Rrugët në gadishullin ilirikTë gjitha lidhjet natyrore të gadishullit (lugina, gryka, lumenj etj.) u kanë shërbyer njerëzve që në kohët parahistorike. Nëpër ato rrugë bëheshin dyndjet e popujve e fiseve të ndryshme, dhe po në ato rrugë ilirët tregtonin qelibarin nga Baltiku dhe kolonët grekë zhvillonin tregtinë e tyre. Një rrugë e rëndësishme tregtare ishte ajo që vinte nga Italia veriore përgjatë luginës së Savës, e kjo pastaj lidhej me rrugën tregtare që shkonte përgjatë luginës së Danubit dhe lidhej me Azinë e vogël. Kështu edhe miti i argonautëve, sipas të cilit argonautët ndoqën këtë rrugë dhe dolën nga Deti i Zi në detin Adriatik tek Liburnët, ka për bazë pikërisht praninë dhe rëndësinë e kësaj rruge gjatë kohërave parahistorike. Rruga më e rëndësishme ku bëhej tregtia mes ilirëve dhe grekëve ishte ajo që kalonte nga Deti Adriatik nëpër luginën e Neretvës, pastaj kalonte në luginën e lumit Bosna, dhe aty ku Bosna derdhej në Savë, kjo rrugë lidhej me rrugën e Savës. Një rrugë tjetër tregtare e kohës ilire është ajo që çonte nga Lezha në Nish, por nuk ishte e rëndësishme sa këto tjerat.
Megjithë praninë e këtyre rrugëve rajonale me rëndësi për tregtinë, komunikacioni në gadishullin Ballkanik në kohën para-romake, nuk ishte i zhvilluar mirë, sepse kishte pak rrugë të ndërtuara. Pikërisht thyerja e relievit dhe mungesa e rrugëve të mjaftueshme, dobësonin lidhjet mes krahinave e kjo ndikonte ashpër edhe në ndarjen e thellë politike të vendasve. Ilirët, thrakët, e grekët, që të gjithë ishin të ndarë në mbretëri, polise, koloni etj. Edhe vetë mbretëritë ilire në fillimet e jetës së tyre kishin brenda vetes qytete dhe fise autonome, që përfitonin sa nga dobësia e pushtetit aq edhe nga vështirësitë e komunikacionit.
Periudha romakePopujt ballkanikë, për here të pare u bashkuan politikisht nën ombrellën e Perandorisë Romake. Perandoria romake u dallua edhe në zhvillimin e komunikacionit sepse i ndërtonte rrugët me një mjeshtri më të përparuar, i ndërtoi ato më të gjata dhe më të shumta në numër. Sipas Plutarkut rrugët e ndërtuara u përsosën më tej me nismën e tribunit të plebejve Gai Graku. Me urdhërin e tij rrugët shtroheshin me gurë të latuar dhe me zhavorr. Kur hasej në puse të mëdha a lumenj, ndërtoheshin ura, ndërsa kur kishte gropa të vogla ato mbuloheshin me dhé duke rrafshuar rrugën. Rrugët u ndanë në mile, dhe për secilën mile kishte nga një shtyllë guri ku shkruhej numri i milave të kaluara. Në largësi më të vogla u vendosën gurë më të ulët që u shërbenin kalorësve që të hipnin në kuaj pa pasur nevojë për ndihmën e ndokujt. Roma ndërtoi rrugë të shumta pikërisht nëpër vendkalimet natyrore dhe bazat rrugore që përdoreshin më parë. Për të lehtësuar udhëtimin u ndërtuan stacione për buajtje të quajtur “mansio” dhe stacione për ndërrimin e kuajve apo “mutatio”. Në stacionet për ndërrimin e kuajve, udhëtari e linte aty kalin e lodhur, dhe mirrte një tjetër të pushuar duke u bërë kështu udhëtimi më i shpejtë dhe më i lehtë.
Rruga më e rëndësishme në gadishullin Ballkanik gjatë sundimit romak ishte Via Egnatia. Ndërtimi i parë i kësaj rruge është bërë në kohën ilire, shekulli IV p.e.s. Këtë rrugë e kishte përdorur Glauku më 335 p.e.s. kur kishte shkuar në qytetin Pelion në ndihmë të Klitit kundër Aleksandrit të Madh. Edhe vetë territori ilir që u pushtua nga Aleksandri i Madh, ishte pikërisht rripi tokësor nga liqeni i Ohrit e liqeni i Prespës, përgjatë luginës së Shkumbinit deri në Adriatik, me qëllim për të realizuar planet e ardhshme për t’u zgjeruar kah perëndimi, që Aleksandri nuk arriti t’i realizojë, për shkak të vdekjes së hershme. Në këtë rast lugina e Shkumbinit do t’i hynte në punë pikërisht për të bartur ushtrinë drejt perëndimit nëpër këtë rrugë të përshtatshme.
Pas pushtimit të gadishullit, Roma i hodhi sytë kah Azia. Për një marshim më të lehtë dhe më të shpejtë të ushtrisë romake nevojitej ndërtimi i një rruge që lidhte portin e Durrësit me Bosforin. Ky drejtim u caktua sepse porti i Durrësit ishte vendi kryesor ku romakët zbarkonin me anijet e tyre. Prej kësaj zone kishte filluar edhe pushtimi i Ilirisë, prej këtu legjionet romake niseshin për të pushtuar vendet tjera në Ballkan dhe në Azi. Prandaj rreth vitit 140 p.e.s. prokonsulli romak Gneius Egnatius urdhëroi ndërtimin e një rruge që lidhte Ilirinë fillimisht me Selanikun. Sipas zakonit romak rrugës i mbeti emri Via Egnatia sipas prokonsullit Egnatius që urdhëroi ndërtimin. Ka dhe mendime tjera që mori emrin nga qyteti Egnatia që ishte porti detar në Itali ku zbarkohej me anije kur vinin prej Durrësit, dhe një mendim tjetër që vje nga fjala shqipe “e gjatë”.
Fillimisht u ndërtua rruga nga Apollonia në drejtim të luginës së Shkumbinit, që vazhdonte nëpër Ohër, Manastir dhe arrinte në Selanik. Pak më vonë u ndërtua dhe një segment rrugor që fillonte nga Durrësi, në drejtim të juglindjes që i bashkangjitej rrugës Egnatia tek qyteti Kaludiana, Peqini i sotëm. Pas pushtimeve në Lindje rruga u zgjat deri në Konstantinopol. Kjo rrugë ishte pjesë e rrugës së gjatë që lidhte dy qendrat e Perandorisë, Romën dhe Konstantinopolin.
Rruga pra kishte dy fillesa, njërën në Dyrrah, që kalonte nëpër këtë drejtim: Shkëmbi i Kavajës, Kavajë, Peqin. Fillesa tjetër ishte nga Apollonia dhe bashkëngjitej me rrugën tjetër në Peqin, dhe aty vazhdonte si një rrugë e vetme drejt luginës së Shkumbinit.
Straboni i cili shkruan diku gjatë viteve të fundit të erës së vjetër, dhe në vitet e para të erës së re, kur flet për rrugën Egnatia, tregon se ajo shtrihej deri në Kypsela afër lumit Hebri dhe nuk përmend pjesën tjetër nga Kypsela deri në Konstandinopol, për arsyen se ende në këtë kohë nuk ishte ndërtuar pjesa tjetër, madje Bizanti në këtë kohë ende nuk ishte pushtuar nga Roma. Straboni tregon dhe gjatësinë e rrugës që e vendos atë në 535 mile, që është e barabartë me 861 kilometër, pra nga Durrësi deri në Kypsela, apo nga Apollonia deri në Kypsela, meqenëse siç thotë Straboni, rrugët që nisen njëra nga Durrësi e tjetra nga Apollonia, janë njësoj të gjata deri në vendin ku bashkohen. Ai e konsideron rrugën të ndarë në dy pjesë, njëra pjesë shtrihej nëpër Iliri e që përfundonte tek lokaliteti i quajtur Pylon, dhe pjesa e dytë shtrihej në Maqedoni.
Në “Tabula Peutingeriana” përmenden gjithsej 40 stacione përgjatë Egnatias që nga Durrësi e deri në Konstatinopol. Largësia mes stacioneve nuk është e njëjtë, diku është vetëm 7 mile e diku shkon deri në 32 mile. Në këtë tabelë jepen emrat e atëhershëm të lokaliteteve ku gjendeshin stacionet rrugore dhe largësia në mile prej njërit stacion në tjetrin. Rruga Egnatia përmendet edhe në Itinerarin e Antonin Augustit, ku sërish jepen emrat e stacioneve rrugore dhe largësia në mile në mes stacioneve, ndërsa në itinerarin e Burdigalës, përmendet rruga nga Heraklea në Vlorë, që në bazë të stacioneve kah kalon, e dimë se është rruga Egnatia, por kësaj radhe me një drejtim të devijuar jo për në Apolloni, por në Vlorë.
Pas ndërtimit të Konstantinopojës, kjo rrugë ishte pjesë përbërëse e rrugës së madhe që lidhte dy qendrat e perandorisë, Romën dhe Konstantinopojën. Në Ohër janë gjetur dy shtylla, treguese të miljeve përgjatë rrugës, të cilat kanë qenë të larta rreth 2 metra dhe të gjera rreth gjysmë metri.
Rruga nga Arsia në DurrësKjo rrugë ndiqte fushën bregdetare adriatike që e përmendëm në fillim. Fillonte tek lumi Arsia në gadishullin e Istrisë, kalonte nëpër ish-qytetet liburne e japode, pastaj nëpër qytetet më të rëndësishme të bregdetit adriatik, si Salona, Narona, nëpër Malin e Zi të sotëm, kah veriu i Liqenit të Shkodrës, pastaj në Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Me këtë shtrirje përmendet në “Tabula Peutingeriana”, ndërsa në itinerarin e Antonin Augustit, përmendet vetëm një segment i kësaj rruge nga Salona në Dyrrah, dhe pjesa më e madhe e stacioneve përputhen, që dmth se është e njëjta rrugë. Në itinerarin e Burdigalës nuk përmendet. Kjo rrugë kishte dhe një degëzim tjetër që ndahej tek Epidauri dhe kalonte në Kotorr, Budva, Tivar, Ulqin dhe kësaj radhe shkonte kah jugu i Liqenit të Shkodrës dhe sërish bashkohej në Shkodër me pjesën tjetër të rrugës.
Rruga e luginës së Vjosës
Kjo rrugë ka rëndësi sepse fillonte në kufijtë mes Ilirisë dhe Epirit, dhe lidhte Ilirinë me Epirin e vazhdonte pastaj deri në Thraki e Thesali. Rruga kishte këtë itinerar: Apollonia, Bylis, Dimal, Amantia, Antigonea, Hadrianopol, Dodonë, Tërhallë dhe Larisë të Thesalisë.
Të gjitha këto qytete që lidheshin përmes kësaj rruge ishin qendra të rëndësishme ilire si përpara ashtu edhe gjatë sundimit romak. Bylisi, Dimali, Amantia dhe Antigonea ishin qendra të fiseve ilire përkatësisht të bylinëve, dimalëve, amantinëve, dhe kaonëve epirotë, dhe Adrianopoli qytet i molosëve. Dodona kishte qenë një qendër e lashtë pellazge, që ruajti këtë funksion deri në shekujt e parë të erës së re. ndërsa Tërhalla dhe Larisa ishin qytete të Thesalisë e cila kishte rëndësi ekonomike duke qenë fushë pjellore. Rëndësia e kësaj rruge shihet në faktin se Cezari këndej kaloi kur marshoi për Farsallë të Thesalisë.
Rruga Lezhë – Nish
Në “Tabula Peutingeriana” për këtë rrugë thuhet se fillonte në Shkodër dhe pasi kalonte nëpër Nish përfundonte në Ratiaria. Rruga kalonte nëpër Vaun e Dejës, pastaj nëpër luginën e Drinit deri në Kukës, vazhdonte në Prizren, Qafa e Dulës, Rrafsh i Kosovës, Ulpianë, Llap, dhe nëpër fushat e Kosanicës e Toplicës arrinte në Nish dhe prej andej shkonte kah lumi Timok, dhe pastaj kthehej kah lindja ku përfundonte në qytetin Ratiaris, që sot njihet si Arçar në Bullgarinë veriore.
Kjo rrugë njihej edhe si “Rruga e metaleve”, sepse duke qenë se kalonte pikërisht nëpër tokat e pirustëve në Shqipërinë e sotme veriore, kjo rrugë shërbente për transportimin e metaleve që i nxirrnin pirustët. Kjo rrugë shërbente edhe për transportimin e kripës nga bregdeti në brendësi të gadishullit.
Rruga ushtarake apo Via Militaris
Kjo rrugë fillonte nga Singidunumi (Beogradi i sotëm), dhe fillimisht shkonte kah lindja nëpër luginën e Danubit, pastaj tek Viminaciumi apo Kostollaci i sotëm kthehej kah jugu, duke kaluar nëpër Nish, Balla Pallanka, ndiqte hapësirën e ultë mes maleve Ballkan e Rodope ku kalonte nëpër qytetin Serdikë (Sofja e sotme), kalonte në luginën e Maricës nëpër qytetet Pllovdiv e Edrene prej nga arrinte në Konstandinopol.
Periudha e dyndjeve barbarePopujt barbarë që u dyndën nëpër Ballkan, veçanërisht sllavët e bullgarët që u ngulën përgjithëmonë, kanë ndjekur rrugë-kalimet natyrore në përgjithësi, dhe në veçanti rrugët antike. Ostrogotët kur kaluan nga Thrakia në fushat pranë Durrësit në vitin 479 shfrytëzuan pikërisht rrugën Egnatia. Sllavët dyndeshin në Ballkan përmes dy rrugëve, njëra ishte rrjedha e poshtme e Danubit, dhe tjetra rrjedha e mesme. Rruga e parë fillonte në viset sllave në veri diku tek Ukraina e sotme, dhe kalonte nëpër Rumani, përkatësisht krahina e Dobruxhës, pastaj kalonte nëpër krahinat e Mysisë dhe Dakisë fushore. Rruga tjetër fillonte nga viset sllave të Çekisë së sotme duke ndjekur luginën e Moravisë kalonte në fushën e Panonisë, dhe përmes saj i drejtohej Gadishullit Ballkanik. Duke ndjekur luginën e Moravës dhe të Ibrit, u vendosën në Dardani. Një grup tjetër nga Dardania duke ndjekur “Rrugën e Metaleve” pra nëpër luginën e Drinit arriti në rrethinat e Liqenit të Shkodrës dhe në Mal të Zi. Nga ana tjetër rruga e quajtur Via Militaris duhet t’u ketë shërbyer fiseve avare e sllave për të shkuar në rrethimin e Konstantinopolit në vitin 626, ndërsa rruga natyrore që kalonte nga Morava nëpër Vardar, u ka shërbyar sllavëve për të kaluar në Maqedoni e deri në pjesët më jugore të Greqisë. Justiniani për të siguruar lidhjet jetike mes Konstantinopojës dhe Adriatikut, shpërnguli popullësi të tëra sllave që ishin vendosur përreth rrugës Egnatia.
Gjatë kësaj kohe iliro-arbërit ishin në luftë për mbijetesë fizike dhe kulturore. Që nga viti 616 ushtritë bizantine u dëbuan nga pjesa më e madhe e Gadishullit duke përfshirë dhe trojet shqiptare, prandaj popullësia iliro-arbëre e kësaj kohe jetoi për dy shekuj e lirë, pa asnjë autoritet shtetëror. Rrugët antike tashmë nuk ishin në funksion të Perandorisë bizantine, por luanin rol me rëndësi për arbërit e kësaj kohe. Përmes rrugës Egnatia arbëreshët e Ohrit mbanin lidhje me arbëreshët e bregdetit Adriatik, sikurse përmes rrugës së metaleve arbëreshët e Pukës mbanin lidhje me arbëreshët e Adriatikut. Kjo është pohuar nga arkeologët në bazë të ngjashmërisë së objekteve të Kulturës së Komanit të gjetura nëpër këto vende.
Meqenëse pozitë qendrore kishte fisi Alban, të vetquajtur arbër, dhe se këta shtriheshin gjer tek rruga Egnatia, sipas studiuesve kjo ka bërë që të huajve t’iu bie në sy më tepër ky fis, prandaj e bartën emërtimin e tyre edhe në fise tjera që flisnin të njëjtën gjuhë. Më në fund vetë emri arbër kur përmendet për herë të parë lidhet ngushtë me rrugën Egnatia. Gjergj Maniaku në krye të arbëreshëve duke u kthyer nga Italia ku kishte qenë në shërbim ushtarak, zbarkoi fillimisht në Durrës e pastaj duke ndjekur rrugën Egnatia iu drejtua Konstantinopolit me mendimin që të marrë fronin me dhunë, por u mposht në Selanik nga forcat bizantine.
Periudha mesjetareRrugët nuk e humbën rëndësinë as në mesjetë. Tashmë në mungesë të një perandorie siç ishte ajo romake, rrugët funksiononin në mënyra tjera. Rajoni ishte i ndarë në feude, principata, mbretëri, deri edhe fise autonome e të pavarura nëpër male, dhe secili kujdesej për rrugët në territorin e vet. Nëpër kufijtë e zotërimeve feudale merreshin pagesa të quajtura dogana. Në vend të stacioneve të buajtjes, ndërtoheshin bujtina që ishin ndërmarrje private të familjeve që jetonin pranë rrugëve. Sipas këtyre bujtinave morën emrat fshatrat Bukemirë dhe Gruemirë në rrethin e Shkodrës, sipas bukës që gatuhej përkatësisht sipas ndonjë banakiere të bukur që punonte aty.
Kishte fise shqiptare dhe aromune që jepnin me qira mushka dhe kuaj transportuesë. Përveç rrugëve antike përdoreshin shumë edhe shtigjet malore.
Rrugët iu shërbenin tregtarëve, ushtrive pushtuese, kryqtarëve, plaçkitësve etj. Në vitin 1081 Robert Guiskardi, mbret i Normanëve synonte të lëvizte përmes rrugës Egnatia për të pushtuar Konstantinopolin. Me rastin e kryqëzatës së parë, kryqtarët frengë dhe ata të Provansës, ndoqën rrugën mbretërore siç quhej në mesjetë Egnatia, ndërsa Boemundi i normanëve ndoqi rrugën përgjatë luginës së Vjosës. Në përgjithësi rruga Egnatia nga fuqitë perëndimore shihej si rruga ideale për të bërë avancimin e ushtrive të tyre qoftë për të pushtuar Konstantinopojën qoftë për të bërë kryqëzata në Azi. Gjatë shekullit XII vërehet një ringjallje e rrugës Egnatia. Këndej kalonin karvane tregtare që merrnin pjesë në panairin e madh të Selanikut. Durrësi dhe rruga Egnatia ishin nyjet thelbësore në tregtinë ndërkombëtare të mesjetës.
Në vitin 1209 princi arbëresh Dhimitër Progoni, lidhi një marrëveshje me Raguzën, ku u jepte liri tregtarëve raguzanë të kalonin nëpër tokat e Arbërisë, pa asnjë pagesë. Një marrëveshje të ngjashme kishte lidhur edhe Ban Kulini më 1189 me Raguzën. Natyrisht në këto raste, ofrimi i lirisë për të kaluar në tokat e tyre nënkuptonte edhe një garanci dhe siguri për karvanet nëpër rrugët brenda territorit shtetëror, që do të thotë se ishte vendosur një qetësi relative nëpër rrugët e kësaj kohe.
Gjatë shekujve XIII – XV, një rrugë shumë e rëndësishme u bë rruga e Raguzës. Ajo fillonte nga Raguza dhe kalonte nëpërmjet Breskovës e Rudnikut në Sanxhakun e sotëm, përmes luginës së Ibrit arrinte në Trepçë, dhe më pas duke ndjekur Fushën e Kosovës arrinte në Novobërdë. Kjo rrugë fitoi rëndësi të madhe në mesjetë sepse Raguza ishte një qendër e rëndësishme tregtare në kohën kur rajonet më të gjera të Evropës e gadishullit ballkanik ishin zona rurale që bazoheshin më së shumti në bujqësi.
Edhe më vonë kah gjysma e shekullit XIV, kur Perandoria e Dushanit përfshinte një pjesë të madhe të Ballkanit, rrugët siguroheshin nga shteti. Në kodin e Dushanit neni 157 flet për ruajtjen e rrugëve. Rrugët u liheshin të ashtuquajturëve “zotërinj” dhe “kefali”, të cilët jetonin apo kishin zotërimet andej pari, ndërsa këtyre u shtoheshin edhe një numër rojesh të caktuar nga shteti. Neni 159 obligon çdo qytet që të hapë portat e qytetit kur ndonjë tregtar dëshiron të hyjë brenda për të pushuar, madje edhe në mes të natës. Dhe nëse qyteti nuk hapte portat atëherë qytetarët do t’i paguanin tregtarit çdo gjë që ai mund të humbiste apo mund t’ia vidhnin gjatë natës.
Rruga Egnatia luajti rol të rëndësishëm edhe për forcimin e familjes së Arianitëve të cilët kishin nën kontroll këtë rrugë.
Rrugëve u kushtoi rëndësi të madhe edhe Perandoria Osmane. Pas pushtimeve të mëdha në gadishull në shekullin XV, për grykat dhe shtigjet malore u caktuan dervenxhinjë të cilët kishin për detyrë të ruanin këto rrugë ndërsa liroheshin nga disa taksa dhe detyrime. Megjithatë rrugët i shërbenin më së shumti ushtrisë, ndërsa për tregti nuk ndihmuan shumë. Sidomos gjatë shekullit XVII pasiguria e rrugëve ishte një ndër shkaqet e mos-zhvillimit të tregtisë. Në fillim të shekullit XVII fisi i Kelmendit zotëronte një rrugëkalim të rëndësishëm në malin Rrogozna, sot komuna e Zubin-Potokut. Në vitin 1638 ata shpërthyen në kryengritje dhe filluan të plaçkisnin çdo udhëtar që kalonte andej.
Për rrugët antike kujdes të veçantë treguan edhe fiset malësore në Shqipëri. Me nene të veçanta Kanuni i Lekë Dukagjinit obligonte malësorët, që të pastronin nga dëbora “rrugët e mëdha” siç quheshin rrugët rajonale, pastaj nëse bëhej baltë në rrugë, udhëtarët kishin të drejtë të kalonin nëpër pronën personale të dikujt tjetër, dhe në asnjë rast nuk lejohej ngushtimi i rrugës. Rëndësi të veçantë për sigurinë e rrugëve nëpër malësi paraqet prania e bujtinave të shumta dhe institucioni i “ndores”. Sipas kësaj rregulle, nëse një udhëtar gjendej para plaçkitësit ose para një dhunuesi çfarëdo, dhe pohonte me zë të lartë se është nën mbrojtjen e pronarit të një bujtine ose një familje të madhe, atëherë askush nuk guxonte t’a sulmonte, dhe personi të cilit i ngarkohej mbrojtja dilte në vendin e ngjarjes që të kujdesej për të sulmuarin. Udhëtarët e huaj që gjatë shekullit XIX udhëtuan nëpër malësi, përkatësisht nëpër rrugën e metaleve tregonin se për shkak të këtyre zakoneve që kishin malësorët, njeriu mund të udhëtonte pa frikë nëpër Shqipëri.
Rruga e parë moderne u shtrua në Dalmaci në fillim të shekullit XIX, nën sundimin e Francës së Napoleonit. Duke qenë se francezët nuk ndërtonin ura, në lumin Neretva kalohej me anë të një trapi. Ndërsa rrugët tjera u përdorën në Gadishullin Ballkanik deri në shekullin XX, kur humbën rëndësinë me ndërtimin e rrugëve moderne.
(autor Genc Kastrati)