Arvanitia, ose fytyra shqiptare e Greqisë
Qemal VelijaEdhe pse fluid për nga shtrirja gjeografike (për nga shpërndarja dhe përqëndrimi), ky koncept, pra Arvanitia, përbën në të vërtetë një realitet sa historik, etnik, demografik, aq dhe konkret në qënësinë e tij brenda juridiksionit të shtetit politik grek. Një realitet që mban gjithsesi vulën shqiptare, edhe pse i mënjanuar, i braktisur, i mohuar zyrtarisht nga faktori politik dypalësh.
I shtrirë pothuaj në të gjithë territorin e shtetit të sotëm grek, ai përbën pika përqëndrimi të konsiderueshme në një sërë rajonesh të shënuara, si në Peloponez, Etoli, Akarnani, Beoti, Atikë, Eube, ishujt jonianë, etj (pa përfshirë këtu krahinat e Epirit, Thesalisë e Maqedonisë jugperëndimore të cilat duhen konsideruar si pjesë të shkëputura nga integraliteti i njësisë tokësore shqiptare).
Mbizotërues në një varg qytetesh, ky element shqiptar, i njohur si arvanit (apo arbëresh) përbën bashkësi të tëra në popullsinë rurale e atë urbane tradicionale, duke kapur shifra pak të lakuara publikisht, por që në realitet shkojnë rreth 30-35 përqind të gjithë popullsisë në shtetin e sotëm grek prej 10.5 milionë banorësh.
Ky realitet shqiptar i demonstruar fuqishëm në shekujt e mëparshëm, aq sa në përshtypjen e përgjithshme mbizotëronte krejtësisht konceptin e Greqisë gjeografike dhe nguliste protagonizmin e vet në ngjarjet politike, shoqërore, ushtarake përgjatë shekujve deri në krijimin e mbretërisë greke të dekadës së tretë të shekullit 19.
Mbas krijimit të shtetit grek, që duhet thënë se mban vulën mbizotëruese pikërisht të këtij faktori shqiptar, aq sa në Panteonin e sotëm grek figurat udhëheqëse të atij revolucioni që solli krijimin e tij janë pothuaj të gjithë arvanitë, ata që e pësuan dhe iu nënshtruan shtypjes kombëtare ishin po ata vetë.
Të mashtruar dhe besëprerë prej bashkëpunëtorëve të tyre grekë, por edhe të shpërfillur prej faktorit politik ndërkombëtar që përcaktonte fatet e popujve e shteteve të vegjël, ata u konsideruan dhe u paraqitën si një popullsi greke (duke njësuar arbitrarisht etninë me ortodoksinë dhe helenizmin si frymë dhe identitet).
Instrumentalizimi i këtij elementi shqiptar prej kishës, arsimit dhe strukturave të tjera të shtetit teokratik që u uzurpua prej grekëve, shtypi aspiratën e tyre për një shtet shqiptaro-grek, ashtu siç ishte projektuar që në fillimet e lëvizjes heteriste. Dhe për rrjedhojë, shkon deri në atë masë sa e kthen këtë realitet historikisht shqiptar në të pandjeshëm dhe të paevidentuar zyrtarisht në shoqërinë greke.
Lëvizjet modeste identifikuese apo ndriçuese të dala prej këtij realiteti, si klubet kulturore, shoqëritë, institucionet arsimore apo të propagandës, që herët u mbytën në mënyrë të pamëshirshme.
Në kushte të tjera trajtimi, grupe të kësaj popullsie shqiptare (kryesisht nga Peloponezi, të cilin një autor duke u nisur nga përbërja e popullsisë e emërton "Shqipëria Greke"), të ikur prej shekujsh në jugun italian, ata që quhen arbëreshë, në të kundërt u kthyen në vatër të lëvizjes patriotike, kulturore, intelektuale, gjuhësore e letrare për mbarë shqiptarët, u kthyen në një bashkësi spikatëse identifikuese.
Protagonistë të ndjeshëm në historinë e trojeve të tyre, arvanitët e Greqisë lënë gjurmë të pashlyeshme:
- në shkëputjet dhe kryengritjet prej pushtetit bizantin e më pas sllav në shekujt 12-14;
- në rezistencën antibizantine e antiosmane në mbrojtje të principatave e despotateve thjeshtë shqiptare në ato troje në shekujt 14-15;
- në protagonizmin luftarak si "kleftë", "stratiotë", "armatolë" e "kapedanë" gjatë shekujve 15-19, qoftë në territoret e sipërthëna kundër pushtetit perandorak osman, qoftë dhe nëpër arenat luftarake të Europës ku njihen edhe si gjeneralë, edhe si kapitenë, edhe si trupa të hatashme luftarake. Për të ardhur si promotorë të lëvizjes shtetformuese në fillimshekullin 19 deri në krijimin e mbretërisë së vogël greke të vitit 1829.
Të pambështetur dhe të manipuluar prej institucionesh politike apo kishtare kombëtare, siç i kishin në fakt pjesëtarët e kombësisë greke që morën pjesë në revolucionin e përbashkët, ata ranë mjerisht në kurthin e ngritur prej grekëve.
Duke përfaqësuar vetëm krahun luftarak të revolucionit, me idenë e krijimit të një shteti shqiptaro-grek (meqenëse formacionet e organizimit politik, qoftë dhe në kuadër të një perandorie osmane, për shqiptarët, ishin shpërbërë dhe rënë nga fuqia, pra Pashallëqet e mëdha të Shkodrës dhe Janinës), ata i dhanë tonin këtij revolucioni dhe më pas u tradhëtuan në idenë e tyre.
Shteti i sapoformuar grek (me kontributin vendimtar të arvanitëve) ndër masat e para që mori ishte suprimimi i kësaj pjese të popullsisë, që në një të ardhme mund të përbënte një rrezik të vërtetë për vetë ekzistencën e shtetit me profil grek. Kjo për arsye të evidentimit dhe daljes në skenë të lëvizjes shqiptare për riformim shtetëror në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20, pra pavarësimit të një shteti shqiptar.
Nëse faktori shqiptar në shtetin e atëhershëm grek do të ishte në pozitën që i takonte, pra të elementit shtetformues dhe identifikues, padyshim që edhe lëvizja pavarësuese e shqiptarëve, e cila fillon me Lidhjen e Prizrenit dhe kurorëzohet me krijimin e shtetit të vitit 1913, do të kishte të tjera prerogativa dhe profilet e shteteve në Gadishull mund të kishin një tjetër konfigurim.
Në një eventualitet të tillë, nëse shqiptarët e Greqisë nuk do ti ishin nënshtruar një shtypjeje sistematike dhe të egër, një përpunimi djallëzor e intensiv, si nga ana e kishës ashtu dhe nga arsimi e institucionet e tjera shtetërore, do të drejtoheshin për nga aspirata e natyrshme e lidhjes me shtetin amë të krijuar, Shqipërinë.
Në një kontekst të tillë, Greqia do të vihej përballë dhe në dyshim, për vetë numrin e konsiderueshëm të arvanitëve dhe për vetë shtrirjen territoriale të tyre në rajonet kryesore të shtetit grek, dhe në veçanti të atyre rajoneve që kishin kontinuitet të dukshëm me territoret e shtetit shqiptar, siç ishin Thesalia, Akarnania, Etolia, e pse jo edhe pjesë të konsiderueshme të Peloponezit.
Dhe, përkundër përpjekjeve ngulmuese greke për mbajtjen në gjendje latente të elementit shqiptar në Greqi, kemi qëndrimin e papërligjur të shtetit dhe politikës shqiptare, që në asnjë moment të ekzistencës së tij nuk e ka ngritur këtë në problematikën mes dy shtetesh, për të drejtat dhe detyrimet e kësaj pjese të kombit shqiptar karshi shtetit amë.
Në përpjekjet më entuziaste të tij kemi përmendjen e tyre, domethënë të arvanitëve, si koloni shqiptare në Greqi dhe "për kontributin e tyre në revolucionin dhe krijimin e shtetit grek".
Ashtu si në rastin e Çamërisë, që gjithsesi ka një specifikë më të ndryshme, shteti shqiptar është përgjunjur përballë presioneve të shtetit dhe politikës greke, duke u vetëmjaftuar në përpjekjet "titanike" për të mbrojtur veç Epirin e Veriut të cilin e ka nën juridiksionin e vet, që edhe ky gjithsesi në momente të caktuara edhe i ka dalë duarsh (kujtojmë "grekun e parë", "të dytin", "të tretin" që shkeli me dhunë e terror këto vise si në dekadën e dytë ashtu dhe në vitet 40 të shekullit njëzet), dhe e ka rimarrë përsëri, veç në sajë të aktivizimit të popullsisë lokale apo të koniukturave të politikave ndërkombëtare.
Ndërsa për territoret dhe popullsitë e mbetura nën juridiksionin grek nuk ka ushtruar as më të voglin detyrim dhe angazhim.
Më tej, në përkrahje të politikave të mbrapshta të aplikuara në Shqipëri, propaganda dhe mjetet e manipulimit të opinionit publik e kanë deformuar në masë të konsiderueshme qëndrimin karshi elementit shqiptar në Greqi. Është preferuar të heshtet në masë të madhe për të si një realitet inekzistent, ose në raste të tjera, ku ka qenë e pamundur shmangia, paraqitjen si një masë e pavlerë për çështjen shqiptare.
Dhe sipas këtij opinioni të krijuar artificialisht, faktori shqiptar në Greqi është asimiluar krejtësisht apo është greqizuar deri në atë masë sa nuk është e vlershme të flitet për të. Diç të vërtetë ka, po jo në tërësi, për shkak të topitjes dhe letargjisë në vetëdijen kombëtare të tyre.
Por, në të kundërt, një popullsi disamilionëshe gjithsesi përbën një faktor që kurrsesi nuk mund të shpërfillet dhe që i dikton, me ekzistencën e vet, politikës greke një agresivitet të dukshëm dhe një konservatorizëm të skajshëm të qëndrimit karshi shqiptarëve dhe shtetit të tyre.
Kjo jo sepse arvanitët përbëjnë një shtysë dhe kanë disponim antigrek, por, në të kundërt, rreziku i zgjimit të vetëdijes dhe identitetit të afirmuar kombëtar tek ata, i përkrahur nga një shtet i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për bashkëkombasit e vet, do të ishte një minë me sahat për formatin fals me të cilin paraqitet shteti grek sot në arenën ndërkombëtare.
Vetëm agresiviteti dhe diversioni i fuqishëm ndaj aktivitetit politik e intelektual shqiptar, mund të vonojë sa më gjatë precedentin e lidhjeve organike mes shtetit amë dhe elementit shqiptar (arvanit) që është i pranishëm fuqishëm në Greqi.
Ai nuk është absolutisht i asimiluar apo i helenizuar, por veç i topitur dhe i paorientuar, është i panxitur për reagim, është i paapeluar në ndërgjegjen e tij kombëtare prej strukturash përkatëse të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Askush nuk ka bërë përpjekje të përkundërta me ato të kishës, arsimit dhe shtetit grek, për reaksionin e natyrshëm të tyre.
Për ilustrim të qëndrimit mospërfillës apo denigrues të realitetit arvanit prej strukturave të shtetit shqiptar dhe prej politikës, mjafton të kujtojmë pritjen që iu bë njërit prej aktivistëve më të njohur për çështjen e shqiptarëve të Greqisë, Aristidh Kolës, kur iu vu si shoqërues një grekfolës "minoritar". Avokat Kola, i helmuar prej segmenteve të shtetit grek pak kohë më parë, sot prehet i harruar dhe i shpërfillur edhe pas vdekjes prej shoqërisë dhe shtetit shqiptar.
Qoftë dhe vetëm përpjekja dhe vetëmohimi i tij në zgjimin e një vetëdijeje dhe identiteti të mohuar shqiptar në shtetin e sotëm grek, eleminimi i tij si rrezik prej vetë strukturave të shtetit grek, përbën një shtysë për ta parë në një dritë tjetër dhe perspektivë faktorin shqiptar atje, pra arvanitët.
Një popullsi 3-4 milionëshe shqiptare në Greqi, përkatësisht sa ç'jepet jozyrtarisht numri i përafërt i arvanitëve, nuk gëzon as të drejtën më elementare, atë të arsimimit fillor në gjuhën amtare shqip apo përdorimin e lirë në publik të asaj gjuhe; gjë që e gëzojnë me tepri në shtete të tjerë edhe pakica krejt të papërfillshme romësh apo jevgjish.
Aq më pak të drejta të tjera, si ato të organizimit apo përfaqësimit si grup etnik në politikën dhe shtetin grek, apo të faktorit shtetformues. Një e drejtë e tillë, në mënyrë të natyrshme, do ta çonte Greqinë drejt profilizimit si shtet multietnik apo kantonizimit të saj, sepse raportet etnike atje janë tepër të balancuara dhe evidente mes grekëve dhe arvanitëve, ashtu si numri i konsiderueshëm i etnive të tjera si vllehët, banorët sllavofonë të Maqedonisë jugore e grupe të tjera.
Pra, veç një politikë represioni dhe konservimi karshi të drejtave të tyre, shpëton shtetin butaforik grek nga problemet kombëtare.
Ndërkohë kjo situatë, që për bukuri do të ishte shfrytëzuar me efektshmëri prej çdo shteti tjetër, nga ana e shtetit dhe politikës shqiptare shpërfillet, ose shkohet më tej në favorizim të forcimit të shtetit aktual grek, duke mos iu dhënë asnjë shenjë përkrahjeje apo miratimi një lëvizjeje të drejtash të arvanitëve në Greqi, si hap i parë.
Në kundërvënie realitetesh, pretendimi absurd dhe i papërfillshëm grek për Vorioepirin do të dukej si një lojë fëmijësh. Në vend të strategjisë së helenizimit të Shqipërisë politike, strategji e deklaruar dhe e aplikuar masivisht në vitet efundit, duke iu kthyer një politike realiste të vlerësimit të potencialeve njerëzore shqiptare në Greqi, do të kishim padyshim inversin e saj, shqiptarizimin e natyrshëm të Greqisë.
Pjesa më e madhe e territoreve të shtetit grek, përkatësisht Thesalia, Peloponezi, Akarnania, Etolia, Beotia, Atika, Maqedonia jugore e jugperëndimore, ishujt jonianë, do të merrnin ngjyrën që kanë pasur deri vonë, atë shqiptare, dhe të ardhurit në këto rajone, grekët e Azisë së Vogël, pontët, apo ata të ishujve të Egjeut, do të merrnin statusin e muhaxhirit.
"Krahu i shqiponjës", shkurt 2008