FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Statuti i Bashkësisë Besëlashtë

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Statuti i Bashkësisë Besëlashtë Empty
MesazhTitulli: Statuti i Bashkësisë Besëlashtë   Statuti i Bashkësisë Besëlashtë EmptySun 13 Feb 2022, 21:13

1. Bashkësia Besëlashtë âsht bashkësi dhe lëvizje fetare e krijueme me nismën e vetë zotave përmes njerëzve të tyne në këtë botë, dhe me synim ringjalljen e plotë të religjionit dhe spiritualitetit pellazgjik (me këtë nënkuptohet iliro-thrak dhe shqiptar), së bashku me ruajtjen e atyne elementeve të kësaj feje që kanë mbijetu gjer tani tek shqiptarët.
2. Besa (feja) jonë âsht pagane, por emri i saj i përveçëm âsht “Besëlashtë”, për shkak se shprehja ‘pagane’ nënkupton një kategori besimesh dhe jo një besim të caktuem, ndërsa me termin Besëlashtë nënkuptohet vetëm besa jonë.
3. Bashkësia Besëlashtë veprimtarinë e vet fetare, bamirëse, arsimore, edukuese dhe shoqnore e kryen në Atdheun Pellazgjik dhe Mërgatë
4. Besëlashta âsht fe politeiste, pra me besim në shumë hyjni.
5. Besëlashta bazohet në tri lloj burimesh: nga nëntoka (arkeologji, antropologji), nga toka (etnologji, burime historike rreth religjionit tonë), dhe nga qielli (shenjat frakullare të hyjnive).
6. Besëlashta përfshin besimin e paraardhësve tanë paleolitikë dhe në veçanti në kulturën gravetiane, besimet e mëvonshme mezolitike dhe neolitike të trevave ku jetonin të parët tanë, besimin e hyksosëve, besimin e popujve të detit, besimet iliro-thrake në kuptimin e gjanë, besimet jugore pellazge që u përcollën në mitologjinë e ashtuquajtun helene, elementë të randësishëm nga fetë filozofike të platonizmit, neoplatonizmit dhe pitagorjanizmit nga ato që përshtaten me doktrinën besëlashtë, misteret antike të të parëve tanë si misteret orfike, dionysiake, të Zalmoksit, të Kabirëve, të Eleusinës, të Kalorësve, mitologjia shqiptare e trashëgueme nga paraardhësit ose dhe e krijueme më vonë
7. Në Besëlashtë përfshihet e tanë kultura shqiptare në mënyrën e kërkueme nga doktrina besëlashtë. Ndër ma të randësishmet që vlen të përmenden janë epika, e drejta dokësore, kremtet e motmotit, këndimi shumëzanësh, veshmbathja, tatuazhet, modelet e flokëve, ndërtimi, etj. Besëlashta nuk tenton të monopolizojë asnjë nga elementet e kulturës së sotme shqiptare që përmenden në këtë pikë, por megjithatë i mban pjesë të kulturës së vet fetare duke qenë se zanafilla e tyne i përket kohëve të lashta, dhe janë doke e zakone të gërshetueme ngushtë me besimin e lashtë pagan.
8. Elementet pagane që kanë mbijetu te populli shqiptar, dëshmojnë se paganizmi nuk ka vdekun, prandaj Besëlashta nuk do të kategorizohet si neopagane, por thjesht si pagane, duke qenë se besimi pagan në mënyra të ndryshme ka qenë gjallë gjatë gjithë kohës.
9. Autoriteti suprem në Bashkësinë Besëlashtë âsht Frakulli Zalmoksean, i cili interpreton shenjat frakullare zalmokseane e përmes tyne interpreton edhe vullnetin hyjnor, udhëheq bashkësinë, bën organizimin e bashkësisë në njësi territoriale në Atdhe dhe Mërgatë, përgatitjen dhe shugurimin e besarëve të rangjeve ma të ulëta ose cakton dikë tjetër që ta kryejë këtë punë në vend të tij, pranimin e besimtarëve të rinj për çka mund të caktojë mëkambës në vende të ndryshme. Në të ardhmen, detyrë e veçantë e Frakullit Zalmoksean âsht rithemelimi i mistereve të lashta, frakujve të lashtë dhe sibylave kudo që kanë qenë nëpër Atdheun Pellazgjik dhe në Mërgatë.
10. Gjuha zyrtare me të cilën besimtarët besëlashtë ushtrojnë të drejtat e tyne fetare âsht gjuha shqipe. Këtë funksion nuk mund ta ketë asnjë gjuhë tjetër. Bashkësia Besëlashtë âsht në proces të përpilimit të standardit të vet gjuhësor, i cili u shmanget veçorive dialektore dhe synon rikthim në gjuhën origjinale shqipe ashtu siç ka qenë para ndamjes së saj në dialekte.
11. Në fenë Besëlashtë mund të konvertohen vetëm shqiptarët etnikë. Kjo bazohet në besimin tonë se Besëlashta âsht fe e dërgueme në këtë botë vetëm për shqiptarët.
12. Kleri Besëlashtë renditet sipas kësaj hierarkie:
- Frakulli Zalmoksean – grada e parë, udhëheqës i përgjithshëm
- Kryebesarët – kryeklerikë që udhëheqin nga një regjion të caktuem
- Besarët – klerikë që udhëheqin celulat e bashkësisë
13. Kremtet besëlashta janë katër lloje:
- Kremtet e Mëdha – gjithsej tetë sosh, që shënojnë fillim-mbarimin e muajve 45-ditësh
- Kremtet e vogla – me të cilat nuk fillon as nuk mbaron muaji por edhe këto njâjtë, u kushtohen hyjnive të caktueme
- Kremtet frakullare – që përkujtojnë ditët kur zotat kanë dërgu shenja frakullare
- Kremtet historike – siç janë Dita e Flamurit, ditëvdekja e Skenderbeut, Besëlidhja e Lezhës etj
14. Flamuri besëlashtë ka për simbol Kulshedrën e ngulur në hu, të kthyer me kokë kah shtiza e flamurit.
15. Emblema besëlashtë âsht Diellëza me dy gjarpërinj anash. Kjo e fundit shërben edhe si logo, edhe në vulat tona, si edhe në monedhat metalike që eventualisht mund të prodhohen në të ardhmen.
16. Vula e Bashkësisë Besëlashtë âsht në trajtë rrethore dhe përveç emblemës besëlashtë do të ketë edhe mbishkrimin në pjesën e sipërme: Bashkësia Besëlashtë – Frakulli Zalmoksean. Ndërsa vulat e regjioneve të veçanta ose zyrave të caktueme do të kenë mbishkrimin “Bashkësia Besëlashtë” edhe emrin e degës së vendbanimit përkatës.
17. Organizimi, nën-ndarjet administrative dhe titullarët klerikalë
- Frakulli Zalmoksean me selinë në Prishtinë, âsht qëndra botërore e besëlashtëve, e cila drejton tërësinë e komuniteteve fetare besëlashta kudo në botë.
- Frakulli Zalmoksean cilësohet kryebesari dhe si titullari më i lartë, i plotfuqishem i komuniteteve besëlashta të kudondodhura, âsht udhëheqes shpirtëror fetar, administrativ dhe përfaqesues i ligjshëm kudo në Botë.
- Nën-ndarjet e rangut më të lartë janë Krahinat e Mëdha si në Atdheun Pellazgjik ashtu edhe në Mërgatë. Tash për tash për shkak të numrit të vogël të besimtarëve, Bashkësia Besëlashtë ka vetëm tri Krahina të Mëdha, respektivisht Dardania, Shqipëria dhe Rhaetia (Zvicëra). Në krye të një krahine të madhe qëndron një kryebesar.
- Krahinat e Mëdha ndahen në krahina të vogla të cilat u përgjigjen në plotësi kufijve të krahinave tradicionale. Edhe në krye të tyne qëndrojnë titullarët e quajtur kryebesarë.
- Krahinat e Vogla ndahen në celulat më të vogla të cilat kanë për krye një besar të rangut më të ultë.
- Për krijimin e një celule duhet të plotësohen këto kushte: duhet të ketë një besar, dhe përveç tij duhet së paku edhe tre besimtarë të tjerë, dhe vendbanimet e tyne duhet të jenë në një largësi të tillë që të kenë mundësi të takohen për një kohë më të shkurtër, mjaft që të vijnë në kremte dhe tubime me kohë dhe të kenë mundësi të kthehen me kohë në shtëpi. Për fillim celulat mund të përfshijnë teritore të gjera. Me shtimin e numrit të besimtarëve ato ndahen në dy a më shumë celula. Për këto veprime vendos Frakulli Zalmoksean me dekret të posaçëm.
- Institucione të caktueme, si p.sh. frakuj, sibylla, urdhëra misteresh, nuk i nënshtrohen këtij rregullimi administrativ, por i japin përgjegjësi drejpërdrejt Frakullit Zalmoksean, anipse ndërtesat dhe veprimtaria e tyne mund të shtrihen në territore të Krahinave të caktueme.
18. Grupimet e familjeve dhe individëve që ushtrojnë besimin fetar besëlashtë, të kudondodhura në Botë, janë pjesë e pandarë e bashkësisë fetare të komuniteteve besëlashta dhe mbajnë lidhje të drejtëpërdrejt me Frakullin Zalmoksean me seli në Prishtinë.
19. Besimtarët duhet të respektojnë hierarkinë, dhe në lëmin e fesë t'i respektojnë besarët e të gjitha rangjeve si autoritete të padiskutueshme, dhe të zbatojnë çdo urdhën të tyne në lëmin fetar, pa asnjë kundërshtim.
20. Të falunat për shpirt janë 1/12 e asaj që fiton një besimtar gjatë një kohe të cakteme (ditë, muaj ose vit). Të papunët kanë vetëm kohën e lirë dhe fuqinë punëtore, andaj nga kjo të japin 1/12 që âsht një muaj në vit punë për bashkësinë fetare. Ata që punojnë me rrogë japin 1/12 e rrogës. Pronarët e bizneseve japin 1/12 e fitimit të realizuem, 1/12 e qirasë që marrin për objektet ose tokat që i kanë lëshu me qira, 1/12 e dividendës nga aksionet, etj. Bujqtë japin 1/12 e produkteve të thata, ose kundërvlerën në monedha për produktet e lagëta. Blegtorët japin 1/12 e prodhimit të përgjithshëm blegtoral: mish, bulmet dhe shtim i gjësë së gjallë.
21. Bashkësia Besëlashtë përveç institucioneve fetare themelon edhe institucione laike që kanë qëllime tjera shoqnore si në vijim:
- Pleqnarë (për pajtim konfliktesh, ndarje të trashëgimisë dhe çashtje martesash-divorcesh)
- Kuvendet e fshatrave dhe lagjeve, që themelohen me nismën e bashkësisë besëlashtë por që u shërben interesave të komunitetit për të rregullu çashtjet e tyne të përditshme
- Rapsodët (tupantorë, valltarë, lahutarë, fyelltarë, këngëtarë etj.) që ruajnë, mbledhin dhe krijojnë opusin muzikor e koreografik besëlashtë, i mësojnë brezat e rinj dhe ua përcjellin atë trashëgimi, mbajnë këngën dhe vallen në kremtet besëlashta.
- Shkollat fetare besëlashta dhe mësuesit që mësojnë brezat e rinj.
- Flamurtarët, që merren me stërvitjen fizike, sportive dhe ushtarake të rinisë besëlashtë.
- Grupet e artistëve aplikativë: përpunuesit e tekstilit dhe rrobeve popullore, drugdhendësit, farkëtarët, argjendarët, vorbëtarët etj.
- Mjekët besëlashtë popullorë
- Shërbime ekonomike si tavernat besëlashta, shitoret, etj.
- Shërbime mësitnore për të vënë në lidhje martesore shqiptarët/shqiptaret e krahinave të ndryshme nga Atdheu dhe Mërgata
- Shoqata humanitare që ndihmojnë të varfënit me ndihma materiale, në emën të zotave tanë
22. Mjeti zyrtar për me kontaktu me Bashkësinë Besëlashtë âsht Forumi Besëlashtë Shqiptar në adresën https://zojsi.albanianforum.net/, ndërsa imaili zyrtar i Bashkësisë Besëlashtë âsht beslasht@gmail.com
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Statuti i Bashkësisë Besëlashtë
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Komunikatat e Bashkësisë Besëlashtë
» Urime nëntë-vjetori i themelimit të Bashkësisë Besëlashtë
» Kalendari Besëlashtë
» Gjeopolitika Besëlashtë
» Ligji besëlashtë?

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Theologji :: Besa e Lashtë-
Kërce tek: