Pllaka e gurit me varrimin dardan, gjetur në Dardanë, shek. III-I p.e.s., madhësia 127 me 82 cm
Elementet për t'u vu re në pllakën mortore të Dardanës:
- Bartja e të vdekurit në arkë, me krahë nga ana e disa meshkujve (traditë që mbahet edhe sot te shqiptarët)
- Priftënesha merr pjesë në varrim si udhëheqëse e ritualit (prek me dorë arkën e të vdekurit)
- Valltaret lozin një valle mortore
- Valltaret kanë të veshura xhubleta
- Meshkuj që bajnë gjamën për të vdekurin
- Kafshë që nuk u dihet funksioni por mbase mund të jenë kafshë blatimi
- Numri tre përsëritet (tre gjamatarë, tri valltare etj.)
Në një përshkrim nga arkeologia E. Shukriu në librin "Kosova antike" (Prishinë, 2004) thuhet:
"Vëmendje të veçantë dardanët i kushtonin jetës pas vdekjes, rrjedhimisht jetës së tejbotshme. Prezenca e priftëreshës në krye të kortezhit funeral në monumentin mortor të Dardanës (shekujt III-II) dhe dora e saj që prek arkën e ushtarakut të vdekur shpalos sferat e panjohura deri më tash të botëkuptimeve religjioze dardane. Prekja e priftëreshës nënkupton bartjen e shpirtit të të vdekurit në sferat e amshueshme, ndërsa vallëzimi e mbështet dhe e lehtëson këtë bartje. Edhe në këtë monument shprehet koncepti i treshit, si edhe në labyrinthin rrethor nga Smira: tri horizonte kompozicionale, tri valltare dhe tre gjëmëtarë. Këto dy monumente, ndonëse kohësisht të ndryshme, janë pjesë e të njëjtit koncept religjioz dhe që të dyja shpiejnë në përfundim mbi zhvillimin e kozmogonisë dhe të kozmologjisë tk dardanët."
Ndërsa në "Guidë arkeologjike e Kosovës" jepet ky shpjegim:
"Një relief i skalitur apo stelë e shfaqjes së një procesioni mortor
që pasqyron kortezhin funeral të një burri, arkivoli i të cilit përcillet
nga ajo që duket të jetë e shoqja e të ndjerit në krye të saj, ishte gjetur
rastësisht në arealin e kalasë së Kamenicës (Dardanës) gjegjësisht rrëzë
saj në jugperëndim te këmbët e kalasë. Është krijimtari e kohës së fundit
të periudhës klasike (V-IV p.e.s), por mund të jetë edhe nga fillimi
i periudhës helenistike (IV-I p.e.s.). Kjo skenë i përngjan gjamës apo
vajtimit masiv që është një rit i organizuar, këndim vajtues në grupe,
që praktikohet ende në Malësinë e Gjakovës, dhe si e tillë mbase mund
të trajtohet si trashëgimi shpirtërore mijëravjeçare. Në anën tjetër, nëse
shikohen figurat e grave në këtë monument që paraqet një ceremoni
funebër, vajtueset mbajnë të veshur një lloj fustani që ngjason me
xhubletën ilire (në formë kambanore), dhe e cila mendohet se ishte një
veshje tipike autoktone, e grave e përdorur që nga periudha e bronzit
dhe që akoma praktikohet në viset e thella malore dhe në vendet e
ngritura në trojet e banuara me shqiptarë."
Guidë arkeologjike e Kosovës