|
| Leka i Madh në kujtesën historike të shqiptarëve | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Tomor ADMIN
Numri i postimeve : 1203 Join date : 17/03/2013
| Titulli: Leka i Madh në kujtesën historike të shqiptarëve Mon 18 Aug 2014, 18:39 | |
| Shqiptarët, bashkë me gjuhën dhe kulturën e lashtë kanë ruajtur traditën historike dhe kujtimin për figurat madhore të së kaluarës. Nga lashtësia kanë mbetur të pashlyera në kujtesën historike të shqiptarëve dy personalitetet më madhore të asaj periudhe, Aleksandri i Madh dhe Pirroja i Epirit.
Emri i Pirros (319-272 para erës sonë) është përjetësuar në toponiminë dhe antroponiminë mesjetare e të mëvonshme, si edhe në kujtesën historike të shqiptarëve. Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është krenuar për veprimet ushtarake të Pirros në Itali dhe ka përdorur në simbolet e veta shtetërore elemente nga simbolet e Pirros. Pirroja është përkujtuar gjerësisht edhe në veprat e humanistëve e të autorëve të vjetër shqiptarë, si Mari n Barleci, Frang Bardhi etj. F. Bardhi ka dhënë një gojëdhënë, sipas së cilës qyteti i Sapës në Tejdrin është rrënuar prej romakëve, kur luftonin kundër Pirros së Epirit. Hartografi i shquar italian Xhakomo Kanteli, siç e ka pasqyruar në hartën që ai ka botuar në vitin 1689, gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në fund të viteve 80 të shek.XVII, ka dëgjuar në Elba san një gojëdhënë, sipas së cilës në atë qytet kishte lindur Pirroja. Ali Pasha e ka quajtur veten pasardhës të Pirros dhe është mbiquajtur Pirroja modern. Kështu ka shkruar konsulli francez i vendosur pranë tij në Janinë, Pukëvili . Te banorët e Shqipërisë së Poshtme kujtesa historike për Pirron është shumë e madhe. Shtjefën Gjeçovi ka thënë se shqiptarët e këtyre trevave e lidhnin emrin e të drejtës dokesore me emrin e Pirros: “Krahi që i afrohen Gjinokastrës thonë: “Me ba kuvend mbas kanunit të Pirrit”. Shumë toponime kanë emrin e tij, madje Pirroja përmendet edhe në këngët popullore.
Edhe më i fuqishëm te shqiptarët është ruajtur gjatë shekujve kujtesa e thellë historike për Aleksandrin e Madh. Edhe pse jetoi pak, 33 vjet (356-323 para erës sonë) dhe mbretëroi vetëm 13 vjet (336-323), Aleksandri i Madh është personaliteti shtetëror dhe ushtarak më i madh që kanë nxjerrë trevat e Ballkanit dhe një nga figurat më të shkëlqyeshme të historisë evropiane dhe botërore. Prandaj njohja më e thellë dhe studimi i jetës së Aleksandrit të Madh vijon të jetë shumë e madhe kudo nëpër vendet e ndryshme të botës. Vetëm fondi i librave kushtuar personaliteti të shquar të historisë botërore është mbi 20 000 tituj.
Ushtritë iliro-trake, të komanduara prej Aleksandrit të Madh, për herë të parë në historinë evropiane, ndalën vërshimin e hordhive aziatike në drejtim të Evropës, i mposhtën ato dhe arritën deri në zemër të Azisë, në Indi. Ai bashkoi në një perandori shumë të madhe pjesë të Evropës, Azisë e të Afrikës. Kjo perandori shtrihej nga Afrika Verilindore (Egjipti), në perëndim dhe arrinte në lindje, deri në Indi. Në perandorinë e Aleksandrit të Madh u përhapën gjerësisht arritjet më të përparuara të kulturës evropiane të kohës, sidomos në fushën e ndërtimit të qyteteve, të artit etj. Që nga Afrika Veriore e deri në Indi, një varg qytetesh të ngritura në kohën e Aleksandrit të Madh ende dhe sot kanë emrin e tij, duke ruajtur kështu në mijëvjeçarë kujtimin dhe lavdinë për veprën e pavdekshme të tij. Në Kafaristan (midis Afganistanit dhe Pakistanit) ka ende edhe sot ngulime me pasardhës të ushtrive iliro-trake të vendosura që në kohën e Aleksandrit të Madh. Aleksandri i Madh përmendet edhe në librin e shenjtë të Kuranit. _________________ Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
Edituar për herë të fundit nga Tomor në Mon 18 Aug 2014, 19:04, edituar 1 herë gjithsej | |
| | | Tomor ADMIN
Numri i postimeve : 1203 Join date : 17/03/2013
| Titulli: Re: Leka i Madh në kujtesën historike të shqiptarëve Mon 18 Aug 2014, 18:52 | |
| Figura e Aleksandrit të Madh është e pashlyeshme në kujtesën historike të popujve autoktonë të Ballkanit, të cilët gjithnjë e përkujtojnë atë me adhurim. Sipas autorëve të vjetër (Tit Livit, Plutarkut, Lucianit, Pausanias, Apianit etj.), Pirroja i Epirit e quante veten pasardhës të Aleksandrit të Madh të cilin e adhuronte shumë, madje sulmoi dhe e pushtoi qytetin e Verias në Maqedoni, sepse Aleksandri i Madh iu shfaq në ëndërr Pirros, të cilin e këshilloi për një veprim të tillë.
Krahas gojëdhënave të shumta, për jetën dhe veprën e pavdekshme të Aleksandrit të Madh, pa s autorëve të vjetër grekë, u shkruan libra edhe nga autorët romakë e bizantinë, e më pas nga vetë ballkanasit, si për shembull në Rumani, që në shek.XVII. Perandorë bizantinë dhe shumë sundimtarë e mbretër ballkanas e kanë adhuruar Aleksandrin e Madh dhe si sundimtarë janë ripagëzuar me emrin e tij.
Aleksandri i Madh është përkujtuar gjithnjë me adhurim të veçantë prej shqiptarëve, që janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të banorëve autoktonë jogrekë të pjesës së Gadishullit Ilirik që shtrihet në jug të lumit Danub (të cilësuar si “barbarë” prej autorëve të vjetër grekë), të cilëve u përkisnin edhe banorët e Maqedonisë së lashtë dhe historia e saj. Në traditën popullore shqiptare dhe në trashëgiminë historike ai jepet kryesisht si mbreti Leka i Madh. Këtë shndërrim të emrit në gjuhën shqipe nga Aleksandri i Madh në Leka i Madh e ka shprehur mjaft qartë Pjetër Bogdani në veprën e tij “Çeta e Profetëve”, duke e shkruar italisht “Alessandro Magno” dhe shqip “Leka i Madh”. Në burimet historike, që njihen deri tani, del se emri Lekë është përdorur nga shqiptarët që në shek.XI. Krahas emrit Lekë, që është përkujtim i Aleksandrit të Madh, është përhapur gjatë shekujve të mesjetës edhe emri Llesh që ka lidhje me shenjtorin Aleksandër (Shën Lleshi).
Lekë, si variant i shkurtuar i emrit Aleksandër, është emër i fondit të antroponimisë kombëtare të përdorur gjerësisht prej shqiptarëve gjatë shekujve të mesjetës, kudo që ata kanë banuar, si në trojet e tyre amtare ashtu edhe në diasporë. Lekë është ruajtur si emërtim i banorëve (lekët) të krahinës së Mbishkodrës dhe Leknia si emër i krahinës që shtrihet si një brez i gjerë gjatë bregut jugor të lumit Drin. Toponime me emrin Lekë gjenden kudo në trojet shqiptare, si për shembull fshatrat Lekaj në Kavajë, Lekasi në Opar të Korçës, Lekli në Tepelenë etj. Që emrat e njerëzve kanë kaluar në emra vendesh, kjo dëshmohet edhe në “Regjistrin kadastral osman të Sanxhakut të Ohrit të vitit 1583”. Banorët e krahinat shqiptare që njihen me emërtimin “Nëntë malet e Gegëve”, sipas regjistrit të mësipërm, fjalën gegë e kanë pasur si emërtim mbizotërues, nga e cila ka lindur makrotoponimia Gegni. Fjala gegë është përdorur edhe në Shqipërinë e Poshtme si emër njerëzish dhe si emër vendi, si p.sh. fshati Gegë në veri të Beratit.
Dëshmia më e hershme e shkruar për përkujtimin e Aleksandrit të Madh prej shqiptarëve i përket gjysmës së parë të shek.XIV. Ajo gjendet në vëllimin monumental “Statutet e Shkodrës të gjysmës së parë të shek.XIV”. Statutin e tyre mesjetar, që në kohën osmane u quajtën kanune, shkodranët e kanë lidhur me emrin e Aleksandrit të Madh.
_________________ Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
| |
| | | Tomor ADMIN
Numri i postimeve : 1203 Join date : 17/03/2013
| Titulli: Re: Leka i Madh në kujtesën historike të shqiptarëve Sun 24 Aug 2014, 14:16 | |
| “Privilegji i Aleksandrit të Madh”, edhe pse nuk ka bazë historike, është dokument i dorës së parë që është shkruar gjatë shekujve të mesjetës. Ky ‘privilegj” dëshmon se te banorët e Shkodrës në shek.XIV-XV është ruajtur në kujtesën e tyre historike se para 18 shekujsh Leka i Madh ishte sundimtar shumë i fuqishëm (rrjedhimisht edhe legjislator i madh), i cili, sipas dëshirave të krijuesve të këtij “privilegjit”, u kishte dhënë shkodranëve lehtësi për të qenë zotëruesit e viseve bregdetare të Adriatikut.
Këtë “privilegj” shkodranët e kanë shfrytëzuar gjatë shekujve të mesjetës për të ruajtur të drejtat e vetëqeverisjes kur pushteti venedikas u shtri në qytetin e tyre, gjithashtu edhe ndaj pushtetit të Balshajve dhe të sundimtarëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Në rrethanat e një jete politike të trazuar banorët e qytetit të Shkodrës e përhapën dhe e propaganduan mjaft emrin e Aleksandrit të Madh në marrëdhëniet me vendet e tjera. Atëherë Shkodra ka qenë qytet mesjetar shumë i rëndësishëm, sepse në të kryqëzoheshin rrugë të shumta tregtare që vinin prej të gjitha viseve të Shqipërisë së Epërme dhe të Mesme. Prandaj edhe përkujtimi për Lekën e Madh nuk u shua në trojet e Shqipërisë së Epërme. Nga shkodranët ai u ringjall më tej. Sipas një gojëdhëne ata Aleksandrin e Madh e quajnë themeluesin e qytetit të tyre.
“Privilegji i Aleksandrit të Madh” i shek.XIV nuk është dëshmi rastësore e përkujtimit të figurës së tij prej shqiptarëve. Burimet historike të shek.XV dhe burimet e mëvonshme japin të dhëna të shumta që dëshmojnë se Aleksandri i Madh është rrënjosur thellë në kujtesën historike të shqiptarëve.
Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e ka adhuruar Aleksandrin e Madh. I pajisur me kulturën humaniste të kohës, Skënderbeu, që i përkiste një familjeje fisnike të kulturuar shqiptare dhe me tradita drejtuese në trojet kombëtare, është krenuar me historinë e lashtë e të lavdishme të kombit shqiptar. Heroi ynë Kombëtar ka mbajtur si emër të dytë vetjak emrin e Aleksandrit të Madh, që tek osmanët ka pasur përgjegjësen Iskander (Skënder në gjuhën shqipe). Në një letër të shkruar prej Skënderbeut në shtator të vitit l46l, krahas rikujtimit të fitoreve të Pirros së Epirit kundër romakëve, ai me krenari ka shkruar edhe për Aleksandrin e Madh, se “të parët tanë...me Aleksandrin shkuan deri në Indi”. _________________ Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
| |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Leka i Madh në kujtesën historike të shqiptarëve | |
| |
| | | | Leka i Madh në kujtesën historike të shqiptarëve | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |