Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Vendbanimet dhe banesat ilire Sun 27 Feb 2022, 18:59 | |
| A. Stipçeviq, "Ilirët"
VENDBANIMET DHE BANESAT
Nga të gjitha gjurmët e kulturës materiale të ilirëve më monumentalet janë vendbanimet e fortifikuara - kalatë. Fatkeqësisht për vendbanimet nuk i dimë të gjitha që do të ishin të nevojshme të dihen që të fitojmë njohuri të plota për to, mirëpo përshkrimet e deritashme të atyre vendbanimeve që janë gërmuar bëjnë të mundshme që të dallojmë disa tipa themelorë dhe të vërtetojmë zhvillimin e tyre kronologjik. Më të shumta janë gjurmët e vendbanimeve të tipit të kalave gjë që, nuk na mundëson të konkludojmë se vendbanimet e tilia kanë qenë me të vërtetë më të shumtat edhe në kohën parahistorike. Për këtë tip vendbanimesh dimë më shumë nga mbeturinat e tyre (nganjëherë me dimensione monumentale), të cilat i qëndrojnë më lehtë dhëmbit të kohës, prandaj sot është më lehtë t'i vërejmë dhe t'i studiojmë. Vendbanimet e tilla populli i quan kala, në Istri i quajnë kastelere (castellieri), ndërsa në Shqipëpri kala (kështjella). I gjejmë gjithkund ku ka pasur gurë, të nevojshëm për ndërtim, prej Sllovenisë dhe Istrisë në veri, deri në Epir në jug. Janë me dimensione, veçanërisht, të mëdha në Istri, në Hercegovinë dhe në Shqipëri. Mirëpo ilirët ndërtonin vendbanime të fortifikuara edhe nëpër fusha, pranë lumenjëve të mëdhenj. si janë Sava. Drava e gjetiu, por pendat prej dheu të ngjeshur dhe kanalet rreth tyre kanë lënë pak gjurmë të dukshme.
Ilirët i ndërtonin kalatë në lartësi, të cilat ishin vështirë të kaloheshin, ose në rrëzat e bregoreve, që ishte më lehtë të mbroheshin nga armiqtë. Një faktor po aq i rëndësishëm me rastin e zgjedhjes së vendit ku do të ndërtohej vendbanimi i fortifikuar ishte edhe çështja e pasurisë. Numri më i madh i kalave gjendej në shpatet e bregoreve, mbi luginat e frytshme. Një pozitë e tillë e kalave, përveç që kishte përparësi strategjike, sepse bënte të mundshëm një horizont të gjerë mbi rrethinën, banorëve të tyre u jepte bazë për pasurinë e tyre që të mund të jetonin. Vendbanimet e tilla, brenda mundësive, ndërtoheshin në ndonjë lartësi, e cila mund të rrethohej nga lumenjt që të mund të mbroheshin më lehtë. Në vendin e zgjedhur me kujdes, banorët e vendbanimit të ardhshëm, ndërtonin muret mbrojtëse me gurë, veçanërisht në ato pjesë që ishin më të përshtatshme për shkak të konfiguracionit të terrenit. Rëndom kalatë kishin vetëm një mur mbrojtës, me të cilin rrethohej tërë vendbanimi, mirëpo nëse banorët e atij vendbanimi mendonin se një mur i tillë nuk i mbronte sa duhej, ndërtonin edhe nga dy a tre mure, të cilët nuk bëheshin gjithnjë në mënyrë koncentrike në krahasim me bedenin e parë, por nganjëherë ngriteshin vetem në atë pjesë të bregores e cila nga jashtë ishte më e përshtatshme për t' iu afruar. Muret ndërtoheshin me blloqe të mëdhenj gurësh të parregullt, shpeshherë me dimensione të mëdha por shpeshherë edhe mjaft të vegjël, kështu që aftësia mbrojtëse e mureve nuk mund të ishte aq e madhe. Ilirët që erdhën në kontakt me grekët, qoftë si tregtarë ose si punëtorë të huazuar, e ndoshta edhe si robër, mësuan të ndërtonin mure me blloqe të gdhendur në mënyrë të rregullt, shpeshherë me dimensione të mëdha, kështu që me të drejtë i quajmë megalite.
Forma e kalave varej gjithnjë nga konfiguracioni i terrenit. Aty ku lejonin kushtet e terrenit, kalatë kishin pak a shumë formë të rregullt rrumbullake, mirëpo aty ku nuk ishte e mundur të ndërtoheshin kala të atilla, forma e tyre ndërronte dhe i përshtatej formës së shkrepave ose të bregores. Në kala hynin nëpër një ose më shumë porta, të cilat ruheshin mirë. Shpesh pranë portave ngriheshin edhe kulla në mënyrë që armiqve t'u bëhej e pamundur të hynin në kala.
Deri në epokën romake, e diku edhe më vonë, ilirët fortifikatat e tyre i ndërtonin me teknikën e mureve të thata, e vetëm mbas ardhjes së romakëve nisën të përdorin edhe suvanë. Lartësia e mureve të tilla ishte e ndryshme, dhe varej nga nevojat dhe mundësitë, kështu që disa nuk ishin më të larta se 2 ose 3 metra, ndërsa disa prej tyre edhe tani janë të larta 8 metra.
Shumë kala kanë qenë të banuara. Këtë e dimë nga burimet historike, e këtë e vërtetojnë" edhe gërmimet arkeologjike. Mirëpo, kjo vlen vetëm për kalatë me dimensione të mëdha, ndërsa për kalatë e vogla mund të themi me siguri se shërbenin vetëm si strehimore, ku në raste rreziku strehoheshin banorët e vendbanimeve të afërrne, të pafortifikuara. Besohet se disa nga kalatë me dimensione të vogla që gjenden në afërsi të ndonjë vendbanimi më të madh të fortifikuar, shërbenin si strehimore për tufa kafshësh në raste rreziku nga armiku, ndërsa disa edhe si vende kuiti.
Radhitja e shtëpive në kalatë e banuara kryesisht është bërë simbas konfiguracionit tokësor, kështu që shtëpitë në kalatë rrethore ose ovale ishin të vendosura mbështetur për bedena, e mandej në vargje koncentrike ngushtoheshin kah qendra e vendbanimit. Shembuj shumë të mirë të një organizimi urbanistik që janë ruajtur deri sot, kemi në Istri, si për shembull në Pulë dhe në disa vende të tjera (Bale etj.), ku deri sot është ruajtur struktura urbane e kastelereve të Istrisë (radhitja koncentrike e rrugëve të qytetit), duke u rezistuar bile edhe ligjeve urbanistike aq të rrepta siç ishin ato romake. Zgjidhje të ngjashme mund të gjejmë edhe në vendbanime të tjera në epokën e vonë romake.
Disa kala ilire marrin me kohë karakterin e qyteteve të urbanizuara. Të rrethuara me muret dhe kulla të forta mbrojtëse, në to zhvillohej jeta që ishin shumë afër formave që hasim nëpër kolonitë greke në bregdetin ilir.
Procesi i urbanizimit, për të cilin deri vonë është ditur fare pak, u bë shumë më i qartë qyshse në Shqipëri u hulumtuan shumë qytete nga gjysma e dytë e mijëvjeçarit të parë para e.re. dhe qysh se më 1963 filloi hulumtimi i vendbanimit të madh në Oshaniq te Stollci. Janë të rëndësishme sidomos rezultatet e hulumtimeve të arkeologëve shqiptarë të cilët kohëve të fundit hulumtuan pjesërisht vendbanime të mëdha ilire në Zgërdhesh (Albanopolis?), afër Krujës, në Selcë afër Pogradecit (Pelion?), mandej në Klos të Fierit (Byllis?), Krotinë te Berati (Dimallum), Gajtan të Shkodrës etj. Këto hulumtime zbuluan se në Ilirinë e jugut, në rajonin ku shtrihej shteti ilir, ishte zhvilluar qysh nga fundi i shekullit V para e.re. një jetë mjaft e përparuar urbane. Në fazën e parë të këtij zhvillimi, e cila zgjat deri në gjysmën e shekullit V para e.re. këto vendbanime i rrethojnë muret e forta prej blloqesh të mëdhenj guri, sigurisht nën ndikimin e arkitekturës greke, e ndoshta bile edhe nën angazhimin direkt të mjeshtërve grekë.59 Më vonë prej mesittë shekullit IV para e.re. derisa humbën pavarësinë kombëtare dhe ranë nën pushtetin romak (shek. II para e.re.) këto qytete përjetojnë një lulëzim të madh dhe pamja e tyre urbane merr karakteristika gjithnjë e më tepër të qyteteve helene. Organizimi i drejtë i rrugëve, me shtëpit e rreshtuara, kanalizimi, punëtoritë zejtare e të tjera i japin pamjen e jetës së organizuar dhe të përparuar qytetare. Megjithatë, ekzemplarët e shumtë të mallrave të importuara greke, prodhimi i gjerave të tyre simbas mostrës së atyre të importuara, prerja e monedhave simbas shembullit të grekëve - të gjitha këto tregojnë për një shoqëri, e cila duhej të bënte vetëm edhe një hap dhe të merrte karakterin e bashkësisë së qytetërimit të vërtetë. Këtë hap, zhvillimin e shkrimit të vet dhe të shkruarit në gjuhën e vet amtare, ilirët, fatkeqësisht nuk e bënë kurrë.
Ardhja e romakëve shkaktoi shumë pasoja në zhvillimin e vendbanimeve kala. Gjatë luftërave të gjata kundër ilirëve romakët shkatërruan shumë vendbanime ilire dhe mbasi i pushtuan definitivisht ato, i detyruan ilirët që disa prej vendbanimeve t'i braktisin përgjithmonë. Në pajtim me politikën romake në viset e okupuara, ilirët detyroheshin t'i braktisin vendbanimet e tyre të vjetra dhe të shpërnguleshin nëpër lugina. Braktisja e vendbanimeve të vjetra nëpër kodrinat e paplleshme dhe popullimi i luginave të plleshme nuk ishte vetëm pasojë e politikës shtetërore romake, e cila nuk mund të toleronte një numër kaq të madh fortifikatash në duart e vendasve, të cilët ishin të gatshëm gjithnjë për kryengritje. Në të vërtetë, në kohën e paqes së gjatë dhe të prosperitetit në pikëpamje të pasurimit, që pasoi mbas pacifikimit, ky u bë proces i natyrshëm i diktuar nga kushtet e përgjithshme në Perandorinë Romake, që do të ndërpritet vetëm, në kohët e pasigurta të Perandorisë së vonshme dhe me depërtimin e popujve barbarë, kur popullsia në ato vise kthehet përsëri në kodrat e papërshtatshme. Paqja që mbizotëroi në epokën romake i bëri të tepërta kalatë ilire, kështu që popullsia në një numër mjaft të madh i braktisi; vetëm ato që gjendeshin në vende shumë të përshtatshme strategjike, pranë rrugëve të rëndësishme strategjike etj., jetuan edhe më tutje si qytete romake. Atëherë rreth atyre kalave ndërtohen mure edhe më të forta ndërsa mbrenda tyre në vend të shtëpive të varfëra ilire, ndërtohen shtëpi publike monumentale. Një zhvillim të tillë e përjetuan qytetet ilire Nesactium në Istri, i cili vazhdon jetën si municipium romak, Pula, Asseria (Podgragja e sotme te Benkovci) e shumë të tjerë.
Në kohën parahistorike vendbanimet kala bëhen qendra të jetës mjaft aktive. Jo vetëm në ato ku do të paraqiten elementet e jetës së urbanizuar, por edhe në të tjerat, do të zhvillohet heret prodhimi dhe përpunimi i metaleve, prodhimtaria e qeramikës, zejet dhe aktivitetet e tjera. Këtë na e dëshmojnë kallëpet e shumta për derdhjen e objekteve të ndryshme të metalta, sasitë e mëdha të zgjyrave, mbeturinat e furrave për pjekjen e prodhimeve të qeramikës, veglat e ndryshme etj. Në to tregtarët e ndienin veten të sigurt me prodhimet e tyre, mjeshtrit shetitës, të cilët për nevojat e banorëve prodhonin objekte të ndryshme nga metali, qelqi etj. Aty, kishin selitë kryetarët e fiseve, magjistarët, artistët dhe në përgjithësi të gjithë pjesëtarët e asaj shtrese shoqërore, të cilat nuk ishin të detyruara që të siguronin bukën e tyre me punë fizike.
Pjesa më e madhe e kalave nuk është hulumtuar intensivisht, kështu që shumë hollësi për pamjen e tyre mbrenda mureve dihet ende fare pak. E dimë megjithatë, me siguri se ekzistonin dallime përsa i përket formës së kalave midis disa rajoneve dhe se ato dallime kushtëzoheshin me kufijt e fiseve. Mund të supozojmë se ato dallime nuk kufizoheshin vetëm në format e bedenave, por ekzistonin dallime edhe në arkitekturën dhe në ndërtimin e banesave, në urbanistik etj.
Shumë më tepër për arkitekturën dhe urbanizimin e vendbanimeve dimë kur flasim për një tip tjetër të vendbanimeve ilire, për ato që qenë ndërtuar nëpër lakustra buzë lumenjve. Vendbanime të këtillatë ilirët kishte fare pak. Deri tani janë zbuluar gjithsej disa vendbanime të tilla, mirëpo dy prej tyre, ai te Donja Dolina dhe në Ripaç, janë studiuar shumë mirë. Nga pikëpamja shkencore me rëndësi të posaçme ishte gërmimi i vendbanimit të madh në lakustrën te Donja Dolina, prandaj edhe do të ndalemi për t'i përshkruar këto vendbanime.
Objektet e para të këtij lokaliteti arritën në Muzeumin e Sarajevës më 1896, ndërsa gërmimet e mëdha dhe sistematike i ndërmori më 1899 Ciro Truhelka. Gërmimet zgjatën disa vjet (1899 - 1904), dhe vazhduan disa herë deri në vitin 1963. Deri tani, megjithatë, është gërmuar vetëm një e dhjeta e këtij vendbanimi.
Vendbanimi ishte ndërtuar në një bregore të vogël në bregun e djathtë të Savës, nja 13 kilometra në anën e poshtme të Bosanska Gradishkës. Qëndronte në shtylla të degëzuara bungu, (hunj), të ngulura vertikalisht dhe të radhitura në mënyrë të parregulltë, në të cilat ishte vënë baza prej trungjeve të bungut. Në të ishin ngritur ndërtesat për banim, hambaret dhe godinat e tjera. Vendbanimi nuk është ndërtuar në bazë të rrafshtë, por shtëpitë, për shkak të pjerrtësisë së vogël të terrenit kah lumi ishin të radhitura në tarraca krahas me rrjedhën e lumit, ndërsa tarracat në mënyrë të shkallëzuar lëshoheshin në drejtim të bregut. Tarraca e fundit, më e ulta, ishte pranë nivelit të ujit. Hapësira nën tarracat e sipërme ishte gati gjithnjë e terur, përveç në rastet kur ngritej shumë niveli i ujit. Nga një tarracë në tjetrën kalohej përmbi lëndët e radhitura shpesh dhe pjerrtas. Para rendit të fundit të shtëpive zgjerohej tarraca e fundit në një portik të gjerë që nga lumi ishte i rrethuar me një trinë, me siguri që të pengonte mbeturinat që i sillte lumi gjatë vërshimeve. Nën atë portik, gjatë gërmimeve, u gjetën sasi të mëdha plehu kafshësh, në bazë të të cilit përfundojmë se në atë vend, kur nuk kishte ujë, pushonin kafshët shtëpiake. Në anën e sipërme të vendbanimit terreni ishte i rrëpinjtë nga shtrati i lumit dhe ishte ngritur palisada prej dy radhë shtyllash, në mesin ishte mbushur me dhe. Kjo palisadë e mbronte tërë vendbanimin nga vërshimet e mundshme të lumit. Midis radhëve të shtëpive lëshoheshin pjerrtas në drejtim të lumit rrugët, ndërsa në mesin e disa shtëpive gjendeshin hapësira të vogla ose më të mëdha ("sheshet"). Gjatë gërmimeve që bëri Ciro Truhelka zbuloi gjithsejt 17 shtëpi, të cilat do t'i përshkruajmë pak më hollësisht, sepse ato janë banesat e ruajtura më së miri, të njohura në truallin ilir.
Shtëpitë janë të radhitura në tarraca, në distanca të rregullta, paralel me shtratin e lumit. Të gjitha ishin katërore, skeletin e kishin nga lëndët e trasha, ndërsa muret prej një varg trungjesh horizontale, të" cilët në fund ishin të prerë që në këndet e shtëpive të mund të bashkoheshin njëra me tjetrën. Dyshemeja dhe muret ishin të lyera me argjilë. Pullazi ishte me dy anë dhe mbulohej me kashtë ose me dërrasa.
Ndërtesat zinin një sipërfaqe rreth 25 m2 dhe rëndom kishin tri lokale: një përpara, më të madh, në të cilën gjendej vatra dhe ku mblidheshin njerëzit e shtëpisë që kalonin kohën gjatë ditës. Prej kësaj dhome kalohej në dy të tjerat mbrapa, dhoma më të vogëla, të cilat shërbenin për fjetje dhe çerraniku. Dhoma e parë nuk kishte tavan, me siguri për shkak se në të ndizej zjarri, kështu që tymi dilte më lehtë. Dhomat e tjera kishin edhe tavan, i cili banorëve të lakustrave u shërbente si depo. Kjo u vërtetua me rastin e gërmimeve, sepse në ato tavane u gjetën sasi të mëdhatë drithit të karbonizuar, të cilët ata i ruanin në enë të mëdha prej argjili të pjekur.
Vatra në dhomën e përparshme ishte prej argjilit të shkelur, mirëpo janë gjetur edhe vatra të ndërtuara posaçërisht nga argjili i pjekur në fonnë kazani që në anën e përparme dhe në anën e mbrapme ishin stolisur me simbolin e diellit (svastika). Me të drejtë Truhelka përfundon se "kjo vatër e vendasve kishte një domethënie."
Për një vendbanim tjetër lakustral në Bosnje, është jo larg Ripaçit pranë Bihaqit, por për të dimë shumë më pak. Edhe ky vendbanim është i ndërtuar në hunj, në dallim nga ai në Donja Dolinë, vendbanimi në Ripaç është ndërtuar mbi lumë. Mënyra e ndërtimit të bazës dhe të shtëpive është e ngjashme si edhe në Donja Dolina. Fatkeqësisht pozita e banesave mbrenda vendbanimit dhe në përgjithësi organizimi urban në vendbanim nuk ishte e mundshme të vërtetohet.
Edhe një vendbanim lakustral qe hulumtuar pjesërisht në Otok afër Sinjit, që shtrihej në lumin Cetina. U zbulua më 1956, mirëpo gërmimet e këtij vendbanimi nuk u vazhduan dhe nuk u zbulua pamja e këtij vendbanimi. Megjithatë, ato pak gjëra që dihen tregojnë se mënyra e ndërtimit dhe forma e shtëpive ishte e njëjtë si edhe në vendet e zbuluara të Bosnjes.
Në viset bregdetare, ku nuk ishte gjithnjë e mundur të gjendeshin bregore të volitshme natyrore për ndërtimin e vendbanimeve të fortifikuara, ilirët shfrytëzonin gjërat e tjera të përshtatshme që ua siguronte terreni për mbrojtje më të lehtë. Kështu liburnët, aty ku ishte e mundur, i ndërtonin vendbanimet në ishujt pranë bregdetit (për shembull në Nin), ose në gadishujt që mund të mbroheshin lehtë (për shembull në Zarë).
Arkitektura e banesave të ilirëve ndryshonte prej vendit në vend, duke iu përshtatur, në radhë të parë klimës, e mandej edhe lëndës së ndërtimit, të cilën ndërtuesit e gjenin më lehtë. Në viset e krasit, ku kishte gurë me shumicë, guri ishte materiali kryesor ndërtimor, ndërsa në viset ku nuk kishte gurë, shtëpitë ndërtoheshin prej druri.
Në Istri, në Dalmaci dhe deri te Epiri në jug, shtëpitë ndërtoheshin prej gurësh. Mbeturinat e shtëpive të këtilla u zbuluan në shumë lokalitete, për shembull në kalanë Monkas te Rovinji, ku Rqffaello Battaglia, zbuloi mbeturinat e një shtëpie katërkëndshe me madhësi 4x6 m. Shtëpi të ngjashme guri zbuloi Andre Mohorovicic në ujdhesat Cres, Loshinj dhe Suskak. Këto shtëpi ishin ndërtuar me mure pa suva, me plan katërkëndshi dhe kishin vetëm një dalje - derë. Muret, zakonisht, ishin mjaft të gjera - dy deri tri metra, të ngritur në dy radhë nga gurët e gdhendur vrazhdësisht, në mesin e të cilëve hidhnin gurë të vegjël. Nga pullazi nuk është gjetur as gjurma më e vogël, por supozohet se do të ketë qenë nga kashta. Zakonisht, këto shtëpi kishin vetëm një dhomë, në të cilën ishte vatra (zakonisht në pjesën e prapme të dhomës). Nganjëherë ishin ndërtuar shumë shtëpi të tilla njëra pranë tjetrës, kështu që kishin edhe mure të përbashkta.
Gjatë" gërmimeve sistematike në vendbanimet e liburnëve në Radovinë afër Zarës (në lokalitetin Kala e Beretinit) Sime Batovic zbuloi një varg mbeturinash të ruajtura relativisht mirë të shtëpive ilire të atij tipi. Me një analizë të kujdesshme të mbeturinave u zbulua se i njëjti tip shtëpish u ndërtua në atë vendbanim edhe në epokën romake dhe krahasimi i këtyre shtëpive me ato që ndërtohen edhe sot e kësaj dite në viset krasike na shtynë të përfundojmë se plani i tyre dhe mënyra e ndërtimit nuk ka ndryshuar deri sot. Disa prej këtyre shtëpive pullazin e kishin prej pllakave të holla gëlqerore, siç e kanë edhe sot herë-herë në ato vise.
Në disa vise të brezit të karsit, sidomos në Istri, në Dalmacinë e mesme dhe të veriut, në epokën parahistorike janë ndërtuar shtëpi guri të rrumbullakta, të cilat do të dukeshin si kasollat e sotme të gurit. Këto godina ndërtoheshin me mure pa suva, në radhët e pllakave të gurit që në mënyrë unazore ngushtoheshin kah maja e tyre, e cila mbyllej me një pllakë më të madhe guri. Në bazë kjo ndërtimtari i përgjigjet tholosit kreto-myken si dhe tipit shumë të përhapur të arkitekturës megalite të kohës së bronzit dhe të hekurit rreth Mesdheut dhe në Evropën Perëndimore. Këto shtëpiza të sotme shërbejnë si stane barinjsh, ndërsa në periudhën parahistorike u kanë shërbyer njerëzve si banesa.
Në vise të tjera ilirët ndërtojnë tipe të tjerë shtëpish. Kështu arkeologët në një varg lokalitetesh në Slloveni zbuluan gjurmë të shtëpive katërkëndshe që ngriheshin mbi themele gurë të thyer, të vendosura drejtpërdrejt mbi tokë. Muret janë të ndërtuar me thupra të vendosur horizontalisht, të cilët ishin kapur njëri me tjetrin me argjilë. Shembuj shumë të mirë të shtëpive të këtilla zbuloi W. Schmidnë Poshtel të Pohorjes te Maribori. Sipas këtij autori shtëpitë e vjetra në këtë vendbanim kishin më së shpeshti vetëm një dhomë, e më vonë iu shtohej ndonjë portik i hapur në anën e përparme, kështu që plani i këtyre shtëpive i përgjigjej megaronit. Shtëpi të tipit megaron u zbuluan gjithashtu edhe në një lokalitet tjetër në Pohorje, në Turishka Vasa. Të gjitha këto shtëpi kishin pullazin me dy anë prej kashte (kallami), ndërsa në një kënd (më rrallë në mes) ishte vendosur vatra.
Shtëpitë në lokalitetet e tjera të Sllovenisë, disa prej të cilëve janë hulumtuar shumë mirë (për shembull, Ptuj, Vaçe, etj.), nuk dallohen prej atyre në Poshtel. Të ngjashme me to ishin edhe shtëpitë në vise të tjera ilire.
Megjithatë, në mbrendësinë e Ballkanit, ku ishte klimë e ftohtë kontinentale, ndërtoheshin shtëpi edhe të futura pjesërisht në dhë - kasolle nën dhë. Për këtë Iloj banesash te dardanët kemi edhe dëshmi të shkruara, ndërsa gërmimet arkeologjike vërtetuan se tipi i tillë i shtëpive, ishte i zakonshëm në periudhat e vjetra të parahistorisë, ishte ruajtur në ato vise deri sa erdhën romakët. | |
|