FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti

Shko poshtë 
Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3, 4
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

"Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Re: "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti   "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 EmptyTue 14 Mar 2023, 18:59

Një piramidë e arkeologjisë shoqërore


Nuk e di nëse edhe ti e duartrokisje këtë dëmtim pas shpine, por e di se Erleta nuk vinte. Kush ishin ata që në mënyrë të organizuar, përmes "bedelëve" të tyre, ia mundësonin vajzës

ikjen nga takimi me babën e vet sikur ky t'ishte ndonjë kriminel dhe jo një njeri i rëndomtë si të gjithë të tjerët? Këta ishin shumë nga ata që dikur i njihnim së bashku, por që tani të përkrahnin vetëm ty, që në të vërtetë nuk më kishin përkrahur kurrë përpos në masën që u kishte konvenuar atyre. Këta qysh atëherë nuk kishin pasur botëkuptime të drejta mbi raportin familje-shoqëri dhe rrjedhimisht, mbi asgjë. Koha e luftës dhe ajo menjëherë pas saj u kishte imponuar kriteriume politike mbi jetën private. Ky kishte qenë kompromisi i parë i tyre. Të gjitha kompromiset tjera të natyrës politike kishin qenë më të lehta, më të parëndësishme dhe më pak e më rrallë shqetësuese. Për këtë shkak, nuk mund të pritej nga këta këmbëngulja në mbrojtjen e parimeve dhe shumë rrallë e njihnin funksionin e tyre. Procesi i racionalizimit në mendjen e tyre nuk i kishte lejuar ta kuptonin të vërtetën; -nuk e ndjenin se mendimet i kishin sipërfaqësore, të pathelluara dhe as që mund t'i thellonin. Për këtë shkak ishin të prirur t'i besonin tepër shumë argumentit të autoritetit dhe jo autoritetit të argumentit. Ishin të bindur se duhej ta konsideronin veten "super-burra" në kuptimin niçean të fjalës, por pa nevojën e përdorimit të kamxhikut, pasi që këtë e zëvendësonin pozitat e larta shoqërore. Në thelb, intelektualisht të pakompletuar, veten e identifikonin me këto pozita. Si rrjedhojë politike e këtij identifikimi doemos paraqitej karrierizmi i tepruar i cili ndodhej në raport të zhdrejtë me shkallën e kompletësisë intelektuale dhe të identitetit personal. Për këtë shkak, frika nga rreziku për humbjen e tyre i drejtonte të gjitha veprimet tjera, si në raport me veten, ashtu edhe në raport me të tjerët. Andaj është e kuptueshme se ishin tejet të pandjeshëm për problemet që nuk i rrezikonin pozitat e tyre dhe tejet të ndjeshëm për çdo synim të kundërt. Ky kishte qenë dhe kishte mbetur i vetmi kriterium i sjelljes së tyre gjer me ndryshimin e ambientit politik, i cili akoma nuk kishte përfunduar.

Pjesa tjetër që vinte menjëherë pas tyre, u ngrit në sferat më të larta shoqërore pa ndonjë prapavijë dhe traditë të duhur intelektuale. Raportet familjare të kësaj pjese poashtu i karakterizonte pabarazia, bile edhe më shumë se sa në rastin e parë, sepse të parët qysh heret qenë të detyruar t'i përmbaheshin imixhit mbi pjesëmarrjen familjarisht në luftë. Si rrjedhojë, gruas i mbetej të identifikohej jo me veten, as me burrin, por vetëm me pozitën e tij në shoqëri. Ajo mund të ishte grua e filan doktorit, inxhinjerit, profesorit etj., sikurse që në rastin e parë simotra e saj prezentohej si grua e filan kryetarit, sekretarit, ministrit etj. Ajo nuk mund të ishte filan-fistekja, me identitetin dhe me dinjitetin e emrit të vet personal, sepse si të tillë nuk e njihte askush, dhe as që ishte ajo vetë e orientuar për të qenë e vetvetes. Ky orientim i femrës shqiptare për të mos qenë e vetes, por si fëmijë -e filan kolektivitetit familjar, ndërsa pak më rrallë -e filan babait, dhe në moshë të rritur -e filan burrit, ishte pothuajse tradicional. Atë e mësonin që në fëmijëri për të mos qenë e vetes por vetëm e të tjerëve. Shoqëria tradicionale shqiptare ishte përfundimisht arkaike. Nga ky arkaizëm buronin pastaj tragjedi të shpeshta dhe të rënda, ndonëse kishte lindur si mekanizëm mbrojtës i shoqërisë nga imponimet e jashtme. Puna ishte që ky arkaizëm patjetër të luftohej dhe jo të kultivohej në rrethana të ndryshuara. Ndërkaq kjo luftë ishte një "condicio sine qua non" i çdo evropeizimi të shëndoshë e jo të çoroditur.
Në të dy rastet, mbikëqyrja dhe edukimi i fëmijëve, si edhe punët e shtëpisë, mbeteshin detyrë ekskluzive e gruas. Intelektuali ynë i lartë, nga ky aspekt, ndodhej në pozitë të ngjashme me cilindo shkollar të familjeve kolektive nga fshati që e përbënin hallkën e tretë të piramidës shoqërore në Kosovë, po qe se numrimi i tyre do të fillonte nga lartë poshtë. Ishte kjo një piramidë e vjetër sa edhe vetë shoqëria -një piramidë arkaiko-arkeologjike në shumë kuptime, ndonëse skeleti i strukturës bazë nuk mund të ndryshonte askund.
Burrat nga këto tri kate ose hallka shoqërore, në vetëdijen e tyre të lajthitur konsideroheshin si "super-burra", pasi që ashtu i kishte bindur procesi i racionalizimit të kompromiseve që i kishin bërë me ndërgjegjen e tyre në ngutje e sipër për të arritur sa më lart që të ishte e mundur. Në të dy hallkat e fundit, e ndonjëherë edhe në hallkën e parë, burrat ishin të zhveshur nga përgjegjësia e brendshme familjare, nga përgjegjësia për kujdesin ndaj fëmijëve.

Kjo pastaj e mundësonte ripërtëritjen e piramidës arkeologjike në shumë kuptime. Në të dy hallkat e para këtë ua mundësonte bashkëshortja me identitet të tretur, ndërsa në hallkën e tretë, kësaj i ndihmonte edhe kolektiviteti familjar në frymën e traditës. Kishte edhe raste ekstreme, kur burri nga hallka e dytë i linte gruan dhe fëmijët në fshat nën kujdesin e kolektivit familjar, përderisa në banesën e vet në qytet e vendoste një grua tjetër jolegjitime. Dhe për këtë nuk e brente kurrfarë ndërgjegje, sepse ky kishte qenë kompromisi fillestar i një pankompromisiade të mëvonshme gjithëshoqërore, kur burrat-fëmijë nga hallka e tretë, madje edhe gratë e tyre, e konsideronin si normale një martesë "ashiqare" në Kosovë, dhe një tjetër "për të cilën nuk flitej" në Evropë. Vetëm nga ky fakt fatkeq është fare e qartë natyra e moralit që kishim filluar ta kultivonim.

Të trija këto hallka të shoqërisë e përbënin shtresën sunduese të saj. Këto ushtronin ndikim të madh në krijimin e mentalitetit dhe të ambientit politik. "Super-burrat" e kësaj shtrese konsideroheshin të civilizuar, madje edhe në nivel të Evropës, por gabonin, ndonëse nuk ishin të vetëdijshëm, kur dukuritë devijante dhe me rëndësi margjinale i merrnin për thelb të moralit evropian. Disa nga ata natyrisht edhe mund ta dinin të vërtetën, por të gjendur para dilemave të shumta që kishin të bënin me ta, u dukej më e lehtë ta zgjidhnin rrugën e oportunizmit utilitar: me çmimin e flijimit të gjërave që dukeshin se nuk janë aty për aty evidente për rrethin e vet, dëshironin me çdo kusht të bëheshin dhe të mbeteshin dikushi.

Objektivisht anëtarët e të dy grupeve të fundit ishin martuar heret, në moshën kur akoma kishin qenë vetëm bij të kolektiviteteve familjare dhe jo njerëz të formuar, me identitet të vetin. Ishin martuar rëndom me dëshirën, por pa vetëdijen e tyre të plotë mbi rrugët që do t'i kalonin në të ardhmen e vet dhe gjithnjë në kohën e varësisë së plotë materiale, kur nuk kishin patur as mundësi reale t'i rezistonin presionit eventual të saj (të familjes kolektive). Megjithatë kjo gjë mund të ndihmonte në kuptimin e mangësive, por nuk mund t'i arsyetonte ato. Njëmendësia e luftës së zhvilluar për t'u ngritur, ose më tepër, për të zënë pozita në shoqëri, kishte qenë faktori kryesor që e përcaktonte karakterin e tyre. Meqenëse kjo luftë gjithnjë e më tepër bëhej më e vështirë, pritej që nga ky bazament shoqëror një kategori e konsiderueshme të mbetej e paintegruar dhe me kohë të rritej numerikisht dhe të forcohej intelektualisht. Dhe ashtu ngjau. Duke e synuar zhvillimin dhe forcimin e individualitetit të Kosovës, i përkraha që nga fillimi i formimit të tyre si kategori e veçantë shoqërore. Pastaj në gjysmën e dytë të artikullit "Viti '81 dhe proceset e demokracisë", i ngrita qëllimisht lart në piedestalin politik, por hallkat e integruara shoqërore te këta e kishin parë vetëm rrezikun për pozitat e tyre. Më vonë një pjesë e rëndësishme por e vogël e tyre u integrua në alternativën kosovare, ndonëse duke iu përshtatur rezonimit të moçëm politik dhe jo duke luftuar për ta ndryshuar atë. Ndoshta kësaj përshtatjeje të tyre i kishte ndihmuar edhe ndryshimi i rrethanave ndërkombëtare, por kjo njëherit e vërtetonte argumentimin tim se fjala ishte për të rinjtë që e synonin të njëjtën gjë.
S'ishte kurrfarë çudie prandaj që të dy palët të më konsideronin si të tyrin dhe të gjenin argumente për këtë. Mirëpo meqë me të parët nuk e kisha ndarë bipërkatësinë politike, ndërsa me të dytët as moshën dhe as injorancën e kuptueshme për proceset politike, njësoj mund edhe të më refuzonin nga vetja. Ashtu edhe ngjau. Edhe më deshën, por edhe më hodhën atëherë kur menduan se nuk u duhesha. Në këtë mënyrë mbeta vetëm i vetes, ashtu siç kisha qenë gjithmonë.
Mirëpo përkundër gjithë kësaj lufte, të cilën herë-herë e zhvillonin të gjitha palët kundër meje, njëkohësisht, dhe në të gjitha drejtimet, unë qëndrova konseguent: e besoja se inteligjencia e Kosovës, anëtare e së cilës je edhe ti, heret a vonë do t'i kuptonte gabimet e rezonimit të moçëm politik të kohës së komunizmit në Kosovë. Për këtë shkak edhe të arsyetova, dhe meqë për asnjë milimetër nuk i kishe tejkaluar kufijtë e gabimeve të tyre, e kërkova mbrojtjen tënde edhe për kohën e demokracisë dhe jo vetëm për kohën e komunizmit. Mirëpo ti e vazhdove avazin e vjetër ndërsa ata e vazhduan rezonimin e moçëm të përkrahjes

së njëanëshme. Kjo më tmerroi. Ata që e pretendonin udhëheqjen e luftës për dinjitetin dhe identitetin e një populli të tërë, të cilëve populli u besonte me fanatizëm të verbër, nuk e shihnin dot se kishin startuar shtrembër. Duke e përkrahur një praktikë përfundimisht imorale, binin në provimet elementare të etikës dhe nuk e shihnin lidhjen e saj me politikën. Për këtë ua tërhoqa vërejtjen dhe më akuzuan për bajraktarizëm. Për ta individi nuk mund të lozte ndonjë rol të madh në ecurinë e proceseve dhe duke mos e parë trashëgimin e botëkuptimeve të vulgarizuara staliniste mbi rolin e masës në revolucionet shoqërore, më akuzonin pikërisht për stalinizëm! I kishin hutuar titujt dhe gradat e larta të shkencës dhe të politikës, pasi që tashmë e kishin harruar mënyrën e arritjes së tyre. U binda përfundimisht se ata demokracinë e barazonin me interesat e veta të veçanta. Për këtë shkak, metodat mafioze për sendërtimin e këtyre qëllimeve jo vetëm që i prezantonin si demokratike por fatkeqësisht edhe i besonin si të këtilla. E kishin përvetësuar qasjen cinike dhe jo atë idealiste ndaj demokracisë, duke harruar se pikërisht kjo e kishte avancuar demokracinë. Rendi, skrupujt, ligji, ligjshmëria, normat etike, me vetë qasjen e tillë, ishin të eliminuara nga rezonimi i tyre politik. Bukuria sublime e demokracisë duhej të ekzistonte vetëm për budallenjtë si unë. Politikën e kishin reduktuar në një mjeshtëri për dallavere dhe për pazarllëk. Bënin tregti me opcionet politike dhe nuk e ndjenin se fjala ishte për interesa fundamentale të një populli të tërë. Si rezultat i këtyre botëkuptimeve të rrotulluara mbi demokracinë, sot nuk ka vetëm ngecje, por edhe retardime të rënda dhe tragjike të proceseve politike.

Ata që këto gjëra nuk duan t'i shohin sot, ata që për këto nuk mërziten tani, nuk do të mërziten kurrë. Ata janë një soj karrieristësh tejet të zhdërvjellët, dhe padyshim që do të mbeten me çdo kusht në pushtet në çfarëdo rrethana. Ky ishte dhe mbeti qëllimi i tyre i vetëm, por nuk e di se kujt, pos vetë atyre, do t'u duhet ai pushtet? Pushteti mbi një popull të përgjysmuar nga çdo drejtim nuk është tjetër veçse një karikaturë e mjerë e vetes.
Besova se nga ai bazamenti i përmendur i piramidës arkeologjike -dhe arkeologjike në shumë kuptime, do të shpërthente kategoria në fjalë e të rinjve që tanimë nuk ishin të rinj. Dëgjova se të kishin zgjedhur anëtare të Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Kosovë. Pikërisht aty ishin të koncentruar shumë nga këta të rinj të moshës së pjekur. Meqë dikur i kisha ngritur lart në piedestalin politik, kurse të tjerëve u kisha premtuar se me çmimin e jetës nuk do ta lejonim rrënimin e jetës (shiko ligjëratën: "Individi dhe procesi politik") nuk desha t'i besoja një kauboji të Texasit se edhe ugandezi Amin Dada një herë kishte qenë i zgjedhur në forume të ngjashme. Desha të besoja se këta nuk do ta lejonin përvjedhjen e praktikave që do ta cënonin integritetin moral të forumit në fjalë. Desha të besoja se edhe ti vetë nuk do ta lejoje një gjë të tillë. Mirëpo edhe këta u treguan oportunistë si të parët. Edhe ti u pajtove me këtë oportunizëm. Lufta politike që duhej të zhvillonit u reduktua në evidentimin e eksceseve, të ndodhive dhe të krimeve dhe në arkëtimin e tyre në forumet e larta të komunitetit evropian. Me kaq përfundonte lufta politike e të rinjve të pjekur. Thua se Evropa nuk i dinte dhe nuk i shihte ato. Thua se ajo vetë nuk i kishte provuar tashmë. Kjo më hidhëroi. Ua thashë edhe më parë me gojë, por tani po ua përsëris: ose nuk e njihnin natyrën e luftës politike, ose nuk e besonin fare atë. Në të dy rastet do të duhej të ishin të ndershëm. Po qe se nuk ishin të gatshëm të ballafaqoheshin me konsekuencat që doemos i nënkupton lufta politike, atëherë le të hiqnin dorë nga ajo! Le të merreshin me diç tjetër që nuk ka konsekuenca të tilla, si psh. me bujqësi ose me tregti, por jo me luftën politike për liritë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë! Në këtë mënyrë ata e shkaktuan humbjen totale të besimit të dhënë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

"Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Re: "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti   "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 EmptyTue 14 Mar 2023, 19:00

Një mbledhje


Gjatë një viti të tërë shkollor punonim në të njëjtin fakultet, por nuk u takuam ndonjëherë. Pastaj, meqë ishte fjala edhe kinse për mua, më ftuan në mbledhjen e përmendur të 1 korrikut

të këtij viti. Ti erdhe me vonesë, dhe pikërisht kjo gjë më dha rastin të të shikoja drejtpërsëdrejti. Pikërisht ashtu siç mund t'i përcillte Suzana , e cila si me porosi ishte ulur mbase kastile përballë meje, ndryshimet e mundshme në fytyrën time. Mirëpo më ra ndër mend me kohë. Nuk i dhashë rast ta kryente këtë detyrë. Ka kohë që jam mësuar ta komandoj brendinë time. Gjërat që i vërejta tek ti, shihej qartë se nuk vinin nga pleqëria. Dëshirova t'i zbërtheja. Për këtë shkak i mbërtheva tamthat me gishtërinj, dhe sakaq më dolën para sysh dridhjet e Andinit.

Skena të tmerrshme kishte përjetuar Andini. Atë vetë dhe të motrën i mbanin peng në nivel mëhalle, (mahallisht). Një herë, pas një nate të tmerrshme të kaosit shpirtëror, kur kisha kërkuar që ta shihja, kish qenë dëshmitar i vërsuljes së dajallarëve të tij për të më rrahur, sepse kisha guxuar t'ua prishja gjumin (kishte qenë ora 8 e mëngjezit). Nuk e dija se për ta bërë një gjë të tillë ishte dashur të kaloja procedura të posaçme. Po atë ditë fshati qe mbarsur me propagandën e aktivistëve të LDK-së. Kisha bërë gabim të madh, thoshin ata, ndonëse nuk e shpjegonin dot se ku konsistonte gabimi. Që nga ajo ditë Andini e bart në vete një shqetësim të dridhshëm, një dridhje shqetësimi sa herë që dëgjon se do të kaloj aty pari, kah dajallarët e tij. Ndoshta edhe për këtë shkak, qysh kur ai ishte në moshën 4 vjeçare, i tërë një fshat me të pesë mijë banorët e tij, i bënte sehir udhëtimet e Andinit. Një vocrrak 4 vjeçar udhëtonte gati për çdo ditë prej një skaji në skajin tjetër të fshatit nëpër vapën e verës, nëpër baltërat e vjeshtës e nëpër stuhinë e dimrit, duke i kaluar pritat e qenëve, dhe shkonte për ta parë babain e tij që donin t'ia rrëmbenin. Në fillim kishin qeshur me udhëtimet e tij, sepse i kishin interpretuar si produkte lazdrimi, pastaj kishin filluar ta admironin për guximin dhe gjindshmërinë që e kishte treguar gjatë atyre udhëtimeve. Më në fund, kur e kishin koptisur esencën e çështjes, ajo kishte mbetur sërish aty ku kishte qenë -e pazgjidhur. Andini i vogël gradualisht ishte shndërruar në një legjendë lokale, por pa ndonjë përmendore të ngritur si ajo e Manequen Pisse-it në Bruksel të Belgjikës. Mendoja me vete: sikur udhëtimeve të Andinit t'u ngritej ndonjë përmendore si atij në Belgjikë, atëherë ajo patjetër do të duhej t'i përmbante dridhjet shqetësuese të Andinit, do të duhej të simbolizonte indolencën ndaj imponimit të një politike nga jashtë brenda, shkatërrimin përfundimtar të rendit të gjërave. Ndërkaq figura e Manequin Pisse-it nuk përmbante asgjë të këtij lloji përveç një përbuzjeje të lehtë me të cilën protestohej eksportimi i një politike nga brenda -jashtë. Nuk përmbante asgjë tmerruese, por përkundrazi, një protestë sharmante, një fakt që nuk i përkiste atij vetë, por edhe shoqërisë, që i kishin lënë vrragë të thella që do të duhej t'ia mbulonte koha, por që ajo kurrsesi nuk po vinte.

Pastaj m'u kujtua Brisilda, vajza ime tri-vjeçare. E kishin bërë shoshë nga prapa me inxheksione, por nuk e kishin parë të arsyeshme të më tregonin. Ftohja e saj, si gjithmonë, u ishte dukur e parëndësishme. Mirëpo rezultat ishte largimi i saj nga unë, ashtu si edhe Erleta më heret: më urrente sepse nuk kisha qenë pranë saj kur kishte pasur dhembje. Nuk e kisha mbrojtur dhe as ngushëlluar. Kisha mbetur për të një i huaj i paarritshëm, ndonëse thoshin se isha baba i tyre. Pastaj unë desha ta urreja gjithë botën e femrave, por ti ishe aty. Të pashë dhe e ndjeja prezencën tënde. Në të vërtetë nuk të pashë, por vetëm të lexova e të shkoqita shpirtërisht.
I mbylla sytë dhe desha të përqendrohesha, por tani më doli përpara Eranda. Ti nuk e njeh Erandën. Është bija 7 vjeçare e vëllait tim -Afrimit, dmth., mbesa ime. Është tejet e hajthme por inteligjente. Ditën që u nis ia kishte përkujtuar babait të vet që veturën e tyre të ma linin mua "Axhit Ukshin". U kishte shpjeguar se ajo do të më duhej pasi që udhëtoja rregullisht për në Prishtinë dhe mund ta takoja -Erletën. Pastaj kishte kërkuar të përshëndetej me mua, por unë kisha ikur. Nuk kisha mundur të ndahesha dot prej tyre. Për këtë shkak ia kishte plasur vajit. Vajit të saj iu kishte bashkangjitur edhe Bulena (Albulena) 4 vjeçare, që e kishte kërkuar Andinin, por ky si zakonisht nuk e kishte honepsur, ngase i dukej si tepër e bezdisshme. Më në fund i kishte pajtuar Bresha (Arbëreshja) 3 vjeçare "Do t'i çojmë, -kishte propozuar ajo, -

Axhit Ukshin ma:ka". Me këtë propozim ishin pajtuar që të trija dhe iu kishin bashkuar prindërve të vet në rrugën e gjatë të mërgimit. Të 19 shokët e Afrimit që i njihja më parë, kishin vajtur tashmë qysh heret. Lëndimi im, pas rrahjes, e kishte bindur përfundimisht se duhej të shkonte edhe ai. Dhe shkoi me gjithë familjen, si të gjithë shokët e vet.

Thashë me vete: ç'i duhej Millosheviqit të manipulonte aq shumë për ta arritur një qëllim aq të kollajshëm? Por përgjigjet mu dukën si tejet triviale. Andaj i heshta.
Përderisa nxirrja konkludime të tilla, më pengoi, por edhe më zgjoi, zëri i asaj kolegeje që të vardisej. I shikova njerëzit përreth. Ishin po ata njerëz që 12 vjet më parë i kisha parë në sallën e arsimtarëve të Fakultetit Filozofik. Mungonin ca më kryesorët, por shumë prej tyre ishin bërë të mëdhenj dhe u ndjehej prezenca përmes bedelëve. Disa i kishin avansuar gradat dhe pozitat, por nuk ishin avansuar edhe vetë. "Një fatkeqësi e rëndomtë e intelektualëve tanë, -mendova, -është se nuk avansojnë dot së bashku me gradat." Të gjithë e pretendonin unitetin, por shpërthenin lehtazi në sipërfaqe të njëjtat përkufizime grupore si dikur: në ata që pretendonin se e kishin pushtetin, por që kishin zbritur në bodrumet e shtëpive private. Në ata që pretendonin humbjen e pushtetit, por që megjithatë me dinakëri, mençuri dhe gjelozi e ruanin, duke pretenduar se e ndanin me të parët, por po ashtu nëpër bodrumet e shtëpive private. Dhe më në fund, në ata që i bënin sehir të dy grupet në fjalë dhe nuk prisheshin me asnjërin, duke e pritur përfundimin e luftës së tyre për pushtet dhe jo për shtet. Të gjithë pretendonin se ishin kundër Serbisë, përderisa ajo vetëm sa i kishte braktisur, dhe këta nuk e kuptonin përse. Mendoja: këta nuk e dinë se Eranda, Bulena dhe Bresha tashmë kishin vajtur. Nuk dinin asgjë as për Sildën 3 vjeçare e cila në mënyrën e vet fëminore protestonte kundër ndarjes me babain e vet. Kishin dëgjuar mbase për Erletën, por nuk mund ta njihnin botën e saj të brendshme. Dhe konkludova: një inteligjencie me një popull të përgjysmuar nga të gjitha drejtimet. Mirëpo këtë e kisha konkluduar edhe më heret. Motivi për të konkluduar për të dytën herë po të njëjtën gjë s'mund të ishte vetëm personal. U përpoqa ta gjeja motivin dhe sakaq m'u kujtua biseda me atë intelektualin, ish -mikun tim, që i takonte grupit të parë (që e pretendonin pushtetin, por që ky u kishte ikur, bile edhe nga Tirana): "Nuk kishim pasur popull, -thoshte ai,-por vetëm fis". Ndoshta vërtetë ishte kështu, por ky nuk kishte të drejtë ta thoshte një gjë të tillë. "Qen bir qeni, -thashë me vete, -e dëshiroje luftën por jo edhe përgjegjësinë!" Me imoralitetin e këtij qëndrimi e katandisën çdo moral në gjendje të amullisë shpirtërore të një populli të tërë dhe pastaj me një paturpësi të hapur deklamonin se nuk kishte pasur popull por vetëm fis dhe për këtë i fajësonin të vdekurit dhe jo veten e tyre.

Intensiteti i mendimeve po më shkaktonte mundime. Për këtë shkak e ndërrova vendin, por tani më dhimbnin edhe plagët. Megjithatë arrita të koncentrohesha sërish. Ç'kërkoja unë në këtë vend? -e pyeta veten, dhe sakaq m'u kujtua se gjatë tërë vitit e kisha kërkuar Erletën, por nuk e kisha gjetur. Nuk ishte edhe më tej vendi im aty, përfundova me vete, dhe përsëri të vura re. Befas m'u bë e qartë gjithë e vërteta jonë e hidhur. Nuk pata nevojë ta mësoja nga bisedat dhe as që të ma rrëfenin. Thjesht m'u bë e qartë dhe e kthjellët si kristali, por dhe e rëndë si tunxhi:
TË KISHIN PËRDORUR TY PËR TA SHKATËRRUAR JETËN TIME. POR PËR TA BËRË SHKATËRRIMIN ME THEMEL TË JETËS SIME, TI NUK U KISHE MJAFTUAR. E KISHIN (OSE -E KISHA) GJETUR EDHE NJË TJETËR, POR KËTË E MËSOVA NË NDËRKOHË. ATË QË NUK E DIJA DERI NË ATO ÇASTE DHE PËR TË CILËN NUK KISHA QENË I VETËDIJSHËM ISHTE FAKTI SE MË KISHIN GJETUR EDHE MUA PËR TA RRËNUAR JETËN TËNDE DHE JO VETËM PËR TA SHKATËRRUAR ATË. PASTAJ E KISHIM GJETUR NJËRI-TJETRIN PËR TA RRËNUAR JETËN E FËMIJËVE TANË. KY RRËNIM CIKLONIK KISHTE VAZHDUAR ME VITE TË TËRA DHE AKOMA VAZHDON EDHE SOT. PËRKUNDËR PREMTIMIT SE ME ÇMIMIN E JETËS NUK DO TA LEJONIM RRËNIMIN E JETËS, JETA NË KOSOVË VAZHDONTE TË

RRËNOHEJ. TANI E RREZIKON EDHE VETË EKZISTENCËN E KOMBIT. KJO NUK DUHET LEJUAR!


Krushë e Madhe

18 korrik 1993

Ukshini
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

"Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Re: "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti   "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 EmptyTue 14 Mar 2023, 19:00

Bibliografia


ALTHUSER, LUJ Za Marksa, Nolit, Beograd 1971 ARENDT, HANA Vita activa oder vom tatigen leben, München ARISTOTELI Politika, Prishtinë

B.R. ADMIRAL; DANIEL INMAN; BURTON, F. Jr. Technology and Competitiveness, The New Policy Frontier, Foreign Affairs, Fall 1990 BACKER, BERIT Behind the stone walls

BAY, KRISTIAN The Structure of Freedom, Stanf. Un. Pr. California 1970 BERTRAM, KRISTOF The German Question, Foreign Affairs, Spring 1990

BIBIÇ, ADOLF Politicka znanost, predmet i sustina; Hrestomatija politicke znanosti, Zagreb 1971
BLOH, ERNEST Das Prinzip Hoffnung, Frankfurt a/M, 1973
BROWN, DAVID Ethnic Revival, Perspectives on state and society, Third Word Quaterly, Oct. 1989
BRZEZINSKI, ZBIGNJEV Post Komunist Nationalism, Foreign Affairs, Winter 1989-90 BRUNET, RENE The New German Constitution, 1922
CARR, E.H. International Relations Beetween the Two World Wars, St. Martins Press, N.Y. CARVER, GEORGE Jr. Intelligence in the Age of Glasnost, Forreign Affairs, Summer 1990 CLAY, JASON, W., The Ethnic Futur of Nations, Third Word Quaterly, October 1989 COHEN, BENIAMIN J. The question of Imperialism, Basic Books, Inc. Publishers, N.Y. 1973
DYVERZHE, MORIS Uvod u politici, Beograd 1966 ENLOE, CYNTHIA Policia, armija i etniciteti, Zagreb 1990

FRANKL, JOZEF The Making of Foreign Policy, Okll.Univers.Press, London 1967 GANDI, M.K. My Non Violence, Navajivan Publishing House, Ahmedabad 1960 HABERMAS, JURGEN Technik unt Wisentschaft als Ideologie, Frankfurt a/M, 1970 HEGEL, G.W.F. Estetika I, Beograd 1975
HOBBES, THOMAS, Leviathan (ed. and. intr. by C.B.Macpherson) Harmondsworth, Eng., Penguin, 1968
HOFFMAN, STANLEY A New World and its Troubles, Foreign Affairs, Fall 1990 HORKHEIMER M. Zur Kritik der instrumentellen Vernunft, Frankfurt a/M, 1967 HORKHEIMER, MAKS und ADORNO, THEODOR Dialektik der Autklärung, Amsterdam 1947
IBLER, VLADIMIR, Medjunarodni odnosi, Hrestomatija Pol. znanosti, Zagreb 1971 KANT, IMMANUEL, Kritika cistoga uma, Beograd, Kultura, 1970
KELLER, KENET, H. Science and Technology, Foreign Affairs, Fall 1990 KENNAN, GEORG, America and the Russian Future, For. Aff. Spring 1990 KENNAN, GEORG, Comunism in Russian Histori, For. Aff. Winter 1990-91 KIPOLA, KARLO, The economic Decline of Empires, 1970
KOBER, STANLEY, Idealpolitik, Foreign Policy, Summer 1990 LASWELL, HAROLD, Psichopathology and Politycs

MACKINDER, HALFORD J. Democratic Ideals and Reality, New York 1942 MAKIAVELI, Sundimtari (Il Principe), Prishtinë MARKSI, K. Kapitali, Tiranë

MARTIN, ALFRED von,Sociologie der Renaissance...Frankfurt 1949
MACRIDIS, ROJ Foreign Policy in World Politics, New Yersey, USA 1976
MCLELLAND, CHARLES, International Relations, Wisdom or Science në James
N.Rosenau, International Politics and Foreign Policy, The Free Press, Macmillan Publishing
Co.In.N.Y. USA 1969
MOR, TOMAS Utopia, Prishtinë
MORGENTHAO, HANS J. Politics among Nations, A.A.Knopf, N.Y.1967 MOREN, EDGAR, Kako misliti Evropu, Sarajevo, 1989
NORTHEDGE, F.S. The Foreign Policyes of the Powers, The Freedom Press, N.Y.1974 NEHRU, JAWAHARLAL, An Autobiography, Allied Publishers, New Delhi, 1961

ORGANSKI, A.F.K. World Politics, A.A.Knopf, N.Y.1968 PASHIQ, NAJDAN, Uporedni politicki sistemi, Beograd 1978 PASHIQ, NAJDAN, Klase i politika, Beograd 1968

POLITIÇKA ENCIKLOPEDIJA, Savremena Administracija, Beograd 1975 PRIFTI, PETER, Albania, Boston, Masachussettes, 1978

PUTO, ARBEN, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha, Tiranë 1978 RENOVEN, P., DUROSELLE, J.B. Introduktion a l historie des Relationes Internationales, Librarie Armand Colin, Parsis 1970
RÖHRICH, WILFRID - NARRA,W.D. Politika kao znanost, Zagreb 1989
STALIN, J.V. Marksism and National Question, San Francisko, Proletarian Publishers 1975
STOESINGER, JOHN, G. The Might of Nations, Random House, N.Y, 1967
SULISBURY, HARRISON, E. The War Between Russia and China, Pen Books, London
1969
SHEELY, ANNE, Population Trends in Central Asia and Khasakstan 1959-1965, Central Asian Rewiew, 4.1965
TOQUEVILLE, ALEXIS dë Democracy in America, Doubleday and Company, Inc. N.Y.1969
The theory and practice of proletarian internationalism, USSR Academy of Sciences, Progress Publishers, Moskow 1976
VEKOVIQ, IVAN, Afrika i socijalizam, Beograd 1976
WEBER, MAKS, Wirtschaft und Geselschaft, Tubingen 1976
ZAMAROVSKI, VOJTECH, Heronjtë e miteve antike, Prishtinë 1985
ZBIRKA NOVIH USTAVA, Savremena administracija, Beograd 1979
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

"Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Re: "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti   "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 EmptyTue 14 Mar 2023, 19:01

Biografi e shkurtër e autorit


Ukshin Hoti është i lindur në Krushë të Madhe, fshat në komunën e Rahovecit, Republika e Kosovës, në vitin 1943 nga i ati Nazyfi dhe e ëma Fatimja, në një familje me gjendje të mesme ekonomike (babai -gazetashitës, ndërsa e ëma -shtëpiake).

Nga fshati i tij ndahet në moshën 12 vjeçare për shkak të shkollimit (8 vjet shkollë fillore, 5 vjet shkollë normale në Prizren e në Prishtinë, 4 vjet studime në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb, 2 vjet studime postdiplomike në Beograd - drejtimi i Marrëdhënieve Politike dhe

Ekonomike Ndërkombëtare, pas të cilave specializon për një vit në universitetet amerikane të Çikagos, të Harvardit në Kembrixh -Boston dhe në Washington D.C.).

Që nga gjysma e dytë e viteve 70 gjer më 1981 ka punuar në detyra të ndryshme politike e arsimore në Kosovë; ka qenë ligjërues i vitit III dhe IV të Fakultetit Juridik, drejtimi -Juridiko-Diplomatik, i vitit III të Fakultetit Filozofik, dega Filozofi-Sociologji, i shkollës politike të Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist "Edvard Kardel", ka qenë Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme të KE dhe të Kuvendit të KSA të Kosovës, ka qenë anëtar i pothuajse të gjitha forumeve federale që merreshin me politikën ndërkombëtare.

Pas diskutimit të tij në një mbledhje të organizatës bazë partiake të Fakultetit Filozofik, dega Filozofi -Sociologji, në Prishtinë me 19 nëntor të vitit 1981, me ç'rast vihet në mbrojtje të hapur të studentëve, të demonstratave të tyre dhe të kërkesës së tyre themelore për konstituimin e Kosovës në Republikë, arrestohet dhe dënohet me 9 vjet burg, dënim i cili i ulet në 3,5 vjet nga Gjykata Supreme. Pas daljes nga burgu ai detyrohet të kthehet në fshatin e tij të lindjes në kushtet e një izolimi ostracist. Të gjitha përpjekjet për shpërthim tregohen të pasuksesshme.
Më 1990 angazhohet në Lubjanë në revistat "Alternativa", "Republika" dhe në atë me titull "Demokracia Autentike -DEA" të cilën e drejton vetë si ideator politik dhe si kryeredaktor. Duke qenë se gazeta bllokohet me metodat financiare të politikës së qarqeve të caktuara të Prishtinës, ai kthehet sërish në vendlindje nga ku vazhdon të veprojë herë me kontribute politiko-eseistike, herë si profesor i Sociologjisë Politike në Universitetin e Prishtinës. Në fillim të vitit 1993 (në muajt mars-prill) e mban edhe dënimin e tij të dytë politik për shkak se një vit më heret kishte organizuar një homazh masiv për martirët e demokracisë në Brestovc. Po këtë vit ai rrahet për vdekje nga një pritë e njësiteve speciale serbe në Gllogovc, pas kthimit të tij nga vizita e grevistëve të urisë në Pallatin e Shtypit në Prishtinë të inicuar nga Adem Demaçi.

Gjatë këtij viti ai merr pjesë edhe në tubimet e organizuara në Tetovë me përfaqësues politikë gjithëkombëtarë ku merren qëndrime politike lidhur me nevojën e bashkimit të kombit shqiptar në një shtet unik . Në vazhdën e këtij aktiviteti ai vihet në krye të partisë me program politik kombëtar UNIKOMB. Mirëpo shteti, duke parë tek aktivizimi i tij i plotë politik rrezikun e prishjes së baraspeshës politike dhe të marrëveshjes së heshtur me subjektet e pasivizuara politike shqiptare të Kosovës, e burgos sërish dhe e dënon me 5 vjet burg nën pretekstin e anëtarësimit ilegal në LPRK e në UNIKOMB me qëllim të minimit të sistemit kushtetues e të tërësisë territoriale të Jugosllavisë.
Aktualisht gjendet në vitin e dytë të dënimit në "Dubravë" të Istogut.

/1995/
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

"Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Re: "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti   "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 EmptyTue 14 Mar 2023, 19:02

PËRMBAJTJA


PJESA I

KOSOVA DHE EVROPA

1. Për një qasje shkencore të politikës në Kosovë

2. Prapavija e qasjes
3. Shteti dhe interesat vitale të kombit -I (Teoritë e proveniencës së Perëndimit)
4. Shteti dhe interesat vitale të kombit -II (Teoritë e proveniencës së Lindjes)

5. Shqiptarët dhe interesat vitale të kombit

PJESA II

1. Viti '81 dhe proceset e demokracisë

2. Republika dhe lufta në kontekst të Evropës
3. Shqiptarët në kontekst të interesave aktuale strategjike
4. Çështja shqiptare, faktori kombëtar e ndërkombëtar
5. Individi dhe procesi politik -I
6. Individi dhe procesi politik -III (Fjala e mbrojtjes para gjyqit)

PJESA III

1. Kërkesa për republikë është kërkesë për zhvillim më të shpejtuar

2. Gishti i trashë i vëllait të madh
3. Mbi karakterin autentik të demokracisë
4. Demokracia autentike kosovare
5. Armata dhe politika

6. Mbi të gjitha nderimi i vetvetes
7. Axhamillëku i ynë politik
8. Bëje ose vdis
9. Kronika e rrënimit të një jete
10. Biografi e shkurtër e autorit
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





"Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Re: "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti   "Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti - Faqe 4 Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
"Filozofia politike e çështjes shqiptare", U. Hoti
Mbrapsht në krye 
Faqja 4 e 4Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3, 4
 Similar topics
-
» Si ja mori Hoti parinë Kelmendit ?!
» Politikë popullësie
» Vetënisma në politikë
» Gjeopolitika shqiptare në Greqi
» Lidhjet fetaro-politike

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Shkencë :: Politikë-
Kërce tek: