|
| Degët bujqësore te ilirët | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Degët bujqësore te ilirët Sun 27 Feb 2022, 22:21 | |
| A. Stipçeviq, "Ilirët"
BUJQËSIA
Disa degë ishin themelore në të cilat mbështetej jeta ekonomike e ilirëve në kohën parahistorike dhe pjesërisht edhe në kohën e okupimit romak. Një vend të posaçëm kishte punimi i tokës. Kjo degë ekonomike nuk kishte rëndësi të njëjtë në të gjitha viset ilire: ndërsa në fushat e begatshme të Panonisë dhe në viset e tjera të pasura me toka bujqësore kishte rëndësi vendimtare në jetën e banorëve, në viset malore dhe pranë bregdetit, rëndësia e saj ishte shumë më e vogël se sa ajo e degëve të tjera ekonomike, peshkataria ose blegtoria.
Për bujqësinë ilire, për veglat me të cilat kanë punuartokën, për kulturat bujqësore që kanë mbjellë dhe kultivuar, jemi të informuar në saje të gërmimeve, në radhë të parë, që në shekullin e kaluar dhe në fillim të këtij shekulli u bënë në vendbanimet lakustrale në Ripaç dhe në Donja Dolina të Bosnjes. Në këto lokalitete u zbuluan mbeturina të ruajtura mirë të farëve të ndryshme dhe të fryteve, analiza e të cilave tregoi se çka kanë mbjellë dhe kultivuar banorët e atyre vendbanimeve. Kultura themelore ishte gruri, e mandej elbi (i kultivuar në sasi të madhe për të prodhuar birrën, por edhe për ushqim), meli, bishtajoret, bathët, grosha dhe thjerëzat.
Këto bimë duke gjykuar simbas farëve dhe fryteve që u gjetën, janë kultivuar edhe në viset e tjera ilire.
Kujdes të posaçëm meritojnë bërthamat e rrushit, zbuluar në këto dy vendbanime si dhe në vendbanimin e tretë lakustral në Otok të Sinjit. Fatkeqësisht nuk kemi shënime të sakta stratigrafike për këto zbulime, prandaj është vështirë t'i përgjigjemi një pyetjeje të rëndësishme: a e njihnin ilirët hardhinë para se ta merrnin nga kolonistët grekë të cilët u vendosën në bregdetin ilir? Autorët bashkëkohorë janë të prirur të besojnë se ilirët nga kolonistët grekë u mësuan të kultivojnë hardhinë, mirëpo ne na duket pak e besueshme se ilirët që jetonin në bregdet dhe të cilët shumë herët ranë në kontakt me marinarët nga Greqia - qoftë kur i takonin si tregtarë ose luftëtarë në brigjet e tyre, qoftë kur me anijet e tyre tregtare ose të luftës vetë arritën deri në brigjet e Greqisë - u desh të prisnin aq gjatë që të mësonin të kultivonin hardhinë dhe prej rrushit të bënin verën. Bile edhe fiset në fushën e Panonisë mundën të mësojnë, të mbjellin hardhinë, më herët se sa zakonisht mendohet, sepse ardhja e keltëve, të cilët dinin ta kultivonin hardhinë, me siguri ndikoi edhe në zhvillimin e vreshtarisë në ato vise.
Për përpunimin e tokës, shumë gjëra i mësojmë edhe prej mbeturinave të shumë veglave për punimin e tokës, të cilat gjenden shpeshherë nëpër vendbanimet ilire. Qysh prej epokës së neolitit në këto vise për punimin e tokës përdorej shati zakonisht i bërë nga briri i drerit). Kjo ishte vegla më e shpeshtë bujqësore, të cilën ilirët e përdorën derisa erdhën romakët. Shatin metalik (të bërë nga hekuri), e përdorën në epokën e re të hekurit, mirëpo nuk e hoqën nga përdorimi shatin e ashtit. Është interesant se për punimin e tokës përdorin aty-këtu edhe shatin e gurit.
Të gjitha tipet e shatave, të cilët i përdorën ilirët - përveç atyre që përdoreshin para fundit të epokës parahistorike, të cilat marrin gjithashtu edhe formën shumë funksionale dhe bëhen të ngjashme me shatat që përdoren edhe sot e kësaj dite në Ballkan dhe gjetiu - kanë formë shumë të thjeshtë dhe duket qartë se me ta toka nuk mund të punohej thellë, prandaj merren fryte më shumë prej saj. Shati primitiv është vetëm shprehje e bujqësisë shumë primitive.
Ardhja e keltëve në pjesën kontinentale të Ballkanit dhe themelimi i kolonive greke në brigjet e Adriatikut dhe të detit Jon përparoi edhe këtë anë të jetës së ilirëve. Në viset kontinentale, ku keltët u vendosën përgjithmonë, ata sollën edhe plugun (parmendën) e hekurit, dhe kështu ndikuan fuqimisht në shtimin e prodhimit bujqësor. Ilirët, në të vërtetë, si supozojnë disa nga autorët, edhe më parë njihnin një lloj vegle (brir dreri me një rremb) që mund të shërbente për lëvrim të cekët, mirëpo nuk është dëshmuar se ilirët e përdornin vërtet për këtë qëllim. Kalimi nga shati në përdorimin e plugut, në viset kontinentale të vendit, u bë së pari në ato vise ku u vendosën keltët, ose ku ndikimi i tyre ishte i fortë. Ilirët në viset jugore, në Shqipëri, i njohën veglat për lëvrim drejtpërdrejt nga kolonistët grekë, por vetëm në shekujt e fundit para e.re. Ilirët e tjerë e njohën plugun vetëm mbas ardhjes së romakëve, e shumë të tjerë edhe mbas kësaj.
Të gjitha mbeturinat e plugut, më saktësisht të parmendës (plori, shtija e parmendës), të zbuluara në lokalitetet ilire i përkasin veglave për lëvrim; plugu i vërtetë do të paraqitet në këto vise vetëm në mesjetë.
Nga veglat e tjera bujqësore duhen përmendur kazma, lopata, grabuja, drapëri, kosa, kosorja. Pjesa më e madhe e veglave është nga metali dhe burojnë nga epoka e re e hekurit, prandaj mund të përfundohet se vetëm në këtë kohë ilirët kalojnë në mënyrën më të përparuar të prodhimtarisë bujqësore.
Edhe me ardhjen e romakëve në bujqësinë e ilirëve, si dhe në ekonominë e tyre në përgjithësi, ndodhin ndryshime të mëdha. Shumë ilirë të cilët deri atëherë nëpër pyje dhe rrafshnalta merreshin me blegtori dhe gjueti zbresin në fushat e plleshme dhe fillojnë punimin e tokës si mënyrë më e lartë, më përparimtare e ekonomisë. Këto ndryshime u shprehën edhe në besimin e ilirëve: hyjnia e tyre e pyjeve dhe e kullotave, Vidasus, që për nga atributet e saj është e ngjashme me perëndinë romake, Silvani, do ta marrë më vonë te dalmatët ndajshtimin Messor (korrës), që padyshim do të thoshte se në strukturën ekonomike të këtij fisi u bënë ndryshime, të cilat u shprehën edhe në qëndrimin e tyre ndaj hyjnisë së vjetër të pyjeve dhe kullotave. | |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Blegtoria te ilirët Sun 27 Feb 2022, 22:25 | |
| A. Stipçeviq, "Ilirët"
BLEGTORIA
Në të gjitha viset ilire, rritja e kafshëve ishte profesion shumë i rëndësishëm, ndërsa në disa vise (për shembull në rrafshnaltën e Gllasincit), kjo ishte burim kryesor i pasurimit. Burimi më i rëndësishëm për njohjen e blegtorisë ilire përsëri janë rezultatet e gërmimeve në vendbanimet e njohura ilire në Ripaç dhe Donja Dolina. Aty janë gjetur shumë eshtra kafshësh kështu që nga analiza osteologjike të cilën e bëri J. N. Woldfich mund të shihet se banorët e këtyre vendbanimeve kanë kultivuar kryesisht derrat, mandej delet dhe dhitë, ndërsa lopë kishte shumë më pak. Prej kafshëve shtëpiake në ato vendbanime hasim gjithashtu edhe eshtra kuajsh dhe qensh. Qeni ishte i racës së vogël dhe me siguri ka qenë roje i tufave.
