FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

I PARI FORUM PAGAN SHQIPTAR NË INTERNET!!! MIRË SE VINI, REGJISTROHUNI DHE SHKËMBENI IDETË TUAJA ME BESËLASHTËT E TJERË!
 
ForumForum  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share | 
 

 Kalendari Besëlashtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Tomor
ADMIN
avatar

Numri i postimeve : 458
Join date : 17/03/2013

MesazhTitulli: Kalendari Besëlashtë   Sun 17 Mar 2013, 20:57

Shkroi: Genc Kastrati

Sistemet kalendarike të popullit shqiptar

Populli shqiptar ka patur që në kohëra të lashta një kalendar të vetin, i cili është kalendar unik në botë përkah veçoritë e tij, dhe ka qenë në përdorim vetëm nga shqiptarët. Më pas gjatë periudhave të ndryshme historike, janë adoptuar dhe kalendarë tjerë si grekë e romakë, që kanë arritur të stabilizohen si variante 'shqiptare' të atyre kalendarëve.

Pikërisht në këtë punim do të marrim përsipër, që përveç rregullimit të disa problemeve deri më tani të patrajtuara, gjithashtu të bëjmë një paraqitje sa më të qartë të këtyre kalendarëve, veçanërisht të kalendarit të lashtë shqiptar. Me një fjalë kemi qëllimin të përditësojmë të dhënat dhe njohuritë tona rreth kësaj çështje.




Kalendari i lashtë shqiptar

Kalendari i lashtë, siç po e quajmë në këtë punim, ka qenë një kalendar origjinal, të cilin populli shqiptar e ka praktikuar gjer vonë, e madje mbahet mend dhe sot. I vetmi deri më tani ka qenë studiuesi Rrok Zojzi që mori shënime nga populli për këtë kalendar . Duke qenë se Zojzi e ka publikuar njëherë, ne nuk do të ndalemi gjatë në përsëritjen e të dhënave të tij. Në këtë punim fillimisht do shqyrtojmë vendosjen e datave dhe më pas disa çështje tjera. Një kalendar i tillë tradicional, mijëravjeçar, ka vlerë të madhe nëse përgatitet në formën e tij burimore për përdorim, sepse si i tillë do të mund të ishte në dispozicionin e popullit, si një vepër e artit popullor shqiptar, madje duke qenë i njëjtë në tërë Shqipërinë do të ishte një nga elementet unifikuese të kulturës shqiptare.

Kalendari në formën siç na e jep Rrok Zojzi është si vijon: Viti është baraz me 365 ditë, të ndara kësisoj: 3 ditë janë festat për fillimin e vitit ("kryet e motmotit"), 180 ditë janë të verës, 2 ditë janë festat e mesit të vitit dhe 180 ditë janë të dimrit. Secila nga dy gjysmat e vitit (stinë) ndahet në 4 pjesë me nga 45 ditë secila, të cilët Zojzi konvencionalisht i quan muaj.

Ndërsa të dhënat që Zojzi i merr nga terreni janë të sakta, përllogaritjet e tij përkundrazi e çojnë atë në gabime gjatë përpilimit të kalendarit. Ai na jep gabim datat e festave dhe muajve. Ai fillon me Mesdimrin, i cili është më 5 shkurt, por të cilin Zojzi e vendos 45 ditë (një 'muaj') më herët, pra më 22 dhjetor. Ky gabim më pas shkon në mënyrë zingjirore me të gjitha festat dhe muajt tjerë. Festën e kryevitit apo Kryet e Motmotit që njihet edhe si Shëngjergj e vendos në ekuinoksin pranveror më 21 mars, gjë që nuk ndodh askund në asnjë krahinë shqiptare. Shëngjergji gjithmonë ka qenë më 6 maj, dhe vetëm kisha katolike në emër të reformës gregoriane e pat vendosur më 23 prill. Rrjedhimisht, vendosja e Shëngjergjit më 21 mars, duket zhvendosje shumë e madhe për të mos thënë e tepërt. Edhe tek Mark Tirta i cili ka shkruajtur gjerësisht për festat popullore, Dita e Pranverës dhe Shëngjergji dalin si dy festa të ndryshme. Pastaj me atë radhitje gabimet vazhdojnë: Shmitri apo Shmarti si fillim i dimrit vendoset më 23 shtator, por Shmitri në të vërtetë është shumë më vonë, afro 45 ditë më vonë, dhe i bie zakonisht kah fillimi i nëntorit; festa e Kerstovit apo e Shënkollit, nga ana e Rrok Zojzit vendoset më 5 nëntor, kur në të vërtetë kjo festë gjithkund tek shqiptarët kremtohet më 6 dhjetor; Dita e pranverës vendoset më 5 shkurt, kur është acari më i madh. Të njëjtën zhvendosje e pësojnë edhe muajt e vjetër 45-ditësh, pasi secili prej tyre fillon me një festë 'të vetën'.

Siç kemi rastin të shohim, gabimi fillon në rastin kur Zojzi e barazon Buzmin me mjedisin e dimnit. Që ne ta përmirësojmë këtë gabim dhe të vendosim rregullimin origjinal të kalendarit të lashtë, do të bëjmë vetëm një hap: do të luajmë datat e dhëna nga Zojzi për 45 ditë më vonë, në mënyrë që ato të kthehen në vendin e tyre. Madje edhe vetë Zojzi thotë: "Fillimi i vjetit, simbas shënimeve të mbledhuna, asht Shëngjergji ase në shkurtim Shnjergji." Dhe siç e dimë të gjithë, Shëngjergj në muajin mars nuk ka, por shumë më vonë në fillim të majit.

Kalendari siç na e jep Rrok Zojzi:



Kështu sipas radhitjes që i bëjmë ne, Buzmi mbetet më 22 dhjetor, por nga ky ndahet mjedisi i dimnit i cili vendoset më 5 shkurt, e ky është parakusht për t'i kthyer festat në datat e veta. Në këtë rast edhe emri "mjedisi i dimnit" është kuptimplotë, sepse në këtë datë ai gjendet pikërisht në midis të stinës së dimrit duke qenë 90 ditë larg nga Shmitri (mesi i vitit) dhe po aq ditë larg nga Shëngjergji (Kryet e motmotit). Për më tej japim listën e festave me datat përkatëse:

Kryet e motmotit - 6, 7, 8 maj
Festa e të korrave - 23 qershor
Festa e maleve - 7 gusht
Dita e Vjeshtës - 21 shtator
Mesi i vitit - 5, 6 nëntor
Buzmi - 22 dhjetor
Mesdimri - 5 shkurt
Dita e Pranverës - 22 mars

Me këtë datim të festave rregullohet edhe datimi i muajve, pasi këta të gjithë fillonin me një festë:

Kryet e Motmotit - muaji i parë i verës
Festa e të korrave - "Korriku"
Festa e maleve - "Djegaguri"
Dita e vjeshtës - "Vjeshta"
Mesi i vitit - muaji i parë i dimrit
Buzmi - "Brymsi"
Mesdimri - "Ngrijsi"
Dita e Pranverës - "Pranvera"

Sa i përket emrave të dy muajve që Zojzi nuk ka arritur të gjejë, ne nuk kemi asnjë të dhënë por do ishte mirë t'i gjenim emra të natyrshëm sipas një kriteri siç do t'a shohim më poshtë, emra që do t’i përgjigjeshin këtyre muajve. Kështu shohim që "Korriku" dhe "Djegaguri" të kalendarit të lashtë, kanë shërbyer si emra për muajt në kalendarin e ri (romak / 12-muajsh), duke zëvendësuar muajt latinë 'jul' dhe 'august'. Sipas këtij parimi, meqë muaji i parë i dimrit në kalendarin e lashtë ka shtrirje pjesërisht në nëntor dhe pjesërisht në dhjetor (nga tri javë secili), atëherë do ketë patur emrin e njërit prej tyre, ndonjë emër jo-kristian të gurrës shqipe. Kështu nëntori ndryshe quhej brymor, vjeshtë e tretë, britëm i tretë, ndërsa dhjetori quhej edhe dimëror. Por termi ‘brymor’ nuk mund të ketë qenë ndonjëherë emër i këtij muaji sepse do të shkaktonte konfuzion në popull, duke qenë i ngjashëm me "Brymës" që gjendet menjëherë pas tij. Termi "Vjeshtë" nuk bën sepse si muaj 45-ditësh gjendet para tij, e nuk mund të bëhen dy muaj me një emër. Britëm, mbase mund të jetë i përdorshëm, porse ky në ditët tona ka kuptimin e vjeshtës dhe është sinonim me të. Kështu na mbetet e lirë shprehja dimëror/dimnor, me të cilin në kalendarin e ri quhej dhjetori deri vonë. Tri javë të dhjetorit bëjnë pjesë në këtë 45-ditësh, prandaj emri i tij dimëror mund të ketë qenë emër i këtij 45-ditëshi, njëjtë sikurse tri javë të gushtit bëjnë pjesë në ‘djegagur’, prej nga edhe gushti e mori këtë emër shqip. Përveç kësaj ky është muaji me të cilin fillon dimri. Për muajin e parë të verës, Zojzi dyshon se mund të ketë qenë "Qershor", mundësi të cilën as ne nuk e përjashtojmë, duke qenë se qershori me afro tri javë të tij futet në muajin e parë të verës të kalendarit të lashtë. Ndoshta edhe ka ndonjë krahinë ku ruhen ende emrat e pavjelur të këtyre dy muajve (nëqoftëse nuk kanë qenë të tillë siç po i paraqesim).

Kalendari pas përmirësimeve që i bëmë dhe pas shtimit të emrave të dy muajve, siç i përmendëm më lart:



Ky kalendar ka qenë i përhapur edhe në Kosovë dhe gjurmë të tij vërehen edhe në ditët tona. Kështu dimri i ka dy pjesë karakteristike: arbain dhe hamsin. Sipas të vjetërve në fshatrat e Kosovës: arbaini është pjesa e dimrit nga 22 dhjetori deri më 4 shkurt, ndërsa hamsini nga 5 shkurti deri më 21 mars kur fillon pranvera. Emrat arbain dhe hamsin janë numërorë në gjuhën arabe. Por ndërsa emrat janë ndikim i huaj nga koha osmane, përkundrazi muajt janë pjesë e kalendarit të lashtë shqiptar. Janë po këta muaj që në vise tjera njihen si bryms dhe ngrijs. Edhe legjenda e plakës tek ne tregohet me këta dy muaj. Pjesa më e rrezikshme e dimrit janë ato tri ditë që arbaini i dha hua hamsinit, kur e ngriu plakën "me çka ka". Ai iu lut: "Arbain o vëlla, më jep tri ditë hua, t'a ngrij plakën me çka ka". Nuk po e japim legjendën e plotë meqënëse nuk ka ndonjë veçanti tjetër përveç që ndërrojnë emrat e muajve. Tri ditët e ftohta sipas legjendës janë tri ditët e para të "Ngrijsit" (hamsin). Si duket nga kjo edhe e merr emrin pasiqë pjesa e dytë e këtij muaji, më afër pranverës, njihet si kohë e ngrohjes graduale të motit.

Ka pasur tendenca që disa nga këto festa të vendosen 13 ditë më herët se që janë, në emër të reformës gregoriane. Këto tendenca janë të hershme që nga koha kur papa Gregori XIII e bëri reformën. Për këtë na informon Marin Bici më 1610:

"Tash gjatë dasmës, gjatë bisedave që i bëmë në tavolinë, unë vërejta që njerëzit aty kishin qenë të pakënaqur me korrektimin e kalendarit, përkatësisht me reduktimin e dhjetë ditëve të bëra nga Gregori XIII. Ata pohuan se ata besojnë se kjo është thjesht një kapriço dhe kishin përshtypjen që ata do të vuajnë shumë dëme dhe në veçanti humbje në të korra, të cilat që nga kohëra të lashta kishin qenë të mjafta. "

Pra siç shihet malësorët në Mirditë për të cilët flet M. Bici, nuk kanë pasur ndonjë bestytni, por kalendari i tyre ka qenë bazuar pikë së pari në dukuri astronomike të cilat fshatari i asaj kohe ka ditur t'i vëzhgojë shumë herë më mirë e më saktë se sa qytetari i ditëve tona. Po të zbatohej reforma gregoriane, fshatarët do ti bënin punët bujqësore gjithnjë disa ditë më herët, dhe kështu do të kishte pasoja në rendimente.

E vërteta është se reforma gregoriane nuk ka të bëjë asgjë me kalendarin e lashtë shqiptar por është ndërmarrë vetëm për kalendarin julian. Kjo reformë nuk e përfshin kalendarin islamik, kinez, hindus, e kuptohet që nuk e përfshin as kalendarin shqiptar. Siç thotë edhe Zojzi shqiptarët matnin kohën me anë shenjash duke shfrytëzuar diellin, prandaj ndërrimet e herë-pas-hershme i bënin vetë duke u bazuar në këto dukuri të natyrës.

Pastaj nëse ne i lozim disa data për 13 ditë më herët, atëherë ato nuk do të përfaqësojnë dukuritë e natyrës të cilat i kanë përfaqësuar deri tani. Prandaj ne mendojmë se festat duhet të mbesin ashtu siç kanë qenë në kalendarin e lashtë shqiptar, duke mos iu nënshtruar reformës së panevojshme gregoriane.

Një pamje e dy kalendarëve të vendosur paralel me njëri tjetrin, ku vërehet dallimi:



Ditët e javës, rëndom thuhet se janë shpikur në Babiloni. Java duke qenë një e katërta e muajit hënor, është dukuri astronomike e lehtë për t'u vërejtur dhe si e tillë është shpikur si njësi kohore në vende të ndryshme pavarësisht nga njëri tjetri. Deri te java është arritur lehtë. Cikli hënor prej 29 ditësh është ndarë në dy pjesë, njëra nga hëna e re tek e plota, dhe tjetra nga hëna e plotë tek hëna e re. Më pas edhe këto dy pjesë janë ndarë përgjysmë duke marrë për pikë ndarjeje gjysmëhënën. Kështu ka ardhur deri tek java shtatë ditëshe (7 x 4 = 28), që nuk përputhet plotësisht me ciklin hënor, por që është më së afërmi me të. Këto gjëra duhet të jenë kryer herët, kur nuk kishte shkrim.

Fakti se në Babiloni kishte shkrim më herët se në vende tjera nuk do të thotë se kishte edhe kalendar më herët se vendet tjera. E vërteta është se si në Babiloni ashtu edhe tek popujt tjerë semitë, ditët e javës emërtohen me numra rreshtorë. Ndërsa të vetmit popuj që emrat e ditëve të javës i emërojnë sipas planetëve apo perëndive, janë: shqiptarët, romakët, grekët antikë, keltët, gjermanikët dhe indusët. Madje në të gjithë këta kalendarë ditët e javës kanë të njëjtën radhitje dhe përputhshmëri në kuptimin e emrave mes ditëve të javës sa që duket sikur janë përkthyer nga njëra gjuhë në tjetrën.

Kështu e hëna në shqip vje nga 'hëna' pra dita që i kushtohej hënës; në latinisht 'dies lunae', në gjermanisht 'montag', në anglisht 'monday', në greqisht 'hemera Selenes'. E marta i kushtohet perëndisë së luftës (Areo-Martis-Dienstag-Tuesday), e mërkura perëndisë Mërkur (Hermeo-Mercuris-Odin-Mërkur), e enjtja perëndisë së rrufeve (Dios-Jovis-Thor-Enji), e premtja perëndeshës së bukurisë (Afrodite-Veneris-Freya-Prenda), e shtuna Saturnit (Kronou-Saturni-Saturday-Shtun), dhe e diela Diellit (Heliou-Solis-Sonntag-Sunday-Diell).

Përdorimi i parë i ditëve të javës me emra planetësh evidentohet tek dijetarët ballkanas në Aleksandri, pas pushtimeve të Lekës së Madh. Më pas Romakët hoqën dorë nga nundinet e veta (periudhë 8-ditëshe), dhe huazuan javën shtatë-ditëshe nga bota helenistike. Kjo ndodhi me futjen e kalendarit julian nga dijetari e Jul Cezarit, Sosigeni. Më pas romakët, ua shpërndanë të tjerëve javën së bashku me emrat. Gjermanët i përkthyen, pra i huazuan në formë kalkesh. Popujt neo-latinë dhe keltët poashtu i trashëguan ditët e javës nga latinishtja, si derivate fonetike . Po këta emra të ditëve të javës kanë arritur edhe në Indi në shek. I p.e.s. ku janë përkthyer në gjuhën vendëse . Kështu emërtimet e ditëve të javës nuk u morën nga babilonasit apo ndonjë popull tjetër semit, meqë siç thamë semitët i emërtonin ditët me numra. Por a janë përdorur këto emërtime ditësh nga populli iliro-shqiptar edhe më parë, para kohës helenistike apo i morën nga bota helenistike më vonë kur kishte kontakte mes popullit ilir dhe asaj bote të zhvilluar (p.sh. Pirroja gjendej sa në pallatin e Glaukut sa në Aleksandri)? Ndryshe do të pyesnim: a ishte kjo traditë e lashtë pellazgo-ilire që maqedonët me pushtimet e veta e bartën në Aleksandri, apo i shpikën vetëm pasi shkuan atje? Që ka ndikime nga koha romake kjo shihet si në emrat e ditëve (martë, mërkurë, shtunë) e ndoshta edhe tek emri "javë" si derivat fonetik nga latinishtja i fjalës "jovis", por kjo nuk vulos asgjë më shumë. Kjo çështje do një studim më të thellë, por ne vetëm do të japim disa fakte që e lënë hapur mundësinë që këto emërtime të ditëve të javës të jenë një traditë e hershme ballkanike.

Në favor të origjinës ilire të emrave të ditëve të javës flet bestytnia e fortë që kanë shqiptarët në lidhje me ditët e javës. Elsie tregon se dita e martë konsiderohej si dita më terse ndër ditët e javës, se të enjteve ishte zakon të bëheshin dasmat; dikush parapëlqente të priste thonjtë në këtë ditë por askush nuk guxonte të qepte ndonjëgjë sepse mund të verboheshin nga krijesa të mbinatyrshme. Spiro Shkurti tregon për "tri të enjte" para Shëngjergjit, dhe tri të tjera pas kësaj feste, gjatë të cilave nuk punonte askush; këto mbaheshin si ditë pushimi dhe quheshin "të enjtet e bardha"; pastaj thotë se konsideroheshin terse ato ditë jave që përmbanin shkronjën 'r' brenda emrit të tyre si p.sh. e martë, e mërkurë dhe e premte. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, kumbaria dhe vëllazërimi nuk mund të lidheshin as të martën as të premten vetëm në ditët tjera të javës . Mark Tirta citon relatorin e Papës, Kerubinin të ketë shkruar më 1638: "... në çfarëdo dite tjetër që u ndodhte ndonjë rrezik, po n'atë ditë mbanin dhe mbajnë festë, dhe thonë: në këtë ditë më ka ndodhë kjo e keqe etj; dhe kështu shumë ditë të tjera të javës i mbanin dhe i mbajnë festë si të martën, të enjten etj" . Edhe Anton Çetta ka vjelur në Drenicë një legjendë me "tri të Martet" dhe "Martin e madh", të cilët shitojnë ata që punojnë ditën e martë . Këta ishin vetëm pak shembuj që ne sollëm këtu.

Një fakt tjetër në dobi të kësaj teze, është edhe kulti i numrit shtatë tek shqiptarët, që me përhapjen dhe fuqinë e tij nuk ka mundur të mbetet i fshehtë e pa u vërejtur nga etnologët. Kështu M. Tirta përmend: Shtatë divat, shtatë vëllezërit, shtatë të urtët, shtatë-pllamë-mjekërr e tripllam-shtati, kulshedra me shtatë krerë, Floksha e rrëmbyer nga djali i ri e që nuk flet për shtatë vite, magji që bëheshin në natën e shtatë apo ditën e shtatë të një muaji, foshnja që pagëzohet ditën e shtatë pas lindjes, etj. Këto tri të fundit paraqesin edhe më shumë interes për ne, pasiqë kanë të bëjë me njësi kohore, njëra "shtatë vjet", dhe dy të tjerat me "ditën e shtatë", e cila tregon mbushjen e një jave. Kështu një pasuri kaq e madhe me tradita dhe misticizëm në lidhje me ditët e javës, si dhe kulti i përhapur i numrit 7 në popullin tonë lë të hapur mundësinë për një origjinë pellazgo-ilire (ballkanike) të emrave të ditëve të javës. Pastaj nuk është e rastit që ditët e javës kështu siç i kemi sot u paraqitën pikërisht pas pushtimeve që i kryen luftëtarët maqedonë, thrakë e ilirë.

Emrat e muajve 45-ditësh që janë ruajtur në popull, kanë këto kuptime: "Korrik", do të thotë muaji i të korrave; "Djegagur", shpjegon vapën e madhe që bëhet gjatë këtij muaji, sidomos në gjysmën e parë të tij, vapë që djeg gurin; "Vjeshta", vje nga fjala të vishtat, të vjelat; "Brymsi" nga fjala brymë; "Ngrijsi" nga ngricat; dhe "Pranvera" apo siç quhet në formën origjinale 'prendvera' (p.sh. Filip Shiroka) është "vera e Prendës", muaji i hyjneshës së dashurisë. Emri i fundit mund të shkaktojë konfuzion, pasi pranvera si kompozitë përmban fjalën 'verë', ndërkohë është periudhë që i takon stinës së dimrit. Por mendimi im është se fjala verë në këtë rast është përdorur me një kuptim të dytë, duke nënkuptuar vetëm ngrohjen graduale të motit, por nuk kemi të bëjmë ende me një verë të vërtetë e cila fillon vetëm pas Kryemotit.

Nga të dhënat e Zojzit del se i kemi tetë festa kryesore dhe disa festa të tjera më të vogla. Këto tetë festa i nxjerrim nga fakti që viti kishte tetë muaj dhe siç dëshmon Zojzi, secili fillonte e përfundonte me ndonjë festë apo me ndonjë datë të caktuar astronomike, ashtu që të parët e shqiptarëve festonin në intervale të barabarta kohore, prej 45 ditësh. Këto festa kryesore, kanë dhe një veçori se pa përjashtim janë festa kombëtare, pavarësisht se me kalimin e kohës diku u bjerrën e u harruan, ndërsa festat tjera, një pjesë e tyre janë festa që i kremton një fis i caktuar, p.sh. Shna'ndue në disa malësi të veriut, Shamsjani në Krasniqe e Nikaj etj.

Me festat ka një problem, e që është zhvendosja e tyre në data të ndryshme. Për shkak se mungonte kalendari i shkruar, mungonte një kastë priftërinjsh që do t'a mbanin gjallë kalendarin, mungonte praktika e shtimit të një dite çdo katër vjet siç është sot 29 shkurti, herë pas here festat loznin nga fenomeni që përfaqësonin. Kjo gjë rregullohej herë pas here me anë të vëzhgimit të diellit, por kur kalohej në një kalendar të pastër mekanik siç ishte kalendari i ri (romak), festa të caktuara mund të jenë ngurtësuar në një datë të gabuar dhe kanë mbetur aty deri më sot. Thuaja çdo krahinë ka një datë më vete për këto festa, e si të mos mjaftonte kjo, kanë ndërhyrë edhe fetë e ndryshme, kishat e tarikatet, duke krijuar edhe këto variantet e veta, kryesisht duke vendosur festat pagane nëpër datëlindjet e shenjtorëve. Kështu detyrë tjetër e jona në këtë shkrim është të gjejmë datat e vërteta të festave të lashta. Këtë do t'a bëjmë lehtë duke u bazuar në faktin që çdo muaj 45-ditësh fillonte e mbaronte me një festë. Ne vetëm i numërojmë nga 45 ditë nga festa në festë.

Festa kryesore në kalendarin e lashtë ishte Kryet e Motmotit apo Kryeviti, që në krishterim mori emrin Shëngjergji. Është lehtë të gjendet data sepse gjendet 45 ditë pas ditës së pranverës dhe 45 ditë para solsticit veror, siç u pa në skicat e paraqitura më lart. Kjo festë luante të njëjtin rol sikurse sot Viti i Ri. Zgjaste tri ditë, më 6, 7 dhe 8 maj. Si dukuri kryesore të Shëngjergjit po numërojmë: përrsheshi me tamël (qumësht), flijimi i qengjave, flijat në saç, dy penjtë e dredhur njëri i bardhë që shënon pastërtinë dhe tjetri i kuq që shënon shëndetin dhe forcën, larja rituale me hithra e gjethe të ndryshme, këngë e valle, etj. që ne po i përmendim jo aq për informim se sa për të përkujtuar lexuesin ngapak. Tri ditët e Kryevitit nuk bëjnë pjesë në asnjërin muaj, por ndahen veçmas dhe së bashku me 2 ditët e mesit të vitit, bëjnë 5 ditë epagomenale që i plotësojnë tetë muajt duke bërë një vit të plotë 365 ditësh.

Dyzetë e pesë ditë pas Kryevitit është solstici i verës, kur është nata më e shkurtër e vitit pra 22 qershori. Një formë origjinale e kësaj feste e mbijetuar deri në ditët tona është "festa e të korrunave" që e përmend Robert Elsie, që i bie më 22 qershor "ndërmjet Shëngjergjit dhe Mesverës". Festa është krishterizuar nga ana kishës duke marrë emrin Shën Gjon Pagëzori dhe është zhvendosur më 24 qershor. Festa tjera krishtere që mund të kenë huazuar ndonjë gjë nga kjo festë janë Shna'Ndou më 13 qershor, dhe Rrëshajët që sillen brenda qershorit, jo në datë fikse. Për Shna'Ndue malësorët e veriut bënin pelegrinazh treditor në maja malesh, kurse Rrëshajët kanë marrë emrin nga fjala shqipe rrëshajë që dmth "gjarpër i madh" (me etimologji nga fjala rrëshqas) meqenëse qershori është kohë kur gjarpërinjtë shumohen. Kjo festë siç do duhej të ishte në zanafillë, fillon në mbrëmje më 22 qershor, ashtuqë natën më të shkurtër të vitit njerëzit e presin në majë mali, duke festuar pranë zjarreve, me të ngrëna e të pira, me këngë e valle deri sa të lindë dielli të nesërmen më 23 qershor.

Më 6 gusht është Festa e Maleve apo Mesvera që quhet kështu sepse gjendet mu në mes të stinës së verës . Kjo njihet me emra të ndryshëm sipas krahinave, si: festa e Gjallicës, festa e Runës, festa e Tomorrit; është krishterizuar si festa e Shën Mërisë, dhe është islamizuar si Aligjyni ndërsa në Krujë si festa e Sari Salltëkut. Kjo festohet në data të ndryshme, 15 gushti është ndikim romak , Sari Salltëku më 22 gusht, ndërsa Aligjyni festohet më 2 gusht. Data e saktë për këtë festë siç ka qenë në zanafillë është mbrëmja e 6 gushtit ndërsa më 7 gusht është dita. Gjashtë ditë para kësaj feste dhe gjashtë pas kësaj janë 12 ditët më të nxehta të vitit, kur njerëzit frikësoheshin se janë ditë kur dalin fantazmat më tepër, apo besohej se siç merrte moti në këto 12 ditë ashtu do të merrte moti në 12 muajt e ardhshëm. Me kalendarin e sotëm këto i bien 12 ditët e para të gushtit. Kjo festë festohej gjatë natës në maja malesh, ku ndizeshin zjarre të vogla sa për të pjekur mishin, merrnin avdes te krojet, i faleshin diellit, flijonin dhi, etj. Karakteristike për këtë festë është edhe të sjellurit e masës së njerëzve përreth majës së malit për tri orë rresht në mesnatë, secili me nga një qiri në dorë, qiri i gjatë sa vetë njeriu që mbarte. Qiriu duhet të jetë zëvendësim nga ana e kishës i pishtarit që përdorej më parë në paganizëm. Kjo festë në të kaluarën u kushtohej zanave dhe ndonjë perëndie të rrufeve, pasiqë Aliu ose Shën Ilia si shenjtorë të kësaj feste, na dalin në cilësinë e perëndisë së rrufeve , ndërsa Shën Mëria i ka zënë vendin Zanës shqiptare.

Më 20 shtator (nata) dhe 21 shtator (dita) i bie festa e Vjeshtës në kalendarin e lashtë. Kjo del nga llogaria që bëhet kur masim 45 ditë nga 6 gushti. Kjo është një festë që ka bjerrur shumë, madje duke mos u përmendur në këtë datë. Është krishterizuar si dita e Shën Mërisë, duke u festuar më 21 shtator, por njihet dhe si Dita e Bletëve, meqenëse në këtë ditë bëhej shitblerja e bletëve . Mendoj se mbajtja e panairit të bletëve paraqet fazën e fundit të zhvillimit historik të kësaj feste. Zakonisht në fazën fillestare mbahet festa me karakter mjaft sakral për ndjelljen e bereqetit dhe mbarësisë, në fazën e dytë kalohet në argëtim, dhe në fazën e tretë ata që kanë për të shitur diçka shfrytëzojnë numrin e madh të njerëzve që mblidhet nëpër këto festa. Kjo vlen dhe për festa tjera, pasiqë në të kaluarën panairet mbaheshin në ditë festash . Festa e vjeshtës njihet edhe si "të vjelat", siç e përmend Zojzi.

Më 5 dhe 6 nëntor janë dy ditët e Mesit të vitit, që njihet në popull si Shmitri. Kjo ka qenë festë shumë e rëndësishme po aq sa Shëngjergji, por edhe kjo ka bjerrur shumë, duke u ruajtur shumë pak rituale. Kjo festë i kushtohej hyjnisë së kopeve, që i ruante ato nga ujqit, dhe është krishterizuar nga kisha duke i ndërruar datën më 8 tetor nga kisha katolike dhe më 24-26 tetor nga kisha ortodokse, si dhe ka patur një devijim të vogël nëpër disa krahina të Kosovës duke kaluar më 8 nëntor. Për këtë festë ktheheshin bagëtia nga bjeshka, mbilleshin pemë e trëndafila, ndërsa në shtëpi gatuheshin dollma dhe ëmbëlsira. Shmitrit i ndizej qiri që t'ua ruante kopetë nga dëmi i bishës. Dy ditët e Mesit të vitit nuk bëjnë pjesë në asnjërin muaj, por janë të ndara veç (ditë epagomenale).

Buzmi ndërkaq ishte një festë e madhe që nuk mjaftohej me një ditë. Më 22 dhjetor është dita e parë e "Brymsit", e njëkohësisht solstici dimëror, apo nata më e gjatë e vitit. Për tri ditë rresht më 22, 23 dhe 24 dhjetor, dielli ndalon zbritjen e tij në horizont, pra lind çdo ditë në të njëjtën pikë, ndërsa më 25 dhjetor është ajo që popujt e lashtë e përjetonin si "ringjallja e diellit", ndërsa në shqip si kullona apo kolendra. Më 23 bëhej agjërimi, barinjtë fusnin një guri të vogël në gojë në mëngjes dhe gjatë gjithë ditës nuk hanin as nuk pinin, deri në mbrëmje kur ktheheshin në shtëpi. Më 24 dhjetor ndizej buzmi në vatër, një cung i madh i prerë enkas për këtë festë. Buzmi festohet me flijime kafshësh, dhe një pjesë e madhe e mishit jepet lëmoshë për të varfërit e njerëzit në hall.

Për vjetërsinë e kësaj feste dëshmojnë edhe disa krahasime që i bëmë me kalendarin romak. Romakët në solsticin e dimrit festonin një festë të quajtur Brumalia, që e kishin marrë nga latinët, të cilët e quanin Bruma. Për prejardhjen e emrit Bruma ka dy mendime: i pari që thotë se vje nga 'Brum' që është një emër i Dionizit, dhe mendimi tjetër se vje nga fjala latine 'brevissima' që do të thotë 'më e shkurta', duke aluduar në ditën më të shkurtë të vitit. Mendoj se nuk është asnjëra as tjetra, së pari pse nuk ka fakte të mjaftueshme për asnjërën hipotezë, por më tepër ngjajnë me etimologji popullore, e së dyti pse alternativa më e mundshme është se latinët kanë marrë fjalën iliro-shqipe "brymë", e pasiqë nuk kishin tingullin 'y', e quajtën bruma. Të kemi parasysh që me këtë festë fillon muaji Bryms që merr emrin pikërisht nga bryma. Pastaj shqiptarët muslimanë në qytetin e Shkodrës, nuk e festonin këtë festë në solsticin e dimrit, as në ndonjë datë të caktuar por ditën e parë që binte borë (bora e parë), të cilës i këndonin:

O moj borë, borë e re,
mirë se na erdhe!
Që shkele ktu për dhe.
Edhe vendin e zbardhove,
ti e ftohtë, u e ngrohtë.

Në këtë rast nuk ka ndonjë rëndësi nëse bëhet fjalë për brymë apo për borë; që të dyja krijojnë të njëjtin peisazh të bardhë, dhe të dyjat bien gjatë dimrit. Me faktet e mësipërme shohim që ekziston lidhja kuptimore mes festës së Buzmit, reshjeve të kësaj kohe (borë / brymë), festës latine bruma dhe emrit të muajit "Bryms". Të gjitha këto tregojnë për lashtësinë dhe saktësinë e kalendarit në përgjithësi, për lashtësinë e muajit brymës në veçanti, dhe për faktin se latinët këtë festë e kanë marrë nga ilirët.

Më 4 shkurt përfundon "Brymësi", dhe më 5 shkurt fillon "Ngrijësi". Nuk përmendet në popull ndonjë festë e mirëfilltë në këtë kohë, ndoshta nga fakti se festat që 'sillnin të ftohtë' u bjerrën me kalimin e kohës. Megjithatë edhe kjo është ditë e shënuar. Siç e përmendëm më lart një legjendë u mvesh këtyre ditëve në fillim të ngrijësit, atë ngrirjen e famshme të plakës e cila e shau dimrin, pra në këto ditë i bien të ashtuquajturat "plakat"; marsi dhe prilli në këtë legjendë janë shtesa të mëvonshme pas pranimit të kalendarit julian.

Nga ana tjetër në mitologjinë shqiptare përmenden 12 netët e dhjetorit e janarit, që i bien nga 25 dhjetori e deri më 5 janar. Këto janë dymbëdhjetë netët kur sipas besimit dalin ujq-njerëzit (werewolves) nëpër rrugë. Këta dreçën u bien në qafë grave, shqetësojnë bagëtinë,.dhe fryma e tyre sjell vdekje sipas besimeve. Por për nga vetë natyra ky besim nuk i përket aspak këtyre ditëve. Sepse buzmi ka më tepër frymën e ringjalljes e të gëzimit, dhe s'kanë të bëjnë me ujq e me dreçën, e aq më pak me frymë të vdekjes e të frikës. Duket se ka patur dhe këtu zhvendosje të datave, me siguri nga kisha pasiqë të dymbëdhjetë ditët janë ditë shenjtorësh. Kjo traditë për mendimin tim, në zanafillë duhet të ketë qenë rreth 6 javë më vonë, pra në fillim të shkurtit, e kjo për këto arsye:
a) sepse fillimi i muajit shkurt është pjesa më e ftohtë e vitit, dhe ujqit janë agresivë atëherë kur është më ftohtë, prandaj pritet që ata të dalin rrugëve a në vende tjera publike më tepër në kohën e acartë,
b) sepse kur zhvendosen këto "12 ditë të ujq-njerëzve" në fillim të shkurtit, krijojnë njëfarë simetrie me 12 ditët e gushtit që i përmendëm më parë; simetria është dukuri e zakonshme në kalendarin e lashtë e cila vërehet lehtë, sepse shumica e dukurive janë simetrike duke pasur nga gjashtë muaj ndërmjet p.sh.: verë-dimër, Shëngjergj-Shmitër, "Djegagur"-"Ngrijës"; ka ngjashmëri edhe në përmbajtje: në 12 ditët e dimrit dilkan ujqit, kurse në 12 ditët e gushtit dilkan fantazmat!

Me këtë festë si duket lidhet edhe festa e krishterizuar e Shën Vlashit (3 apo 11 shkurt), që është mbrojtës i tufave të bagëtive , besim që ka lindur pikërisht për shkak të frikës së përhershme nga ujqit. Kjo lidhet edhe me punët praktike në blegtori sepse kjo është periudha kur pjellin dhentë dhe dhitë.

Një ritual që mund të ketë lidhje të vjetër me këtë festë është edhe Todorja, e cila mbahet në një të enjte në fund të shkurtit, tek shqiptarët e krishterë të Rekës së Epërme. Kjo është si të thuash antiteza e dordolecit veror. Todorja është dordoleci që ngritet në këtë rast në shtëpinë e një plake, duke përdorur shkopinj, thupra, arna rrobe etj. Ndryshe nga dorcolecat në verë, të cilët janë fëmijë që stërpiken me ujë për të ndjellur shiun, Todorja është një kukull e madhe që ngulet në borë dhe pranë saj ndizet zjarri, për të ndjellur ngrohtësinë e diellit. Nuk mendoj se është bërë për të ndjellur shi, pasiqë në këtë kohë të ftohtë më së paku ka nevojë për shi.

Për krahasim, tek keltët, madje edhe pas kristianizimit, afërsisht në këtë kohë ishte një festë që i kushtohej hyjneshës Brigida e cila kishte fuqi mbi zjarrin. Edhe kësaj i punohej një kukull me arna dhe rrobe, dhe festohej rreth datave 1 shkurt deri 7 shkurt, gjë që tregon për vjetërsinë e kësaj feste që i kanë rrënjët me siguri në lidhjet e lashta mes popullit ilir dhe proto-keltëve, diku tek Austria dhe Gjermania jugore, ku para-ardhësit e tyre të përbashkët zhvillonin kulturën e Hallshtatit.

Një festë tjetër që i përket kësaj kohe është festa e Shën Thanasit, që i bie më 31 janar. Në këtë ditë therreshin të imta ose viça. Për ne është me rëndësi që në këtë ditë ka qenë zakon të shikonin sa iu ka mbetur zahire për pjesën e dytë të dimrit. Ky zakon i fundit apriori tregon se festa në zanafillë ka qenë mesdimri, që ndan dimrin në dy pjesë, pra data fillestare e kësaj feste ka qenë 5 shkurt.

Në fund, festa e pranverës që i bie më 21 mars (nata) dhe më 22 (dita). Kjo ka pësuar zhvendosje të shumta, ndërhyrje, sinkretizime, etj. më 1 dhe 14 mars e kombinuar me Vitin e ri romak, pastaj më 25 mars, të njohura me emrat: Dita e verës, Vangjelizmoi, Sulltan Nevruzi, Dita e Zojës, etj. Edhe kjo festë në zanafillë ka qenë në datën e lart-cekur, në ekuinoksin pranveror. Kjo festë ka rëndësi të madhe në trevat mesdhetare shqiptare (Shqipëria politike, Opoja, Maqedonia, etj), ndërsa në Kosovë vetëm kanë kujdes që të mos presin drurë në këtë ditë sepse është mëkat, ndërsa nuk njihet ndonjë festim.

Për vjetërsinë e këtij kalendari flasin edhe të dhënat arkeologjike. Ndër objektet e Kulturës së Komanit është dhe një varëse bronzi nga Kështjella e Delmaces (Pukë):



Citojmë dhe përshkrimin nga libri:

"55. Varëse bronzi në trajtë rrethi me 8 rreze radiale, një verigë në formë trapezi lart dhe tri shtojca drapër hëne anash dhe poshtë, punuar me derdhje. Është gjetur në varrezën pranë Kalasë së Dalmacës. Gjatësia 5.2 cm."

Vetë pamja e objektit tregon kalendarin. Rrota të tilla ndryshe quhen rrota e kohës. Tetë rrembat e varëses tregojnë tetë festat e vitit, hapësira mes tyre shënon tetë muajt e vitit, ndërsa prania e gjysmëhënave e përforcon edhe më shumë idenë se ky objekt është paraqitje artistike e kalendarit, sepse edhe hëna përdorej për matje kohe, pavarësisht se lëvizjet e saj ndiqnin një rrugë më vete të pavarur nga kalendari diellor. Edhe një unazë bronzi poashtu e gjetur në Kështjellën e Delmaces, është e zbukuruar me një rozetë tetë-petalëshe dhe me nga një pikë mes petaleve, që mendojmë se ka të njëjtin kuptim sikurse varësja e lart-përmendur. Në përgjithësi, objektet solare dhe lunare ishin shumë të përdorura në Kulturën e Komanit.

Po japim dhe një listë të periudhave të vitit:

Kryet e Motmotit - 6-8 maj (tri ditë)
Qershor - 9 maj deri 22 qershor.
Korrik - 23 qershor deri 6 gusht
Djegagur - 7 gusht deri 20 shtator
Vjeshtë - 21 shtator deri 4 nëntor
Mesi i Vitit - 5-6 nëntor (dy ditë)
Dimror - 7 nëntor deri më 21 dhjetor
Bryms - 22 dhjetor deri më 4 shkurt
Ngrijs - 5 shkurt deri më 21 mars
Pranverë - 22 mars deri më 5 maj

Vërejtje: Gjatë këtij punimi keni vërejtur se emrat e muajve të kalendarit të lashtë i kam shkruar me shkronjë fillestare të madhe dhe i kam futur në thonjëza, me qëllim që të dallohen emrat e muajve të kalendarit të lashtë nga emrat e kalendarit të ri, si p.sh. korrik, djegagur, që janë në të dy kalendarët, si dhe pranverë e vjeshtë që janë njëkohësisht edhe stinë në kalendarin e ri.


Kalendari maqedon


Ky ishte një kalendar i maqedonëve të lashtë, që në periudhën helenistike, adoptuan strukturën e kalendarit babilonas në mbretërinë e Seleukëve , dhe strukturën e kalendarit egjiptian në mbretërinë e Ptolemejve, ndërsa ruajtën emrat e muajve maqedonë . Ai ka qenë fillimisht një kalendar i pastër diellor, një variant lokal i kalendarit të lashtë shqiptar, por gjatë shekullit IV p.e.s., tok me helenizimin sipërfaqësor të elitës maqedone, ndodhi dhe helenizimi i kalendarit, duke e futur në përdorim edhe ciklin hënor (lunar). Rrjedhimisht, ai do të kthehej në luni-solar . Ndikimi helen shihet edhe në emrat e disa muajve si ‘Artemision’ sipas hyjneshës Artemida, muaji Panemos që gjendet edhe në kalendarët e ndryshëm të poliseve helene, etj. Përshtatja me kalendarët aziatikë ka ndodhur më vonë pas pushtimeve të Lekës së Madh. Neve na interesojnë emrat e muajve, një pjesë e të cilëve gjejnë shpjegim në shqip ose me emrat e muajve të kalendarit shqiptar.

Emrat e muajve maqedonë:

Hyperberetaios
Dios
Apellaios
Audnaios
Peritios
Dystros
Xanthikos
Artemisios
Daisios
Panemos
Loos
Gorpiaios

Nga këta emra po veçojmë ata që mund të lidhen me shqipen:

Hyperberetaios është kompozitë, ku pjesa e dytë ‘beretaios’ ka lidhje etimologjike me emrin shqip britmi . Në kalendarin e ri shqiptar përdoren muajt britmi i parë (shtator), britmi i dytë (tetor) dhe britmi i tretë (nëntor). Muaji hyperberetaios i bie nga fundi i shtatorit deri në fund të tetorit.

Dios është një emër i lashtë ilir për Zeusin, duke u nisur nga fakti se varianti ‘Deipaturos’ konsiderohet tradicionalisht si emri ilir për Zeusin ‘Ati i qiellit’ . Kjo vërehet edhe tek emri Diona, gruaja e Zeusit, kulti i së cilës në Epir ishte kult shtetëror si dhe tek fakti se Dios ishte një muaj autokton në kalendarin e fisit ilir të Perrhebejve

Peritios i bie në janar-shkurt. Edhe ky është një variant i emrit britëm .

Dystros është një muaj që nuk figuron tek kalendarët grekë, prandaj mund të ketë lidhje të mundshme me shqipen ,,dyst’’ që nënkupton një rrafsh ose shesh.

Daisios (maj-qershor) është emër mjaft i përhapur ndër ilirë, ku vlen të përmenden motërzime të tij në format antroponimike Dassus, Dassius, Dazos si dhe tek etniku Dassaretae. Ai mund të përqaset me shqip. ,,dash’’. Ndoshta ka lidhje me flijimet e bëra në këtë muaj.

Loos (korrik-gusht), sipas Malte-Brun shpjegohet me emrin Lonar që e përdorin shqiptarët për korrikun në kalendarin e ri. Malte-Bruni në këtë rast gabon, pasiqë muaji lonar i shqipes vje nga greqishtja 'allonar' që dmth 'shirës' pra muaji i shirjeve, ndërsa Loos për mendimin tim do të duhej të lidhej me fjalën shqipe 'lëm', (lëmi i grurit, 'lama e grunit').

Gorpiaios (gusht-shtator), duhet të ketë lidhje me fjalën shqipe 'gjarpër', 'gjarpij'. Nga vezët e bollës çelin të vegjlit pikërisht gjatë kësaj kohe, të shtojmë dhe faktin se kulti i gjarpërit ishte i përhapur ndër parardhësit e shqiptarëve pa dallim, prandaj emri i muajit duket i përligjur kah ana kuptimore.

Malte-Brun përmend dhe një shprehje të fshatarëve maqedonë 'Krios' të cilën ai e lidh etimologjikisht me muajin shqip 'qershor'. Por edhe këtu nuk pajtohem me të, pasiqë Krios duket më afër fjalës shqipe ngrijës, për më tepër fjala shkrij rrjedh pikërisht nga -krij, duke i shtuar pjesën mohuese 'sh'.


Kalendari iliro-epirot

Ky ishte varianti iliro-epirot i kalendarit lunisolar grek. Ky kalendar përdorej në Ilirinë jugore, Epir dhe në ishullin e Korfuzit. Mekanizmi më i vjetër llogaritës i quajtur "mekanizmi i Antikytherës" nga shekulli I p.e.s. që shërbente si përllogaritës mekanik për njehësimin e kohës, i gjetur në detin Egje, punonte sipas këtij kalendari.

Lista e muajve:
1. Phoinikaios
2. Kraneios
3. Lanotropios
4. Machaneus
5. Dodekateus
6. Eukleios
7. Artemisios
8. Psydreis
9. Gameilios
10. Agrianios
11. Panamos
12. Apellaios

Në trevat ku përdorej ky kalendar, gjendej dhe tempulli i Dodonës, ku mbaheshin për çdo katër vjet lojërat sportive të quajtura Naa .


Kalendari romak (Kalendari i ri apo i sotëm)

Kalendari që ne përdorim sot është ai romak. Në bazë të evoluimit të disa emrave si april-prill dhe august-gusht, ku shihet rënia e a-së nga emrat antikë (dukuri fonetike që ka ndodhur në gjuhën shqipe), mund të thuhet se ky kalendar është përdorur nga një pjesë e shqiptarëve që nga koha romake, pa ndërprerje. Muajt e këtij kalendari kanë vetëm 28, 29, 30 apo 31 ditë. Në zanafillë kanë qenë muaj hënorë dhe zgjasnin 29.5 ditë. Ndryshimet e mëvonshme gjatë kohës antike, bënë që muajt e këtij viti të mos kenë paralelizëm të plotë me ciklin hënor, duke qenë për 1-2 ditë më të gjatë.
Muaji i parë i vitit, janari, në të kaluarën është quajtur kallnor, kallnduer, që duket se vjen nga fjala 'kalendar' . Emri kollozhek që është ruajtur pjesërisht, është huazim nga bullgarishtja. Emri kallndor është përdorur që nga koha antike.

Muaji i dytë është quajtur gjithnjë ,,fruer’’ ose ,,fror’’rrjedh nga lat. februar. Edhe ky duke gjykuar në bazë të evoluimit të emrit, duhet të jetë përdorur nga koha antike.

Muaji i katërt, prilli, rrjedh nga emri i Afroditës. Kjo hyjneshë me prejardhje pellazge me kuptimin 'afron-ditën' , tek mesapët dhe etruskët u quajt Aprodita , dhe nga kjo muaji u quajt Aprilis në latinisht . Dita e parë (1 prill) i kushtohej po kësaj hyjneshe dhe quhej Veneralia . Kjo nga ana tjetër tregon për një lidhje apo ngjashmëri mes kalendarit romak dhe kalendarit të lashtë shqiptar në kohën antike, meqenëse prilli është i vendosur tërësisht brenda periudhës kur është "Pranvera" në kalendarin e lashtë, që ne e shpjeguam se rrjedh nga emri i po të njëjtës hyjneshë (Prenda). Kjo dhe ngjashmëri tjera që i përmendëm, si p.sh ditët e ujqve në dimër dhe Luperkalia romake më 15 shkurt, Festa e Zanave më 6 gusht dhe e Dianës romake më 15 gusht, janë përkime që flasin për një zanafillë të përbashkët ballkanike të këtyre kalendarëve, ose në të kundërt për një ndikim të fortë të ilirëve mbi kulturën romake.
Muaji romak ,,jun’’, ose u shqipërua nga shqiptarët si qershor, në bazë të qershive, ose në të kundërt siç mendon Malte-Brun duhet të ketë qenë përdorur qysh më parë nga iliro-maqedonët dhe vetëm i është mbivënë si emër muajit romak.

Muaji romak ,,jul’’ tek shqiptarët u quajt korrik, sepse hynte i tëri brenda asaj periudhe, që në kalendarin e lashtë quhej "Korrik".

Muaji gusht është derivat fonetik i emrit ’’August’’. Kjo tregon që ky muaj është përdorur nga shqiptarët pa ndërprerje që nga koha e sundimit romak. Edhe këtij iu dha emri shqip ,,djegagur’’.

Muajt shtator, tetor dhe nëntor, ndryshe quhen edhe britmi i parë, britmi i dytë dhe britmi i tretë. Një formë tjetër është vjeshtë (e parë, e dytë, e tretë), e cila poashtu është huazuar nga muaji "Vjeshtë" i kalendarit të lashtë.

Tetori, nëntori dhe dhjetori, janë quajtur edhe me emra shenjtorësh: tetori - shmitri, nëntori - shëmhilli, dhjetori - shëndreu, sipas festave që mbaheshin në këta muaj nga ana e besimtarëve të krishterë.

Emërtime të tjera në shqip që janë përdorur: për dhjetorin - dimëror, për nëntorin - brymuer apo brymor, etj.

Nga kalendari romak kanë mbetur edhe festa. Kështu viti i ri romak që festohej me 1 mars, vazhdoi të festohej tek iliro-shqiptarët, por në kuadër të kalendarit julian pësoi zhvendosje për 13 ditë më vonë, e cila nuk u korrektua me rastin e reformës gregoriane. Prandaj sot në një pjesë të Shqipërisë së mesme, festohet "Dita e verës" më 14 mars, që e ka pra datën juliane të vitit të ri romak. Në këtë festë janë zhvendosur thuaja shumica e ritualeve të Kryemotit, siç janë verorja apo penjtë e dredhur me ngjyra, gjelbrimi si zbukurim i ndërtesave, etj. pasiqë edhe viti i ri romak ishte njëkohësisht fillim i vitit dhe fillim i verës. Kjo zhvendosje vërehet edhe tek rumunët , bullgarët, etj. pasiqë ka ndodhur herët gjatë sundimit romak, dhe është trashëguar tek popujt mesjetarë të gadishulit Ballkanik, por siç shihet në zonat veriore nuk ka arritur të depërtojë, pasiqë kjo festë romake nuk njihet fare, ndërsa ritualet e Kryemotit kanë mbetur në datën e vet (6 maj).

Rezyme


Në këtë punim paraqitëm para lexuesit katër kalendarë më kryesorë të përdorur nga iliro-shqiptarët në periudha të ndryshme historike. Kalendari i lashtë shqiptar është më i vjetri ndër ta, dhe që i ka mbijetuar më së miri kohës, dhe i vetmi kalendar origjinal shqiptar. Kalendari maqedon ashtu siç na ka ardhur në ditët tona përmes dokumenteve historike, ka qenë një variant maqedon i kalendarit helen, ashtuqë kalendari helen u mor për bazë ndërsa emrat e muajve ishin pjesërisht në maqedonishte. Kjo vlen edhe për kalendarin iliro-epirot. Kalendari romak u imponua gjatë sundimit shekullor romak, por siç shihet nga argumentet e stivuara më lart, kalendari romak nuk ka ndikuar aspak mbi kalendarin e lashtë shqiptar. Madje kjo shihet edhe në përdorimin e tyre paralel, si kalendari i lashtë me emra burimorë shqip (p.sh. Kryet e motmotit) dhe kalendari romak zakonisht me emra të krishterë (p.sh. Shëngjergji). Në të vërtetë kalendari i lashtë, siç vumë në dukje më lart, ka ndikuar në kalendarin e përdorur në Romën e lashtë, ashtu edhe më vonë në kalendarin romak në përdorim brenda Shqipërisë, duke i dhënë emra shqip disa muajve. Rrjedhimisht, kalendari i lashtë në formën e pastër siç është ruajtur është një pasuri e madhe e folklorit dhe qytetërimit shqiptar.

Kalendari i lashtë ka gjithashtu një shtrirje në mbarë rojet shqiptare. Ai ka të njëjtën strukturë në cilëndo krahinë. Kjo tregon që ky kalendar është element kulturor me funksion unifikues për kombin shqiptar. Për dallim nga puna e zakonshme e etnologëve që përfshin kryesisht shtjellime teorike, artikulli im që nga fillimi i punimeve i është dedikuar edhe praktikës në terren, duke u bazuar në dëshirat e shumë njerëzve për të ruajtur e vazhduar më tej traditat shqiptare.
Ndërsa kalendarët e tjerë, iliro-epirot dhe maqedon, si dhe kalendari romak me ndikime nga folklori shqiptar, paraqesin gjithashtu një pasuri kulturore të së kaluarës iliro-shqiptare, dhe të dhëna me rëndësi për shkencën e historisë.


Literatura:

1. Mark Tirta, "Mitologjia ndër shqiptarë", Tiranë, 2004
2. Rrok Zojzi, Buletini i Institutit të Shkencavet, "Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë", vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
3. Robert Elsie, "The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture",
4. Eviatar Zerubavel, "The Seven Day Circle: The History and Meaning of the Week",
5. Anton Çetta "Prozë popullore nga Drenica",
6. Xhemal Meçi "Kanuni i Lekë Dukagjinit - varianti i Pukës", Tiranë, 1997
7. Spiro Shkurti, "Tradita bujqësore të shqiptarëve",
8. Ramazan Hysa, "Fjalor i Astronomisë", 1978
9. Eqrem Çabej, "Studime gjuhësore", V, Prishtinë, 1975
10. William Woodthorpe Tarn, "The Greeks in Bactria and India",
11. L. Depuydt, "Civil calendar and lunar calendar in ancient Egypt",
12. Edward Greswell, "Origines kalendariæ Hellenicæ; or, The history of the primitive calendar among the Greeks",
13. Universiteti Oksfordit, "Calendars in Antiquity: Empires, States, and Societies",
14. Alan Edouard Samuel, "Greek and Roman Chronology: Calendars and Years in Classical Antiquity", Volume 1, Part 7,
15. Robert Hannah, "Time in Antiquity",
16. Conrad Malte-Brun, "Universal Geography, Or, A Description of All Parts of the World",
17. Nermin Vlora Falaski, "Pellazgët, ilirët, etruskët, shqiptarët", Prishtinë, 2004
18. William M. O'Neil, "Time and the Calendars",
19. W. Warde Fowler, "The Roman Festivals of the Period of the Republic"
20. Instituti i shkencavet, "Fjalor i gjuhës shqipe", Tiranë, 1954
21. Howard H. Scullard, "A History of the Roman World",
22. Kadri Halimi,"Trajtime dhe studime etnologjike",
23. Skënder Anamali, Hëna Spahiu, "Stoli arbërore",Tiranë, 1988,
24. Richard Francis Burton, "Camoens: His Life and His Lusiads" - Volumes 3-4
25. Jörg Rüpke, "The Roman Calendar from Numa to Constantine: Time, History, and the Fasti",
26. Benjamin W. Forston, Indo-European Language and Culture: An Introduction, 2011
27. Alan Edouard Samuel, "Greek and Roman Chronology: Calendars and Years in Classical Antiquity", Volume 1, Part 7
28. Carleton Coon, "The Races of Europe",
29. Aedh Rua, "Celtic Flame: An Insider's Guide to Irish Pagan Tradition",
30. Christopher R. Fee, "Gods, Heroes, & Kings : The Battle for Mythic Britain",
31. Demush Shala, "Letërsia popullore shqiptare", Prishtinë, 1974,
32. John Bell, "Bell's New Pantheon; Or, Historical Dictionary of the Gods, Demi-gods, Heroes and fabulous personages of Antiquity",
33. D. M. Murdock, "Acharya S, Christ in Egypt: The Horus-Jesus Connection",
34. Deborah L. Kopka, "Eastern Europe and Russia",
35. Mercia MacDermott, "Bulgarian Folk Customs",
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://zojsi.albanianforum.net
 
Kalendari Besëlashtë
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Besëtytni popullore
» Sajimi i Greqisë së lashtë
» Besëtytni shqiptare
» Horoskopi Maja (Maya)
» Roma e Lashtë

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Theologji :: Besa e Lashtë-
Kërce tek: