Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Vegla gatimi te ilirët Sun 27 Feb 2022, 22:11 | |
| A. Stipçeviq, "Ilirët"
OBJEKTE TË PËRDORIMIT
Një pjesë të madhe dhe shumë të rëndësishme të kulturës materiale ilire e përbëjnë objektet që përdoreshin në shtëpi, e në mesin e tyre vend të posaçëm zënë enët e baltës. Prodhimi i qeramikës kishte rëndësi të madhe për jetën e përditshme të ilirëve, prandaj nuk është çudi që qeramikën e gjejmë në sasi të mëdha në të gjitha vendbanimet dhe nekropolat e tyre.
Duke vazhduar traditën e madhe dhe njohuritë teknologjike nga kohët e vjetra ilirët ishin mjeshtër të vërtetë në punimin e enëve të baltës, qoftë ato që shërbenin si urna, në të cilat do të vihej hiri i të ndjerëve, ose qoftë edhe ato që përdoreshin në jetën e përditshme. Në dallim nga enët të cilat shërbenin si urna hiri ose për qëllime kultesh, ato që përdoreshin në shtëpi, janë punuar në mënyrë shumë më të vrazhdët dhe janë stolisur shumë më varfërisht, por edhe për nga forma ato enë nuk ishin aq të shumëllojshme.
Para ardhjes së keltëve, dhe në viset ku nuk depërtuan keltët edhe derisa u bë pushtimi romak, por edhe më vonë, ilirët enët i bënin me dorë. Keltët sollën edhe në këtë fushë risi, e cila do të revolucionarizojë mënyrën e prodhimit të qeramikës -rrotën e poçarit. Shpeshherë duke pasur si mostër qeramikografinë greke, e punuar prej argjilës së pastër dhe mandej e stolisur me figura të ndryshme gjeometrike dhe me ngjyra bimësh, qeramika kelte, në krahasim me atë autoktone ilire, dallohet për nga bukuria dhe eleganca e formave si dhe për nga superioriteti teknologjik.
Vendbanimet kelte të vendosura në shtretërit e Iumenjve të mëdhenj panonikë, bëhen qendra të fuqishme të prodhimtarisë së qeramikës, prej nga mallërat dërgoheshin në vise të tjera. Me kohë ilirët që jetonin me keltët dhe u përzien me ta, ose që jetonin afër vendbanimeve të tyre, përvetësuan teknologj inë e re të prodhimtarisë së qeramikës, mirëpo nuk hoqën dorë edhe prej formave të lashta të qeramikës së tyre, kështu që krijohet një qeramikë interesante e formave ilire, por e punuar me teknologji të re.
Për çudi, themelimi i kolonive greke në brigjet ilire nuk solli përparim të dukshëm në prodhimin e qeramikës vendase as përsa i përket teknologjisë e as përsa i përket formës së enëve. Vetëm në një numër të vogël enësh mund të zblohen gjurmët e formave dhe të mënyrës greke të stolisjes. Përjashtim bën pjesa jugore e Ilirisë, ku rrota e poçarit hyn në përdorim shumë më herët se sa në viset e tjera. Edhe pse rrallë, rrotën e poçarit e përdorin ilirët në viset e Shqipërisë së sotme qysh në fillim të epokës së hekurit, ndërsa në shekullin IV para e.r. dhe më tutje përdorimi i rrotës së poçarit ishte shumë i shpeshtë.
Objektet e punuara nga argjila piqeshin në furra të posaçme të qeramikës. Mbeturinat e këtyre furrave janë të rralia, kështu që ende nuk mund ta rikonstruktojmë pamjen e saktë se si është dukur origjinali. Në bazë të dëshmive të deritanishme, megjithatë, mund të përfundojmë se ilirët nuk ndërtonin vetëm një tip furre. Edhe në këtë sferë keltët sollën një përparim teknologjik.
Krahas me enët e baltës, ilirët i punojnë dhe i përdorin edhe ato të metalit, por jo të gjithë ilirët dhe jo në të njëjtën kohë. Më të vjetra janë enët metalike të punuara në viset veriore ilire qysh në kohën e kulturës së fushave me urna (koha e bronzit). Mbas ndërprerjes për një kohë të prodhimit të atyre, në epokën e vjetër të hekurit në rajonet juglindore alpike (dhe në vëllim më të vogël edhe në Istri) prodhimi i tyre arrin kulmin. Më karakteristike janë format e situlave dhe të kovave, por paraqiten edhe forma të tjera të atyre. Është interesante se edhe në atë kohë, kur u zhvillua më shumë prodhimi i enëve metalike, ilirët e atjeshëm importonin enë të tilla nga Italia fqinje. I këtillë është rasti me trekëmbëshin e bronzit që u gjet në Novo Mesto, për të cilin besohet se ka origjinë italike. Jo vetëm për nga pasuria e formave, por edhe më tepër për shkak të vizatimeve shumë të rëndësishme dhe të pasura figurative, ato bëjnë pjesë midis prodhimeve më të rëndësishme të kulturës materiale dhe shpirtërore të ilirëve.
Enët metalike në viset e tjera ilire hasen shumë më rrallë se sa në Slloveni dhe në Istri; përveç kësaj një pjesë e madhe e atyre por janë importuar. Të tilla janë enët metalike që gjatë shekullit VIII - VII para e.re. paraqiten në Gllasinac. Besohet se enët e rralla, të cilat u zbuluan kryesisht në varrezat e princëve, janë importuar nga Italia.
Në pikën më jugore, në rajonin e kulturës së Trebenishtit në Maqedoni ekzistonte prodhimtaria vendase e enëve prej metali, pjesa më e madhe e enëve, të cilat ishin gjithashtu të importuara, nga Greqia.
Sa i përket përdorimit të enëve metalike mund të pohohet me siguri se nuk kanë shërbyer të gjitha për qëllime praktike. Kjo mund të thuhet veçanërisht për situlat dekoruese nga Sllovenia dhe Istria ose për disa enë argjendi nga Maqedonia të cilat duket qartë se kanë pasur edhe ndonjë funksion në ceremonitë e kultit.
Në jetën e përditshme një rol të rëndësishëm luajtën edhe disa vegla dhe objekte shtëpiake, ndër të cilat së pari po përmendim saçin i cili ka shërbyer për të pjekur bukën në zjarr. Ky është një kapak i madh i rrumbullakët i bërë nga argjil e pjekur me një vegjë në mes. Saçi (ose çerepi si e quajnë në disa vise), së pari nxehej mirë mbi zjarr, mandej prushi dhe hiri i nxehtë hiqej nga vatra, kurse në bazën e nxehtë vihej brumi i cili mbulohej menjëherë me saç. Mandej saçi mbulohej me prush dhe me hi të nxehtë. Saçi kishte një ose më shumë pjesë të nxjerra në mënyrë koncentrike që hiri dhe prushi të mos rrëshqisnin në anët e pjerrta të saçit.
Copa të saçit janë gjetur në shumë vendbanime ilire (Kekiq Glavica, Ormozh, Peqina në Liçki Leshaqi etj.) ndërsa në vendbanimin lakustër në Ripaç është gjetur edhe një ekzemplar plotësisht i ruajtur. Për funksionin e saçit, të cilin së pari e përcaktoi Ciro Truhelka nuk ka kurrfarë dyshimi: përdorimi i sotëm i saçit identik, përjashton çdo dyshim lidhur me përdorimin e tij në kohën parahistorike.
Ilirët piqnin dhe zienin ushqimet edhe nëpër furra, të cilat gjendeshin brenda shtëpisë, mirëpo në shumicën e rasteve nuk ndërtonin kurrfarë furrash të posaçme. Në mes të shtëpisë, ose në ndonjërin prej këndeve, në anën e kundërt të derës, e ndiznin zjarrin në tokë, ose në ndonjë bazë të thjeshtë, të bërë prej copave të qeramikave apo të gurëve të papërpunuar. Por në disa lokalitete janë zbuluar furra të ndërtuara posaçërisht prej argjilës së pjekur. Ekzemplarët më të mirë janë ata të lakustrave në Donja Dolinë, të cilët kanë formën e një ene të madhe të rrumbullakët, me anë të pjerrëta, të larta 15-20cm. Në skajin e sipërm kanë dy pjesë më të thella dhe dy vazhdime në formë gypash, funksioni i të cilëve nuk është plotësisht i qartë. Nga ana e jashtme janë të stolisura me ornamente dhe me svastika. Nën fund, nganjëherë, është gjetur ndonjë hinkë, kurse fundi është i shpuar nga disa vrima. Hiri nga vendi i ndezjes së zjarrit ka rënë nëpër vrima në hinkë, ndërsa nga hinka nën shtëpi.
| |
|