Kafshë të ngjashme shtëpiake që i kultivonin ilirët gjejmë edhe në lokalitete të tjera nga brendësia. Në viset bregdetare në Dalmaci, në Istri e gjetiu kafshët shtëpiake kryesore ishin delet, dhe dhitë e jo derrat. Këtë na e dëshmojnë edhe shënimet historike, por me siguri më të madhe këtë mund ta pohojmë në bazë të fakteve arkeologjike. Fakte të këtilla kemi mjaft, por më të plotat tani për tani janë nga Nesactiumi. Në këtë vendbanim, sipas raportit, të cilin na e Alberto Puschi prej të gjithë kockave të kafshëve më se 50% janë të deleve dhe të dhive, ndërsa të derrave kanë qenë gjithsej 11,2%. | |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Gjuetia te ilirët Sun 27 Feb 2022, 22:31 | |
| A. Stipçeviq, "Ilirët"
GJAHU
Gjahu si degë ekonomike nuk ishte shumë i zhvilluar te ilirët. Në një përfundim të tillë na shtyn numri shumë i vogël i përqindjes së eshtrave të kafshëve të egra të gjetur në vendbanimet ilire: në Ripaç, për shembull, prej 6.500 eshtrash të kafshëve, të cilët i analizoi J. N. Woldfich, vetëm nja njëqind janë të kafshëve të egra. Në mesin e tyre më shumë ka të drerit, gjë që nuk duhet të na habisë nëse kujtojmë se brirët e drerit përdoreshin edhe për shetër, kazma dhe shumë vegla të tjera. Është fare pak e besueshme se edhe ndonjë kafshë tjetër e egër, si janë dhelpërat, vjedullat, arinjtë, kastorët, shqarthi e të tjera i kanë gjuajtur për ushqim; sigurisht, si supozon edhe J. N. Woldfich, do t'i kenë gjuajtur për shkak të gëzofit.
Nuk është e lehtë të merret vesh në bazë të materialeve arkeologjike se me çfarë armësh i gjuanin ilirët kafshët e egra. Një numër i madh majash të shigjetave mund të shërbenin për qëllime luftarake dhe për gjah, e kjo po ashtu vlen edhe për shtizat dhe për ushtat me të cilat ilirët gjithsesi është dashur të përdoreshin gjatë gjahut kundër derrave të egër. Megjithatë, një gjë është e sigurtë: arma kryesore e gjahtarëve ishin harku dhe shigjeta. Në dobi të këtij pohimi flet edhe fakti që na e ruajti autori antik, Paulus Aegineta se dalmatët (mendohet për banorët e provincës romake, Dalmacia, e jo për pjesëtarët e fisit të dalmatëve) i lyenin majat e shigjetave të tyre me helmin "të cilin e quajnë ninum, kështu që ai ishte vdekjeprurës sapo të binte në kontakt me gjakun. Mirëpo, nëse ai hahet, atëherë është krejt i padëmshëm dhe nuk bën kurrfarë të këqijash." Duke komentuar këtë pohim, Mirko Drazen Grmek vë re për helmin me të cilin lyhet maja e shigjetës se "kjo veçori është shumë e rëndësishme", sepse ashtu, "nuk do të mund të përdorej për gjah, në qoftë se nuk do të mund të hahej kafsha e helmuar". Sipas Grmekut në anët tona nuk rritet asnjë bimë me helmin që ka këtë veçori dhe për këtë shkak supozohet se "dalmatët kanë prodhuar ninum, helmin e tyre për shigjeta, prej helmit të gjarpërinjve të këtushëm". | |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Peshkataria ilire Sun 27 Feb 2022, 22:36 | |
| A. stipçeviq, "Ilirët"
PESHKATARIA
Ilirët që jetonin në vendbanimet afër lumenjve në brendësi, ose në bregdet janë marrë intensivisht me peshkatari. Për këtë degë të ekonomisë arkeologët mblodhën deri tani shumë më tepër fakte në vendbanimet në brendësi se sa në ato në bregdet, për shkak se vendbanimet në bregdet janë hulumtuar shumë më pak se sa disa vendbanime pranë lumenjve të mëdhenj (Ripaç dhe Donja Dolina, për shembull). Prandaj rezultatet e hulumtimeve nuk guxojnë të na mashtrojnë në vlerësimin e rëndësisë së peshkimit nëjetën e ilirëve, sepse nuk ka kurrfarë dyshimi se peshkataria në bregdet ishte jo vetëm e zhvilluar, por se ishte shumë e besueshme se për banorët e shumë vendbanimeve peshkataria ishte profesioni kryesor dhe burim i ushqimit. Besohet se peshkataria ishte profesion kryesor për enkelejt në Ilirinë e jugut.
Peshkataria në ujërat e ëmbla njihet mjaft mirë në sajë të zbulimeve që u bënë në dy vendbanimet e përmendura në Ripaç dhe Donja Dolina. Në vendbanimin e Donja Dolinës, për shembull, u zbuluan aq shumë eshtra peshqish dhe aq shumë vegla të ndryshme peshkimi saqë Çiro Truhelka banorët e këtij vendbanimi i quajti "popull peshkatar". Nuk është fare emër i tepruar kur të shikohen të gjitha ato mbeturina të aktivitetit peshkues në këtë vendbanim. Përveç eshtrave të peshqve, aty janë hasur edhe një mori mjetesh të peshkimit: grepa bronzi, fuzhnje hekuri, harpunë eshtrash, rrjeta. Vetë rrjeta, domethënë mjeti më i rëndësishëm përzënien e peshqve, nuk është ruajtur, por kemi disa objekte të cilat tregojnë se i kanë përdorur banorët e atyre vendbanimeve. Këtu vijnë së pari rrotullat e drurit me nga një vrimë në mes, të cilat pjesën e sipërme të rrjetës e mbanin në sipërfaqe të ujit. mandej peshat nga balta e pjekur, që lidheshin në skajin e poshtëm të rrjetës. Janë zbuluar gjithashtu edhe gjilpëra metali dhe druri për thurjen dhe për arnimin e rrjetave të dëmtuara, që për nga forma janë identike me ato që edhe sot e kësaj dite përdoren për këtë qëllim. Barkat e drurit të gërryera nga trungjet, kanë shërbyer gjithashtu për peshkim, natyrisht jo vetëm për atë qëllim, por edhe për transportin e mallrave dhe të njerëzve përtej lumenjve Në Donja Dolina u gjetën dy barka të tilla, njëra e gjatë 6 metra, ndërsa tjetra bile edhe 13 metra. Janë zbuluar gjithashtu edhe dy modele në miniaturë (ndoshta lodra?) të barkave të tilla.
Në Ripaç nuk kemi pasuri veglash të këtillë të peshkimit, por aty u zbuiua një model i vogël barke prej një trungu, mandej grepat prej kocke etj.
Në disa lokalitete të tjera, kryesisht në brendësi, u gjetën gjithashtu vegla të ndryshme, siç janë fuzhnjet, grepat etj. Mbledhja e guacave të detit, ishte gjithashtu profesion i përhapur dhe i preferuar i ilirëve pranë bregdetit. Analiza e guacave të cilat u zbuluan në Nesactium të Istrisë zbulon një zgjedhje të pasur guacash, të cilat i hanin ilirët ose pasi i hanin pjesët e buta i përdornin si stoli, mandej edhe si hajmali. Aty hasim midhje, platella, kërmij, e shumë të tjera.
| |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Degët bujqësore te ilirët | |
| |
| | | | Degët bujqësore te ilirët | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |