Kandhaon

Numri i postimeve : 797 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
 | Titulli: Mbretnia e Dardanisë Tue 21 Mar 2023, 01:51 | |
| Dr. Edi Shukriu
Aspekte të historisë politike të Mbretërisë së Dardanisë
(Mbretëria Dardane në relacion me Maqedoninë dhe Romën) Burimet e shkruara antike gjatë periudhës helenistike flasin pak për dardanët e Ballkanit madje ato janë, kryesisht, të dhëna indirekte. Luftimet e vazhdueshme, që i zhvilluan dardanët me maqedonët bënë që shkrimtarët antikë t'i paraqesin këta si "Dardani, gens semper infestissima Macedoniae". Është e vërtetë se dardanët dhe Mbretëria e Dardanisë ishin një forcë që vazhdimisht iu kundërvunë politikës pushtuese të Maqedonisë. Megjithatë, historia politike e Mbretërisë së Dardanisë, si dhe historia dardane në përgjithësi, është një histori komplekse dhe e patrajntuar në shkallë të duhur nga historiografia.
Një prej aspekteve të rëndësishme për studime dardane është historia politike e Mbretërisë Dardane. për fillet e saj nuk ka dëshmi të shkruara. Këto dëshmi ndeshen tek pas vitit 344-343 p.e.s. kur Dardania hyri në sferën e interesit të Maqedonisë dhe të interesimit të shkrimtarëve antikë për të. Për t'i zgjeruar dhe përforcuar kufijt veriorë të Maqedonisë, Filipi II ndërmori fushatë luftarake kundër mbretërisë së Dardanisë më 344-343 p.e.s. Humbja e pjesëve jugore të mbretërisë nuk e dobësoi këtë, përkundrazi, Mbretëria Dardane u konsolidua më tej dhe, pas vdekjes së Filipit II (336 pes), u fuqizua aq sa që paraqiste rrezik të vazhdueshëm për shtetin e Maqedonisë. Kështu para se të nisej që ta pushtojë ekumenën, Aleksandri i Madh u detyrua t'i përforcojë kufijt veriorë të Maqedonisë, duke luftuar në Peoni, në Dardani, me autariatët e me ilirët tjerë.
Për periodën prej viteve 343-280 p.e.s., gati gjysmë shekulli pas të dhënës së parë të shkruar, tek autorët antikë nuk ndeshen fare të dhëna për dardanët. këtë periodë, kur shteti i Maqedonisë zhvilloi pushtimet kah Lindja, dhe më pas, ku u zhvilluan ndërluftimet e diadohëve për pushtet, dardanët e shfrytëzuan për konsolidimin e brendshëm dhe forcimin e zgjerimin e Mbretërisë dardane në territorin tribal. Kështu, nga shek. III p.e.s., dardanët dolën në skenën politike ballkanike si faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të kësaj pjese të botës antike.
Në fillim të shekullit III p.e.s., Mbretëria e Dardanisë ishte aq e fuqishme sa që mbreti dardan i ofroi mbretit të Maqedonisë një ndihmë prej 20.000 ushtarësh në luftë kundër invazionit gal, që nisi në vitin 279 p.e.s. Siç pohon shkrimtari antik Diodori, galët u nisën me 150.000 këmbësorë dhe 10.000 kalorës. Mbreti maqedon, Ptoleme Kerauni, e refuzoi këtë ndihmë me mendjemadhësi. Pas refuzimit të ndihmës dardane, mbreti dardan iu drejtua delegacionit, të dërguar për ofrimin e ndihmës ushtarake, me këto fjalë: "Mbretëria e famshme e Maqedonisë do të shkatërrohet së shpejti për shkak të mbuhatjes së këtij djaloshi të papjekur". Kjo ndodhi së shpejti. Galët, duke shkuar në Delf e tutje, dhe duke kaluar edhe nëpër Dardani, shkatërruan çdo gjë para vetes. Pas disfatës gale, në kthim e sipër, sipas burimeve, u asgjësuan të gjithë galët, që kaluan nëpër Dardani, në shenjë hakmarrjeje për tmerret e përjetuara.
Gjatë sundimit të mbretit Longar, në vitin 219 p.e.s., dardanët i dëbuan maqedonët nga Peonia, e çliruan Bylazorën, qytet i rëndësishëm gjeo-strategjik, dhe zotuan një pjesë të madhe të peonisë. Mbi forcën e Mbretërisë dardane në këtë kohë dëshmon glorifikimi i fitores së Filip V mbi dardanët, kur ky e pushtoi qytetin dardan Sintia, në jugperëndim të Dardanisë. Kështu në mbishkrimin e vendosur në Akropolin e Lindosit shkruan: "Mbreti i maqedonëve Filipi (djalë) i mbretit Demetriut nga fitorja mbi Dardanët (dhe medët) Atenës së Lindit".
Në vitin 209 p.e.s. Filipi V e pushtoi sërish qytetin Bylazora. dardanët, në aleancë me Aeropin, sovran i një rajoni ilir në juglindje, po atë vit e vërshuan Maqedoninë.
Shpërputhja e interesave dhe luftimet me maqedonët kishin si rrjedhim lidhjen e aleancës së dardanëve me romakët, sfera e interesit e të cilëve ishte zgjeruar kohë më parë në Ballkan. Aleanca antimaqedone përbëhej nga romakët, ilirët, dardanët dhe atamanët. Në emër të dardanëve marrëveshjen për aleancë e bëri Batoja, biri i mbretit Longar. Në këtë mënyrë dardanët u bënë pjesëmarrës të koalicionit antimaqedon dhe morën pjesë në Luftën e dytë romako-maqedone. Sipas marrëveshjes, dardanët, së bashku me ushtrinë e shtetit ilir e sulmuan Maqedoninë nga veriu, romakët nga lindja, përmes Via Egnatia, ndërsa etolët nga jugu.
Nën presionin dardan Filipi V, u detyrua që nga Pellagonia t'i dislokojë forcat ushtarake, të udhëhequra nga biri i tij Perseu, dhe kështu ua hapi dardanëve rrugën kah jugu.
Në verën e vitit 197 p.e.s. (pas betejës së Kinoskefalës), dardanët dominuan territoret veriore të Maqedonisë, përderisa Filipi V nuk i mundi te Stobi, me një forcë ushtarake prej 6.000 këmbësorësh e 500 kalorës. Përkundër fitores, gjithnjë i rrezikuar nga forca dardane, Filipi e dërgoi një delegacion te bastarnët për t'u marrë vesh më në fund që së bashku t'a shkatërrojnë popullin dardan. Plani ishte që pas shfarosjes së dardanëve, në Dardani të vendosen bastarnët dhe Maqedonia të lirohej përgjithëmonë nga rreziku dardan. Hezitimi i bastarnëve dhe vdekjae Filipt bënë që ky plan të dështojë. Megjithë këtë, bastarnët, rreth 30.000 sosh, me gra e fëmijë, pas një kohe, u nisën drejt Dardanisë.
Të shqetësuar për shkak të planeve shfarosëse të Maqedonisë, që vazhduan edhe pas vdekjes së Filipit V dhe të rrezikuar nga sulmet e bastarnëve, një delegacion dardan në vitin 177 p.e.s. shkoi në Romë. Para Senatit romak delegacioni e akuzoi mbretin e Maqedonisë, Perseun, për planet shfarosëse të Maqedonisë. Delegacionin dardan në Senat e përkrahu edhe delegacioni i Thesalisë. Komisioni i Senatit verifikoi se në Dardani bëhej luftë dhe e akuzoi Perseun për këtë, por nuk ndërmori asnjë hap që ta pengojë. Të vetëdijshëm për rrezikun, në vitin 176 p.e.s. dardanët i tubuan forcat vetiake në "një qytet" dhe, duke përdorur mjeshtri ushtarake, i dëbuan bastarnët nga Dardania.
Në vitin 168 p.e.s. Maqedonia ra përfundimisht nën protektoratin romak, për rënien e së cilës kontriboi dukshëm edhe Mbretëria e Dardanisë. Gjatë tërë historisë së ekzistimit të shtetit të Maqedonisë, mbretëria dardane i bëri presion, i paralizoi forcat ushtarake maqedone, i detyroi të heqin dorë nga operacionet ushtarake në Greqinë e Mesme e në Peloponez dhe ndikoi fuqishëm në dobësimin dhe rënien e shtetit të fuqishëm të Maqedonisë.
Bellum Dardanica Aleanca dardano-romake funksionoi deri në kohën kur romakët krijuan provincën romake të Maqedonisë dhe fituan siguri në trojet jugore të Ballkanit. Romakët, fqinjët e ri jugorë, nuk iu përmbajtën marrëveshjeve të mëparme. Pas fitores, romakët nuk u dhanë dardanëve pjesët jugore të mbretërisë, përkatësisht territoret në Peoni, të cilat dardanët i konsideronin të vetat dhe për të cilat luftuan kohë të gjatë me Maqedoninë. Përderisa romakët i dhanë mbretit ilir, Pleuratit në pronësi Lychnidin (Ohrin) e Parthosin, mbretit dardan Batos e dardanëve ua dhanë vetëm të drejtën për të bërë tregti me kripë (salis commercium). kjo e drejtë u dha në vitin 168 p.e.s. nga Emil Pauli, duke ua lejuar dardanëve tregtinë me kripë, i urdhëroi meridës III maqedone që ta sjellin kripën në Stobi dhe e caktoi çmimin e saj. Ky ishte shkak që Mbretëria Dardane doli nga koalicioni dhe nisi politikë të pavarur.
Revolta e dardanëve u shëndrrua në konflikt të përhershëm me romakët. Edhe aleatët tjerë romakë ishin të pakënaqur me politikën dhe sjelljen e romakëve në Ballkan. Kështu, në Dardani arriti një delegacion i etolëve, për të kërkuar ndihmë për luftë kundër romakëve. Në ndërkohë, mbreti dardan Monuni, lidhi aleancë me Shtetin Ilir. Kjo aleancë u përforcua me lidhjen martesore të vajzës së mbretit dardan, Etutës me mbretin ilir Gencin.
Në rrethanat e reja politike, kur mori hov shpërputhja e interesave me romakët, dardanët nisën t'i përkrahin edhe maqedonët. këta, madje, i ofruan strehim edhe maqedonit Androniks, pasi që ky u ngrit në Maqedoni kundër dominimit romak.
Përderisa Mbretëria Dardane përgatitej kundër armikut të ri dhe bënte aleanca me fqinjët, skordiskët të cilët jetonin tej Danubit, shfrytëzuan rastin të plaçkitnin një pjesë të banorëve të Dardanisë. Më 10/9 p.e.s., romakët për interesat e tyre i thyen forcat skordiske.
Në luftimet kundër romakëve dardanët u bashkuan me ilirët tjerë, ndonëse bashkëveprimi kryesor i dardanëve në këtë kohë ishte me medët, fqinjët lindorë dhe miqtë e vjetër të dardanëve. Aleanca dardane me medët mbështetej në askionet e përbashkëta kundër provincës romake të Maqedonisë dhe të ndalimit të depërtimit të legjioneve nga jugu kah veriu. Këto aksione u akorduan me ngjarjet në Pont. Kështu, dardanët, së bashku me medët e skordiskët, të nxitur nga mbreti i Pontit Mitridati, në vitin 48 p.e.s. depërtuan në brendi të Greqisë deri në Delf. Nga provinca romake e Greqisë këta i dëboi konsulli romak Lucie Kornel Scipioni. Në të vërtetë, Scipioni bëri marrëveshje me dardanët e medët, sepse këta siç thonë burimet, e blenë me "një sasi ari të grabitur në faltoret".
Fuqia e mbretërisë dardane, ishte aq e madhe edhe gjatë shekullit I p.e.s. sa që ajo nuk u mposh as pas luftimeve që i ndërmorën kundër tyre konsujt romakë siç ishte Vulsoni (97 pes), Sula (gjatë verës 85 pes), e legati i tij Hartenzi, dhe A. Klaudi (77/76 pes). Mu për këtë, në pranverë të vitit 75 p.e.s. forca tëmëdha romake u nisën nga Dyrrahu që ta thyejnë rezistencën dardane. Luftimet e tmershme, të njohura në historinë antike si Bellum dardanica, i udhëhoqi Gaj Scribon Kurioni. Ky u nis kundër dardanëve me pesë legjione romake, me po atë numër prej 30.000 ushtarësh, i cili dy vjet më pas u nis në luftë kundër forcave të mëdha të Mitridatit, për ta mposhtur shtetin e fuqishëm të Pontit në Lindjen e Afërme.
Operacioni i vitit 75 pes, kundër Mbretërisë dardane ishte aq i rrezikshëm, sa që një legjion romak refuzoi të nisej nga Dyrrahu për në dardani. Frika e ushtarëve romakë që të nisen në Dardani e dëshmon forcën ushtarake të Mbretërisë Dardane në këtë kohë. Megjithëkëtë, gjatë luftërave të tmerrshme me katër legjionet romake, dardanët pësuan disfatë. Pas fitores mbi dardanët, Kurionit iu hap rruga për pushtimet kah veriu dhe kështu u bë prijësi i parë romak, i cili depërtoi deri në Danub. Suksesi ishte aq i madh sa që në vitin 72. pes Kurioni e festoi triumfin për fitoret e suksesshme.
Edhepse dardanët pësuan dnëshkimin më të egër pas Bellum Dardanica, Mbretëria Dardane nuk u mposht tërësisht. Katër shekuj më vonë egërsia çnjerëzore e Kurionit ndaj dardanëve u krahasua me egërsinë e perandorit romak Valentinianit ndaj ushtarëve të tij romakë, ndërsa për rezistencën dhe revoltn dardane ndaj pushtuesve romakë u shkrua: "Egërsia dardane, ngjashëm em hidrën lerneaste, u ringjallë shumë herë".
Pas disfatës së vitit 75 pes, dardanët kishin një pozitë gjysmë të varur juridike romake (foedus iniquum), me të cilën formalisht u garantohej liria popujve të mundur. përkundër kësaj pozite, më se një shekull Mbretëria Dardane iu kundërvu sundimit romak. Këtë rezistencë dardane më së miri e dëshmon fakti i shkatërrimit të ushtrisë së prokonsullit Gai Antonie Hibrida, që kishte hyrë në Dardani për ta plaçkitur. Hibrida, koleg i Ciceronit në konsullat, ishte në krye të legjioneve romake në Ballkan. Fitorja dardane pati jehonë të madhe edhe në Senatin roma dhe Hibrida u dënua, sepse "e përdhosi nderin e armës romake dhe ia la armikut plaçkën dhe shenjat luftarake (fasces)"
Pos luftimeve të drejtpërdrejta kundër romakëve, dardanët përdorën edhe metoda tjera për arrtijen e sukseseve, duke përfshirë këtu edhe përvetësimin e armikut me të holla e plaçka. Kështu, një prej dëshmive të tilla është akuza e Ciceronit në Senatin romak ndaj prokonsullit Kalpurn Pizonit, i cili u akuzua se "ua shiti thesalëve dhe dardanëve paqen për të holla të shumta, ua la Maqedoninë ta shkatërrojnë e ta plaçkisin".
Deri në gjysmën e dytë të shek. I pes, Mbretëria e Dardanisë vazhdoi t'i rezistojë romakëve. Përkundër kësaj, një pjesë e ushtarëve dardanë u inkuadrua edhe në luftën qytetare romake. Kështu në vitin 48 pes, kalorësit dardanë morën pjesë në luftimet e triumvirëve, në anën e Pompeut kundër Cezarit.
Në vitin 38pes, duke e parë rrezikun e përhershëm nga dardanët, triumviri Mark Antoni e dërgoi ushtrinë që të luftojë përsëri në dardani. Magjithëkëtë, tek pas luftës së Mezisë, në vitin 28 pes, romakët nisën ta lidhin fatin e Dardanisë me rajonet më veriore, përkatësisht me provincën e ardhshme të Mezisë së epërme (Moesia Superior), duke tentuar kështu, shkëputjen e lidhjeve të hershme të Dardanisë me rajonet jugore të Ballkanit. | |
|