|
| Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:06 | |
| Kanuni i Lekë Dukagjinit (varianti i Pukës)
RENDI SHOQËROR
1.FAMILJA
Kreu I
Fisi NENI 1. Gjak e fis Gjak e fis janë të gjithë ata që brez mbas brezi i përkasin nji katragjyshi prej kohësh që s'mbahen mend. Prej Bjeshkëve të Namuna e deri te brigjet e Fanit, Kanuja njeh 12 fise të Lekë Dukagjinit: Hotin, Morinën (Orosh, Spaç, Kuzhnen), Kabashin, Gashin, Dukagjinin (Shala e Shoshi), Kelmendin, Krasniqen, Thaçin, Gruden, Berishën, Shkrelin, Bytyçin. Me këtë rend zanë vend në prije e Kuvend, në ndeje e sofër, në kuvendet ndërkrahinore, në festa, në dasma e morte. Me u shkel ky rend, do të peshohet e të gjykohet me pleq. I rami në faj lan gjobën. NENI 2. Vllaznia e fisit Çdo fis ka degt e veta të dalun prej katragjyshit të vet. Të fisit të Kabashit janë të dalun prej Lekë Kolojës; të Thaçit prej Gjeç Gjonajt, të Berishës prej Kojel Berishës, të Kçirës prej Karakols Zi. Degët e fisit janë vllaznit e fisit. Të Kabashit janë: Koklekajt, Qaflekajt, Lushlekajt, e Hadërlekajt. Të Thaçit janë: Buçgjeçajt, Dodgjeçajt, Geggjeçajt e Pregjeçajt. Të Berishës janë: Deskajt, Doçajt, Tetajt e Marojt. Të Kçirës janë: Lekajt, Palajt, Dodajt e Nikajt. Me pri ka të drejt vllaznija e vllajt të madh. Vllaznit dahen në vllazni të vogla, në kushrini. Kushrijt bahen prej shpish të dame nji zjarmi. Rendi i vllaznive asht tagër Kanuje si për fiset. NENI 3. Brezat në fis e vllazni Brezat në fis e vllazni vin me radhë prej katragjyshi e babgjyshi. “Katërqind brezash” me shkue fisi e vllaznija e “katërqind” zjarmesh me u da e me u shpërnda te len e prendon fis e gjak jesin për jetë ndër veti. Brezat numrohen prej babe e babgjyshi djalë mbas djali. Brezat për babe janë të caranit. NENI 4. Bijat në gjini Bijat s'lan breza. Ato lanë gjininë bi mbas bije e nip mbas nipi. Nip e mbesë bijash janë ai varg djemsh e çikash që dalin prej bijash, të martueme në fise tjera. Shpitë e fisit numrohen për zot shpije. Të zot t'e shpive janë pjesëtarët e fisit. Pjesëtarët e fisit kushdo qofshin pleq a kren, sterpleq a vogjli, në katund e fis janë të barabartë në të drejta e detyra. NENI 5. Fisi bahet me tym për shpi në një katund a në disa katunde si fis i vetëm a i përziem me fise të tjera. Shpitë e fisit numrohen për zot shpije. Të zot e shpive janë pjesëtarë fisi. Në fis janë barabarë: si kren, si pleq, si vegjli. U largue kush jashta fisit, pjestar fisit jet brez mbas brezi, kurdo që të kthehet. Shiti tokë e truell, ujë e mulli e u largue, pjesë ma në bashkari të katundit e fisit nuk ka, veç të drejtë zani e Kuvendi, besëlidhjeje e djelmnie, sa herë të vinë si shoq a për raste lufte. NENI 6. Anëtarët e fisit Anëtarë të fisit janë gjithë burrnimi i fisit ”në 7 e 70”. Antarët e fisit kanë të drejtë të hyjnë në djelmninë e fisit dhe ku do që të jenë, t'i dalin zot fisit të vet. Mos me i dal kush zot fisit të vet me fjalë e me armë, do të japin arsye para fisit. Edhe mos me mbet fajtorë, me marre jesin. ”I ktheve shpinën fisit tand, vend ma ndër burra s'ke”. NENI 7. Të fisit janë gjithë granimi: çikë e bi. Kudo qofshin kanë të drejtë me diftue e me u krenue për fisin e vet dhe me ju gjet krah. Bija fisnike ka detyrë ndere me i mbajt krah fisit të vet edhe kur bje ndesh me fisin e burrit të saj. Burrnimit të fisit të vet, çikat e bijat kanë detyrë mu thanë e me i kqyrë për vlla. Fisi i tyne, sado larg qoft në breza e dhena, ka detyrë ndere me u thirrë e me i kqyrë për motra. Bani e u kthej shpinën, jet me marre para fisit të vet e fisesh tjera. Kreu II
Shtëpia (Familja) NENI 8. Shpija Shpi janë gjindja me lidhje gjaku që kanë për kulm nji zot shpije e çelen mbas fjalës së tij. Shpija asht e nji kulmi edhe pse ka kullë e shpi, ksollë e tbana në vrri e në bjeshkë, mbrenda e jashtë katundit, për derisa ka nji zot shpije e çelet mbas fjalës së tij. Shpija asht e vogël dhe e madhe, por në katund e fis janë barabar në të drejta e detyra. NENI 9. Shpija e vogël Shpija e vogël asht me pak gjind, me nji a dy kunorë. Gjindt e saj me burrë e grue, djalë e çikë, ndeje e sofër i kanë bashkë. Mik e shoq i presin rreth çasaj votre. Pse asht shpi e vogël kush s'ka të drejtë me e ndërkambë. Ka krah fisin e vet e katundin mbarë. NENI 10. Shpija e madhe “Shpija e madhe ka gjind e gja, sofër e za” Shpija e madhe asht me shumë gjind, tri a ma shumë kunorë me lidhje të afërt e të largët gjaku. Burrnimi i saj ndeje e sofër i kanë të dame me grani e fmij. Burrnimi rri në kullë a në odën e miqve. Granija me fmijë rrinë në jerevi a në odën e grave. Djemt mbas veti rrinë me burrat e miqt. Rrogtart rrinë veças kur ka miq në za, ja rrinë bashkë me burrat, por ndejen e kanë të lehtë e zanin të ulët, veç kur pyeten. Me u dasht ndoj shërbim, rrogtari çohet i pari. Shpija e madhe ka detyrë ndere me ju gjet krah në hall e në nevojë shpisë së vogël e jo me i zanë frymën: ”Pse je shpi e madhe, mos i hap kraht përtej pashit tand”. NENI 11. Shpija derë e parë Derë zotnie e kreu, bajraktari e vojvode, derë plaku e stërplaku ka tagër Kanuje prije në dhé e në bajrak, në fis e në katund, në vllazni e lagje. NENI 12. Shpija djalë fisi U ba ndoj shpi në katund, në vllazni e fis, e njoftun për kah zotsia e urtia, i zoti i shpis së saj merret prej pleqsh djal mbas krensh e pleqsh dhe xehet djalë fisit. Me u dallue si djalë fisit deri në tre brez, hyn në krent e reja të katundit e të fisit me mirvet të krenve të vjetra dhe të Kuvendit të fisit, të katundit a të bajrakut ku fiton vendin e ri; me çat ditë dera e tyne hyn në derë krensh me tagër Kanuje. Kreu III
Zoti i shtëpisë NENI 13. I zoti i shpisë Çdo shpi ka të zonë e vet. Zotshpije shkon për vlla të madh. Kur e do e mbara dhe e mira e shpisë, pjestarët bashk me ma pleqtë e shpisë caktojnë kuvendisht ma të zotin e tyne. Ky mund të jetë i ri a i vjetër, i martuem a i pamartuem. ”Ke caktuen e si e caktuen e dinë shpijakt vet”. “Shpija tyne, puna tyne”. NENI 14. Ndihmsit e të Zot shpisë Në shpitë e mdha për kah gjindja e gjaja e gjallë, i zoti i shpisë, me mirvet të pjestarëve të shpisë, cakton ndihmsin e vet. Në shpit e mdha fort caktohen dy ndihmës të zot shpisë. Ndihmsit e zot shpisë i kanë detyrat e caktueme: njani për lavër me gjan e gjall, tjetri për shteg e treg. Të drejtat për ku janë caktue, i kanë si i zoti i shpisë, veç pa i ra ndesh ati. NENI 15. Kujdestari i shpisë I zoti i shpisë për dazëm e mort a ndoj gostë të madhe me mirvet të pjestarëve të shpisë cakton kujdestarin e shpisë. Kujdestari i shpisë caktohet ma i zoti i të damve nji zjarmi a prej kushrijve të ngat. Ai asht mkamsi i të zot të shpisë për sa ditë të vazhdojë dazma, morti a gosta. Ndera ja do me e ruejt të zonë e shpinë e tij dhe me e qit me nder e me faqe të bardh para shoksh e miqsh. NENI 16. Të drejtat e të zot t'shpisë I zoti i shpisë mban qesen. Fitimet e shpisë i dorzohen qeses së shpis. ”Shpija në za, nji qese ka”. I zoti i shpisë ka të drejtë me drejtue e me porositë për çdo punë gjindt e shpisë. Porosia e ti duhet të kryhet si qe se s'qe aty. Për punën e pabame e të bame dosido i nepet arsye të zot të shpisë. Çdo gja blehet a shitet, lehet peng a nepet uha, me fjalë të zot shpisë do të bahet. S'u ba me fjalë të zot të shpisë, malli do të kthehet dhe basi i ksaj pune do të jap arsye. Për tokë e trull, për mal e ujë, pyeten pjestart e shpisë; për qe e almise, pyetet lavertari; për gjanë e gjallë, çobani i shpisë. NENI 17. Dënimet e të zot t'shpisë Për gjinden e shpis që s'binden, bajnë sherr e shamatë, i zoti i shpisë ka të drejtë dënimi mbi to: u heq armën, i dan shpijet, i leçit. Kryekcyemit e ngucakeqit i gjen mënyrën e i jep rrugë, ja e danë shpijet në pjesë të vet. Grues së pabindme e me të kqija i pret thekun, ja e dan shpijet në pjesë të vet. Rrall fort dënon me dekë për kori të bame çdo të shpisë: burr a grue, djal a çikë qoftë, dhe jep arsye. NENI 18. Detyrat e të zot t'shpisë I zoti i shpisë me ndihmsit e vet ka detyrë me u gjet në krye të punve ditën e natën; me u rrek me urti e me punë me mbajt shpinë, me i dhanë çdo ditë kah e mara tuj e largue kah fika; me u kujdesë për çdo nevojë të gjindve të shpisë si për kah haja e pija, vesha e mbatha, shtroje e mbloja; si për kah arma e nevoja, shndeti e halli pa dallim, të vjetri e të riu, të madhit e të voglit. Secilit simbas nevojës së vet: djemve me u gjet e me u marr nuse, çikave me jau caktue burrat e me i pas kujdes për bija kudo qofshin. NENI 19. Kur ndrrohet i zoti i shpisë I zoti i shpisë ndrrohet: kur nuk punon me drejtësi; kur s'e vret menden për me i dhan shpisë kah e mbara e mira; kur fut shpinë në ngatërresa e borxhe pa nevojë; kur nuk e merr vesh me arsye fjalën e pjesëtarve të shpisë; kur nuk i del zot me të drejtë shpisë së vet para shoqit a të hujt që donë me të kcye në qafë, ja para vllaznisë a katundit që donë me të ulë me të padrejtë. Pjestart e shpisë e ndrrojnë kuvendisht tuj thanë arsyet për çka po e ndrrojnë. I zoti i shpisë, ose i shtrohet arsyes, ose lyp dae e del pjesë në vedi. NENI 20. Nderet për të zonë e shpisë Ndër pjestart e shpisë së vet i zoti i shpisë ka vendin e parë në ndeje e kuvend, në sofër e rrugtim. Ndera ja do me e nderue ma plakun e shpisë. ”Ma plaku, te oxhaku”. Në dazëm e mort, në darka e gzime, në kuvend e djelmni herë-herë cakton pjesëtarë të tjerë në kambë të vet. Cerga e takami i kafes me mulli e dollap, me tepsi e filxhana janë ndera e të zot të shpisë dhe shkojnë mbas tij. Në shpi dhe dyer të mdha i zoti i shpisë ka të drejtë me mbajt kal shale e djelm mbas veti. Kreu IV
E zoja e shtëpisë NENI 21. E zoja e shpisë Zojshpije asht nja prej grash, e caktueme prej të zot të shpisë me mirvet të pjestarve të shpisë, për me gatue e shtrue bukë e hae për gjindt e shpisë, për miq e punëtorë. Çdo grue s'mund të bahet zoj shpije. Ajo duhet të jetë ma e zoja për punë shpijet. E zoja e shpisë asht ma e vjetra e shpisë. Me u ba zot shpije ma i vjetri i shpisë a vllaj i madh, zoj shpije caktohet e shoqja. Me u ba zot shpije nji vlla tjetër, zoj shpije jet e ama, ja e shoqja e vllajt të madh. “Kopshtije e bylmet janë pasqyra e zojë shpisë”. NENI 22. Ndihmsja e të zojës shpisë Në shpitë e mdhaja i zoti i shpisë, me mirvet të pjestarve dhe të zojë shpisë, cakton nji a dy ndihmse të zojë shpisë. Njana caktohet me gatue dhe tjetra për kopshtijet. Për punën e tyne i japin arsye zojë shpisë e ndihmsave të zot shpisë. Bukën e kopshtijet ka të drejtë me i përdor e zoja e shpisë. Ato vetëm me ba shërbimin. Me pasë nevojë për to në mjeljen e pllejave, ndihmset i ndihmojnë, kur janë të lira. NENI 23. Të drejtat e zojë shpisë E zoja e shpisë ka të drejtë me marr e me dhanë uha ndër shokë e kushrij sa ku ban: nji qinshe krypë a tlyn, nji gogël djath, nji bukë miell, nji e zieme grosh, pa pasë nevojë me pyet të zonë e shpisë e ndihmsit e tij. Me shit e me ble ka të drejtë veç sa për vegshat e cingat që i duhen për punë shpijet dhe farishtat e kopshtijeve. NENI 24. Detyrat e zojë shpisë E zoja e shpisë ka detyrë me u kujdes për bylmet e kopshtije. Me marr a me dhanë janë për dore të saj. Kush nuk ka të drejtë me ju përzie në to. E zoja e shpisë ka detyrë me gatue dy ha bukë ma shumë se i duhen. Me ardh miku për shpejt, do bukën gati. Për miq e nevojtarë bukën e shtron e zoja e shpisë për mende të vet. Për miqt e largët e dashamirët kryekrejet porosinë e merr prej të zot shpisë dhe e ka për detyrë ta kryej si ja cakton ai. Mos me ndodh burrnimi në shpi, e zoja e shpisë ka detyrë me prit e me qit miq e nevojtarë, me çue në punë gra e fëmi simbas porosisë të zot t'shpisë. NENI 25. Kur ndrrohet e zoja e shpisë Me ndodh, me dal brace a sherr; - mos me shërbye me drejtësi e mos me ja krye porosit të zot t'shpisë për hanat për miqt, tuj randue atë e burrnimin, atëherë i zoti i shpisë, me mirvet të pjestarve të shpisë, e ndrron. Me ba faj të randë, i pret edhe thekun, jase e dan shpijet me gjithë burr të vet e qet pjesë në vedi. Kreu V
Njerëzit e shtëpisë NENI 26. Gjindja e njaj shpije Gjindja e shpisë janë: gjyshi e babgjyshi, gjyshja, gjyshja e madhe, babë e nanë, nip e axhë, burra e gra me fmijt e tyne. Me gjindt e njaj shpije hyjnë edhe bijat e veta, kushrij e kushrina të mbetuna shkret, që jetojnë në atë shpi. Gjind të njaj shpije janë edhe kur disa prej tyne jetojnë e punojnë jashta katundit, bajrakut a dheut, ”te len e prendon”, përderisa kanë të njajtin zot shpije. NENI 27. Të drejtat e gjindve të shpisë Pjestarët e shpisë kanë të drejtë pjese: banese e truelli, toke e uji, gjaje të gjallë, bletë e fitime të shpisë. Grania s'kanë pjesë toke e banese, veç pjesë goje. Punojnë e jetojnë në pjesë të burrnimit të vet. Veshë e mbathë, ha e pi gjindja e shpisë i gzojnë prej tokës e fitimeve të shpisë. Dallime në burra, dallime në gra, dallime në fmi, i zoti i shpisë nuk mund të bajnë as për veshë e mbathë, as për ha e pi, veç kur janë shëndetlig a nisen për shteg. Nipa e stërnipa, prej bijash, e mbesa, miq e djalë mbas veti, çobanë e rrogtarë, të shpisë janë, po pjesë nuk kanë edhe në ndejshin tanë jetën me gjindt e shpisë. NENI 28. Detyrat e gjindve të shpisë ndaj njani tjetrit Secili prej gjindve të shpisë ka vendin e vet. Ky vend asht: pjestart mbas t'zot t'shpisë, burrat e tjerë mbas pjestarve, gratë mbas burrash, çikat mbas djemsh, e reja mbas vjehrrës. Kunata e re a nuse mbas kunatës së vjetër. Në shpi e kudo qofshin kanë për detyrë mos me i ra ndesh njani tjetrit, por tuj shkue gjith-herë për fjal të zot t'shpisë. NENI 29. Detyrat e gjindve të shpisë jashta pragut Gjindt e shpisë, jashta pragut kanë detyrë të jenë si grushti i njaj dore për me mbrojt nderin e të drejtën e shpisë së vet në çdo ndeje e kuvend, në ndore e besë. Me ba me ju shmang kush i shpisë ksaj detyre, ka marren e faqen e zezë. Para shpisë së vet e deri të damve nji zjarmi do t'u japin arsye. Ndryshe, leçitet prej tyne. Kreu VI
Shtëpia në katund e në bajrak NENI 30. Të drejtat Çdo shpi me të zonë e vet në bashkari të lagjes, të katundit a të bajrakut ka të drejtë kullose, mali e fushe, bjeshke e vrrini; ka të drejtë lande e dushqesh, mullini e uji, rruge e shteku; ka të drejtë në fitimet e bashkarisë e të vaut dhe në pjesën e gjobës katundisht. Çdo shpi ka të drejtë vendi e zani në ndeje e kuvend në besëlidhje e djelmni në katund e fis, bajrak e dhé. Ka të drejtë e detyrë për nder e burrni në lagje e katund, në fis e bajrak: me prit e me përcjell mikun e shtegtarin, lypsin e nevojtarin, me marrë dhe me kërkue ndore e besë. Ka të drejtë që të ngujuemin për gjak e hasëm mbas shpine me e mbajt në shpi deri në 30 ditë. NENI 31. Detyrat në katund Çdo shpi ja ka detyrë katundit rrethas: 1) Benë e motmotit; 2) Puntorin rrethas në rrugë e ura dhe në vi uji e mullini 3) Kujdesin e ndihmën të vetit e shoqit para të huejt e hasmit 4) Me ju gjegj kushtrimit ”me burrë për shpi, në 7 e 70” 5) Me ju bind sulleve të katundit e të fisit të caktueme në kuvend 6) Me u gjegj me gjithë gjindt e shpisë për çdo dam e faj në lagje, katund e fis. NENI 32. Detyrat në bajrak e në dhé Çdo shtëpi ja ka detyrë bajrakut e dheut: 1) Me ju gjegj kushtrimit me burrë për shpi 2) Me ju gjet krah djelmnisë së bajrakut me ujë e bukë, me armë e fishekë, sa herë të jetë në luftë me hasmin e vet e anmikun e vendit 3) Me dal në be për betar sa herë caktohet me emën nji prej burrave, kur caktohet me krenë e pleq 4) Me marrë pjesë në besëlidhje të bajrakut e dheut e me i ndej besnik deri ditën e caktueme 5) Me e fal gjakun e gjakut sa herë dalin katund më katund e shpi për shpi pajtusit e gjaqeve të bajrakut, të dheut a të malit mbarë 6) Me qit puntorin me katund rrethas për ndreqjen e rrugës së madhe a me e lirue prej boret për karvane e shtegtarë, sa herë e kërkon bajraku a dheu. Kreu VII
Gruaja në katund e bajrak NENI 33. E drejta e grues për ndore e ndërmjecë Grues s'i pritet ndorja. I ra kush ndore njaj grueje që i doli para, grueja ka të drejtë me e mbrojt. Ja preku kush ndoren grues së huej, koritet e leçitet. Grues s'i pritet ndërmjeca. Sulmoi kush nji shpi dhe grueja e shoqit u pshtet për derë të asaj shpije, hasmi s'ka të drejtë me e prek. ”Grueja e huej s'preket me dorë”. I vuni kush zjarmin shpisë huej e grueja filloi me e shkim, kush s'ka të drejtë me ju përzie. Nxorën pushkët dy burra a dy lagje burrash me u vra nder vedi dhe hyni grueja ndërmjet tyne tuj thanë: ”Hiqni pushkt, bre burra!” burrat kanë detyrë ndere me ja njoft ndërmjecën. Kreu VIII
Shoqi kufijar (Fqiu) NENI 34. Përbashkësija me shoqin kufijar Për tej pragut ke shoqin kufijar. Me shoqin ke të drejta e detyra të përbashkëta për kufinin e bashkarinë, vllaznimin e kumbarinë. Me shoqin ke gaz e vaj, dazëm e mort, besë e kuvend, ndeje e sofër, djelmni për gjobë e luftë. Shoqi kufijar ka të drejtë me të thirr për mirë e për hall në çdo kohë të ditës e të natës. Shoqi ban zá jashta gardhit ose me të hymë në oborr. U përgjegj zá burri, hyn në shpi. U përgjegj zá grueje, o kthehet në punë të vet, o flet jashta pragut për ça erdh deri aty. Shoqi ka të drejtë me të lyp ndihmë me punëtorë e pare uha, simbas rastit. Kur asht në mbjellje e miha, në korrje e çarim, në gjeth e kosë i jepet puntorë uha, me pare a falas. Me ba shpi, i ndihmohet falas me shoqninë rrethas për me bajtë landt e me ngreh kulmin. Ma shumë falas: sot un për ty e nesër ti për mue. Mbet shoqi kufijar pa kulm mbi krye, ke detyrë ndere me i ba strehë në shpi tande për do kohë, sa të bajnë hall. NENI 35. Detyrat e shoqit për dam e faj Shoqi shoqit kufijar ka detyrë me ja shmang damin me gja, me fmi a gjatë punës që ban. S'mund ja shmangu, ka detyrë ndere me i kallzue se ku ja bani. Ta fali, dija për nder. Ta lypi, baja nja për nja. Ja mshehe damin a i bje moh, do t'i përgjigjesh tuj dhanë arsye, ndryshe lanë dame gjobë. Malli e gjaja e shoqit nuk preket. Kreu IX
Martesa NENI 36. E drejta për martesë Të drejtë martese ka gjithkushi: djali e çika, i riu e i vjetri, i shndoshti e sakati, i miri e i keqi. Burri vejë ka të drejtë të bajë martesë të dytë e të tretë. Po kështu edhe burri me kunorë, kur nuk ka fmi ose djalë me gruen tjetër. Edhe grueja vejë a thekpreme ka të drejtë për martesë të dytë e të tretë. NENI 37. Tagri i Kanusë për mnyrën e martesës Kah Kanuja çdo martesë asht e njohun. Martesa me shkuesí e miqsí asht ma pëlqyeshmja. Martesa mbi kunorë, me dhunë a me të grabitme nuk është me Kanu. ”E bane, puna jote. Kush të mirë s'ta ban”. Martesa me dhunë e të grabitme ka gjakun në shpinë. NENI 38. Ndalime martese në fis Martesa në fis asht e ndalueme. Edhe “katërqind” breza me u ba, martesë në fis nuk bahet. Para se me hy për martesë, pyet për fis e gjak. ”Doli çika e fisit tand, hiq dorë prej saj”. “Martesë në fis s'mund bash. Bane guxove, ke fisin në shpinë”. Me ndodh çika mbesë mbas mbese, Kanuja s'ta jep deri në shtatë gjini. Ke detyrë me ja lyp gjininë mbas gjinije. U banë shtatë s'e ke má gjak. ”Në pesë brez dahet gjaku”. NENI 39. Ndalim martese në kumbari e vllaznim Me ndodh djali a çika të shpive të lidhuna me kumbari ndër veti, martesa s'mund të bahet pa kalue pesë brezë. ”Mujte me gjet nuse gjeti, kumbarinë mos e prish as në pesë brez. Ndera ta lyp me e ruejt për jetë”. Martesa në shpitë me vllaznim gishtash nuk mund të bahet për deri sa të mbahet mend ai vllaznim brez mbas brezi. ”E ke ba gjak gishtash. Me ja lyp çikën për nuse çon marren ke shpija”.Kush prish kumbari e vllaznim me martesë: marrohet; prej vllaznijet e fisit leçitet. Kreu X
E drejta e kujdesit për martesë NENI 40. Kujdesi për martesë Me xan, me marr e me dhanë nuse mendon e punon i zoti i shpisë. Baba i djalit e baba i çikës kanë detyrë mos me ja prish të zot shpisë. Nana e djalit e nana e çikës s'ka të drejtë me u përzie. ”Kanuja fmitë ja njeh babës e jo nanës”. U ndodh i jati i djalit a i çikës në miqsi a dashamirësi me nji tjetër e ja dhanë fjalën njani-tjetrit me i lidh fmijt e tyne me martesë, kush s'ka të drejtë me i pengue; po të zot të shpisë i duhet dhanë arsye. E dha fjalën i jati e s'mund e bindi të zonë e shpisë o i shtrohet të zot të shpisë, o jet me dal pjesë në veti. NENI 41. Burri vejë për martesë të vet Burri i mbetun vejë flet vet për martesën e vet, po pa mirvet të të zot t'shpisë s'mund e merr. Ja la të zot t'shpisë, ky ka detyrë me e pyet për mikun dhe çikën, të vejën e thekpremen që do me ja prue për grue. Pa mirvet të burrit vejë i zoti i shpisë s'jep fjalë as nuk kput fjalë. ”Burri vejë e di ça asht jeta”. NENI 42. E drejta e grues vejë Grueja e vejë a thekpreme ka të drejtë me fol vet për martesë të vet. Bani e pëlqei pa pyet të zonë e shpisë, s'mundet me e marrë pa mirvet të ti. E mori, me gjini prishet e leçitet. Ja la martesën e vet në dorë të të zot t'shpisë, ky ka detyrë ndere me e shoshit mirë para se ta jap fjalën. NENI 43. Daja për martesën e nipit e mbesës mbet shkret Me i marrë daja nip a mbesë mbet shkret e me i rrit, ka të drejtë e detyrë me u kujdes edhe për martesë. Shkues e nuse për nipt i cakton vet. Si ta martojë, ma detyrë nuk i ka. E çon në pjesë tet. Për mbesën kujdeset me e lshue në derë të ndoj miku të mirë. E dha nuse, detyrë “gjinie” s'i ka, po ”ndera ja do mos me e lan si bí pa njeri”. Kreu XI
Shkuesia dhe fejesa NENI 44. Me caktue shkues Nusja xehet me shkuesi. Shkues caktohet burr e jo grue. Shkues cakton ana e djalit. ”Me lyp lypet nuse për djalt. Marrja e çon shkuesin derë më derë me lut kënd me i xan çikën tjetërkujt”. NENI 45. Shkuesi Shkuesi duhet të jetë i zoti i gojës, burr zakoni që i shkon fjala e di ta baj mikun për veti sa me ja “fal” çikën. Shkuesin lype në kushrijt a miqt e dashamirt e tu që s'kursehet me hec për ty me xan nuse të mirë si çikë e si shpi. NENI 46. Detyrat e shkuesit për me xan çikë Shkuesi ka detyrë me ju vu punës me e bind mikun me ja “fal” çikën për mik. Shkuesi ka detyrë mos me e lan fjalën me nji të thanme. ”As lisi s'pritet me nji të rame spate”. Detyra e ti asht me nxerr çat çikë që ja la amanet i zoti e jo me lyp çfardo çike në vend të së parës. Shkuesi ka detyrë mos me përgojue gjeti dy shpitë që po lidhen me miqësi ndër veti. Shkuesit, për mundin qi ban, i jepen “opangat”. NENI 47. E xanmja e çikës, fjala e kputme Çika quhet e xanme kur shkuesi merr fjalën e kputme: ”Ta paçim fal”. Me fjalën e kputme ana e djalit a shkuesi vetëm lshon kaparin në tabake të kafes. Kapari s'kthehet ma. ”Lidh për laku fjalën e kputme”. Me i ra moh kaparit, ndiqet për besëprem. ”S'të pata borxh që ma la kaparin peng”. NENI 48. Sheji i të xanmes së çikës Çika bahet e nxanme, kur çohet sheji. Shejin e çon i zoti i shpisë me shkuesin përpara. Sheji asht: rizë e unazë e nji qese me pare. Riza duhet rubë mndashi, unaza duhet sermit. Rizë e unazë i nepen sams' çikës. Ajo i le në krye të arkës. Sheji tregon se çika u lidh për jetë për djalin që e xu. Qesen e merr i zoti i shpisë për shpenzimet e shpisë. NENI 49. Të prumet për veshën e nuses Natën e shejit, si lehet rizë e unazë, miku lyp me i pre edhe të prumet e cakun e të lames së tyne. Ana e çikës të prumet ja cakton atë natë. Ma ndodh çika e vogël ja cakton mbas do kohe. Të premet janë gjashtë qese. Herët ishin 3 qese. Po ana e çikës për të prueme mund të kërkojë më shumë se aq. Ana e djalit ja lyp cakun e të lames me kiste. Ana e çikës ja cakton krye 6 muejsh e deri 9 muej kistin prej kisti. Kistet caktohen dy qesesh njiheri. Me ndodh miku hallxhi, ana e çikës ja danë qese-qese deri sa t'i lajnë. NENI 50. Të shtumet për veshë e të fala Ana e çikës mbas të prumeve mund të kërkojë edhe të shtuemet. Të shtuemet janë edhe nji deri në dy palë tesha nusesh mbi të prumet dhe leshi për çorapët, të falat e nusës ditën e dazmës. Ana e çikës mund të kërkojë të shtueme mbi të shtueme, po nderë vedi nuk i le. Ana e djalit s'ka të drejtë me ba fjalë. Ajo ka detyrë me la, me e lanë qesen hapt për mikun. ”O laj, o lsho çikën e huej. Kush me zor s'të ka ba me xanë”. NENI 51. E drejta e anës së djalit me e lshue çikën Ana e djalit ka të drejtë me hek dorë prej çikës së xanme, kur bindet se çika a miku s'bajnë për to. Me ndodh me hek dorë, anës së çikës so t'i jap arsye. ”Nuk lshohet çika huej aq kollaj. Vet e deshte, vet e xune”. E lshove çikën, ana e saj ka borxh me të kthye shejin. Të prumet, si shumë, si pak, nuk kthehen; jesin “gjobë”. NENI 52. Çika nuk mundet me e lshue djalin Çika e xanme s'mund ta lshojë djalin për të gjallë të tij. Ajo ka detyrë me ul kryet e me mendue veç për me shkue nuse vetëm në derë të djalit që e ka xan. S'deshti me shkue me mirvet, do shkojë me përdhuní. Me ndodh e me marr burr tjetër, pa hek dorë ana e djalit, bje në gjak si gjinia, si shpija që e merr nuse. NENI 53. Djali s'duhet me e pa çikën e xanme Djali vet a kush i tij s'ka të drejtë me u përpjek me e pa çikën e xanme. ”E pëlqeve para se me xan. Ça do me i pa tash?!” I qiti rruga e u përpoqën me çikë, nuk duhet me ja lshue sytë veç me ndodh me padije. Ja lshuen sytë me dije, kanë gjobën në shpinë. NENI 54. Detyrat e shpisë së çikës së xanme Ana e çiks ka detyrë ndere me ja ba gati teshat e nusisë çaç sa ka lá të prueme e të shtueme ana e djalit. Detyrë Kanuje ka mos me i luejt fjalësh. ”Do çika, s'do çika, burri s'ban llafe!” “Çika e xanme s'mund i hiqet mikut”. Ja hoq, i ka borxh gjakun. ”E ke korit!” Kreu XII
Raste të veçanta të martesës së grues NENI 55. Martesa e së vejës pa fmijë Grueja vejë ka të drejtë me u largue prej shpisë ku asht e martueme çat ditë që hi i shoqi në dhé, po ndera ja do me ndej pesë deri 40 ditë. Për nder të vjehrrisë a se mos ka mbet me barrë, ka të drejtë me ndej deri në 12 muej. I doli fati tjetër, ka të drejtë me u martue e kush të keqe nuk ja ban. ”Nuk asht e drejtë me e bjerr të rit e vet. I gjalli me të gjallt”. Grueja vejë ka të drejtë ta kalojë ene gjithë jetën në shtëpinë e burrit të dekun. NENI 56. Martesa e së vejës me fmijë Me ndodh grueja vejë me fmi për gjinit, ka detyrë ndere me ndej në derë të burrit të parë nji motmot. Po me i dal fati ma përpara ka të drejtë ma e lanë fminë për gjinit e me u martue. Me e kërkue fmijën me u rrit te daja, nuk mund ta marrin pa mirvet të caranit. NENI 57. Martesa e grues thekpreme Grueja me thekë të preme asht e lirë me u martue ku të duen. Kush s'mundet me i qit pengesa, veç kishës. Të katundsin ndera nuk e çon me e marr gruen e shoqit që i preu thekun. E mori, dan dashakeq e i paburr. Me shpinë e të damët nji zjermi të burrit që i ka pre thekun, jet i leçitun. NENI 58. Martesa e grues me barrë Me ndodh e me u martue grueja me barrë, ka detyrë me i kallzue burrit të dytë e gjinisë së vet sa ta diktoj vedin. I shoqi e gjinija ka detyrë me i kallzue caranit të barrës. Fminë ka detyrë ma mbajt e ama me burrin e dytë deri në 7 ditë mbas të lemes, aq ditë sa duhen me lajmrue shpinë e caranit të fmisë e sa kohë u duhet me ardh e me e marrë. Mos me pasë kush me e marrë, e ama me burrin e dytë ka detyrë ndere me e mbajt deri sa të bahet i zoti i vedit. NENI 59. Martesa e grues me barrë të vrame Martesa e grues vejë bahet me fjalë tuj vue kushtet. Kushtet janë: Me thanë grueja vet e vjehrria e parë se asht me barrë të vrame, burri i dytë ka detyrë me kthye fminë e parë deri në tri vjet mbas martese. Fjalë tjera s'ka. Ndryshe ke pleqt gati. Kreu XIII
Marrëdhëniet në familje (Babai, fëmijët, fisi) NENI 60. E drejta e babs mbi fmijët Kur fmija bahet i zoti i vedit, i jati ka të drejtë me e çue në punë simbas porosisë së të zot t'shpisë për me punue në arë e në vneshtë, mbas gjaje në mal e në vrri, puntor falas a rrogtar çoban, argat apo djal mbas vedi. Për punën e mëson, e çorton dhe i lyp arsye. Fitimet ka të drejtë me ja kërkue për qesen e shpisë. Baba ka të drejtë me e mësue dhe mos me e lan fmin e vet me i kthye fjalë, me dal para tij a ma të madhit: Në fjalë e ndeje, në kuvend e sofër. Djali ka vendin mbas. NENI 61. E drejta me e dënue të birin e të binë Edhe djalin burr e binë e martueme ka të drejtë me e mësue, me e çortue, me e urdhnue, me e dënue, me e da shpijet e me e leçit. Baba, për korí e zhburrnim, për nder të marrun, për besëpremje e për mikprem ka të drejtë me e vra fminë e vet, ja me ja dorzue fisit me dorë të vet që ta vrasin katundisht. NENI 62. Detyrat e babs për fminë e vet Baba ka detyrë me u kujdes për fminë e vet: për veshë e mbathë, për ha e shndet, për strehë mbi krye e jetesë në jetë, për mësim e çortim për punë, nder e burrni. Baba ka detyrë të kujdeset për çdo hall e nevojë të fmisë së vet kudo që të jetë. NENI 63. Detyrat e babs për sjelljen e fmisë së vet Para shpisë, kushrijve, shoqit e katundit, fisit, miqve e të huejt do të jap arsye e do të përgjigjet me gjobë e çdo detyrë tjetër për çdo dam e gabim, faj e gjak të fmisë së vet. NENI 64. Detyrat e nans për fminë e vet Nana ka detyrë për fminë e vet për msim e çortim, porosi e urdhnim simbas porosisë së burrit të saj. Para burrit ka detyrë të kujdeset për veshë e mbathë e çdo shërbim tjetër që kanë nevojë fëmijt. S'i bani këto, bje në marre e përgjigjet para të shoqit. Grueja burrneshë, edhe kur e ka burrin argat a rrogtar në derë të huej, ka nderë e detyrë me u kujdes për fminë si të ishte i shoqi në shpi. NENI 65. Detyrat e fmisë Fmijt në çdo moshë qofshin: në vogli a rini, burr para a mbas martese, kanë detyrë me ju bind babs e nans. Në mungesë të tyne, me ju bind vllajt të madh e motrës së madhe, dads. Kur fmijt janë jetim, kanë detyrë me ju bind e me shkue për fjalë të kushrinit e dajës që i rrit. Për porosi e çortim për dënim dhe deri leçitje prej babs e nans e dajës e kushrinit që i mbajnë, për punë, nder e burrni në shpi e jashta saj, fmijt kanë detyrë bindjen; ndryshe, marrin dënim të rand simbas fajit. Me ndodh e me vu gojë e dorë në babë e nanë, fmija bje në marre. Nder e burrni në kushrini e shoqni rrethas nuk kanë ma. NENI 66. Detyra të veçanta të çikës Çikat 7 vjeçe e nalt kan detyrë me vue kapolën në krye. Ball e flokë mos me ja pa as rrezja e diellit. Sytë përtokë e kryeulët në shpi, punë, rrugë e kudo. Ndryshe koritet. Çika ka detyrë me ruejt ftyrë e nder. S'i ruejti, ka çortim e dënim deri me vrasje prej babs, vllajt, shpisë, kushrinisë e shoqnisë rrethas katundisht. “Korinë e çiks nuk mund e durojnë malet”. Vuni çika kapolen, ka detyrë pundoren me ba ”çorapet e burrit”. Deri sa të martohet do të shkoj në çdo punë ku e çon shpija. NENI 67. Detyrat e bijve për babë e nanë pleq Bijt nuk kanë gojë e dorë për babë e nanë pleq. Babs e nans pleq, djemt u kanë për detyrë veshë e mbathë, të hangmen e të piemen dhe nderet e prindit. Kur babë e nanë janë të damë, bijt u kanë detyrë ”mgojen” për çdo motmot. Mgoja asht tri barrë drithë për njanin e tri barrë për tjetrin. Për mort u kanë detyrë drekt e të pamin me të pritme e me të qitme për kryeshëndosh. Mbas deke u kanë detyrë feje: të falme e lutje për shpirt. NENI 68. Detyrat e bijave për babë e nanë shkret Bijat për babë e nanë mbet shkret kanë detyrë ndere, me mirvet të shpisë ku janë martue, me i ndihmue me veshë e mbathë, me të hangme e të pime në shpi të vet ose tuj i marrë në shpi të burrit. Me ndej çika virgjneshë për me u ba “djalë” për tánë për jetë të vetë, kush s'mund ta pengojnë e të keqe kush s'ja ban. NENI 69. Të drejtat e djemve Djemt kur të rriten kanë të drejtën e burrnimit në shpi. Ato kanë të drejtë ndeje ndër burra e me miq. Jashta shpisë kanë tëd rejtë me mbajt armë, me marrë pjesë në Kuvend e djelmni, me marr nderet e me hy ndërmjet, me mbrojt nder e burrni. Kur dahen, kanë të drejtë pjese në pjesën e tet e fitimet e bame. NENI 70. Të drejtat e çikave Çikat kanë të drejtë me jetue në pjesën e tet e vllazënve të tyne për deri sa të martohen e të shkojnë në derë të burrit. Për sa të kenë kohë të lirë, kanë të drejtë me marrë pjesë në çdo gzim të shpisë si dhe me ba çdo pundore që kanë nevojë a për martesë. Me ndodh rrallë fort e me e pa me vend me ndej virgjneshë krah babs pa djalë a me djalin nëpër kambë, kush s'ka të drejtë me e pengue. NENI 71. Të drejtat e bijave në gjini Bijat kanë të drejtën e të panit mot për mot në gjini dhe gjinis ka detyrë mos me ja pengue kush. Për çdo të padrejtë që u bahen në shpi të burrave të tyne a prej kushrinisë, vllaznisë, katundit a fisit të burrave të tyne, kanë të drejtë t'i qahen gjinisë. Me mbet vejë a shkret kanë të drejtë me shkue e me jetue në gjini: me babë e nanë, a vllaznit e kushrijt që gzojnë tokën e tet. NENI 72. Të drejta të veçanta të vllajt të madh Bijt për vlla të madh kanë të drejtën e vendit e të prijës që ka pasë i jati i tyne: në shpi, në vllazni, në katund, në fis, në bajrak e dhé. Kanuja tagrin e babs ja njeh vetëm vllajt të madh. Me ndodh vllau i madh në moshë të parritun, pa u burrnue, tagrin e vllaut të madh e gzon axha i djalit a nji i kushrinisë, i caktuem në kuvend. U rrit djali i madh, do tagrin e tet. S'ja kthej axha me mirvet, djali e kërkon në kuvend dhe ky ja ban detyrë axhës me lshue tagrin e vendit e të prijes. Me t'ju dhanë tagri i vllaut të madh, ka të drejtë me xanë kambën e tet në ndeje e prije, në za e kuvend, në djelmni e beslidhje. NENI 73. Kur i hiqen të drejtat e veçanta Nuk qe i zoti vllau i madh për tagrin e tet, vllaznit, kushrinija e vllaznia kanë detyrë me e porosit e me i lyp arsye. Nuk mund dha arsye, presin e kqyrin brezin e tij mbas. S'duel i zoti as brezi i dytë, në brezin e tretë kushrinija, vllaznija, katundi, fisi e krent e bajrakut, simbas shkallës së tagrit, e dajnë me kuvend se kujt me ja caktue atë tagër, po tagri i vllaut të madh s'del jashta kushrinisë a vllaznisë së tij. “S'mund e mbajte tagrin e babs dy brez, në të tretin ta kapin për duersh”. Kreu XIV
Burri dhe grueja NENI 74. Të drejtat dhe detyrat e burrit për gruen e vet Burri ka të drejtë dhe detyrë të kujdeset për grun e vet për ha e pi, mbathë e veshë, mblojë e shtrojë, për shndetin, e hallet e saja. Mbi të gjitha, ka të drejtë e detyrë ta ruej e ta mbroj nderin e saj. ”Nderi i grues, asht nderi i burrit”. Në shpitë e mdha e ka detyrë i zoti i shpisë me burrnimin mbarë. Burri për dam e faj të grues jep arsye në shpi. Kur asht zot shpije jep edhe në kushrini, vllazni, katund, fis a në bajrak. Burri ka detyrë me e msue dhe me e çortue gruen kur, ban gabime e nuk i shkon për fjale e nuk i ban punët që i përkasin. Kur grueja ja përbuzë fjalën burrit, kur i ban faj e dhunë, burri ka të drejtë me e dënue gruen: me e rrah, me e dënue me bukë e punë. Por, burri s'ka të drejtë me e ndrydh punë e pa punë si robë i xanë. ”Me gruen kalon jetën. Gruen e ke nanë fmish”. NENI 75. Kur e ndan burri gruen Burri e ndan gruen kur: s'di me mbajt e me rritë fminë, kur asht gojaçe a brace, kur shkon në gjini pa leje a kthehet kur don vetë. Grueja ndahet edhe kur s'ban fmijë a djem. Kanuja e jep me e da gruen me të drejtë vetëm për me largue shpijet fikën e korinë. Grueja dahet kur i pritet theku. Theku i pritet të zot t'shpisë të gjinisë. Para se me dhanë thekun, i zoti i shpisë lyp arsye. U bind, zgjat brezin e mesit. I zoti i shpisë të vjehrrisë i pret nji fill theku. Grueja niset në gjini vetëm me teshat veshë. Tjetër gja s'ka të drejtë me marrë. Fmijt i mban i jati. ”Janë të caranit”. NENI 76. Kur ka të drejtë burri me e vra gruen Burri e vret gruen kur e gjen në punë të keqe. “Leka e ka lan me e vra gruen për tri punë: për kurvni, hjeksi e hajni. Nji grue që ban hajni, ban edhe kurvni e hjeksi”. Te vona Kanuni e la me u vra burr e grue në punë të keqe ”si peni në gjylpanë”. Po burr e grue xehen në punë të keqe edhe kur burri kapet me tirq pa mërthye e me gruen e huej nëpër kamë. “Burr e grue, vra në punë të keqe, shkojnë gjakhups”. Grueja e burri s'mund të vriten për fjalë a për dyshim. I vrave, bje në gjak. NENI 77. Detyrat e grues Grueja ka detyrë si nanë fmijsh e grue burri me mbajt e me rrit fmijt; me ba çdo punë shpije, në arë e në kopsht, në mal e në mulli, me mbajtë e me kullotë gjanë e gjallë. Mos me i ba, do të përgjigjet. Grueja ka detyrë bindjen para burrit. Grueja ka detyrë: mos me shkue kund jashta shpije pa dije të zot t'shpisë e të burrnimit; mos me u ndal me të huejn në rrugë a në krue, në punë a me gja të gjallë në kullosë. “Punë e rrugë i ka me të shpisë. Me të huejn s'e lidh gja, veç n'i diftoft rrugë e shtek si i huej që pyet”. NENI 78. Të drejtat e grues Grueja ka të drejtë jetesën e gjallnin, veshën e mbathën dhe mbrojtjen e jetës e të nderit të saj prej shpisë së burrit, në shpi e jasht saj, për sa të jet gjallë. Grueja ka të drejtë ta mbrojë me çdo mjet nderin e saj e të shpisë së burrit; të mbrojë mallin e gjanë e gjallë. Kreu XV
Gjinia e gruas NENI 79. Detyrat e gjinisë Gjinia s'ka detyrë për veshën e çikës nuse e për pajën e saj. I bani gja, ndera e saj. Detyrë nuk mund t'i bahen. Gjinia ka detyrë që të prumet e të shtuemet me ja ba veshë e për të fala çikës nuse për ditën e martesës së saj. Mos me ndigjue çika me u ba nuse për të gjallë, gjinia ka detyrë me e qeth e me e lanë virgjen për jetë. Mikut me i kthye të lamet e me i vue dorzantë për me e sigurue se çika nuk martohet gjeti. Rizë e unazë gjinia i mban për shejë pengese e mos me u martue çika e xanme gjeti. Do me e ruejt miqsinë gjinia, i jep nji çikë tjetër. Ndera e saj. Po e para e pengueme jet se jet. NENI 80. Të drejtat e gjinisë me mbrojtë binë Gjinia ka të drejtë e detyrë ndere me lyp arsye e me i dal zot bisë në derë të burrit për çdo të padrejtë e dhunë që i bahet. Me e dhunue kush binë e martueme, bje në gjak me gjinin e saj. I shoqi lyp nderin e burrit, gjinia nderin e bisë. Mund u pajtue gjinia me gjakmarrjen e të shoqit, kush të keqe s'ja ban. ”Qëndroj i shoqi. Boll e pat!” Me e vra shpija e burrit, gjinia gjakun lyp aty. NENI 81. Kur bje në gjak gjinia Me ndodh (rrallëherë) e me e vra bija ndokend ja me u ba bespreme me hjeksi, gjaku lypet në gjini. Me u vra bija për këtë punë, gjinia lahet me çaç. ”S'i la gja në dorë gjinisë”. Me e vra vet gjinija binë, detyrë ma s'ka. Ja qitën pleqt edhe nji gjysë gjaku, do ta lajnë. ”Gjaku i grues: gjysë gjaku”. Ndryshe, lahet me nji gjak burri të gjinisë. Kreu XVI
Pasojat e vdekjes NENI 82. Deka e dhandrrit Me dekë djali, Kanuja e liron çikën e xanme. Pat djalë tjetër, i jati i djalit ka të drejtë t'ja kërkojë për te. Ja dha i jati çikën për djal tjetër, ndera e tij. S'ja dha detyrë s'mund t'ja bajnë. U lirue çika me dekë të djalit, ana e çikës kthen shejin dhe të prumet. Kapari i të folmes e qesja e dhanme natën e shejit nuk kthehen. ”Ato s'përmenden ma. Mbesin për të falme”. Të prumet i jati i çikës i lanë kiste-kiste. I jati i djalit s'mund t'ja bajnë detyrë: ”O sot, o s'ka!” Me dekë dhandrri mbas martese, edhe nji natë mbasi ta ketë marrë nusen, teshat e nuses, pos atyne që ka veshë, i mbesin shpisë së dhandrrit. Gjinija lahet me çaç me mikun. Ka la shpija ma pak a ma shumë, ka pru nusja ma pak a ma shumë, çashtu jesin krye më krye. Nusja kthehet në gjini me teshat që ka veshë. Prindja e nuses ka detyrë ndere mos me dhanë binë nuse në katund të djalit të dekun. NENI 83. Deka e nuses Me dekë çika e xanme, sheji, kapari e qesja me to nuk kthehen. Shkojnë bashk me çikën. ”Desin bashkë me çikë”. Të prumet nuk kthehen. I bahen çiks tesha nusije e futen në dhe bashkë me to. ”Çato ishin fati i saj. Djali pastë fatin e vet!” Me dekë nusja, gjina s'merr gja prej veshës së saj, veç zbukurimet e gjoksit e të qafës për kujtim të saj. Sado të kushtueshme qofshin, dhandrri e shpija e tij nuk kanë të drejtë me ja pengue gjinisë. Ma ja pengue, ajo punë jet me u zgjidh me pleq. Me i pasë qit tesha prej vedi, që janë ba me dije ditën e martesës, gjinia i merr edhe ato. Arka me teshat e tjera i mbesin dhandrrit. NENI 84. Deka e grues Me dekë grueja pa fmi, gjinia ka të drejtën e vet si për nusen. Me dekë grueja e me lanë fmi, gjinia merr për kujtim ndoj palë vath. Teshat me gjithë çka ka arka jesin për fmi. NENI 85. Deka e nanës Me dekë nana me çika të martueme, teshat e saja, të veshme e të paveshme, në arkë e jashta saj, u përkasin të bijave. Ato i ndajnë ndër vedi me mirvet mes tyne. I biri, qoftë i martuem, qoftë i pamartuem, ka detyrë ndere me jau kthye. ”Marrja e çon me jau ndal”. Me ndodh baba gjallë e don me u martue rishtas, bijat teshat n'ja lashin, ja lanë për nderë. Me u takue u takojnë të bijave. ”Nanë e bi arkë e dry”. NENI 86. Deka e babës Me dekë baba, djalit të madh i jesin bashkë me teshat, zbukurimet: me sahat e çastek, qelibar e kuti duhani, sumbllat e sermit e deri te armët e brezit. Me ndodh djali i dytë me moshë afër të madhit, e ama ka të drejtë me i dhanë diçka të dytit, o jau dan simbas zotsisë që kanë. Pushkën e gjatë e merr djali i madh. Mos me mrri pjekurin e burrnimit, e merr nji i shpisë ma në moshë. Edhe me ndodhë djemt prush për tokë, i zoti i shpisë ka detyrë ndere mos me jau prek as mos me lanë kend tjetër të shpisë me vue dorë mbi gjanat e tet. ”U përkasin të bijve, - ka than Leka”. Kreu XVII
Kujdestaria për jetimët NENI 87. Kujdesi i të zot' shpisë Me dek ndonji prej burrave, i zoti i shpisë me burrnimin ka detyrë ndere me u kujdes për fmijt jetim si të ishin me babë gjallë. I zoti i shpisë së madhe djemt jetimë i thrret në odë të miqve qysh tre vjeç. ”Kanë vendin e tet”. Mikut i tregohet se ”u ka dekë i jati tuj i lanë për tokë”. NENI 88. Kujdesi i vllajt të madh Në shpitë e vogla me dekë baba a me e lanë kyveti e shëndeti, vllau i madh hyn në kamb' tet e kujdeset për vllaznit e motrat ma të vogla. Për sa mundet ka të drejtë e detyrë me u kujdes për to, me i mësue e me i çortue, me i dënue e me i urtue deri sa të bahen të zot t'e vedit. Me mbet vllau i madh zot shpije, ka detyrë me u kujdes për martesën e tyne. Mbetën motrat bija veja shkret, ka detyrë me i marrë e me i mbajt bashkë me gjindt e tjerë të shpisë. NENI 89. Kujdesi i nanës vejë Nana vejë ka detyrë ndere me ndej e me rrit fmit. Ajo ka detyrë ndere me u kujdes për to për çdo gja që kanë nevojë dhe me i mësue e me i çortue si të ishin me babë gjallë. Nana vejë, burrneshë e fisnike, i ruen kah hasmi e çdo e keqe, i marton e i rahaton. ”Grueja fisnike ze vendin e burrit dekë, rrit fmit e mban shpinë në kamë”. NENI 90. Kujdesi i të damit nji zjarmi Mbet kush shkret a jetim, të damët nji zjarmi e kanë detyrë ndere para kushrijve, vllaznisë e katundit me jau hap derën e me i bashkue me gjindt e vet. Ndera jau do mos me i da prej gjindve të vet në ndeje e sofër, në veshë e mbathë. Në punë i çon me gjindt e shpisë e u kërkon për sa kanë shëndet e forcë. Jetimve: si djalit, si çikës, për deri sa nuk dalin në veti, jau ka borxh martesën. Me dalë në veti para martese, mos paçin shpi a prish e tynja, jau ka borxh nji strehë sa me fut kryet. NENI 91. Tokë e gja e jetimve E more të damin nji zjarmi, gjind e gja i bashkon, po tokë e kufij jo. Me i bashkue: i mbetuni shkret mjerohet; jetimi t'i do nesër; katundi s'ta ban të mirë. Tokë e gja të jetimve ke detyrë me i kqyrë e me i punue si tokën tande. Ndera ta kërkon mos me e lanë tokën me dalë rrezmit. Ditën që del jetimi në vedi, ja ke detyrë gjanë çaç sa e ka pasë e në çat moshë; tokën në çato kufij. NENI 92. Detyrat e të damve nji zjarmi Me ba me i mundue jetimët, me i da prej gjindve për kah haja, vesha e mbatha, kushrijt kanë të drejtë me i lyp arsye. Nuk e bindën, jetimët i merr nji kushri dhe të damëve nji zjarmi u le marren në derë. Me ndodh e me shitë tokë të jetimëve ai që i ka marrë jetimët, ditën e daes prej tyne ka detyrë Kanuje me ja dhanë çaç tokë prej arëse së vet nën shpi. NENI 93. Kujdesi i dajës për nip e mbesë jetim Me mbet nip e mbesë jetim e mos me pasë ku me fut kryet ndër kushrij, i merr daja. Daja ka detyrë ndere me i rritë si të ishin të gjindve të shpisë. U ban nip e mbesë për martesë, o i marton, o i çon në tokë të vet. Gjanë ja kthen nipit si ja pat marrë. Mund e kapi, e ndihmon me ndreq nji strehë a shpi të re. Tokët ja kthen i kushrini a nja i vllaznisë që i ka punue për vedi. Daja ka detyrë ndere me qit pushkë për nip e mos me e lanë nipin gjakhups. NENI 94. Kujdesi i nipit për dajën Me mbet daja shkret a jetim, nipi ka detyrë ndere me e marrë në shpi të vet e me u kujdes për të si kujdeset daja për nip. Me pasë daja tokë e gja, nipi shkon te daja e kujdeset për tokë e gja dhe ja mban shpinë në kambë. Mbas deks' dajës, ma vend aty nuk ka, veç me e lanë fisi i dajës. “Toka e dajës i përket fisit të vet”. Nipi ka detyrë ndere me qit pushkë për dajën. Kreu XVIII
Të ardhurit në shtëpi e katund NENI 95. Vlla për nane Vllazën e motra për nanë i përkasin të njajtës nanë, por janë dy a ma shumë babash, të nji fisi e fisesh tjera, em të cilët asht martue ajo, si ka mbet vejë apo asht da prej burrit të parë Sejcili vlla për nanë tokëe truell i ka në fis të babës së vet. ”Fmija shkon mbas babës”. Martesë nuk mund të bahet në mes tyne brez mbas brezi. Me ndodh grueja vejë me fmij e me u kthye grue në shpi për nji burr tjetër, fmijt e tjerë do të jenë vllazën e motra për nane të njaj shpije. E ama ka të drejtë të kujdeset njilloj për të dy palët e fmijve. I shoqi ka detyrë mos me ba dallime në mes fmijve të grues së vet mbrenda shpisë. Kur të vinë dita e daes, sejcili vlla del në pjesë të babës së vet. ”Djali gzon pjesën e tet”. NENI 96. Babë dhe nanë të gjetun Baba i gjetun asht njerku, burri i dytë i nanës. Mos me pasë ku me shkue fmit e grues, njerku ka detyrë me u kujdes për fmit e grues si për fmit e vet. Me vu dorë në to faj e pa faj, ka faqen e zezë në derë. I sakatoi a i mbyti, katundi e leçit, fisi i fmisë i lyp ”gjakun e vet”. Nana e gjetun asht njerka, grueja e dytë e babës. Njerka ka detyrë para burrit e nderë para shoqnisë rrotull me u kujdes për fmit e burrit si për fmit e vet. Po ”Njerka s'bahet nanë. Nana: diell e njerka: hanë”. Kreu XIX
Vllazërimi e kumbaria NENI 97. Vlla e motra gishtash “Vlla e ban, gjak s'e ban” Vlla gishtash janë ato që pinë gjak prej gishtash të njani-tjetrit. Me çat ditë bahen vllazën. “Vlla gishtash e ban, po të caranit s'mund e ban”. Besë e nder, dazëm e mort i ke bashkë, po vlla pjese nuk e ke. Me e pre mbas veti, katundi të leçit e të ban gjamën për dekë (Berishë) e ti mbetesh bespremë përjetë. Martesat e shpisë me shpi të motrave gishtash e në mes fëmive të tyne nuk mund të bahen. ”Fmitë e tyne i kanë nanat "motra"“ NENI 98. Kumbaria Kumbaria asht tri duersh: kumbari flokësh, kumbari kunore e kumbari djepash. Për kah Kanuja, kumbaria ma e fortë asht kumbaria e flokëve. Ju morën flokët fmisë, fmitë u banë famull e famulleshë, burrat ndërveti u banë kumbarë, e gratë ndrikulla. Shpijat me shpi të lidhuna me kumbari nuk marrin as nuk japin nuse ndër veti. Dazëm e mort i kanë bashkë. "Kumbaria asht e shejt" NENI 99. Detyrat e kumbarës Kumbara ka detyrë ndere e burrnie para shpisë së lidhun me kumbari dhe para mbarë fisit e katundit, shoqnisë rrotull, me e kqyrë ndrikullën si binë e gjinisë së tij. Me e marrë në dazëm e në gzim si binë në gjiní. Famullit a famulleshës, që ja ka marrë flokët, me i thirr si nipin e mbesën te daja dhe sa herë të kenë nevojë të madhe, me u kujdes për to. Me ndodh e me dal kumbara i pabesë e me lakmue ndrikullën, i jet faqja e zezë në derë. Shoqnija rrotull e leçit. NENI 100. Detyrat e ndrikullës Ndrikulla ka detyrë ndere me e prit e me e qit kumbarën si vllan e vet dhe mos me lakmue për burrë në sa motra vllanë. Bani faqen e zezë kumbara, ajo ka detyrë me e mbrojt nderin e vet, e kumbarës së pabesë me i kallzue rrugën e me i mbyll derën.
Edituar për herë të fundit nga Kandhaon në Mon 05 Apr 2021, 13:12, edituar 1 herë gjithsej | |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:07 | |
| 2. LIDHJET RITUALE TË FAMILJES
Kreu I
Të marrurit e flokëve e vëllazërimi
NENI 101. Të marrunit e flokëve Fmisë flokët i merren me kumbar. Por jo pa mbush vjetin e pa fillue me u cac. Me marr flokët, s'duhet grue, por burrë prej nji fisi a katundi tjetër. Bane kumbar nji katolik apo musliman puna jote. Kushte feje për kumbarën Kanuja s'ka. Pa ju marrë flokët fmisë, gershana s'ja prek. Shkoi gjatë pa ju marr e ju rritën shumë, i digjen me flakë të pishës. Me dek fmija, nuk futet në dhé pa ju marrë flokët. Mos mund ardht kumbara i largët, merr nji shoq katundi e këtë do ta kesh kumbarën ma për zemër, ”tu gjet në ditë të hallit”.
NENI 102. Mnyra e të marrunit të flokëve e të falat Kumbaria bahet me hanë përpjetë nji ditë jave veç të hanes dhe të prendes. Kumbara pritet me kafe e duhan e darka i shtrohet me të gjitha të mirat. Kur i merren fmisë flokët e ama e fmisë sjell gërshant mbi nji rubë të mndashtë e fminë për dore. Kumbara ja pret kaj çubë floksh në tre vende: te balli e në dy anët, te tamthat. Flokët e gërshanë bashkë me 50 grosh kumbara i ven mbi rubën e mndasht tuj urue: ”Me har kumbaria”! Ndrikulla tuj marrë rubën me ça ka sipër i përgjigjet: ”Har e të mirë paç kumbaro!” Kumbarës i fal kmish e tlina të bardha, brez mesit e çarapë. Grues së kumbarës, i çon rubë e çarapë. Ne nesre kumbara e merr ndrikullën bashkë me famull a famulleshën në shpi të vet për 3 net si binë në gjini. Mbas tri ditsh e netsh e përcjell deri ngjitun katundit të saj.
NENI 103. Mnyra e vllaznimit Me u ra gjaku e zemra dy burrave fisesh, bajrakësh, dhenash a feshë të ndryshme, kërkojnë me u vllaznue ndër veti. Për kët punë marrin pëlqimin e të zot t'shpive e të babave të tyne. Vllaznimin kush s'mundet me e ba, pa pëlqimin e dy shpive. ”I vllaznuemi të bahet i shpisë”. Vllaznimi bahet me hanë përpjetë nji ditë të caktueme, veç të martes e të prendes. Atë natë te njana shpi bahet nji darkë e urohet vllaznimi i ri. Vllaznimi bahet tuj jau pre i zoti i shpisë bulat e gishtave e tuj jau hedh pak gjak në dy filxhana me raki a në dy rriska sheqeri. Të vllaznuemit ja kojnë njani-tjetrit filxhanin a rriskën e sheqerit me gjak. Merren ngrykë e i shtrëngojnë duert njani-tjetrit.
Kreu II
Dasma
NENI 104. Dita e dame Nuse e dazëm nuk ka pa la ana e djalit të prumet e të shtumet. U lánë krejt me të madhe e me të vogël, ana e djalit ka të drejtë me lyp ditën e dame, me lyp fenë. Fenë e ditën e dame i cakton ana e çikës. Me caktue ka të drejtë, po me kërkue jo. E kërkoi lshon të binë në marre, ”Çika kërkon burrë”. E kërkon, kur don me e ba anën e djalit me hek dorë doemos. ”O merre o lsho, e xanmja ka cak”. Dita e dame për fenë e çikës e dazmën e djalit caktohet 7 deri në 9 javë para. Me çat ditë i ke krushit në derë. Dita e dame asht si dita e dekës, me nji cak. ”Dita e dame as dekës s'i lshon rrugë”.
NENI 105. E bamja gati dhe e thirrmja në dazëm Me u ba gati për dazëm, fillohet me t'u da dita e fesë. I zoti i shtëpisë ka detyrë me u sigurue me kohë: me bukë, miell gruni, mish, raki, djath, oriz, kafe, sheqer, me tlyn e mjalt. ”Dazëm pa mish nuk ka, banu gati pra!” Të thirrmit në dazëm janë: krusht e krushka, kujdestari i shpisë, thirrcit, magjatorja, akshia, kafexhia, puntorët e shërbimit, kujdestarët e sofrave dhe dazmort: me kushrij e kimbarë, bija e nipa, miq e shokë. Krusht thirren 3 javë para ditës së dazmës. Të tjerët thirren dy javë para. Krusht i thrret i zoti i shpis. Të tjerët i thrrasin thirrcit. Thirrcit janë farefis i djalit. Detyra e tyne asht me thirr shpi më shpi e emën për emën, simbas porosisë së të zot t'shpisë.
NENI 106. E thirrmja në fé dhe detyrat e të thirrunve Në fé thirren miq e shokë ma pak se në dazëm. Me thirr çohen thirrcit dy javë para. Të shkuemit në fé kanë detyrë me prit e me qit miqt simbas zakonit. Shkojnë 2-3 orë para krushve e largohen 2-3 orë mbas tyne. Bijat vinë ditën që xihet çika. Veshatarja e nuses vjen nji ditë para krushve. Puntorët e shërbimit me magjatore, akshi, kafexhi, kujdestar sofre etj., mbahen për cillë e pushojnë për qef të vet.
NENI 107. Rendi me shkue në dazëm Magjatorja, akshija, kafexhija e puntorët e shërbimit vinë ditën që do të mbrrijnë krushit e largohen nji ditë mbas krushve. Ato e kanë në dorë mallin e shpisë. I zoti i shpisë ka detyrë me jau çue para. Masën e si me i përdor e dinë vetë. Detyrë kanë mos me lanë gjá mangu për me nder të zotin e shpisë me gjith pjestarët e vet. Kujdestari i shpisë vjen i pari. Ky asht njeriu ma i afërt e ma i besuemi i shpisë. Ai ka detyrë ndere me mbajtë rregullin për të thirrmit: miq e shokë, kushrij e bija me nipa e mbesa. Ai asht syni e veshi, fjala e kujdesi i të zot t'shpisë mbrenda e jashta shpisë. Mkamsit e sofrave ndihmojnë akshinë e kujdesen për rregullin në sofër: me raki, bukë, mish e çdo gjá tjetër.
NENI 108. Tupanxhia në dazëm Tupanxhinë e thrret në dazëm i zoti i shpisë. Ai vjen para krushve miq. Detyra e tí asht me i rá tupanit sa herë t'ja kërkojnë krushit e dazmorët simbas rregullit të shpisë. Mundin ja lan i zoti i shpisë, simbas marrëveshjes. I falen gjá dazmort, ndera e tyne. Ky s'ka të drejtë me kërkue gjá.
NENI 109. Rreshtimi i krushve Rreshtimi i krushve bahet me Kanu të Lekës: nji shoq, nji mik. I zoti i shpisë, në fund me kalë për dore. Radhën e rendin e krushve e kërkon dhe e cakton i zoti i shpisë. Detyrë ka me ja dhanë gjithkuj vendin e vet. S'ja dha, i ka borxh. Ai ka të drejtë me ju largue dasmet. Krushkapar asht nji shoq i vllaznisë së të zot të shpisë a i çasaj vllaznije fisi, me të cilën ka të thirrme bashkë për krushk. Krushku i dytë është daja i dhandrrit. Të tjerët: shoq e miq pa harrue kumbarë e dashamirë. Deveri, me kalë për dore. Deverin, i zoti i shpisë e cakton prej kushrijve të besuar, ja shkon vet. Numri i krushve s'duhet të jet me i madh se ja ka caktue ana e nuses; gjithmonë duhet të jetë tek, 7, 9, 11, 13 a 15 krush.
NENI 110. Nisja e krushve Nisja e krushve bahet tue këndue dy palë kajkatarë ”kajkën përpjetë”. Krushkapari i uron e qet me pushkë. Gratë i përcjellin me kajkën ”Udhambarë”
Kreu III
Krushq e nuse në fé e dasëm
NENI 111. Përgatitja e nuses Çika s'duhet me ditë gjá për ditën e dame. Po ajo tërthorazi e merr vesh. Asaj i tregohet vetëm tri ditë para. Çikës së xanme i gjyhen flokët të zeza e thojt me kánë. Me të fle e ama ja grueja që i ban shërbim. Veshatarja e vesh e stolis nusen në të dalë të dritës. E bani gati, e çon në odën e grave. Aty falet e përfalet me të shpisë e me kushrijt. Ulet mbi nji shkamb me duvak mbi krye e pret të vjehrrin. I zoti i shpisë i ve detyrë ndere veshatares mos me e vonue nusën për mos me i pengue krushit që lypin me u nis sa ma heret.
NENI 112. Krushit në shpinë e nuses, pritja e përcjellja Krushit vinë te miku pa ra muzgu. Të shpisë me miq e shokë u dalin para në oborr. Me këndue përpjetë e me qit pushkë, s'munden pa leje. Me të fillue kajkën, çika fillon me kajt me ”eh, eh, eh!” sa ku me ndie krushit. Mbrendë hyjnë mbas të zot t'shpisë. Në odë ulen simbas radhës që kanë mbas krushkut të parë. I zoti i shpisë u thotë: ”Lirohi, bre burra!” Mbas çasaj fjale, kanë të drejtë krushit me hek apangat e teshat e randa. I caktuemi për me i ruejt, i merr e kujdeset mos t'u humbin. I humben kujt, do t'ia japin të reja i zoti i shpisë. Mikut ndera ja do me i prit e me i qit mirë krushit. ”Me zor kush s'ta ka msye shpinë”. Askush s'ka të drejtë me i tandue krushit. Llafe do të bajnë, po jo me i randue kush. Cila palë ta tandojë shoqin, jet me dhanë pengun e ma la gjobën. Kur t'i thonë vjehrrit: ”Nusja asht gati”, ai hyn në odën e grave dhe i vjen rreth nuses tri herë rrotull krés me dorën grusht. Tuj hap dorën, prej ku binë paret për tokë, uron: ”Na koftë për har e martoshi djelt”. Krushqit dalin heret prej shpije. Kndojnë përpjetë e qesin pushkë. Nusja del me kambët zhag e tuj u kap mbas dyersh. Për krahsh e marrin nji burrë e nji grue të shpisë tuj e ndihmue me hec. Mbas krushve shkon kambë a në kalë e përcjellun prej krushkës e deverit a me përcjellës.
NENI 113. Krush e nuse rrugës për në dazëm Nji kanop kali mbas krushve nusja shkon tuj kajt me za deri sa të dalin prej lagjes a katundit të vet. Me shkue në kalë, do t'a mbajë kryet ulë deri te jelet e kalit. Me mbet nusja larg, krushit hecin ma javash deri sa t'i mrrijë. Kalimtarët u lshojnë rrugën krushve. Prej katundi në katund i urojnë e qesin nji pushkë. Krushit u përgjigjen me nji pushkë ma shumë. Me u ndesh dy palë krush rrugës, krusht vendas u lshojnë rrugën krushve miq. Kanuja thot: Mbrenda katundit, fisit a dheut të vet, krush e nuse bien nën rrugë. Në katunde të hueja bajnë marrëveshje: njana palë krushësh mbi rrugë e nusja nën rrugë, ose krusht nën rrugë e nusja mbi rrugë. Kur t'i afrohen katundit, krusht nisin në shpi lajmsin. Lajmsi ka detyrë me shkue fluturim e me lajmue dazmorët se krush e nuse ja mrrinë. Të shpisë i falin një palë çarapë dhe i shtrojnë para petulla ma mjaltë.
NENI 114. Nusja në pjekje (Iballë me Brigje) Nusen në pjekje krusht e presin nji mes vendi, ndërmjet katundit që nep e katundit që merr. Pjekja bahet simbas marrëveshjes: te nji mriz, krue, lendinë, qafë etj. Koha e pjekjes asht mjesdita. Të dy palët duhet të jenë aty përnjiheri. Prej palës së çikës vinë rreth 11 përcjellës: burra e gra. Prej palës së djalit vinë çaç a pak ma tepër ku falen e përfalen. Secila palë ka bukën e vet për rrugë. Në pjekje ndrrojnë duhan e ka nji gotë raki. Krusht këndojnë përpjetë e qesin pushkë. Nusja rri larg tyne. Mbas kajkës marrin rrugë e tuj u da miqsisht me urime ndër veti.Me ba mos me e qit nusen në pjekje, shpija e saj bje në gjak me krusht.
NENI 155. Nuse e përcjellës natën e dazmës Me të dal krusht me nuse ball shpijash, këndojnë përpjetë e qesin pushkë. Gratë rreshtohen e këndojnëpër mirëseardhjen e nuses. Nusen e ndalin në oborr. Të shpisë sjellin nji djalë 4-5 vjeçsh. Përcjellsit e kalojnë tri herë nën bark të kalit e sipër tij, rreth e rreth. Së fundi, ia ulin në prehër. Nusja i ve në qafë nji palë çarapë. Përcjellsit e ulin tuj i ra një shpullë, sa të qaj pak. Përcjellsit nusen e marrin peshë prej kalit e deri te pragu i derës. Nana e dhandrrit hedh mbi kryet e nuses: grun, oriz, kokrra kafje e rriska sheqeri. Pragun e derës nusja e prek me gishta, lye me mjaltë. Prej derës së shpisë, nusen e çojnë në kthinën e vet. Përcjellsit me nuse ulen e pushojnë. I zoti i shpisë me një mik e shoq të vetin u bajnë shoqni e ju shtrojnë nji darkë të shpejtë. Sa të rrinë përcjellsit me nuse, krush e dazmorë as kndojnë, as kcejnë. ”Tupani rri pushim”. Përcjellsit përciellen deri në të dal katundit. Kur janë të largët fort, çohen te nji shoq a dahsamir i të zotit të dazmës. Shpija, ku kanë me fjet përcjellsit, duhet të jet larg sa mos me u ndi lodër as kajkë. Ne nesre largohen nëpër dritë, pa i pa kush. Mbas darke dhandrri u thot krushve ”natën e mirë” dhe del me të shpejt e shkon te nusja. Krushit kinse të pezmatuem se po jau pret nusen ”mik” çohen e gjuejnë me stole, apanga drejt tí a ja përplasin mbi derë. Rreshtohen e të kapun krahë mbi krhaë këndojnë kajkën e dhandrrit tuj e rrit hovin e gzimit në dazëm. Me ba me u plague dhandrri prej krushve kah ban me ik kush me faj s'mund të bahet. ”Krusht ishin tuj u mahit. Dhandrri të ruhet”.
NENI 114. Nusja në pjekje (Iballë me Brigje) Nusen në pjekje krusht e presin nji mes vendi, ndërmjet katundit që nep e katundit që merr. Pjekja bahet simbas marrëveshjes: te nji mriz, krue, lendinë, qafë etj. Koha e pjekjes asht mjesdita. Të dy palët duhet të jenë aty përnjiheri. Prej palës së çikës vinë rreth 11 përcjellës: burra e gra. Prej palës së djalit vinë çaç a pak ma tepër ku falen e përfalen. Secila palë ka bukën e vet për rrugë. Në pjekje ndrrojnë duhan e ka nji gotë raki. Krusht këndojnë përpjetë e qesin pushkë. Nusja rri larg tyne. Mbas kajkës marrin rrugë e tuj u da miqsisht me urime ndër veti.Me ba mos me e qit nusen në pjekje, shpija e saj bje në gjak me krusht.
NENI 155. Nuse e përcjellës natën e dazmës Me të dal krusht me nuse ball shpijash, këndojnë përpjetë e qesin pushkë. Gratë rreshtohen e këndojnëpër mirëseardhjen e nuses. Nusen e ndalin në oborr. Të shpisë sjellin nji djalë 4-5 vjeçsh. Përcjellsit e kalojnë tri herë nën bark të kalit e sipër tij, rreth e rreth. Së fundi, ia ulin në prehër. Nusja i ve në qafë nji palë çarapë. Përcjellsit e ulin tuj i ra një shpullë, sa të qaj pak. Përcjellsit nusen e marrin peshë prej kalit e deri te pragu i derës. Nana e dhandrrit hedh mbi kryet e nuses: grun, oriz, kokrra kafje e rriska sheqeri. Pragun e derës nusja e prek me gishta, lye me mjaltë. Prej derës së shpisë, nusen e çojnë në kthinën e vet. Përcjellsit me nuse ulen e pushojnë. I zoti i shpisë me një mik e shoq të vetin u bajnë shoqni e ju shtrojnë nji darkë të shpejtë. Sa të rrinë përcjellsit me nuse, krush e dazmorë as kndojnë, as kcejnë. ”Tupani rri pushim”. Përcjellsit përciellen deri në të dal katundit. Kur janë të largët fort, çohen te nji shoq a dahsamir i të zotit të dazmës. Shpija, ku kanë me fjet përcjellsit, duhet të jet larg sa mos me u ndi lodër as kajkë. Ne nesre largohen nëpër dritë, pa i pa kush. Mbas darke dhandrri u thot krushve ”natën e mirë” dhe del me të shpejt e shkon te nusja. Krushit kinse të pezmatuem se po jau pret nusen ”mik” çohen e gjuejnë me stole, apanga drejt tí a ja përplasin mbi derë. Rreshtohen e të kapun krahë mbi krahë këndojnë kajkën e dhandrrit tuj e rrit hovin e gzimit në dazëm. Me ba me u plague dhandrri prej krushve kah ban me ik kush me faj s'mund të bahet. ”Krusht ishin tuj u mahit. Dhandrri të ruhet”.
NENI 116. Dita e parë e dazmës Nadje, në të rame të diellit, nusja shkon në krue me nji djalë të shpisë para. Te kroni mbush bucelën me ujë e djalit i fal nji palë çarapë. Gratë për kundruell këndojnë kajkët e gzimit se ”msoj nusja rrugt e kronit”. Sa vjen nusja prej kronit, u qet krushve ujë sysh prej mashtrabe, pa u kput deri sa të soset. E kputi ujin, bje në marre. Si të lajn krushit sytë, nusja rri me duer e sy palutë. Gratë këndojnë kajkë dazme e krusht kcejnë me haré. Dazmort fillojnë lojën me krush. U mbyllin derën e shpisë. Krusht, ”të pezmatuem”, me spata, huj e leva sulmojnë derën deri sa e hapin. Dazmortqë mbyllen derën “dënohen” prej krushve. “Hine në lojë, s'ke pse qahesh. U vrave kund, banja shyqyrin që pshtove me çaç. Theve kambë a dorë, rrezik e pate”. Me ba kush lojë të randë me qëllim me shitue kand, ja pret mik të zot t'shpisë. ”Loja-lojë, po edhe ajo ka cak. Dazmort kan ardh për gzim e gzimi s'banë dhunë”Pak para mjesdite diftohen teshat e nuses. Nusja rri palutë krah teshave që i difton e vjehrra. Para nusës vehet nji tepsi, ku krush e dazmorë falin ”paret e nuses”. Paret e nuses janë të falme deri 1 grosh. Kujdestari ”i pareve të nuses” uron sejcilin për bujarinë e tij.
NENI 117. Mbarimi i dazmës e të falat e nuses Mbas mjesdite krush e dazmorë rreshtohen me u da nëpër shpijat e veta. Nusja mban në dorë të falat, çarapt e krushve. Atyne jau jep në dorë e kunata e nuses, që i rri ngat. Krusht i lanë ka 1 grosh. Gratë kndojnë kajkët e mbarimit të dazmës. Krusht e dazmorët e largët kthehen prap me lutjen e të zot t'shpisë e flejnë aty edhe atë natë. Nusja vjehrrisë u bje të fala kmishë e tlina, çarapë e brez. Kunatave, rubë e sapun. Mos me i prue të falat nusja si lypen, bje në marre. Me sha kush dazëm e nuse, bje në fal para shoqit e katundit.
NENI 118. Nusja në konak Nji javë mbas dazmës nusja thirret nëpër konaqe. Konakun e nuses e kanë detyrë ndere: të damt nji zjarmi, shoqi në derë e të afërmit e nuses në atë katund. Me thirr shkon e zoja e shpisë. Thrret nusen me të vjehrrën e me një kunatë. Në konak thirret edhe ka nji grue prej shpive që ja kanë borxh konakun nuses, krejt nji sofër gra. Burrat gjajnë rast e nuk rrinë në konak të nuses. Gratë kanë të drejtë për kajkë e valle për gzim të nuses. Nusja në konak rri për nuse. Nuk flet, veç kur e pyesin. Përgjigjet me zá të ulët sa ku hap gojën. Para e mbas buke ma shumë rri në kambë, paluet. Ndryshe jet me marre.
NENI 119. Nusja spanispar Nusja shkon në gjini spanispar dy javë mbas martese e rri dy javë. Tpanit të madh, tpanit të zakonshëm, shkon mbas tre muejsh e rri tri javë. ”Vjetin e parë nusja e ka lejen me pash”. Detyra e nuses dhe e gjinisë asht mos me e thye cakun e tpanit. E thej, nuses i pritet rruga e gjinisë. Spanispar gjinia vinë me e marr: miq spari. Ashtu shkon edhe ana e dhandrrit, miq spari. për miq spari, dy palt shtrojnë darkë. Nusja çon e bjen kulaç gruni. Kulaçt e nuses janë gjithmonë ma shumë se ka gjind shpija.
Kreu IV
Morti (Vdekja)
NENI 120. Të thirrmit në mort Me dekë kush, çohen lajmsit shpi për shpi me thirr ato me të cilët kanë dazëm e mort: kushrij e shokë, miq e dashamrirë, bija e nipa. Të thirrmit ngushllojnë: ”Qofshi vet, mor me gjith ká keni” etj Në mort shkon me pa kushdohi: të thirrmit e të pathirrmit, mik e anmik: As gjaksi s'ka ndalesë në mort. Me ardh për kryeshëndosh, pritet e përcillet; ”Të erdh për kryeshëndosh!” Të thirrmit bahen gati e shpejtojnë me shkue në mort para varrimit. Të thirri tjetri në mort ke detyrë ndere me i shkue.
NENI 121. Gjama Kur dalin ball shpisë, miqt fillojnë gjamën e parë. Në të hymë të oborrit, fillojnë gjamën e dytë. Gjamën e tretë e bajnë në kohën kur bahen gati me u nisë për në vorre. Gjamatarët rreshtohen në oborr në gjysmërrethi. Gjama bahet me prijës. Prin kush asht gjamatari ma i zoti. Të tjerët e ndjekin njiherash mbas tí. Gjama te vorri bahet nja 20 m larg të të vdekunit. Rreshtohen në heshtje dhe për pak minuta qëndrojnë me vështrim mbi rrobat. Pastaj i japin kokës e trupit një drithmë, vejnë gishtat në bel (mesit) dhe lëshojnë të gjithë njëherit mbas një drithme një britmë të gjatë: ”Mjeeer!” tue i dhanë gjith trupit lëvizje të mundimshme. Vazhdojnë me britmën tjetër po aq të gjatë e të thekshme: ”Mjer, u vllaj jem!”. Tue e ngrit kryet me mundim, lëshohet britma tjetër si e para: ”Mjer u' !”. Me dorën e majtë kapet hunda dhe tue e mbajt si në grusht, lëshohet me hundë e me gojë rënkim me britma vajtuese: ”Ah, ah, ahah!”... për nja dy minuta. Gjama vazhdon me britmën e gjatë e të thekshme, si përpara: ”Mjeri u', vllaj jem!”. Në angth ngrihen grushtat e, si nxirret gjoksi para me një përkulje mbrapa i bihet gjoksit për disa sekonda. Bahet përkulje ngadalë e në mundim të trupit pak para tue gërvisht tamthat në anët e faqeve deri sa rrjedh gjak. Gjama përsëritet prej fillimit për 9 herë tue u afrue pak nga pak drejt rrobave. Qëndrohet ashtu për pak, mandej bihet në gjunj. Ngrihet koka e nxirret gjoksi para tue i ra prap me grushta. Ata që ndigjuen gjamën, i kapin gjamatarët për krahësh e rrobash për t'i ngritun prej aty. Gjamatarët mbas nji farë ngurrimi, çohen të mjeruem e largohen ma larg të vdekunit. Kjo lloj gjame u bahet kryesisht të vramve, aq ma tepër atí që asht vra në dhé të huej, vorri i të cilëve, asht hapun, vetëm si simbol i vorrimit në vorret e përbashkëta. Gjama vazhdon prej miqve e farefisit dhe tri ditë mbas vorrimit të të vramit. Te vorri rreshtohen teshat e të vramit si t'i kishte veshë bashkë me rrypin e fishekëve mbi brez me armën për bri.
NENI 122. Vaji Ball teshave vajton nana me gratë e shpisë e të shpive të shokve rrethas. Mbas vajtimit të saj fillojnë vajnë e motra a e bija. Për gratë e djalin nën 7 vjeç s'bahet gjamë. Bahet vaj e vajtim. Vajtimin e fillon e ama me nji grue të farefisit. ”Gratë vajtojnë, po nuk grishten si burrat në gjamë”. Vajtim mund të bajnë edhe e bija, e shoqja e nji grue shoqi. Për vajtim të fortë thirret një vajtore e zoja. Vajtorja jashtë katundit vjen për nder të atí që e thrret. Për mund e rrugë s'merr gjá. Vajin e ban pak pa e qit shpijet të dekmin.
NENI 123. Vorrimi Vorrin e drrasat e vorrit i bajnë shoqnia rrethas. Vorrimi bahet me ndihmën e farefisit e të shoqnisë rrethas. Në vorre i dekmi qohet me vig. Vigun e mbajnë 4-6 përcjellës. Përcjellës janë farefisi e shoqnia rrethas. Kur ndrrohen përcjellsit, vigu nuk ulet për tokë, veç po ke vendi i keq fort për kalim. Vorrimi bahet tuj e fut të dekmin me teshat e dekës apo me qefin. Teshat e dekës duhet të jenë të reja e simbas moshës. Me dekë çika në moshë për nuse, futet në vorr me teshat e nusisë. Qefini duhet kambrik i ri, i paqepun.
NENI 124. Vorret Vorret e katundit bahen rreth kishës a xhamisë. Lagjet e largta fort i caktojnë vorret në vende bashkari a të nji shpie që e fal për shpyrt. Shpia me shpi i ka vorret e dame dhe kush nuk ban me ju përzie. Vorret nuk i preken as nuk i trazohen kuj. As hasmit. I paburri ka punë me vorret e hueja. Me trazue kush vorret e hueja, gjykohet me pleq e bje në gjobë të katundit. Mëkatarët e të huejt i kanë vorret veç tjerëve.
Kreu V
Drekët, doket dhe normat kanunore që lidhen me to
NENI 125. Drekt në mort Drekt janë cilla e ditës së vorrimit. Po drekt janë edhe darka e cilla që shtrohen në dy ditët e para të dekës. Kushrijt e shoqnia rrethas ndihmojnë me bukë, djathë e kos. Bien edhe sofra, kupa, vegsha, lugë, qilima etj. për sa të vazhdojnë drekët. Ndima katundisht asht nji bukë furre, një cingë kos e nji mshere djathë. Drekët u bahen gjindve të shpisë e të mbetunve shkret që kanë hy në gjindt e shpisë. Me ndodh e me dekë bija në gjini, gjinia ja ka detyrë ndere drekët. ”Nuk çohet e dekme te i shoqi”. Drekët shtrohen për të thirrmit në mort e për kush të vinë me to. Drekët me mish.
NENI 126. Të mbajtmit zí Zija mbahet deri nji motmot. Në zí nuk kndohet as nuk i bihet fyllit, lahutës, çiftelisë, a lodrës. Gjatë zisë gratë mbajnë rubë të zezë ja të bardhë. Zija s'mund e shtyn ditën e dazmës. Ndoj ditë në shej: festë me miq a gzim të madh, zija pritet. Zinë e pret nja ma i afërti i dekmit: baba, vllai, i biri, e ama a e motra. Mbas çatí rasti vazhdon prap zija.
NENI 127. Katundi e miku në ditët e para të mortit Në mort për 7 ditë e net nuk ka kush të drejtë me bza asaj shpie në detyrë katundi e bajraku, dami e gjobe, uhaje e borxhi. ”Ka mort e zI, pret e qet për kryeshëndosh”. Me i ra miku në derë shpisë në mort, me dije e padije për mortin, e me i kërkue me i krye nji detyrë ndere, i zoti i shpisë e pret e qet si për mik. ”Sido të jesh, mikut s'i kthehet shpina. Morti-Mort, miku-mik! Ndryshe koritesh”.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:08 | |
| 3. PARIME THEMELORE TË KANUNIT
Kreu I
Nderi vetiak
“Burri pa nderë si shpia pa derë”.
NENI 128. Nderi e burrnia Nderi e burrnia janë nja, nuk dahen. Burri ka nderë e burrni. ”Burri pa nder asht i dekun kah Kanuja”. Burri mbi nder s've as pasuni as jetën e vet. Nderi e burrnia nuk i preken kuj. Ju prekën ”qëndro e fiku, ja ul kryet e koritu”. Burri që s'ruen burrni e nder, s'asht burr. ”Ha bukë e marre”. “Çdo gja falet, po nderi s'falet”. Ju múr kuj ftyra, nder e burrni s'ka ma ndër shokë e miq.
NENI 129. Nderi s'lahet me gjobë Ju múr kuj nderi me të shame a të rame, me dhunë a përdhunë, me pré a vrasë, peng e pleq s'mund lyp, gjobë s'ka. Burri që asht burr e ven vet nderin në vend. Dorasin e fajtorin e vret ja i hyp shkelma e le taralang. ”Kush të keqe s'ja ban. I dul zot nderit të vet”. Burri i fort di edhe me fal. ”Burri i fort s'fal për tutë, po për burrni. Miq e dashamirë s'mund i kthen mbrapsht.” “Burri çfarë s'fal për hatër të mikut e të dashamirit”.
NENI 130. Kur i merret burrit nderi Nderi i merret: -me e pshty, me i ra a me e kap për mustakësh; -me ja dhunue kush bukë e mik, punëtorin a rrogtarin, besën a ndorën, ndërmjecën a dorzaninë; -me ja dhunue kush motër a nanë, çikë a grue, kunatë a të gjakut para sysh; -me ja gjit me barrë çikë a motër jase vejushën në shpi; -me ja grabit çikën a motrën, nusen a gruen apo me ja hek e me ja dhanë kuj apo me ja çue gjinisë së vet; -me ja hek, me ja marr ose me ja grabit armët e krahut a të brezit; -me ja vra kush qenin në hekra, ja ogiçin e kumbonës mbas gjasë së vet, mbas gjindve të shpisë a të kti vet pa pas punë me ndoken; -me ja hek gjan e vet përdoret, ja me i thye shpi e vath, bletë e çarranik e me i grabitë gjanë e gjallë e pasuninë.
NENI 131. Kur i bihet ndesh burrit Me i thanë rrene faqe burrash, me e sha, me ju mat; me ju shpif për ndoj punë të keqe, me ja prish kuvendin e fjalën faqe burrash; me e kërcnue e me i bërtit në ndeje a kuvend burrash. Burri nuk ngutet, po i kërkon arsye vet a me pleq, kurse katundi i ve gjobë. ”I ra në qafë faqe burrash, jau preu "mik"“.
Kreu II
Nderi i shtëpisë
NENI 132. Nderi dhe shpia Gjindët e shpisë të mirën e të keqen ta binë në shpi. Nderi i gjindëve të shpisë asht barabar. Me u korit nja prej tyne, koriten tanë gjindët e shpisë. Qëndroi, e zbardhi faqen, nderoi tanë shpinë e zjarmin e vet. E mbara e shpisë, kur pret puna, e do që të pyetet i zoti i shpisë me qit a mos me qit pushkë. Kur s'pret puna, gjindët e shpisë kanë të drejtë me qëndrue burrnisht e shpija do t'jau bajnë ”për har”.
NENI 133. Nderi i grues Nderi i grues asht edhe nderi i të shoqit e i gjinisë së saj. Grueja e çika kanë detyrë me ruejt nderin e vet. U koritën vetë ato, koritën edhe shpi e gjini, babë e burrë. Grueja e çika fistare dinë me e ruejt nderin e vet. Të keqit i tregojnë rrugën. Mujtën me qëndrue, ”aferim u koftë”. Vranë e shituen kand për nder, shpi e gjini, jau bajnë për har e u dalin zot. S'e ruejtën nderin me dashje, i pret dënimi me jetë.
NENI 134. Kur i merret nderi grues a çikës së huej -Me i dhunue e përdhunue a me i gjit me barrë; -me ja marr ruben e kresë a ndoj veshë të trupit; -me e shkye e përshkye teshash a me e rreh; -me i marr bulerën, barrën e shpinës, ja me ja thye, me ja shprish a hallakat, i merret nderi çikës e grues.
Kreu III
Miku
NENI 135. Miku, ndera e shpisë Rrugtari a lypsi, dashamiri a miku dhanë e marrë nuse, i hueji a hasmi, ma të ra në derë, të bahen ”miku i shpisë”. Mik e ke për sa ta kesh në shpi e në bukë tande. Doli prej teje e hangër bukën e huej, për mik ma s'të njihet. ”Ndrroi bukë, ndrroi mik”. ”Shpija asht e zotit e e miqve. Shpi pa mik mos pastë!” Me hy miku në shpi, shpija kthehet kah miku. Nderet i bahen mikut. Burrnimi ndjek qefin e tí. Shpija që nderon mikun, merr zá e burrni, ndryshe koritet.
NENI 136. Miku në oborr Miku thrret në oborr të zonë e shpisë. ”Thirre në oborr, o prit përgjigje, o ik e shko gjeti”. Bani za miku, i zoti i shpisë a dikush prej burrnimit përgjigjet pa prit me dal jashtë. Del jashtë, falet me mik e i prinë mbrenda në shpi. S'qëlloi burr, del e zoja e shpisë. Kjo thrret nji shoq me ardhë e me ndej me mikun, me i ba kuvend e mos me lanë me u mërzitë.
NENI 137. Pritja e mikut në shpi Miku shkon mbas atí që prin. Hyni në odë a te votra, hek armët e krahut e ja nep shpijakut tue than: ”Koft mirë!”. Shpijaku ja merr armt e krahut e i vjerr ball mikut. Mikun e uron me ”Mirse erdhe! Paç ardh me faqe të bardh!” I difton kryet e votrës a të oxhakut. Kryet e vendit i lshohet mikut edhe në çdo ndeje e kuvend. Grues mikeshë i lshohet kryet e votrës ndër gra.
NENI 138. Nderet e mikut në sofër Mikut i nep duhan e i çon kafe. Me hangër e ul në krye të sofrës. Për nder të tí sofra mbushet plot. Shpijaku e ka detyrë ndere ta lus mikun me raki e me të ngranme. Mbas tí ha edhe ”40 kashatë”. Rakia nuk hiqet pa thanë miku: ”S'pi ma” e pa e lyp bukën. Pa lanë bukën miku, i shpisë s'mund e lanë. E la para mikut, ka tandue mikun. Çdo gja që sillet në sofër; raki e meze, bukë e hae, nuk soset krejt. Diçka, do të lehet për mik. U sos e nuk u la gja, i koritet sofra mikut. Miku ka të drejtë me lshue pengun për gjygj e pleq.
NENI 139. Nderet e mikut mbas darke Mbas buke mikut i përpushet zjarmi si dimën, si verë. Mbas darke miku rri sa të ket qef. Burrnimi s'mundet me fjetë pa thanë miku: ”Po bim me fjet tash”. Miku çohet për qef të vet. Shpijakët s'kanë të drejtë me ja prish gjumin mikut në nade.
Kreu IV
Detyrime ndaj mikut
NENI 140. E përcjellmja e mikut Mikut, para se me marr rrugë, i piqet kafja. Mbas pak i çohet buka para a i nepet me veti. Mikut ja ke borxh përcjelljen deri në fund të oborrit. Mikun e largët, që nuk i di rrugët e katundit, ke detyrë ndere me e përcjell deri në rrugën kryesore. Me ta kërkue miku me e përcjellë deri në katundin shoq, ja ke detyrë ndere.
NENI 141. Detyrime të veçanta për mikun Mikut me hasëm mbi krye ja ke detyrë ndere të përcjellmen deri sa ta çosh ku lyp ai a ta sigurosh me ndoj shoq a dashamirë për aty. Mikun e largët, që ka ardh për besëlidhje dheu a malesh, ke detyrë ndere me përcjell vetëm a me shokë nëpër bajrak e deri në bajrakët e tjerë të dheut tand. “Mikun përcille e ruje. Por kujdesu që të mos bajnë ndoj dhunë a mbrapshti në lagje a katund”. Bani dhunë a mbrapshti, katundi kërkon t'i japish arsye. ”Ti i dhae bukë e strehë, ti do të lajsh për dam e faj të tíj”. More gja prej mikut për sa lave për ta, puna jote. Katundi s'do me ditë gja. ”Miku i keq, të keq me katund”.
Kreu V
Miku i mikut
NENI 142. Miku i mikut të shpisë Me të ardh miku i shpisë me një mik: shoq, vlla gishtash, kumbar a dashamir të vetin, mik shpije a mik i largët, do t'i napësh kryet e vendit. Mikun e shpisë do ta ulish mbas tí. Mos me desht miku i mikut për arsye moshe a fisi, asht ndera e tí. Detyrë s'mund t'ja bash, por nderet e të ndejtmen kuvendisht do t'i kesh ma shumë për te. ”E ke mikun e mikut. Miku i mikut asht dy herë mik: mik si çdo mik e miku i mikut”.
NENI 143. Miku i mikut vetëm Me të ardh kush me fjalë të mikut të shpisë a me të thanë: ”Jam miku i mikut tand”, shoq a vlla gishtash, kumbar a dashamir, mik shpije a mik i largt, ja ke për detyrë nderet e mikut në za. Mikut të mikut të shpisë, kur vjen së parit, i ban pritje e mbi pritje. ”Miku i mikut asht dyherë mik: mik si çdo mik dhe mik në vend të mikut të shpisë”.Me e qit puna me miq tjerë, vend e ndeje ja jep simbas rradhës së fiseve të Lekës e prej tyne nuk mund e dajsh. E dave veç për ndeje e sofër, koritesh para miqsh e katundit.
Kreu VI
Miku i shoqit kufijar
NENI 144. Detyra ndere për mikun e shoqit Me u ba me mikun e shoqit rrugës a shtekut, ja me të pyet në qafë të shpisë për shpinë e shoqit tand, ku do me shkue mik, ja ke detyrë ndere me i diftue rrugë e shtek, ja me pri deri në oborr të shoqit. E përcolle mikun deri në oborr të shoqit, ndera ta kërkon të mos ja kthesh shpinën, pa i thirrë shoqit. T'u përgjegj za burri, ma detyrë s'i ke. S'tu përgjegj kush, ja t'u përgjegj za gruje, ndera ta do me ndej me mikun e me prit ndoj burrë, sa të kthehet në shpi, ja i prinë te shpija jote; ndryshe, me dasht me shkue kund gjeti e përcjell. Me të çue fjalë e zoja e shpisë së shoqit me shkue e me i ndej me mikun e shpisë së saj, sa t'i vinë ndonjani prej burrash, ke detyrë me lanë çdo punë e me shkue. E muer vesh se i erdh shoqit ndoj mik dashamirë a ndojë mik në za, ke detyrë ndere me i shkue mbas darke me shokë rrethas për me i ba shoqni në ndeje e kuvend, kajkë e lojna.
Kreu VII
Miqtë në festë, gostë, dasëm, mort
NENI 145. Rendi i ndejes së miqve Në festa a në gzime, në dazma a në mort, miqt vinë si t'i qes puna dhe rrinë në çat rend që vinë. Ma plakut e ma të fismit miqt i bajnë nder e vend vetë. I zoti i shpisë s'ka të drejtë me u thanë si me ba. Në sofër i zoti i shpisë e ka për detyrë t'u jap vendin që u takon. I thrret me emën me la duert prej të parit deri te i fundit e u cakton vendin prej sofrës së parë deri te sofra e fundit. S'ja dha i zoti i shpisë vendin që i takon gjithsecilit, u bje ndesh e u bahet borxhli dasht e pa dasht. ”Gjithkush do vendin e vet. Lypja e gjeja”.
NENI 146. Miqt ndër veti Ndeja e sofra i ban miqt ndër veti shokë e kufijar. Nderi e burrnia jau kërkon ta nderojnë shoqi-shoqin si e kërkon sofra e t'zot t'shpisë. Me tandue miku-mikun, tandon edhe shpijakun. Miku asht ndorja e shpijakut. Ngucakeqin e ban zap shpijaku. Miqt e tjerë kanë detyrë të marrin anën e shpijakut. Me ba me ardh miq e hasëm ndër vedi, shpijaku kujdeset të mos marrin hak në bukë të tí. U lyp besë e hi dorëzanë. Cakton njerzit e vet me i përcjell veç e veç në kishë a xhami, në lagje a katund, deri sa të dalin jashtë katundit.
NENI 147. Besa e fisit për miqt e festës Fisi ban sull e ve besë për festën me miq (Brigjet e Dush). Besa vehet për natën e festës e çaç ditë sa ka festa. Dita e fundit, Ditori i festës, ka besë deri sa të prendoj dielli mal më mal. Besa asht ndorja e mbarë fisit që e ka vu. Me hy miku mbrenda fisit që po lut festën, bahet ndorja e mbarë fisit. I bani kush dhunë apo e vrau, fisi mbarë kërkon nder e gjak. Qe i fisit dorasi, i digjet shpija e gjaja i merret gjobë. Dorasi ndiqet për gjak. Me e xan, fisi e vret katundisht, tue e lanë gjakhupës.
Kreu VIII
Detyrat e mikut ndaj mikpritësit
NENI 148. Miku rri për mik Miku i mirë të nderon, miku i keq të korit. Prite e qite me nder, po kujdesin t'ja kesh. Me dal miku ”Ha bukë e përmbys kupë”, i ka borxh shpijakut e ky i lyp ”bukën e dhunueme”. Mikut i bahet nder për mik, po zot shpije asht në shpi të vet. Miku s'ka të drejtë me u përzie në punët e gjindve të shpijakut. E pyeti kush me i marr mendim, përgjigjet. S'e pyeti kush, ban sikur s'shef e s'ndin. Me ba me e pa miku, se shpijaku vetë a gjindët e shpisë bajnë gabime e faj në shpi a katund, lyp leje me i msue e me i qortue si mik. Shpija ka detyrë me e ndigjue e me ja ditë për nder. ”Për të mirë e ka”. Miku s'ka të drejtë me e nxit a me i pri shpijakut a gjindve të tij në dhunë e hasmëni në lagje e katund. Miku, me sa mundet, ka detyrë me i shue.
NENI 149. Vendi i mikut në shpi të huej Me të shkel miku në oborr e deri sa të dalin prej shpije, lagjeje a katundi, hec mbas shpijakut. Shpijaku ka detyrë me i pri, miku ka detyrë me e ndjek mbas. Çaty ku ta lanë shpijaku, çaty ngul miku.
NENI 150. Miku bri votrës Miku s'ka të drejtë me prek gja bri votre a oxhakut, veç në ja lyptë shpijaku. Vegshin e ka përpara, po rrasen s'ka të drejtë me ja lujtë. Bani e ja hoq rrasën vegshit, ka tandue shpijakun. “E di rrasa ça ka vegshi”. Prush e unë s'ka të drejtë me i trazue as me i than për to shpijakut. Me përpush zjarmin miku, tandon shpijakun. ”E di shpijaku kur përpushet zjarmi”.
NENI 151. Miku në sofër Miku në sofër s'ka të drejtë me lyp gja veç asaj që bje shpijaku. Bukën e njomë, kur t'i thon shpijaku: ”Bujrum mik! Bukë e krypë e zemër!”. Bukë e ha i le para shpijakut. Miku s'duhet me u lshue në sofër të huej, si në mall pa zot, ndryshe bje në marre. Me e nderue shpijaku mikun me krye berri, miku ka të drejtë me hangër vetëm gjysën e kresë. Gjysa tjetër i përket të zot t'shpisë. Me u ba në sofër dy a ma shumë miq, miku i dytë nuk e mban gjysën e kresë. Ja kalon për nder mikut të tretë e me radhë. Miku i fundit ja kalon të zot t'shpisë tue i thanë: ”Qebesa s'e ha kush pos teje. Mjaft kena njanën gjysë”.
Kreu IX
Mikpremja
NENI 152. Kur pritet dikush mik Me dal nja i huej prej shpisë sate e me e dhunue kush rrugës apo me e vra, të pritet mik. ”Asht mik i shpisë sate”. Me ardh kush e me hangër bukën tande ose me ja dhanë në dorë e me dhunue kush rrugës ose me e vra, të pritet mik. ”Asht në bukë tande”. Dole me mikun për rrugë a ndër shokë, t'i ra kush ose ta dhunoi, ta pren mik. ”Asht miku yt”. Me thirr kush para pritës: ”O jam miku (i filanit)!” - para se me e vra, i pritet mik çatí që i përmendi emnin edhe pa ja hangër bukën. ”Fjala mori dhén se ti mbete mikpremë”.
NENI 153. Kur nuk pritet mik kush Kishës a xhamisë, mullinit a vanicës, farkës a tregtores nuk i pritet kush mik. Nderin e tyne për mikpremë e lyp famullia e xhemati, katundi mbarë. Kto lypin arsye, bajnë gjygj e pleqni dhe e dënojnë fajtorin me gjobë, djegie shpie a me vrasë katundisht.
NENI 154. Kur mbetet burri me qit pushkë për mik I zoti i tregtores, mullinit a vanicës lyp arsye e garanci para katundit, ja qëndron e qet pushkë. ”Tregtoren, mullinin, vanicën teme gjete ti me qit pushkë. Borxh s'ta pata me vra puntorin tem”. S'qite pushkë, mikpremë s'mbetesh, po pa marre s'dahesh. ”S'ke i zoti me qëndrue”. “T'u vra ndër sy e s'ke i zoti me qëndrue si burrat”.
NENI 155. Gjaku i gjakut e gjaku i mikut Ju pre kuj miku, ka detyrë ma la vedin tue qit pushkë për ta. Qiti pushkë e vrau dorasin, me çat ditë mikpremë ma s'asht. S'mund qëndroi, mbeti i koritun ndër shokë e miq. Kafja i nepet nën gju e gota e rakís gjymt (Iballë). Dorasit, hasmit, gjaku i gjakut i falet, po gjaku i mikut s'mund t'i falet. Kush të drejtë me ja lyp me e fal s'ka. As Kanuja s'ja kërkon.
Kreu X
Besa për gjaksin nevojtar
NENI 156. Besa për hall e nevojë Me lyp a me dhanë besë asht Kanu. Dorasi e shpija e tij për hall e nevojë: në gzime e dazëm, për shtek e mjekim, me mbjell e me korr; në zi e mort, lyp besë te shpija e të vramit. Besa nepet dy javë deri nji muej. Ditën që mbarohet besa, dorasi do të ruhet. ”E ndjek pushka e hasmit”.
NENI 157. Besa në rast lufte Me ba me hi në luftë me anmikun, si katund, si bajrak, si dhé, si mal a malet së bashku, puna e parë e Burrave të Dheut në Kuvend asht me vu besë ndër veti. Besa vehet me sull e sulli shpallet gjithkah. Hasmënia pritet e burrat si vllazen shoq me shoq luftojnë veç me i dal zot vendit. Besa për rast lufte caktohet tre deri në gjashtë muej ose dhe nji vjetë. Po besa nuk mbaron me çat ditë, pa e pleqnue edhe nji herë Burrat e Dheut në Kuvend e pa lajmue se ka mbarue lufta e gjithkushi asht kthye ndër shpijat e veta.
NENI 158. Dorzanë për besë gjaku Dorzanë gjaku asht ai që i lyp besë shpisë së të vramit. Dorzani shkon vetëm a me ndoj kushri a mik të shpisë së të vramit e kërkon besë. I zoti i shpisë së të vramit duhet të jap arsye kur e kthen pa gja bestarin. Me ba mos me i dhanë besë për kryqnçsi a s'do me njoft për dorzanë, e tandon. Bestari kso raste ka të drejtë me dhanë besë për mende të vet tuj than: ”Të erdha si mik e më përzune si qen. Ma bane borxh”. Dorzani merr siguri me besë prej të zot t'shpisë së të vramit. S'e mbajti besën dhe e vrau dorasin, dorzanit ju pre mik. Për rast lufte dorzanë bahet katundi, bajraku a dheu mbarë e kush s'ka të drejtë me jau pre dorzaninë.
NENI 159. Detyra e shpisë në besë Dorasi e shpija e tij në besë do të rrinë njerzisht e pa i ra kund ndesh shpisë së të vramit që i dha besë. Kur asht kufijar, të mos i rrin me kreni, por t'i ruhet sherrit e damit. I ndej dorasi me kreni, me sherr e dam, punë e pa punë, shpisë së të vramit që i dha besë, dorzani ka të drejtë me e qortue, jase mos me ndej me dorzanë e shpija e të vramit me ja pre besën e gjakut. Besën e gjakut shpija e të vramit s'ka të drejtë me ja pre dorasit pa lajmrue dorzanin, sido që të bahet puna.
Kreu XI
Llojet e besës kundër gjakderdhjes
NENI 160. Besa e mortit 24 orshe Me e vra i katundsi të katundsin e vet, i zoti i shpisë së të vramit e ka detyrë ndere me lajmue dorasin bashkë me zjarmin e tij me i shkue në mort. Me i ardh pa thirr për shoq, shpija e të vramit për deri sa t'i ketë në mort, i ka "mik". Besa e mortit për dorasin katunds asht 24 orshe. Mos me ja dhanë besën e mortit, dorasi me të kushrijt duhet të ruhet në çato 24 orë. Mbas 24 orësh ka të drejtë me ndjek për gjak vetëm dorasin e shpinë e tij, ndryshe s'merr gjak, po bje në gjak.
NENI 161. Besa e katundit, e miqve e dashamirve Besë te shpija e të vramit ka të drejtë me lyp katundi rrethas për dorasin katunds. Ndera ja do mos me kthye katundin mbrapsht. Besa e katundit asht nji muej ditë. Besë kanë të drejtë me lyp edhe miq e dashamirës, shokë e kumbarë. Besë me sull për rast lufte e festash ka të drejtë me ba çdo katund, fis, bajrak, dhé e mali mbarë.
Kreu XII
Barazia e njerëzve për nga gjaku
NENI 162. Barazia e gjindve kah Kanuja Në Kanu të Lekë Dukagjinit djali me djalë, burri me burr, çika me çikë e grueja me grue njihen barabar ndër vedi si të jenë të nji shpije a të nji fisi, si të jenë fisesh të ndryshme.
NENI 163. Barazia e gjindve kah gjaku Në Kanun të Lekës mashkujt me mashkuj, femnat me femna, edhe në bark të samës me ndodh, nji gjaku çmohen ndër vedi. Me vra kush zot shpije a nji djalë lidhë në djep, një burrë dheu a çoban dhish, ndër kren e pleq a të mbetun sakat në shpi, zotni a lavërtar, nji gjak çmohen e gjak për gjak pleqnohen. ”Gjak për gjak e la Leka”.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:09 | |
| 4. ORGANET DHE INSTITUTET KRYESORE TË KANUNIT
Kreu I
Kuvendi, tagri i tij
NENI 164. Kuvendi i burrave Kuvendi asht ai bashkim burrash të nji vllaznije, fisi, katundi, bajraku, dheu a mali që peshon e i nep rrugë çdo pune që u përket të gjithve tym për shpi. Të zot t'e shpive janë Burrat e Dheut në Kuvend. Në pamundësi me shkue i zoti i shpisë, çon në kambë të vet nji pjestar të shpisë.
NENI 165. Barazia në Kuvend Burrat e Dheut bashkë me krenë e pleq janë barabar para Kuvendit. Në Kuvend s'ja duron kush kuj fjalën e randë e të germushmen. Bani e i tha kush kuj “rren” në Kuvend, gjobitet nji ka. I ktheu kush kuj pushkën në Kuvend, pushka i hiqet e shpija i digjet. Me vra kush kand në Kuvend, dorasi grihet kuvendisht, shpija i digjet e gjindja i nxirret prej bajrakut (Berishë), jase i digjet shpija dhe jet i leçitun për nji brez (Puka mbarë).
NENI 166. Tagri i Kuvendit Kuvendi ka tager gjygjesh e peshimesh, dënimesh e gjobash, sullesh e besëlidhjesh. Mbi ujdinë dhe sullet e Kuvendit nuk mundet me dal kush. Pakica i bindet shumicës e nuk mundet me ba kryemveti. Ujdi e sulle të Kuvendit mbrenda e jashtë tij i çojnë në vend burrat e dheut me pleq e krenë, vojvodë e bajraktarë. Lajmsit shkojnë derë për derë. Me ndodh e mos me u bind kush, shtërngohet me gjoba e gjobtarë, me unë zjarmi e pushkët e djelmnisë. Mos me u bind prap, ja qitet jashta katundit, ja leçitet për nji brez si shpi.
Kreu II
Llojet e Kuvendit
NENI 167. Kuvendet e vogla Kuvendet janë të vogla e të mëdha. Në Kuvendet e vogla bashkohen kreu i vllaznisë e i fisit, krenët e fisit, pleqt e katundit e stërpleqt, djemt e fisit, lajmsit e katundeve e çdo zot shpije në tym për shpi. Me u tubue fiset e Lekës (Kabash, Thaç, Berishë) a bajraku mbarë, në krye të tubimeve vinë krenët e bajraktari. Në Kuvendet e vogla peshohen e zgjidhen punët e vllaznisë e të fisit, të katundit e të bajrakut.
NENI 168. Kuvendet e mëdha Kuvendet e mdha tubohen me fjalë të krenëve të Dheut a të Malit. Në këto Kuvende tubohen Burrat e Dheut, të parët e kushrinive, krenët e djemt e fiseve, pleqt e katundeve e sterpleqt, lajmës e gjobtarë, krenët e bajraktarët me djelmninë e vet mbas, zotnia i Dheut, Dera e Dizdarit (Pukë) a dera e zotnisë (Pukë, Iballe e Malzi) me djemt mbas vedi. Kuvendet e mdha bajnë gjygje e peshime, sulle e besëlidhje, për faje e kufij, për paqtim e nevoja lufte kundër anmikut të vendit.
NENI 169. Kuvendet e fisit Kuvendet e fisit janë tri duersh: -kuvendet e krenve të fisit, -kuvendet e djelmnisë së fisit -dhe kuvendet e mbarë fisit. Kuvendet e fisit tubohen mbas fjalës të kreut të fisit. Në kuvendet e krenve hyjnë: pleqt e sterpleqt, krenët e vjetra e krenët e reja. Kreu i fisit hap e mbyll kuvendin, shtron punë kufijsh, kullotash, ujnash, shtigjesh e rastet kur cënohet nderi i fisit, etj. Për punë mbrenda sulleve të fisit krenët e pleqnojnë e i japin vet rrugë punës. Për punë me randsi e rreziqe për tan fisin fjalën e tyne krent ja kalojnë kuvendit të fisit për me i dhanë rrugë vet fisi me kren. Kuvendi i fisit me zotshpije tym për shpi vendos për sulle të reja të fisit simbas Kanunit të Lekës. Jashta Kanunit s'lan fiset e dheut.
NENI 170. Kuvende për çështje katundi Kuvende për sulle kullose, lavrash, livadhesh, për kufij e pré, për besë e nder, për rrugë e mulli, uj e ví, për benë e motmotit; mos me i dhanë kuj besë e ndore në dam të katundit (Qerret e Këçirë); mos me i martue çikat në myslimanë, mos me marr kunatën për grue etj janë kuvende katundi.
NENI 171. Kuvende të bajrakut Kuvendi i bajrakut mblidhet gjithmonë në një vend të caktuem nën kryesinë e kreut të bajrakut me krenët e bajraktarin që rrinë ballë burrave të dheut. Kuvendi pleqnon për punë e halle, sulle e besëlidhje bajraku. Po çdo pleqni e sulle ka detyrë me i ba ma Kanu të Lekës. Me ndodh e mos me i ba si më Kanu të Lekës, ka të drejt me ja prish Kuvendi i Dheut a i Malit mbarë.
NENI 172. Kuvende të Dheut Kuvendet e Dheut i kërkojnë krenët e mdhaja në ditën dhe vendin e caktuem. Bajrakët në Kuvend vinë katunde-katunde me krenë e bajraktarë, me pleqt e katundeve dhe sterpleqt e fiseve bashkë me djelmninë e lasjmsit mbas tyne. Në ball ulen krenët e mdhaja të vendit me Dizdarinë a Zotninë në mes. Në dy krahët e tyne ulën krenët e tjera të Dheut. Pleqt e stërpleqt, Krenzit me djelmni e lajms mbas tyne, ulen në gjysë rrethi bashk “me burrë për shpi”. Kuvendi i dheut peshon e gjykon ngatërresa e grindje mes katundesh e bajrakësh. Sulle e Besëlidhje ban mes bajrakve të vet e me bajrakë e dhena të Malit të Pukës a të nji mali tjetër kufijar.
NENI 173. Kuvendi i Shtatë Bajrakve të Pukës Raste grindjesh e ngatrresash ndër bajrakë e dhena mbrenda e jasht Malit të vet i peshojnë krenët e Shtatë Bajrakëve të Pukës në Kuvendin e tyne në Lam-Lushaj, në Grykë-Kabash a të ndonji vendi të caktuem ma parë me marrëveshje. grindjet e ngatrresat me bajrakët e malit kufijar, krenët e Pukës me djelmninë mbas vedi, i peshojnë e u napin rrugë bashkë me krenët e malit tjetër në Kuvendin e tubuem bashkarisht në vendin e caktuem. Vetëm Kuvendi i Shtatë Bajrakëve ka të drejtë me ba sulle e besëlidhje për mbarë Malin e Pukës.
NENI 174. Kuvende për nevoja lufte Kuvendi për nevoja lufte, i tubuem me djalë për shpi, ban të ditun të thirrmen e katundit, bajrakut, dheut a Malit mbarë për luftë kundër anmikut të vendit. Me të ra Kuvendi në ujdi për luftë, bahet besëlidhja e Shtatë Bajrakëvet të Pukës për besë e pajtim shpija me shpi e katundi me katund për sa kohë do të vazhdojë lufta. Kuvendi cakton djelmninë për luftë, ditën e nisjes; cakton rrugët e qafat që do të zihen me prita. Për luftë jashtë bajrakut cakton ”burr për shpi”; mbrenda bajrakut ”7 e në 70 vjeç”. Djalin e vetëm nuk asht Kanu me e marr djelmnia në luftë. ”Shpija s'duhet qit fare”.
Kreu III
Zhvillimi i Kuvendit
NENI 175. Thirrja në Kuvend Thirrja në Kuvend bahet me lajms, me poterë e kushtrim. Katundi cakton lajmsin e vet që e paguen rrethas për nji motmot. Lajmsi thrret shpi për shpi për ditën e Kuvendit simbas fjalës së kreut të fisit a të plakut të katundit. Lajmsi s'ka të drejtë me lanë bedel, veç nji pjestar të shpisë së vet, kur asht i lig a ka marrë leje prej plakut të katundit. Kuvendi për punë të ngutshme e nevoja lufte thirret me poterë e kushtrim: ”Auuu! Kushtrim, moreee, kushtrim! T'hiqni burra!” Potera lshohet edhe me tri të shtime pushke.
NENI 176. Koha e tubimit të Kuvendit Me kushtrim tubohen në kuvend, natën e ditën, në kohën kur jepet kushtrimi, në vendin e zakonshëm a në nji vend tjetër, ku e lyp nevoja. Kuvendet e zakonshme mblidhen ditën e caktueme, si të ketë dal dielli dy pash, sa me hanger ndraten e me përcjell mikun. Burrat vinë zjarme-zjarme, vllazni-vllazni e zanë vend në lam të kuvendit simbas radhës e rendit. Kuvendi dahet me dy pash diell, sa ku me mrri me dritë në shpi. Mos me mbarue punë çat ditë, tubohen nesret prap në çat kohë.
NENI 177. Vendi i burrave të dheut në Kuvend Burrat e dheut në Kuvend rrshtohen me pleqt, me sterpleqt e krenzit e vet simbas rendit të vllaznive e fiseve. Gjithkush ulet në vend të vet rrashit kambkryq me armt e krahut pshtet mbi gjujë. Krenë e pleq me bajraktarë e zotnin e dheut ulen simbas prijes e tagrit, ballas me burrat e dheut që rrinë gjysë rrethi, sa ku të shohin shoqi-shoqin e të kenë shteg me dal ndër krenë e pleq sa herë të thirret kush prej tyne. Me burrat e dheut u hueji e grat s'kanë vend në Kuvend, veç me u thirr prej Kuvendit për fjalë e gjygj. Virgjnesha me armt ngjesh ka të drejtë në kambë të tet në kuvend të katundit. Miku e fetari në Kuvend kanë ballin e vendit. Të drejtë fjale kanë vetëm kur pyeten e kur vinë me ndihmue për besëlidhje me dhenat a malet tjera të vendit.
NENI 178. Rendi i fjalës në Kuvend Në kuvendine katundit i pari merr fjalën plaku i katundit; në Kuvendin e fisit, i pari, kreu i fisit; në bajrak, kreu i bajrakut; në dhé e mal, zotnia i dheut. Sa flet njani, të tjerët ndigjojnë. Me ja pré kush kuj fjalën nuk ka të drejtë. Mos me pranue vegjlia fjalën e krenve në Kuvend, atëherna sterpleqt, krenzit e vegjlisë, dahen veças me krenë e pleq me e peshue rishtaz e me gjet fjalën e goditun para vegjlisë, Kuvendit.
NENI 179. Vendi ku tubohet kuvendi “Vendi i Kuvendit, në zemër të vendit” Vendet ku tubohen Kuvendet janë të përhershme. Ato janë caktue me sulle Kuvendi qysh kryeheret a ma vonë prej nevojave të kohës. Sot vendet e Kuvendeve për vllazni e fis, katund e bajrak, dhé a mal nuk mund të ndrrohen, veç prej vet Kuvendit, kur ky e sheh me vend këtë ndrrim për nevoja lufte.
Kreu IV
Pleqt e stërpleqt
NENI 180. Pleqt e fisit, krenët e tij Në krye të fisit drejtojnë pleqt e fisit, krenët e fisit. Rendi e ndeja e pleqve të fisit janë simbas rendit e ndejës që kanë pasë qysh kryeherës vllaznitë e fisit. Pleqtë e fisit janë me trashigim brez mbas brezi për vlla të madh. Në vllazni e fis kanë të drejtë pleqnije. Për pleqni të bame krenve u takojnë apangat.
NENI 181. Kreu i fisit Kreu i fisit asht plaku i vllaznisë së parë të fisit. Pleqtë e tjerë, krenët e fisit, vinë mbas tij. Kreu i fisit ka të drejtën e príjës e të vendit të parë në fis të vet; të drejtën me tubue Kuvendin e fisit dhe djelmninë e fisit.
NENI 182. Vojvoda i fisit, prijsi i djelmnisë së fisit Vojvoda asht nja prej pleqve të fisit që i prinë djelmnisë së fisit për gjobë e unë zjarmi në katund e fis, për pushkë e luftë në fis a me fiset tjera kundër anmikut të vendit. Vojvoda në bajrak rri në krye të djelmnisë së vet, por mbas bajraktarit.
NENI 183. Stërpleqtë e fisit e krenzit dhe të drejtat e tyne Stërpleqtë janë krenët e vogla a krenzit, që i përkasin vegjlisë. Në stërpleq hyjnë edhe krenzit të dalun prej djelmsh të fisit. Djemët e fisit, kur dallohen në vegjli për zotsi e urti, caktohen prej vegjlisë krenz e deri krenë, krenë të reja. Stërpleqt kanë të drejtë mos me e pranue fjalën e krenëve, kur ajo bje ndesh me vegjlinë. Krenët e fisit me stërpleq "bajn hije mbi fisin e vet". Ato kanë të drejtë gjygjesh e pleqnish, damesh e gjobash, leçitjesh e unë zjarmi brenda fisit të vet. Për gjygje e pleqni të bame mbrenda fisit, s'ka kush të drejtë me u lyp arsye a me u ba ndalime. Me nxjerr kend prej vendi a me gri katundisht kanë të drejtë, si të jetë peshue me krenët e bajrakut. Vojvodës ktu i prinë bajraktari. Pleqtë e stërpleqtë s'kanë kurrfar të drejte mbi tokë e truell, mal e vrri, uj e mulli, gja e pasuni të shpijakve plangçuer, veç damit e gjobës për gabim e faj si mbas Kanúsë. Sulle e besëlidhje nuk kanë të drejtë me ba. Për ksi punësh asht Kuvendi i fisit e i bajrakut.
NENI 184. Përgjegjësija e pleqve dhe e stërpleqve para fisit Me ba kush ankesë mbi pleq e stërpleq, Kuvendi i fisit ka të drejtë me i pleqnue me pleq të caktuem bashkërisht. U gjetën, kanë detyrë me lshue pengun. Por, prej vendit nuk qiten e me u leçit nuk leçiten. Me u gjet kush prej tyne në faj të randë fort, Kuvendi ka të drejtë me ja hek tagrin e me e lshue në kushrijt a vllazninë e tij. Me u gjet në tradhti kundër fisit a vendit mbar tuj u ba besëpremë grihet katundisht si çdo tjetër.
Kreu V
Pleqtë e katundeve
NENI 185. Katundi e të drejtat e tij Katundi asht tym për shpi me troje e tokë, me uj e mulli, me mal e me bjeshkë, mbrenda kufijve të vet. Katundi asht tri duersh: katund nji vllaznije, katund vllaznish të një fisi, katund vllaznish e fisesh të ndryshme. Askush s'ka të drejtë me ju përzie mbrenda kufijve të vet. Katundi me katundin kufijar janë si vllazën e shokë ndër vedi. Detyrë ndere kanë me ja njoft e me ja përkrah kufinin njani-tjetrit. Ngatrresat e grindjet kanë detyrë me i zgjidh me pleqt e vet ose pleqt e fisit a të bajrakut.
NENI 186. Pleqt e katundit Çdo katund ka të drejtë me caktue pleqt e vet. Pleqt i cakton Kuvendi i katundit çdo 3 vjet. Njanin prej tyne pleqt e caktojnë kryeplak. Numrin e pleqve e cakton Kuvendi simbas nevojës së katundit të vet: me 4 pleq (Kabashi, Qelza, Qerreti etj.) me 6 (Dardha), 11 (Dushi), 12 (Karma, Këçira) dhe deri në 24 pleq (Iballja).
NENI 187. Të drejtat e detyrat e pleqve të katundit Kryeplaku me pleq ka të drejtë me thirr në Kuvend katundin mbarë e simbas lagjesh sa herë ta shohin të nevojshme. Pleqt e katundit kanë të drejtë me prí në Kuvend e djelmni, në gjygj e pleqni të katundit të vet. As krenët e fisit, as krenët e bajrakut a të dheut s'kanë të drejtë me ba në katund, as pleqni, as Kuvend, as me vú gjoba e me ba dënime pa pasë me veti pleqt e katundit.
NENI 188. Detyrat e pleqve të katundit Pleqt e katundeve kanë detyrë të punojnë për të mirën e katundit, të shuajnë grindje e ngatrresa të shpisë me shpi, të lagjes me lagje, të lagjes me katund dhe të katundit të vet me katundin kufijar. Në Bajrak e dhé kanë të drejtë e detyrë me mbrojtë të drejtën e katundit të vet baras me ato të katundeve tjera. Para fisit e Bajrakut, dheut a Malit, pleqtë kanë detyrë me katundin mbar: -t'u përgjigjen sulleve e besëlidhjeve të tyne; -t'i gjinden krah djelmnisë së tyne sa herë të gjinden në katund a në kufi me to; -të përgjigjen në ndreqjen e sigurimin e rrugëve në kufijt e katundit të vet.
NENI 189. Përgjegjësia e pleqve para katundit Pleqtë e katundit, ashtu si pleqtë e fisit, kanë detyrë në çdo punë bashkarí si çdo katunds. Ranë në dam a në faj, do t'i shtrohen gjobës e dënimit, si të gjygjohen prej krenzve në Kuvend të katundit. Mos me i krye ndonjani detyrat e katundit si duhet a me u gjet në faj të randë, Kuvendi ka të drejtë me e hek e me caktue nji tjetër. Me ndodh i caktuem me të drejtë brez mbas brezi (Dush, Koman etj.), tagri i plakut s'mund i qitet jashta zjarmit a kushrinisë së vet.
Kreu VI
Bajraku, krenët, bajraktari dhe djalëria
NENI 190. Bajraku dhe të drejtat e tija Bajraku bahet prej disa katundesh të dheut me kufij sa ato të fisit (Berishë) a të disa fisesh (Kabash, Pukë, Qerret, Iballë e Malzi) nën prijën e krenëve e të bajraktarit të vet. Çdo grindje e ngatrresë mbrenda bajrakut peshohen e pleqnohen prej krenëve e bajraktarit. Kur janë të randa peshohen bashkë me krenët e bajraktarin edhe me pleqtë e stërpleqtë e fisit dhe pleqtë e katundit. Për raste grindjesh të katundit me katund në bajrak a me bajrakun kufijar, si dhe për luftë e besëlidhje peshon e pleqnon Kuvendi i Bajrakut.
NENI 191. Shtatë Bajrakt e Pukës Në Malësinë e Pukës Kanuja njeh shtatë bajrakë. Në Shtatë Bajrakët e Pukës hyjnë: Tre Bajrakët e Epër (i Bugjonit, i Iballës, i Berishës), Tre Bajrakët e Poshtëm (i Kabashit, i Qerretit, i Terthores) dhe Bajraku i Malit zí. Rend e radhë i kanë të caktuem simbas Kanús: -Bajraku i Kabashit -i pari -Bajraku i Bugjonit -i dyti -Bajraku i Qerretit -i treti -Bajraku i Terthores -i katërti -Bajraku i Iballës -i pesti, -Bajraku i Malit zí -i gjashti -Bajraku i Berishës -i shtati
NENI 192. Krenët e bajrakut, të drejtat e tyne Krenët e bajrakut janë prej krenësh të mdhaja të fisit a prej vojvodëve të katundeve. Me Vezirin Bushatlí, e mbrapa krenët e bajrakut kanë të drejtë të thirren krenë veziri brez mbas brezi në fis e bajrak. Çdo bajrak ka të drejtë me pasë katër kren veziri dhe bajraktarin mbas tyne që bahen pesë. Krenët kanë të drejtë me xanë vend para bajraktarit, “Bajraktari s'mund hyp mbi krenë”. Çdo pleqni e Kuvend në bajrak fillon e mbaron nën prijën e krenëve të bajrakut të vet. Pleqní e Kuvend pa krenë s'kanë të drejtë me ba as krenët e dheut me zotninë para vedit. Doli e bani kush prej krenve të dheut a zotnia vetëm, bien në grindje e ngatrresë me krenët e bajrakut mbarë. Krenët e bajrakut me bajraktarin kanë të drejtë me ba sulle e besëlidhje mbrenda bajrakut a me bajrakun kufijar të dheut të vet a të nji dheu tjetër.
NENI 193. Kreu i Bajrakut Prijën e krenve të bajrakut e ka të drejtë kreu i bajrakut, i pari i krenve të bajrakut. Pa kreun e bajrakut s'mund të tubohen nër Kuvend e pleqni krenët e tjera e bajraktari. Mori pjesë, s'mori pjesë në pleqnitë e bajrakut, për deri sa bahen për fjalë të tij, kreu i bajrakut ka pjesë në çdo gjobë e apanga pleqnie të bajrakut. ”Pjesën e vet ja çojnë krent te dera”.
NENI 194. Bajraktari, të drejtat dhe detyrat e tij Bajraktarin e ka caktue kryeherës Kuvendi i bajrakut. Ky asht nja prej prijsve ma të zot të djelmnisë së bajrakut. Bajraktari asht prijsi i djelmnisë së bajrakut për luftë e unë zjarmi. Në luftë ka detyrë me prí i pari me flamur në dorë. Mbas lufte flamurin e çon në shpi të vet, ku e mban me kujdes. Flamuri i përket bajraktarit brez mbas brezi. Me u vra në luftë e me e pshtue flamurin nji kushri i vllaznisë së tij, flamuri i kthehet të birit. S'pat djal a qe i vogël, e mban i kushrini. Bajraktari s'ka të drejtë me ik prej djelmnie. Me ba me ik a me ja kap anmiku flamurin, koritet e ma nuk e njeh kush për bajraktar. Bajraktari për çdo pleqni në bajrak ka pjesën e vet. ”I përkasin apangat edhe atí”. Ke krye, pjesa në apanga i çohet te dera edhe mori a s'mori pjesë në pleqni. Për çdo luftë ka të falme në pare e plaçkë prej Vezirit. Apangat i merr prej Vezirit edhe sa herë thirret për punë lufte në Pukë a në Shkodër. Për çdo luftë kundër anmikut a unë zjarmi në dorë kundër të pabindunve në bajrak e dhé, bajraktari ka detyrë me i lshue kushtrimin djelmnisë së bajrakut. Bajraktari ka detyrë çdo prijsi me djelmninë e vet me i dhanë vendin që i takon në djelmninë e bajrakut. Me i ik kush prej djelmnije, ka të drejtë e detyrë me i hek armën krahut e me ja mbajt peng deri sa të pleqnohet me pleq.
NENI 195. Detyrat e djelmnisë së bajrakut Djelmnia e bajrakut me prijsit e vet ka detyrë me u tubue me pushkë në dorë katunde-katunde sa herë t'ja lshoi kushtrimin bajraktari. Për veshë e mbath, pushkë e fishekë dhe bukën për tri ditë i ka detyrë me i marrë prej shpisë së vet. Djelmnia bashkë me prijsit e vet ka detyrë me ju gjet krah si bajraktarit, si flamurit tuj i pasë në kujdes e në mbrojtje gjatë luftës kundër anmikut. As nji djalë s'ka të drejtë me ju shmang kushtrimit të prijsit të tij a të bajraktarit. Bani e ju shmang a iku prej lufte tuj u da shokësh, bajraktari me djelmni ka të drejtë e detyrë me i hek armën krahut e me ja djeg shpinë. ”Djalit që ja hek pushkën djelmnia, s'ka ma vend ndër burra. Mbetet i koritun”.
NENI 196. E drejta me çu mkamës në djelmni Me ndodh ndoj shpi e mos me pasë "burrë të zot" për luftë, i zoti i asaj shpije ka të drejtë me u pajtue me dikë tjetër e me e çue në djelmni në kambë të njanit prej burrave të shpisë së vet. Shpisë së djalit, që çoi në djelmni, i ka detyrë çat ditë 12 qese në pare a gja e çdo gja, si të jetë marrë vesh me te. ”Janë paret e gjakut”. Me u vra në luftë, gjakun ja ka la. S'u vra, paret s'i kthen ma të zot. I gzon ai që i mori për "pare gjaku".
NENI 197. Të drejtat e djelmnisë gjatë luftës Mbas tri ditësh djelmnisë bukën e njomen ja ka detyrë bajraku ku ka xan vend djelmnia. Me shkue në ndihmë të Vezirit të Shkodrës kundër anmikut të vendit, bukë, njome e fishekë ja ka detyrë Veziri si ushtarëve të vet. Plaçkën e luftës, kapun ushtarëve të anmikut, djelmnija ka të drejtë me e da ndër veti mbas luftës. Plaçka dahet në pjesë të barabarta. Me u lshue kush mbas plaçke gjatë luftës, bajraktari me djelmni ka të drejtë me i hek pushkën dhe me e lanë pa pjesë plaçke.
Kreu VII
Dheu, krenët
NENI 198. Dheu, të drejtat dhe detyrat Dheu bahet prej njaj bajraku (Malizí) a tre bajrakësh (Pukë dhe Iballë) me krenët e bajraktarët e zotnin e vet. Për çdo grindje e ngatrresë katundesh e bajraqesh mbrenda dheut peshon e pleqnon, ve gjobë a besë Kuvendi i Dheut a krenët e tij. Dheu ka detyrë para malit të Pukës që dheun kufijar me e pasë "shoq e vlla", me pleqnue e me shue çdo grindje e ngatrresë kufijsh e kullotash ndër veti. Mos me mrri me u dhanë rrugë grindjeve me dheun tjetër do të japin arsye para krenve të malit të Pukës. U thirri dhenave të tjera për luftë kundër hasmit të vet, ato kanë detyrë ndere ta përkrahin. S'e përkrahën, borxh nuk mund t'jau bajnë kush, veç besëlidhja e Shtatë Bajrakëve të Pukës.
NENI 199. Krenët e dheut, të drejtat e tyne Krenët e dheut janë krent e bajraktarët e gjithë bajrakëve së bashku. Dheu i Pukës ka 13, Dheu i Iballës 13, Dheu i Malitzí 4. Ndër krenët e bajraktarët e dheut kryesojnë katër krenët e mdhaja. Dheu i Pukës në katër krenët e mdhaja ka 2 krenë të bajrakut të Kabashit e të Pukës dhe dy krenë të bajrakut të Qerretit. Dheu i Iballës në katër krenët e mdhaja ka 2 të Thaçit e 2 të Berishës. Dheu i Malitzí ka kreun e Dukagjinit (Hoxhën), të Mgullës, të Kalimashit e Bajraktarin e Shikës. Krenët e mdhaja pleqnojnë në dhé e bajrak dhe kanë të drejtë me thirrë në Kuvend krenët e dheut a vetë dheun.
NENI 200. Detyrat e krenëve të dheut Krenët e dheut bashkë me kryesinë e vet kanë detyrë me pleqnue e me peshue çdo ngatrresë e grindje mes katundesh të bajrakëve të dheut a të bajrakut me bajrak. Për besëlidhje mes Shtatë Bajrakëve të Pukës kanë detyrë me shtrëngue çdo bajrak e katund të dheut të vet me ruejt besëlidhjen e me krye çdo detyrë për luftë simbas kësaj besëlidhje. Ndryshe pleqnohen prej krensh të Malit të Pukës.
NENI 201. Zotnia i dheut Zotnia i dheut asht derë e parë në dheun e vet. Këtë tagër ja la me Kanú Lekë Dukagjini qysh kohën e vet. Zotnia asht i pari i dheut. Krenë e bajraktarë vinë mbas tij. Vend e za kanë mbas zotnisë. Mbi fjalën e tij s'mund dalin kush, veç n'i raft ndesh Kanusë. Në sofër e ndeje zotnia ka kryet e vendit.
NENI 202. Të drejtat e zotnisë për pleqni e Kuvende Zotnia ka të drejtë me peshue e me pleqnue me krenë e bajraktarë dhe pleq e stërpleq, grindjet katund me katund e bajrak me bajrak, në katund të vet. Kuvendi i dheut thirret për fjalë të zotnisë. Krenë e bajraktarë, pleq e vojvodë a'munden me ba gjygje e pleqni, kuvende e besëlidhje në emën të dheut pa zotninë a derën e tij.
NENI 203. Të drejtat e Zotnisë në Malin e Pukës Nja prej zotnive, të Pukës, të Iballës a të Kryeziut ka të drejtë me kryesue dhenat e Malit të Pukës (Shtatë Bajrakët), nëkuvende e pleqni, besëlidhje e djelmni. Me kryesue del Zotnia që asht dallue e njoft prej krensh e bajraktarësh ndër pleqni e kuvende. Zotnit e tjerë s'kanë të drejtë me e pengue a me i dal kundra. Banë e dulen, i prapojnë krenë e pleq, bajraktarë e vojvodë të Shtatë Bajrakëve.
NENI 204. Të drejtat e zotnisë në rast lufte Në rast lufte kundër anmikut të vendit zotnia ka tagër me thirr në Kuvend për besëlidhje krenë e pleq, bajraktarë e vojvodë për me caktue vendin e luftës e me da ditën e msyemjes. Kur lufta s'pret, zotnia lshon za nëpër dhé e bajrak për kushtrim të djelmnisë dhe bajraktarë e vojvodë me djelmninë mbar kanë detyrë t'i përgjigjen. S'ju përgjigjen, zotnija me krenë e pleq ka të drejtë me kërkue për to dënim e ndëshkim me unë zjarmi në dorë.
NENI 205. Kufizimi i të drejtave të zotnisë Zotnia s'ka të drejtë me ba kryemveti pa krenë e pleq, pa vojvodë e sterpleq. Bani kryemveti a u bashkue me anmikun e vendit tuj thye Kanú e Besëlidhje, krenë e pleq, vojvodë e djelmni kanë tagër me i ra pré dhe me e djeg e me e pjek. Me ba me korit ndoj fis, fisi ka tagër prej dheut me i ra pré me unë në dorë. Una e fisit e përket derën e zotnisë. Për nder e gjak i shtrohet Kanusë si kushdohi. Po çado me ba, me u leçit nuk leçitet e prej vendit nuk qitet.
NENI 206. Të drejtat e zotnisë si shpijak Zotnia si çdo shpijak ka të drejtë me dhanë e me marrë tokë uhá, me shit e me ble, me dhanë qesim a me argat; me dhanë gja të gjallë për gjysë a për kryes, ká me hú a kafshë pune me hak. Me tokën e ujin, me mallin e gjanë e vet ban si të donë. ”Ja pranove kushtet zotnisë e u bane rrogtari ja argati i tij, puna jote. Vaji e dhuna s'të njihen. Kush me zort s'ta bani. Zotnia asht me Kanu” Po zotnia s'ka të drejtë me vu dorë në bashkari, tokë a pasuni të tjetrit. ”Mbrenda kufijsh të vet, tjetër tagër nuk ka”.
NENI 207. Detyrat e zotnisë në katund e bajrak Zotnia në katund e bajrak ka detyrë me u përgjegj si çdo shpijak. Për rrugë e shtek, për ví e mulli ka detyrë me qit puntorin. ”Qiti rrogtar ja argat, njilloj asht. Puntor i xihet”. Për dam do t'i shtrohet damit, për faj duhet t'i shtrohet pengut e do të pleqnohet me pleq Kanuje.
Kreu VIII
Mali i Pukës (Shtatë Bajrakët)
NENI 208. Mali i Pukës e krenët e tij Dhenat e Pukës, Shtatë Bajrakët e Pukës, bajnë Malin e Pukës me krenët e bajraktarët e vet. Mali i Pukës, të Shtatë Bajrakët, kanë 30 krenë e bajraktarë. Ndejen e rendin e kanë simbas rendit në dhé e bajrakët e vet.
NENI 209. Besëlidhja e Shtatë Bajrakëve Besëlidhja e Shtatë Bajrakëve asht e drejta e Kuvendit të Shtatë Bajrakëve. Kuvendi i Shtatë Bajrakëve me krenë e bajraktarë, pleq e stërpleq fisesh dhe pleqsitë e katundeve me lajmtarët e djelmninë mbas tyne, bajnë besëlidhjen e Shtatë Bajrakëve ndër vedi di dhe të Shtatë Bajrakëve të Pukës me malet e dhenat e tjera kufijar.
NENI 210. Sullet e Besëlidhjes Sullet e Besëlidhjes së Shtatë Bajrakëve janë: 1) me ba pajtime gjaqesh në mbarë dhenat e Pukës; 2) me vú besë për me ndalue gjakmarrjet e shpisë me shpi për aq kohë sa e ka caktue Besëlidhja mbrenda Shtatë Bajrakëve si edhe për rastet e Besëlidhjes me dhenat e malit apo të atyne kufijar; 3) me caktue detyrat për djelmnitë e bajrakëve për me shkue në luftë kundër anmikut të vendit a me ndihmue Vezirin e Shkodrës për me mbrojt kufijt e vendit; 4) me i djeg shpinë e me i marrë gjánë gjobë kur then Besëlidhjen.
NENI 211. Detyrat e djelmnisë në kuvendet e në besëlidhjet e Pukës Djelmnia, në gjyqe e pleqni, në Kuvend e në Besëlidhjen e dheut e të malit të vet a me malin kufijar nuk ka za. Ka detyrë mos me u përzie në punët e krenëve e të bajraktarëve, të pleqve e stërpleqve dhe të pleqsive. E drejta e detyra e saj asht me ruejt krenët e veta prej njaj kryekcyemi e ngatrrestari. Me kërcnue e me ba vrasë s'ka të drejtë; por me marr gjak flakë për flakë, po. ”Djelmnia sigurinë me pushkë e ka. Për çat punë thirret e mbahet mbas”.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:09 | |
| 5. SHËRBIME DHE VEPRIMTARI TË TJERA SHOQËRORE TË KANUNIT
Kreu I
Gjyqi i pleqve e dhënia e drejtësisë
NENI 212. Kur thirren pleqt për pleqni Pleqt i thrret nji shpi a vllazni, katund a fis, bajrak a dhé për me peshue e pleqnue me zemër në dorë ngatrresë a dhunë, varrë a gjak të bame prej nji shpie a vllaznije, katundi a fisi, bajraku a dheu tjetër. Pala e lanun në faj ka të drejtë me thirr pleqt e vet. Të dy palët, me marrëveshje, mund të lanë me pleqnue të njëjtin plak a të njëjtët pleq.
NENI 213. Kush thirret për plak pleqnije Pleq merren të parët e vllaznive, pleq katundi e krenë fisit. Për pleqni të zorshme merren krenët e bajrakut a të dheut. Për ksi pleqnish merren edhe burra në za për urtí e burrni, regjun në gjygje e pleqni. ”Tagri i tyne ka tagrin e Kanús”. Krenët e bajrakut a të dheut, të malit a dera e zotnisë s'mund të thirren e të vinë vet për pleqni pa pleqt e katundit e krenët e bajrakut. Hynë e ban pleqni pa to, pleqnia s'u njihet e djelmnia me vojvodët e vet e bajraktarin ka të drejtë me përzan me forcë. Për pleqni mes katundesh a bajrakësh të maleve të ndryshme, thirren krenë prej dy malesh e dëshmitarë prej malesh kufijar.
NENI 214. Pengjet Pleqni pa peng nuk bahet. Pengjet u lëshohen pleqve para. Jau lëshove pleqve pengun jau ke dhanë të drejtën me të pleqnue. Pengjet duhet me i lëshue të dy palët. Pleqt i kthejn pengjet mbasi të kenë ba pleqnin. Për peng lshohet: kutia e duhanit, cigarishtja e çelibart, koburja e brezit. Koburja lshohet për pleqni të vështira e të randa. (Herët fort për peng lshohej shpata e shkurtë a shigjeta).
NENI 215. Betimi i pleqve Plaku para se me fillue pleqnin ka detyrë me ba be për pleqni të ndershme ”pa hater e huter”. Benë e ban për pleqni të randa atëherë, kur ja kërkojnë palt në ngatrresë e hasmëni. S'ja kërkoi kush benë, s'e ka detyrë me e ba.
NENI 216. Pleqnija Pleqt pleqnin e bajnë në vendin e caktuem, kur asht ngatrresë kufijsh e damesh. Për raste tjera pleqnin e bajnë në shpi të atí që ka ba ankimin, a në ndonji shpi tjetër me mirvet të dy palëve në ngatrresë e hasmëni. Pleqt mbajnë vesh ankesën e njanës e tjetrës palë. U desht me pa dam e damtim, me pyet kand që ka pa a ka ndie gjá, do ta bajnë për me e peshue ankesën si në bisht të kandarit. Mbas ktyne pleqt peshojnë e pleqnojnë së bashku dhe dajn pleqnin.
NENI 217. Apangat e pleqve Pleqnia e bame ka apangat e pleqve. Apangat e pleqve me Kanú janë ni okë kafe deri ni dhí a sjap. Kush thrret pleqt, u ka borxh apangat. Hanë, pinë e të fjetmen i hek shpia që ban ankim e lshon pengun e para.
Kreu II
Shtim pleqsh
NENI 218. Kundërshtimi i pleqnis së bame Mos me u marr vesht pleqt ndër veti, palët në ngatrresë kanë të drejtë me thirr pleqt tjerë. Plaku që gjindet në faj, humb apangat. Nuk i ndej njana palë pleqnisë së bame ka të drejtë me thirr pleq të tjerë. S'u bind as me ato pleq ka të drejtë me lyp pleqni deri në tri pleq. Pleqninë e tretë kanë të drejtë me e kput krenët e mdhaja në dhé a mal. Krenët a mdhaja shkojnë vet a caktojnë pleq në za në kambë të tyne. Mbi atë pleqni, nuk ka pleqni tjetër.
NENI 219. Pleqnija rishtas U gjet në faj nji plak katundi, krenë bajraku a dheu, ka detyrë me jau lshue pengun sterpleqve e krenëzve të katundit, të bajrakut a të dheut e me u pleqnue prej tyne. Nuk lshoj pengun, stërpleq e krenëz kanë të drejtë me kërkue prej krenësh e bajraktarësh me e lshue në arsye me forcën e djelmnisë. Zotnia pleqnohet prej krenësh të dheut a të malit. Kur ka të baj me nji katund a fis, në pleqni thirren e pyeten edhe stërpleqt krenëz. Fjala e tyne do peshue e marr parasysh prej krenësh.
NENI 220. Mohuesi i fajit U çue kush e mohoi fajin që ja vesh ankuesi, atëherë ankuesi ka të drejtë me e qit ndër pleq. Pleqt kanë të drejtë me ia kërkue benë mohuesit. Janë të bindun pleqt se faji i përket tjetërkujt, hetojnë basin e fajit deri sa ta gjejnë. S'u gjet basi i fajit, mohuesit i lypet beja e ky jet me e ba. S'e bani benë, jet në faj. ”Ban bé e laju”, thot Kanuja.
Kreu III
Beja, llojet e besë
NENI 221. Me ba bé Beja bahet kur dikush kërkon me ju lá tjetri se nuk i ka “as hak as hile” për sa i bje në qafë. ”Beja asht gjá e shejt”. Me ba bé domethan me ja lan në dorë Zotit. ”Beja e rrejshme herët a vonë e vret të zonë”. Beja i lypet edhe plakut të pleqnisë, kur ankuesi, ja krenët a Kuvendi, ja kërkojnë për me mbajtë drejtësi për pleqninë që ka me ba. Beja mund të lypet edhe për nji amanet që ja la dikush. Po, beja për amanet nuk mund të bahet detyrë. Por, po nuk u ba, e le në dyshim para atí që e kërkon benë dhe atyne që e morën vesh atë punë.
NENI 222. Beja ka me u ba si të lypet Beja çashtu si të lypet, çashtu ka me u ba prej të zot të besë. Kanuja njeh kto lloj beshë: 1) benë mbi kryet e fëmive 2) benë mbi bukë e krypë 3) benë mbi zjarmin e votrës 4) benë me gur në krah 5) benë mbi vorret e të parëve 6) benë mbi kishë a xhami, mbi kryq a teqe, mbi ungjill a qitape, vetëm a me pleq beje.
Benë e cakton ankuesi. Nuk e bani benë i zoti i besë si ja lyp ankuesi, atëherë e dajn pleqt si me u ba beja.
Kreu IV
Beja e motmotit
NENI 223. Beja me katund Beja me katund asht detyrë e çdo katundsi. Para pranveret, në nji ditë kuvendi, katundi për shpi ban Benë e Motmotit. Benë e fillon i pari kryeplaku e mbas tij çdo zot shpije me radhë prej vllaznisë së parë deri te i fundit, a simbas fisesh. Beja e motmotit bahet ”me gurë në krah”: “Shete beja Zotit. Si e basha, më ndimoftë! Nuk kam me vjedh gjá të hujen në sa ban nji dorë krande e përpjetë, as s'kam me hjeksue kand mbranda kufive të katundit”. Me ndodh, me mungue kush, beja i shkon për derë kujt mungon. I zoti i shpisë ka detyrë me dalë në derë e me ba benë “me gurë në krah” ja me dorë mbi ungjill a qitap, simbas fesë së tí.
NENI 224. Detyrat e shpijakëve mbas besë Kur të bahet beja me katund, i zoti i shpisë ka detyrë me i shtrëngue gjindët e shpisë për mos me e thye kush benë. Me e thye kush benë dhe me vjedh a me hjeksue në katund, lán dy-për-njahen. Për hjeksi lypet si besëpremë për faj a gjak. Para katundit mbetet besëpremë e gjoba i bahet detyrë.
Kreu V
Betarët
Beja lán gjak e varrë. Beja lán tokë e kufi, gjá e çdo gjá.
NENI 225. Kur caktohen betarët Betarët caktohen kur dikush kërkon me ju la mohuesi me pleq béje simbas Kanunit. Para se me u caktue betarët, ankuesi ka detyrë me i shkue në derë mohuesit e me i lyp arsye. Në derë i shkon vetëm a me të parin e vllaznisë. Nuk ju la me arsye mohuesi a nuk mund e bindi ankuesin, atëherë duhet t'i lahet me betarë. Betarët i caktojnë pleqt e pleqnisë në mirëkuptim me ankuesin e mohuesin. Pleqt me i pleqnue i caktojnë bashkë dy palët. Betarë caktohen burra të njohun për burrni: të ndershëm, të drejtë, që s'kanë hatër a mní me kurrnjanën palë e që s'janë gjetë në be-rrejshme. Pala ankuese dhe mohuese mund të kërkojnë me hek deri në tre betarë për të cilët nuk u fle zemra.
NENI 226. Betarë të njehun e të panjehun Kanuja betarët i ka me cak simbas fajit a gjakut të bamë me 6, 12, 24. Për vrasë burri beja bahet me 24 betarë, për vrasë gruje me 12. Në 24 betarë, 12 caktohen me emën prej pleqve të pleqnisë. Këto janë 12 burra të njehun. 12 betarët e njehun kanë të drejtë me caktue me gisht deri në 12 betarë me mirvet të dy palëve. Me 12 betarë: 6 të njehun; me 6 betarë: 3 të njehun e 3 të panjehun. Betarë të panjehun caktohen çato burra që mund të dinë ndoj gjá për mohuesin e kshtu ndihmojnë me i dhanë rrugë besë.
Kreu VI
Hetimet e gjurmimet
NENI 227. Koha e hetimit Hetimi do kohën e vet. Sa ma e ngatrrueme që të jetë puna, çaç ma shumë kohë do me u vú për rrugë. Për sa kohë duhet e caktojnë pleqt e besë, të njehun e të panjehun. Po pleqt e besë e kanë detyrë që benë të mos e shtyjnë ma se 12 muej. Krye 12 muejsh o bahet beja, o lihet mohuesi në faj.
NENI 228. Gjurma e fajit Gjaja e vjedhme ndiqet për gjurmë. E çoj i zoti gjurmën në katund të huej, ka punë me katund e katundi o ja gjen gjánë me bé, o me shtrëngim; jase i gjen gjurmën dal prej katundi. Gjurmë faji mund të jetë edhe ndoj shej i lanun prej dorasit si: ndoj teshë trupi, pushka, kutia, cigarishtja e duhanit etj. Këto gjurmë i hetojnë e i gjykojnë betarët me pleqt e pleqnisë.
Kreu VII
Kapucari e pritarët
NENI 229. Kapucari Kush e di fajin e mohusit, ka detyrë para pleqve të besë e katundit mbarë me e diftue, me u ba kapucar. Nuk diftoj me të mirë, pleqt e besë kanë të drejtë me ja lyp benë. Kapucari o mbetet me ba bé që s'di gjá, o difton për sa di. Kapucar mund të bahet dikush edhe me dëshirë të vet tuj vúe kushtet e veta. Kapucari ka detyrë me diftue drejt. Ma dal rrenc kapucari, lanë gjobën për presë të bame. Me dal fajtor a pjestar fajit, lanë simbas Kanusë.
NENI 230. Mshehtësia e kapucarit e pritarët Këpucari mbahet msheht, veç në dasht vet me dal për fushë. Ai ka të drejtë me dá anash atë betar tek i cili i fle zemra e me ja kallzue punën. Deri në tre betarë mund t'ju kallzojnë atë që di, po të tjerëve s'ka detyrë t'u shfaqet. Betarët mund t'a hetojnë vet kapucarin a mund të caktojnë pritarë, burra të regjun në hetime e peshime për kapucarë. Detyra e pleqve pritarë asht me mbajt msheht emnin e kapucarit. Me e kallzue, bahen besëpremë.
NENI 231. Apangat e kapucarit Për dy gjana ka të drejtë kapucari: me ja mbajt emnin mshehët e me marr apangat. Apangat i lahen çaç sa kërkon kapucari. Po kapucari s'ka të drejtë me lyp ma shumë se sa ban vet gjaja. Kur kapucari kallzon për mohuesin, mohuesi ka detyrë ma la gjysën e apangave. Gjysën tjetër, ai që i zotohet kapucarit. Me i thanë ma përpara mohuesit, se ka kapucar, e mos me u bind, atëherë kapucarit apangat ja lanë mohuesi i fajit.
Kreu VIII
Barra e provës me bé
NENI 232. Beja i takon mohuesit Benë s'e ban ai që kërkon, po ai që mohon. ”Ban bé e hup!” - thot Kanuja. Kush lëshohet e kërkon, mund të baj edhe bé ma kollaj hak e pahak. Mohuesit i takon beja, me u mbrojt me të drejtë prej ankuesit, po jo me ja hup të drejtën atí.
NENI 233. Beja e merr gjanë e gjetme Me ja gjet i zoti i gjasë dikuj gjanë e hupme: për dore, në tufë, për rrugë, në oborr a në shpi, i ban bé e ja merr. Para mohuesit e pleqve tregon për gjanë e vet kur e ku i ka hup e shejet e dallimet që ka. Benë për gjanë e gjetme Kanuja ja njeh të Zot e jo mohuesit.
Kreu IX
Dita e besë me pleq
NENI 234. Kush vje në bé Ditën e besë vinë pleqt e pleqnisë bashk me betarët, të zotin e fajit e pala shikuese. Me pa benë mund të vinë kushdohi. Ditën e besë shikuesi a pala ankuese duhet të vinë me pa benë. Mos me ardh, pleqt e pleqnisë me ndihmën e krenve i shtrëngojnë me ardh, ndryshe s'u njihet ankimi. I zoti i besë me betarët ban benë para krenëve e pleqve e lahet.
NENI 235. Mbi çka bahet beja Beja bahet te kisha, xhamia a teqja (Malizí), ku ta shoh kushdohi. Beja bahet mbi nji gjá të shejtë: me gurë në krah, mbi kishë, xhami a teqe tue prek murin me dorë. Beja bahet simbas këtij rendi: i pari benë e ban i zoti i besë i mbetun në faj, mbas tí betarët e panjehun, në fund betarët e njehun.
Kreu X
Pasojat e besë
NENI 236. Berrejshmi i humb të gjitha Me dal beja me betarë e rrejshme, të zot të besë betarët kanë të drejtë t'ja kërkojnë gjobën sa krejt gjaja e tij e gjallë (Kabash) dhe ai e ka për detyrë me jau hap vet derën e vathit. Pos gjasë së gjallë, berrejshmi humb shpyrt e nder në katund e fis. Për burr ma kush s'e njeh.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:10 | |
| 6. VETËGJYQËSIA (HAKMARRJA)
Kreu I
Preja si vetëgjyqësi “Preja si rrfeja. Lshoja rrugën!”
NENI 237. Preja Mos me ju përgjegj dikujt dikush me Kanú për çka e ka tandue, i bje pré tufës a gjasë mbarë ku ta ketë: në mal a në vrri. Preja ma së forti merret për kufi kullotash, po merret edhe për ngatrresa të tjera. Preja bahet shpi me shpi, katund me shpi e katund me katund. Prenë pretari e mban për deri sa i pretuemi të mos i përgjigjet pretarit për çka asht në faj të tij.
NENI 238. Kur përkrahet preja Mbet me i ra dikuj dikush i katunds pré me të drejtë, katundi mbarë deri edhe katundet kufijar kanë të drejtë me ju ba krah. Me i ra pre me të padrejtë, askush s'ka të drejtë me ju ba krah pretarit. Me ju ba mbesin pjestarë faji. I pretuemi shpi a katund ka të drejtë ta baj prenë në çdo pjestar që të mundet.
NENI 239. Kthimi i presë Preja shpi me shpi pleqnohet me katund. Preja katund me katund pleqnohet prej krenëve të bajrakut a të dheut. Preja do arsye. U pleqnue preja me ju kthye të zot, ajo duhet t'i kthehet ditën e caktueme. Prenë e kthen ndërmjeca. Ndërmjecën e cakton katundi, bajraku a dheu, si të jetë pleqnue preja. Gjaja e damtueme bahet krye më krye, si të jetë marrë vesh ndërmjeca me të pretuemin. Tufën i zoti e do sa e ka pasë kur ju ba preja. Bani e s'e kthej prenë pretari, i pretuemi ka të drejtë me ja marrë prenë me pré. U ba gjak gjatë presë, gjaku mbetet gjak e kërkohet si në Kanú, ”Gjaku-gjak e preja-pré”.
Kreu II
Gjakmarrja (vrasja si vetëgjyqësi) “S'ka mbetë gjak pa u marrë”
NENI 240. E drejta me marr gjak Me vra dikush ndoj njeri, shpija e të vramit ka të drejtë me ja marr gjakun. Nuk pat kand të shpisë, të drejtë me ja marr gjakun ka i dami nji zjarmi, i kushrini a i vllaznisë. S'pat asnja sish, ka të drejtë fisi i vet. Të drejtë me qit pushkë ka edhe daja për nipin, nipi për dajën, i vllaznuemi për vlla gishtash. Me ju vra kuj miku, ka të drejtë me qitë pushkë për mik e me ja marr gjakun. ”Qite pushkë për gjak, ke faqen e bardh me "Të lumt gryka e pushks"!... Çasaj i thonë pushkë e mirë”, - thot Kanuja.
NENI 241. Gjaku s'hup kurr “Gardhi kalbet e gjaku s'kalbet” “Gjakun shtat pash nën dhé me msheh, ai prap del mbi dhé”. Me u vra dikush, lypet gjaksi. Mos me dal gjaksi për fushë, jet gjak në moh. Po shpija, kushrijt, vllaznija, a vetë fisi kanë detyrë mos me e lan gjakhups. E lyp gjakun me sheja e kapucar deri sa të gjindet. I shkove dikuj në derë për gjak, ai s'mund të lahet veç në baft bé me betarë.
Kreu III
Gjaksi dhe shtëpia e tij Gjaku shkon për gisht
NENI 242. Gjakun gjaksi e çon te shpija e vet Kush bje në gjak, gjakun e çon te shpija e vet. Gjindt e shpisë çelen nji dere; të mirën e të keqen e dajn bashkë. Çdo pjestar shpije asht pjestar gjaku në vrasjen që ka bá nja sosh. Shpija e të vramit me vra nja prej burrash të shpisë së gjaksit, merr gjakun e vet si me vra vet gjaksin. Burri s'vret fmi për gjak. ”Burri i fort ndjek e vret gjaksin, dorasin” - thot Kanuja. As vllan shpi më veti, Kanuja s'ta nep me e vra. ”Asht shpi m'veti”. Me gra e rrogtarë të shpisë së gjaksit nuk merret gjak, po bje në gjak. Ato janë gjak i huej.
NENI 243. Gjak me ndihmës-gjaku Me u çue kush e me marr në pritë shokë e kumbarë, miq e dashamirë, gjaku jet për çate që i del zot. Të tjerët i pat puntorët e vet. S'ka kush punë me to. Vrasja mund t'i besohet edhe nji ndihmës-gjaku të shtymë për pare. Ky s'merr gjak mbi veti, gjaku i jet atí që i rreh gjoksin, veç me i ra mohit. Atbotë bje në gjak. ”Mos hec me kambt e tua e me mendt e huja!”
NENI 244. Gjak me pjestarë gjaku Pjestarë gjaku bahen të gjithë sa qesin me pushkë e vrasin dikë. Qiten 3 vet, 5, 9 a 12 e s'e morën veç 2 a 3 plumba, pjestarë gjakut mbesin të gjithë sa qitën. Do me i ra mohit ndonjani, mohi s'i xehet. DO me u la me bé, beja s'i xehet. ”Vet hine pjestar gjaku; s'të bani kush me zor. S'dihet cili plumb e ka marr”. Me u çue kush mbrenda katundit e bajrakut të vet dhe me ndihmue nji të huej për me ba vras në katund e bajrak, bahet pjestar gjakut. Shpija i digjet e ai leçitet.
NENI 245. Mashkulli i leçitun kah gjaku Shpija e gjaksit ka të drejtë me i kërkue shpisë së të vramit me ja leçit ndoj mashkull prej gjakut. Prej gjakut leçitet mashkulli që asht djal i vetëm ndër vllaznit e asaj shpije. Po mund të leçitet edhe ndoj mashkull i lig, qorr etj. Me ju zotue shpija e të vramit se ja ka leçit atë mashkull për kah gjaku, shpija e gjaksit s'ka pse druhet për te. Me ja vra, shpija e të vramit koritet. ”Qiti pushkë të keqe!” Gjak merr, po kush të mirë s'ja ban.
Kreu IV
Dita e gjakut “Dita e gjakut ka gjakun e xet. Ruju gjakut të xet”
NENI 246. Gjakmarrja për 24 orët e gjakut Dita e gjakut asht 24 orë. Fillon me t'u bá vrasja e vazhdon nji ditë e nji natë. Burri pret sa të qetësohet gjaku. ”Flakë për flakë asht pushka”. Ditë gjaku bahet edhe kur vdes i varruemi. Ditën e gjakut duhet të ruhet edhe djali zhagaz, plaku i mbetun e deri grueja me barrë; duhet të ruhen edhe vllai i damë, të damët nji zjarmi e deri kushritë e gjaksit. Shpinë e të vramit e kanë në shpinë ku janë e ku s'janë. Mbas Ditës së Gjakut të kushrijt, të damit nji zjarmi e deri vllai i damë i çojnë shpisë së të vramit pleqt e i bajnë me ditë se s'kanë punë me gjaksin. Me ba me i vra, shpija e të vramit gjak s'merr, po bje në gjak.
NENI 247. Damet e preja Ditën e Gjakut, kur vrasja bahet mbrenda katundit, shpija e të vramit me të kushrijt kanë të drejtë që gjaksit e deri edhe kushrijve të tij me u ba çdo gja dam: me i djeg shpitë, me i pre pemët dhe me i bá pré gjanë e gjallë. Damet e preja e Ditës së Gjakut shkojnë hups. Me u ba mbas Ditës së Gjakut, jesin për gjak.
NENI 248. Detyrat e gjaksit Ditën e Gjakut Gjaksi ka për detyrë: 1) me ta vrá dike, me shkue e me e kthye mbarë. Mos me mrri puna, ka detyrë me ja lanë amanet dikuj që takon rrugës; 2) me lajmrue shpinë e të vramit që të mos i binë kuj në qafë pa faj; 3) me t'u bá vrasja, me u largue prej shpijet me tanë meshkujt me të madh e me të vogël e me u msheh nder miq e dashamirë.
Me ta krye vrasën, gjaksi e mashkujt e asaj shpije kanë vetëm të ikmen e ngujimin. Ka hijen e gjakut mbas shpine. ”Gjaku kërkon gjak. Rrugë e shtigje i bahen prita gjaku”.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:11 | |
| 7. NDËRMJETËSIA DHE PAJTIMI
Kreu I
Ndërmjetësia
NENI 249. Ndërmjeca Ndërmjeca bahet me ndal grindje e ngatërresa, dhunë e rrënim, zjarr e pushkë; bahet me shafit gjakun e xet e me pshtue jeta njerzish. Me hy ndërmjet ka të drejtë kushdohi: burri e grueja, shoqi e udhtari, miku e dashamiri, prifti e hoxha. Ndërmjeca asht me Kanu. Me hy ndërmjet s'asht detyrë. Por, hyne ndërmjet, mbete borxh me qëndrue, ndryshe koritesh.
NENI 250. Kushtet e ndërmjecës Burri ja njeh ndërmjecën kujt hy ndërmjet. Me ndi ndoj zá a me pa dikë që thot: ”Prani pushkën, burra, jam (filani) ndërmjet!” - detyrë asht me e prá pushkën e me u marr vesht me ndërmjetsin. Ndërmjeca ka cak. Caku i ndërmjecës asht 10 minuta deri në 24 orë. Përtej cakut s'i ke detyrë ndërmjetësit. Ndërmjeca bahet edhe dorë gjaku. Dorëgjaku mbron ditën e gjakut a të dënimit shpinë a gjanë e gjaksit a të fajtorit për me ndalue zjarm e gjobë. Ndërmjetësi lirohet kur mbaron caku i marrveshjes.
NENI 251. Ndërmjeca nuk i pritet kuj Me bá mos me ja njoft ndërmjecën ndërmjetsit, bje në gjak e ky e ka të drejtë me ja fillue pushkës. Pushkën s'ka të drejtë me e nis, pa thirrë: ”O ndërmjeca, o fillova pushkën!” Me bá me ja pre ma vonë ndërmjecën, ndërmjetësi jet mikprem dhe i duhet me e çue në vend nderin e mikut.
Kreu II
Ndorja
NENI 252. Ndorja lypet Për hall të madh e rrezik jete kushdohi ka të drejtë me i ra dikuj ndore. Ndore i bihet tandit e shoqit, të njohunit e të panjohunit, mikut e anmikut, burrit e grues. Kur s'pret puna, ndore i bihet edhe shpisë së fortë edhe pa e pá ndokend të saj. Por duhet të përgjigjet nji zá njerit, sa ku me ndigjue hasmi: ”Ooo, asht me ndore (të filanit) çai”. Kur i bihet ndore dikuj, duhet me thirr sa ku me u ndie prej hasmit dhe atij që po i bje ndore: ”O ndore tande, (filani)!”. Për ndore lypet burri i fort. Kur s'pret puna kush të dalin para.
NENI 253. Ndorja të bahet mik Detyrë ndere e burrnie e ke me i dal zot, edhe anmik me e pasë. Të ra dikush ndore, ke detyrë me i thirr hasmit të tí: ”Mos ma prek, bre burr, se më ka rá ndore!” “Të rá ndore, jetën e nderin e vet ta besoi ty. Ti shpinën s'mund t'ja kthejsh, veç në mos paç kurrfar burrnie”. Nuk ja more ndoren dikuj, mbetesh i koritun e i leçitun në shokë e miq, për kush të njef e të di. S'mund e more, banja borxh shoqit të fort e shkarkoje ndoren. ”Ndoren bane ndore”.
NENI 254. Ndorja s'i pritet kuj Burri nuk ja prek ndoren tjetrit, jo për frigë e ligshtí, po për nder e burrni. ”Nesër të ban vakí ty”. Mos me ja njoft tjetrit ndoren, bje në gjak e le mikprem. ”Ju morën nder e burrni.” “Mos me t'u njoht ndorja: o me qindrue e me u fik, o me u korit e me u leçit”. Ndorja lypet për nji cak kohet. I pshtoj rrezikut të parë mbrenda atí caku, ndorja e lán vedin. E gjet gja jasht atí caku, ndorja s'i ka ma borxh.
Kreu III
Pajtimi i gjakut “Burri i fort e fal gjakun”
NENI 255. Pleqt e paqit Mbas Ditës së Gjakut hyjnë pleqt e paqit. Pleqt e paqit janë shokë e dashamirë katunds a në bajrak, miq e kumbarë e deri mik mbas miku të dy palëve për me ba pajtimin e shpisë së të vramit me hasmin, kur ky drejtohet si mik bujarisht. Si të jetë xerr besa, hihet për pajtim gjaku. Pajtimi i gjakut bahet me ndërmjecë. Pajtimi i gjakut asht me Kanú. Shpija e gjaksit ka të drejtë me lyp pajtim. ”Burri i fort e fistar di me e fal gjakun; i ligu s'di me fal kurr”. Shpisë në të dalun fare i falet gjaku bujarisht.
NENI 256. Mndyra e pajtimit Pajtimi i gjakut bahet me katër mndyrësh: 1) me ndërmjetësinë e shokëve e të miqve deri edhe të gjindve të shpisë që janë bind me u pajtue; 2) me ndërmjetësinë e priftit në emën të famullisë a të hoxhës në emën të xhematit; 3) me fjalë të zot t'shpisë së të vramit për burrni të dorasit; 4) me ndërhymjen e krenve të bajrakut a të dheut kur vehet beslidhja e shtatë Bajrakve për luftë kundër anmikut tue pajtue shpinë me shpi e katundin me katund.
Kreu IV
Çmimi i gjakut
NENI 257. Çmimi i gjakut Me pajtimin e gjakut çdo vrasë burri çmohet nji gjak, 12 qese; gjaku i gruas - gjysë gjaku, 6 qese. Gjaku i grues në luftë krahas burrave, vehet me nji gjak burri të palës ngucatare. Gjaku i gruas pa hak e hile me fmijt prush e për gjini, çmohet nji gjak burri. “Gjaqet i la Leka: gjak për gjak e kry për kry” Gjaku i varrës pleqnohet me pleq. Pleqt e pleqnojnë varrë çdo varrë sakate. Varra e burrit lahet me tri qese. Varra e grues pahiri, gjysë për gjysë. Varra e grues deshtas, baraz me nji varrë burri.
NENI 258. Lamja e gjakut Gjaku i lahet shpisë së të vramit me kiste. Kistet caktohen me cak prej pleqve të pleqnisë. Shpija e gjaksit ka detyrë me i çue në cakun e vet. E lamja e gjakut nuk kthehet. Me ba me ja kthye shpisë së gjaksit e me marr gjak, shpia e të vramit bje në gjak me dorzant e gjakut. Shfajsimi ”Paret t'i ktheva e gjakun e mora, se me pare nuk mund e ndrrova”, - nuk njihet mbas pajtimit.
NENI 259. Dorzant e gjakut Me pajtimin e gjakut shpija e gjaksit lyp e cakton 2 dorzanë gjaku. Dorzant e gjakut i bajnë me ditë shpisë së të vramit se janë dorzanë gjaku për gjakun e falun. Dorzant e gjakut rrin ndërmjet për gjithmonë a për deri sa t'i lajmrojnë shpija e të vramit se nuk rri ma me dorzanë gjaku. Dorzant kërkojnë kohë sa me lajmrue shpinë e gjaksit se asht pa dorzanë ose rrinë dorzanë simbas fjalës së dhanme ma parë. Shpija e gjaksit u ka detyrë dorzanve nji qese për shoq. Dorzant nuk i lypin. Ato jau fal vetë shpija e gjaksit.
Kreu V
Riti i pajtimit
NENI 260. Darka e gjakut Pajtimit të gjakut i ven kapak darka e gjakut. Darkën e gjakut e shtron shpija e gjaksit në kohën që e cakton shpija e të vramit. Në darkën e gjakut vjen i zoti i shpisë së të vramit me dy dorzant e gjakut, si të ketë ra terri i natës. Para derës së shpisë, mbrendë dhe në sofër u bahen nderet e mikut si për festë. Me urue të dy palët në pajtim, vinë miq e dashamirë.
NENI 261. Kumbarí e miqsi gjaku Mbas darkës së gjakut, miq e dashamirë të dy palëve hyjnë me i afrue ma shumë shpitë e pajtueme. U lypin të bahen kumbar ndër veti. Kur janë fisesh të ndryshme u lypin martesa ndër veti. Martesa asht ora e pajtimit të gjakut. ”Dorzan mbi dorzan”. Shpitë e pajtueme, kur janë kufijar a në të njejtën skej katundi, e kanë detyrë ndere, që bashk me shokt tjerë, me i hi e me i dal njani-tjetrit për gzime e festa, për dazëm e mort.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:11 | |
| 8. KISHA E XHAMIA DHE SHËRBIMI FETAR
Kreu I
Kisha e xhamia në katund
NENI 262. Kishë e xhami, për urdhën të të parit të fesë Kishë e xhami hapen e mbyllen për urdhën të të parit të fesë e kush në katund a bajrak nuk ka të drejtë me ju përzie. E pau me vend i pari i fesë me e hap nji kishë a xhami, katundi e famullia a xhemati rrethas kanë detyrë em u kujdes me çdo gja për te. E pau me vend i pari i fesë me e mbyll nji kishë a xhami, atëherë ajo do të mbyllet e kush të drejtë nuk ka me ja kthye urdhnin. “Kanuni, Kanú e feja, fé. I kan punt e dame”.
NENI 263. Kishë e xhami në fis e katund Kishë e xhami s'bajnë pjesë në asnji fis e vllazni në katund a jashta tij. Fisi e katundi kanë punët e veta. Kisha e xhamia janë për punë fejet e për çate kanë detyrë të kujdesen. Kishë e xhami s'i kanë detyrë katundit as për djelmni, as për pleqni të bame ndër krenë e pleq. Kisha s'ka puntuer për rrugë a shtek, për vi a mulli. Ato janë punë katundi. Mori gja përsipër kisha me famullitar a ipeshkv, xhamia me dorzanë a hoxhë me ndihmue ndoj punë katundi, ndera e tyne. Detyrë s'mund u bahet prej ndokujt.
NENI 264. Hija e kishës Hija e kishës asht rrethi i kishës. Rrethi i kishës asht muri që rrethon për mbrenda vedit kishë e vorre, çelë e oborr. Mbrenda rrethit të kishës zotnon kisha me famullitar. Aty s'ka të drejtë kush me ndërhye as për kishë, as për vorre, as për çelë prifti, as për të hime e të dalme të saj. Kishë e çelë kanë të zonë ashtu si katund e bajrak, pleq e krenë.
NENI 265. Të drejtat e kishës në famulli të vet “Kisha ban tym në famulli. Po famullia s'i numron për tym të vetin as kishë, as çelë”. Kisha ka tagët mbi rrethin e kishës e mbi çdo pasuni tjetër që e ka ba të vetën: ara e vneshta, livadhe e pyje, gja të gjallë e pare. Në mal e vrri të katundit e të famullisë ka tagër kullose. Kisha ka tagër me shit e me ble në pasuni të vet; me marr të falunat për shpyrt mbi kryq e ltere të famullis së vet. Me to ban si ta shoh me rrugë, po jashta kishet kuj hesap s'i nep. Kisha ka tagër me hy ndërmjet me kryq e ungjill, me famullitar e kumbon kishe kudo në famulli të vet. Ndera e kishës asht ndera e famullisë. Famullia ja mbron nder e pasuni. Vuni kush dorë, i pari i fesë me famulli ja kërkon me i kthye.
NENI 266. E drejta plangçore e kishës. Me tokë e pasuni të kishës s'ka kush punë. Toka e pylli i kishës edhe 300 vjet në mbetshin pa kishë e prift, dorë kush për to nuk ka. Me i shit ipeshkvia, i merr ai katunds që lanë për to ma shumë. Pyllin e kishës s'ka tagër me prek kush, veç kur nxirren landë për trenët e kishës. La kush tokë për shpyrt për kishë a xhami, këto e bajnë të veten, si të jenë la me Kanú para kushrijve të atyne që lanë tokën.
NENI 267. Dorzanët e kishës e të xhamisë Dorzanët caktohen në Kuvend të katundit. Ato caktohen prej pleqsh e stërpleqsh, prej burrash të njohun për nder e burrni, urti e trimí. Numrin e dorzanëve e cakton vet katundi nga 12 deri në 24. Për çdo punë që ka kisha e xhamia me katund janë dorzanët në mes. Fetari: prifti a hoxha, s'kanë të drejtë me nxit famullinë e xhematin kundër njani-tjetrit qoftë edhe të ndonji dhunuesi, pa fjalë të dorzanëve. Fetari s'ka të drejtë me urdhnue dorzanët, veç me ba vaj e ankesë tek ato.
NENI 268. Detyrat e dorzanëve Dorzanët e kishës e të xhamisë kanë detyrë me mbrojt kishë e xhami, prift e hoxhë, prej çdo dami e faji të ngucakeqit e të hasmit, prej hajnit e cubit. Me dhunue kush kishë e kryq, xhami a teqe, prift a hoxhë, dorzanët kanë detyrë me u dal zot. Dhunuesin kanë të drejtë me e dënue simbas fajit a dhunës. Me ndodh faji e dhuna e randë fort, dorzanët kanë të drejtë me thirr Kuvendin e katundit e ky ka detyrë me dhanë dënim e gjobë. Nder e pasuni të kishës i mbrojnë dorzanët me famulli e xhemat.
Kreu II
Fetari (prifti, hoxha)
NENI 269. Fetari, për fjalë të parit të fesë Fetarin e cakton i pari i fesë: priftin, ipeshkvi; hoxhën, myftia. Vetëm ai ka të drejtë me e hek a me e ndrrue me nji tjetër. Jeta e nderi i tyne ndorja e famullisë a e xhematit të katundit, ku asht kisha e xhamia. Petku i fetarit asht roja e tij. Dorzanët e kishës e të xhamisë janë ndërmjetësit e tij. Me i ra kush në qafë fetarit, i pari i fesë ka punë me dorzanët.
NENI 270. Fetari, mik në katund Fetari është miku i parë ndër miqt e katundit. Për sa të jetë në shërbim të fesë, asht në bukë të katundit. Me ndodh e me e vra kush fetarin, i pritet mik katundit. Dorzanët e kishës e të xhamisë me djelmninë e bajrakut gjaksin e grijnë katundisht, shpinë ja djegin, gjindët ja qesin jasht bajrakut dhe tokën ja lanë për kishë, gjaja e gjallë bahet gjoba e djelmnisë.
NENI 271. Nderet e mikut për fetarin Në ndeje e kuvend ka vendin e parë, ka nderet e mikut të parë ndër miq; para fetarit nuk mund ulet kush; as miku ma i largti, as ai ma në za se tjerët; as krenë as pleq. As djelmnia e fisit a e bajrakut, kur i shkon mbrapa për siguri, nuk mund i dalin para as në vende pritash. Ksi vende shkojnë para fetarit ma se nji kanopkali.
NENI 272. Të drejtat e fetarit në punët e fesë Fetari ka të drejtë me mësue, me qortue dhe me dënue për punë feje çdo besimtar të vetin, ku shërben, ashtu si e lyp puna e fesë. Kurkush prej katundi, fisi a bajraku, qofshin edhe krenë e pleq, s'kanë të drejtë me ju përzie në punë feje, veç i pari i fesë së vet. Fetari ka të drejtë me ja mohue shërbimet fetare atyne që shkelin porositë e fesë e të drejtat e kishës a të xhamisë ose të drejtat e vet fetarit.
NENI 273. Shpërblimi i fetarit Fetari, për punë fejet, gzon hakun e vet. Haku rrotull vitit nepet njiherë. Fetari shkon shpi për shpi e mbledh hakun e tij. Mos me ja dhanë kush hakun, me detyrë katundi, famullija nuk mund t'ja bajnë, por keqet me fetar e ky i mohon shërbimet e fesë. Besimtari, pat s'pat, ka detyrë me ja la hakun fetarit. ”Edhe në kosh tuj lyp, fetarit jepi hakun e vet”.
NENI 274. Dënimet për mohuesin e shpërblimit Me ndodh ndokush e mos me ja la fetarit hakun e vet, prifti ka të drejtë me ja pre shërbimet fetare: 1) mos me ja bekue bukën ditën e pashkëve; 2) mos me i pranue rrfim, kungim a kunorë kishet. ”Haku i kishës asht haku i Zotit”. Hoxha ka të drejtë mos me ja ba shërbimet fetare për dekë shpisë e cila s'ja ka la hakun. Besimtari s'ka gojë as dorë kundër fetarit, pse i ka mohue shërbimet fetare. ”Asht në hak të fetarit. S'i ka kush faj”.
NENI 275. Detyrat e fetarit Fetari ka detyrë me i ba të gjitha ato shërbime feje që ja lyp kanuni i fesë së vet. Me i ba kuj dam me fjalë të vet a me gja e pasuni të kishës, damin e lanë, po gjobën jo. Fetari s'bje në gjobë. Fetari ka detyrë me u kujdes për kishë a xhami e për pasuni të saj. Fitimet e kishës e të pasunive të saj janë për dorë të fetarit. Fitimet e tokës së xhamisë e të falmet për shpyrt janë për dorë të dorzanëve. Ata kujdesen që me to të bajnë meremetime në xhami. Hoxha ka të drejtë me i nxit dorzanët për ato rregullime. Fetari ka detyrë mos me u përzie në punët e katundit. Në kuvend shkon veç, kur ta thirrin. Me ba me shkue, rri me krenët e flet kur pyetet. Hoxha i katunds ka të drejtë si çdo shtëpi. Fetari s'ka detyrë me u thirrë për betar. Me u thirr, beja e tij njihet për 12 betarë.
NENI 276. Fajet e fetarit Me ba ndoj faj fetari, dorë e konop kush mbi ta s'mund të venë. Faji qitet ndër dorzanë e kto qahen te i pari i fesë e i kërkojnë me e hjek prej aty. Me ba faj të rand fort fetari, pengun e shtron fetari që vjen për fjalë të të parit të fesë. Faji i tij peshohet me pleq. Me vra kend famullitari, në gjak bje shpia e tij. ”Grueja e famullitari s'bin në gjak, po lshojnë n'gjak shpin e vet”. Sado me ra në faj e në gjak shpija e famullitarit, ky s'bje në faj as në gjak. Me vra kend hoxha, bje në gjak ky e shpija e tij, po dorzant ja djegin shpinë për tagër dorzanie atí që merr gjak mi hoxhë.
Kreu III
Gjaja e gjallë e rrogtarët e kishës
NENI 277. Gjaja e gjallë Gjaja e kishës asht për dorë të famullitarit. Famullitari për gja të kishës gjen ndoj çoban që ja merr për shpyrt bashkë me të vetët. Po gja të gjallë pa çoban s'mund të lshojnë. S'gjet çoban, ka të drejtë me gjet rrogtar. Rrogtari me gja ka rrugë e kullosë për ku shkelin gjaja e katundit.
NENI 278. Rrogtarët e puntorët e kishës Rrogtarët e puntorët e kishës punojnë në rrogë a për shpyrt te famullitari në çelë e rrethim, në arë e vneshtë, me gja të gjallë a kafshët e punës. Me pas ankim për famullitarin, qahen te dorzanët e kishës. Famullitari ka detyrë me i la simbas fjalës së vueme. Me vu kush gojë a dorë në rrogtarë të kishës, ja kanë pre mik kishës e kisha i pritet mik famullisë. Me vra kend rrogtari a puntori i kishës, lshon në gjak vedin e shpin e vet. ”Kisha s'lan gjobë as gjak”.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:13 | |
| RENDI EKONOMIK
1. PRONA DHE KUFIRI
Kreu I
Toka, gjaja e sendet e shpisë “Toka ka të zonë”
NENI 279. Plang e rrang Çdo shpi kulmi ka plang e rrang të veten: truell e oborr, arë e vneshtë, kopsht e livadh, prozhem e mal, kullotë e tbuna, ksollë e vithna, çarranik e koshar, mulli e vanicë në kufijt e vet. Ja ka lanë babë e babëgjysh, i ka ble e ba ndrrim, i ka prej kushrish të lana shkret, Kanuja ja njeh për të vetat. Kush tjetër në to nuk mund i pëzihet. I punon a i le djerr, i le arë a vneshtë, livadhe a kullosë, punë për te. ”I zotnon ai”. Kush s'ka tagër t'ja zaptoj ose ta çoj prej vendit pse asht ma i fort.
NENI 280. Caku para shpisë Çdo shpi ka për cak rreth vedit oborrin e shpisë. I jashtapragut s'ka të drejtë me e kalue këtë cak pa i pri nji i shpisë. Miku e shoqi, rrogtari e lypci thirrin në oborr. Mos me u përgjegj kush, rrinë e presin a largohen në punë të vet. ”Në shpi të huj s'hyhet pa të zonë”. Gjete gja në oborr të shpisë huej, të drejtë me e prek nuk ke. ”Gjaja e huej s'preket”.
NENI 281. Pasunia tjetër e shpisë Çdo shpi ka pasuninë e vet: gjanë e gjallë, lopë e qe, dhi e dhen, kalë e gomar, derr e qen, pula e bletë, drithë e kopshtije, bylmet e pije, vezë e mjalt, leshë e kmendë, grazhdije e gjeth; pemët e almiset, veglat dhe rraqet e shpisë.
Kreu II
Prona e përbashkët
NENI 282. Bashkaria e katundit Katundi ka bashkarinë e tij. Pyll e kshteja, kullota e mrize, malet e largëta me pishë e ah janë bashkarí të katundit. Të gjitha shpitë kanë pjesë në bashkarí.
NENI 283. Kullotja në bashkarí Kullotja në bashkarí bahet simbas sulleve të katundit. Çobani s'ka të drejtë me pré degë lisash a shkurresh për gjanë e vet në malet e kufijarëve të damë me kufi. ”Kullote barin! Me lisat e shkurret e tjetrit s'ke punë”. Në kullotat e katundeve kufijar as s'mundet kush me hy, as me lanë kand pa sulle katundi.
NENI 284. Kullotja në ara e livadhe me kufi Kullotja në ara dhe livadhe me kufi në brigje shpijash asht e lirë Ditën e Shinkollit (6 dhjetor) deri ditën e Shingjergjit të Ri (23 prill). Në ara e livadhe kanë të drejtë vetëm shpitë e njaj vllaznie e lagjje të vogël kufijarësh. Vllaznit e lagjet e tjera s'kanë të drejtë me hy për kullosë në arët e livadhet e brigjeve kufijarsh. Kullota në arë e livadhe pritet ditën e Shingjergjit të Ri tuj ngul çdo shpi në livadh nji thuper shelne të lvorueme. Shelna e ngulun në livadh asht shej ndalese. Askush s'ka të drejtë me e prek shelnen e bardhë, të ngulun në livadh. Rrallë fort me ndodh kush e me hek dhe me fut gjanë në livadh a brigje, do të përgjigjet para katundit për shkelje sulli.
NENI 285. Mali bashkarí Në malet bashkarí nuk mundet me ngul kush për rrah e livadh, për kopsht a pemë, pa dhanë leje katundi rrethas, pjestarë të bashkarisë. Mali i caktuem bashkarí, afër shpijash ruhet për landë, drrasa e dru për rastet kur ka dikush dasëm a mort për kohë të keqe ose kur lagjja dhe katundi ngushtohet prej borës së madhe. Në malet e largëta bashkarí landa e drrasa, pisha e pezhkvja për nevoja shpijash nxirret prej secilit për sa i duhet. Për fitim nxirren e shiten bashkarisht me kushrij, vllazni a lagje. Fitimi dahet simbas punëtorëve të bamë prej secilës shpi.
NENI 286. Uji i malit bashkari Uji i burimeve prej malit bashkari u përket shpijave pjestare në atë mal. Ato kanë të drejtë me hap vi e me përdor për arët e livadhet e veta, për mullijt e vanicat. Me ndodh bashkarija dy lagjesh: lagjeja e epër dhe lagjeja e poshtër, vija e lagjes së poshtme merr ça kullon prej jazit të visë së epër. Lagjeja e epër e xen jazin e visë vetë fund e krye. Ato të lagjes së poshtme s'kanë të drejtë me hap vi në jazin e visë së epër. Vaji në pleq e Kuvend s'u nxihet. Tjetër kush s'ka të drejtë me u përzie në atë uj e në ato burime.
Kreu III
Fitimi i pronësisë
NENI 287. Tbuni e hija e tij Në bashkari të lagjes a katundit çdo shpi e kësaj bashkarije ka të drejtë me ngul tbunin e vet. Rreth tbunit ka të drejtë me rrethue vath e kopshtije se ku hedh gurin me nëndorë. Tbunin s'ka të drejtë kush me e ba në mallim të gjasë, mbi rrugë e shteg të bjeshkës. Hija e tbunit s'mundet me e zanë burimin e ujit. Uji i bashkarisë asht i të gjithëve. Tbuni, u hap a u la mshel, kush punë me ta s'ka ma për jet. Me ik a me dal fare i zoti, janë të kushrijt gjallë.
NENI 288. Pemë e mrize Në kullotat bashkari pjestarët e kësaj bashkarije kanë të drejtë me mbjell pemë e me ba mrize. Kokrrat e pemës ka të drejtë me i hangër çdo kalimtar. Landa asht e të zot. Mrizin s'ka të drejtë me ja zanë kush me gjanë e vet. Me ja xanë, i zoti i mrizit ka të drejtë me ja nxjerr gjanë prej mrizit e me fut të vetat. ”Mos e xe mrizin e huej! Ban mrizin tand si shokët”.
NENI 289. Toka e gjetme shkret Me u gjet nji tokë shkret a mos me ju dit i zoti, ka të drejtë me e xan kush ja ngul kufijt i pari. Me dal i zoti ma vonë e me provue me pleq se asht toka e vet, ky që e xuni ka të drejtë me marrë bimën, që mbolli, e me ja lshue të zot. U ndreq me të zonë me ja ble a me ja mbajt ”me qira”, puna e tyne. Me zort s'mund ja mbajnë. Edhe me ja mbajt, Kanuja për zot s'e njeh. ”I zoti tokën, puna bimën” - thotë Kanuja.
NENI 290. Të përdoruemit e tokës në mungesë të zot Me dal dikush prej tokës vet e me humb në dhé të huej tuj e lanë tokën djerr, kushrijt kanë të drejtë me e punue për vedi. Me i pasë kushrijt në breza barabar, ato kanë detyrë ta dajnë ndër vedi. Mos me pasë kushrij, e kullotë vllaznija si bashkari të vetën. Me ardh nji ditë i zoti, toka i kthehet atí. Kush s'mund t'ja ndalin. Po as i zoti s'ka të drejtë me lyp gjá për tokën e punueme. ”Puna merr bimën. Me punë toka ruen zalinë e vet. Puna e zalija e tokës, krye më krye me njana-tjetrën”.
NENI 291. Toka bashkarí e përdorun me mirëvet të lagjes Me pasë dikush nevojë të madhe me mbjellë thekën në malet bashkarí, lagjeja a vllaznia mund t'ja lanë për nevojë. Po, detyra kanë të drejtë me i vue. Detyrat janë këto: 1) rrihnat ka me i mbjellë aq vjet sa ja le bashkaria; 2) për rrihnat çobanët nuk kanë detyrë me prishë mallimin e gjasë së vet as me ja ruejt rrihnat mos t'i bahen dam; 3) rrihnat me thekën i ruen i zoti. Ju larguen damit çobat, ndera e tyne; 4) s'mund i mbolli ma, kush s'ka të drejtë me i mbjellë pa lyp lejen e bashkarisë.
NENI 292. Toka e fitueme me çmim pune, me rrezik jete Me i krye dikush dikuj ndoj punë me rrezik jete mbi krye, mbasi i zoti i punës ja ka falë nji pjesë toke, tokën ka të drejtë ta marrin i zoti i punës simbas Kanusë. Me u çue bajraktari e me vue kufijt e me u ba dishmitar i tokës së falun, merr pjesë në tokën e fitueme me çmim pune.
NENI 293. Toka e fitueme me gjak Tokën pa kufi e merr kush derdh gjak për të. Me u çue dy shpija a dy vllazni, ose katunde, e me u shtye kah njani tjetri në tokën e pacaktueme me kufi deri sa të kërcas pushka e të derdhet gjaku, çaty ku bje gjaku e bahet murana, çaty ngulet kufini. Ai kufi s'lot ma për jetë. Rrallë fort toka merret edhe për gjak. Me u vra dy shpi a dy katunde ndër vedi për gjaqet e bame merret toka. Iku shpija e gjaksit, toka të mbet ty për gjak. Për pajtim gjaqesh katundi i vramë për kufij, ka të drejtë me lyp tokë. Me u pleqnue gjaqet me tokë, tokën e merr pala e vrame e kush s'ka të drejtë me ba vja ma për të.
NENI 294. Toka e fitueme prej kufijsh të ngushtuem “Kufini kufinin e ha” Kufijarit të ngushtuem ndër kufij me kufi mbi shpi, shoqi fistar i lshon aq tokë sa me ja largue damin shpijet e me i hap rrugë e shtek. Shoqi i ngushtuem në kufi s'mundet me ja ba borxh kufijarit. Ja lshoj vet, ndera e tí. ”Past e dhasht!” Me çat ditë kufini shtyhet me plak kufini e jet çashtu për gjithmonë.
NENI 295. Toka e fitueme me të falme Shoqit me pak tokë a të huejt pa tokë katundi rrethas ka të drejtë me ja falë aq tokë sa me jetue në atë katund. Toka e falme katundisht caktohet me pleq kufini. Me t'u ngul kufijt me pleq, me atë tokë s'ka kush punë ma. Bahet për jetë e atyne që u asht fal.
NENI 296. Uji i fituem me kalim kohe Mos me e marr vije epër për 30 vjet ujin që i takon, mbas 30 vjetsh s'ka të drejtë me e marrë ma i zoti i asaj vije. Vija e poshtme me çat ujë ka shtue tokë të re e ka gjallnue shpijat nën të. ”30 vjet s'jau more. Tash don me jau marrë për smiranaze e për me i fikë. Me ba dhunë s'të le lagja me katund. Pse s'fole për 30 vjet! - thotë Kanuja. Uji mes dy katundesh, i lanun për prrue ma se i faqe njeri, bahet i çatí që e qet vinë i pari.
NENI 297. E drejta e katundit mbi tokën vetiake Nevoja e katundit për rrugë e ví, nuk mund të ndalet në tokën vetiake. Për nji shpi nuk thahet nji lagje a katund. Edhe midis trollit a votrës me të ra vija e katundit, ti s'mund e ndalish. Damin kanë detyrë me ta lá rendtart e visë. Me u mundue me e ndal katundin, dami të bahet gjobë e vija qitet. ”S'i mbyllet vi e rrugë nji katundi për nji shpi”.
NENI 298. Puna shtyn rrugë e shtek Me ndodh rruga vend i mirë për punë apo bri oborrit e kopshtit, rrugën e shtynë dhe vendin e punon ja e mbron kah dami. Rrugë e shtek shtyhen, po pa dam të lagjes a të katundit. Rruga e shtyme s'duhet të jetë ma e keqe se e para. E shtyne rrugën ke detyrë me e ba me dije katundin. Katundi do të bindet. Hape rrugë e shtek për nder e të dolën dhunë, ke të drejtë t'i mbyllish prap, kush me detyrë s'mund t'i bajnë. ”I hape, ndera jote; i mbylle, puna jote”.
Kreu IV
Kufiri
NENI 299. Kufini i vuem Shpija me shpi, lagjeja me lagje, katundi me katund, bajraku me bajrak, dheu me dhé, tokë e mal, bjeshkë e vrri, i kanë të dame me kufij. Kufini asht gur a meteh. Ara me arë, vneshta me vneshtë, livadhi me livadh, vrrini me vrri, dahen me gurë kufini. Bjeshka me bjeshkë dahen për meteh, me kah rrjedh ujët. Guri i kufinit asht nji gur i madh në çdo cep. Gurët e ndërmjemë janë ma të vegjël. Çdo gur kufini në tri anët e tij duhet të ketë tre gurë të futun në dhet.
NENI 300. Të ngulunit e kufijve Kufini ngulet njiherë e përgjithmonë. Me kalue shumë kohë e mos me u duk kufijt, ja me u shemb vendi a në dae, kufini ngulet me gurë e dishmitarë mbas. Gurin e ngul plaku i kufinit tuj thanë: ”Ky asht kufini. Kush e luejt i randoft sa mali me bjeshkë mbi krye në këtë jetë e në atë jetë!” Mbas ksaj fjale kufini s'luhet ma. Çdo ngatrresë ma vonë, zgjidhet me pleq. Po, kufini jet aty.
Kreu V
Luajtja e kufijve
NENI 301. Të ankuemit për kufijt Me u çue dikush si shpi a katund e me u ankue për kufijt që ka me kufijarin, pleqt kanë detyrë me i pa e me i pleqnue a janë ku ishin, a janë lujt, a janë vu me të drejtë. Me pasë humb a me i pasë lujt kush, kanë detyrë me i vu me plak kufini ku ishin. Vaji për kufijt e vuem nji herë, s'merret parasysh. ”Kufi mbi kufi, Kanuja nuk njeh.”
NENI 302. Kufijt e harruem Kufijt e harruem ngulen rishtas me bé. Pleqt kanë detyrë me kërkue plak kufini njeriun ma të drejtë që s'i mban krah kuj. E ky kufinin e ngul tuj ba bé në gurë, në kishë a xhamí, më ungjill a qitap. Kanuja e hershme njeh benë ”me gurë në krah”. Plaku i kufinit gjithkah kalon me vu gurët e kufinit, ”me gurë në krah” do të kalojnë.
NENI 303. E luejtmja e kufijve Me ndodhë e me i shty kush kufijt për me marrë tokën e huej a me ia bashkue dikuj tjetër që e paguen për këtë punë, ja i luen për me i përzie shpinë me shpi a katundin me katund, hetohet me krenë e pleq. Me u gjet, i shtrohet dënimit simbas Kanusë e faqen e zezë tepër.
NENI 304. Dënimet për kufinin e luejtun Për kufinin e luejtun shpis me shpi a katundi me katund Kanuja ka dënimin e fajtorit për damin e bamë të zot, dhe gjobën për faj para katundit a bajrakut. Gjoba asht nji ka a krejt tufa e gjasë. Kau ndahet okë për shpi ja hahet katundisht në log të kuvendit. Tufa ndahet kambë berri për derë.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:14 | |
| 2.BUJQËSIA DHE GJËJA E GJALLË
Kreu I
Lavërtari
NENI 305. Të drejtat dhe detyrat Lavertari ka të drejtë e detyrë me drejtue e me urdhnue gjindët e shpisë për punimin e tokës: me hap tokë, me zbutë, me e plehnue, me mbjellë, me mihë, me ujit, me çarue; me kositë dhe me bajt në lam e në hambar etj. Kur fillohet puna e si punohet e di lavërtari; të zot t'shpisë i jep arsye. Me u dasht punëtorë ma shumë, ja lyp të zot t'shpisë. Mos me prit puna, i lyp vet në katund.
NENI 306. Lavertari në tokë të zotnisë Lavertari për nevojë toke lyp me punue tokën e zotnisë. Zotnia i lëshon nji tokë, ja dan me kufi e bje në godi me te se sa me i lá. Me Kanu: toka asht e zotnisë, bima përgjysë. Çdo gjá që mbin mbi tokë të zotnisë, ky i do gjysën lavertarit. Gjysën e merr: në drith e grunë, thekën e groshë, sanë e atavë dhe në çdo pemë veç qershisë e mandit.
NENI 307. Shërbimet e tokës e veglat e punës Shërbimet e tokës i ka detyrë lavertari. Veglat e punës si të bajnë me zotninë. Ja mori përsipër me ja dhanë zotnija, mirë. Ndryshe do t'jau baj hallin vet lavertari me gjindët e vet. Rendi i ujët asht i zotnisë e lavertari ujit me çat rend. Shërbimet e visë janë të lavertarit.
NENI 308. Mbajtja e gjasë së gjallë Lavertari ka të drejtë me mbajt gja të gjallë sa të donë. Me i kullotë ka të drejtë në mal e vrri të zotnisë. Me ja dhanë zotnia për kryes, për gjysë a me hú, ka detyrë me ju përgjegj si në Kanu. Për dimën lavertari ka detyrë me ja mbajt nji lopë shterp zotnisë me grazhdijet e veta.
NENI 309. Kopshti i lavertarit në tokë të zotnisë Lavertari ka të drejtë me hap vend në tokë të zotnisë për kopshtije e duhan sa për vedi. Me ba kopshtije e duhan për me shit nuk ka të drejtë. Hapi kopshtije e vend për duhan për me shit, zotnisë i ka detyrë gjysën.
NENI 310. Puna angarí për zotninë Puna angarí në arat, livadhet e gjethët e zotnisë asht 30 ditë në vjet për çdo shpi lavertari në tokë të zotnisë. Lavertari punën angarí ka detyrë ma ja ba zotnisë kur t'ja kërkojnë, ditë-ditë a krejt së bashku. Ja bani 30 ditë punë, detyrë ma s'i ka. Për ditët angarí buka asht e zotnisë.
NENI 311. Afati me mbajt tokën e zotnisë Në tokë të zotnisë je me afat. Me dasht me të lanë zotnia edhe ma shumë se nji faqe njeri, të le. Po me detyrë s'mund t'ja bajsh. Kryemotmotit me dasht zotnija të çon. Si t'ja kesh marr tokës koren e atij vjeti, me zotninë u lave. Bje në godi me zotninë me ndej pa afat, rri. Të kërkojë zotnia me u çue, qou. ”Asht toka e vet” Edhe me ndej në atë tokë brez mbas brezi me babë e babëgjysh, i ngulun s'je, plagçor nuk xehesh. ”Asht toka e huej”. Rá zotnija në godi me ta shit e ti ja bleve dhe i bane darkën tokës, me zotninë e kreve. ”U bane i zoti i tokës”.
Kreu II
Bariu (Çobani)
NENI 312. Të drejtat e detyrat e çobanit Çobani ka të drejtë e detyrë mbi gjanë e gjallë. Shërbimet e gjasë i banë çobani me ndihmësit e tij burra e gra. Kullosën e gjasë e ndjek vet verë e dimën. Kohën se kur me i lëshue në kullosë dhe me i sjellë në shpi a tbuna, se kur me i qeth e me i mjel, e di çobani. Kush s'mund t'i përzihet. Leshin e bylmetin ka detyrë me ja dorzue të zot t'shpisë. Berrin me e pre a me e shit ka të drejtë me e kërkue i zoti i shpisë, me marrë ka detyrë ça t'i japin për kambe çobani. ”Çobani e di ça me hek e ça me lanë për mbarë.”
NENI 313. Detyrat e të zot t'shpisë për çobanin I zoti i shpisë me ndihmësit e tí ka detyrë krye dy javësh me i shkue çobanit te tbuni me miell e plaçkat që i duhen. Me dalë në bjeshkë e me u ul prej bjeshke ka detyrë me e ndihmue i zoti i shpisë me gjindët tjerë. Tbunë e ksollë ka detyrë me ja ndreq i zoti i shpisë. Gjindët, që i duhen çobanit me ruejt gjanë dhe për bylmet, ka detyrë ma ja caktue i zoti i shpisë me mirëvet të çobanit. Grazhdijet për dimën ka detyrë me ja sigurue i zoti i shpisë bashkë me lavertarin.
Kreu III
Qeni dhe i zoti i tij
NENI 314. Mbajtja e qenit “Qeni asht roja e shpisë e gjasë” Shpi pa qen nuk ka; po qeni i shpisë ka hekrat e stelin e vet drita me diell. Shpija e mirë qenin e mban lidh. Shpija me droje a në gjak, qenin natën e le zgidh. Kush të keqe nuk ja ban. Qenin mbas gjasë së gjallë çobani ka detyrë me e mbajt nën kujdes mos t'i lëshohet kuj. Qenin e egër e që lëshohet, e merr për hekrash deri sa të largohet shpijash. Me ba me ardh në shpi para gjasë, gratë a e zoja e shpisë kanë detyrë me e lidh sa ta shohin.
NENI 315. Qeni në punë të vet Qenit të huej nuk i bërtitet kot, as nuk ngucet, as nuk preket. ”Asht në punë të vet.” Me nguc qenin mbas çikës a grues së huej, je tuj prekë në nderë e je tuj ra në faj. ”Shih punën tande!” Me vra qenin e huej pa arsye të fortë, ke koritë të zonë.
NENI 316. Kur vritet qeni i huej Qeni i huej vritet për të madh gazep e kur s'mbetet rrugë tjetër. Me t'u lëshue qeni ditën e natën, kah je për rrugë apo nevoja të çoj me i thirr të zot t'shpisë, ke të drejtë me e tremb qenin e me i thirr të zot t'a ndjellin. Si të paum si s'të pau kush, ke detyrë t'i thirrish: ”O, ndille, qenin, mor! Hiqma qenin, mor!” Ndigjoj kush, s'ndigjoj kush, tjetër borgj nuk i ke. S'mund e prite, e sheh se po të ha dhe mbete me e vra, plumbi duhet me i kap ballin a gjoksin, ndryshe jet në dyshim e bahesh me faj. Qenin e huej me kambë të berrit tand në gojë, e vret. Po të zot ke detyrë me i dhanë arsye.
Kreu IV
Bleta
NENI 317. Bleta në zgjue të zot Bletën në zgjue i zoti e mban rreth shpisë së vet si dhe në rreth të shpisë së huej me pëlqimin e të zot. Ja pranove kuj bletën në rreth të shpisë tande, detyrë ke me ja ruejt mos me ju ba dam. Me ju ba dam, do t'i japish arsye. Bletën e tjetrit s'ka kush të drejtë me hapë e me pa, as me ja prekë e me marr në to. ”Në blet e hueja s'hyhet pa të zonë”. Hyne, do të japish arsye. Humbi ndonji prej tyne i zoti ka të drejtë me të çue në bé.
NENI 318. Bleta e lëshueme Lëshoi bleta e i zoti e ndoq mbas, çaty ku të xan vend, ka të drejtë me i vue zgjonin. Hyni në rreth të shpisë a në tokë të kufijarit, e ti je tuj e ndjek mbas, ke detyrë me i kallzue kufijarit se po mbledhë bletën tande. Kufijari s'ka të drejtë me të ndal. Të ndali çoja pleqt në derë. S'e ndoqe mbas, e merr kush e gjen. ”Bleta s'ka sheja.”
NENI 319. Bleta e gjetun Bletën në mal e merr kush e gjen. Në lis, e merr me gjithë lis. Te vona, në mal me kufi bletën e merr me mirvet të zot të malit. Ta lypi damin e lisit, do t'ja lajsh. S'ta la lisin, jet me i lanë gjysën e bletës. E gjeti, s'e gjeti kush bletën në brigje të tjetrit, ajo i përket të zot të brigjeve. ”S'ka kush rrugë e punë në brigje të hueja”.
NENI 320. Kur i vjedhet bleta të zot Me ia vjedh kuj bletën, vjedhci lanë 500 grosh gjobë për “shpi të thyeme” dhe dypërnjahen. Me i vjedh një bletë, do t'i lahen dy.
Kreu V
Pulat dhe vezët
NENI 321. Koteci e pulat rreth shpisë Pulat kanë kotecin e vet e koteci ka të zonë. Me e thye kush, fjatori lanë 500 grosh për ”shpi të thyeme”. Pulat e hueja as ndiqen, as ndjellen. Ja ndoqe a ja ndjelle, do t'i japish arsye të zot. ”S'ke punë me pulat e hueja”. Ja vodhe, lan dy për nja. Me dal pula e shoqit në vend tand, ti trembe e ktheje mbrapsht. Po mos e damto, as mos ve leqe për te. Ndryshe ke plakun në derë.
NENI 322. Voja në furrik Voja në furrik ka të zonë e vet. Qe furriku rrotull shpisë a ndoj ferr në krah të shpisë, kush i huej s'ka të drejtë me e prek. ”Asht gja e huej”. U msue pula e shoqit në furrik tand, detyrë ke me i kallzue të zojës së shpisë së shoqit. Ja dha vonë mirë. S'ja dha, detyrë s'mund ta bajnë. ”E bani, s'e bani vónë, s'ruej pulën tande”.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:15 | |
| 3. MJETET DHE SHËRBIMET NË KATUND E BAJRAK
Kreu I
Rrugët dhe gjerësitë e tyre
NENI 323. Rruga e madhe Rruga asht tri duersh: rrugë e madhe, rrugë dhe shtek. Rruga e madhe ka drejtimin e vet katund më katund, bajrak më bajrak, dhé më dhé e për tej. Rruga e madhe s'ka të ndalun: as ditë, as natë, as për gjind, as për gjá të gjallë, as për karvane. Kush s'ka të drejtë ma pyet a me ndal kend: ”Kush je e kah po shkon?!” Në rast lufte me anmikun e vendit, rruga e madhe mbyllet e hapet me sulle të dheut.
NENI 324. Detyrat e katundit për rrugën e madhe Katundi s'ka të drejtë me i ndrrue drejtimin rrugës së madhe. ”Rruga e madhe asht e hershme fort.” Kufini ndjek rrugën e madhe e jo rruga e madhe kufinin. Dimnit e për kohë të keqe rruga e madhe bje edhe përmes arës. Katundi s'ka të drejtë me qit pengesa. Katund e bajrak kanë detyrë mos me lanë ndoj kufijar me ngushtue rrugën e madhe. Rruga e madhe do pashin e vet: sa me kalue kali me barrën ma të madhen a qetë me zgedhë në qafë. Me i ra kush pré rrugës së madhe, katundi ku u bá preja ka detyrë me gjet fajtorët e me la vedin, ndryshe do të përgjigjet para bajrakut, dheut e Vezirit të Shkodrës. ”Rruga e madhe s'preket. Ajo ka tagrin e vet.” Me lyp kush ndihmë në rrugë të madhe, katundi ka detyrë ndere me i shkue ndihmë. Udhëtarëve në nevojë me jau hap derën bujarisht.
NENI 325. Rruga e lagjes dhe e katundit Rruga e lagjes dhe e katundit asht me sulle si rruga e madhe. As natë, as ditë nuk ka të ndalme. Natën pyetet i panjohuni: ”Për ku or mik?”. Rruga do pashin e vet: 8 pllambë. Me ra për kufi: 4 pllambë lshon njana shpi, 4 pllambë tjetra. E ngushtoj kush, do të jap arsye para katundit. Rruga e katundit mbyllet e hapet me sulle të katundit. Kush i huej nuk mundet me ba pritë në rrugë të katundit.
NENI 326. Ndalesat për rrugën e lagjes Në rrugë e shtek lagjesh s'ka të drejtë kush me u ul e me ndej. Ndalimi në rrugë e shtek lejohet sa me ndrrue duhan a me pyet kambas. ”Rruga ka punë.” Askush s'ka të drejtë me ndal a me i shkue mbas ose para grues a çikës së huej. Shumë-shumë mund të pyeten për ndoken e drejtim shpijash. As i huej, as i vendit s'ka të drejtë me shmang rrugë e shteg. ”Pse po hi pa rrugë e shtek?!” Shmange, lagjes do t'i japish arsye. Në rrugë e shtek bri shpijash s'ka kush të drejtë me qit pushkë, veç për hall a gëzim të madh fort.
NENI 327. E drejta për rrugë e shtek Si katundi, si lagjet, si shpijat kanë tagër rruge me u lidh me rrugë të madhe, me katund, me lagje, shpija me shpi; shpija em krue, me mulli e me mal për gjind e gja të gjallë. Me u da shpija me shpi, pa rrugë e shtek nuk qitet kush në vedi. Me u dasht shtek i ri, kanë detyrë me e caktue pleqt e dásë. Vaj për me ndal rrugë e shtek nuk i kqyret kuj. Pleq mbi pleq Knuja s'njeh. “Asht pleqnue nji herë ajo punë”.
NENI 328. Detyra nderi për gjatë rrugës Kalimi nëpër rrugë e shtek ka rregullat e veta. Rregullat janë caktue herët fort prej pleqsh: i lëshon rrugën i vendit të huejt; gruja, burrit; i vogli, të madhit; gjindja, shtasës; shtegtari, krushqve e mortarëve me të vdekun; i vetmi e pakica i lshon rrugën shumicës. Gjithherë burri hec para, gruja mbrapa; burri kalon mbi rrugë, grueja nën rrugë. Marrja e çon gruen e çikën me kalue rrugës mbi burra e mos me ra nën rrugë. Nuk i kreve çeto, tjetri ka të drejtë me të lyp arsye. ”Hec si asht me hec e mos hi në sherr!”
Kreu II
Kalimi mbi vá
NENI 329. Dorzania e vaut Vau mbi Dri asht si rruga e madhe. S'ka ndalesë as ditë, as natë. Për siguri të vaut caktohen dorzanë. Dorzanët janë të caktuem prej bajraqesh të dy anëve të Drinit: Iballë e Brigje me Krasniqe, Gash e Bytyç. Vau asht në besë të dorzanëve. Me u ba vrasë, dorzanët i bien në shpinë gjaksorit për besë të preme. ”Në vá s'i dilet kuj në pritë. Gjaksorët të lypin vend tjetër.”
NENI 330. Kalimi në vá Kalimi në vá bahet me radhë. Kush shkon i pari, ka të drejtë me zan trapin. Trapi ka masën e vet. Si të hypin të parët, të tjerët kanë detyrë me prit radhën. Me pasë ndoj hall të madh ndonjani, u lyp leje të tjerëve para vedi. E lanë me hyp në trapë para, ndera tyne. S'e lanë, detyrë s'mund t'jau bajnë. Me zor para tjerëve, s'mund hypin kush. I zoti i trapit ka detyrë mos me e prishë radhën. E prishi, do të jap arsye para dorzanëve të vaut.
NENI 331. Mbyllja e vaut Mbyllja e vaut bahet me sull të dheut vetëm kur msyn hasmi i vendit. Djelmnia e dheut me bajraqet e veta xe çdo vá mbi Dri për sa kohë caktohet me sull. Kush i huej s'ka të drejtë me e mbyll vaun e tjetrit, veç në ardhët për ndihmë. Me ja mbyll vaun dheut, do t'i japin arsye njani-tjetrit, ja do të pleqnohen me pleq. ”Vau s'mund të jes i mbyllun.”
NENI 332. Fitimet e vaut Vau kalohet me pagesë. Pagesa i lahet të zot të trapit. Zot i trapit asht nja prej vllaznish të katundit të vaut. Me luejt trapin caktohen me rend prej secilës vllazni. Rendet janë dá kryeheres me sull katundi. Fitimin e marrin rendtarët simbas punëtorëve të bamë. Secila anë e vaut ka të zonë e vet. Kush i anës së përtejme s'mundet me qit kend në anën tjetër, veç me dalë e me i marrë. Ndryshe bajnë marrveshje me ja lanë njanës anë.
Kreu III
Vija e ujit dhe ujitja
NENI 333. Ndreqja e visë bashkarí Vija e ujit asht me tagër Kanuje. Ajo asht e moçme fort, e caktueme prej pleqsh. Rendtarët e saj kanë detyrë bashkarie me qit vinë vit për vit dhe sa herë të prishet prej shiut. Me u prish vija vedit gjatë ujitjes, rendtari i radhës ka detyrë ta ndjek dhe ta dnreç vetë. Me u ba shembje e madhe rendtarët rrethas kanë detyrë me i shkue në ndihmë. Mos me i shkue, rendtari i radhës ka të drejtë me lyp shtymjen e radhës derisa ta ndreqi vet vinë.
NENI 334. Puna e çon vinë Puna e çon vinë e ujit po nuk e ul. Do me hap kush tokë, do me ba mulli a vanicë, në vi të ujit të lagjes a të katundit, ka detyrë me lajmue rendtarët rrethas. Puna do të shihet me pleq pa u ba dhe si të jetë ba. Puna në dam të rendtarëve, nuk ka tagër kanuje. ”Mulli e vanicë ban, po vija e ujit pa dam.” Puna me çue vinë do të bahet pa fillue ujët. ”Filloj uji, nuk preket ma.”
NENI 335. Shati ndjek vinë Rendtari ka të drejtë me hec për vi të ujit me shat në krah, sa herë të bahet marak se po i pakohet uji. ”Në rend tand ndiqe vinë me shat në krah edhe nëpër oborr dhe në arë të shoqit. Ti ke punë me vinë. Shoqi a kush tjetër s'mund të bajnë ndalesë”. Me ba kush ndalesë, rendtari ka të drejtë me i çue pleqt në derë. Katundi lyp arsye. ”Pse e ndale rendtarin?!”
NENI 336. Rendi i ujët për bashkari Ujët e visë bashkari asht me rend. Rendet janë caktue kryeherës me sull katundi. Shtesë rendi për tokë të re a shpi të dame bahet me mirëvet të rendtarëve. Kur ujët e visë nuk i mbulon rendet e shtueme, rendtarët e bajnë me sull cakun e rendeve. Sado të çohet kush me shtue rendet, vaj e pleq nuk i kqyren ma. Me lyp kush vi mbi vinë plangçore, lypa nuk i njihet pa mirvet të rendtarëve të visë së vjetër. ”Vi mbi vi Kanuja nuk njeh.”
NENI 337. Rendet ndjekin radhën Rradha e rendeve caktohet në Kuvend të rendtarëve në fillim të ujitjes. Rradha e rendeve asht tri duersh: 1. Simbas kohës së mbjelljes e nevojës së arëve 2. Me short 3. Nji herë e përgjithmonë.
Si të caktohet rradha nji herë, rradhë tjetër nuk ka. Kush lyp tjetër, le të ndreqet vet me shoqin. Rendtari ka detyrë me ja lëshue ujin shoqit me të leme të diellit e në të perënduem të tij, si të jenë rendet. Me ndodh vranësinë uji lëshohet në çat kohë sa të shihet sheji i pushkës. Mos me ja lshue në çat kohë, rendtarit i lanë damin, katundit i lanë gjobën.
NENI 338. E drejta e rendit Rendi nuk ndalet as nuk hiqet. E drejta e rendit asht me Kanu. Rendi nuk mund t'i ndalet kuj për dam e faj, grindje e ngatërresë, për hasmëni e gjak. Rendi nuk mund i ndalet kuj as pse s'ka dalë me qit vinë rrethas me shokë. Për këtë ka detyrë me kthye punëtorët e me dhanë arsye bashkarisë. Sëpat arsye, ja falet, ja lanë gjobën.
NENI 339. Kufizime për shitjen e rendit të ujit Me pasë nevojë kush e me shit ndoj rend uji, ka detyrë me lut rendtarët e asaj vije tuj fillue prej kushrijve ma të ngat e deri te ma i largëti shoq rendtar. S'u gjet ndoj rendtar te shpija, ka detyrë me e prit sa të vinë e mos me e shit ujin jashta rendtarëve, pa hek dorë secili prej rendtarëve shpi për shpi. Bani e u shit rendi pa pëlqimin e çdo rendtari, shoqi ka detyrë me dhanë arsye jase me u leçit. Blesi i rendit kthen rendin, e merr paret e veta. S'e kthej me mirvet, e kthen me pleq e pleqni të bame.
Kreu IV
Vija e mullinit dhe mullini “Në daç me pa të mbaren e katundit, shihi mullit”.
NENI 340. Vija e mullinit Vija e mullinit nuk mundet me tha vinë e ujitjes. Mullini i verës e ka vendin në vi të ujitjes, po pa dam të saj. Vija e mullinit si vija e ujitjes ndreqet bashkarisht prej rendtarëve. Rrall herë me ndodh e me prish kush deshtas vinë e mullinit e me e da ujin për inat a ngatërresë, fajtori ka detyrë em la damin e gjobën. Gjoba merret katundisht.
NENI 341. Ndreqja e mullinit bashkari Nji lagje, vllazni a katund merret vesh ndër vedi e ndreqin mullinin bashkarisht. Punën e bajnë me puntorë barabar për shpi: si shpi e madhe, si e vogël. ”Je shpi e vogël sot, bahesh e madhe nesër.” Shpija me mjeshtër caktohet për mjeshtëritë e mullinit: me ba bucelën, lugun, me cakat gurët e tjerë. Punëtorët, ose u zbriten prej punëtorëve të visë, ose u lahen rrethas prej rendtarëve.
NENI 342. Mullini bashkari lshohet me rend Mullini i ka ditët e blojës të dame me rend që kur lëshohet kryeherës. Shpitë e dame në veti, bluejnë mbas shpisë së vjetër prej së cilës janë da. Rradha e rendit të huej nuk xihet. ”Ke radhën tande.” E xune, rendtari i rradhës ka të drejtë me ta da blojën e me fillue të vetën. Të la me e krye, ndera e tij. Detyrë nuk mund t'i bahet. Kur lagja asht e vogël, radha e mullinit asht me kush e xe i pari derën e mullinit.
NENI 343. Përjashtime radhe e rendi Për dazëm e mort shoqit rendtarët i lëshojnë radhë me mirvet. E kanë detyrë ndere. ”Sot ti, nesër unë.” Me ardh shoqi me blue nji bukë miell, se i ka miqt mbrend, ja bluen për nder rendtari aty për aty. Ndoj rendtar mund ta fus me blue ndoj shoq të lagjes a katundit kufijar për raste halli e nevoje. Po do të rrinë me te deri sa të mbaroj blojën dhe rendtarëve do t'ju baj me dije.
NENI 344. Bloja në mullinin bashkari Bloja bahet dy duersh: me mullis dhe prej vet rendtarit. Mullis caktohet nja prej rendtarëve që ja di mullinit. Mullisi jau bluen drithin rendtarëve simbas rradhës së rendit. Për punën e bame mullisi merr ujemin simbas marrveshjes me rendtarët. Po ujemi i mullinit për rendtarët asht ma i vogël se i mullinit vetiak. Bloja nuk bahet prej duersh të fëmijve, veç prej të mdhejve. Burrat e gratë kanë detyrë me blue vet. E gjetën mullinin prish, ja e lanë të prishun, kanë detyrë me u kallzue rendtarëve dhe me ndreq bashkarisht o me mjeshtër.
NENI 345. Mullini vetiak Bane mulli më veti, puna jote. Le kend me blue për nevojë të vet, ndera jote. S'e la, me detyrë s'të bahet. E lshove me ujem për fitim, e drejta jote. Po, tollovi në katund, lagje e vllazni, s'ta ka kush borxh. Mullisi ka detyrë me i porosit bluejtsit, mos me ba tollovi nëpër lagje e katund.
NENI 346. Shitja e rendit Katundi mikut të largët, të ikun prej hasmit, mund t'ja shes nji rend mullini. Rendi shitet vetëm me sull katundi e mirvet të rendtarëve. Po miku s'ka të drejtë me ja shit kuj, veç mbrenda rendtarëve. Rendtari tokën e shet, po rendin e mullinit mund ta ruej për sa të donë vet. Don me e shit, ka detyrë me lut rendtarët. Nuk e bleu kush ndër rendtarët, i zoti rendit mund ta shesi ku të duen. Po detyrë ndere ka mos me u fut shokëve kedohin në rend.
Kreu V
Vanica
NENI 347. Vanica bashkari Vanica punën e ka pa fillue ujitja. Ndryshe, do të presin rradhë mbas ujitjes së arave e blojës së mullive. Me pasë ujë më veti punon në çdo kohë. Visë e vanicës puna i bahet si mullinit. Edhe puna në vanicë bahet me mjeshtër të caktuem prej rendtarëve a prej vet rendtarit t'vet.
NENI 348. Vanica vetjake Vanica vetjake asht si mullini me ujem. Fitimin e merr i zoti në pare e çdo gja, simbas ujdisë së bame. Me thye kush vanicën ashtu si mullinin vetjak do të përgjigjet për ”shpi të thyeme.”
Kreu VI
Farka
NENI 349. Farka në katund Farkëtari në katund të huej punon simbas ujdis të bame me katund. Me ardh farkëtari i huej, s'mundet me ngul në katund pa mirvet të katundit. Bani e nguli, po nuk pranoi kushtet e katundit, ka detyrë me u çue çat ditë që t'i thot katundi. Farkëtari vendas ka të drejtë me ngreh farkë në vend të vet si pat farkë tjetër, si s'pat. Kush s'mund e pengojnë. ”Asht në vend të vet.”
NENI 350. Detyrat e katundit për farkë Farkëtarit të huej katundi i siguron tokën me ngreh farkë e kolibe, me hap kopsht e me mbajt gjá të gjallë. Për sigurinë e farkëtarit katundi cakton për dorzanë pleqsinë e vet. Askush s'mund të venë dorë mbi farkëtarin e gjindët e tij, as mbi farkë e veglat e saj. Për punën e sjelljen e tij jo të mirë, mund të bahet ankim në pleqsi e kuvend të katundit.
NENI 351. Detyrat e farkëtarit Farkëtari ka detyrë me punue mirë e simbas godisë së bame me katund dhe mos me ba dallimenë shpitë e gjindët e katundit. Ai punën jau ka detyrë barabar e simbas rendit. Me ba dallime, ka detyrë me dhanë arsye e me u shtrue para pleqsisë së katundit.
NENI 352. Farka e ka me rend Farkëtari punën e banë me rend. Çdo katundës ka të drejtë me lyp rendin e vet. Rendin ka detyrë me ja caktue farkëtari. Rendin e cakton për nji javë deri në dhetë ditë. Në çato ditë rendtari ka ditën e rendit të vet me ardhë e me ndreq veglat e almiset si shpijak. Kush s'mundet me ja xanë rendin kuj veç me fjalë të tij, kur tjetri ka nevojë të madhe.
NENI 353. Kur shtyhet rendi në farkë Nuk mund të presin rend e radhë: hekrat e qenit, umi i qeve e veglat e mullinit. Ju kputën kuj hekurat e qenit, ja umi i qeve ose u thye kryqi i mullinit, farkëtari ka detyrë me ja ndreq të zot aty për aty, edhe pse ka fillue punën rendtari i caktuem. ”Qeni s'lihet zgidh; ara s'lihet pa u punue; mullini s'lihet pa blue. Çato s'presin rend e radhë.” Për raste deke e fatkeqsish farkëtari ka detyrë me ja ba veglat që i duhen të zot, tuj ja shtye radhën rendtarit të caktuem.
NENI 354. Detyrat e rendtarit Rendtari ka detyrë me prue në farkë ditën e rendit: 1) veglat e bulkisë që ka me ndreq rrotull vjetit, bashkë me hekrat e qenit e vargojt e zjarmit në votës; 2) hekurin që duhet me i ndreq veglat e bulkisë; 3) eshkën për farkën. Në farkë rendtari ka detyrë me luejt rremin e rrshiqit e të grihës për sa kohë ja kërkon farkëtari. S'i bani çeto, farkëtari ja le punën pa bá. Eshkën që tepron asht detyrë me e lanë në farkë.
NENI 355. Përjashtime prej detyrash të rendtarit Grues me jetima farkëtari s'ja banë detyrë as hekurin as eshkën. Mundohet me ja dnreq veglat me hekurin dhe eshkën që ja lanë rendtarët. Grues me burrat në ngujim prej gjaqesh nuk i bahet detyrë eshka. S'mund e pruni ja ban me dije me kohë farkëtarit. Ky ka detyrë ndere me ja bá eshkën me puntorët e vet. Shpija në ngujim i lanë mundin e bamë prej puntorësh.
NENI 356. Buka e farkëtarit Rendtari ditën e rendit, farkëtarit i ka detyrë bukën e cillës. ”I zoti i puns, puntorit ja ka borxh bukën e njomen”. Rendtari ka detyrë ndere me e thirrë për darkë kryemjeshtrin. Kryemjeshtri ka detyrë ndere me ja pranue të thirrmen kur mundet me u kthye me fjetë në shpi të vet, ku duhet të jetë gati që me dritë.
NENI 357. Mundi i farkëtarit Mundi i farkëtarit lahet simbas shpive. Shpija e madhe do të lajnë një shekë drithë. Shpija e vogël do të lajnë gjysë sheke drith. Mundin e vet farkëtari e mbledh shpi për shpi ditën e lamit. Mos me ja la kush mundin, farkëtari ka të drejtë mos me ja punue ma veglat tuj mos i dhanë ma rend pa lá borgjin e parë.
NENI 358. Të drejta të veçanta të farkëtarit Farktarin s'ka të drejtë me e thirr kush në luftë. “Katundi s'mund të jes pa farkë.” Farkëtari ka të drejtë me blue në mulli të rendtarëve të vet pa ujem dhe pa rend. Katundit për puntorin e visë e të mullinit, të rrugës e të urave, ka detyrë me i ndreq ndoj vegël hekuri sa herë t'i duhen. Detyrë tjetër nuk i ka.
Kreu VII
Bujtina e dugaja
NENI 359. Bujtina e dugaja në katund Bujtinë e dugajë nuk mundet me hap kush i huej në katund, pa mirvet të katundit. Me ndodh i katunds, s'ka pengesë prej kuj. Pleqt e katundit janë ndërmjetës për çdo gjá që mund të ketë bujtina e dugaja me katund.
NENI 360. Detyrat e bujtinës e të dugajës Bujtina e dugaja e huej, banë e randuen katund e fis, do të japin arsye, ndryshe qiten jashta katundit. Bujtina e dugaja për dam lajnë damin, për faj lajnë gjobën, për gjak i shtrohen gjakut, për hjeksí i shtrohen katundit e të damtuemit simbas Kanunit të Lekës.
NENI 361. Bujtina e dugaja në punë të vet Bujtina e dugaja kanë punën e vet me prit e me qit, me ble e me shit. Kush për çato punë nuk mund t'u përzihet. Bani e nuk ja lau borxhin njana palë tjetrës, katundi s'përzihet. ”Të ndreqen vet ndërveti.” Humbi a u vodh gjá mbrenda përmbrenda, katundi s'i ka faj të zot. ”Gjá e mall i ruen i zoti.”
NENI 362. Detyra të veçanta në katund Mos me ndodh i katunds i zoti i bujtinës e i dugajës detyrë si i katundsi para katundit e bajrakut nuk ka për puntorë e djelmni. Me dhanë gjá për nderë, ndera e tij, detyrë s'mund i bahet. Për luftë kundër anmikut ka detyrë ndere mos me u da me katund. U da, jep arsye.
NENI 363. Bujtina e dugaja për mik Bujtinës e dugajës nuk i pritet kush mik, ”Asht në bukë të vet.” Ndera ja do të zot të bujtinës e të dugajës mos me i ra kush në qafë atí që ka mbrend. I ra në qafë e ja dhunoi ose ja vrau, mik nuk i pritet, po i koritë bujtinën e dugajën. ”S'ta kam me borxh me ma bá bujtinën teme vend preje e pritash.”
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:16 | |
| 4. GJUETIA
Kreu I
Gjuetia në tokë
NENI 364. E drejta për gjah Gjahu asht i lirë në malet tona rrotull vjetit për kedohin, vetëm a me pjesëtarë. Gjahu nuk asht i ndaluem as nëpër vendet e dame me kufi, por tuj ju ruejt damit. Gjahu ndiqet për gjurmë. Gjete gjurmën, ke të drejtë me e ndjek për gjah. E vune gjurmën para, erdh dikush mbas teje që e ka nis para teje, ke detyrë me ja lshue.
NENI 365. Gjahu me pjestarë Sa vetë të bahen mbas gjahut, bahen pjestarë gjahu. T'u bashkue kush rrugës mbas gjahut e ndej me ty, deri sa ta kapish, i ke borxh pjesën. Gjahu me pjestarë dahet në çaç pjesë sa pjestarë të jenë si qenë me pushkë, si qenë pa pushkë, si qitën, si s'qitën. Kush vret gjahun, ka të drejtë veç pjesës me marr kryet e gjahut. Kush ka zagar me veti merr dy pjesë. Me u ba gjueti e madhe, i çohet nji pjesë priftit të katundit a të famullisë si detyrë ndere.
NENI 366. Kur pjestarët s'kanë pjesë Me ta vra gjahun para, pa i thanë me qit, ja ke borxh fishekun e i thue: ”T'lumt pushka!” Borxh pjese nuk i ke. “Gjahun isha te vra vet. A t'u lut kush?!” Me u ba shumë pjestarë mbas gjahut, i pari i gjahut ka të drejtë me e vu gjahun me kusht. Gjahun e merr kush e fiton kushtin.
NENI 367. Gjahu me shejë në te U gjet gjahu i rrethuem me shej të vuem, mos rri aty se s'ke pjesë. Gjahu i përket atí që e ka ngujue. Të bani zá me i ndihmue me e qit prej rrethimit, ju bane pjestar. ”Të thirri vet.”
NENI 368. Kufizim gjahu në katund Gjuetari nuk ka të drejtë me hi për gjah nëpër të mbjella e kopshtije. Do me hi aty, ka detyrë me i lyp lejen të zot. Afër shpijash gjahun e ndjek, po nuk ka të drejtë të qes pushkë. M'gjah qet si të largohet shpijash.
NENI 369. Dami për gjahun I bane kuj dam ti a zagari, lan damin. Ja bane kuj damin me dashje a ja mshehe, lanë damin a gjobën. S"lave dam e gjobë, i zoti i mallit të le në faj, katundi ku u ba dami, s't'jep të drejtë me gjuejt ma në kufit e vet. Të xuni, të dënon katundisht.
NENI 370. Kur pritet mik gjahtari Gjahtari me ndodh i huej e me e vra kush, i pritet mik katundit ku u vra. Katundi ka detyrë me gjetë dorasin e me u la para shpisë e kushrijve të gjahtarit. Me u vra gjahtari kur asht me pjestarë, pjestarët ose gjejnë dorasin, ose jesin mikpremë. Ndera jau do me i ndihmue shpisë tí me ja marrë gjakun.
Kreu II
Gjuetia e peshkut
NENI 371. Gjuetia e peshkut në vend me kufi Gjuetinë e peshkut e banë gjithkush në dajlanin e vet. Ja la shoqit dajlanin me pjesë a falas, puna e tij. Me detyrë kush s'mund t'a bajnë. Gjuetija e peshkut në fund të arës, i përket të zot të arës. Kush aty s'mund të hynë, pa lejen e të zot. ”Asht vendi i huej. Të zon e ka gjallë.”
NENI 372. Gjuetija e peshkut në vende pa kufi Gjuetija e peshkut në ujë e hurdha të tokës bashkari, bahet simbas radhës së xanme. Rend nuk ka. Ra e xune radhën i pari ti, kush s'ka të drejtë me t'u përzie; po si nji ditë e nji ditë radhën nuk mund e xash ti i pari. Kanë të drejtë edhe të tjerët. ”Asht bashkari. S'asht vendi yt.”
Kreu III
Gjuetia me leqe e kurtha
NENI 373. E drejta me gjue me leqe e kurtha natën Me vu leqe e kurtha për gjoje në mal e tokë të vet, në mal e në tokë bashkari ka të drejtë kushdohi. Po leqe e kurtha vehen nata me natë. Dita me ditë i zoti ka detyrë me i shkreh. S'i shkrehu e ra gja a shpend i huej e u ba dam, i zoti i tyne lan damin.
NENI 374. Kufizime për leqe e kurtha Leqe e kurtha bri rrugës e shtekut a në rrugë e shtek s'ka të drejtë me vu kush. ”Rruga e shteku punojnë natë e ditë.” I vune, katundi të le borxh. I vune prapë e u ba gja dam, lanë dam e gjobë. E përsërite, lanë dypërnjahen dam e gjobën tepër.
NENI 375. Leqet e kurthat janë të zot Leqe e kurtha të vume me Kanu, nuk i preken kuj. Ja preke, i ke borxh të zot. Katundi s'ta ban të mirë. ”I ke ra në qafë pa të drejtë.” Ja vodhe kuj leqe e kurtha, ja prishe, ose ja vodhe gjahune ramë në te, ka detyrë me ja kthye a me ja la gjahun. Kurthë e leqe i lanë dy për nja. Me përsërit, veç damit, katundit do t'i japish arsye. Të fali katundi, dija për nder e hiq dorë mbrapshtish, ndryshe lanë dam e gjobë.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:16 | |
| 5. NDAMJA DHE TRASHËGIMIA
Kreu I
Ndamja në shtëpi “Zjarmi dahet, gjaku s'dahet”
NENI 376. E drejta me u da Të drejtën me lyp dae e ka secili pjestarë në shpi. ”Me zor nuk mbahen bashkë gjindët e shpisë.” Kush do me u da, i lyp danë të zot t'shpisë dhe ky ka detyrë me e qit në pjesë të vet. Me ba me lyp të gjithë pjestarët, i zoti i shpisë ka të drejtë me u lyp arsyen e daes.
NENI 377. Dita e daes Si të lypet daja, caktohet dita e daes. Dita e daes caktohet shtatë ditë deri në dy javë. Gjatë kësaj kohe lejmrohen miq e bija, të vllaznuem e kumbarë. Këto kanë detyrë ndere me u përpjek mos me i lanë me u da. ”Daja asht e randë. Të banë shoq me vllanë”. Me ndodh ndoj pjestar shpije larg, i çohet fjalë me ardh për ditën e daes. Ditën e daes gjindët duhet të jenë në shpi. Për ditën e daes i zoti i shpisë ka detyrë me u ba gati për çdo gjá bashkë me gjithë ndihmsa e pjestarët me fitime e borxhe, me gjá të gjallë, rraqe e plaçka.
NENI 378. Caktimi i gjanave për dae Me Kanu ditën e daes do të dahen: 1) kullë e shpi, ksollë e tbuna, mulli e vanicë 2) arë e vneshtë, bahçe e livadhe, troje e male drush dhe gjethesh 3) rendi i ujit e i mullinit 4) fitime e borxhe 5) almise e mjeshtri 6) rraqe e plaçka 7) gjanë e gjallë me kalë e mushkë 8) bletë e shpendë 9) drith e çdo bimë aret 10) venë e raki, bylmet e kopshtije 11) me ndodh vjeshtë a dimën, dahen edhe grazhdijet e bagëtive
NENI 379. Mnyra e të damit Me dá, dan vllaj i madh për çdo gjá e mbi çdo gjá. Me zgedh, zgedh i vogli e me radhë deri te i madhi. I fundit merr i madhi. Kur ka edhe nipa e kushrij jetim, ato kanë të drejtë me zgedh të parët ose simbas radhës që do t'i takonte babës së vet. Për jetimët zgedh kujdestari i tij: daja, kumbara, i vllaznuemi ose i dami nji zjarmit; ndryshe i kanë kujdes pleqt e daes.
NENI 380. Damja e shpisë në mes kushrijve Damja e shpisë së madhe në mes kushrijve bahet, së pari, për vlla të madh kryeheret tuj fillue te gjyshat e babgjyshat e teposht. Danë ktu e ban plaku i daes. Mbasi të bahet damja në mes të kushrijve, bahet damja tjetër në mes djemve të axhave dhe, e fundit në mes vllazënve.
NENI 381. Damja e tokës që të mbetunve shkret Shpija e toka e të mbetunve, të bashkuem me këtë shpi, dahet për vlla. Me ndodh të shpisë kushrij ndër veti, toka e të mbetunve shkret u përket për vlla kushrijve që kanë ma të ngat kah gjaku. Toka e të mbetunit shkret nuk dahet para se të vdes ai.
Kreu II
Ndamja në plang e rrang
NENI 382. Damja e shpisë me ksollë e tbuna Damja e shpisë dahet për vlla. Sa vllazën janë aq pjesë dahet shpija. Kur shpija nuk asht e mbarë në dae, ose i kthehet pjesa njanit vlla në pare e gja e çdo gja simbas pleqnisë, ose i bahet shpi në veti sa i takon pjesa e vet. Ksollë e tbuna i merr vllaj që mori tokën e malin ku janë ata. Të vllazënve u ka borxh pjesën në pare a gja e çdo gja.
NENI 383. Damja e tokës dhe e ujit Tokë e mal, arë e livadh, kopësht e vneshtë, kullot brigjesh e vrrini dahen për vlla. Ka vllaj djelm shumë a pak, Kanuja s'do me ditë gja. ”Sot ke djelm pak, nesër ke shumë.” Toka e bleme, mbas dekës babës, dahet për burrë, në sa toka e babës për vlla. Uji dahet në çat rend për pjesë toke.
NENI 384. Damja e mullinit vetjak Mullini e vanica dahen për vlla. Vllaj që i merr, u lanë pjesën vllazënve të tjerë. Me u lanë mullini bashkari, çdo shpi ka rendin e vet. Rendet dahen ditën e daes. Punimet e visë e të mullinit bahen rrethas.
NENI 385. Damja e gjasë së gjallë, e bletëve dhe e shpendëve Gjaja e gjallë e zgjojt me bletë dahen për vlla. Gjaja e vueme mbas dekës së babës dahet për burrë, shpendët dahen për kunorë. Me ndodh qe e lopë, kalë a mushkë, ma pak se pjesët e vllazënve, këto dahen tuj u barazue me gja të imta.
NENI 386. Damja e rrangëve Almise e vegla pune, reme e hekurishta të tjera, vozga e gavixha, teneqe, lugë e enë, mbloja e shtroja dahen për vlla. Veglat e mjeshtrisë i qiten vllajt mjeshtër e ai kthen çmimin e pjesës për vlla.
Kreu III
Ndamja në raste të veçanta
NENI 387. Damja e fitimeve dhe e borxheve Fitimet e borxhet janë të shpisë. Ditën e daes i zoti i shpisë ka em detyrë bashkë me ndihmësit e vet me u kallzue pjestarëve të shpisë sa fitime e borxh ka. Fitimet dahen për kunorë. Borxhet lahen ditën e daes me gja e çdo gja, o dahen për vlla. Vllazent kanë detyrë me ja dorzue borxhet të zot shpisë së vjetër e ky i lanë. ”Uhadhanësit për borxhet e dhanme njohin nji zotshpije”
NENI 388. Nuk futen në dae Shpenzimet e martesës për djalin që do të martohet brenda motmotit, nuk hinë në dae. Ato i qiten tet para se të bahet daja. Në dae nuk futën: 1) gja e mall të vueme me fitimet mbi fitimet e shpisë 2) gjaja e malli i fituem me punëdore të grave 3) paja e dhantitë e nuses 4) armët e burrave të shpisë, kur janë dhanë për burrë 5) tokë e gja e jetimëve 6) gjaja e malli i huaj i lanun me marrveshje apo me amanet
NENI 389. E damja për nder Të zot të shpisë asht detyrë ndere me i qit tepër tjerëve takamin e kafes dhe cergën. Kali i shalës i qitet të zot shpisë me ndrrim; gja me gja. Të zojë shpisë i qitet tepër tjerëve magjeja e bukës. Çobanit, ogiçi i tufës; lavërtarit kau për zemër e almiset, por me çmim pjese.
NENI 390. Baba e pjesët e daes Baba s'ka pjesë shpije e toke e gjithçka tjetër që dahet për vlla. Në dae i caktohet mgoja, 300 okë drithë. Edhe nanës djelmt i kanë borxh mgojën sikur babës. Çaç marrin si dulën më veti, si ndejen me njanin vlla. Vllaznit mgojën e dajnë ndër veti me pjesë. Për dekë të babës e të nanës kanë detyrë ka nji ká për drekët e tyne. Kaun e shpenzimet e tjera për drekët i pjestojnë ndër veti.
NENI 391. Raste të veçanta të damjes së tokës për vlla Toka për vlla dahet nji herë. Me i lé babës tjetër djal mbas daes, ky hyn në pjesë toke me vllan që ndej baba. Me i pasë dhanë tokë në vend të mgojes, i jet çajo tokë. Vllai i lemë mbas daes, pa pjesë nuk lehet. O i blehet nji pjesë tokë, o toka pjestohet rishtas për vlla.
Kreu IV
Pleqtë e ndamjes
NENI 392. Plaku i daes Plak damje zakonisht mirret nji kushri a shoq kufijar tek i cili i fle zemra secilit pjestar damje. Ksi rastesh plaku i daes rri kujdestar damje njilloj për të gjithë. ”Apanga” plaku nuk merr. Cillë e darkë i ka aty. ”Asht puntori i tyne.”
NENI 393. Pleqt e daes Kur pjestarët e daes kanë kundërshtim ndërveti, merret ka nji plak për pjestar. Pleqt e daes janë burra të njoftun për dae me drejtësi. Pleqt e daes pjestojnë plang e rrang simbas Kanues. “Apangat” e pleqve të daes i ka detyrë kush i thrret. Për ”apanga” duhet kambë dhije për plak.
NENI 394. Pleqt për ankesë damje Me ndodh e me ju ndrrue mendja pjestarëve e mos me u pajtue ndër veti për damjen, kanë të drejtë me thirrë pleqt e tjerë e me pleqnue damjen e bame. Këto ose pleqnojnë si të parët, ose bajnë pjestim tjetër. ”Apangat” jau lanë kush i ka thirrë. Pleqt e parë nuk kanë punë me pleqt e dytë. ”Apangat” e marrme pleqt e parë nuk i kthejnë. ”Kanë marrë apangat për punën e bame, u pëlqei, s'u pëlqei të damve kjo punë.”
Kreu V
Mbas ndamjes së shtëpisë
NENI 395. Të pamit e daes Mbas ditës së daes hapet të pamit e daes. Të pamit zgjat pesë ditë. Në të pamë vinë shokë e kumbarë, miq e dashamirë për urim e ngushllim: ”U shkoft mbarë daja e për të shëndosht! Buka u daft, gjaku mos u daft!.”Gjatë pesë ditëve të të pamit pjestarët e shpisë kanë detyrë ndere me ndej bashk si përpara e me shkue për fjalë të zot shpisë së kishin. Për çka duhet me bukë e hana për pesë ditët e të pamit, plaku i daes ka detyrë me i qit veç e mos me i fut në dae. Me ndodh e me u zgjatë të pamit deri në dy javë, kur asht shpija e madhe, pjestarët e daes kanë detyrë ndere me i prit miqt në odën e miqve që kanë pasë së bashku e shpenzimet me i hek rrethas. ”Shpija e mirë ka shpijakë të mirë e s'koriten.”
NENI 396. Bashkimi i shpive të dame Të damit nji zjarmi a kushrijt kur s'mund të gjallnojnë dhe e shohin se janë vorfnue në mashkuj dhe e kanë vështirë me jetue sejcili shpi më veti, merren vesh e bahen nji shpi. Kush të keqe s'jau ban. ”Bashkimi ban fuqinë.”
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:17 | |
| 6. E DREJTA E DETYRIMEVE
Kreu I
Detyrime për fjalën e dhënë “Kah del fjala, del shpyrti”
NENI 397. Fjalë burrash Ta lypi kush fjalën për nji punë, për një shkuesi a për nji kallzim dhe ti ia dha, mbete i lidhun mbas fjalës sate. Mbete peng e u bane borxhli për fjalën e dhanme. Burri i rri në ta fjalës së dhanme. “Burri lidhet për fjale, kau lidhet për brinash, qeni lidhet për hekrash.” Edhe gruja e fmija e shpisë fisnike i rrinë fjalës së dhanme me ”fjalë burrash”.
NENI 398. Kur shkelet fjala e dhanme Mos me i ndej kush fjalës së dhanme, del i paburr. Jet njeri lojc. Bahet rrenc. ”Burrin e korit rrena. Çdo kori e lanë pushka. Rrena e burrit s'lahet me kurrgja. Mbete rrenc, hupe nder e besë”. Burri rrenc jet i leçitun për kah farefisnia, shoqnia e miqsia për sa të jet gjallë. I zoti i shpisë rrenc e le shpinë e vet të leçitun për nji brez. Me u ba zakon për at shpi shkelja e fjalës së dhanme, atëherë ajo jet e koritun dhe e leçitun deri në tre brez.
Kreu II
Detyrimi i porosisë me bé (Amaneti) “Amaneti asht ma i randë se toka”
NENI 399. Amanet Amaneti lehet për hall a për nji nevojë të madhe fort. Amaneti asht si ndorja. Amanet i le nji shoqi, nji miku a dashamiri. Kur s'pret puna, amanet i le edhe nji shtegtari të huej, deri hasmit me ”Amanet ta paça lanë!”
NENI 400. Amaneti të bahet detyrë Me ta lanë dikush nji gjá amanet, ta ban detyrë ndere. Amanet për dam e dhunë nuk ka detyrë kush me marrë. Fmi a i ri, burrë a grue, mbi amanetin s'duhet me qit gjá tjetër. Amaneti s'lehet në rrugë. Kush asht burr a fistar amanetin ja kryen ditën e dekës edhe hasmit. Sado barrë e randë me t'u bá amaneti, detyrë ke mos me e lanë në gjysë të rrugës.
NENI 401. Kur shkarkohesh prej amanetit Mos me ta mrri puna me e krye amanetin për ndoj hall të fortë që të rá, ja le amanetin dikuj që mund t'a kryej: tandit a të huejt me ”Ta paça lanë amanet ty!” Me çaç u shkarkove.
Kreu III
Detyrimet në shitblerje
NENI 402. E drejta me shit e me ble Me shit e me ble ka të drejtë çdo shpi. Po çdo gjá e shpisë shitet e blehet me mirvet e për fjalë të zot shpisë. Në treg si ai që shet, si ai që blenë janë barabar para njani-tjetrit. Kush blen ka të drejtë me ble çka i pëlqen atij.
NENI 403. Detyrime tregu Me ba dallim në blesë faqe tjerëve, ai që shet i bje ndesh tjetrit, e tandon. ”E tandove tjetrin, do t'i përgjigjesh. S'mund ju lave, tandimi të bahet dhunë edhe pse je në mall tand.” Dole me shit, detyrë ke me ja dhanë çatij që ta lypi i pari e ta pranoj çmimin me mirvet. Erdh tjetri mbas të parit, detyrë ka mos me e lyp për veti. ”Dy dhandur me nji nuse nuk xehen.” Kush blen, s'ka të drejtë me shá mallin e huej. ”E pëlqeve bleje; s'e pëlqeve le. Gja me zort s'po të nep kush.” Çmimin e mallit e cakton i zoti. Të zbriti gjá, puna e vet. ”Të pëlqej me çat çmim, merre. Me çmimin që do ti s'mund t'ja marrësh. Çmimin e fundit e pret i zoti i mallit.”
NENI 404. Gjaja e malli i vjedhun në treg Kush blen ka të drejtë me pyet: ”Kush e shet këtë mall?!” për me u sigurue se gjaja a malli shitet për fjalë të zot. ”S'due me ble gjá e mall me fjalë.” Me ndodh e me ble gjanë e mallin e vjedhun me “padije” kuj borxh s'i ke, por me ta kap i zoti, ke detyrë ma ja kthye. ”I zoti merr gjanë e vet”. Ka punë me çat që ja ke ble. ”Hapi sytë kur blen e shet!”
NENI 405. E blemja me kusht Gjaja e gjallë mund të blehet edhe me kushte. Kushtet ka të drejtë me i vue kush blen. Me i pranue kushtet i zoti, e merr blesi. Mos em i pranue, me detyrës'mund t'ja bajnë kush. Me i ble lopën kuj e me të than: ”Mos dalt barës, prejumbas meje” - ti ke të drejtë me ja kthye, me të dal shterpë. I zoti të kthen paret. Hanger fjalët e veta, ke të drejtë me i lyp benë. Ta bani benë, me çaç mbyllet ajo punë. S'ta bani benë, me detyrë s'mund ia bash. ”T'ka thanë, s't'ka thanë, borxh s'mund e lanë.” E bleve gjanë pa kusht e s'duel si kujtove, s'ke pse i shkon te dera të zot. ”Ku i pate sytë.”
NENI 406. Të drejta të veçanta të burrit Pjestarët e shpisë deri çdo burr ka të drejtë me ble e me shit e me hi dorzan për mende të vet, kur e sheh me arsye, për sa u bajnë armët e sahati, kuti e qelibar deri ndoj gja me vleft veshë; po, jo sa me u zhburrnue faqe tjerëve. U zhburrnue, keqet me shpi e kushrit rrethas. Burrat kanë tagër me ble e me shit çdo gjá kur asht puna me pshtue krena njerëzish ose mos me mbet shpi e fis në kori e marre.
NENI 407. E drejta e grues me shit Grueja shet e blen për fjalë të të shoqit e ky me mirvet të zot të shpisë. Grueja ka të drejtë me shit e me ble për sa i përket pundorës së vet. Fitimet prej pundores e të falmet prej gjiniet, i shet a i ban tram, puna e saj. Me shit grueja gja të gjallë, ja rraqe shpijet, blesi duhet të sigurohet nëse janë për fjalë të zot t'shpisë.
NENI 408. Kapari me pare Burri bje në godi me dikë me ble e me shit, me ba ndoj punë a rrugë. Me të ra në godi ja ban ”Për har!” dhe i jep kaparin. Kapari i jepet të zot të mallit apo atij që ka me ba punën. Kapar asht 1 grosh deri në 50 grosh. Bashk me kapar caktohet edhe dita e dame. Me kalue dita e dame, kapari humb e gjaja hiqet. Kush merr kaparin detyrë ma nuk ka për tej dits së dame. Të priti përtej cakut, dija për nder, po detyrë s'mund t'i bahet. Me ta hek kush gjanë, mallin a punën nën kapar, të jetë borxh e borxhi të bahet detyrë dhune.
NENI 409. Kapari me “Qe besa” Ma ja lyp nji gjá të zot e ky me ta fol me ”qe besa”, ka detyrë ndere me i ndej fjalës si burrat, ndryshe jet i koritun. ”Qe besa e burrit” asht kapari e dorzani ma i miri ndër burra. Me u marr vesh me dikë për nji punë a nji gjá që do me ble apo me shit dhe si kapar i asaj godije e le me “qebesa”, jet detyrë për të dy palët. I tha: ”A ta la në besë tande!” dhe ju përgjegj: ”Qe besa, le!” - i jet borxh. I doli fjalet, jet rrenc.
Kreu IV
Panairi, detyrime të veçanta
NENI 410. E drejta për panair Panairi bahet vit për vit Ditën e Luleve në Lam Lushaj, Grykë-Kabash, për mbar krahinën e Pukës. Në panair ka të drejtë me marr pjesë kushdohi: plaku e i riu, burri e grueja, krenë e vegjli, i vendit e i huej, pukjanë e mirditorë, hoxhë e prift. Do me ardh ndokush prej dhenash tjera me shit a me ble, nuk ka kush të drejtë me i thanë: ”Kah po shkon?!” apo ”Ça do ktu?!” Në panair, të largtit: vendas a të huej, kanë të drejtë me ardh me mallnat e veta nji natë para e me ndej gjithë ditën e panairit deri dy sahat pa u errë. Në panair, si natën, si ditën, gjithkushi ka të drejtë me e shpall mallin e vet me za për gjat panairit. Gjatë panairit kajka e vallja, gurapeshi e pushka në shej, kanë ditën e vet. Kush ndalesë për to nuk mund t'i bajë kuj.
NENI 411. Detyrat e pjesëmarrësve në panair Gjatë panairit çdo pjesëmarrës ka detyrë mos me i ba kuj dhunë e ngatërresë, të shame e të shtyme, të rame e të vrame. ”Lyp vend gjeti për çato punë!” Në të dy anët e panairit janë kishë e xhami, kryq e vorre. Gjithsecili e ka detyrë mos me i prek as mos me i dhunue. Janë ndorja katundit e fisit të Kabashit. Për rreth panairit janë shpi e prona të katundit. Kush punë me to nuk ka, veç në u shkoftë mbrend për mik.
NENI 412. Detyra të veçanta të Kabashit në panair Katundi i Kabashit me fisin mbar ka detyrë me caktue rojet rreth panairit. Lajmësit kanë detyrë me lajmue pjesmarrësit mbar për sullet e Kabashit. Sullet janë: 1) kush vjen në panair ka detyrë me ardh me shit e me ble, me pa e me ndie, pa bá dhunë e ngatrresë 2) kush ve prit e ban pré mbrenda kufijve të Kabashit, ban mikprem fisin e Kabashit 3) çdo shpi në Kabash e ka për nder me prit e me qit për mik çdo pjesëmarrës në panair 4) çdo i kabashës ka për detyrë mos me pengue kand gjatë panairit me shit e me ble, me këndue e hedh valle, me u ra veglave e tupanit, me qit në shej a për qef, si ditën si natën 5) kush del kundër sulleve ka Kabash e Pukë në shpinë
Kreu V
Dhënia e tokës me fitim
NENI 413. Kufizime në dhanien e tokës Me pasë nevojë e me e lëshue tokën me fitim, kush nuk mundet me ja ndal kuj. Toka me fitim nepet në tri mënyra: me të tretë, për gjysë ose qesim. Për këtë punë bahet marrëveshja në mes të zotit të tokës e marrësit të saj me fitim. Fjala këputet ditën që jepet toka. Fjala e këputme bahet tagër kanuje. E treta, gjysma ose qesimi i jepet të zot të tokës simbas marrëveshjes: në vjeshtë a kryemotmoti, me gjá e çdo gjá a me pare.
NENI 414. Kushtet e punimit të tokës Marrësi tokës me fitim, ka detyrë me e punue simbas kushteve të vueme prej të zot. Kushtet janë: 1) me e plehnue krye tri vjetësh 2) me ja punue skejet me tarrakop çdo vjet 3) mos me i lanë stomet pa mure 4) me i ruejt pemët prej damtimit
I zoti i tokës ka të drejtë me e pa tokën vjet për vjet. Mos me ja plotësue kushtet, ky ka të drejtë në pranverë me ja hekë tokën marrësit, ndryshe ja le për sa kohë ka marrëveshjen.
Kreu VI
Ndërrimi i tokës
NENI 415. E drejta me ndrrue tokë Me ra në ujdi shpija me shpi për me ndrrue ndër vedi copa tokash për nevojë të tyne, kush s'mund ta ndalin. ”Ndrrova tokë me tokë.” Vetëm kushrinija e fisi ka të drejtë me të vue kushtin: jashta fisit, mos me ba ndrrim toke. Ndrrimi i këtyne tokave bahet kur tokët janë larg njana-tjetrës dhe kufijari në mes. Po ndrrimi bahet edhe tokë me tokë bashkë me shpijat. Ndrrimi bahet me dishmitarë. Dishmitarët janë prej kushrijve e shoqnisë rrethas. Me ndodh ndoj ngatrresë në mes dy shpive, dishmitart diftojnë kushtet e bame kryeherës. Me u pendue njana shpi, tjetra s'ka detyrë me ju përgjegj ma.
NENI 416. Kufijari në tokën e ndrrueme Shoqit kufijar që vjen në tokën e ndrrueme kushrijt e ndrruesit kanë të drejtë me i caktue kushtet e veta pa e cënue në kufi, rrugë, rend e bashkari. Shoqnija rrethas kanë detyrë ndere kufijarin ardhës me e prit e me ja hap derën për shoq. Edhe shpija që vjen ka detyrë me u sjell si e lyp e mira e shoqnisë rrethas.
Kreu VII
Shitblerja e tokës
NENI 417. E drejta e shitjes së tokës Tokën e vet ka të drejtë ta shes kushdohi. ”Do me shit, shite. Toka jote asht. S'ka kush punë me tokën tande.” Toka shitet e blehet me pleq. Pleqt janë ndërmjetës në mes dy palëve. Pleqt kanë të drejtë me caktue afatin e kisteve të pareve, kur të dy palët fillojnë mos me u marr vesh ndër veti. Toka shitet e blehet simbas Kanunit të Lekës. Kanuja thot: ”Kush do me shit tokë, ka detyrë me jau çue kushrijve e fisit për derë. Pa u lut çato, toka nuk mund të shitet gjeti.”Si t'i lusish ato, ke të drejtë me lyp bles gjeti (Pukë e Iballë). Jashta fisit toka nuk mund të shitet (Kabash e Berishë). Me desht me e shit tokën e bleme, ke detyrë me e lut të zotin që ta shiti e kushrijt e tij rrethas. Mandej, lyp blesë gjeti.
NENI 418. Darka e blemjes së tokës Me t'u shit tokë, blesi ka detyrë me shtrue darkën e tokës. Natën se kur shtrohet darka, e cakton blesi i tokës ose pleqt ndërmjetës. Në darkë veç pleqve, thirren kushrij e kufijarë të të dy palëve, gjithsejt nji sofër burra. Darka e tokës i ve kapak blemjes së tokës.
Kreu VIII
Grazhdijet
NENI 419. Shitblemja e grazhdijeve Shitja e grazhdijeve bahet në vjeshtë ose në pranverë. Me pasë nevojë kush me shit grazhdije, ka detyrë ndere me lut kushrijt e kufijarët për derë. Nuk i pyete, detyrë s'mund ta bajnë, po del dashakeq. Mos me mujt me i la dikuj borxhin e të lypi grazhdijet për borxh, detyrë ke me ja dhanë. ”Borxhi do la.”
NENI 420. Detyrat e të zot të grazhdijeve mbas shitjes Të lypi blesi afat me ja mbajt grazhdijet e bleme në rreth të shpisë tande, detyrë ndere ke me ja mbajt. Ja mbajte, detyrë ke mos t'i bahen dam prej gjajet. ”Ja ke me borxh me ja ruejt si tuat. Ja dhe fjalën.” Me ba me ja ndrrue me grazhdije të tjera ma të kqija, ke detyrë me i kthye grazhdijet e veta ja me i dhanë paret. Ndryshe para katundit ke faqen e zezë.
Kreu IX
Gjëja e gjetun
NENI 421. Gjaja e gjetme lyp të zonë “Mos ju gzo gjasë së gjetme. Gjaja e gjetme asht e hueja.” Me ndodh e me gjet ndoj gja të gjallë e mall të huej rrugës a në tokën tande, detyrë ka me mbajt haptas dhe me ba me ditë kedohin për te. Me pasë treg afër, detyrë ndere ke me pague lajmsin për me ba me dije njerëzit për gjanë e mallin e gjetun. Me t'u gjet msheht, ndiqesh për vjedhjen e saj. Me ardh i zoti, i dorzohet me dishmitarë.
NENI 422. Detyrime për gjanë e gjetme E more në shpi gjanë e gjallë, detyrë ke me e mbajt me mbarshtrim. Me ndodh kafshë pune detyrë ke mos me e mundue sa me e damtue. E damtove, ke detyrë me i la damin. I zoti i gjasë ka detyrë me la për sa ka hangër gjaja. Me ndodh kafshë pune nuk lan gja. ”Ça ka hangër e ka la me punë.”
NENI 423. Kur gjaja e gjetme bahet e jotja Gjaja e gjetme bahet e jotja, kur nuk del i zoti. E mbajte haptas dhe hape fjalë se e ke gjetë e s'duel i zoti, bahet e jotja. Borxh ma s'i ke kuj. Me ndodh e me e gjet vetë i dytë a vetë i tretë, dahet me pjesë ose e merr njani dhe lanë pjesët tjera. Gjanë e gjetme mos me e pa i pari, po i dyti; i pari s'ka pjesë. ”Ku i pate sytë? Për ty s'ke tuj u gjet.”
Kreu X
Dhania e gjasë së gjallë me fitim
NENI 424. Mënyrat e kushtet e mbajtjes Me marrveshje gjaja e gjallë i jepet tjetrit në dy mënyra: për kryes e për gjysë. Gjaja e marrun për kryes e ka tregun e bamë me Kanu: 10 okë drith për krye të berrit ditën e lamit a deri Shënkollit (6 dhjetor). Gjaja për gjysë, pllejat, e ka me Kanu: kmendë a lesh për gjysë një javë mbas qethjes. Shtimin e gjasë: për gjysë për vjet. Shtesën e merr në vjeshtë.
NENI 425. Kushtet e kthimit Gjaja e mbajtun me fitim do t'i kthehet të zot simbas marrveshjes: vitin e caktuem, ditën e vjeshtës, në çat moshë që asht marr. Pjellakët, simbas viteve të pjelljes. Me u la lahet edhe me i kthye me copë. ”Çaç të pata borgj, çaç të ktheva. As njeriu s'rri gjithmonë i ri.” Po, marrsi jet burr lojc e i paburrni.
Kreu XI
Dhënia e kaut me hu
NENI 426. Marrja e kaut me hu Kau me hu asht gjithmon i të zot. Shpija në nevojë e merr për punë për sa i duhet asaj a për sa vjet ja le i zoti. Kau me hu jepet ”me qe besa” me u kujdes si për të vetin dhe me e kthye në afatin e caktuem. Nuk u kthye në cak për vorfni të marrsit, fundja lahet edhe sa me u gjet për ka. ”Ka të mora, ka të solla, borxhit të dola.” Por marrësi jet burr lojc.
NENI 427. Marrja e fitimit prej të zot Kau me fitim e ka nji hu drith vit për vit ditën e Shënkollit. Me të pranue i zoti edhe gja e çdo gja në vend të drithit, lahesh me te. Po, Kanuja për kaun njeh nji hu drith. E preve për mort e për dazëm, ja e shite, i zoti s'do me ditë gja. ”Kau hec në hulli deri ditën që t'ja çojsh të zot në derë.”
NENI 428. Pleqnija e kaut të bamë dam Me u ba dam kau me hu për faj të marrsit, ky i ka borxh të zot kaun e fitimin për te, deri sa t'ja çojnë në derë. I jet për faj: kur rrxohet, i plas në hulli a ja ha ujku. ”S'të ka borxh i zoti pse nuk e ruen ti.” Ta hangri ujku në tufë tande, të zot s'i ke borxh. Me u ba dam pa faj, të zot i çohet lkura e lahet me çaç. Shkon pa faj: kur cof prej gjrapnit a pse ligshtohet vedi. ”Gjarpnit e t'ligt s'u ka pshtim as njeri.”
Kreu XII
Bashkim qesh për mbjellje
NENI 429. Marrveshja për bashkim qesh Shpijakët, që kanë vetëm nga nji ka, bien në godi ndër vedi me i ba pendë e me mbjell me to arët e veta. Për rendin e mbjelljes merren vesh qysh me bashkimin. Shpijakët me ”bashkim kijesh” me ba me mrri me ja mbjell tokën ndonji shoqi tjetër, fitimin e ndajnë mes tyne. Me ju ba lavërtarit dam kau i shoqit, dami pleqnohet si për kaun me hu. Me ba me i nga qet vetëm lavërtari i njanës shpi, shpija tjetër i ka borxh punëtorët, simbas marrveshjes, zakonisht, dy punëtorë për një ditë pune lavërtari. Me pasë njana shpi ma shumë tokë, ajo shpi ka detyrë me i kthye punëtorët për sa ditë arë ka ma shumë. Mos me i pasë almiset njana shpi, kjo ka detyrë me ja la me punëtorë shpisë tjetër. ”S'i kërkoj gja, ndera e saj.”
NENI 430. Grazhdimi i qeve Secili shpijak me ”bashkim kijesh” kaun e vet natën e merr në shpi. Grazhdijet darkë e ndratje ja hek vet. Gjatë punës grazhdimin e ka detyrë shpijaku që mbjell arën e vet. Grazhdimin ka detyrë ma jau ba qeve barabar, pa i da prej njani-tjetrit. Me u hetue se ban dallime njani lavërtar, tjetri ka detyrë me e prish lidhjen me të për ”bashkim kijesh”, ja me i marr gjobën për faj të bamë.
Kreu XIII
E falura
NENI 431. E falmja për detyrë ndere Shoqit që i digjet shpija a gjaja e malli, ja ke detyrë ndere të falmen në drith, në berr e punëtorë falas. Mos me pas ku fut kryet, ja ke detyrë ndere edhe strehën në shpi tande. Shoqit në katund që i digjet shpija e ka detyrë ndere nji i katunds bujar me i pri nëpër katund tuj than: ”Kti shoqit ju dogj shpi e mall. Ta ndihmojmë me ça të mundena.” Shoqit në derë e katundit rrethas ja ke detyrë ndere me i ndihmue falas me nji puntor kur banë landët e shpisë dhe qet landët e ngrehës së re; kur ka mort: me i ba vorrin, me nxjerr drrasat e vorrit, ja me i ba arkivolin. ”Sot ai, nesër ti.” Gruaja grues së shoqit ja ka borgj ndere me e ndihmue falas: kur end pejë pështjellakësh, brezash, zhgunash dhe shtroje e mbloje.
NENI 432. E falmja për detyrë feje Të falat për shpyrt janë detyrë fejet, po jo Kanujet. Për shpyrt falet ”sa ta thot zemra” ose sa e ka caktue fetari. Të falat a ndihmat jepen në gja të gjallë, punëtorë a pare. Rrallë herë jepet edhe tokë. Po toka do të pleqnohet me Kanu. Nuk fale për shpyrt për detyrë feje, bje në marre para fetarit dhe katundit rrethas. ”Danë i pashpirt e për kasneci.”
Kreu XIV
Shtegtari me pagesë
NENI 433. Shtegtari në rrogë Shtegtari më rrogë lidhet me të zonë e punës për nji kohë të caktueme. Shtegtari ka detyrë me e ba punën, prej katundit e më qytet, vetëm a me kal. Me e pasë kalin e të zot të punës, do të kujdeset si për të vetin. Me ja gjet gja, do t'i jap arsye të zot. I zoti i punës ka detyrë me ja la rrogën shtegtarit simbas ujdís së bame. ”Edhe puna me qira, në cak të vet e ka me u la.” Me ju damtue barra e të zot, ja me ju pretue rrugës shtegtari jet me u gjegj për damin. ”Për çate paguhet.”
NENI 434. Kur asht ndorja e të zot të mallit Shtegtari më rrogë nuk asht ndorja e kuj. Me ba me e vra, ja me e plaçkit kush pa dal prej sysh të zot të punës, i pritet mik të zot. Me i thanë kush se po e plaçkit e po e dhunon, ja po e vret për inat të të zot të punës, i pritet mik të zot. S'i doli për zot ky, jet mikprem.
Kreu XV
Huaja
NENI 435. Uhaja për kushri e shoq Kushrinit e shoqit nuk ndalet uhaja. Ta lypi, jepja kur e ke. ”Sot ti, nesër ai.” Me uha i pshtohen fmit e ftyra shoqit në hall. Me i shkue miku në derë dikujt e mos me i gjet bukë mbrend, ka të drejtë me ta lyp uha në pik të mjesnatës e ti s'ke nder e burrni me e kthye duerthat. S'e ktheve uhanë, jet në marre me katund. Ta fali, ndera e ti. Mos me ta pranue gjanë të damtueme, ke detyrë me ja ble të re e me u la me të. ”Gjaja uha me ju ba dhunë, borxh s'ta ka.” Uhaja s'nepet me qari, qoft gja, qoft pare. Me të dhanë kush uha ”Pare me qari”, detyrë ke me ja la. ”Vet ke ra në godi me ta.” “Me Kanu s'i ke borxh qarin (kamatën). Parja nuk shtohet si gjaja e gjallë.”
NENI 436. Kush ka të drejtë me dhanë uha Me marr e me dhanë uha për gjanë me randsi ka të drejtë vetëm i zoti i shpisë. Në mungesë të tij, ndihmsit e të zot t'shpisë. Pjestarët e shpisë deri burrat mbarë për nevojë të madhe fort kanë të drejtë kanë të drejtë ma marr e ma dhanë uha sa ku u bajnë armt e veta. Gruaja në shpi ka të drejtë me marr e me dhanë uha sa ku i bajnë të falat e të fituemet e veta, po me mirvet të burrit.
NENI 437. Caku i uhasë Uhaja merret për nji cak kohe. Ditën e caktueme ja ke detyrë me ja kthye. Uhaja merret me ”Qe besa kam em ta kthye ditën e caktueme!” S'mund e ktheve ditën e caktueme, të zot do t'i japish arsye. E la pa kthye për pakujdesi, bje në marre e del i paburrë.
NENI 438. Detyrat për uhanë Uhaja jepet: ”Si ta dhash, me ma kthye ditën e caktueme.”Gjaja e marrun me uha: vegël pune, tesha veshe e shtroje, e ke me detyrë me ja kthye të zot si ja ke marr. Me ba me ju damtue ndoj gja, e ke me detyrë me ja diftue damin e me ju përgjegj.
Kreu XVI
Dorzania dhe pengu
NENI 439. Detyrat e dorzanit Uhaja me vleft jepet me dorzanë. Me u sigurue uhasi, lyp dorzanë. Uhamarrsi ka detyrë me ja gjet. Dorzani hyn me detyrë me la në vend të uhamarrësit, kur ky s'ka mundsi me la. ”Shpyrti pare s'ban.” Dorzani hyn me mirvet. Ky hyn dorzan për njerzi, ”me pre konop mbi krye.” Dorzan hyjn burrat e jo gratë. Dorzani për gratë nuk bahet. Për gruen vej e virgjneshë mund të hyjë dorzan dikush prej kushrijve të tyne. Gruaja ka të drejtë me hy dorzan tuj lanë peng ndoj gja të shpisë që e pëlqen uhasi, vetëm kur asht puna me pshtue nderin e shpisë a jeta njerzish.
NENI 440. Detyra e uhamarrsit Uhamarrsi ka detyrë me ja kthye uhanë të zot simbas marrveshjes së bame. E bani uhanë gati, ka detyrëme ja ba me dije dorzanit, para se t'ja çojë uhasit. S'mund e bani, i drejtohet dorzanit me la ai për te. Uhamarrsi ka detyrë me u lodh e me ja kthye borxhin dorzanit që po lanë për te. Nuk u lodh me la prej kasnecije, bje në gjobë të katundit. Katundi do ta shtrëngoj me ”mbajt besën e dhanme.”
NENI 441. Pengu për uhanë Uhaja me randsi merret edhe me anë të pengut, tuj lanë nji gja me vleft deri sa të kthehet uhaja. Pengu i tokës, i ujit i mullinit jepet rrallë fort. Po, edhe kur jepet, duhet të bahet me mirvet të kushrijve e të fisit. Pengu s'kthehet pa u kthye uhaja edhe 100 vjet me kalue. ”Kthe uhanë, merr pengun!” Me u pendue kush për pengun, s'mund të baj vaj e ankesë ndër pleq. Vaji e ankesa s'i njihen. ”Ku e pate menden, kur dha pengun?!”
Kreu XVII
Bariu shoq
NENI 442. Marrveshja me çobanin shoq Mos me pas çoban për gja, merresh vesh me çobanin shoq me t'i ruejt me të vetat. ”Gjaja don çobanin” Çobanin shoq do ta lajsh krye motmotit për krye të berrit. Me ça e me sa e lanë, si të jesh godit me ta. Kur e ku me ja qit e me ja marr gjanë çdo ditë, merresh vesh njiherë e mirë.
NENI 443. Detyrat e çobanit shoq Çobani shoq ka detyrë me e ruejt gjanë e shoqit si të vetën. Me ju ba dam a me i humb, ka detyrë me i kallzue se ku ju ba dami a i humbi. Me mbet sheji i gjasë së damtueme, ja çon shejn të zot. Me ja vjedh cubi, s'ka detyrë me e ndjek. Me i shkue ndihmë shoqit, i shkon për nder. Gjatë ditës s'ka të drejtë me ja mel ndoj berr, veç m'ja past lanë vet i zoti i gjasë.
Kreu XVIII
Bariu me pagesë
NENI 444. Detyrat e çobanit rrogtar për gjanë e gjallë Çobani rrogtar ka për detyrë ma ja vu menden gjasë së gjallë për kullosë, për bishë, për vend të keq e cuba pa dam të tufës e pa dam të kuj. ”Për çat punë asht më rrogë.” Po u ba dam ndoj berr prej bishet a vendit të keq, çobani i ka me detyrë të zot shejin e berrit të bamë dam. Me i humb gja a me ja vjedh kush, ka detyrë me i kallzue të zot pët vendin. E kërkoi i zoti i gjasë me dalë bashk me lyp gjanë, ka detyrë me shkue mbas ti. Mos me i besue i zoti për të hupmen, çobani ka detyrë me ju la me be.
NENI 445. Përgjegjësia e çobanit në shpi e katund Çobani ka detyrë mos me u përzie në fjalë, në hajni e hjeksi as në shpi të zot, as në katund të zot. ”Tjetër punë veç berresh nuk ka.” Çobani s'ka detyrë me ba vrasë e dhunë për me i dal zot gjasë së të zot. ”Gjak e dhunë i mbesin për krye.” N'i past thanë i zoti i gjasë për gjak e dhunë, ka të drejtë me ja shkrakue të dera. Mos me ju përgjegj, i zoti i gjasë koritet, kurse çobani përgjigjet për ça ka ba.
NENI 446. Detyrat e të zot të gjasë I zoti i gjasë ja ka detyrë çobanit: pagesën simbas fjalës së vueme, tri hat e ditës e të fjetmen. Bukën e të fjetmen, ka veç gjindve të shpisë. E uli në sofër rrethas me tjerët dhe i shtroi me fjet në odë të miqve, ndera e ti. Detyrë s'mund i bahet. Damin e çobanit për gjanë e gjallë e lanë i zoti. Çobani ka çortim, po dami gjobë s'mund t'i bahet. Ja vrau kush çobanin, gjakun ja ka gjaksi, po i zoti i gjasë jet mikprem. ”Ishte në bukt tande.” Me u vra në punë të keqe, shkon gjakhups e marren mbas.
NENI 447. Detyra të veçanta të zot t'shpisë për çobanin rrogtar Me desht i zoti i gjasë dhe me e hek çobanin rrogtar pa e gjet në faj, rrogën e vjetit rrumbullak ja ka për detyrë. Me desht i zoti i gjasë e me u çue prej aty për me ngul gjeti dhe çobani mos me e ndjek, i ka detyrë rrogën deri në at ditë e lahet. Desht me i shkue mbas, po nuk e muer ai vet, i ka detyrë rrogën rrotull motmotit. Me ndodh e me e sha keqas, ja me vue dorë më ta, i zoti i gjasë ka detyrë me ju përgjegj me Kanu. ”Të shame e dhunë s'ja ka me borxh.”
Kreu XIX
Punëtori hua “Puntori uha asht si vllai me vlla”
NENI 448. Puntori uha Në lagje e katund shpit me shpi marrin e japin puntorë uha për me qit pleh, me mihë arët, me kosit, me vue gjeth, me korr e me çarue arët etj. Puntori uha asht detyrë me u thirr 3 ditë deri nji javë para ditës së caktueme për me xanë radhë e me sigurue puntorin. Për punë të veçanta puntori uha thirret me emen, ndryshe nji puntor prej gjindve të shpisë.
NENI 449. Detyrat e puntorit uha Puntori uha, kur s'e ka mjetin e punës, i thot për te të zot të punës qysh ditën që e thrret. Ditën e caktueme ka detyrë me i shkue te shpija pa u fillue puna. Me pas hall të madh fort, i kallzon hallin, ja i gjen nji puntor tjetër në vend të vet. Gjatë gjithë punës punon me sa mundet pa i ba hile të zot të punës dhe pa ju përzie në punët e gjindëve të shpisë.
NENI 450. Detyrat e të zot të punës I zoti i punës ka detyrë mos me ju gërmush puntorit uha. As me e shtye me punue ma shumë se i takon. Bukën ja ka detyrë si gjindëve të vet. I zoti i punës ka detyrë me u kujdes mos t'i binë kush në qafë puntorit. Puntori asht në bukë e në besë të zot të punës. Me ja gjet gja, jet mikprem. “Hasmi të lypin vend gjeti e jo në bukë teme!”
Kreu XX
Punëtori me pagesë e për borxh
NENI 451. Marrveshja për puntorin Kanuja përveç puntorit uha njeh edhe puntorin për borxh dhe puntor me pagesë. Kush ka nevojë me ba ndoj punë, si: mur a shpi, em nxjerr trenë a drrasa, me hap tokë a me mbjell, me korr a me çarue, me kosit a me vu gjeth, i ven fjalët me mjeshtër e puntorë. Me të pasë borxh ja lyp me ta la borxhin me puntorë. Godia për ksi punsh bahet kryesisht ditën e panairit në Lam Lushaj, Kabash.
NENI 452. Detyrat e të zot të punës për mjeshtrin I zoti i punës mjeshtrit e puntorit ja ka detyrë tri hat e ditës: ndrate, cillë e darkë dhe rrogën për punën e bame. Me ndodh të largët, u ka borxh edhe të fjetmen.
NENI 453. I zoti i punës s'ka të drejtë për punë mjeshtrije Mbas fjalës së lidhme, i zoti i punës s'ka të drejtë me ju përzie në punë mjeshtrit e puntorit. ”Mjeshtri e puntori e dinë vet punën e tyne.” Me të pyet: ”Si të duket?” - ke të drejtë t'u thuesh fjalën tande. Ndryshe, ”shih e mos fol!” Kur fillon e mbaron, kur rri a punon, e di mjeshtri vet me puntorët e tí. I zoti i punës s'ka të drejtë t'i përzihet. Mjeshtrit e puntorit në rrogë, jau ke detyrë borxhin ditën e caktueme. Luejte fjalsh, veç koritesh. Rrogën e vet, me pare a gja e çdo gja, mjeshtër e puntorë e marrin me mirvet a me pleq. Për sa të jenë në punë e në bukë të të zot, janë ndorja e tij.
NENI 454. Detyrat e mjeshtrit Mjeshtri si vetëm, si me puntorë ka detyrë me ja ba punën të zot simbas marrveshjes së bame. S'ja banë, do t'i japin arsye e do t'i lahen. Qau puna mbrapa, borxh ma të zot nuk i kanë, veç humbin zanin për mjeshtër të mirë.
NENI 455. Kur mjeshtër e puntorë s'kanë të drejtë Mjshtri e puntorët nuk kanë të drejtë me u përzie në punët e të zot t'shpisë e të gjindve të asaj shpije. Mjeshti e puntorët nuk kan sy e vesh për çka bahet në shpinë e të zot. ”Sy e veshë i kanë për punë e mjeshtri.” Me u kërkue i zoti i punës ndihëm për me mbrojt nder e burrni, me detyrë s'ja kanë. Ju përgjigjen ndera e tyne. I zoti i punës ka detyrë mos me i lanë borxhli për dam e faj, gjobë e gjak. “Të ndihmoj si burrat, mos e kthe nderen dhunë.”
Kreu XXI
Rrogtari për punët e shtëpisë
NENI 456. Të drejtat e të zot ndaj rrogtarit Shpit e mdha e dyert e para kanë të drejtë të marrin edhe rrogtarë për punë shpije. Por rrogtarin e marrin me mirvet të tí. Për punët që do të kryejnë i zoti ka të drejtë t'ja caktojë detyrat qysh kryeheret, po edhe gjat ditës me pasë nevojë.
NENI 457. Detyrat e të zot Përveç punëvet i zoti s'ka të drejtë me e ngarkue me tjetër gja rrogtarin. ”Rrogtari punën ka për zanat”. Rrogën ja ka detyrë simbas marrveshjes së bame. Veç rrogës, i ka detyrë bukën e të fjetmen. Për sa ta ketë rrogtarin në bukë të vet, dora e huj s'mund t'ja prekin. Ja rrehi a ja vrau kush, jet ”mikprem”, ja qet pushkë e nderet.
NENI 458. Detyrat e rrogtarit Rrogtari ka detyrë në çdo punë që ja kërkon i zoti për arë e vneshtë, për livadh e me bajt, për jashta shpijet e mbrenda shpijet. Rrogtari s'ka të drejtë me thanë: ”U lodha”. “Për punë ka ardhë me rrogë, e për punë paguhet.” Me gjindt e shpisë e përzien puna, për të tjerat gjana dahet veç tyne.
NENI 459. Rrogtari zot shpije Me ra në gjak shpija e me u gjet rrogtari i zoti mund ta bajnë zot shpijet për sa të jenë burrat përjashta. Ky ka detyrë me shërbye me nder e besë. Ndryshe del i pabesë e koritet. Për besë të preme i ka borgj të zot dhe shpisë e kushrinisë së vet.
Kreu XXII
Djali mbas veti
NENI 460. Mbajtja e djalit mbas veti Zotnit, krenët e bajraktarët, të zot e shpive të mëdhaja kanë të drejtë me mbajt djalë mbas veti për sigurinë e jetës e të drejtave të tyne. Djalin mbas veti e zgjedh i zoti. E zgjodhi në vllazni e fis, në miq e dashamirë, në kumbarë a të huej, puna e tij. Kush s'ka të drejtë me i thanë ”Pse?!”
NENI 461. Detyrat e djalit mbas veti Detyra e djalit mbas veti asht me shkue mbas të zot kurdo e kudo ai: larg a afër, natën a ditën, për kohë të mirë a të keqe, qetësisht a me pushkë për faqe në roje të jetës a të nderit, të pasunisë a të fjalës së tij. Djali mbas veti ka detyrë t'i jetë besnik të zot. T'i baj sytë katër e të mos pres me i thanë i zoti: ”Priti se më vranë!” Po, flakë për flakë ta pshtoj të zonë prej hasmit të tij. “Djali mbas veti ka zanat pushkën.” “Për çat punë asht djalë mbas veti.” Në ndeje e sofër, rri mbas të zot. Në sofër të vogël e ka vendin.
NENI 462. Detyra të veçanta të djalit mbas veti Djalin mbas veti i zoti e çon edhe për fjalë e lajm në kambë të vet. Fjala e tij asht fjala e të zot. Po ky ka për detyrë fjalë e lajm t'i çoj e t'i thot si ja ka thanë, sakt. Mund të çohet edhe me marr uha a borxh, me marr gjysmat e lavertarit në tokë të zotnisë. Detyrë ka me i marrë si të ishte i zoti vet, pa shtue e pa pakue gja.
NENI 463. Detyrat e të zot Zotnia ka detyrë me mbajt djalin mbas veti si nja prej burrave të shpisë. Në bukë e të fjetme mos me e nda si rrogtarin. Rrogë s'i ka detyrë. ”Djali mbas veti s'asht rrogtar. Ai asht djalë.” Po, pa gja nuk e le. E di vet ça me i fal. Me ju vra mbas veti, shpisë së tij i lanë gjakun me pare a me tokë.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:18 | |
| 7. DETYRIMET NGA SHKAKTIMI I DËMIT
Kreu I
Dëmi dhe pashtraku
NENI 464. Dami dhe rastet e gjobës Dami nuk ndalet. Brigjet, vija e ujit, shteku e rruga, mali e kullota me kufi, kanë edhe damin pahiri a me hiri. Dami pahiri çmohet e lahet për dam. Damit pa hiri s'mund t'i bahet gjobë. Dami i mshehun e me hiri, veç damit i ka edhe gjobën katundit e apangat pleqve. Dami i fmisë çmohet për dam fmije, çmohet ma i vogël se i të mdhejve. Damin e fmisë e lanë shpija e tij. Me u gjet fmija në dam, kapet për dore e çohet te shpija e vet. I damtuemi thrret në oborr të shpisë e jau dorzon fminë tuj u diftue damin e tij.
NENI 465. Gjaja në dam Me u gjet gjaja në dam, i thirret çobanit e i kallzohet dami i bamë. Me u gjet gjaja në dam pa çobanin e vet, i damtuemi e kap gjanë për qafe e ja çon të zot në oborr tuj i kallzue për damin e bamë. Mos me e njoftë gjanë e huej, ja me ja ditë menden të zot se nuk i shtrohet kollaj damit, i damtuemi ka të drejtë me e fut gjanë në vath të vet. Të zot i çon fjalë me ardh e me marr. Gjanë ja lshon në prani të dorzanëve a pleqve të damit.
NENI 466. Dami i visë Dami i visë së ujit dhe i visë së mullinit asht me çmim të caktuem me sulle katundi. Me u da vija e ujit a vija e mullinit në tokë të dikuj, ky ka detyrë ndere me e kthye. Nuk e kthej, ka detyrë me lajmue rendtarin e ujit. Nuk e lajmroi, ka detyrë t'i lahet me sedije. Kush e danë vinë e ujit me gja ja me kafshë pune si em hiri, si pahiri ka detyrë me la në vejshtë 80 okë drith gjobë.
NENI 467. Detyrat e shpisë së damçorit Kush i ban dam kuj me gja të gjallë a në mënyra të tjera, ka detyrë me i shkue në derë vet a me i çue ndoj shoq në kam të vet e me i thanë: ”Ta kam ba çet dam pahiri. Të jam borxh me ta la.” Me u ba dam i madh, shpija e damçorit ka detyrë me ju shmang gjakut të xet të të damtuemit, deri sa të ndërmjetësojnë shokë e miq.
NENI 468. Mohimi i damit Basi i damit ka detyrë mos me e msheh damin dhe mos me ia humb në moh. Ndryshe bje në faj. Me u mundue damçori me e humb damin në moh, ka detyrë me ba benë. Me u diktue me këpucar, lanë gjobën, fajet e kapucarin. Mos me i ndej damit as me kapucar, lanë edhe apangat e pleqve.
NENI 469. E drejta e të damtuemit I damtuemi ka të drejtë me ja kërkue damin damçorit kujdo qoft. Me ndodh disa damçorë, damin jau kërkon veç e veç ose së bashku, siç e kanë ba. Kur dami bahet me hiri, i damtuemi lyp pleqt me i pleqnue fajin. Me pasë damçori hjeks e ortak, i damtuemi ka të drejtë me kërkue me i ba pjestarë faji e dami. I damtuemi me arsye e mirvet mund t'ja ulin damçorit çmimin e damit, po detyrë s'mund t'ja bajnë kush.
NENI 470. Caku i të lames së damit Për lamjen e damit lehet nji ditë e caktueme. Ditën e cakton i damtuemi, ja pleqt e damit. Me e caktue damin me u la em drith, dita e caktueme do të jetë dita e lamit ose dita kur futet kallamoçi në kosha. U caktue dami me u la em kambë të berrit, ja me pare ose gja e çdo gja, dita e caktueme lehet në dy deri tri javë.
NENI 471. Pashtraku për dam e faj kullose Me u kap tufa e huej në mal a në vrri të tjetrit, i zoti i tufës do të laj pashtrakun. Sa tufa të jenë, çaç herë do të lajnë pashtrak. Pashtraku lahet me berr për qafe. Me u kap në lavër gjaja e katundit të huej me të imta e me të trasha, për pashtrak merret një ka, ose kambë berri për 80 copë të imta. Pashtrak mbrenda katundit merret nji ka a katër desh, kur i zoti i tufës fut gjanë në lavër a livadhe para ditës së caktueme prej katundit. Ogiçi i kumbonës as merret, as jepet pashtrak. Asht ndera e tufës. Pashtraku dahet katundisht, ja lihet për nevoja të xhamisë.
NENI 472. Pashtraku i nepet të zot të kullotës Pashtrakun ka detyrë me e la i zoti i tufës. I zoti ka detyrë me e kap nji berr për kambe dhe me ja dorzue të zot të kullotës. I zoti i kullotës s'ka të drejtë me shtri dorën e me zgjedh gjanë ma të mirën. Do ta marr prej dorës së çobanit. Me kundërshtue çobani e mos me e dhanë berrin, i zoti i kullotës, ka të drejtë me marr vet nji çdo. ”Pashtrakun me të mirë a me të keq do ta napish.”
NENI 473. Pashtraku me pré Me kundërshtue çobani me pushkë pashtrakun, i zoti i kullotës ka të drejtë me ira pré me katund të vet. Katundi tjetër s'ka të drejtë t'i përkrahet katundsit të vet. ”Pashtraku asht me Kanu.” Kur i zoti i tufës vetëm a me katund as pashtrak nuk lan, as gjanë s'e hek prej kullotës së huej, atëherë të zot e kullotës kanë të drejtë t'i bien pré rrethas me katund e bajrak dhe t'ja marrin pré të gjithë tufën. Preja kthehet sa ta pleqnojnë pleqtë fajin. Me u vra kush prej pretarëve, preja jet për gjak, ndryshe, gjaku-gjak e preja-pré.
| |
| | | Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) Mon 05 Apr 2021, 13:22 | |
| E DREJTA NDËSHKIMORE
1. PJESA E PËRGJITHSHME
Kreu I
Ndëshkimet
NENI 474. Dënimet për mbrapshtina Vet shpija, katundi, fisi e bajraku mbarë për fajtorin për mbrapshtina në shpi, lagje, katund, bajrak e dhé, kanë dënimin simbas fajit të bamë.
NENI 475. Llojet e dënimeve Dënimet që jep Kanuja simbas mbrapshtinash janë këto: 1) e hekmja e armës prej të zot t'shpisë a bajraktarit me vojvodë e djelmni 2) gjoba me gja e pare 3) pashtraku 4) leçitja prej kushrijve, katundit, fisit a bajrakut 5) djegia e shpisë dhe e premja e pemëve 6) e nxjerrmja prej bajraku me gjindët e shpisë, lanja e tokës djerr tri vjet 7) vrasa katundisht prej fisit a bajrakut
Kreu II
Caktimi dhe zbatimi i ndëshkimeve
NENI 476. Caktimi i dënimeve Caktimi i dënimeve mbrenda shpisë bahet prej të zot t'shpisë me mirvet të ndihmsave të zot t'shpisë dhe të pjesëtarëve të shpisë; në kushrij, lagje e katund, prej pleqve në krenët e fisit e bajraktarin në kuvend me burrat e dheut. Në dhé dënimi jepet prej pleqve me krenë, bajraktarë dhe zotninë në Kuvendin e Dheut.
NENI 477. E kryemja e dënimeve Kryemjen e dënimeve em gjobë e bajnë pleqt e gjobës. Kur fajtori nuk bindet, bashk me pleqt e gjobës shkojnë edhe djelmnia e fisit ja e bajrakut.
Kreu III
Ndëshkimi kundër lagjes e katundit
NENI 478. Dënime kundër lagjes Bani me i dalë kundër katundit nji lagje, katundi ka të drejtë me e leçit si katund. Me ndodh kundërshtimi me dam të madh për katundin e fisin, fisi e bajraku ja e leqit, ja me djelmninë e vet a të dheut e shtrëngon me veprue simbas sulleve të katundit e të fisit.
NENI 479. Dënime kundër katundit a bajrakut dal rruge Me ndodh e me ba katundi sulle e dënime ndryshe prej Kanunit të Lekës, bajrakët e tjerë kanë të drejtë me e shtrëngue me pleq a me dhunë katundin e bajrakun e dalun rruge me shkue mbas Kanunit të Lekës.
2. PËRGJEGJËSIA NDËSHKIMORE
Kreu I
Kundër marrëveshjeve për bashkëpunim mbrapshtishë
NENI 480. Të ndalunit e pritës Prita nuk xehet në katund të huej. Me ba me hetue, katundi ka të drejtë me e rrethue dhe me e çue pritën e katundit a të bajrakut të huej. Me ba me u hetue mbas vraset, katundi i lyp arsye. S'mund u la me Kanu, bajraku i vet ka detyrë me e shtrëngue me i la gjobën e katundit “për dhunë kufini” Mos me u përgjegj as bajraku, atëherë katundi, i dhunuem prej prite, bashkë me bajrak të vet e leçit katundin e huej për çdo marrje e dhanie, për udhë e shtek deri sa të pleqnohet prej dheut. Prita për gra e fmi asht e ndalun me Kanu. Qiti e vrau kend, prita bje në marre për pushkë të keqe.
NENI 481. Pengimi i përkrahësve Kush i bahet krah dhunuesit e vrasit, si: hjekës a si ndihmës i tij, jet pjesëtar faji a gjaku. Me i hetue i rrezikuemi përpara, ka të drejtë me jau çue pleqt në derë tuj u thanë të hekin dorë prej ksi mbrapshtish. S'u përgjigjën, ka të drejtë me u ankue në krenë e pleq. Krenë e pleq të katundit e të fisit, ja të bajrakut kanë detyrë t'i shtrëngojnë e t'i gjobisin. Me u ndodh dhunuesi i katundit a i bajrakut të huej, krenë e pleq kanë të drejtë me u djeg shpinë për shkelje sulli e të besës me katund.
Kreu II
Përgjegjësia e bashkëpunëtorëve
NENI 482. Hjekësi e përkrahësit në dhunë e vrasë Hjekësi e përkrahësit kur hetohen, ja dalin ballas, bahen pjestarë dhune e vrase të dorasit. Kush bahet jataku i dorasit me dije, gjobitet e leçitet prej katundit të vet. “Jataku merr hisen e dorasit” Përkrahësit me pare a për nder, kur s'dalin haptas dhe mbrapshtinë e tyne e merr përsipër dorasi, s'ka punë me to. “Asht nja që rreh gjoksin”
NENI 483. Uhasi i pushkës Me i lyp dikush dikuj pushkën e ky me vra dike me të, në gjak bje dorasi. “Gjaku shkon për gisht” Me pasë dijeni uhasi i pushkës se për ça e ka pushkën dorasi, bje në faj, po jo në gjak. “Në gjak bje dorasi” I zoti i pushkës ka detyrë mos me ja dhanë kuj pushkën veç për hall të madh. Me mbrojt jetë e nder, shpi e pasuni, jepet e merret pushka uha si çdo send tjetër. Kush e jep pushkën uha për ksi rastesh asht fistar e faqebardh ndër shokë e miq. Për raste të tjera pushka nuk i jepet kuj.
Kreu III
Përgjegjësia për raste të veçanta mbrapshtish
NENI 484. Ngucatari Ma dal dikush e me nguc dikë për faj të bamë a veç për kryeneqësi ja për smiranaze dhe me u ba dhunë e gjak, dënimi peshon gjithmonë ma rand kah ngucatari. “Ti e nguce, ti e fillove e me arsye s'u shtrove” Me ndodh ngucatar nji mahall a katund, pleqnohen me krenë e bajraktarë të bajrakëve të dheut.
NENI 485. Shtiekeqi Me shtie dikush dikë me ba dhunë e gjak, shtiekeqi bje në faj, dorasi bje në faj e në gjak. Për faj shtiekeqin e ndjek shpija e damtueme a e vrame. Mahalla e katundi e leçit, fisi e gjobit. Me i dhanë shtiekeqi dorasit fjalë e besë se ka me e ndihmue ditën e mbrame dhe me i dalë rrenc, me u faktue, shpija e damtueme ka të drejtë me e ba pjestar. Qe mbrenda fisit, fisi e djeg për besëpremë.
3. PJESA E VEÇANTË
MBRAPSHTINA E VRASJE NË SHOQËRI
Kreu I
Mbrapshtina kundër rendit shoqëror “Ma e çmushmja n'ket jetë, asht nderi vetë”
NENI 486. Mbrapshtina kundër shoqnisë mbarë Mbrapshtinat kundër nderit të çdokujt tuj e korit, janë mbrapshtina kundër vllaznisë e fisit të tij, kundër katundit e bajrakut të vet. Vllaznia e fisi ka detyrë ndere me ju ba krah të vetit, kur tjetri i bje në qafë dhe e korit. Katundi e leçit dhe e gjobit, kurse bajraku e përze prej vendit, i djeg shpinë e ja le tokën 3 vjet djerr, sa herë koritja e njaj shpije bahet shkak për trazime e vrasje në lagje a në katund, për vllazninë a fisin mbarë. Me ba ndonjani mbrapshtina me të shame a të rame, me të pshtyme a të shtyme, me të grabitme a dhunë, bje në faje e në gjobë të katundit. “Ka trazue katundin” I korituni ja qet pushkë e nderet, jase jau fal miqve e dashamirëve, fisit e katundit që ta gjykojnë e ta peshojnë, kur fajtori bje në pendesë e lyp të falun faqe burrash.
Kreu II
Mbrapshtina kundër nderit të grues (Koritja e grues) “Nderi i grues asht si gastarja. U thye, s'gjitet ma”
NENI 487. Grueja e përdhunueme Tri gjana s't'i lyp Kanuja me i falë: premjen e mikut, grabitjen e pushkës dhe të koritmen e grues. Të trija këto s'i lanë gja veç gryka e pushkës. Koritja s'lahet me gjobë e me pare. Peng e pleq s'lypen. Burri i fortë qet pushkë e lahet. Gruen e koritun me përdhunë, s'ka kush të drejtë me e leçit a me e dënue. “Grueja dhunës së burrit s'mund i dalin”
NENI 488. Grue e burr të marruem Me u gjet burr e grue a çikë e djalë në punë të keqe me dashjen e tyne, ato janë të marruem. Burri i grues, i ati a i vllai i saj, ja shpit e tyne, kanë të drejtë t'i vrasin të dy palët. Të vramët shkojnë gjakhupës. Me pshtue e me ik, janë të leçitun prej farefisit e të qitun për jetë prej dheut të vet. U martuen çika e djali, shpija e çikës e shpia e djalit ndreqen me pleq. Të marruem s'jesin. Ke çika e xanme, “Marren e lan pushka”
NENI 489. Grue e çikë me barrë në fis Me u gjet me barrë grueja vejë, grueja e lshueme a çika, fisi e katundi i vret katundisht, ndryshe ja le ta vrasin shpija e vet. Çika e bame me barrë prej nji burri të nji fisi tjetër vritet. Burri i fisit tjetër jet në gjak. Me ba me u bind shpia e çikës së koritun prej shpisë që e koriti për me u lidh me martesë, bahen miq.
NENI 490. Dënimi i burrit që korit gruen a çikën Burri që korit gruen a çikën hetohet tue shtrëngue gruen a çikën ose me kapucar. Me ndodh i fisit kapet prej fisit e digjet a vritet katundisht bashk me gruan a çikën e koritun. Me ndodh i fisit tjetër, ndiqet për gjak deri sa të vritet. Rrallë fort mund të pajtohen tue mbyll atë punë me martesën e tyne ndër veti.
NENI 491. Ankesa e gjinisë për binë e vrame Me ba me u ankue gjinia për binë e vet bashkë me shpinë e burrit të vramë se nuk janë vra për punë të keqe, gjaksi ka detyrë t'ju lahet me prova e dëshmitarë, ja me be me betarë simbas Kanunit. Mujti me u la gjaksi, detyrë tjetër nuk u ka. Me kaq kanë detyrë me i thanë: “Të lumt pushka!” e me i la fishekun me fishek. S'mujti me u la, bje në gjak të gjinisë së grues e të shpisë së burrit të vramë.
Kreu III
Mbrapshtina kundër martesës
NENI 492. Me ja hek a me ja grabit gruen kuj Grueja nuk i hiqet kuj me hjeksi a me të grabitme. Ndryshe bje në gjak për nder të marrun. Shpija e të vramit s'ka të drejtë em lyp gjak, veç me ba pajtimet e me marr paret e gjakut. Nuk e la nderin e vet me hjeksinë e grues dhe e vret edhe atë që ja muer gruen, atëherë edhe kësaj shpije ja ka borxh paret e gjakut. Don em marr gjak shpija e të vramit, kush pushkë të mirë s'ja ban. “Vetë e pate fajn: i more gruen, e korite”
NENI 493. Me e kthye gruen Me dek ndoj burr në shpi a në të damit nji zjarmi, gruen e tij e kthen për veti nji burrë tjetër i shpisë me kërkesë të zot t'shpisë. Mos me dasht grueja vej, kush me forcë s'ka të drejtë me e mbajt. “Grueja vej flet vet për martesë të vet” Do grueja, po s'do gjinia e saj, gjinia s'mund të përzihet. Për binë e kthyeme gjinisë i nepet nji ká e “i mbyllet goja” Kisha nuk e jep me kthye kush gruen në shpi.
NENI 494. Me ik çika e xanme Me ik prej shpije çika e xanme e me u martue gjeti em mirvet të gjinisë, gjinia bje në gjak me mikun e parë. Mos me i parë hak as hile gjinia, i lahet me bé. Atëherë bje në gjak ai që grabiti çikën e xanme. Me ik çika e xanme, por me jau kthye krushve pa u ba nuse gjeti, gjinia lahet e miku pshton me nder. S'mund e gjet çikën, krushve u ban nuse çikën e dytë. Mos me pasë çikë tjetër për nuse, ka detyrë me ju lut të damëve nji zjarmit e kushrijve me ja fal nji pikë për me nxjerr nuse prej shpije.
NENI 495. Me ik grueja me kunorë Me i ik grueja burrit me shkue në gjini pa arsye, veç se nuk do me i ndej burrit të parë, gjinia ka detyrë me ja kthye prap burrit. Mos me u gjegj grueja, gjinia ka detyrë me ja lanë shtekun hapt burrit për me ardh e me marr me zort. Me ik grueja e me u martue gjeti, gjinia do t'i lahet me bé burrit të parë se nuk i ka hak as hile. Me çaç i del borxhit. Atëherë “Ku shkon pshtjellaku, shkon gjaku”
Kreu IV
Mbrapshtina e vrasje në besë
NENI 496. Shkelja e besëlidhjes Me vra kush në besëlidhje të fisit, të dheut a të 7 Bajrakëve, ndiqet për gjak e grihet katundisht. Në besëlidhje të dheut a të 7 Bajrakëve, i digjet shpija i priten pemët dhe leçitet. Me shkel kush besëlidhjen tuj i dhanë krah anmikut të vendit, i digjet shpija e i bahet tufa pré.
NENI 497. Mbrapshtina kundër dorzanëve Bje në gjak e në gjobë: kush vret gjaksin a shpinë e tij mbas pajtimit të gjakut, kush vret gjaksin gjatë besës së dhanme. Gjakun e kërkojnë dorzanët e gjakut a të besës, gjobën e kërkon katundi për mikprem. Gjoba e katundit asht me i ra pré tufës së tij e me e leçit prej katundit. Kush vret në moh, bje në gjak të shpisë së të vramit. Katundi e leçit për paburrni. “Qeni ha tinëz”
NENI 498. Vrasje e mikut në besë Ma e madhja kori për kah Kanuja asht me pre mikun në besë. Kush pret mikun në besë: në shpi a në rrugtim tuj e vra vet a tuj e heksue te hasmi për pare, asht i dekun kah Kanuja. “Dek e pa hi në dhé” Fisi i ban gjamën në oborr e për drektë e mort i merr gjobë nji pend qe e i danë katundisht si bajrak tuje leçit për tre brez atë shpi (Berishë). Kush pret mikun në besë, digjet e leçitet si shpi prej fisit e bajrakut të vet (Kabash, Thaç, Qerret e Malzi).
NENI 499. Vrasje në vende beset Katundi me katundin kufijar cakton me Kuvend të përbashkët vende beset për ta. Këto vende janë rrugëkryq: ku bahen kuvende; ku merret drejtimi për te njani a tjetri katund; ku qitet nusja në pjekjeç ku jepet kushtrimi katund me katund; ku bahet mallimi i gjasë në kullosë. Me vra kand në ksi vende beset, gjaksi grihet katundisht e shkon gjakhupës. Me u vra kush në moh, do të hetohet me kapucar e betarë prej dy katundeve të vendit në besë.
NENI 500. Vrasje për me marr hisen shkret Me vra kush kushrinin a vllan për me ja lanë hisen shkret për me e marr vet, grihet katundisht prej fisit të vet. “Asht në besë të fisit të vet” Me e vra në moh e me i lind dyshimi fisit do të lahet me bé e me betarë. E lanë betarët mbrend, grihet katundisht. Me e vra kinse ka korit fis e katund për mik a besë, do të hetohet deri sa të gjindet e vërteta.
NENI 501. Vrasja e rrogtarit të huej Grueja, pushka, miku e rrogtari s'i preken kuj. Kush i prek, bje në gjak. Me ja vra kuj rrogtarin, “ja ke pre mik”. “Ishte në bukë të të zot” Me ja rreh e me ja dhunue rrogtarin kuj, e ke korit. “Ja ke pre mik. Asht në besë të tij”
Kreu V
Mbrapshtina e vrasje kundër kishës e xhamisë
NENI 502. Dhunimi i kishës a i xhamisë Kush dhunon kishë e xhami tuj e sha si fé e vend fejet, tuj hy e krye vrasje a mbrapshtina në oborr, te dera a mbrendë; tuj thye kishë a xhami me e poshtnue a me e vjedh: bje në faj e në gjobë. Nderin e gjobës e kërkojnë dorzanët e kishës e të xhamisë, dami i kthehet kishës a xhamisë.
NENI 503. Fetari kur dhunohen kishë a xhami Fetari: prifti a hoxha nuk kanë të drejtë me e nxit e me shty famullinë a xhematin për hakmarrje. Ato kanë detyrë me lajmue dorzanët e këto vetëm a me katund çmojnë fajin e damin e ngucakeqit a të cubit. Me u ba dhuna në moh, dorzanët kanë detyrë me hetue vet e me kapucar deri sa ta gjejnë fajtorin. Dorzanët me katund ja marrin fajtorit dam e gjobë krejt tufën e gjasë ja një pjesë toke nën shpi. Fetari s'ka të drejtë me u përzi.
NENI 504. Mbrapshtina kundër fetarit Me sha kush, me kërcënue a me vue kush dorë në fetar: në prift a hoxhë, për punë fejet, dorzanët me famulli a xhemat lypin nderin e fetarit. Asht në besë të tyne. Fajtorëve, sa të jenë u digjet shpija, ja u merret ka nji ká gjobë e dahen katundisht. Qiti pushkë prifti për nder të marrun, lshon në gjak shpinë e vet. Prifti e grueja nuk vriten për gjak. Qiti pushkë hoxha, ky bje në gjak vet bashk me shpinë e vet. Katundi gjobën e merr prej fajtorit ngucatar “për mikprem”
NENI 505. Vrasja e fetarit Vrasja e fetarit për punë fejet a për me e grabit, fajtori kërkohet prej dorzanëve e vritet katundisht. Shpija i digjet e gjindët nxiren prej fisit e bajrakut. Me u vra prifti në kishë, kisha mbyllet. Fajtorët grihen katundisht, shpija u digjet, gjindët qiten jashta fisit e bajrakut. Toka u merret për kishë e kisha e re bahet në truell të tyne. Rrallë fort, me ndodh e me u vra fetari në punë të keqe, shkon gjakhups. Me u vra për gjak, dorzanët jesin mikprem. Gjakun e marrin katundisht e lahen.
NENI 506. Mbrapshtina kundër rrogtarit a puntorit të kishës Me i ra kush në qaf rrogtarit a puntorit të kishës me të shame a të rame, jau pret mik dorzanëve të kishës. Famullia merr gjobë një mzat dhe e danë katundisht e dorzanët lahen. Me i ra në qafë kuj nëpër katund rrogtari a puntori i kishës, kush dorë mbi s'mund të ven pa jau ba dert dorzanëve. Me ndodh faji i rand e mos me prit puna, të damtuemit venë dorë e bajnë zap. Para dorzanëve japin arsye e lahen.
NENI 507. Vrasja e rrogtarit a e puntorit të kishës Me e vra kush rrogtarin a puntorin e kishës, ja se gjinden në punë të keqe, u digjet shpija prej dorzanëve me katund. Gjakun e merr shpija e rrogtarit a e puntorit ose kërkon paret e gjakut. Dorzanët jau nxjerrin gjaksorëve paret e gjakut e bajnë pajtimin me kishë e me shpi të vramit.
Kreu VI
Mbrapshtina e vrasje të rrogtarit
NENI 509. Mbrapshtina të rrogtarit për fjalë të zotnisë Me vra kend rrogtari me fjalë të zotnisë, dam e gjak i çon në derë të zotnis. “Gjaku shkon për gisht, por gishti asht për fjalë të zotnisë” Rrogtari asht puntor i zotnisë e ka detyrë me bá çat punë që ja cakton zotnia. Me i ra mohit zotnia a me e bá rrogtari vrasen në krye të vet, damin e lanë zotnia e gjakun rrogtari. Rrogtarit ka detyrë me i dahnë rrogën e me e largue shpijet.
NENI 509. Mbrapshtina e çobanit rrogtar e i zoti i tij Me u xanë çobani rrogtar me çobat e huej në kullosë, jep arsye para të zot dhe dam e faj i ka për krye të vet. Me ja kërkue katundi me e largue, i zoti ka detyrë me e largue shpijet rrogtarin. Me vra kend çobani, gjakun e çon në shpi të vet, damin e banë për shpinë i zoti. “Ishte në bukë tande” Me vra cub a hajn tuj ruejt gjanë e të zot, gjakun e çon në shpi të vet. Me ja marr përsipër i zoti, prej gjakut lahet.
4. MBRAPSHTINA KUNDËR JETËS E SHËNDETIT
Kreu I
Vrasja “Pushka për hall, ka uratën”
NENI 510. Pushka për hall Pushka për hall asht pushkë e mirë. Pushka e mirë qitet: kur pritet miku; kur i merret burrit ndera; kur qet me marr gjak. Për çeto tri punë i urohet burrit pushka me “Të lumt gryka e pushks!” Pushka për hall ka ndoren e ndërmjecën gati. Kush qet pushkë për hall, gjen strehë e vendin e mikut kudo që shkon. Pushka e mirë asht me Kanu të Lekës.
NENI 511. Pushka e keqe Pushka e keqe qitet për hajni e cubni, për dhunë e për dhunim, për kreni e me poshtnue tjetrin. Pushkë e keqe asht edhe kur merr gjak në gra e fmi, në pleq e në të ligj. Pushka e keqe s'ka të uruem veç të shame e të mallkueme: “Ju xift gryka e pushkës!” Pushka e keqe s'asht me Kanu të Lekës.
NENI 512. Kur përgjigjesh për vrasjen Në çdo faj e dam me të ra kush, me të fik e me të korit kush dhe ti e vret, bje në gjak. “Gjaku për faj s'jet” - thotë Kanuja. Vrave kënd, ndiqesh për gjak. Ta bani borxh e vrave, “Të lumt pushka!” Po rae në gjak: “Gjaku-gjak”
NENI 513. Përgjegjësia e shpisë së të vramit Me i ra në dam a në faj shpija e të vramit shpisë së gjaksit, shpija e gjaksit s'mund t'ja hupin gjakun për atë dam a faj. Dam e faj pleqnohen me pleq e lahen simbas Kanusë. Me i ra pré tufës shpija e të vramit shpisë së gjaksit, kur e msyn për gjak, preja i jet për gjak. “Preja mbas Ditës Gjakut, lanë gjakun” Ja ktheve prenë prep si në Kanu, gjaku jet gjak.
NENI 514. Vrasja ndërmjet njani-tjetrit U vran dy vet ndër vedi, shkojnë gjak për gjak. Shpitë e tyne s'kan ça i kërkojnë njana-tjetrës. Me mbet njani i varruem e tjetri i vramë, shpija e të varruemit i ka borxh gjysë gjaku. Mos me i ndej në të shpija e të vramit e me vra të varruemin, shkojnë gjak për gjak. Me vra nji tjetër të shpisë të të varruemit, i ka borxh gjysë gjaku. Me u ba pajtimi, lanë paret për nji gjysgjaku. “Pushka ja merr gjak, ja lshon në gjak. Pushka gjobë s'ka, veç kur qitet në besë”
NENI 515. Vrasë e varrë Me u vra dikush e me u çue shpija e të vramit e me varrue nji herë a deri njizet herë gjaksin a dike tjetër të asaj shpije, nji gjysë gjaku i xihet. “Si nji, si njizet varrë, gjysë gjaku se gjysë gjaku” Gjysa tjetër do t'i lahet shpisë të të vramit. Me dek i varruemi prej plagësh, shkon krye më krye me vrasen e parë. Me u vra njani e me mbet dy të varruem në anë tjetër, jesin gjak për gjak; krye më krye: “Dy të varruem, nji gjak”
NENI 516. Vrasja e mungueme në Kuvend e në besë Pushka e shkrepun në Kuvend e në besë a besëlidhjee lshon të zonë në gjobë. Me u xanë dy vet e me ja kthye njani pushkën tjetrit dhe me i shkrep, bje në gjobë të Kuvendit. Kuvendi i djeg shpinë për “mikprem” edhe pse s'u vra kush. Me i dalë në pritë kuj kur asht në besë, ja asht mbrenda besëlidhjes së bajrakut, dheut a malit, e me i shkrep pushkën, i digjet shpija prej besëlidhjes për “mikprem” edhe pse s'mbet kush. Me hi puna ndër pleq e me pleqnue për kadalë, gjoba e pushkës shkrepme lahet me nji ká katundisht a bajrakut.
Kreu II
Vrasja në familje
NENI 517. Vrasja e fëmisë së vet Me ndodh e me e vra për ndoj mbrapshti i jati të birin a të binë, s'bje në gjak me kend, ka vra "vedin". Kush vret vedin shkon gjakhups. Kushrijve a dajs, u jep arsye, po borxh s'mund t'ja bajnë. Me ndodh rrall fort e me vra e ama të birin a të binë për ndoj mbrapshti që mund ta vriste edhe i shoqi, baba i fmisë, lahet kur ky o thot: “Të lumt pushka grue!” Me ba mos me u bind i jati, grueja lshon në gjak gjininë.
NENI 518. Vrasja e babës e nanës Me ndodh rrall fort e me vra i biri tanë, në gjak kuj s'i bje. I xehet se ka vra vedin para axhës e kushrijve, por në marre bje e i leçitun jet. Me ndodh me e vra i biri tamën, bje në gjak me dajën, gjininë e nanës. Me ndodh faji i nanës i randë fort, daja i thot: “Të lumt pushka!” Ndryshe ja e vret, ja ia falë gjakun.
NENI 519. Vrasja e vllajt Me ndodh e me vra vllai vllanë për faje të randa fort kushrijve u jep arsye e gjaku i vllajt shkon gjakhups. Pat lanë djalë, kur të rritet, ka të drejtë me kërkue me pleq arsyen e gjakut tet. Me vra vllanë për hise grihet ma gjakhupës katundisht prej fisit. Gjindja i jesin të leçitun.
NENI 520. Vrasja e motrës Me vra vllai motrën, u jep arsye gjindëve e kushrijve e motra jet gjakhupës. Me ndodh e xanme, mikut i jep arsye dhe i kthen shej e të prume. Me vra vllaj motrën e martueme, i jep arsye të birit e lahet. S'mund e bindi të birin, nipin e vet, bje në gjak të tij. Me ja vra kush të motrën kuj, bje në gjak të vllajt të saj.
NENI 521. Vrasja e grues Me e vra i shoqi a shpija e tij gruen, veç për gabim e faj a për fjalë goje, se ban punë të keqe, i shoqi a shpija e tij binë në gjak të gjinisë. Shpija e burrit jep arsye e lanë gjysë gjaku. S'i ndej në te gjinia, e vret, i ka borxh gjysë gjaku shpisë së burrit.
NENI 522. Vrasja e burrit prej grues Me ndodh rrall fort e me e mbyt grueja burrin e vet, ajo s'bje në gjak, po lshon gjininë në gjak. Me e vra gjinija binë e vet, i jet gjysë gjaku shpisë së burrit. Me qit pushkë e me marr gjak në gjini, gjaqet jesin krye më krye. Me e vra gruen shpija e burrit merr gjak me nji gjysë gjaku. Gjinija e lanë gjysën tjetër të gjakut e lahet.
NENI 523. Vrasja e kunatës Me ndodh e me e vra kunatën në punë të keqe, kunata jet gjakhups, gjinija bje fishekun me “Të lumt pushka!” Për hjeksi e vrasë të vllajt, nuk vritet. Në gjak bje gjinija.
Kreu III
Vrasja e grues shtatëzënë
NENI 524. Vrasja e grues me barrë prej shpisë a gjinisë së vet Me ndodh e me e vra gruen me barrë shpija e burrit a gjinija e vet pa hiri a në punë të keqe, grueja e barra e saj jesin gjakhups. Me u ba gjaqe të tjera me shpinë e burrit vra në punë të keqe me gruen me barrë, barra vehet për gjak.
NENI 525. Vrasja e grues së huej me barrë Me ndodh e me e vra kush gruen e huej me barrë, bje në gjak. Me u bind shpija e grues e gjinija e saj se asht vra pahiri, gjaksi u ka borgj gjakun e grues e të barrës. I lau gjaqet, ma për çato gjaqe nuk ndiqet.
NENI 526. Të çmuemit e gjakut të grues me barrë Gjakun e grues e kërkon gjinia. Gjakun e barrës e kërkon i jati i barrës. Gjaku i grues asht 6 qese. (Herët qe 3 qese). Gjaku i barrës 6 qese. Mos me u bind i jati, çelet grueja. Doli djalë, ka 12 qese; doli çikë, ka 6 qese.
Kreu IV
Vrasja padashje
NENI 527. Vrasja pa hiri Me vra kush kend pahiri, s'ndiqet për gjak, por lanë gjak. Deri sa të provohet vrasja, gjaksi do të rrinë në ngujim në miq e dashamirë. Me ba mos me u bind shpija e të vramit për vrasë pahiri, gjaksi i ka borxh benë me 24 betarë. S'mund ja bani, ndiqet për gjak.
NENI 528. E shkrepmja e pushkës pahiri Me u shkrep pushka kuj pahiri e me vra ja me varrue kand, i zoti i pushks s'ndiqet për gjak, por lan gjak. Me shkue mik e me e varë pushkën në krrab, e me u kput rrypi, ja me e lanë ngreht e shkrepet pushka, e vret kend, i zoti i pushkës ka borgj gjakun, lan gjakun. “Pushka e qeni don hekrat në gojë” Me u kthye krraba e me u shkrep pushka dhe me u vra kush, i zoti i krrabs lan gjakun. “Kujn e ke për krrabë e jo për kurth”
NENI 529. Vrasja e vedvedit Me vra ja me varrue kush vedin, shkon gjakhups. Gjak e varë s'mund i kërkohen kuj. Me vra kush vedin kah se s'ja la tjetri vendin tuj i ndej shkype mbi krye e mos me mujt me ja dalë kah se asht shpi e fortë, gjakhups jet, po shpija që i ka ra në qafë jep arsye në katund e bajrak. U ba ndojherë shpija e të vramit e fortë, lyp gjakun e vet. Shpija e mbetun në faj ja i lan gjakun, ja i rri gjakut për gjak. “S'më la rrugë çel dhe rash e theva qafën. Për faj tand diqa!” Vrau vedin kah se s'ja pau çajren të vllajt a të birit gjakhups shkon, po i vllai a i biri jesin të leçitun në kushri e katund.
NENI 530. E mbytmja prej qenit a shtasës Me ndodh e me lanë ndoken dekët qeni, kau, dashi, kali, mushka a gomari, i zoti bje në gjak. Me mbyt mashkull, ka borxh nji gjak; me mbyt femën, ka borxh gjysë gjaku. “E mbyti shtasa jote, po shtasa ka të zonë. Shtasen bane zap për hekrash a për konopi, ja lshoje me çoban. Ndryshe bje në gjak”
NENI 531. Mbytja barrës së huej pahiri E pave gruen e huej, ke detyrë mos me e frigsue, me e kërcnue, as mos me qit pushkë kund afër saj. Ndryshe, ndodhi grueja me barrë e ju ba barra dam, bje dyfish në faj: gjakun e barrës e nderin e marrun të grues huej. I re moh fajit tand, pleqnohesh me pleq. “Deka e barrës për faj tand, të lshon në gjak” Bane e vune dorë a dhunë në gruen e huej, e asaj ju ba barra dam, prap dyfish në faj bje. “Grueja e huej s'preket me dorë. Largoju grues së huej. Mos lyp sherr!”
NENI 532. Përgjegjësia e të zot të shtasës për barrën e huej Asht grueja huej për rrugë a në oborr të shoqit dhe e hangër qeni yt e grues ju ba barra dam, ti bje në gjak. “Qeni do hekrat e hekrat janë në dorën e të zot” E vrau gruen e huej kau a dashi, kali a mushku yt, dhe asaj ju ba barra dam, ti bje në gjak. “Gjanë mbaje me çoban. Qeni, kau, dashi, kali e mushku të lëshojnë në gjak”
Kreu V
Dëmtime dhe gjymtime të shëndetit
NENI 533. Varra sakate Mbet kush i varruem prej pushke, varra sakate me Kanu çmohet gjysë gjaku, 6 qese. Varra sakate si mbi brez, si nën brez, nji çmim ka, 6 qese. Varra sakate në burra të rij tuj e lan me jetue në kraht e gjindëve të shpisë, çmohet nji gjak burri të palës ngucatare.
NENI 534. Varra e qenit Me ndodh e me hangër qeni dikë, i zoti i qenit i ka varrën borxh. Me ndodh i varruemi udhtar a lypës, ja ka borxh mjekimin, të fjetmen e bukën deri sa të bahet i zoti për rrugë. Me detyrë e ka ta mbajnë e të kujdeset për te edhe 6 javë me i mbet në votër. Ta fali i varruemi varren e qenit, dija për nder.
NENI 535. Varra e kaut, e kalit dhe e mushkut Me ndodh ndoj ká taroç vrastar, kalë a mushk dhe me varrue kend, i zoti i shtasës i ka borxh varren të varruemit. Varra do të lahet për varrë të letë a për varrë sakate, si të jetë pleqnue me pleq. Shtasën që vret i zoti ka detyrë me e mbajt lidh a me çoban mbas tij. Çobani ja e mban lidh, ja e kullot larg njerëzve. Ma kalue kush afër, ka detyrë me e porosit të ruhet prej shtaset që vret.
5. MBRAPSHTINA E VRASJE KUNDËR KAFSHËVE E PASURISË
Kreu I
Vjedhja
NENI 536. Shpija e thyeme “Shpija e thyme, ka 500 grosh” Kanuja e Lekës thot: me ja thy kuj shpinë për hajni, për dam a hjeksi, fajtori lanë 500 grosh gjobë për shpi të thyeme. Në shpi të thyeme hinë: kullë e shpi, çarranik e vath, ksollë e të buna, bletë e kotec pulash. Ja hape dikuj shpinë për ndoj sherr a hjeksi, me u hetue, lanë 500 grosh gjobë. Ja hape dikuj vathin a ksollën dhe berret hynë e banë dam në arë a kopshtije, fajtori lanë 500 grosh për “shpi të thyeme” e damin tepër. Ja vodhe a ja rrxove koritat e tamlit në qarranika zhgonin e bletës, lanë 500 grosh gjobë e damin tepër. Me u gjet tuj hap shpinë, vathin e ksollen e huej, do të lajsh 500 grosh për shpi të thyeme. Në oborr të huej nuk hyhet pa i thirr të zot t'shpisë. Si t'i kesh thirr tri herë, sëmund të thotë kush: “Ça po ban aty, mor?!”
NENI 537. E vjedhmja E vjedhmja asht tri mnyrash: grabitje (e vjedhme me forcë); cubni (e vjedhme e msheht prej cubash); hajni në gja e sende të hueja, në arë e kopshtije, në pemë e vneshtë, në çarranik e bletë etj. prej nji shoqi a nji të huej. E vjedhmja e kamës berrit ka dypërnjahen. “I vodha gja, laj dy” Hajnitë tjera lahen nja me nja. Me u dasht kapucar, hajni ka detyrë me la edhe kapucarin e apangat e pleqve; faqen e zezë tepër. Me u ba gja dam kah vidhet, edhe damin e ka për krye vjedhci. Grabitja asht ma e randa. “Dami lahet, po nderi s'lahet” I zoti i gjasë ja qet pushkë e vret dorasin, ja i bje pre grabitçarit tuj i marrë dy për nja, ja e fal për ndërmjetësinë e krenëve dhe të pleqve, të miqve e dashamirësve.
Kreu II
Vrasja e kafshëve shtëpiake “Vrave qenin, vrave rojën e të zot”
NENI 538. Vrasja e qenit Me i vra kuj qenin në hekra, në punë të vet, mbas gjasë a çobanit, bje në gjak. I zoti i qenit jet i koritun. Ai nderet, kur qet pushkë e vret dorasin, jase ja le për gjykim katundit, kur katundi hyn ndërmjet e dorasi lyp pendesë.
NENI 539. Të çmuemit e vrasjes së qenit Gjaku i qenit çmohet gjysë gjaku. Me ndodh të vramë e të varruem mes dy palësh, kur të bahet pajtimi, gjaku i qenit vehet me nji varrë burri, jase me nji gjak grueje. “Asht e randë fort vrasja e qenit”
NENI 540. Vrasja e kaut Kau nuk i vritet kuj për kollaj. Me ndodh e me i vra kush kuj kaun e kularit, veç damit, poshtnon të zon e kaut. Me at vrasë i diftohet të zot se e ka nguc tjetrin pa i pas borxh, pa hak e hile; me vrasen e kaut i diftohet të zot mos me e nguc tjetrin ma shumë për mos me e shty në vrasë e gjak! “Mos i nguc grenzat me krande se je tuj nguc të zezën tande” “Më nguce keq, të vrava kanë. Në daç po i lamë krye më krye, në daç kap pushkën e po vritna!”
NENI 541. Të çmuemit e vrasës së kaut Me t'ju vra kau dikuj prej dikuj tjetër, të dy palët jesin në ngujim. Vrasja e kaut bahet shkas për vrasë ndër vedi. Katundi hyn ndërmjet dhe pleqnon dam e faj. Damin për vrasën e kaut dhe fajin e të zot t'kaut. Ma Kanu të Lekës vrasa e kaut e faji i të zot kaut jesin “gjak për gjak, krye më krye” Mos me u pleqnue faji për faj, vrasja e kaut çmohet gjysë gjaku, 6 qese. “I bane dam kanë, i la art pa mbjell e i ra ndesh nderit të zot. Laj tash 6 qese e të mbyllet me kaq kjo punë”
NENI 542. Vrasja e këndezit Me ndodh e me ja vra kush kuj këndezin, korit të zonë e këndezit. Me Kanu vrasa e këndezit çmohet gjysë gjaku. “Ja vrave këndezin me e poshtnue. Laj gjysë gjaku, pra!” Me u çue i zoti i këndezit në çat gjak të xetë e me ja vra fajtorit qetë në hulli, qetë shkojnë gjak për gjak me këndezin.
NENI 543. Vrasja e ogiçit të kumbonës Ogiçi a sjapi i kumbonës nuk i vritet kuj as për dam, as për smiranaze, as për kryeneqsi a trimni. “T'bani dam, lum shoqi, t'laj damin” Me i vra kuj ogiçin a sjapin me kumbonë në qafë në kullosë, rrugës a në mriz para tufës, i zoti i ogiçit, a i sjapit të kumbonës jet i koritun para shokësh e miqsh. “Ta vrau ma t'poshtnue. Ja qit pushkë e laj vedin, ja mbete kryexan për jetë” Hyni katundi me pleq pajtimi, i zoti i ogiçit a i sjapit të kumbonës i shtrohet arsyes së katundit. Vrastari lanë gjysë gjaku, ja lanë dypërnjahen e i bje ogiçin e vet për dore tepër.
NENI 544. Vrasja e gomarit e çmimi i tij Me ndodh e me ja vra tjetrit gomarin në pré a me e poshtnue, gomari çmohet gjysë gjaku. Me u ba vrasë e varrë ndërmjet dy palëve, në pajtim gjaqesh vrasa e gomarit vehet me nji varrë burri. “Pse vrave magarin e huej?! Vet deshe, vet laj pra! Pleqni tjetër s'ka”
Kreu III
Raste të veçanta mbrapshtishë
NENI 545. Me e vjedh mikun Me ndodh e me ta vjedh kush mikun në shpi tande, vjedhcit i kërkohet shpija e thyeme e nderi i mikut të premë, 500 grosh për të parën e 500 grosh për të dytën. Me ndodh ndoj shpi brace e pamarre dhe me e vjedh vet mikun, ka “faqen e zezë”, gjobën prej katundit dhe t'leçitmen për 1 brez.
NENI 546. E vjedhmja e fmisë Me ba me vjedh fmija gjanë e huej, prindja lajnë gjobën e kthejnë gjanë e vjedhme. Me u damtue gjaja e vjedhme, lajnë sa të çmohet me pleq. Për fmi gjoba asht sa për gjysë të të madhit. “Paj fmi bre burr!” “Fmi, fmi, po venja menden fmis. Fmija i keq të fikë derën”
NENI 547. E vjedhmja e grues Me ndodh gruaja brace nëpër shpi, qortohet e dënohet. Mos me ndrrue rrugë, i pritet theku e lëshohet, ja qitet pjesë në vedi me të shoqin. Me ba me u mësue grueja e me vjedhë nëpër mahallë a katund, i shoqi lanë damin e gruen ka detyrë me e lëshue. Me ba mos me e lëshue, lanë gjobën e të vjedhmen simbas Kanusë. Herët i shoqi e vriste. “Grueja që vjedh edhe hjekson, edhe kurvnon”
NENI 548. Shitja e gjasë së vjedhme Me u kap kush tuj shit gjanë e vjedhme, do t'i lahet të zot të gjasë me Kanu. Mos me ja pranue ankesën të zot të gjasë së hupun dhe mos me e dhanë për të vjedhme gjanë për dore, atëherë do t'i lahet ankuesit me prova e bé. “I ngjan njeriu-njeriut, jo më berri berrit” Me u kap gjaja a sendi i vjedhun mbasi të jet shit, blesi i kthen gjanë të zot. “I zoti merr gjanë e vet ku ta gjejnë” Me u kap cubi që e shiti, ja lanë të zot simbas Kanusë: gjobën e dypërnjahen.
Kreu IV
Grabitja dhe preja
NENI 549. Grabitja dhe preja në rrugë të madhe “Rruga e madhe ka punën e vet” “Burrit që asht burr nuk i del punë me rrugë të madhe” Me dalë kush e me grabit rrugën e madhe, tandon katundin. Me ndodh i katunds, katundi i merr gjobë nji ká dhe e danë katundisht. Të zot i kthehet gja e vet. Me ndodh grabitësi i huej, i kthen gjanë të zot e katundit i ka borxh 500 grosh, për rrugë të thyeme. Me i dal dikush dikuj në pritë në rrugë të madhe e me i ndalë me pushkë në dorë nji berr për berrin që ja ka pas borxh, kush të keqe s'mund t'ja bajnë. “Mori borxhin e vet”
NENI 550. Preja për detyra të ndryshme Me Kanu preja nuk merret për detyrë: për fjalë të dhanun, për të rame ndesh a për ndoj hajni të bame a ndoj punë tjetër. Preja e parrugë do t'i kthehet të zot. Për trazim të bamë, i lanë gjobë katundit; për faj e dam, i lanë të zot simbas pleqnisë së pleqve.
Kreu I
Pjesëtarët e përjashtimeve
NENI 551. Përjashtime të kishës e të xhamisë Kisha e xhamija përjashtohen prej çdo të dhetë e xhelep, për çdo gjobë e ndëshkim, për çdo detyrë në punët e katundit e të bajrakut. Për djelmni katundi e bajraku s'kanë detyrë as për bukë, as për strehë. Deshtën me ndihmue, ndera e tyne.
NENI 552. Përjashtime për fetarin Fetari përjashtohet prej djelmmnie në katund, në bajrak e dhé. Kush të drejtë s'ka me i thirrë me djelmninë në luftë. Shkuen vet me u dhanë zemër e bekim, ndera e tyne, detyrë s'mund t'u bahen.
NENI 553. Përjashtime tjera për djelmni Me Kanu farkëtari e djali i vetëm i shpisë së vogël s'mund të thirren në djelmni. “S'mund të jes katundi pa farkë, as s'mund të qitet fare nji shpi për me çue djalin e vetëm në djelmni” Me ndodh e me hi djali i vetëm në djelmni, bajraktari ka detyrë me e lut të dalë prej djelmnije e të kthehet në shpi. S'u bind djali vet, djelmnija me zor s'kanë të drejtë me e qit prej rreshtit.
Kreu II
Përjashtime për raste të veçanta
NENI 554. Nuk ndiqen për gjak Fetarë: qoftë prift, qoftë hoxhë, s'ndiqet për gjak. Asht në besë të katundit. Me ra në gjak shpija e fetarit, fetarin s'ka kush të drejtë me e ndjek për gjak. Me ndodh rrallë fort e me qit pushkë prifti e me vra a varrue kend, ai s'bje në gjak; po lshon shpinë e vet në gjak. “Prifti e grueja s'binë në gjak, po lshojnë në gjak” Prifti e grueja në Kanu nuk ndiqen për gjak.
NENI 555. Nuk mund të ngushtohet për bé Fetarit nuk mund t'i bahet detyrë beja si betar. Me ndodh rrallë fort e me ju kërkue me ba bé për faj e dhunë të fetarit, fetari s'mund të detyrohet. Me desht ai ban bé me dorë në ungjill a qitape, po detyrë s'mund t'ja baj kush. Me u dasht beja me doemos, i apri i fesë cakton dike tjetër me ba bé për te. Burrit të grues me barrë s'mund t'i bahet detyrë me ba bé ndër betarë.
Kreu III
Ndalime të kanunit për gruen
NENI 556. Ndalesa kanuje për gruen Kanuja nuk e lejon gruen me u marr plak, kapucar, për vend e za në Kuvend, me pas të drejtë pjese as në gjini, as te burri i saj. Burri ka detyrë me e mbajt për jetë.
NENI 557. Virgjneshat Virgjneshat, pse veshen si burrë e ngjeshin armët, s'kanë të drejtë zani e Kuvendi, veç kur janë mbrenda katundit në kambë tet plak, të mbetun rreth votrës.
F U N D
| |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) | |
| |
| | | | Kanuni i Lekë Dukagjinit (Pukë) | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |