyrore të stinës, në fillim të shkurtit të vitit 1444, ushtria e J. Huniadit arriti në Budapest me një efektiv disa herë më të vogël nga numri fillestar i luftëtarëve, kur nisi fushatën në tetor të vitit 1443. Sidoqoftë, ngjarjet e mësipërme ndikuan në jetën politike të Ballkanit. Në gusht të vitit 1444, me miratimin e sulltan Muratit II dhe me kufij të rrudhur, u rimëkëmb Despotati i Rashës.
Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që kishte detyrën e funksionarit të lartë musliman, atë të sanxhakbeut të Nikopolit. Shpartallimin e forcave muslimane në betejën e 3 nëntorit 1443 dhe vazhdimin e marshimit të trupave të J. Huniadit në drejtim të Bullgarisë, Skënderbeu e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkatdhetarë pjesëmarrës në betejën e Nishit, dhe i shoqëruar nga i nipi Hamza Kastrioti, Skënderbeu mori rrugën në drejtim të atdheut.
Në fillim Skënderbeu hartoi planin për ringritjen e shtetit të Kastriotëve, që, siç është shprehur në fillim të vitit 1445, formohej nga dy pjesë të mëdha "nga Dibra dhe Mati", që i ndante lumit Drin. Dibra, sipas konceptit të kohës për shqiptarët, të shprehur, p.sh., nga Marin Barleci dhe nga Gjon Muzaka, shtrihej në lindje deri në masivin malor të Mokrës (malet Jakupice), kurse Mati deri në Detin Adriatik.
Gjatë kthimit nga Nishi, Skënderbeu arriti në Fushë-Dardani, vijoi rrugën Prishtinë-Prizren, që ishte e lirë nga muslimanët, dhe më tej zbriti në rajonin e Dibrës. Kjo ishte pjesa më e begatë dhe më e populluar e zotërimeve të Kastriotëve, prandaj ai e përmend atë të parën kur e cilëson veten dhe të vëllanë, Stanishën, si "zotër të Dibrës dhe të Matit".
Dibra përbëhej nga dy rajone: nga Dibra e Poshtme dhe Dibra e Sipërme. E para ishte zonë fushore dhe shtrihej përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar dhe arrinte në lindje, duke i përfshirë ato, deri te ngushticat e Dervenit në afërsi të Shkupit. Burimet historike të shek. XV, madje edhe më të hershme, tregojnë se afër Gostivarit e në veriperëndim të tij gjendej qendërbanimi më i madh i atij rajoni, fshati Dibrishë (Debrishë), që është edhe sot, emrin e të cilit ka pasur për një kohë edhe rajoni në rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar. Rruga që lidhte Kërçovën me rajonin e Gostivarit në dokumentet mesjetare del e emërtuar “Rruga Kërçovë-Dibër” dhe banorët e fshatit Llopushnik, në juglindje të Gostivarit, përmenden në to si ruajtës të saj. Edhe në krahinën e Dervenit, që shtrihet në lindje të Tetovës, gjendet mikrotoponimia Dibër, që në sllavishten e vjetër kishtare (dëbër) ka kuptimin luginë, grykë. Ky duhet të ketë qenë emërtimi i vjetër i kësaj krahine, të cilin pushtuesit muslimanë e zëvendësuan me fjalën përkatëse të tyre derven (derbend). Kjo shërben si një e dhënë që tregon se shtrirja lindore e Dibrës së Poshtme arrinte deri në afërsi të Shkupit. Prandaj muslimanët në shek. XV, kur bënë ndarjen e tyre administrative, për rajonin Gostivar-Tetovë përdorën një emërtim musliman (vilajeti ose nahija e Kalkandelenit) për ta dalluar nga njësia administrative në perëndim të saj (nahija e Dibrës). Në këtë të fundit, edhe pse mbante emrin e Dibrës, gjatë shek. XV nuk kishte asnjë qendërbanimi ose mikrotoponimi tjetër me këtë emër.
Në jug të Dibrës së Poshtme shtrihej Dibra e Sipërme, që ishte kryesisht një rajon malor me shtrirje të gjerë. Këtu, në pjesën verilindore të Dibrës së Sipërme, në veri të Krushevës e në segmentin rrugor Përlep-Kërçovë, ishte qyteti mesjetar Debërshtë, emër që vazhdon ta mbajë edhe sot. Kurse në veri të liqenit të Ohrit ishte qyteti mesjetar e nahija Debërc, emër që e mban ende sot krahina e luginës së lumit Sasheska në verilindje të Strugës, nëpërmjet së cilës kalon rruga nga Struga dhe Ohri për në Kërçovë. Martin Segoni, Gjon Muzaka etj., kanë rrëfyer se qyteti i Ohrit ishte në Dibër. Këto dëshmojnë për shtrirjen e gjerë të rajonit të Dibrës së Sipërme gjatë shek. XV dhe mesjetës në përgjithësi.
Në Dibër Skënderbeu qëndroi disa ditë, ku në fshehtësi mblodhi krerët e vendit dhe u tregoi planin e veprimeve. Së pari ai vuri nën kontroll Dibrën e Poshtme, e cila vetëm në lindje ruhej nga dy garnizone të vogla, të vendosura në kështjellën e Kalkandelenit (Tetovës) dhe, në lindje të saj, në kështjellën e Sobrit, që ngrihej në krahinën e Dervenit për të kontrolluar ngushticat e rrugës Tetovë-Shkup. Sobri ka qenë në fshatin e sotëm Orashko Gradishte, ku edhe sot ruhen rrënojat e një kështjelle. Të dyja këto kështjella, e Tetovës dhe e Sobrit, duhet të kenë kaluar në duart e Skënderbeut. Me këto masa Skënderbeu vuri në kontroll një rrugë tregtare shumë të rëndësishme, që kalonte në rajonin më të pasur të zotërimeve të tij dhe që lidhte viset perëndimore me Shkupin, ku kishte selinë e vet bejlerbeu i Rumelisë. Në këtë mënyrë ai ndërpreu lidhjet e kryeqendrës së Rumelisë me garnizonet muslimane, që gjendeshin të shpërndara në viset e tjera shqiptare, të cilat shtriheshin në perëndim të Shkupit.
Për t`u mbrojtur nga ndonjë sulm i papritur i forcave muslimane, Skënderbeu vendosi roje në pozicionet kyçe të rrugëkalimeve dhe dërgoi në drejtim të Krujës një grup luftëtarësh, duke i fshehur në pyjet dhe grykat pranë saj. Kurse më pas Skënderbeu, i shoqëruar nga një numër i vogël luftëtarësh, u nis vetë për në Krujë. Duke e ditur se me forcën e armëve ishte i pamundur pushtimi i kështjellës së saj, Skënderbeu u paraqit pranë autoriteteve muslimane të Krujës si i riemëruar në detyrën e subashit të saj, funksion që e kishte ushtruar në fund të viteve 30 të shek. XV.
Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët e fshehur në rrethinat e saj dhe, në bashkëpunim me krutanët, paralizoi garnizonin musliman. Ai i la të lirë ushtarët muslimanë që të largoheshin nga Shqipëria, duke përfshirë edhe dizdarin e kështjellës, Ballabanin, i cili pas dy dhjetëvjeçarësh do të vihej në krye të trupave muslimane për të rimarrë Krujën.
Kur zbardhi dita, më 28 nëntor të vitit 1443, krutanët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur dhe, siç shprehet Barleci, "të gjithë kishin në gojë lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë". Në prani të gjithë krutanëve mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i lirisë, ai i Kastriotëve. Me këtë rast, sipas Marin Barlecit, Skënderbeu u mbajti banorëve të Krujës një fjalim të zjarrtë e plot patos patriotik. Duke vlerësuar lart gatishmërinë e madhe të shqiptarëve për të luftuar, sipas M. Barlecit, Skënderbeu iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: "Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja".
Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës, u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të papërshkruar në mbarë vendin. Ai i dha hov të paparë luftës çlirimtare dhe i paralizoi plotësisht forcat muslimane, duke i vënë ato në gjendje frike e paniku.
Pasi mori Krujën, Skënderbeu në bashkëpunim edhe me të vëllanë, Stanishën, hyri menjëherë në bisedime me banorët e zotërimevë të Kastriotëve si dhe me fisnikët shqiptarë që kishin lidhje farefisnie ose krushqi me Kastriotët. Këtyre ai u parashtroi planin e veprimeve të mëtejshme për çlirimin e kështjellave dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë.
Forcat e Skënderbeut pa humbur kohë nisën sulmet për çlirimin e një vargu kështjellash të tjera në afërsi të Krujës. Së pari morën Petrelën dhe pas saj iu drejtuan dy kështellave në lindje të Krujës, Gurit të Bardhë dhe Stelushit, të cilat kontrollonin rrugët tregtare që lidhnin viset bregdetare me ato lindore. Luftëtarët e Skënderbeut ndërkohë kaluan në Dibrën e Sipërme, ku në bashkëveprim me trupat e Gjergj Arianitit e të Zahari Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradit), të ngritur në veriperëndim të Manastirit dhe që kishte një pozicion shumë strategjik për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin e Manastrin me rajonet në perëndim të tyre. Bashkë me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e shqiptarëve ranë edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella më të vogla që kontrollonin rrugët tregtare në hapësirat e Dibrës së Sipërme. Gjithashtu Skënderbeu në jug të Shkupit mori për herë të parë në zotërim të Kastriotëve rajonin malor të Mokrës (malet Jakupice). Ai vuri nën kontroll rrugën e rëndësishme Shkup-Kërçovë, traseja e së cilës kalonte përgjatë luginës së lumit Treska.
Po kështu vepruan fisnikët shqiptarë në viset e tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme kështjellën e Jeliçës (Jenipazarit-Pazarit të Ri) dhe atë të Zveçanit duhet t’i kenë marrë Spanët, kurse rajonin e Pejës Dukagjinët. Edhe Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi) nuk qëndroi duarkryq. Më parë me ndihmën e vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit, dhe tani me përkrahjen e Skënderbeut, Stefani u fuqizua, zgjeroi kufijtë e zotërimeve të tij dhe si kryeqendër të tyre bëri Zhabiakun.
Në jug të vendit viset e çliruara arritën deri në brigjet e lumenjve Devoll e Seman. Revolta e përgjithshme antimuslimane u shtri edhe në Shqipërinë e Poshtme. “muslimanëit, - shkruante në dhjetor të vitit 1443 bajli venecian i Korfuzit, - i ka pushtuar një tmerr i madh dhe me nxitim ata të Vlorës, të Janinës dhe të Gjirokastrës po përpiqen të fortifikohen". Por, me gjithë situatën shumë të favorshme, për mungesë organizimi të qëndresës antimuslimane nga fisnikët vendas, kështjellat kryesore të Shqipërisë së Poshtme, që nga Berati e më në jug, mbetën në duart e muslimanëve.
Me çlirimin e një vargu kështjellash, shqiptarët u hoqën muslimanëve qendrat kryesore ushtarake në viset e çliruara, të cilat i shndërruan në baza të fuqishme për mbrojtjen e tyre.
Në hapësirat shqiptare që u çliruan me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443 gjendeshin zotërimet e shumë fisnikëve shqiptarë. Më të rëndësishmet prej tyre i përbënte shteti i Kastriotëve, që u ringrit shumë shpejt nën drejtimin e Skënderbeut e të vëllait të madh të tij, Stanishës. Ai gjendej në qendër të viseve të lira, shtrihej në vijën detare Lezhë-Durrës dhe arrinte në lindje deri në afërsi të Shkupit. Në veri të shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jeliçës (Sanxhakut), të Gentës (Zeta) etj. Në veri të kësaj hapësire, disa muaj më pas, do të rikrijohej Despotati i Rashës me kryeqytet Smederevën.
Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër familjeve të rëndësishme: të Arianitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve, që ishin kufitare me viset e pushtuara prej muslimanëve, prandaj mbi to do të binte edhe pesha kryesore e luftës kundër pushtuesve muslimanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te lumenjtë Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në afërsi të Manastirit.
Çlirimi i viseve të gjera në Shqipërinë Qendrore e të Epërme në vitin 1443 shënonte ngjarjen më të rëndësishme në luftën e gjatë e të ashpër që shqiptarët kishin zhvilluar deri në atë kohë kundër Perandorisë muslimane. Çlirimi u krijoi mundësinë një pjese të rëndësishme të shqiptarëve të jetonin të lirë, kurse vitet që vijuan, të luftës kundër pushtuesve të huaj, forcuan përgjithësisht te shqiptarët tiparet e luftëtarëve të lirisë, si dhe vetëdijën e tyre kombëtare.
Kuvendi i Lezhës dhe krijimi i Besëlidhjes Shqiptare (2 mars 1444)
Çlirimi i vendit me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443, ishte një fitore historike që duhej mbrojtur e çuar më tej. Përvoja e deriatëhershme shqiptare e ballkanike, sidomos kryengritjet e viteve 30 në Shqipëri, kishin treguar se fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Perandorisë muslimane, nuk mund t`i bëhej ballë pa bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake dhe ekonomike, si dhe pa bashkëpunimin me vendet e tjera. Prandaj Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndoqi një politikë të brendshme e të jashtme shumë aktive. Më mirë se kushdo tjetër ai e kuptoi se për shqiptarët nuk do të kishte perspektiva për mbrojtjen e viseve të lira, duke qëndruar në pozitat e vjetra, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh të pavarura dhe pa një bazë organizative të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte burimet njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit, si dhe gjithë veprimtarinë e zhvilluar në rrafsh të brendshëm me atë të ndërmarrë në rrafsh ndërkombëtar.
Për zgjidhjen e këtyre detyrave, si hap të parë e të domosdoshëm Skënderbeu gjykoi mbajtjen e një kuvendi të përgjithshëm, ku të përfaqësoheshin drejtuesit e zotërimeve të pavarura dhe fisnikë të tjerë të vendit. Për këtë ai zhvilloi paraprakisht me ta takime vetjake, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një kuvend i fisnikëve shqiptarë.
Kuvendet krahinore e ndërkrahinore të fisnikëve, të klerikëve apo të pleqve, ishin një traditë e njohur kombëtare e shqiptarëve e trashëguar ndër shekuj, nëpërmjet të cilave realizohej bashkëpunimi dhe bashkimi i shqiptarëve. Një kuvend me një përfaqësi kaq të gjerë kombëtare, që u vendos të mbahej në Lezhë nga shqiptarët, është i pari që njihet deri tani në historinë e tyre.
Lezha kishte një pozicion gjeografik të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara shqiptare, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Për më tej, duke qenë Lezha nën zotërimin venecian, mënjanoheshin mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi, si dhe në drejtim të marrëdhënieve me Republikën e Venedikut. Mbajtja e tij në Lezhë ishte si një thirrje miqësore për bashkëpunim në luftën kundër muslimanëve, që fisnikët shqiptarë i drejtonin me këtë rast Republikës së Shën Markut.
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antimuslimane, si dhe pjesëtarë të tjerë të aristokracisë shqiptare. Midis tyre ishin: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin), Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes në Kuvend dhe u ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve. Pjesëmarrësit diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre, në themel të të cilit vunë institucionin më të rëndësishëm kombëtar, atë të besës. Ata institucionalizuan Kuvendin si forumin politik më të lartë vendimmarrës të fisnikëve shqiptarë.
Kuvendi vendosi që bashkimi i shqiptarëve të bëhej në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Ajo ishte një aleancë politike e ushtarake. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, kurse si institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, i cili do të mblidhej herë pas here për çështje të rëndësishme. Nëpërmjet Kuvendit realizohej dhe shprehej bashkimi i shqiptarëve.
Vendim tjetër shumë i rëndësishëm i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i saj. Ushtria e Bësëlidhjes përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato të përkohshmet që mobilizoheshin vetëm në rast lufte. Ushtria e përhershme formohej me luftëtarët që fisnikët shqiptarë dërgonin pranë komandantit të përgjithshëm sipas një kuote të caktuar për secilin, si dhe nga ushtarët që mobilizonte vetë Skënderbeu. Këta formonin bërthamën kryesore të ushtrisë së përhershme, e cila vazhdimisht ishte në gatishmëri luftarake dhe në mbrojtje të kështjellave, veçanërisht atyre të brezit kufitar lindor nga vinin zakonisht ushtritë muslimane. Detyra kryesore e ushtrisë së përhershme ishte mënjanimi i sulmeve të befasishme të trupave muslimane mbi viset e lira shqiptare dhe pengimi i depërtimit të tyre në thellësi të vendit, derisa të mobilizohej ushtria e përkohshme. Kjo formonte pjesën më të madhe të ushtrisë së Besëlidhjes dhe përbëhej nga luftëtarët që mobilizoheshin përkohësisht, kur parashikohej fillimi i sulmeve të ushtrive armike. Në ushtrinë e përkohshme përfshiheshin të gjithë banorët e viseve të lira që ishin në gjendje të përdornin armët. Në rast nevoje ushtria e përbashkët mbronte vendin nga pushtuesit muslimanë e veprimet armiqësore të vendeve të tjera, si dhe interesat e zotërimet e secilit anëtar të Besëlidhjes.
Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së ushtrisë, të armatimit të saj, etj., Kuvendi vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët. Fondet monetare të saj do të formoheshin nga ndihmat në të holla që secili anëtar i Besëlidhjes do të jepte sipas një kuote të caktuar nga Kuvendi, nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit, që kishin Kastriotët pranë grykëderdhjes së lumit Mat, nga taksat doganore, si dhe nga tregtia e drithit, e metaleve etj.
Besëlidhja e Lezhës u krijua si një aleancë politike dhe ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve muslimanë. Në krye të Besëlidhjes dhe të organeve ushtarake e financiare të saj u caktua një udhëheqje e vetme, e kryesuar nga Skënderbeu. Prandaj, edhe pse Besëlidhja kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake, me vendimet e Kuvendit të Lezhës u bë një hap i madh e vendimtar përpara drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një pushteti qendror për të gjitha viset e lira shqiptare, pushtet që u përfaqësua nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare synonin që, në kuadrin e saj, të ruanin autonominë e tyre dhe Skënderbeu, si kryetar i saj, të mos ndërhynte në zotërimet e të tjerëve, por të ishte si "i parë ndërmjet të barabartëve". Secili prej anëtarëve të Besëlidhjes kishte trupa të veçanta për të mbrojtur zotërimet e interesat e veta dhe ruante të drejtën të kishte marrëdhënie vetjake me vende e forca të tjera politike jashtë Besëlidhjes. Realisht vendimet e Kuvendit i dhanë Skënderbeut një pozitë të veçantë ndaj fisnikëve të tjerë shqiptarë, dhe këta, siç shprehej Gjon Muzaka, në kushtet e rrezikut të pushtimit musliman, ishin të detyruar "t`i bindeshin" atij.
Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm Shqiptar i 2 marsit 1444 shënuan një kthesë vendimtare në luftën kundër pushtimit të huaj musliman dhe hapën rrugën e zhvilimit të vrullshëm të procesit të bashkimit politik dhe shpirtëror të banorëve të krahinave të ndryshme shqiptare.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu doli në krye të jetës politike e ushtarake të vendit jo rastësisht. Për këtë ndikuan: roli i veçantë i tij në organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1443, pozita gjeografike e shtetit të Kastriotëve (që ishte në qendër të viseve të lira dhe nëpër të kalonin rrugët më të rëndësishme që lidhnin krahinat veriore me jugoret dhe lindoret me perëndimoret), zotërimi prej tij i Krujës, kështjellës me pozicionin gjeografik më të përshtatshëm për administrimin e të gjitha viseve të çliruara, dhe për të hyrë në kontakte të shpejta me shtetet e huaja antimuslimane, si dhe lidhjet e shumta farefisnore e martesore të Kastriotëve me shumë familje fisnike të tjera, si Muzakajt, Arianitët, Stres Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët), Balshajt etj. Mbi të gjitha ishte personaliteti i vetë Skënderbeut që bëri të mundur daljen e tij në krye të jetës politike e ushtarake të Shqipërisë. Më tepër se cilido anëtar tjetër i Besëlidhjes Shqiptare, Skënderbeu kishte të gjitha cilësitë për drejtimin me sukses të luftës. Ai i njihte shumë mirë mundësitë ekonomike, financiare e ushtarake të vendit të vet. Ndërsa karriera e tij në radhët e kuadrove ushtarakë muslimanë e kishte bërë Skënderbeun njohës po aq të mirë të fuqisë, organizimit dhe të artit ushtarak të muslimanëve.
_________________
Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi