Zhvillimi i autonomisë së Egjiptit 1849-1879 dhe roli i dinastisë shqiptare të Mehmed Aliut
Periudha 1849-1879 për historinë e Egjiptit është një periudhë e veçantë e njohur si e tillë nga shumica e studiuesëve.
Egjipti u pushtua nga osmanët në vitin 1517, kur u krijua ejaleti i Egjiptit, ndërsa ekspedita e Napoleonit në vitet 1798-1801, e bëri të mundshme që më par në fron të vijë Mehmed Ali Pasha. Ky ishte një shqiptar nga qyteti i Kavallës, në Greqinë e sotme verilindore. Ky ishte një njeri ambicioz, sundues i aftë, dhe properëndimor, me synime të qarta për të zhvilluar Egjiptin, dhe për ta çuar atë në rrugën e përparimit të shteteve të zhvilluara perëndimore. Ai ringjalli vendin, zhvilloi ekonominë, ushtrinë, dhe kulturën, dhe bëri hapat e parë për fitimin e autonomisë së Egjiptit.
Që nga periudha e Mehmed Ali Pashës, e më pas, sunduesit e Egjiptit u quajtën “kedivë”, një term persian, ndërsa në anglisht si “viceroy”, ky titull nënkuptonte diçka më të lartë se valiu, por gjithsesi ishte një titull më i ultë se ai i mbretit ose sulltanit.
Periudha tridhjetëvjeçare për të cilën flasim në këtë punim është e veçantë se nga një anë nën drejtimin e pasardhësve të Mehmed Aliut u arrit kulminacioni i zhvillimit ekonomik e politik, dhe i autonomisë së Egjiptit, por nga ana tjetër me përfundimin e kësaj periudhe përfundoi edhe regjimi i fuqishëm absolutist i dinastisë shqiptare, dhe periudha që vjen pas kësaj ishte humbje graduale e fuqisë që përfundon me pushtimin e Egjiptit nga Britania.
Këtë periudhë do ta ndajmë sipas tre sundimtarëve të Egjiptit, njëherësh dhe pasardhës të Mehmed Ali Pashës:
- Abazi I, 1849-1854
- Saiti, 1854-1863
- Ismajli, 1863-1879
Periudha e sundimit të Abazit INdonëse që nga sundimi i Mehmed Ali Pashës, pretendimi për t’u ndarë nga Perandoria Osmane ose për t’a pushtuar tërësisht atë, kishte qenë aspiratë e kësaj familjeje, Abazi u detyrua të heqë dorë nga këto pretendime sepse e kuptoi që Fuqitë e Mëdha nuk do të lejonin as ndarjen e Perandorisë, as pushtimin e saj. Ky qëndrim kryesisht i Anglisë dhe Francës, mbahej për shkak se këto shtete përmes kapitulacioneve kishin depërtuar në tregun e dobët osman, dhe kësisoj Franca kishte në kuadrin e Perandorisë Osmane 40% të obligacioneve, ndërsa 30% tjera i kishte Anglia, ashtuqë nuk donin që të shkatërrohej shteti ku ata kishin kapitalet e veta dhe ku mund të vazhdonin të shfrytëzonin këto kapitale. Prandaj Abazi I pranoi statusin e një vasali besnik të Sulltanit dhe filloi të paguajë haraçin e kërkuar nga Porta. Për shkak të kësaj politike forcat egjiptiane që deri atëherë përbëheshin nga trupa të rregullta turke, trupa të parregullta shqiptare dhe nja 14.400 veteranë egjiptianë , tani u ulën në gjithsej vetëm 9.000 trupa. Abazi ndryshonte nga gjyshi i tij, Mehmed Ali Pasha, si përkah karakteri personal ashtu edhe nga politika që ndiqte. Ai nuk i kishte as gjysmën e energjisë, imagjinatës apo aftësive politike të Mehmed Aliut. Ishte thellësisht konzervativ, koprrac dhe i fshehtë. Nga një anë synonte të mbante evropianët dhe kulturën perëndimore jashtë Egjiptit, si dhe të kthejë mbrapsht shumë të arritura të Mehmed Ali Pashës, por nga ana tjetër ai forcoi lidhjet me Britaninë dhe Francën në mënyrë që të sigurojë autonominë kundrejt Perandorisë Osmane. Gjatë kësaj kohe ndryshoi mjaft raporti i Egjiptit me Evropën: në Egjipt filluan të importohen mallra manufakturore nga Evropa, dhe u shtua me shpejtësi ndikimi politik evropian në Egjipt, ashtuqë evropianët që jetonin brenda Egjiptit i nënshtroheshin më tepër konsullatave të vendeve prej nga vinin se sa sundimtarëve egjiptas.
Kedivi shqiptar i Egjiptit – Abazi IGjatë kësaj kohe Egjipti mori pjesë në luftën e Krimesë në anën e Perandorisë Osmane dhe fuqive të mëdha. Me këtë rast Abazi arriti që ushtrinë e vogël prej 9.000 trupash sërish ta rrisë në 15.000 trupa me qëllim që t’a ndihmojë Perandorinë Osmane. Gjatë transportit katër-javor të trupave ushtarake, atyre iu jepej vetëm një sasi e vogël biskota dhe ujë, sa për të mbetur gjallë. Kjo ishte pasojë e koprracisë së Abazit I, i cili shfrytëzoi dispozitën e marrëveshjes që kishte me sulltanin sipas së cilës, Egjipti do t’i furnizojë ushtarët deri sa të arrijnë në Turqi, ndërsa më pas për këtë do të kujdesej Perandoria Osmane. Me arritjen në kamp, në veri të Stambollit, ushtria manifestoi një humbje dinjiteti, duke shfaqur një nxitim të çmendur drejt burimeve më të afërta të ujit. Por koprracia e Abazit nuk ndalej me kaq. Sulltani në trupat egjiptiane nuk pa asnjë djalë të ri, ndërsa kishte një numër të konsiderueshëm ushtarësh të thinjur. Nuk arriti të shihte ushtarët invalidë që u mungonte ndonjë gisht ose gjymtyrë por që kishin qenë prezent në ushtri. Arsyet për këtë ishin se Abazi nuk dëshironte të humbte ushtrinë e rregullt në luftën kundër Rusisë, ndërsa nuk donte të shpenzonte për të stërvitur trupa të reja. Prandaj mori dhunshëm të lidhur në zingjirë, veteranët egjiptianë të cilët kishin përjetuar tmerret më të mëdha në luftërat e Greqisë, Sirisë, Anadollit dhe Sudanit, dhe kishin kryer tanimë çdo obligim ushtarak. Si pasojë e kësaj dezertimi mbetej problem madhor në ushtrinë egjiptiane gjer në fillimin e luftës. Luftime të mëdha u bënë në det mes flotës ruse dhe flotës osmano-egjiptiane, ku kjo e fundit u shkatërrua. Mos-ndërhyrja e flotës frenge dhe britanike, ndonëse të pranishme gjatë betejës, u konsiderua në Londër si një skandal i thellë. Në mars 1854 hynë në luftë edhe Franca e Britania, me ç’rast fitorja filloi të anojë kah osmanët.
Gjithashtu më 1854 Abazi dërgoi edhe 9.000 trupa me kërkesën e sulltanit për të shuar kryengritjen në Thesali dhe Epir. Të lodhur dhe të ftohtë ata pësuan humbje të rënda në një pritë të grekëve.
Në përgjithësi egjiptianët patën humbje të mëdha në Luftën e Krimesë, për shkak të luftës, si dhe për shkak të kushteve të këqija, sëmundjeve etj.
Gjatë sundimit të Abazit I, marrëdhëniet me Francën erdhën duke u ftohur ndërsa Britania e rriste vazhdimisht praninë e saj politike dhe ekonomike në Egjipt, ngjashëm siç vepronte në pjesët tjera të Perandorisë Osmane. Në vitet 1851-1856 u ndërtua hekurudha Aleksandri-Kajro, e cila rrugën e gjatë prej katër ditësh e shkurtoi në katër orë e gjysmë; Abazi këtë projekt ia kishte lënë në koncesion Gjorgj Stefensonit, i biri i pionierit të hekurudhave Robert Stefenson.
Gjatë sundimit të Abazit, një rritje të theksuar në fuqi dhe pasuri shënuan sheikët e fshatrave, të cilët u bënë pronarë të rëndësishëm tokash. Duke shfrytëzuar rolin e tyre si ndërmjetës mes qeverisë dhe fshatarëve, ata u bënë mjaft të pasur. Ata kanë patur një rol të rëndësishëm gjithnjë në shoqërinë egjiptiane, mirëpo tani kur shteti po merrte detyra të reja dhe po ndërmerrte projekte të reja, funksionet e tyre filluan të zgjerohen. Ndërsa në kohën e Mehmed Aliut ishin përgjegjës për taksat, Abazi u shtoi një funksion tjetër që rriti fuqinë e tyre. Ai caktoi për secilin fshat nga një kuotë të fuqisë njerëzore për punë të detyrueshme dhe rekrutim ushtarak, ndërsa sheikët ishin përgjegjës për të plotësuar këto kuota.
Abazi u mbyt më 14 korrik, 1954. E ngulfatën dy skllevër. Arsyet mbesin të paqarta, por mendohet se është shkaktuar nga tirania e Abazit ndaj skllevërve shtëpiakë.
Periudha e sundimit të Saitit, 1854-1863 Ndryshe nga Abazi I, Saiti kishte interes të madh në metodat dhe kulturën evropiane. Ai gjatë gjithë kohës sa sundoi ishte i shoqëruar nga evropianë, shumica prej të cilëve aventurierë që mundoheshin të vilnin sa më shumë para prej tij. Ai u lidh më tepër me francezët. Gjatë asaj kohe, shumica e fabrikave u konstruktuan nga zejtarët egjiptianë, nën drejtimin e teknikëve francezë. Posa mori pushtetin i dha një koncesion një inxhinieri francez, Ferdinand de Lesseps, që të ndërtojë kanalin e Suezit. Punimet filluan më 1859 dhe përfunduan më 1869. Madje Saiti mbahet mend si nga burimet e kohës ashtu edhe nga historiografët e sotëm pikërisht për faktin se lejoi hapjen e këtij kanali, për dallim prej Abazit që e kishte kundërshtuar gjatë gjithë kohës.
Saidi u mundua të dobësojë fuqinë e sheikëve, duke reduktuar rolin e tyre vetëm në shpërndarjen e tokave dhe në mbledhjen e taksave, ndonëse për këtë pati sukses të vogël. Më vonë nxori disa ligje radhazi, përmes të cilave u hoqi sheikëve nga duart rishpërndarjen e tokave, mbledhjen e taksave, ndërsa zgjeroi rekrutimin ushtarak edhe mbi të bijtë e sheikëve. Por krejt këto masa kishin ndikim shumë të vogël në uljen e fuqisë së sheikëve, pasiqë ata sërish mbetën përfaqësuesë dhe agjentë të qeverisë në fshat. Sheiku mbetej një “pasha në miniaturë”.
Saiti mban përgjegjësinë për zhytjen e Egjiptit në borxhe edhe më të mëdha se sa më parë. Që nga viti 1862 ai filloi të marrë kredi të mëdha nga shtetet tjera, të cilat i shërbenin për të zhvilluar shtetin e tij. Por nga ana tjetër këto borxhe të mëdha po e përgatisnin rrënimin e Egjiptit në një të ardhme të afërt, gjë që Saiti nuk mundi t’a kuptojë.
Saidi zhvilloi luftë kundër fenomenit të skllavërisë. Posa hipi në pushtet ndaloi me ligj tregtinë me skllevër. Ai stacioni disa trupa në Sudan, të cilët kontrollonin anijet që lundronin nëpër Nil, mirëpo Saidi nuk mundi t’a ndalojë skllavërinë pasiqë ende mbretëronte anarkia në viset jugore. Nga ana tjetër misionarët austriakë dhe britanikë bënin presion sepse popullësia që skllavërohej ishte e krishterë ose po kristianizohej gradualisht. Për çlirimin e skllevërve në Egjiptin jugor dhe në Sudan ka shkruar më gjerësisht një dëshmitar okular i ngjarjeve Samuel White Baker, që mori pjesë në ekspeditë.
Ndryshime tjera shoqërore-ekonomike gjatë sundimit të Saidit që vlen të përmenden janë edhe: zgjerimi i pronës private në tokë, zhvillimi i ligjeve evropiane, shenjimi i evropianëve si kastë e privilegjuar në Egjipt, organizimi i kreditit dhe bankierisë sipas rregullave evropiane, përzierja e klasës sunduese turko-mameluke me egjiptianët, etj.
Për nder të Saidit i mbeti emri qytetit Port Said.
Periudha e sundimit të Ismajlit, 1863-1879 Me të marrë pushtetin më 1863, Ismajli menjëherë filloi me reforma. Ai donte të reformonte Egjiptin sipas shembullit të shteteve evropiane dhe u përpoq të arrinte në kohën e vet atë që Ataturku do të arrinte më vonë për Turqinë.
Shumë probleme ekonomike dhe financiare që ishin krijuar nga Mehmed Ali Pasha si pasojë e programit zhvillimor në bujqësi dhe shëndetësi, përderisa kaluan të pavërejtura gjatë kohës së Abazit I dhe Saidit, u bënë mjaft problematike gjatë sundimit të Ismajlit. Shërbimet shëndetësore kishin ulur shkallën e vdekshmërisë, duke rritur kështu numrin e popullatës, për të cilët nevojitej çdoherë e më shumë ushqim, ndërsa kultivimi i gjerë i pambukut në dëm të sipërfaqeve me drithëra, shkaktoi mungesë ushqimi në vend. Pavarësisht se Egjipti prosperoi gjatë një periudhe goxha të gjatë, kjo ndikoi negativisht, sepse nga një anë vendi u bë i varur nga importi i drithit nga vendet tjera e nga ana tjetër u bë i varur nga faktorët ekonomikë ndërkombëtarë, e sidomos nga çmimi botëror i pambukut.
Ismajli i ngriti sheikët e fshatrave në maje të fuqisë së tyre. Ata vazhduan të merren me organizimin e punës angari të fshatarëve dhe me klasifikimin e tokave sipas censit. Më pas si rezultat i dobësimit të pushtetit qendror në fund të sundimit të Ismajlit, pushteti i sheikëve u rrit tejmase dhe ata u bënë praktikisht të pakontrolluar. Ata mblodhën shumë pasuri dhe toka, por në shikim të fundit nuk kishin aq pasuri sa elita turko-egjiptiane.
Ismajli veproi me shpejtësi për të modernizuar vendin. Ai nxori ligje të reja, kufizoi kapitulacionet e fuqive të mëdha dhe privilegjet e qytetarëve të tyre që jetonin në Egjipt. Fshatarëve iu dha e drejtë e plotë e pronës mbi tokën. Një trupë gjysmë-parlamentare u themeluar në nëntor 1866. Në këtë lloj parlamenti zgjidheshin me votime jo të drejtpërdrejta krerët e fshatrave (sheikët), dhe kjo trupë i shërbente kedivit për të balancuar deri diku fuqinë e madhe të aristokracisë turko-çerkeze. Me të shpejtë u ngrit një sistem sekular i arsimimit, ndërkaq filloi të zhvillohet shtypi i pavarur që ishte kryesisht në duar të libanezëve, u ftuan tregtarë dhe industrialistë të huaj, gjë që rriti dhe forcoi komunitetin e levantinëve
Në vitin 1875 Ismajli shiti aksionet e Egjiptit në kanalin e Suezit. Këtë e bëri se nga një anë ishte dhënë pas jetës luksoze e shpenzimeve marramendëse, dhe nga ana tjetër Egjipti ishte zhytur në borxhe. Këto aksione ua shiti britanikëve. Kryeministri britanik Dizraeli i bleu me dëshirë për shkak se aksionet në këtë kanal dukeshin profitabile, dhe se kanali shkurtonte rrugën për në Indi përgjysmë. Nuk është befasi pse ai u rrëzua nga froni më 1879. Megjithatë ai u largua nga vendi me jahtin mbretëror, përplot me të holla dhe stoli. Pjesën e mbetur të jetës e kaloi në Napoli, Itali.
Përfundim
Egjipti gjatë periudhës 1849-79 me sa pamë arriti të forcojë autonominë kundrejt perandorisë Osmane, zhvilloi ekonominë, u forcua shteti, dhe u bënë hapa të mëdhenj për përparimin e përgjithshëm të vendit. Por nga ana tjetër, sunduesit e kësaj kohe në Egjipt as që i afroheshin për nga aftësitë Mehmed Ali Pashës, as për kah aftësitë e as për kah karakteri. Problemi tjetër qëndronte në qëndrimet e fuqive të mëdha, që nuk lejonin ndarjen ose rënien e Perandorisë Osmane.
Abazi I, ishte më i matur. Ajo që e quanin koprraci, ishte në të vërtetë prirja e tij për të kursyer, dhe kjo ndikoi pozitivisht në ruajtjen e shtetit nga humbjet më të madhe, apo nga zhytja në borxhe që do ta gjejmë më vonë tek pasardhësit e tij. Konzervatorizmi i tij, ishte gjithashtu me efekt pozitiv, sepse konsistonte në prirjen e tij për të mos lejuar ndikimin e huaj, ndikim ky që më vonë solli pushtimin britanik. Megjithatë në kohën e tij u ndërtua hekurudha Aleksandri-Kajro, gjë që tregon shumë mirë, që në kohën e tij vendi po zhvillohej, dhe se konzervatorizmi i tij nuk u bë pengesë për zhvillim. Një maturi e tillë ndikoi në ruajtjen e fuqisë së shtetit autonom egjiptas.
Në anën tjetër, Saidi nuk i kishte këto cilësi, ai ishte shumë i hapur ndaj të huajve, dhe filloi të hyjë në borxhe të mëdha, të cilat u bënë pikënisja e rrënimit të Egjiptit, dhe e okupimit të huaj më vonë. Mirëpo Saidi kishte dhe merita në zhvillimin e autonomisë së Egjiptit. Në kohën e tij u bënë ndërtime të shumta fabrikash, me asistencën e teknikëve francezë, ndërsa zvogëloi dukshëm pushtetin e sheikëve, që në të vërtetë ishte një dukuri jashtë-kohe, një dukuri feudale në kohën e kapitalizmit. Saidi mban meritën e ndërtimit të kanalit të Suezit, që ishte një vepër me ndikim të madh edhe në Egjipt por edhe në historinë botërore. Saidi gjithashtu luftoi skllavërinë që ishte edhe kjo një dukuri demode. Në kohën e tij u zhvillua edhe legjislacioni, duke iu përshtatur legjislacionit të vendeve perëndimore, evropiane.
Edhe Ismajli nuk ndryshonte aq shumë nga Saidi. Borxhet vazhduan të rriten. Por në kohën e tij, u zhvillua eksporti i pambukut që solli një prosperitet të dukshëm në vend, u kufizuan kapitulacionet e të huajve, gjë që ishte një shprehje e pavarësisë dhe e sovranitetit, u nxorën ligje të reja, u zhvillua arsimimi dhe shtypi i lirë.
Shitja e aksioneve të kanalit të Suezit, Britanisë së Madhe, pati pasoja për vendin, pasi Britanisë iu hap rruga për në Indi, dhe shumë shpejt më 1882 gllabëroi Egjiptin, ku dinastisë shqiptare i la vetëm një rol të qeverisë kukull. Prandaj autonomia e Egjiptit sado që ka rëndësi historike, ajo ishte shumë jetëshkurtër.
Këto probleme bashkë me papjekurinë politike të tyre, u bënë shkaktarët kryesorë që Egjipti të bëhej pre e fuqive të mëdha, përfundimisht e Britanisë. Sundimtarët egjiptas veçmas Saidi dhe Ismajli kujdeseshin shumë për luksin dhe për imazhin e tyre në botën e jashtme duke i lënë anash problemet qenësore të shtetit të tyre, dhe duke mos menduar shumë për të ardhmen e largët. Kjo bëri që autonomia nga Perandoria Osmane ta çonte Egjiptin në kthetrat e Britanisë.
punoi: Genc Kastrati