|
| Llojet e vrasjeve (me kanun) | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Tomor ADMIN
Numri i postimeve : 1205 Join date : 17/03/2013
| Titulli: Llojet e vrasjeve (me kanun) Sun 16 Apr 2023, 21:55 | |
| (sjellur në internet nga Vlug)
(E drejta zakonore penale e shqiptarëve. fq 148-170)
E drejta zakonore penale e shqiptarëve njeh disa lloje vrasjesh. Në literaturën tonë juridike është shprehur mendimi se të gjitha figurat e vrasjeve mund të ndahen sipas elementeve të anës objektive në dy grupe (a-vrasje të padënueshme, b-vrasje të dënueshme).
Për mendimin tonë vrasjet në të drejtën zakonore penale mund të kategorizohen jo vetëm nga elementët e anës objective por nga të katër elementet përbërëse të figurës së krimit, d.m.th. sipas karakterit të marrëdhënieve shoqërore kundër të cilave drejtohen (objektit të vrasjes), elementeve të anës objektive, subjektit dhe anës subjektive.
Nga pikpamja e objektit vrasjet mund të ndahen në: A-vrasje që drejtohen kundër jetës së disa personave. B-vrasje që drejtohen kundër jetës së një personi.
Në kategorinë e parë hynë këto vrasje:
A-Vrasja ndërmjet krushqive. Në normat e mbledhura në Kanunin e Lekë Dukagjinit sanksionohej rregulli sipas të cilit “krushku i vendit t’ia lëshojë udhën krushkut mik” (nyja 24). Kjo do të thotë se kur në rrugë a kudo gjetkë krushqit e katundit ndeshen me krushq miq, të parët e kanë për detyrë që t’u lirojnë rrugën, të shmangen sa të kalojnë krushqit miq. Kjo normë e kanunit buron nga koncepti që ekzistonte për përparësinë e mikut. Por, ndodhte ndonjëherë që, për shkak të sedrës, ndjenjës së kryelartësisë, të kapadaillëkut, etj., si rezultat i ekzistencës së kushteve ekonomiko-sociale të caktuara, ky rregull kanuor të mos zbatohej, njëra palë nuk ai lëshonte rrgën tjetrës dhe për këtë shkak ndodhnin vrasje.
B-Vrasja për shkak kufinjsh, tokash kullotash. Të dhënat për e mbledhura nga tradita gojore në të katër anët e Shqipërisë dëshmojnë për vrasje të shumta midis katundesh ose fisesh a vllazërish për kufinjtë e tokave ose të kullotave, etj., të cilat e kishin burimin në konceptin e paprekshmërisë së pronës private. Për vrasjet që bëheshin për shkak të luajtjes së gurit ose të shenjave të kufirit midis personave, katundeve ose flamurëve, normat e mbledhura në katundet parashikonin që, kundër fajtorit të zbatohej dënimi me vdekje, grihej katundisht (pushkatohej nga i gjithë katundi), dhe njëkohësisht paguhej edhe gjoba me 100 desh e 1 ka.
C-Vrasje në masë kanë ndodhur në të kaluarën midis vëllezërish, fisesh ose katundesh, edhe për shkaqe të tjera shoqërore si p.sh. për grabitje a rrëmbim grash, etj. Kuptohet se vrasjet e llojeve të sipërme kanë paraqitur rrezikshmëri të madhe shoqërore, sepse shkaktoheshin përçarje midis fiseve, vëllazërive e katundeve. Për të pakësuar në një masë ose në një tjetër pasojat e rënda politike-shoqërore të këtyre vrasjeve, në praktikë, në mes të fiseve ose katundeve kanë hyrë jo rrallë dorëzënës e ndërmjetës për të arritur në pushimin e konfliktit, në pajtimin e tyre.
Vrasja e një personi që ndodhej në ndore ose në besë Vrasjet që drejtoheshin kundër jetës së një personi që ishte në ndore ose në besë të një familjeje, fisi, vllazërie ose katundi, preknin marrdhëniet shoqërore që siguronin jetën e personit të caktuar, të mbrojtur posaçërisht nga normat penale të kanuneve, preknin marrëndhëniet shoqërore që siguronin nderin dhe dinjitetin e një kolektivi të caktuar (familjes, vëllazërisë, fisit, katundit) etj.
Në këtë grup hynin: -vrasja në ndore të individit ose në ndore të fshatarit. -vrasja e rrogëtarit (çobanit) në ndore të individit. -vrasja e ndërmjetësit në ndore të individit. -vrasja e zanatçiut në ndorë të fshatit. -vrasja e meshtarit dhe e hoxhës që ishte në ndore të fshatit. -vrasja e të huajit në ndore të fshatit. -vrasja e gruas me barrë. -vrasja në familje.
Vrasja e mikut Normat e së drejtës zakonore duke sanksionuar traditën e lashtë të mikpritjes së popullit tonë, vinin në mbrojtje të posaçme jetën, shëndetin dhe nderin e dinjitetin e mikut. Kudo vepronte rregulli sipas të cilit miku ishte nën mbrojtjen e posaçme të pritësit. Mik quhej ai që kishte pirë kafenë, ose kishte ngrënë bukën në një shtëpi, ose ai që ishte vënë në ndore a në besë të tjetrit, edhe sikur vetëm të përmendte emrin e tij duke thirrur. Porsa hynte në shtëpi miku dorëzonte armën të zot të shtëpisë e me këtë tregonte se hynte nën mbrojtje të armës së tij. I zoti i shtëpisë ishte përgjegjës për çdo gjë që kishte të bënte me mikun, me sigurimin e jetës, të shëndetit, të nderit e të dinjitetit të tij. Po të vritej miku nga dikush, familjae pritësit merrte gjakun e mikut. Në qoftë se miku vriste mikun vetë, kjo konsiderohej vrajse shumë e rëndë, që ngjallte indinjatën e katundit, dhe vrasësi dënohej me vdekje nga i gjithë katundi. Në të gjithë Malësinë vepronte rregulli: kush vriste mikun, vritej. Ai që nuk merrte hakën për mikun e prerë në besë, përbuzej nga opinioni shoqëror ose shtyhej për të marrë hakë. Në Mat pavarësisht nga gjaqet e tjera, gjaku i mikut merrej veças, para gjithë të tjerëve. Kanuni shqiptar, sipas një dorëshkrim të autorit anonim të vitit 1868, parashikonte dënim me vdekje për atë që vriste mikun. Edhe në fshatrat e Kurveleshit, të Rrëzomës, të Vlorës etj, qëndrimi ndja vrasjes së mikut ishte i njëllojtë: miku për mikun hedh dyfek, për mikun jep kokën. Kur vritej miku, ai që e kishte ose e kishte pasur mik në shtëpi, merrte hakën. KLD, Kanuni i Bendës, Kanuni i Kurbinit etj., e konsideronin vrasjen e mikut si vrasjen më të rëndë e më të shëmtuar si nga pikpamja e normave kanuore, ashtu edhe morale. Në çdo rast vrasja e mikut shlyhej me vrasje. Lidhur me vrasjen e mikut, edhe në kanunin e Bajrakëve të Dukagjinit (1911) thuhet: Kurrë nji send ma të preme nuk e kanë bajrakët e Dukagjinit se sa punën e mikut. Vrasja e mikut falet kurrë. Dukagjinasi babën ta fal, vëllanë e djalin gjithashtu, por vrasjen e mikut kurrë s’ta fal. Mikpremi (ai të cilit i pritet mik) derisa të marrë gjakun e mikut nuk ka dalun ndër shokë.
Në këtë material miku dallohet në dy mënyra: 1-Mik i dorëzanëve, është ai që, për ndonjë arsye ka frikë të rrijë vetëm dhe hyn në ndore të disa vetave, që të mos e ngasë kush. Në rast se e vriste kush, njerëzit në ndorë të të cilëve ishte vënë detyroheshin të merrnin gjakun e tij. Edhe sikur njerëzit e shtëpisë së tij të duan të pajtohen me familjen e vrasësit, këtën nuk mund ta bëjnë pa pëlqimin e dorëzanëve. Por pajtimi për vrasjen e mikut thuajse është i pamundur. 2-Mik mbas vedit, i prite atij që e merr përsipër dikë ta përciellë rrugës ose ta pranojë në shtëpi. Edhe në këtë rast mikpremi merr gjakun e mikut, në rast se i vritet në rrugë a në shtëpi.
Në kanunet parashikohej se edhe gruaja vritej, kur priste në besë mikun. Kjo bazë e përbashkët e të gjithë kanuneve në lidhje me vrasjen e mikut ka të bëjë me konceptet e rrënjosura thellë në psikologjinë dhe moralin e popullit tonë lidhur me nderin dhe dinjitetin vetjak. Vrasja e mikut cënonte shumë rëndë nderin dhe dinjitetin e pritësit, quhej fyerje shumë e rëndë për të. Opinoni shoqëror e përbuzte atë që nuk mbronte mikun, jetën, shëndetin, nderin dhe dinjitetin e tij. Jo vetëm kaq, por për çdo krim a dëm që kryente miku gjatë kohës që ishte nën mbrojtjen e pritësit, për të përgjigjej ky i fundit ndaj të dëmtuarve. Nga ana tjetër, ai që vriste për të marrë hakën e mikut nuk kishte gjobë siç veprohej për vrasjet e tjera të zakonshme. Këtë karakteristikë të psikologjisë shoqërore të popullit shqiptar e kanë vënë në dukje edhe autorë të huaj që kanë trajtuar problemet e jetës shoqërore të tij. Midis tyre, edhe ata që kanë mbajtur qëndrim jomiqësor ndaj popullit tonë janë detyruar të pohojnë këtë realitet. Kështu p.sh. S. Gopçeviçi shkruan se: “Vrasja e mikut mbahet si fyerja më e madhe e një anëtari të familjes. Qortimi dhe fyerja më e rëndë që mund t’i bëhej që mund ti bëhej një shqiptari është t’i thuash “Ti nuk e ke marrë gjakun e mikut tënd”. P. Shiberci shprehet se: “Shqiptari e pranon pajtimin e gjakut për babën, vëllanë, por kurrë nuk heq dorë nga gjaku për mikun e vrarë. Me rreptësinë më të madhe ushtrohet gjakmarrja kundër vrasësit të mikut”
Vrasja e lajmëtarit (kasnecit) Në KLD thuhet: Lajmëtari asht miku i dërguesit, e po e gjet gja kët në rrugë, i pritet mik dërguesit (paragrafi 1207). Me u pre lajmëtari i njij shpije, pretari bjen në gjak me shtëpinë që e dërgon (pr. 1209). Me u pre lajmëtari i një katundi, pretari bjen në gjak me katund dhe kur asht i nji flamuri, bjen në gjak me flamur që e dërgon (pr. 1209-1210). Kur lajmëtari vritej nga katundi i tij, vrasësi pushkatohej nga i gjithë katundi (pr. 1212). Kur lajmëtari vritej nga një flamur tjetër, binin në gjak flamur me flamur. Ky qëndrim i së drejtës zakonore ndaj vrasjes së lajmëtarit buron nga besa dhe mbrojtja prej kolektivit e jetës së personit.
Vrasja e rrogëtarit (çobanit). Në KLD e në kanune të tjera edhe vrasja e rrogëtarit (çobanit) zë një vend të veçantë. Kështu në KLD thuhet: Me vra kush rrogëtarin bjen në gjak me shpi të tij, por zotnis i pritet mik (pr. 124). Nga kjo pikëpamje del se për vrasjen e rrogëtarit mund të kërkohet gjak si nga shtëpia e tij ashtu edhe nga zotnia pranë të cilit punonte rrogëtari. Në rast se ky i fundit nuk e merrte gjakun e rrogëtarit të vet, këtë e merrte shtëpia e të vrarit, duke zbardh faqen e vet dhe duke e lënë të turpëruar zotninë pranë të cilit ai punonte. Sipas Kanunit, në Kosovë kur vritej rrogëtari, zotnia përgjigjej përpara familjes së viktimës, pavarësisht se kjo ruante edhe të drejtën e gjakmarrjes kundrejt vrasësit. Në kohërat e lashta gjakmarrja ishte e rreptë kur rrogëtari ishte nga një vend tjetër dhe atë e vriste ndonjë nga bashkësia e tij. Në këto raste të tjerët bashkarisht digjnin shtëpinë e vrasësit dhe i shkatërronin të gjithë mallin. Kur rrogëtari vritej nga zotnia e tij, ky dënohej me vdekje. Kur vritej rrogëtari i kishës, familja e të vrarit kishte të drejtë të merrte gjakun tek familja e vrasësit. Kur vrasësi ishte nga një katund tjetër, këte ndiqte edhe famullia (bashkësia fetare e katundtit). Edhe në kanunet e fshatrave të Labërisë vrasja e çobanit sillte pasoja që zotnia të kërkonte hak për gjakun e çobanit dhe, në rast se nuk e merrte gjakun, atë do ta kërkonte familja e viktimës. Me vrasjen e çobanit barazohej dhe vrasjae udhëtarit. Në këto norma pasqyrohen konceptet e bazuara në marrëdhëniet feudale ndërmjet pronarit të bagëtisë dhe çobanit. Në Malësinë e Veriut dhe në krahina të tjera malore të vendit, ka qenë rregull që midis katundesh ose bajrakësh të lidhej besë e përbashkët për të caktuar udhën e lirë, nëpër të cilën lejohej kalimi i udhëtarit ose i çobanit me bagëti. Udhëtari dhe çobani ishin të detyruar të ndiqnin udhën e caktuar. Mbrojtja e jetës së udhëtarit a e çobanit sigurohej nga besa e lidhur midis bajraktarëve ose krerëve. Kushdo që shkelte besën dhe vriste udhëtarin ose çobanin, dënohej me vdekje nga katundi dhe shtëpia i digjej. Këto norma e kanë burimin në konceptin e besës së dhënë nga kolektivi për të mbrojtur personin dhe pasqyrojne realitetin objektiv të malësive tona, vlerat morale të besës për mbrojtjen e personit të mikut.
Vrasja e ndërmjetësit Ndërmjetësi që ndërhynte për të pushuar një grindje duke u futur nganjëherë edhe midis dy zjarresh, ishte i paprekshëm. Si rregull, pushkët duhet të pushonin menjëherë dhe të dy palët të dëgjonin fjalën e ndërmjetësit. Vrasja e ndërmjetësit dënohej shumë rëndë duke u pushkatuar vrasësi nga katundi. Si ndërmjetës mund të ishte edhe një grua por jeta e gruas ishte e paprekshme, prandaj vrasja e gruas kur hynte ndërmjetëse ishe e pafalshme.
Vrasja e zanatçiut Kushdo që vriste zanatçiun priste mikun e krejt fshatin sepse ai ishte nën mbrojtjen e kolektivit të fshatit. Prandaj, sipas së drjetës zakonore në fshatrat e Kurveleshit kushdo që vriste një zanatçi, si rregull, dënohej me vdekje nga i gjithë fshati. Edhe në normat e së drejtës zakonore të mbledhura dhe që i atribuohen Kanunit të Skënderbeut theksohet se në qoftë se gjipi (zanatçiu) vritej nga një person i katundit tjetër, gjaku kërkohej nga i gjithë katundi. Por në Kanunin e Labërisë dhe në Kanuni e Skënderbeut ndeshen gjithashtu sanksione alternative si dënim me vdekje, internim ose gjobë për vrasjen e zantçiut gjë që dëshmon për zbutjen e dënimeve për këtë lloj vepre penale në faza të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë.
Vrasja e meshtarit (famulltarit) dhe e hoxhës Kanunet parashikonin edhe krimet kundër personit të meshtarit, si edhe dënimet përkatëse shumë të rrepta për këto vepra penale. Ai që vret meshtarin-thuhej në KLD, dënohej me vdekje. Këto norma të kanunit bazoheshin në ideologjinë fetare. Ato siguronin në mënyrë të veçantë pozitën shoqërore të kishës si dhe të priftit e të hoxhës. Në KLD vendin kryesor e zinin krimet që drejtoheshin kundër kishës, gjë që dëshmon se pushteti i kishës dhe i klerikëve ishte i paprekshëm. Meshtari, (famulltari) ndodhej nën mbrojtjen e fshatit. Vrasja e famulltarit ishte sakrilegj dhe sillte si pasojë dënimet më të rrepta. Si rregull vrasësi dënohej me vdekje dhe gjaku i tij nuk mund të merrej. Një pozitë analoge me kishën zinte xhamia dhe përfaqësuesit e saj në ato krahina malore ku sundonte sundonte islamizmi. Sipas kanunit të Skënderbeut, normat e të cilit morën më vonë një ndikim të fuqishëm të fesë islame, parashikohej: Me u vra hoxha n’xhami ose n’çakte t’xhamisë, dënimi ishte me vdekje. Në Kanunin e Bendës parashikohej se “kush vret hoxhën në udhë të madhe, gjakun e merr shtëpia e tij, katundi e bajraku”. Në Kurvelesh, në fshatrat e Vlorës dhe në ato të Rrezomës së Delvinës vepronte po ai rregull: fajtori që vriste hoxhën pushkatohej nga fshati. Vrasja e hoxhës quhej e cilësuar, kur ajo kryhej gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj. Në këtë rast fshati e dënonte me vdekje fajtorin. Por në raste të tjera, për shkaqe vetjake, të drejtën e gjakmarrjes e ushtronte jo fshatim, por familja e tij.
Vrasja e një të huaji Sipas frymës së normave të kanuneve jeta e njeriut të huaj gëzonte mbrojtje të veçantë nga e drejta zakonore, sepse ndodhen nën mbrojtjen e fshatit, nën mbrojtjen kolektive. Kjo e kishte burimin në parimin e mikpritjes dhe të besës. I huaji quhej mik i fshatit, në besë të tij. Kushdo që vriste një të huaj i nënshtrohej dënimit me vdekje me pushkatim nga i gjithë fshati.
Vrasja e gruas shtatzënë Në lidhje me këtë, normat e KLD parashikojnë se ai që vret gruan shtatzënë, qoftë edhe nga pakujdesia, është i detyruar ta lajë çmimin e gjakut të gruas dhe të fëmijës: çmimin e jetës së gruas në tri qese dhe atë të barrës që është i njëllojtë. Kur fetusi i vrarë ishte mashkull paguhej dyfishi. Në disa fshatra të Labërisë ka vepruar një rregull tjetër. Gruaja ose vajza shtatzënë nga marrdhëniet jashtëmartesore nuk vritej pa lindur foshnjen. Mbasi ajo lindte, vritje nga prindërit e saj. Edhe në literaturën e huaj lidhur me këtë normë të kanuneve shqiptare janë shprehur mendime të ndryshme. P. Shiberci shprehet se, për vrasjen e një gruaje me barrë vrasësi bie në dy gjaqe dhe, në rast pajtimi, vrasësi detyrohet që të paguajë një gjobë prej 1500 grosh për gruan e vrarë dhe 1500 ose 3000 grosh për fëmijën e vrarë, sipas rastit nëse ka qenë mashkull apo femër.
VRASJA NE FAMILJE Vrasja e babës, nga fëmija quhej vrasje e rëndë, sepse prekte autoritetin prindëror, që ishte pjesë thelbësore e strukturës shoqërore patriarkale. Në KLD, në kapitullin XXII thuhet: Dorërasi i prindës së vet grihet prej fisit edhe katundisht (pr. 961). Në materialet e mbledhura në krahinat e Martaneshit, të Shpatit, në fshatrat e Vlorës, të Kurveleshit., Delvinës, Gjirokastrës, Sarandës, etj., vihet në dukje pa përjashtim, se vrasja e babës konsiderohej shumë e rëndë dhe e shëmtuar. Kështu në materialet e mbledhura në Kurvelesh shohim se ai që vriste babën dënohej nga i gjithë fshati me vdekje. Në Fushë-Bardhë, siç tregojnë pleqtë, djali që vriste babën digjej me vajguri nga fshati në mes të fshatit. Në fshatrat e Vlorës po të vriste djali babën jo vetëm dënohej sipas të drejtës zakonore, por edhe familja e tij mbulohej me turp. Autorët vendës e të huaj shprehen se vrasja e babait konsiderohej më e urryera nga të gjitha vrasjet brenda familjes. Ai që vriste babën kosiderohej aq antishoqëror, saqë vritej nga i gjithë katundi, duke marrë pjesë dhe farefisi i tij. Sipas Kanunit të Skënderbeut: Me vra i biri, babën, gjyqin e ban fisi. Në qoftë se i vrami asht fajtuer shkon gjakhupë, përndryshe i biri bahet batare. Ky qëndrim i përbashkët i shoqërisë ndaj vrasësit të babait, i pasqyruar në normat e së drejtës zakonore, e ka shpjegimin e vet në faktin se marrëdhëniet patriarkale fisnore e feudale ishin sundues në familje e në shoqëri në të gjitha krahinat malore të Shqipërisë. Vrasja e nënës. Sipas KLD, vrasja e nënës nga i biri, e bënte këtë të fundit përgjegjës para prindërve të saj. Me vra i biri t’amën, bjen në gjak me prindët e s’amës (pr. 61). Ky rregull e ka shpjegimin në konceptin patriarkal sipas të cilit gruaja konsiderohej si pjestare e fisit tp huaj në familjen ku ishte martuar dhe vazhdonte të ishte gjthnjë në mbrojtjen e familjes prindërore të saj _________________ Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
| |
| | | Tomor ADMIN
Numri i postimeve : 1205 Join date : 17/03/2013
| Titulli: Re: Llojet e vrasjeve (me kanun) Sun 16 Apr 2023, 21:57 | |
| Vrasja e fëmijës. Baba që vret fëmijën e ti nuk ka përgjegjësi, mbasi ai ka të drejtën absolute të jetës dhe të vdekjes së tij. Kjo mbeturinë e së drejtës zakonore, e trashëguar që nga rendi skllavopronar, është ruajtur fort gjatë në të për shkak të ekzistencës së marrdhënieve patriarkale e fisnore e feudale në familje. Vrasja nga baba i fëmijës barazohej me vetëvrasjen dhe, për pasojë nuk sillte përgjegjësi për të.
Vrasja e burrit nga gruaja. Quhej shumë e rëndë, sepse godiste gjithashtu marrdhëniet patriarkale martesore, marrëdhënie këto, që bazoheshin në marrëdhëniet patriarkale feudale në prodhim.
Në KLD parashikohet shprehimisht; Me vra grueja burrin e vet a këdo, prindja e kësaj do t’apin arsyen për atë gjak. Me vra e shoqja të shoqin, prindja e kësaj biejn në gjak (pr. 57). Ky rregull vepronte në Shpat, Çermenikë, Martanesh, Dibër, Mat e gjetkë. Vrasja e burrit nga bashkëshortja sillte pasoja për të dy familjet, d.m.th. për familjen e burrit dhe për familjen e pridërve të gruas. Kur gruaja e bënte vrasjen për shkak se donte të merrte një burrë tjetër jashtë rrethit familjar të burrit, vëllai i burrit të vrarë kishte të drejtë të vriste një nga pjestarët e familjes së saj.
Në bazë të materialeve të mbledhura në fshatrat e Vlorës, Gjirokastrës, Delvinës, Sarandës dhe Kurveleshit del se në të tilla raste, më tepër ndiqej praktika që gruaja vritej nga prindërit e saj, të cilët përgjigjeshin njëkohësisht përpara vllezërve të viktimës me zhdëmtimin e gjakut në natyrë ose në të holla. Në raste të tilla në Gjirokastër, zhdëmtimi paguhej 1200 grosh. Vrasja e gruas. Si në kanune, ashtu dhe literaturë është trajtuar gjerë vrasja e gruas. Për një shpjegim të drejtë të problemit ka rëndësi themelore të kuptojmë se në normat e kanuneve që rregullojnë marrëdhëniet familjare martesore, gruaja konsiderohet skllave e burrit.
Pikërisht për këtë arsye e drejta zakonore sanksiononte të drejtën e burrit për ta vrarë bashkëshorten kur ajo shkelte besnikërinë bashkëshortore, kur largohej nga shtëpia bashkëshortore ose kur vajza e fejuar refuzonte të shkonte tek i fejuari. Vrasje në rrethana të tilla de jure nuk sillnin ndonjë dënim e, për pasojë, as gjakmarrje.
Këto lloj vrasjesh, autorë të ndryshëm i kanë kategorizuar si vrasje për “shkaqe grash”, vrasje për “çështje nderi” etj., duke e motivuar secili në njërën apo tjetrën mënyrë këtë kategorizim. Në të vërtetë këto vrasje mund të ndahen në:
a) Vrasja e gruas në flagrancë, gjatë kryerjes së aktit seksual: Kjo lloj vrasje si pas të drejtës zakonore nuk quhej krim. Në KLD thuhet: Ata që kanë shtat e dhunë bashkë, po u vranë në punë të keqe, shkojnë gjakuhupës (pr. 920). Në tekstin e kanunit sillen edhe shembuj në këtë drejtim. Nga fryma e paragrafëve 923-930 të kanunit del se kjo vrasje nuk sillte përgjegjësi në qoftë se kryhej kundrejt dy personave bashkë në të njëjtën kohë. Në çdo rast ai që kryente vrasjen e gruas detyrohej të bindte familjen e saj se e kishte zënë në faj. Në rast se familja bindej, ai dërgonte fishekun ish-burrit të saj si shenjë që tregonte se e shihnin me vend vrasjen. Por kur familja e saj nuk bindej se vrasja ishte bërë për faj të gruas i thoshte “e ke vrarë pa hak” dhe i kërkonte gjakun. Gjithashtu po të vriste vetëm dashnorin e gruas, burri kishte borxh gjakun e tij tek familja e tij; po të vriste vetëm gruan, ai u kishte borxh gjakun prindërve të saj. Ky rregull vepronte në të gjitha krahinat malore të vendit dhe jo rrallë edhe në qytete: Po u vranë të dy, shkojnë gjak për gjak, kokë për kokë. Sipas arsyetimit: “Vrava njeriun tënd, por vrava edhe njeriun tim”. Por, duke qenë se kjo mbulonte me turp familjet e fajtorëve, nuk ishte e lehtë të pranohej prej secilës familje faji i njeriut të vet, prandaj kërkohej që vrasja të bëhej në kryerje e sipër të aktit seksual dhe me një pushkë.
Në Labëri, nga tradita gojore, del se në këtë drejtim janë bërë ndryshime në kohë të mëvonshme; të cilat tradita i lidh me emrin e Idriz Sulit. Më parë normat e Kanunit të Labërisë kërkonin që të vriteshin të dy së bashku, gruaja dhe dashnori, kurse më vonë, Idriz Suli vendosi një normë të re: “Të gjykohet çështja në çdo rast konkret”.
Kërkesa për t’u vrarë të dy së bashku, gruaja dhe dashnori i saj është në të gjitha kanunet. Kur një person tentonte të kryente ose kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një grua ose një vajzë në qoftë se kjo bërtiste (“me ba me britë”-thuhet në KLD) dhe tregonte fajtorin, ai si rregull përgjigjej me gjak. Atij i jepej mundësia që të shfaqësohej po të bënte be bashkë me 12 persona të tjerë, se nuk kishte faj qënë ai fajtor. Përsa i përket gruas fajtore, atë e zhvishnin lakuriq, ose e hipnin në gomar me fytyrë nga bishti dhe e çonin tek i jati, për ti vënë kështu një njollë të pashlyeshme turpi jo vetëm gruas, por edhe familjes së saj.
Në rast se gruaja ose vajza kishte mbetur shatëzënë nga këto marrëdhënie seksuale, sipas KLD personi fajtor e shlyente krimin me gjak. Në ndonjë rast të veçantë, kur ndërhynin persona të tjerë ndërmjetës, fajtori mund të paguante gjobë 6 qese. Me sa duket kjo është një rregull e mëvonshme, një zbutje në sanskionin e hershëm.
Sipas normave të kanunit shqiptar të viteve 1868 parashikohej shprehimisht dënimi me vdekje jo vetëm për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë, por edhe për tentativën ose provokimin për kryerjen e marrdhënieve të tilla. Sipas kanunit të Labërisë, me ndryshimet e bëra nga Idriz Suli, tentativa për marrëdhënie seksuale me dhunë sillte si pasojë vrasjen e fajtorit nga burri i gruas. Në disa raste, me ndërhyrje, bëhej pajtimi ose e zinin fajtorin dhe i prisnin veshin apo hundën në shenjë turpi. Këto ishin padyshim mbeturina të ndikimit të së drejtës bizantine në të drejtën zakonore të këtyre krahinave. Kur nuk bëhej ndonjë nga veprimet e mësipërme, atëherë burri ose i vëllai i gruas së çnderuar zinin gruan e fajtorit ose të të vëllait të tij dhe e zhvishnin lakuriq, i merrnin rrobat dhe iknin.
Të gjitha këto norma kanë gjetur zbatim në praktikë në kohë dhe kushte të caktuara. Pleqtë tregojnë se gjykatat e pleqve në Kurvelesh, për të zbutur këto masa të rënda, kanë bërë në këtë drejtim modifikime, duke ruajtur gjithnjë rregullin që “çdo çështje të zgjidhet në çdo rast konkret” d.m.th. të veprohej sipas rastit konkret në mënyrë të diferencuar. Kështu, për ta shpëtuar nga përgjegjësia d.m.th nga vrasja në ato raste që fajtori kishte kryer marrëdhënie me dhunë me vajza, ose kur kishte tentuar apo provokuar për të kryer një krim të tillë, detyrohej, nga fisi, familja e dëmtuar ose nga pleqtë që të martohej me të dhe kështu mbyllej çështja. Natyrisht ky është rregulli i periudhës së mëvonshme, i fillimit të këtij shekulli. Me kalimin e kohës këto norma që zbatoheshin në fshatrat e Shqipërisë së Jugut filluan të ndikojnë gradualisht e të hyjnë edhe në praktikën e malësive të Shqipërisë së Mesme e të Veriut.
b) Vrasja e gruas që largohej nga shtëpia bashkëshortore në kundërshtim me vullnetin e burrit. Kjo vrasje quhej e përlgjur sipas kanunit, sepse gruaja, me veprimet e saj, i shkaktonte fyerje të rëndë burrit dhe krejt familjes së tij, pavarsisht se largimi i saj në thelb mund të ishte shfaqje e protestës kundër shtypjes e skllavërisë patriarkale që rëndonte mbi të. Për vrasjen e gruas në këto rrethana autori i krimit nuk i nënshtrohej gjakmarrjes. Në kategorinë e vrasjeve për çështje nderi hynin edhe ato që kryeshin kundër atyre personave që përdornin fjalë fyese ose kryenin veprime fyese, si p.sh i hiqnin shaminë, i preknin trupin, i bënin gjeste të tjera, gruas, motrës, nënës ose kunatës, etj., të vrasësit. Këtu vepronte rregulli i shpallur nga kanunet: “fyerja lahet me gjak”.
Sigurisht këto vrasje ndryshonin nga të parat, sepse në to spikaste individualizmi, ndjenja e sedrës, e krenarisë etj., që buronin nga kushtet materiale e të jetesës së fshatarësisë si edhe nga psikologjia e mendësia, nga gjendja kulturore e tyre.
Vrasja e vëllait. KLD lidhur me këtë parashikonte: po vrau vëllai të vëllain, gjakhupës shkojnë, porse gjobën e flamurit do t’a lajnë simbas Kanunit (pr.960). Kjo gjobë ishte 100 desh dhe një ka. Kur vëllai e vriste vëllanë për t’i marrë gruan dhe ajo martohej me të, gjaku i vëllait shkonte kot, veçse nga pikëpamja morale nuk shihej me sy të mirë.
Në Malësinë e Madhe vepronte rregulli sipas të cilit: në qoftë se vëllezërit ishin ndarë, vëllavrasësi duhej t’u paguante para gjaku trashgimtarëve të vëllait të tij. Në qoftë se vejusha nuk kishte fëmijë dhe nuk martohej me vrasësin e burrit të saj, ajo i merrte vetë të gjitha të hollat që jepeshin si zhdëmtim gjaku.
Vrasja e personave të tjerë të familjes
Kur një person vriste axhën, e tij e ky nuk linate pas as djalë as vëlla, gjaku i tij shkonte hup, sepse vrasësi ishte farefisi më i afërtë dhe duke e vrarë atë konsiderohej sikur të kishte vrarë veten e tij.
Në kanune parashikohej edhe vrasja e njerkës nga thjeshtri. Në këtë rast prindërit e gruas kërkonin gjakun tek vrasësi. Nuk përjashtohej mundësia që edhe burri i gruas së vrarë të kërkonte shpagimin nga fëmija vrasës. Vrasja e vjerrit, vjerrës, kunatit, kunatës, nipit, kushëririrt, etj... quhej sipas të drejtës zakonore penale, vrasje e zakonshme dhe përgjegjësia ishe e njëllojtë si për çdo vrasje.
Vrasja në besë ose pas pajtimit të gjakut.
Në brendinë e tyre këto rrethana janë të ngjashme me vrasjen e mikut. Por, megjithatë midis tyre ka edhe dallime. Me vrasje në besë kuptohej vrasja e viktimës kur ndodhej në besën e vrasësit ose të një personi tjetër. Kjo donte thoshte se viktima kishte marrë premtimin e fajtorit se jeta e tij nuk do të prekej d.m.th ishte nën mbrojtje, në besë të tij. Kështu ai mund të lëvizte nga shtëpia, fshati, mund të shkonte në punë etj.
Një shfaqje e besës ishte edhe ndorja d.m.th një persona ndodhet në dorën e tjetrit, nën “këmborën”, “mbrojtjen” e tjetrit dhe ky ose familja e tij gjatë kësaj kohe mund të shkonte lirisht dhe nuk e prekte kush. Me të drejtë M.Krasniqi vë në dukje se “besa” në gjakrmarrje, përveç të tjerash ka pasur edhe rëndësi ekonomike, sepse pjestarët e familjes së dorërasit kanë guxuar të dalin e të punojnë fushën e tyre vetëm nëse u kanë dhënë besën, për ndryshe fusha mbetej djerr.
KLD shprehimisht e konsideronte vrasjen në besë si një vrasje të rëndë e të shëmtuar, dhe kjo dënohej rreptë nga opinioni shoqëror. Po kështu vepronin kanunet e veçanta të kuvendeve në Malësi, Kanuni i Skënderbeut me nënvarjantet e tij (Dibrës, Martaneshit, Shpatit, Çermenikës), normat zakonore të fshatrave të Vlorës, të Gjirokastrës, të Kurveleshit, etj. Në kanunin e Bendës midis të tjerash thuhet: Kur jep besën, fjalën e dhënë, gjaksori, megjithëqë t’ka vra djalin, vëllanë, babën, kushuririn, edhe po të erdhi me të shti në dhe atë që ka vra vetë, t’i japësh edhe drekën e dekës, tamam si të gjithë përcjellësit e tjerë.
Në kanunin e vitit 1894 thuhej shprehimisht se: Kush të vrasë në besë a mbas gjakut të pajtue, do të lajë 6 qese e 10 desh gjobë (pika 4). Në Lurë ai që vriste pas besës së lidhur dëbohej për tre vjet, i digjej shtëpia, i konfiskohej pasuria.
Sipas Kanunit të Bajrakëve të Dukagjinit (1911) vrasja pas pajtimit të gjakut nuk konsiderohej marrje gjaku, por vrasje që sillte si pasojë gjakmarrje kundër vrasësit.
Në fshatrat e Martaneshit kanë ndodhur raste kur vrasësi ka kërkuar besën e familjes së viktimës, është strehuar dhe ushqyer prej saj dhe pastaj kur është përcjellë, është paralajmëruar se ka për të larë gjakun. Në rast se ndokush e kishte vënë veten nën mbrojtjen e përhershme të disa vetave për të qenë i siguruar nga një rrezik dhe megjithatë vritej, atëherë dorëzanësit e kishin për detyrë nderi ta ndiqnin vrasësin po aq të vendosur sa edhe familja e të vrarit. Në këtë rast jo vetëm që i digjej shtëpia fajtorit, por i shkatërrohej krejtësisht edhe pasuria e tij.
Vrasja në kuvend
Për çështje që paraqitnin interes të përbashkët shoqëror, shpesh mblidhej Kuvendi, ku merrnin pjesë krerët, për të zgjidhë problemet. Mbledhjet e Kuvendit zhvilloheshin mbi bazën e respektit reciprok. Po qe se ndokush shkelte rregullat e zhvillimit normal të kuvendit dhe shkrepte pushkën kundër një tjetri ai kryente krim të rëndë. Në vrasje e tillë për shkak të vendit ku kryej – në mbledhje të kuvendit, duke fyer ndjenjën e nderit kolektiv dhe duke marrë nëpër këmbë rendin e vendosur për zhvillimin e punimeve të kuvendit, parashikohej nga kanunet si vrasje e rëndë që sillte si pasojë pushkatimin e vrasësit nga krejt katundi dhe djegien e shtëpisë së tij.
Vrasja për marrje arme
Vrasja për marrje arme ishte vrasje e cilësuar për arsye se drejtohej jo vetëm kundër jetës së personit, por edhe kundër dinjitetit të tij, pasi marrja e armës burrit sipas kanuneve ishte fyerje e rëndë. Gjithashtu, sipas normave kanunore, vrasja për marrje arme sillte si pasojë gjakmarrjen, por edhe pagimin e gjobës.
Vrasja për interes (pasuri)
Normat penale të kanuneve, për të siguruar mbrojtjen e pronës private, parashikojnë shprehimisht vrasjen me qëllim për t’u pasuruar në kurriz të tjetrit, për të hedhur në dorë pasurinë e tij. Në KLD thuhej se kush vriste kushëririn e tij për t’u bërë trashgimtar i pasurisë së tij, dënohej me vdekje, shtëpia i digjej, gjobitej dhe familja i dëbohej. Po këto dënime zbatoheshin edhe kundër atij që vriste për të grabit pasurinë e tjetrit (pr. 915). Edhe në kanunet e tjera parashikohej po ky rregull.
Vrasja nga pakujdesia
Në të drejtën zakonore penale një vend me rëndësi zë edhe vrasja pa dashje, nga pakujdesia. Kështu në KLD thuhet: vrasja pa hiri nuk e ka të ndjekmen me pushkë. Dorërasi lan gjakun e dorëzanitet (pr. 932-938). Vrasja nga pakujdesia, për shkak të rrezikshmërisë shoqërore më të paktë se sa vrasja me dashje, nuk sillte si pasojë gjakmarrjen. Ajo sillte si pasojë vetëm zhdëmtimin e gjakut. Por kanuni parashikonte edhe raste kur personi binte në gjak. Por kanuni parashikonte edhe raste kur personi binte në gjak për vrasje nga pakujdesia. Në paragrafin 947 thuhet: Me shkrepë pushka pa hiri, i zoti pushkës bjen në gjak. Dhe më tutje kanuni parashikon: Po hyni kush në shpi të huej, e, porsa t’a vjerrë pushkën në krrabë, i kputet rrypi, shkrep pushka edhe vret ndonji të shpis a këdo, i zoti pushkës bjen në gjak (pr. 946). Po e vuer miku pushkën në krrabë e kjo u thye e ra pushka në tokë, shkrepi edhe vrau kënd, i zoti i krrabës bjen në gjak (pr. 948). Kuji i krraba janë vu për të vjerrun pushkvet, pra i zoti i krrabës a i kujt vete mendon e mos t’i lete t’u brejshin prej krijet (krimbit) (pr. 949).
Nga pikëpamja e këtyre normave del se në të dy rastet e parë binte në gjak i zoti i pushkës që nga pakujdesia e tij në mbajtjen e armës shkaktonte vrasjen e tjetrit, ndërsa në rastin e fundit binte në gjak i zoti i shtëpisë, që kishte për detyrë të siguronte kërrabën ku vareshin pushkët. Por, megjithëse këto raste formalisht parashikonin se personi binte në gjak, në praktikë, si rregull i përgjithshëm, ato zgjidheshin me pajtimin ndërmjet familjeve; shkaktari i vrasjes paguante çmimin e gjakut, ndërsa njerëzit e viktimës vinin dërëzënës se nuk do të merrnin gjakun. Pajtimi bëhej më vonë, prandaj, pas vrasjes, familja që kishte për të larë gjakun ruhej, fshihej derisa të ndërhynin miqtë e të afërmit për pajtimin e të vërtetohej se vrasja ishte kryer pa dashje (nga pakujdesia).
Po në këtë frymë zgjidhej problemi në Kanunin e Skënderbeut, në Kanunin e Martaneshit, Çermenikës e në Kanunin e Labërisë që vepronte në fshatrat e Vlorës, Gjirokastrës, Delvinës dhe Kurveleshit etj.
Ismet Elezi _________________ Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
| |
| | | | Llojet e vrasjeve (me kanun) | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |