Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: 'Mbi origjinën e shqiptarëve (ilirëve)', A.Pulianós Tue 04 Apr 2023, 01:10 | |
| Áris Pulianós / Mbi origjinën e shqiptarëve (ilirëve) / Kuvendi i studimeve ilire, v.II
Mbi origjinën e shqiptarëve (ilirëve)
Dëshiroj të falënderoj komitetin organizues për ftesën që më kanë bërë për të marrë pjesë në një Kuvend si ky. Organizimi i një takimi të tillë është një hap përpara në studimin e etnogjenezës së popujve të Ballkanit dhe, siç do të shpreheshin grekët, një hap për «të njohur vetveten». Deri disa dhjetëra vjet më parë etnogjeneza e popujve të Ballkanit studjohej kryesisht nga shkencëtarët joballkanas dhe problemet e etnogjenezës zgjidheshin para së gjithash mbi baza gjuhësore. Nuk merrej parasysh antropologjia fizike; po të flasim nga ana antropologjike, popuj si eskimezët ose australianët njiheshin më mirë se sa popujt e vendeve të Ballkanit. Antropologët e kishin drejtuar vështrimin nga vende më ekzotike. Tani ne vetë i kemi kthyer sytë nga oborri ynë dhe e shohim se ai nuk është më pak interesant se sa shumë vende të tjera. Çështja është që të mos i studiojmë popujt tanë vetëm nga një aspekt, por të marrim parasysh ndërthurjen e shumë shkencave. Etnogjenetika është një shkencë relativisht e re, e cila përveç gjuhësisë ndërthur së bashku arkeologjinë, etnografinë, historinë dhe antropologjinë fizike.
Kur antropologjia fizike filloi të japë më tepër të dhëna mbi gjenetikën e popujve, morën një goditje konceptet tradicionale mbi prejardhjen e popujve: lëvizjet e migrimit, të cilat mbaheshin si shkaktare të çfarëdo ndryshimi në jetën etnike të cilitdo popull, tani duhej të verifikoheshin nga të dhënat antropologjike. Kjo do të thotë që antropologjia fizike u përdor kryesisht si një burim historik. Duke përdorur të dhënat e antropologjisë fizike si një burim historik ne nisemi nga qëndrimi i padiskutueshëm, që veçoritë raciale në asnjë shkallë nuk përcaktojnë drejtimin e procesit historik, që tipi fizik në asnjë mënyrë nuk ndikon mbi formën dhe përmbajtjen e kulturës së cilitdo popull. Por mbi këtë bazë nuk mund të arrijmë në përfundimin, që tipi fizik i një populli nuk ka lidhje me historinë e tij. Përkundrazi formimi, përhapja dhe përzierja e tipave fizikë janë rezultat i proceseve historike. Çdo ndryshim në trevën e përhapjes së njërit ose tjetrit tip, çdo ndryshim në përbërjen fizike të një popullsie, gjithmonë pasqyron migrimin dhe përzjerjen e fiseve e të popujve konkretë, d.m.th. proceset e historisë etnike.
Për shkak të faktit që karakteristikat fizike nuk kanë pasoja në zhvillimin e kulturës, tipi fizik i një popullsie të çdo territori të dhënë mund të ruhet për periudha të gjata, gjatë të cilave niveli i zhvillimit, aspekti kultural dhe madje gjuha e kësaj popullsie ndryshon deri sa bëhet e panjohur. Prandaj në një varg rastesh vetëm materiali antropologjik fizik mund të dëshmojë për praninë ose mungesën e migrimeve në të kaluarën.
Duke gjurmuar përhapjen e tipave fizikë në përbërjen e grupeve të ndryshme etnike të sotme, duke i krahasuar ata (kur kemi në dorë material paleoantropologjik) me tipat fizikë të epokave të mëparshme dhe duke mbajtur parasysh rregullsitë gjatë kohës, antropologu shpesh jep përgjigje mjaft të përcaktuara për ato pyetje në historinë e një populli, të cilat janë të pafuqishme t'i japin disiplinat e tjera.
Tani për tani ne nuk kemi material skeletor nga trualli i Shqipërisë për të arritur në një përfundim, të paktën nga pikëpamja antropologjike, se cilët janë ilirët. Më lejoni t'u drejtohem arkeologëve të pranishëm këtu, që gjatë gërmimeve të mbledhin edhe copën më të vogël të kockave që gjejnë. Sot ka mjete kimike me ndihmën e të cilave ne mund të ruajmë e të mbledhim skelete të plota, kështu nuk lejojmë që të bëhen pluhur pasi nxirren prej varreve. Kam edhe një propozim tjetër. Për të bërë një shqyrtim antropologjik të plotë të popullsisë së gjallë të vendit të merren kampione, në marrëveshje me autoritetet, në pika të zgjedhura që nga veriu e deri në jug në moshat midis 20 e 60 vjeç për të dy sekset. Unë e di që janë bërë studime të tjera në të kaluarën por ato janë bërë në një shkallë të vogël dhe me metoda krejt të ndryshme. Sot ne kemi nevojë për një metodologji të njësuar me vendet e tjera të Ballkanit. Të paktën kjo është bërë dhe ka ecur për mrekulli në Greqi e Bullgari, duke përfshirë vetëm pjesërisht e pak Turqinë e Jugosllavinë. Unë do të isha shumë i kënaqur nëse do të punoja në një komision të tillë antropologjik edhe në Shqipëri. Vetëm me një program të njësuar ne mund të arrijmë brenda pak vjetësh në disa përfundime, se kush kanë qenë ilirët ose pellazgët, ose trakët.
~
Nga përvoja ime, duke studiuar antropologjinë e popujve të Ballkanit për afër dy dhjetëvjeçarë, unë kam arritur në këto përfundime, të cilat shkojnë edhe për truallin e Shqipërisë, meqë nëpërmjet projektimit, prekin edhe çështjen e origjinës së ilirëve:
1. Në Ballkan njeriu ka ekzistuar të paktën në 500.000 vjetët e fundit, në qoftë se jo më tepër. Është dëshmuar gjithashtu që këtu, në këtë tokë, është ndezur zjarri i parë në Evropë, sipas të dhënave të fundit. 1 Kështu prania e homo erectus në Ballkan na tregon që homo sapiens është formuar këtu, ai nuk ka ardhur nga jashtë. Prandaj treva e Ballkanit duhet të përfshihet këtej e tutje në zonën e hominizimit dhe nuk është e domosdoshme që ajo të kufizohet vetëm në tropikët.
2. Është dëshmuar, gjithashtu, që treva e Ballkanit është zona e kontaktit e dy tipave të mëdhenj racialë të europeidëve: e tipit «kontinental» vetë dhe e tipit të njohur mirë «mesdhetar». 2 Shqipëria nuk ka përse të ketë qenë një përjashtim. Vetëm se ne duhet të përcaktojmë kufijtë e këtyre dy tipave kryesorë në këtë territor, natyrisht duke marrë parasysh gjithë ndikimet e tjera në shtresimin e popullsisë, Vëzhgimi antropologjik i popullsive të gjalla të Shqipërisë mund ta verifikojë këtë ose mund të zbulojë elemente të rinj të panjohur deri më sot. Një gjë mund të thuhet që më parë, duke u mbështetur në të dhënat antropologjike të vendeve fqinjë, që masa kryesore e popullsisë së Shqipërisë është me origjinë autoktone që prej kohëve të hershme prehistorike.
Vetëm mbi këtë mbështetje, në sfondin e dy të dhënave të paraqitura më lart, ne mund ta studiojmë më në hollësi origjinën e shqiptarëve (ilirëve) dhe të shohim marrëdhëniet e popullsisë së vjetër e të re të Shqipërisë si edhe marrëdhëniet me popullsitë e tjera fqinje.
Termi «ilir» padyshim është një term indoevropian dhe përdoret vetëm gjuhësisht. A do të thotë kjo që trualli shqiptar nuk ka qenë i populluar para «ilirëve»? Ky do të ishte një absurditet shkencor dhe nuk mund të ketë ndonjë antropolog, i cili ta mbështesë këtë pikëpamje.
Të dhënat e fundit arkeologjike na tregojnë për një veprimtari njerëzore në truallin e Shqipërisë, të paktën që nga koha e neolitit. Sipas mendimit tim, përsa u përket të dhënave antropologjike, duhet të gjenden tregues të paktën prej paleolitit të epërm. Edhe po të mos jetë e mundur kjo, kështu pa tjetër popullsia preilire ka banuar në këtë territor. Kështu kemi edhe një herë verifikimin e tezës së njohur mirë, që «gjuha dhe kultura janë të pavarura nga përhapja e tipave antropologjike, ndërsa përhapja e tipave antropologjike gjithmonë shoqërohet nga përhapja e gjuhës dhe e kulturës». (G. F. Debetz, 1952). Ka shumë të ngjarë, që indoevropaizimi i truallit shqiptar ka ndodhur si një proces shumë i ngadaltë nëpërmjet depërtimit të grupeve të tjera. Por lidhur me ilirët dhe shqiptarët e sotëm, kjo është një hipotezë që ka nevojë të vërtetohet me anë të të dhënave të antropologjisë fizike.
Vetëm kjo do të na nxjerrë nga kaosi indoevropian dhe joindoevropian.
______________ 1) A, N. Poulianos, Petralona - A middle pleistocene cave in Greece «Archaeology» v. 24, nr. 1 1971, f. 6-11. 2) A. N. Poulianos, The racial composition of the Balkan peoples. A-5 Anthropology of Races and Populations VIII. International Congress of Anthropological and Ethnological Sciences, Tokyo, 1968, f. 123-125. | |
|