FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire Empty
MesazhTitulli: Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire   Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire EmptySat 09 Aug 2014, 20:11

Moikom Zeqo

Detaria ilire është një subjekt i madh. Anijet e quajtura lembe dhe liburnide janë të njohura si emërtime të veçanta në terminologjinë e detarisë botërore të antikitetit. Arkeologët shqiptarë nuk janë marrë fare me këtë subjekt, madje edhe disa rifigurime numizmatike të anijeve ilire nuk i kanë analizuar fare. Pse anijet tregohen në monedhat ilire të labeatëve (rreth liqenit labeat - dmth i Shkodrës), daorsëve etj? Si zbukurim ornamental? Jo, ato kanë kuptim substancial. Anijet tregojnë simbolikën e flotës si përparësi ushtarake te ilirët, por edhe kultin jetik të miteve detare, që lidheshin me hyun Redon.

Çka tregojnë studimet e ilirologut Stipçeviç?

Ilirologu i shquar, Aleksandër Stipçeviç, ka treguar një vëmendje të madhe për anijet ilire dhe kërkon të gjejë kuptimin e figurave përfaqësuese mbi bashet e anijeve ilire. Stipçeviçi ka botuar në 1973 një studim për këtë tematikë në përmbledhje studimesh realizuar nga Instituti i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Zarës, fashikulli 10. Stipçeviçi nuk është arkeolog i fushës, por njohës erudit i bibliografisë arkeologjike. Ai ka bërë një sintezë të plotë dhe të admirueshme mbi Ilirët, që e ka botuar edhe në italisht, shqip dhe anglisht. Ai kundërshton tabutë heleno-centriste dhe romako-centriste dhe bën përpjekje edhe për një shtjellim teorik të qytetërimit ilir sipas të dhënave të autorëve antikë dhe të dhënave arkeologjike, që në shekullin e XX patën një dinamikë zhvillimi.

Sipas Stipçeviçit gjarpëri është një kafshë ktonike e hyjnizuar tek ilirët. Të dhënat për një panteon ilir janë të fragmentuara dhe nuk lejojnë një kodifikim dhe klasifikim përfundimtar, ose shumë të mëvetshëm. Por, Stipçeviçi e ka bërë megjithatë një hulumtim pionieri edhe në rrafshin mitologjik. Figura mitike e gjarpërit është arketipale në shumë popuj dhe qytetërime të lashta, por tek ilirët ka pasur një parapëlqim të thellë dhe jo vetëm mitik, por edhe historik dhe artistik. Gjarpëri ktonik i takon tokës, por gjarpëri është edhe kafsha e mjediseve të dyfishta: e tokës dhe ujërave. Atributi ktonik është më gjenetik, atributi detar është përmendimin tim, jo më i vonë por përafërisht i të njëjtës zanafillë të një kohësie shumë të largët. Që bashi i një anije mund të formësohet si gjarpër, me kokën e kthyer nga kuverta, apo edhe kiçi në të njëjtën mënyrë, kërkohet që konstruktorët e anijes të krijonin një strukturë lundruese lehtësisht të lëvizshme, herë me bash dhe herë me kiç, dallimi mes bashit dhe kiçit nuk është shumë i qartë, për arsye se ne nuk e dimë nëse këto lloj anijes kishin Ajmon, nga ana tjetër kuptohet se këto lundronin me anën e rremave, me forcën e krahëve. Nga ravijëzimet miniaturike të anijeve në monedha nuk del qartë karakteri velor, nuk dallohet as direku, ku mund të funksionalizoheshin velat e erës.

Anijet ilire në të vërtetë duhet të kenë pasur vela dhe direkë, përveç rremave, se ndryshe nuk do të kuptoheshin ekspeditat detare të mbretërve ilirë deri në brigjet greke, sidomos në kohën e Teutës, që pushtuan edhe qytete bregdetare greke. Nuk mund të shpjegohet një lundrim kaq i gjatë me anije deri në jug vetëm me anë të remtarëve, pa shfrytëzuar fuqinë shtytëse të erërave. Vetëm kështu mund të rindërtojmë idenë e një dije navigacioni tek ilirët e detit. Natyrisht detarët ilirë janë orientuar nga yjet, kanë lundruar jo shumë larg brigjeve, por duke i parë brigjet gjatë lëvizjes. Hambari jo shumë i thellë i këtyre anijeve natyrisht është shfrytëzuar për mbrojtjen e amforave të ujit të pijshëm dhe të ushqimeve si dhe të armaturës, ndoshta edhe për fjetje.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire Empty
MesazhTitulli: Re: Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire   Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire EmptySat 09 Aug 2014, 20:11

Figura në monedhë

Ilirët duhet të kenë pasur disa kantiere ndërtimi të anijeve, vendi më i përshtatshëm ka qenë Shkodra dhe liqeni labeat. Materiali drusor vinte nga pyjet e mëdha bregdetare, që janë shfytëzuar për ndërtimtari anijesh edhe nga venedikasit e bregut të përtejmë edhe në kohën mesjetare. Le t'i kthehemi motivit grishës të kultit të gjarpërit tek anijet ilire.

A. Stipçeviçi e përqëndron analizën në pyetjen e mëposhtme. A kanë pasur anijet ilire bashin në trajtë gjarpëri? Në vitin 1971 arkeologu shqiptar, Bep Jubani, zbuloi në lokalitetin Çinamak afër qytetit të Kukësit, në Shqipërinë verilindore, një monedhë të panjohur të ilirëve të vjetër. Në anën e sipërme të kësaj monedhe është rifiguruar një burrë i panjohur me një kësulë me rreth të gjerë të tipit iliro-maqedonas (kausia), ndërsa në anën e pasme figuron një anije ilire, në të cilën dallohen mirë rremtarët. Përmbi dhe ndër anijen lexohet mbishkrimi LABIATAN - emri i fisit të njohur ilir - Labeatë (Labeates), i cili i ka pasur selitë e veta rreth liqenit të sotshëm të Shkodrës. Duke e inkuadruar shfaqjen e kësaj monedhe në rrethanat politike të viseve ilire jugore dhe duke e krahasuar atë me monedha të tjera të prera nga Ilirët në atë kohë, B.Jubani ka arritur në konkluzionin se kjo monedhë e Labeatëve është prerë pas vitit 168 para.e.s. pra pas rënies së kësaj pjese të bregdetit ilir ndër pushtetin romak dhe në kohën kur shfaqet një monedhë tjetër e ngjashme me emrin e një fisi tjetër ilir - Daorsëve.

Ekzemplarë të çmuar

Gjetja e monedhës labeate ka një rëndësi të shumanshme për historinë e ilirëve dhe veçanërisht për numizmatikën ilire, por këtu ne do të merremi shkurtimisht me një detaj që i ka shpëtuar vëmendjes që numizmatikëve të tjerë që kanë shkruar mbi monedhat e njohura më parë ilire dhe iliro-greke me figurën e anijes ilire. Është fjala për trajtën e bashit në anijen e rifiguruar, apo në monedhat e tjera ilire të njohura deri tashti. Në fakt, në ekzemplarët e monedhës labeate që porsa u zbuluan në Çinamak shihet fare bukur se bashi i anijes së rifiguruar kishte trajtën e një gjarpëri.

Kjo e dhënë, natyrisht, nuk mund të na çudis, sepse do të kishte qenë shumë më e çuditshme sikur anijet ilire të kësaj treve mos të kishin pasur në bashin figurën e kësaj shtaze. Megjithatë, përpara se të zbulohej monedha labeate nuk mund të thuhej me siguri se çfarë shtaze ishte ajo që qe rifiguruar në anijet ilire që shohim në monedhat e fiseve tjera qyteteve dhe mbretërve ilirë. Që lundërtarët labeatë zgjodhën gjarpërin jo vetëm nuk është e çuditshme por është e vetmja gjë e mundshme. Në fakt, gjarpëri, pikërisht në këtë pjesë të bregdetit ilir, ka qenë nderuar si totem i fisit, që në sistemin mitologjik të ilirëve të atëhershëm ka pasur një vend qëndror. Qona rreth Liqenit të Shkodrës, ku Labeatët kanë pasur selitë e tyre, i përkiste asaj cope relativisht të vogël të bregdetit ilir në të cilin sipas P.Melas dhe Plinit jetonin "Illyri proprie dicti". Sipas legjendës që na kanë regjistruar autorët antikë, Ilirët morën emrin nga Yllyriosi, hero eponim i fisit, i biri i Kadmit dhe Harmonias. E gjithë kjo përrallë mitologjike është e lidhur me gjarprin. Kadmosi dhe Harmonia para se të vdesin u shëndrruan në gjarpërinj dhe në këtë trajtë vazhduan të jetojnë në Fushat Elize, ndërsa vetë Yllyriosi, porsa lindi, u mbështjell nga gjarpri, i cili i dha një fuqi magjike. Linguistët modernë e venë gjithashtu emrin e Illyriosit në lidhje me gjarprin duke e derivuar emrin e tij nga një fjalë që do të thotë gjarpër. Veç asaj të shumta janë të dhënat arkeologjike, filologjike, mitologjike - mbi kultin e gjarprit tek ilirët dhe gjithashtu të shumta janë mbeturinat e këtij kulti në folklorin dhe artin e popujve ballkanikë të sotshëm, veçanërisht te shqiptarët.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire Empty
MesazhTitulli: Re: Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire   Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire EmptySat 09 Aug 2014, 20:12

Rëndësia e madhe që ka pasur gjarpri në besimin e Ilirëve ka qenë edhe më parë një element që çonte në konkluzionin se bashet në trajtë gjarpri që shiheshin në rrafigurimet e njohura të anijeve ilire në monedhat ilire paraqitnin realisht gjarprin dhe jo ndonjë shtazë tjetër.
Në favor të tezës se anijet ilire kanë pasur bashe në formë gjarpri po përmendim edhe një të dhënë që tashti, pas zbulimit të monedhës labeate, merr një rëndësi të veçantë. E kemi fjalën tek shprehja ”drakontepheon” për detin Adriatik, të cilën e gjejmë në veprën ”De magistratibus rei publicae Romanae”, Lib. I, cap. 46 të shkrimtarit bizantin të shekullit VI Johannes Laurentius Lydos. Këto kuçedra (gjarpërinj) që mban deti Adriatik nuk mund të jenë veçse anije që lundrojnë mbi "të dhe që bashin e kanë në trajtë gjarpri. Nuk do të jetë vetëm një rastësi që një liburne e stacionuar në Aleksandri të Egjiptit të mbante emrin ”Draco”. Megjithëse nuk mund të pohojmë me vendosmëri që emri i kësaj anijeje romake ka lidhje me faktin se i përkiste tipit liburn, pra një anijeje që përpara ardhjes së Romakëve në bregdetin ilir lundronte në Adriatik me bashin në trajtë gjarpri, prap se prap e vemë në dukje këtë rast, sepse është anija e vetme me këtë emër që L. Casson-i përmend në veprën e tij shumë të plotë mbi anijet e lashta

Monedhat ilire

Mbetet akoma te thuhet disa fjale mbi bashet e anijeve te rifiguruara mbi
disa monedha te tjera ilire.Pose monedhes labeate anije jane rifiguruar edhe mbi monedhat te qyteteve Skodra dhe Lisos,te mbretit ilir Genthios si edhe mbi monedhat te fisite te Daoresve qe kane banuar rreth lumite Neretva.Trajten e disa zhtazve te tjera,gje nga e cila mund te nxirret konkluzione se bash ne trajten e nje gjarpri,e kane pasur vetum anijet e pjesve ilire jugore,ndersa ato te Adriatikut verior mbanin figura kali ose ndoshta dashi mbi kiqet ose bashet.

Krahasimet me Anijet Vikinge

Ka të ngjarë që si reminishencë të këtyre gjarpërinjve që lundrojnë nëpër Adriatik mund të marrim edhe pohimin e kronikanit Spalatin të shekullit XIII, Shën Thoma Arkigjakoni – zakonisht i orientuar mirë në legjendat dhe gojëdhënat nga e kaluara e bregdetit Adriatik lindor – sipas të cilit fenikasi Kadmi ”qui depulsus regno venit in Dalmatiam, factusque pirata sevissimus ceepit quasi lubricus anguis per mare discurrere”.
Me konstatimin e faktit se anijet e rafiguruara mbi monedhën e Labeatëve i kishin bashet në trajtë gjarpri, nuk i është dhënë, ndërkaq, një përgjigje e plotë pyetjes. Është interesant të përmendet këtu rasti i anijeve vikinge, të cilat kanë gjarpër në bashin dhe që për shkak të ngjashmërisë me gjarprin që lundron nëpër det quheshin drakare (Drakkars – kuçedra) dhe snekare (Snekkars – gjarpinj). Mendimin që deti Adriatik epitetin ”drakontophoron” ta ketë marrë pikërisht për shkakun se anijet ilire kishin mbi bash një gjarpër, e kanë shprehur edhe përpara nesh autorë të tjerë. Krh. L.Vojnović,” Histoirie de Dalmatie,” Paris 1934, vol. I, f.14; R. Ferri, vend, cit., faqe 420. sepse pos rafigurimit të anijeve ilire mbi monedhën e Labeatëve, ku gjarpri shihet kjartë, dhe rafigurimit të këtyre anijeve mbi monedha të tjera ilire ku është vështirë të identifikohet me siguri shtaza e rafiguruar, ekzistojnë edhe disa rafigurime të tjera anijesh ilire, të cilat në mënyrë evidente nuk i kishin bashet në trajtën e kësaj shtaze. E kemi këtu fjalën në radhë të parë për rrafigurimet shumë të skematizuar të anijeve të gravuara mbi ndën-gjunjëzat (kallçinjt) e gjetura në Glasinac (lokaliteti Ilijak).
Mbi dy ndën-gjunjëze të gjetura në një varr të pasur princëror janë rafiguruar katër anije (nga dy mbi çdo ndën-gjunjëz), në të cilat shihen kjartë bashet në trajtën e një shtaze për të cilën mund të thuhet me siguri se nuk është një gjarpër. Shtazët që janë rafiguruar mbi këto ndëngjunjëze u ngjajnë shumë shtazëve që figurojnë në bashet e anijeve që shohim mbi një stele të gjetur në Novilara pranë Pésaros në Itali. Këto shtazë kanë gjithashtu ”brirë” (ka të ngjarë të jenë veshë) si ato të ndëngjunjëzave të Glasinacit. Dhe ndërsa shumica e specialistëve që kanë shkruajtur mbi këto stela nguron të përcaktojë llojin e shtazës, F.Behn shpreh mendimin se këto anije kanë pasur bashin në trajtë dashi. Vetë rafigurimi mbi stelën lejon mundësinë edhe të interpretimeve të tjera, por duhet pranuar se ky mendim nuk është pa baza, sepse dihet se dashi tek Ilirët ka qenë një shtazë kulti. Megjithatë neve na duket se do të ishim shumë më afër së vërtetës sikur në bashet e anijeve të rafiguruara mbi stelat e Novilaras dhe në ato të rafiguruara mbi ndëngjunjëzet e Glasinacit të shihnim figurën e një kali, - një shtazë që ka pasur një rëndësi të madhe në besimin e Ilirëve dhe kulti i të cilës, siç na njoftojnë shkrimtarët e vjetër, ka qenë i lidhur me detin. Arkeologët që kanë shkruajtur mbi stelën e Novilaras kanë shprehur hamendje mbi përkatësinë e anijeve që po ndeshen këtu midis tyre. Undseti, Orsi dhe disa të tjerë kanë menduar se skena mbi këtë stele paraqet një betejë detare midis banorëve vendas të Picenumit nga njëra anë dhe Fenikasve ose Grekëve nga ana tjetër. M.Hoernesi, ndërkaq ka paraqitur tezën shumë bindëse sipas të cilës anija armike që lufton kundër asaj të Picenumit ka qenë nga bregu i përtejmë i Adriatikut, d.m.th. ilire. Fakti që anijet me bashe të tillë shfaqen edhe mbi ndëngjunjëzet e Glasinacit do të mund të konsiderohej si një vërtetim i faktit se anijet ilire në pjesën veriore të Adriatikut, ku nuk ekzistonte kulti i gjarprit, kishin mbi bashin një shtazë tjetër, ndoshta pikërisht kalin. Sidoqoftë mund të pranojmë tezën e Hoernesit mbi iliricitetin e anijes së stelës së Novilaras, sepse edhe rrafigurimet e anijeve të Glasinacit kanë pikërisht të njëjtën trajtë si ato të anijeve që ndeshen në skenën e stelës.
Një rafigurim tjetër anijeje e kemi mbi një pllakëz nga Drozori i Likas. Edhe mbi këtë pllakëz është paraqitur një betejë detare si mbi stelën e Novilaras, por anijet janë rafiguruar në mënyrë aq skematike sa që nuk ka mundësi të identifikohet shtaza mbi bashin.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire Empty
MesazhTitulli: Re: Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire   Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Figura e gjarpërit Kadmik në bashet e anijeve ilire
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Kulti i gjarpërit
» Stolitë ilire
» Degët bujqësore te ilirët
» Dialektet ilire-thrake
» Pirateria ilire

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Shkencë :: Histori :: Ilirjanët-
Kërce tek: