FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Armatimi ilir

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Armatimi ilir Empty
MesazhTitulli: Armatimi ilir   Armatimi ilir EmptyWed 16 Mar 2022, 16:26


ARMËT

Mbrojtja e territorit të fisit, gjegjësisht sulmet luftarake kundër fqinjve të afërm ose edhe të largët, patën si pasojë nevojat e mëdha për armë mbrojtëse dhe ofensive. Gjetjet arkeologjike kanë siguruar një mori materialesh të cilat na bëjnë të mundshme njohjen e hollësishme të armatimit ilir në periudha të ndryshme dhe në vise të ndryshme.

Megjithatë, autorët antikë, të cilët i përshkruan aq hollësisht luftërat kundër ilirëve, fare rrallë, i përshkruajnë armët të cilat i përdornin ilirët, me siguri për shkak se' armatimi i ushtarëve ilirë nuk është dalluar dukshëm nga armatimi i armiqve të tyre.

Nga lajmet e shkruara, më i rëndësishmi është ai të cilin e hasim te poeti romak Eniu (Quintus Ennius), i cili vetë ishte me origjinë mesap nga rrethi i Tarantës dhe përveç kësaj kishte një pasuri në Picenum, ku në mënyrë direkte kishte mundësi të mësonte shumë gjëra për ilirët dhe armatimin e tyre dhe me sa duket edhe është takuar me ta. Në veprën e tij "Anales" (540, V) shkroi "Illyrici restant sicis sibinisque potentes", pra "Ilirët qëndrojnë fuqishëm me thika dhe sibyna". Arkeologët sikën (sica) e identifikuan si thikë të lakuar ose si shpatë, që në të vërtetë i përgjigjet shpatës greke me një teh, të quajtur mahajra. Origjinën e kësaj shpate ilire arkeologët e kërkojnë në Greqi, ku armët e këtij tipi ishin të njohura qysh në kohën e Homerit, kurse të tjerët megjithatë, e kërkuan në vetë Ballkanin, ku gjithashtu në periudhën e bronzit, ekzistonte thika e lakuar e bronzit prej së cilës në mënyrë gjenetike ka mundur të zhvillohet shpata e përmendur.

Ndonëse shpata e lakuar e shkurtër në periudhën e re të hekurit ishte e njohur gjithashtu në Spanjë, në Itali, në Azinë e Vogël e gjetiu, romakët ishin të bindur se e kishin shpikur ilirët dhe thrakët. Në Romë shpatën e vogël të lakuar e konsideronin si armë tipike ilire. Prej emrit të kësaj arme (sica) u krijua fjala sicarius - vrasës tinzar, mirëpo kjo domethënie kishte karakter të përgjithshëm dhe nuk ishte e lidhur me ilirët.

Një armë tjetër të cilin Eniu ua mvesh ilirëve - sibyna (ose sigyna), në të vërtetë është një shtizë e gjatë e hekurit, në mënyrë arkeologjike është dokumentuar me shumicë në të gjitha viset ilire, e sidomos në nekropolat nga Bosnja.

Prej armëve të tjera ofensive ilirët njohin edhe thikën e luftës (të gjatë 20-30 cm), e cila mund të përdorej edhe në jetën e përditshme, por përdorej edhe për qëllime luftarake, siç na e tregojnë këtë gjetjet e thikave të tilla nëpër varrezat e luftëtarëve, sopata e luftës (mbi përdorimin e kësaj arme për qëllime luftarake tregon përsëri fakti se janë zbuluar së bashku me armët e tjera nëpër varrezat e luftëtarëve), harku dhe shigjeta e shpata. Këtë armë të fundit ilirët e njihnin prej kohësh më të vjetra. Një seri e tërë tipash të ndryshme tregon se ilirët importonin shpeshherë nga viset fqinje, por se në disa vise edhe vetë i prodhonin dhe i zhvillonin tipet karakteristike. Ashtu si armët e tjera, edhe shpatat gjenden më shpesh nëpër varrezat e luftëtarëve. Shpata në varrin e luftëtarit të vdekur ose të vrarë nuk i shërbente më të ndjerit ashtu siç i shërbente derisa ishte gjallë, prandaj me siguri lidhur me këtë ishte zakon që shpata para se të vihej në varr të thyhej në copa (për shembull në Gllasinac prej shek. VIII para e.re. e tutje), gjegjësisht përdridhej disa herë ashtu si bënin në periudhën e re të hekurit edhe keltët.

Armët mbrojtëse të ilirëve përfshijnë një inventar të pasur objektesh. Mburojat përdoren qysh nga fundi i periudhës së bronzit, por për to dimë fare pak deri në shekujt e fundit të periudhës së vjetër të hekurit. Në atë periudhë, në të vërtetë mburojat bëheshin nga druri, kryesisht nga druri dhe lëkura, kështu që prej tyre nuk është ruajtur asgjë. Vetëm athëherë kur mburojave në mes u vihej pjesa metalike (umbo) është e mundshme që edhe në pikëpamje arkeologjike të vërtetohet ekzistenca e asaj pjese të armatimit të ushtarit ilir.

Mburojat, të cilat mbanin zakonisht ilirët ishin të rumbullakëta, por aty-këtu në qarkun e kulturës lindore të Alpeve dhe te japodët paraqitej edhe tipi oval. Një ekzemplar shumë të mirë të mburojës së rrumbullakët e kemi të paraqitur në një varëse nga bronzi, e veshur me argjend, prej shek. IV para e.re., që është zbuluar në nekropolin e liburnve në Nin. Kjo varëse paraqet luftëtarin e stilizuar me përkrenare me një xhufkë të lartë dhe me mburojën e rrumbullaktë konvekse të stolisur me rrathë koncentrikë. "Mburoja të rrumbullakta kanë pasur edhe ilirët nga Gllasinci, gjithashtu edhe nga jugu i Shqipërisë së sotme. Këto i shohim të paraqitura në monedhat e qyteteve ilire, Scodra dhe Lissos të cilat u farkuan mbasi kjo pjesë e Ilirisë ra nën pushtetin e mbretit maqedon, Filipit V, në vitin 213. Në to numizmatët vërejtën tipin e mburojës maqedone, ndërsa arkeologu shqiptar Hasan Ceka, shfaqi mendimin se kjo mburojë me formë të rumbullakët dhe me gjysmërrathë koncentrikë në skaje, nuk
duhet të jetë maqedone, sepse motivi i rrethit koncentrik është shumë i njohur edhe tek ilirët, edhe tek maqedonët dhe sipas kësaj ky detal nuk tregon patjetër origjinën maqedone të këtij tipi të mburojës. Ceka, prandaj, konkludon se mburoja të tilla njihnin në të njëjtën kohë edhe maqedonët, edhe ilirët. Në dobi të kësaj teze flet edhe përmbajtja që u paraqitet në një pllakë të praruar nga periudha helene që u zbulua në Gradishtë afër katundit Selcë e Poshtme në afërsi të Pogradecit në Shqipëri. Në të shohim luftën e ilirëve me maqedonët; ilirët mbajnë mburoja të rrumbullakta ashtu si edhe ushtari maqedon, kurse i vetmi ndryshim midis atyre mburojave është numri i stolive në formë të gjysmërrathëve koncentrikë. Prej kësaj paraqitjeje është e qartë se edhe ilirët njihnin mburojën e rrumbullaktë të ngjashme me atë maqedone, që gjithashtu ishte e stolisur me motive. Ky motiv nuk ishte vetëm stoli, por kishte edhe domethënie simbolike, gjegjësisht apotropeike.

E ngjashme me mburojën ovale ilire, në viset veriore, ishte ajo që sollën keltët. Përveç pjesës së metalit (umbos) asgjë tjetër nuk është ruajtur nga mburojat kelte, mirëpo është e njohur se kishin formë të zgjatur, se ishin të bërë nga druri dhe se në mes kishin një pjesë të hekurit.
Shfaqje e rrallë, por shumë interesante është edhe shfaqja e parzmores në armatimin e ushtarit ilir. Parzmorja e vërtetë e bërë nga pafta e bronzit është e njohur në periudhën parahistorike vetëm te ilirët në qarkun kulturor të Alpeve lindore. Deri tani janë zbuluar gjithsej tre ekzemplarë, në Novo Mesto, Stiçna-Vërpole dhe në Sht. Vid afër Stiçnës. Të gjitha burojnë nga koha para vitit 500 para e.r. Ilirët e tjerë nuk kanë njohur, aq sa mund të gjykohet tani për tani në bazë të gjetjeve arkeologjike, ndonjë parzmore. Vetëm ilirët e Gllasincit e njihnin një lloj parzmoreje - nëse parzmore mund të konsiderohet edhe jeleku prej pëlhure (ose prej lëkure?) me tokëz të bronzit në të. Në shek. VII para e.re. si pjesë e armatimit të Iuftëtarit ilir paraqiten kallçijt (knemidet) e bronzit. Është e mundshme që disa nga ilirët t'i kenë njohur edhe më herët këto pjesë që i bënin nga lëkura; të këtilla i kishin edhe bartësit e kulturës mikene në Greqi në epokën e bronzit. Për to, megjithatë nuk dimë gjë. Kallçijt e bronzit te ilirët paraqiten së pari në viset jugore, ku janë zbuluar ekzemplarë të cilët mund të jenë të shek. VII para e.re. si edhe Gllasinaci gjithashtu nga ajo periudhë.

Ekzemplarët e zbuluar në një varr princi në Gllasinac janë interesantë sidomos për shkak të ornamentikës luksoze, që në anën e jashtme janë bërë me një teknikë të shtypjes dhe të gdhendjes. Në to kemi paraqitje të skematizuara anijesh, rrathësh dhe motive të triquertumit (svastika trigrremshe). Megjithatë, dy motivet e fundit, nuk kishin domethënie dekorative, por apotropeike; ato sipas besimit mbajtësin e tyre e mbronin nga armiku. Kallçijt e bronzit deri në periudhën romake janë përdorur fare rrallë dhe ato i mbanin vetëm luftëtarët më të pasur.

Në armatimin e luftëtarëve të pasur bënin pjesë, sipas të gjitha gjasave, kur përdoreshin edhe kallçijt, gjithashtu edhe përkrenarja e bronzit. Me siguri për shkak të rëndësisë shumë më të madhe në armatim, përkrenarja haset shumë herë nëpër varrezat ilire. Qysh prej shek. VII para e.re. përkrenaret e bronzit prodhoheshin në qarkun e kulturës së Alpeve Lindore. Në këtë kohë, e ndoshta edhe më herët, hasen përkrenare me formë konike të cilat në mënyrë tipologjike lidhen drejtpërdrejt me ato të kulturave të urnave me djegie. Më vonë paraqitet në këto vise tipi shmarjet i përkrenares (i quajtur sipas vendit Shmarjet në Novo Mesto), i punuar në mënyrë shumë rustike, i ngjashëm me kapelat e rrumbullakta të japodëve. Bëheshin prej skeletit nga shkurre që lyheshin me argjilë. Mirëpo përkrenares së këtillë i viheshin disa pllaka më të mëdha të rrumbullakta të bronzit. Meqenëse tani janë zbuluar ekzemplarët (gjithsej nja tridhjetë) të gjetur nëpër varreza luftëtarësh, nuk ishte vështirë të përfundohet se me të vërtetë shërbenin si përkrenare lufte, e jo si kapelë.

Po në këto vise zhvillohet më tutje përkrenarja e bronzit me dy rrathë të gjerë dhe me dy brinjë në kalotë. Në rreth me thumba kapej një shirit i gjerë prej lëkure, i cili e mbronte qafën e luftëtarit. Sipas Gabrovcit ky tip përkrenareje ishte në përdorim në shek. VI para e.re.

Përkrenaret në Gllasinc paraqiten në shek. VI para e.r. si gjëra të importuara, kurse në rajonin e gjerë në jug të Savës paraqitet një përkrenare shumë e rëndësishme që mund të konsiderohet karakteristike për ilirët. Fjala është për përkrenaren me dy paragnatide dhe me vrima katrore përpara; kalota është e forcuar me dy brinjë plastike, ndërsa në ballë gjindet kapsja që shërbente për vënien e xhufkës. Përkrenaret e këtij tipi janë zbuluar në shumë lokalitete në Shqipëri, në Bosnje dhe në Hercegovinë, në Kroaci (pranë bregdetit), në Maqedoni, në Serbi. Janë gjetur gjithashtu, në një numër më të vogël edhe në Rumani, bile edhe në Rusinë e jugut. Shumë përkrenare të tilla burojnë nga Greqia (Olimpi etj.) Disa shkencëtarë i caktojnë datat e këtyre ekzemplarëve më të vjetër nga Greqia qysh nga shek. VII para e.re. dhe sipas tyre këta ekzemplarë që paraqiten te ilirët e jugut (shek. VII) ishin importuar nga Greqia. Më vonë ilirët vetë i punonin përkrenaret duke pasur si mostër ato përkrenare. Megjithatë, ekspertët e tjerë, sipas arkeologut shqiptar Hasan Ceka, paraqesin argumente në dobi të proveniencës ilire të kësaj përkrenareje. Sipas Cekës kjo përkrenare u paraqit te ilirët si prodhim origjinal ilir në shek. VII para e.re. dhe u përdor deri në shek. II para e.re. e jo vetëm deri në shek. IV para e.re. siç kanë menduar disa autorë të tjerë. Si vërtetim i një përdorimi të vonshëm i shërben këtij arkeologu fakti se pamja e kësaj përkrenareje shihet në monedhat e qyteteve ilire, Skodra, Lissos dhe të mbretit Genc. Nga shek. VI para e.re. e deri me okupimin romak ilirët nuk pushojnë duke importuar përkrenare ngaItalia dhe nga Greqia. Përkrenarja e Korinthit nga tuma e Ararit në Gllasinc (shek. VI para e.re.) përkrenarja etruske nga kalaja Çungar te Cazini, mandej edhe një përkrenare etruske nga Vrankameni te Krupa, janë ekzemplarët më të mirë të përkrenareve të prejardhjes së huaj në truallin ilir.

Është e zakonshme të konsiderohen të importuara, që sipas të gjitha gjasave në shumicën e rasteve edhe është e saktë. Mirëpo, ekzemplari i përmendur nga Vrankameni që u gjet në një grumbull së bashku me monedhat afrikane dhe italike, të cilat i përmendëm më parë (fq. 162) mund të ishte plaçkë e piratëve, na bën të supozojmë se shumë përkrenare ilirët kanë mundur t'i sigurojnë edhe me aksionet e tyre luftarake, kryesisht pirate, kundër grekëve ose italikëve.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Armatimi ilir
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Dielli ilir
» Mbreti ilir Balaj
» Mbretëria ilire në Indi
» Pani Pellazgo - Ilir !
» Mbishkrim ilir kushtuar Belenit

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Edukim fizik :: Art ushtarak-
Kërce tek: