Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Stolitë ilire Sun 27 Feb 2022, 21:57 | |
| A. Stipçeviq, "Ilirët"
OBJEKTET DEKORATIVE
Nga objektet dekorative të cilat mbanin ilirët më të rëndësishmet janë fibulat - jo vetëm pse janë më të shumtat, por edhe për shkak se sipas formës së tyre mund të përcillet kronologjikisht zhvillimi i kulturës ilire dhe të identifikohen ndikimet, të cilat depërtuan në kohë të ndryshme në mesin e ilirëve. Disa tipe të ndryshme fibulash meritojnë kujdes të veçantë. Në radhë të parë, është fibula në formë gjyslykore që haset në tërë rajonin ilir dhe është një nga elementet e rralla kulturore panilire. Përbëhet prej një gjilpëre, në të cilën janë vënë dy disqe spirale, të formuara nga tel bronzi i mbështjellë në mënyrë koncentrike. Shumë më të rralla janë fibulat me katër disqe, kurse edhe më të rralla ato që në vend të diskut nga teli i mbështjellë kanë pllaka të rrumbullakta bronzi. Këto fibula paraqiten në shekullin VIII para e.r. por më shpesh i gjejmë në varrezat dhe vendbanimet ilire të shekullit VII dhe VI para e.re. Kjo fibul nuk është karakteristike vetëm për kulturën ilire, por është fakt se ajo paraqitet më së shpeshti në rajonet ku kanëjetuar ilirët. Është gjithashtu fakt se prania e kësaj fibule në Itali mund të lidhet me praninë e elementit etnik ilir në Itali, ose bile me ndikimin e fortë të kulturës ilire në ato vise ku paraqitet një fibul e tillë. Këtë mund ta përfundojmë sepse ekzemplarët e fibulës në formë spirale janë zbuluar vetëm në ato vise të gadishullit Apenin, ku prania e ilirëve është dokumentuar edhe nga burime të tjera.
Fibula harkore i përket gjithashtu grupit të objekteve që paraqiten në tërë rajonin ilir, mirëpo variantet e ndryshme të kësaj fibule paraqiten në një numër të madh edhe në vise të tjera të Evropës. Format e fibulës harkore që janë zbuluar në truallin ilir janë të shumëllojshme, kështu që mund të vërehen shumë tipe, disa prej të cilëve janë karakteristikë për disa kultura, veçanërisht për disa periudha të ndryshme kohore. Qysh në fillim të epokës së vjetër të hekurit në rajonet lindore alpine dhe në rajonin e kulturës së Gllasincit, deri diku edhe në Maqedoni e në Pellgun danubian, zhvillohet një variant karakteristik i kësaj fibule me një hark të lartë dhe me dy sumbulla - njëra në kokën e fibulës, ndërsa tjetra në këmbën e saj; këmba e fibulës ka formën e diskut me trajtë të ndryshme (trekëndëshe, në formë të mburojës, trapezit etj.). Shfaqja e kësaj fibule, që në rajonet qendrore paraqitet si tip i Gllasincit (me këmbën në formë mburoje beotike), ndërsa në rajonet juglindore alpine shpeshherë si tip i Vaçit (me një varg sferash në hark, është shumë me rëndësi për studimin e fillimit të kulturës ilire të epokës së hekurit dhe si duket përhapja e fibulës harkore me dy sumbulla ka lidhje edhe me shtrirjen e vetë ilirëve.
Në fibulat harkore bëjnë pjesë, gjithashtu, edhe ato fibula të shumta nga territoret e japodëve dhe të liburnëve me një ose më shumë kokrra qelibari ose qelqi në hark.
Nga fundi i epokës së vjetër të hekurit paraqiten disa tipe të reja fibulash në truallin ilir. Pa pretendime që të bëjmë një përshkrim të hollësishëm të të gjitha tipeve, po përmendim edhe tipin interesant të fibulës së gjatë me tri kokrra në hark, mandej fibulat me pamjen e kafshëve të ndryshme, fibulat në formë pllakash me ose pa protome njerëzore në harqe te liburnët, fibulat konike, fibulat në formë shtizore, që hasen në viset ilire të jugut, fibulat gjarpërore etj. Nga fundi i epokës së vjetër të hekurit paraqitet edhe e ashtuquajtura fibula certosa, e quajtur sipas lokalitetit Certos në Bolonjë të Italisë. Kjo është një fibul masive, me këmbë të gjatë dhe me hark; këmba ka fundin në formë të goglës, ose të syzës, e nganjëherë edhe në formë të ndonjë kafshe (kalit, dashit etj.). Në të njëjtën kohë haset shpeshherë edhe fibula e ashtuquajtur e tipittë Shtërpcit (e quajtur sipas vendit Shtërpci në Gorazhda, ku u gjetën ekzemplarët më të mirë), e bërë rëndom nga argjendi, me hark shumë të pasur, me formë të gjetheve me këmbë në formë trapezoidi, stolisur me motive gjeometrike dhe me kokë në formë të kokës së gjarpërit të stilizuar. Fibula të tilla hasen kryesisht në pjesën jugore të Ilirisë dhe në rajonin e kulturës së Gllasincit dhe janë krijuar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të fibulave greke të të njëjtit tip.
Në epokën e re të hekurit paraqiten krahas shumë formave të vjetra, fibulat të cilat ruajnë një varg të tërë tipesh të reja, kryesisht si pasojë e depërtimit të keltëve në këto vise. Këto janë të ashtuquajturat fibula latene (fibulat e hershme, të mesme dhe të vonshme latene) të cilat në truallin ilir marrin forma të posaçme. Më së shpeshti karakteristikë e përbashkët e këtyre fibulave është këmba e cila lakohet nga harku. Ky tip themelor përzihet në variante të ndryshme me format e vjetra vendase, kështu që në këmbën e lakuar fiton kokën e gjarpërit, të ndonjë shpendi ose të ndonjë kafshe tjetër, kurse në disa ekzemplarë paraqitet edhe pamja e njeriut. Në Jezerine të Bihaqit është gjetur një fibulë shumë e bukur e tipit të hershëm laten me kokërr qelibari në hark; në njërën anë kjo fibulë ka përfundimin në formë të sqapit, ndërsa në tjetrën kokën e kaut.
Shpeshherë këto fibula, si ato të epokës së vjetër, ashtu edhe ato të epokës më të re të hekurit, kanë në hark të varur kopsa në formë kafshësh të ndryshme, trekëndëshi, rrethi, protomesh njerëzore, zinxhirë të ndryshëm etj. Në ngjarjet solemne ilirët, kanë stolisur kokën me rrathë bronzi dhe diademe bronzi. Rrathët e kokës janë stoli specifike që i mbanin vetëm pjesëtarët e fisit japod në Likën e sotme. Nëpër nekropolet e këtij fisi të cilat janë gërmuar në Kompol, Prozor, Drenov Klanac dhe në vende të tjera të Likës u zbuluan disa tipe të kësaj stolie. Ky kapitel ka formë konike, është i bërë nga teneqeja e hollë e bronzit, e stolisur rregul 1 isht me motive gjeometrie; në skajin e poshtëm - te disa vetëm në anën e mbrapme, ndërsa te të tjerat në tërë skajin - varen varëset e bronzit në formë shkopinjsh. Megjithatë, disa ekzemplarë nuk kanë varëse të tilla. Tipi tjetër i stolive edhe më të parëndomta të cilat i mbanin gratë japode bëhej nga hallkat e bronzit, të cilat lidheshin në mes tyre, sa që mbështeteshin saktësisht në kokë. Nga ana e mbrapme një varg i tërë zinxhirësh të vegjël, që bëheshin poashtu prej atyre hallkave të ngjashme - lëshohej në zverk. Arkeologët Sime Lubic, Ruzca Drechsler - Bizic, etnologu Milovan Govazzi e të tjerë shohin kapelat e kuqe të Likës me resa të zeza si gjurmë të drejtpërdrejta të rrathëve të kokës të përmendura, që janë elemente karakteristike të veshjes popullore të meshkujve në Likë dhe në Zagoren Dalmatine.
Ndërsa rrathët e kokës janë stoli specifike të japodëve, ndërkaq diademën e hasim edhe te fiset e tjera ilire. Rëndom diadema bëhej nga pafta e hollë e bronzit, e stolisur me motive gjeometrike që bëheshin me teknikën e rrahjes. Në rajonet e japodëve është zbuluar vetëm një ekzemplar i vetëm i diademës, në nekropolin e Kompolës, prandaj besohet se diadema nuk përdorej në përgjithësi te pjesëtarët e këtij fisi, por edhe ekzemplari nga Kompola është marrë nga liburnët fqinj, ku diadema si stoli ishte më e rëndomtë. Liburnët duke gjykuar sipas objekteve të deritanishme, mbanin diademat në ngjarjet solemne, gjë që do të jetë dukur shumë dekorative: ishin bërë gjithashtu prej pafte shumë të hollë të bronzit, të stolisur me motive spiralike; në skajin e poshtëm rrinin varur varëset e rrumbullakta prej pafte të hollë bronzi. Datohen nga shekulli VI para e.re.
Diadema të ngjashme, por shumë më pak të stolisura, gjejmë edhe në viset e tjera ilire, ndërsa në rajonin e Sllovenisë në kohën e lulëzimit më të madh të kulturës së epokës së hekurit (shekulli VIII - VI para e.re.) pjesëtarët e elitës aristokrate mbanin diadema shumë luksoze prej pafte të hollë ari.
Një nga grupet më të mëdha të stolive janë varëset. Paraqiten në të gjitha periudhat dhe në të gjitha viset ilire, mirëpo jo gjithkund në të njëjtat forma. Disa tipe, si është ai spiralik, ose në formë të unazës, i hasim në tërë territorin ilir, ndërsa paraqitja e tipeve të tjera kufizohej vetëm në kultura të caktuara. Kështu, për shembull, varëset në formë të figurës së skematizuar njerëzore kryesisht paraqiten te japodët dhe liburnët, ndërsa ato në formë të enëve të vogla me kapak me protome të stilizuara të shpendëve janë gjetur vetëm në viset jugore ilire, më së shumti në lokalitetet e kulturës së Trebenishtit. Shumë shpesh varëset, përveç funksionit stolisës kanë edhe funksionin e amuletave. Varëset e tilla kanë formë trekëndëshi etj. Disa varëse kanë vetë funksion amuletash (varëse nga dhëmbi i ariut, varëse e bronzit në formë të dorës etj.).
Prej tipeve të byzylykëve, të cilat i mbanin ilirët, më interesantët janë ato që përfundojnë me kokat e vëna në mënyrë antitetike të kafshëve, më së shpeshti me kokën e gjarpërit. Janë të bukur sidomos ekzemplarët e byzylykëve të artë me kokën e gjarpërit nga Mramorci afër Smederevës (sipas këtij vendi edhe këta byzylykë u quajtën "tip Mramorac"), të cilat janë të shek. V - IV para e.re. Të ngjashëm janë edhe byzylykët e argjentë, të zbuluar në lokalitete të tjera, që janë me shumicë sidomos në Maqedoni (në lokalitetet Trebenisht, Visoi, Radolishtë e të tjera). Mendohet se janë prodhuar nën ndikimin e artit grek, prandaj kështu shpjegohej fakti që paraqiten vetëm në viset jugore ilire ku ndikimi grek ishte më i fuqishëm. Kemi byzylykë me kokën e gjarpërit ose edhe pa të nga tela të përdredhur shumëfish të bronzit, që në variante të ndryshme hasen në të gjitha viset.
Qaforet më së shpeshti bëheshin prej shumë kokrrave qelibari, ose prej qelqit shumëngjyrësh, por hasen edhe prej bronzi të përdredhur masiv ose bile prej zinxhirëve të vegjël.
Kur flitet për objektet zbukuruese të cilat i mbanin ilirët, duhen përmendur edhe aplikat e shumta, mandej pullat dekoruese (shpeshherë edhe me figura të ndryshme), gjoksoret luksoze (janë të bukura veçanërisht ato nga nekropolet liburne në Zaton e Ninit dhe në vetë Ninin, me pllakën e sipërme me formë të zemrës dhe me stolitë në formë shpezësh moçalike ose me pllakën e poshtme më të madhe gjithashtu të stolisur me shpend moçalikë dhe me një numër shkopinjsh të bronzit në pjesën e poshtme), unaza të ndryshme, mandej gjilpërat dekoruese etj. Duhet theksuar veçmas llojet e ndryshme të rripave të brezit (brezeve). Për to do të bëhet fjalë kur të flasim për artin figurativ të ilirëve, por këtu do të përmendim ekzemplarët e shkëlqyeshëm të argjendë dhe të artë me formë trapezi që nën ndikimin e toreutikës dhe artit grek çfaqen në viset midis Tarës dhe Danubit në Serbi. Këto brezore janë të stolisura me trekëndëshe, me palmeta, svastika të bërë me teknikën e shtypjes. Ekzemplarët më të mirë u zbuluan në Novi Pazar, në Mramorc dhe në Umçar. Në Istri, gjithashtu, janë zbuluar shumë ekzemplarë rrypash brezorë me stoli në formë të shpendëve të stilizuara moçalike ose me pamje të ndryshme gjeometrike (meandra, svastika etj.). Edhe në Slloveni u zbuluan ekzemplarë të ngjashëm të rrypave brezorë, mirëpo këta janë të stolisur në mënyrë shumë më luksoze - me figura artistike dhe në bazë të kësaj janë përfaqësueset më të rëndësishme të të ashtuquajturit art të situlave të epokës së hekurit.
| |
|