REVOLUCIONI GREK APO ARVANIT?
Përbërja etnike e Greqisë në prag të kryengritjes
Popullësia e lashtë helene që jetonte në Greqi ishte rralluar tej mase që nga triumfi i Krishterimit e më vonë përgjatë mesjetës. Pas ardhjes në pushtet të Teodosit të Madh, krishterimi u bë fe zyrtare e perandorisë. Filloi vrasja në grupe e helenëve që nuk hiqnin dorë nga paganizmi. Vetëm në një rast në stadiumin e qytetit Kavalla në Greqinë veriore u vranë 50.000 njerëz për këtë shkak. Rrrallimi i tyre u bë edhe nga dyndjet e shumta barbare, epidemitë, dhe fatkeqësitë natyrore. Gjatë dyndjeve sllave këtu u vendosën Velegizitët sllavë në Thesali, Jezeritët sllavë në Peloponez, dhe Milingët që mendohet se kanë qenë arbëreshë të shtyrë nga presioni sllav. Që nga kjo kohë arbëreshët nuk ndalen duke emigruar në Greqi, ndërsa kulminacioni arrihet në shek. XIII-XIV kur kemi të bëjmë me dyndje fisnore, ku fise në madhësi deri në mijëra njerëz vendosën nëpër territorin grek në pjesën më të madhe të ftuar nga sundimtarët vendas si stratiotë-mbrojtës të territoreve, ndërsa nën sundimin e Car Dushanit, arbëreshët që formonin reparte të posaçme të ushtrisë së Dushanit, u nxitën nga ai që të pushtonin vise të tëra në Greqi. Që nga kjo kohë arbëreshët janë popullësia shumicë e Greqisë, dhe kjo trevë do të njihet me emrin Arbëri nga ana e arbëreshëve. Më pas arbëreshët u përhapën edhe nëpër ishujt e detrave Egje dhe Jon, duke arritur madje deri në Qipro.
Në shek. 15 me ardhjen e pushtuesve osmanë, të vetmit që bënë qëndresë anti-osmane në Greqi ishin arbëreshët. Despotët bizantinë që sundonin në ato treva menjëherë binin në ujdi me osmanët për interesa të ngushta ekonomike. Më 1458 Peloponezi u pushtua nga osmanët, por qëndresa nuk u ndal asnjëherë. Në gadishullin e Manit, një vend malor, arbëreshët maniotë mbetën gjithnjë të lirë ashtu siç ishin malësitë autonome në trojet shqiptare.
Ende në fund të shek. XVIII, një autor e quan Morenë "Arbëria greke" (Albania Greca). Arbëreshët që ikën në Itali, nga zullumi turk, i kënduan atdheut të tyre jo me emrin Greqi por Arbëri.
Oj e bukura More
si kur të lash
më nuk të pash
Atje kam u zotin tat
Atje kam u zonjën mëmë
atje kam edhe tim vëlla
Oj e bukura More
Po të flas me lot në sy
Oj More, oj Arbëri
Kjo shpërngulje për në Itali, nuk ndikoi aspak në dobësimin e arbëreshëve. Ata mbetën shumicë në Greqi dhe vazhduan qëndresën në forma guerile. Ata dilnin në male ku njiheshin me emrin kleft, që në greqisht dmth hajduk dhe me emrin armatolë që do të thotë mbajtës të armëve. Kleftët e armatolët ekzistonin gjatë gjithë kohës nën sundimin turk. Në një dokument francez të vitit 1674, thuhet: "Kleftët e krahinave si këtu (në Athinë - vërejtja ime) ashtu dhe në More, janë të gjith arvanitas" dmth arbëreshë.
Gjatë sundimit turk e deri në prag të kryengritjes, përveç arvanitëve si popullësi shumicë dallohen dhe disa minoritete. Ndër ta si helenë autentikë nga periudha antike janë Cakonët në Lakoni dhe Sfakiotët në Kretë. Që të dy palët kanë prejardhje dorike dhe flasin dialekt dorik, mjaft i ndryshëm nga greqishtja që flitej gjetiu, dhe kishin ngjashmëri të padiskutueshme me arvanitët, në konstruktin dhe pamjen fizike, ndërtimin e kullave, mbajtjen e zakoneve të kanunit, gjakmarrja, besa etj. I vetmi dallim me arvanitët ishte gjuha që flisnin. Por këta ishin shumë pak dhe rrjedhimisht s'kishin thuajse asnjë rol në lëvizjet shoqërore e historike të kohës. Në pjesën veriore, në vise malore jetonin vllehët si turma blegtorësh, sidomos në Thesali ku ishin shumicë së bashku me turqit. Në malet Pinde kishte poashtu vlleh dhe njëfarë komuniteti grek, të quajtur sarakaçanë të ngjashëm me vllehët. Pos këtyre kishte dhe një kategori njerëzish që flisnin greqishten, por që nuk mund të konsiderohen as komb e as popull. Ata ishin të shpërndarë, dhe minoritet dhe nuk kishin ndonjë kauzë në fillim, por kishin rol të rëndësishëm për pozitën shoqërore që kishin. Ndër ta kishte tregtarë, priftërinj ortodoksë, si dhe një numër turqish që kishin ardhur në Greqi dhe që kishin pranuar fenë ortodokse dhe ishin bërë koxhabashë nëpër Greqi dhe e kishin përvetësuar greqishten. Ndërkaq jashtë Greqisë, në Stamboll ishte një lagje e tërë me popullësi që fliste greqishten, lagja e Fanarit, dhe banorët e saj quheshin fanariotë. Ata ishin me prejardhje të përzier, bizantinë nga mesjeta, shqiptarë, rumunë dhe nga popuj të tjerë ortodoksë, e që ishin shkrirë në identitetin grek. Kishin zënë poste të shumte e sidomos në Kishën Ortodokse dhe në sipërmarrjen e taksave në Perandorinë Osmane.
Sa i përket përbërjes fetare të arvanitëve ata tashmë në prag të kryengritjes ishin gjysma muslimanë e gjysma ortodoksë. Por tek arvanitët nuk kishte ndasi fetare ngjashëm sikur tek shqiptarët. Kështu Theodor Kollokotroni një arvanit ortodoks, dhe Ali Farmaku arvanit musliman ishin të vëllazëruar; Ali Pashë Tepelena ishte i vëllazëruar me Andruco Verushin një arvanit ortodoks. Edhe pas përçarjes fetare, kur tentuan në rastin e fundit të ribashkohen ortodoksë e muslimanë, si simbol të bashkimit planifikuan të martoheshin Mustabej Dangëlli Qafëzezi dhe Laskarina Bubulina, i pari musliman e dyta ortodokse.
Gjendja e përgjithshme në shekullin XVIII dhe në fillim të shek. XIX
Perandoria Osmane kishte një sistem feudal ushtarak, i cili i siguronte mbijetesën vetëm duke bërë luftëra, dhe duke pushtuar territoret. Me këtë sistem, ushtria vetëfurnizohej nga feudet që shteti ia jepte nga tokat e pushtuara. Në momentin që ndërpriten pushtimet, nuk ka më shpërblime për ushtrinë, prandaj bie dhe efektiviteti i ushtrisë dhe shkaktohet krizë e përgjithshme ekonomike. Kjo gjë ndodhi në shekullin XVIII, kur Perandoria në vend se të pushtonte toka të reja, filloi të pushtohej vetë nga të tjerët. Jeniçerët që deri atëherë jetonin pikërisht nga shpërblimet në feude, tashmë në mungesë të këtyre shpërblimeve filluan të shkaktonin kriza brenda shtetit. Popujt muslimanë të perandorisë, shqiptarët muslimanë dhe boshnjakët filluan diferencimin e tyre nga Perandoria, ndërsa popujt e krishterë filluan të kërkojnë autonomi e më pas pavarësi. Tërë këtë gjendje e shfrytëzonin fuqitë e mëdha, Anglia, Franca e Rusia, që kishin qëllime të ndryshme. Rusia synonte të krijonte fillimisht disa shtete të vogla ortodokse që do t'i kishte si satelitë kundër Turqisë, dhe përfundimisht të ringjallë Perandorinë Bizantine veçse tashmë me sundimtarë rusë. Bashkëngjitje e kësaj ideje ishte dhe ideja pansllaviste, që të bashkonin gjithë sllavët, dhe të sllavizonin të tjerët.
Formimi i Pashallëkut të Janinës me në krye Ali Pashë Tepelenën, në fund të shekullit XVIII u solli mjaft avantazhe arvanitëve në Greqi. Siç do të shohim, ata jo vetëm mbajtën lidhje të ngushta me Aliun, por edhe përqafuan të njëjtin program, programin e çlirimit kombëtar pa dallim feje.
Zhvillimi ngjarjeve
Ndërhyrja e parë ruse u bë më 1769. Rusia që po udhëhiqej nga caresha Katarina e Madhe, ëndërronte ringjalljen e Perandorisë Bizantine, ku sundimtar do të ishte nipi i Katarinës, Konstandini. Për të krijuar shtetet ortodokse satelite në Ballkan, filloi propaganda dhe rekrutimi. Në Greqi tek arvanitët u propagandua ideja e ringjalljes së Perandorisë bizantine. Por arvanitët i panë me sy të keq këto qëllime, sepse ata nuk donin perandori bizantine për të cilën nuk kishin asnjë kujtesë popullore. Për më tepër një shtet ortodokso-bizantin siç e donin rusët, do t'i çonte arvanitët në vëllavrasje, të krishterë kundër muslimanëve. Arvanitët të mbruajtur në frymën fisnore, nuk i shihnin dallimet fetare, dhe nuk iu interesonin ato, por donin një shtet kombëtar për të gjithë arvanitët.
Në kryengritjen e Orllovit morën pjesë shumë arvanitë, por i vetmi arvanit që iu bind propagandës ruse për të bërë përçarje fetare ishte Mitro Leka në krye të ushtarëve të tij, dhe për këtë u quajt Mitro Mara që dmth Mitro i marrë, apo budalla, ndërsa ushtarët e tij u quajtën lebesë, pra ata që lanë besën apo që tradhëtuan. Mitro filloi kryengritjen së bashku me rusët të cilët i udhëhiqte Orlovi. Kjo njihet si kryengritja e Orlovit. Mitro u bë thellësisht vegël e politikës ruse, duke plaçkitur në Atikë, Megarë dhe Eubenë jugore; i plaçkiste arvanitët muslimanë për shkak të fesë dhe ata të krishterë përse nuk i bashkangjiteshin.
Më pas më 1771 një grup prej 100 arvanitas mundën grupin e Mitro Marës, i cili vdiq një vit më vonë. Siç shihet lëvizja e Mitro Marës nuk ishte çlirimtare por ishte një tradhëti kombëtare për të mbjellur përçarje mes arvanitëve, duke nxitur njërën fe kundër tjetrës, dhe si e tillë u ndëshkua nga vetë arvanitët.
Në kryengritjen e Orllovit nuk ndërhynë drejt për drejt Osmanët. Këta dërguan çamët muslimanë nga Çamëria dhe Beqarët nga Shkodra. Çamët dhe Beqarët pasi mbytën kryengritjen e Orllovit u kthyen kundër osmanëve, i dëbuan ata nga Moreja, dhe aty vendosën një regjim shqiptar. Ata u vunë haraçe të rënda të pasurëve, si muslimanë edhe të krishterë, dhe ky ishte gabimi i tyre, sepse të dyja palët më pas u bënë bashkë kundër tyre. Njëmbëdhjetë pashallarë me ushtri njërin pas tjetrit, i dërgoi Stambolli kundër tyre dhe të njëmbëdhjetë dështuan. Më në fund pas nëntë vitesh, Sulltani dërgoi Hasan Gazi Pashën. Ky i dërgoi urdhër me anë të një letre prijësit të shqiptarëve Myrto Hamzait në qendrën e tyre në Dropullicë, që t'a lëshojnë Morenë. Myrto Hamzai i përgjigjet "plumba dhe barut kemi". Hasan Gazi Pasha u ofroi amnesti dhe ryshfete atyre që kishin marrë pjesë në kryengritjen e Orllovit nëse kthehen kundër çamëve e beqarëve, si dhe premtoi shuma të mëdha për ata që sillnin një shqiptar të vdekur ose të gjallë. Me këtë rast edhe vllehët që deri dje nuk kishin ditur tjetër vetëm të ruanin e të milnin dhentë, tash papritmas u bënë luftarakë dhe filluan të mbysnin shqiptarë, dhe ia dërgonin pashait për të marrë paratë. Një pjesë të çamëve Pashai i mundi me dredhi. U tha se do t'u jepte pagat për 10 vjet, dhe ata që shkuan hynin një nga një në kështjellë, por në korridor ishte një kapanxhe e cila posa shkilej në të hapej, dhe agallarët çamë binin poshtë nëpër shkëmbinj ku mbyteshin.
Në këtë tradhëti u përzien edhe Kollokotronët, arvanitë nga krahina e Manit. Konstandin Kollokotroni shpresoi se kështu do t'i falej pjesëmarrja në kryengritjen e Orllovit, por si ky ashtu edhe të tjerët, që të gjithë u vranë një nga një nga pashai. Amnestia kishte qenë vetëm një mashtrim për t'i përçarë shqiptarët. Pasi dërrmoi shqiptarët dhe arvanitët e Moresë, Hasan Gazi Pasha kaloi në pjesët tjera të Greqisë e deri në Maqedoni ku i merrte me të mirë të krishterët dhe bënte fushatë të egër kundër shqiptarëve muslimanë.
Pak kohë pas kryengritjes së Orllovit, rreth 1.700 arvanitë e sidomos maniotë shpërngulën në Ukrainë dhe më 1775 formojnë një njësi ushtarake të njohur si Albansko Vojsko, që dmth "ushtria shqiptare". Këta nuk u kthyen më në gadishullin Ballkanik, dhe ende sot jetojnë në Ukrainë dhe e flasin gjuhën shqipe.
Më 1787 kur Perandoria Osmane hyri në luftë me Rusinë, Ali Pashë Tepelena u fut në Janinë pa leje të Stambollit dhe e vendosi pushtetin e tij de-fakto. Një vit më vonë Stambolli u detyrua t'a njohë gjendjen faktike me një ferman. Me këtë rast filloi të vihet në jetë plani i Aliut që të krijojë një shtet shqiptar që do të përfshinte Shqipërinë jugore dhe Greqinë, të gjithë shqiptarë e arvanitë pa dallim feje. Arsyeja e këtij kufizimi brenda trevave jugore, qëndron në faktin se në veri shtrihej Pashallëku i Bushatlinjve, me të cilët Aliu përpiqej të kishte marrëdhënie të mira.
Themelimi i Pashallëkut të Janinës i dha një vrull të madh lëvizjeve çlirimtare në Greqi. Veprimtaria çlirimtare e arvanitëve zhvillohej në kuadër të zhvillimeve mbarëshqiptare dhe në marrëdhënie të ngushta me Pashallëkun e Janinës. Me dhjetëra udhëheqës arvanitë të kryengritjes kishin qenë më parë bashkëpunëtorë të Ali Pashë Tepelenës, si Odisea Andruco, Gjergj Karaiskaqi, Athanas Dhjako, Jani Gura, Varnacioti, Griva, Gardhicioti, Vangjel Zapa, Bakola, etj.
Në të njëjtin vit Kapetan Zaharia, mblodhi një kuvend të të gjithë kleftëve e armatolëve të Moresë, ku themeloi Federatën e Kapedanëve të Moresë. Kjo federatë i solli fuqi dhe me këtë filloi të sulmojë osmanët, dhe synonte të çlironte Morenë nga turqit.
Ndërhyrja e dytë ruse në Greqi, më 1790, sërish nuk u pa me sy të mirë nga arvanitët. Andruco Verushi dhe Llambro Kaçoni arvanitë ortodoksë iu bashkëngjitën ushtrisë ruse dhe ngrenë krye. Ata fillimisht rekrutuan 800 shqiptarë në territorin e sunduar nga Ali Pashë Tepelena, dhe me ta shkuan në More ku filluan kryengritjen. Ushtritë e këtyre dy arbëreshëve sulmonin turqit dhe francezët. Arvanitasit të prirë më së shumti nga maniotët, e shihnin Rusinë si një robëri të re dhe rrezik për qenien e vet, dhe më tepër përkrahnin Francën e Napoleonit, prandaj e shtypën kryengritjen e Andruco Verushit dhe Llambro Kaçonit. Edhe Federata e Kapedanëve me në krye Kapetan Zaharinë nuk i ndihmuan kësaj lëvizje. Llambro Kaçoni mori goditjen përfundimtare nga forcat e përbashkëta francezo-osmane në krahinën e Manit. Ai iku më pas në Rusi ku ngrysi jetën në një pallat që ia dhuroi Katarina e Madhe. Ndërsa Andruco Verushi në ikje e sipër ra në duart e venedikasve. Vëllami i tij, që ishte Ali Pashë Tepelena u kërkoi venedikasve që t'ia lëshojnë Andrucon se gjoja dëshiron t'a vrasë për një të keqe që ky i ka bërë, por kjo dështoi dhe venedikasit Andrucon ia dorëzuan forcave osmane, dhe vdiq më pas në burg. Të birin e tij Odisea Andrucon, Ali Pasha e mori në pallat për t'a rritur.
Edhe Ali Pasha e shihte Rusinë me dyshim. Në Çamëri në malin e Sulit jetonte fisi i suliotëve, shqiptarë ortodoksë, që e kishte vu veten si një kastë luftarake mbi fshatrat fushore përreth nga të cilat nxirrnin haraç. Bashkëpunimi i tyre me rusët dhe me francezët, e nxiti Ali Pashën që t'i sulmojë. Pas luftërave të ashpra nga 1799 e deri më 1803, ku morën pjesë edhe gratë suliote, Ali Pasha sa me forcë e sa me përçarje, arriti të marrë Sulin nën kontroll. Suliotët e mbijetuar me familjet e veta, u larguan për në Greqi, ku më vonë do të japin kontribut të madh në kryengritjen e 1821.
Ndërhyrja e tretë ruse ndodhi më 1807. Në këtë rast gjetën vllehët e Thesalisë si vegla të tyre. Këtu nuk mund të propagandonin për Perandorinë bizantine sepse vllehët që s'kishin aspak njohuri nga historia do t'i pyesnin "çka është kjo?", por rusët këtu propaganduan idenë pansllaviste. Me fjalë tjera i bindën se vllehët paskan një gjak të vetin që dallon nga të tjerët e sidomos nga turqit e shqiptarët, dhe se ky gjak qenka i njëjtë me gjakun rus dhe atë serb. Si përkrahës të këtyre ideve dolën Thimi Bllahava vllah dhe Nikocara grek, që të dy nga Thesalia. Në këtë kohë kur Thesalia po sundohej nga Ali Pashë Tepelena, këta dy në vend se të ndihmonin Aliun që ishte kthyer kundër Osmanëve, u bënë me rusët, dhe filluan krimet kundër shqiptarëve. Bllahava kishte qenë vllah, armatol i Aliut; rast i rrallë që një vllah bëhet armatol në këtë kohë, sepse vllehët në përgjithësi ishin çobanë dhe njerëz të urtë. Shqiptarët do të ishin pengesa e parë për këtë ide pansllaviste. Prandaj Bllahava lëshoi slloganin: "të bëhemi bashkë turq e të krishterë e të pastrojmë vendin nga shqiptarët". Bllahava luftonte me flamur turk, ndërsa Nikocara me flamur rus. Kundër tyre Aliu dërgoi të birin Myftar Pashën me ushtri. Bllahava u zu rob e u torturua tre muaj rresht por nuk tregoi kush qëndronte pas tij. Më në fund u ekzekutua. Por Bllahavët i shpartallon plotësisht, Gjergj Karaiskaqi, i cili vrau vëllanë e Thimit, Teodor Bllahavën dhe shpartalloi çetën e tij.
Poashtu më 1807, Ali Pashë Tepelena vendos sundimin e tij edhe në Greqi. Sanxhakun e Moresë ia lë për administrim të birit Veliut, ndërsa Sanxhakun e Lepantit që i bie Greqia kontinentale, ia lë të birit Myftarit. Qeverisja e Veliut në More hasi në kundërshtimin e Bardhuniotëve e Laliotëve muslimanë dhe Kollokotronëve ortodoksë, si dhe kundërshtimin e koxhabashëve. Por ai i shuajti të gjitha kundërshtimet me anë të diplomacisë pa vrarë asnjë njeri. Qeverisja e Veliut ishte një periudhë e artë për arvanitasit. Ai solli në More pianon e parë nga Evropa, dhe uli taksat e rënda që ishin vënë mbi popullin. Arvanitët gjithnjë e më shumë po i kthenin sytë nga Janina në vend se t'i drejtoheshin Rusisë e vendeve tjera. Por Veliu u detyrua shpejt të largohej, sepse koxhabashët turq të krishterë të cilët ai nuk i luftoi, ndërhynë tek Sulltani. U zhvendos në Larisë me ferman të Sulltanit.
Më 1809 Ali Farmaku prijësi i Laliotëve muslimanë dhe Theodor Kollokotroni prijës i maniotëve ortodoksë, bëjnë planin për çlirimin e Moresë. Sipas planit, shteti i lirë do të kishte një këshill prej 24 vetash, 12 muslimanë e 12 ortodoksë. Flamuri nga njëra anë do të kishte kryqin dhe nga ana tjetër gjysmëhënën. Kjo do të thotë se kishte një sërë përpjekjesh për të ngritur një komb pa dallime fetare.
Siç u pa, ndërhyrjet ruse në Greqi nuk u pritën mirë nga shumica e vendasve. Tash janë vetë grekët fanariotë ata që marrin përsipër t'ia hapin rrugën Rusisë për në Greqi.
Në vitin 1811 u hap një llozhë masonike në ishullin e Korfuzit me zanafillë nga Franca, dhe një vit më vonë mori emrin Grand Llozha Nacionale e Greqisë. Kjo llozhë përhapte idetë komuniste të një shkrimtari grek, Anton Kiriazi, i mbiquajtur Rega. Idetë e Regës mbështeteshin në revolucionin borgjez francez, dhe sipas tij i tërë Ballkani duhej të ngritej kundër Osmanëve dhe të pranonte sundimin grek. Që Rega ishte një bizantin tipik tregon fakti se ky në veprat e tij përdorte termin "Romej" për grekët, megjithatë ky ishte termi i zakonshëm për grekët e kësaj kohe.
Disa grekë fanariotë që ishin anëtarë të Llozhës masonike të Greqisë, në bashkëpunim me carin rus dhe duke i imituar masonët themeluan më 1814 në Odesa të Rusisë, një organizatë të fshehtë të quajtur Filiki Etheria, që dmth Shoqata Miqësore. Kjo organizatë u themelua pikërisht për të ndërhyrë Rusia në Ballkan e posaçërisht në Greqi, dhe që kjo ndërhyrje të bëhet nga grekët si ndërmjetës e jo drejt për drejt nga rusët. Krerët e shoqatës flisnin për një farë "kryetari" misterioz, që historianët mendojnë se ka qenë vetë Car Aleksandri I. Ata gjithnjë ishin të sigurtë se Rusia do të ndihmojë në kryengritjen anti-osmane. Shoqata vazhdimisht propagandonte tek të gjithë grekët dhe tek arvanitasit se duhet të kërkojnë ndihmën e Rusisë për kryengritje çlirimtare. Shoqata kishte qëllime krejt të ndryshme nga ato të arvanitëve në Greqi.
Në vitin 1818 Shoqata zhvendosi qendrën në Stamboll në lagjen e Fanarit. Po këtë vit Ali Pasha veç ishte në dijeni për ekzistencën e Filiki Etherias, dhe më pas edhe u anëtarësua ai së bashku me Odisea Andrucon dhe krerë të tjerë arvanitë.
Kur filloi të rrezikohej nga osmanët, Ali Pasha filloi të bëjë edhe atentate në Stamboll për të eliminuar kundërshtarët e vet. Por nuk pati sukses.
Duke ditur qëllimet e shoqatës, që binin në kundërshtim me planin e tij, dhe duke dashur që të heqë qafe rrezikun osman duke i ndërzyer ata kundër eteristëve, Ali Pasha më 1820 lajmëroi Stambollin për ekzistencën dhe qëllimet e shoqatës, duke shpresuar se vetë Stambolli do t'i qërojë hesapet me ta. Por për Perandorinë Osmane armiku kryesor mbetej vetëm Ali Pashë Tepelena, kështuqë vërejtjes së tij nuk ia vunë veshin. Filiki Etheria kishte ndikim shumë më të madh tek Sulltani përmes Halet Efendiut i cili ishte këshilltari më i afërt i Sulltanit dhe njëkohësisht agjent i shoqatës.
Në pranverën e vitit 1820 marrëdhëniet mes Janinës dhe Stambollit u ngrinë. Ali Pasha tash u mundua që të bindë popujt e Ballkanit dhe rusët që të bëjnë një kryengritje të përgjithshme kundër Osmanëve. Por nuk pati rezultate të mira.
Më 23 maj 1820, Aliu mbajti një kuvend me të gjithë krerët e pashallëkut, shqiptarë e arvanitë. Ai u kërkoi që të luftojnë së bashku kundër turqve dhe se pas çlirimit, do të krijojë një shtet shqiptar ndërsa Morea dhe Greqia qendrore do të ishin një krahinë autonome brenda pashallëkut. Veç kësaj themeluan "Këshillin e Kapedanëve të Rumelisë" me në krye Odisea Andrucon.
Në qershor ushtritë turke nën komandën e Ismail Pasho beut, filluan fushatën kundër Aliut, dhe në korrik u gjendën në Janinë, përballë dy fortesave të Aliut ku kishin mbetur edhe 5.000 luftëtarë besnikë. Pak më parë Omer Bej Vrioni, komandant i ushtrive të Aliut ndonëse kishte pozita mjaft të mira, dezertoi dhe kaloi në anën e osmanëve. Ali Pasha përdori artilerinë kundër turqve, por edhe mashtrimet. Kështu Odisea Andruco u bë gjoja se kaloi në anën e osmanëve, mirëpo aty përmes propagandave dhe mashtrimeve arriti të shkaktojë grindje mes osmanëve, të cilat rezultuan në dezertime të shumta. Por ky ishte sukses i vogël. Flota e pashallëkut në Prevezë, me tradhëtinë e grekëve fanariotë iu dorëzua osmanëve. Edhe bijtë e Aliut dezertuan dhe kështu në nëndor mbeti vetëm Aliu me gardën e tij i rrethuar në kështjellën e Janinës.
Në vjeshtë të vitit 1820, Filiki Etheria krijoi një organ prej 7 vetash, të quajtur "Eforët" të cilët themeluan edhe një si lloj arke shtetërore. Kjo mbështetej nga taksa, tatime e kontribute tjera, që ishin të njëjtat me ato të pushtetit turk. Kështu dalë nga dalë forcat anti-kombëtare po merrnin në dorë fuqinë dhe pushtetin.
Më 4 dhjetor 1820, Suliotët që deri dje kishin qenë armiq të Aliut, tash kaluan në anën e tij. Pas 17 vitesh ata u kthyen në atdhe me familjet e veta. Suliotët filluan sulmet kundër osmanëve dhe që nga kjo kohë u bënë propaganduesit më të mëdhenj të idesë së Ali Pashës, për krijimin e një shteti shqiptar në mbarë Toskërinë gjer tek skajet e gadishullit të Moresë. Ata hynë në bisedime edhe me arvanitë të tjerë, për të përgatitur një kuvend të ardhshëm. Patriarku ortodoks Grigor, lëshoi dy mallkime kundër suliotëve, njërën më 24 dhjetor 1820, dhe tjetrën më 4 janar 1821, për shkak se siç thuhej po bënin sakrilegj duke bashkëpunuar me muslimanët.
Më 15 janar 1821, gjersa Aliu ishte nën rrethim, arvanitët e mbajtën kuvendin, ku lidhën Aleancën Kombëtare mes arvanitëve muslimanë e ortodoksë. Në këtë rast edhe vuloset marrëveshja siç u tha: "Ai që bëhet i pabesë dhe mohon betimin do të jetë jashtë dinit - islamit, dhe do të shpallet jahudi. As nga ne të krishterët asnjëri të mos jetë mohues i Krishtit".
Që në fillim 7.000 arvanitë kapën armët duke luftuar si ushtarë të Ali Pashës, pavarësisht se ai ishte i rrethuar. Populli shumë shpejt u ngrit kundër sundimit osman, pikërisht pse e dinte se Aliu qëndron prapa trazirave.
Por kjo aleancë mes arvanitëve ishte halë në sy tek fanatikët e të dyja feve: krahu fanatik i krishterë, që kishte burimin tek Filiki Etheria e grekët fanariotë, tek Rusia, Franca, Anglia, kisha ortodokse, koxhabashët turq të krishterë, dhe në anën tjetër krahu fanatik musliman, që përfaqësohej nga osmanët, kleri sunit, kleri bektashi dhe nga Omer Bej Vrioni, i cili pas tradhëtisë ndaj Ali Pashës ndoqi rrymën muslimano-fanatike.
Por më 25 mars në Patra, në kryesinë e peshkopit ortodoks Jermanos, u mbajt një kuvend i dytë, për të shpallur kryengritjen.
Shtrohet pyetja se çfarë u nevojit një kryengritje e dytë, kur ishte një më parë?
Forcat kristiano-fanatike, vazhdimisht kërkonin të shkaktonin përçarje mes arvanitëve, sepse donin një Greqi pa shqiptarë, dhe pa muslimanë, dhe kjo shpallje e dytë e kryengritjes ishte një nga hapat e tyre në këtë drejtim. Nga ana tjetër kleri musliman i nxitur nga Stambolli zyrtar, bënte thirrje për luftë për "lavdinë e Muhamedit". Këtu nuk qëndruan duarkryq as bektashitë. Në një rast takohet Odisea Andruco me një dervish: Ku shkon - e pyet Odisea në gjuhën shqipe.
- Po shkoj të vras armiqtë e Muhamedit.
Një arvanit musliman, që qëlloi afër Odiseut, i quajtur Mustafa, hidhet dhe e vret dervishin.
Në një rast tjetër për arsye të ngjashme, Odisea Andruco e kishte murosur një prift të gjallë në mur, jo vetëm për propagandën që bënte por edhe për ndihmën e tij dhënë turqve që të digjnin një grup shqiptarësh të gjallë brenda në kishë. Kështu secila palë vriste klerikët fanatikë të fesë së vet, në mënyrë që të mos shkaktohej përçarje.
Ndërsa forcat kombëtare po bënin luftë kundër pushtimit osman pa dallime fetare, forcat eteriste të mbështetura kryesisht nga grekë, filluan masakrimin e arbëreshëve muslimanë.
Më 25 prill, arvanitët të prirë nga Athanas Dhjako, ish-bashkëpunëtor i Ali pashës, zaptuan Livadhjen, dhe ngulën në Termopile. Nga veriu erdhën forcat osmane nën Omer Bej Vrionin. Që të dy prijësit ishin shqiptarë, njëri musliman e tjetri ortodoks. Në Termopile u takuan 1.500 kryengritës, me 8.000 osmanë. Pas luftimeve të ashpra, Athanas Dhjako u plagos rëndë, më pas e ngulën në hu dhe e dogjën në zjarr. Forcat kryengritëse humbën, ndërsa Omer Bej Vrioni depërtoi deri në Athinë më 5 maj 1821.
Më 24 maj, Qehaja i Hurshid Pashës, Ahmet Beu, me 1200 kalorës, dy topa dhe me këmbësorë shqiptarë, rrethoi fortifikatën e Valtecit, por fitorja ishte e kryengritësve. Më 5 gusht u mor edhe Monemvasia, dhe kryengritësit vazhduan të korrin fitore.
Më 1 qershor kryengritja kaloi në Greqinë perëndimore. Qyteti i parë që u shpall i lirë ishte Mesolongji. Popullësia muslimane duke përfshirë dhe arbëreshët u masakrua dhe u robërua.
Në tetor të vitit 1821, u bë masakër mbi popullësinë muslimane në Dropullicë.
Në nëntor Tahir Abazi i ftuar nga Mavrokordati, shkon që të vizitojë vendet e çliruara. Mavrokordati, që ishte dhe kundërshtari kryesor i forcave kombëtare, e mendonte Tahir Abazin si një njeri të lehtë për t'u manipuluar. Tahir Abazi posa të kalojë Çamërinë, hyn në Akarnani dhe Etoli, gjen xhami të rrënuara, kufoma muslimanësh të pavarrosura, familjet muslimane të skllavëruara. E kishte parë se kryengritja po kalonte në duar tjera, në duart e atyre që s'kishin asnjë lidhje me trollin e Greqisë, në duart e të huajve grekë fanariotë, të cilët qëmoti e sidomos tash gjatë kryengritjes shfrytëzuan rastin të zënë poste e të ushtrojnë forcën e pushtetin në Greqi.
Atëherë u kthye në Shqipëri dhe u tregoi se si po rrjedhin gjërat. Muslimanët shqiptarë çdoherë e më tepër, të zhgënjyer nga tradhëtia e të krishterëve, po i jepnin të drejtë linjës së Omer Vrionit, që në realitet përbënte krahun tjetër të përçarjes ndër-fetare. Përballë kësaj përçarje, mbetën të ekspozuar suliotët, dhe shumë krerë të kryengritjes si Andruco, Karaiskaqi, por edhe shumë arvanitë muslimanë. Kjo palë që ndiqte idenë e Aliut për një shtet kombëtar, mbeti pa asnjë mbështetje dhe u luftua trefish:
1. Nga të krishterët fanatikë sepse këta nuk donin lidhje me arvanitë muslimanë.
2. Nga muslimanët fanatikë, sepse këta nuk donin lidhje me të krishterë
3. Dhe nga Osmanët, sepse krahu që ndiqte idenë e Aliut nuk e donte pushtetin osman
Më 5 shkurt 1822, u vra Ali Pasha me tradhëti. Pastaj u vranë edhe djemtë e tij, pavarësisht se këta kishin kaluar në anën e sulltanit. Rënia e Pashallëkut të Janinës, u solli disavantazh forcave kombëtare në Greqi, ndërsa me këtë rast përfituan forcat anti-kombëtare. Në njërën anë Omer Bej Vrioni, nxiste muslimanët kundër të krishterëve, dhe në anën tjetër eteristët nxisnin të krishterët kundër muslimanëve.
Në periudhën e parë nga viti 1821 deri më 1825, kryengritësit mbajtën pozicionet kryesore që kishin në Peloponez dhe ishuj, dhe me anë sulmesh pirate luftonin flotën osmane në det.
Në dhjetor të vitit 1821, u mbajt një kuvend, ku Mavrokordati me fanariotët e tij krijuan një qeveri me në krye Kunturiotin. Kjo qeveri nuk u respektua nga Kollokotronët dhe pasuesit e tij arvanitë. Këta mbajtën një kuvend tjetër poashtu në dhjetor, dhe Kollokotroni u zgjodh udhëheqës. Qeveria e Mavrokordatit, për t'ia ulur fuqinë, ia hoqi komandën ushtarake që Kollokotroni e kishte pasur deri atëherë. Kollokotroni reagoi duke kidnapuar disa anëtarë të qeverisë së fanariotëve.
Gjatë kësaj kohe Odisea Andruco vazhdimisht i bënte presion Theodor Kollokotronit që të fillonin me eliminimin e koxhabashëve, fanariotëve, dhe përçarësve të tjerë. Por Kollokotroni nuk u bind për këtë dhe e qorton: "Edhe ti vetëm tek ata e ke mendjen. Lëri se do të shuhen vetë"
Mirëpo, krahu fanariot mund të siguronte fitoren kur pranoi ndihmën britanike më 1824. Nga ana tjetër për të forcuar "Aleancën kombëtare" meqë deri tani kishte shkuar më së keqi, Odisea Andruco më 1824 shkon në Egjipt dhe i kërkon ndihmë Mehmet Ali Pashës, sundimtari shqiptar i Egjiptit. Por Mehmet Aliu nuk ishte i gatuar me nacionalizëm, dhe aspirata e tij ishte që të krijojë një shtet të fortë, një pasardhës të Perandorisë Osmane. Më pas me nxitjen e Karaiskaqit, Odisea shkoi tek Omer Pasha i Karistit. Ky ishte një pasha arvanit që sundonte në ishullin e Eubesë në krye të arvanitëve muslimanë të ishullit. Omeri i premtoi deri në 600 këmbësorë dhe kalorës arvanitas. Por këto takime të tij me shqiptarët muslimanë, u konsideruan si "bashkëpunim me turqit". Akuzën e drejtoi Jani Koleci, një vllah i bërë grek, pjesëtar i forcave kristiano-fanatike. Në vitin 1825, kur qeveria e bëri të qartë se e ka mendjen t'a eliminojë Odisean, ai mori familjen dhe u fsheh në një shpellë. Karaiskaqi i dërgoi letër:
"Arushat fshehen në shpellë e jo luajt, o biri i Andrucos. Duhet t'a përballojmë këtë lëvizje, dhe aty ku pushka jote është e para, e dyta do të jetë e imja". Pra Karaiskaqi po i fliste qartë Odiseas për një puç ushtarak kundër qeverisë anti-kombëtare.
Por Odisea së shpejti u arrestua, dhe më 5 qershor 1825, u ekzekutua nga Jani Gura, një arvanit ortodoks, i cili tri vite më parë kishte udhëhequr masakrën e arvanitëve muslimanë në Salonë të Fokidës, në Greqinë e mesme. Kështu përfundoi prijësi kryesor i lëvizjes kombëtare në Greqi. Veprimtarinë e tij e vazhdoi Gjergj Karaiskaqi.
Në shkurt të vitit 1825, Osmanët të ndihmuar edhe nga Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, sulmuan Greqinë. Në prill ra Misolongji dhe në qershor ra Athina. Në prill 1826, me protokollin e Shën Petersburgut, Greqia fitoi statusin e shtetit autonom. Greqia u ndihmua edhe nga fuqitë perëndimore, për shkak të filohelenizmit që mbretëronte atje. Elita e fuqive të mëdha, ishte edukuar në kulturën klasike, dhe në Greqinë moderne ata e shihnin atë Greqinë antike që kishte nxjerrë filozofë e poetë.
Po në këtë vit pas rënies së Misolongjit, qeveria e Kunturiotit, u zëvendësua nga qeveria e Andrea Zajmit. Edhe për këtë qeveri Theodor Kollokotroni i panënshtruar mbetej problem. Më 1827, u mbajt një kuvend tjetër, ku kryetar u zgjodh Kapodistria, një arvanit nga Korfuzi. Kuvendi zgjodhi si komandantë të ushtrisë dy britanikë filo-helen, Kokrenin që e bënë admiral dhe Çerçin gjeneral. Kështu u hoq Mjauli admirali i deriatëhershëm arvanit dhe u vendos një britanik.
Karaiskaqi mori udhëheqjen që të çlironte Greqinë kontinentale që ende po mbahej e zaptuar nga Mehmet Reshid Pasha. Për një kohë të shkurtër e tërë Greqia e mesme ra në duar të kryengritësve, dhe Reshid Pasha mbeti i rrethuar së bashku me 300 ushtarët e tij shqiptarë në Manastirin e Shën Spiridonit. Që në sukseset e tij të para, Karaiskaqi, u duk i rrezikshëm në sytë e britanikëve dhe forcave anti-kombëtare. Ishte i rrezikshëm jo vetëm për aftësitë por veçanërisht për idetë e tij, se ai vazhdimisht e kishte ndjekur planin e Ali Pashës.
Karaiskaqit iu dha urdhëri nga admirali britanik Kokreni që të bëjë sulm të furishëm në manastir duke masakruar gjithë shqiptarët që ishin aty. Por Karaiskaqi bje në kontakt me të rrethuarit dhe merren vesh që shqiptarët të dalin nga manastiri dy nga dy. Ngjarja shkoi në rregull deri në fund, kur një i krishterë u përpoq t'i merrte pushkën një gegu (shqiptar nga veriu). Kjo ka qenë një provokim i qëllimtë i planifikuar nga ana e qeverisë dhe britanikëve, me qëllim që të shkaktohet një luftë, dhe aty mundësisht të vritet dhe Karaiskaqi. Shqiptari duke kundërshtuar kthen pushkën dhe e plagos të krishterin. Pa pritur urdhër nga askush, nga të dyja palët fillojnë gjuajtje. Karaiskaqi në këtë moment ngritet që të ndërmjetësojë, ndërsa dikush nga trupat e tij pas gjitha gjasave i paguar e porositur nga qeveritarët, tenton të shtijë në Karaiskaqin. Për një moment të gjithë shqiptarët muslimanë rrethojnë Karaiskaqin dhe bëhen mur që t'a mbrojnë, dhe kështu kësaj radhe shpëton nga atentati i planifikuar. Pas pak kohësh vijnë njerëz nga gjenerali Çerçi që e akuzojnë për masakrën e muslimanëve. Karaiskaqi i tensionuar nga ngjarjet i tha: "Thuaji atij që të dërgoi se unë e bëra, dhe nuk i jap llogari askujt".
Megjithatë Karaiskaqi u plagos për vdekje më 23 prill po këtë vit, dhe ndërsa Kiço Xhavella, një suliot po e barte në krah, ai thotë: "Më plagosën. E di shkakun dhe nëse jetoj do të marrim hak".
Gjatë kësaj kohe, grekët fanariotë dhe koxhabashët, filluan të zaptonin tokat e zbrazura, në atë mënyrë që secili prej tyre hipte në një kodër dhe sa i shihte syri bëhej tokë e tij. Arvanitëve nuk iu nda asnjë copë tokë.
Më 1830 Rusia, Franca dhe Anglia me marrëveshje ndërkombëtare njohën Greqinë si shtet të pavarur. Më 1831 Kapodistria u vra, nga vëllai i Petrobej Mavromihalit prijësit të maniotëve, sepse e kishte arrestuar këtë të fundit, dhe kjo u pa si çështje nderi. Këtë gjendje e shfrytëzuan fuqitë e mëdha dhe sollën në fronin e Greqisë, princin bavar Oto. Se sa ishte e ndikuar Greqia nga fuqitë e mëdha shihet në partitë që u krijuan në këtë kohë: partia angleze, partia franceze dhe partia ruse.
Fundi tragjik i arvanitëve
Me pavarësimin e Greqisë, pushtetin e morën grekët fanariotë dhe koxhabashët, dhe mbi këta ushtronin ndikim Rusia, Franca e Anglia. Ushtria filloi të përbëhej vetëm nga grekë, ndërsa arvanitët u përjashtuan. Herojtë e kryengritjes që ishin në shumicë dërmuese arvanitë, disa u vranë, të tjerë që kishin rënë dëshmorë vajtoheshin si martirë të krishterimit ndërsa ata që mbetën gjallë u katandisën si mos më keq pa asnjë para. Të vejat dhe jetimët e dëshmorëve jetonin duke lypur rrugëve. Një pjesë e madhe e tyre ikën për në Perandorinë Osmane, kundër së cilës deri atëherë kishin luftuar. Më në fund një pjesë e luftëtarëve të kryengritjes dolën kleftë nëpër male ashtu siç kishin qenë në kohën e sundimit Osman.
Shteti grek këto dy shekujt e fundit zhvilloi një propagandë të egër kundër arvanitëve, ndaloi shkollat shqipe, dhe solli në Greqi popullësi tjera ortodokse jo-shqiptare, dhe kështu pjesa dërmuese e arvanitëve u asimiluan në grekë.
Edhe më pas u shfaqën veprime kundërshtuese ndaj shtetit artificial grek, si nga ana e shqiptarëve edhe e arvanitëve. Më 1834 u zhvillua një kryengritje nga maniotët, e cila u shtyp nga forcat gjermane. Kryengritja e Zenel Gjolekës që filloi më 1848 në jug të Shqipërisë kundër Osmanëve, u sponzorizua edhe nga arvanitët, dhe trupat e Zenel Gjolekës kalonin nëpër tërë Greqinë e mesme të pashqetësuara nga askush, e të bashkuara me kleftët arvanitë që ishin ngritur kundër sistemit.
Ende në vitin 1854 një lëvizje e drejtuar nga Dhimitër Karaiskaqi i biri i Gjergjit, u mundua të marrë pushtetin me puç ushtarak pastaj të çlirojë trojet shqiptare dhe të bashkojë me Greqinë, mirëpo dështoi. Kjo lëvizje u drejtua nga arvanitë të pastër, që synonin bashkimin edhe njëherë të kombit shqiptar nga Bosna e Hercegovina e deri në Peloponez.
Përfundim
Kryengritja e vitit 1821 në Greqi nuk ishte kryengritje nacional-çlirimtare. Ajo filloi si një lëvizje nacional-çlirimtare, e prirë nga krerët arvanitë dhe Ali Pashë Tepelena, dhe zhvillohej në kuadër të zhvillimeve mbarëshqiptare.
Pjesëtarët kryesorë të kryengritjes nga 100 sa ishin, 90 prej tyre ishin arvanitë. Shumica prej tyre si Odisea Andruco, Gjergj Karaiskaqi, Athanas Dhjako kishin qenë në shërbim të Ali Pashës, dhe i kishin mbështetur idetë e tij.
Mirëpo kjo gjë nuk u pëlqeu fuqive të mëdha prandaj ndërhynë për përçarje. Rusia donte një Greqi ortodokse, prandaj i konvenonte përçarja fetare. Anglia, Franca, e fuqi tjera evropiane, donin një Greqi antike, siç kishte qenë dikur, prandaj ju nevojitej një përçarje mes arvanitëve në jug dhe shqiptarëve në veri, ashtu sikurse në kohën antike populli ilir ishte i ndarë nga ai grek, në po të njëjtit kufi. Veç kësaj iu nevojitej një popull grek safi, që flet greqisht, e për këtë duhej të asimilonin arvanitët, sikundër edhe ndodhi gjatë dy shekujve të kaluar. Edhe fakti se Perandoria Osmane saherë donte të shtypte kryengritjet arvanite, dërgonte atje njësite ushtarake me shqiptarë muslimanë, tregon se edhe kjo perandori pati si qëllim përçarjen mes shqiptarëve në baza fetare, sepse shqiptarët muslimanë në sytë e arvanitëve, dashur pa dashur, u shëndrruan në simbol të robërisë.
Kështu me ndërhyrjen e fuqive të mëdha, Rusisë, Francës, Britanisë, Perandorisë Osmane, dhe me ndërhyrjen e dy klereve, atij musliman dhe ortodoks, kryengritja mori një kahje krejt tjetër, dhe ndodhi përçarja mes arvanitëve që solli deri te tragjedia kombëtare. Me marrjen e pushtetit nga forcat e huaja, grekë fanariotë dhe agjentë të fuqive të mëdha, pra me krijimin e shtetit grek, arvanitët pësuan një fund tragjik, dhe nga një milionë sa ishin në atë kohë, po aq kanë mbetur dhe sod, në mos më pak, si pasojë e vrasjeve dhe asimilimit.
(autor Genc Kastrati)