FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Mjekësia te ilirët

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Mjekësia te ilirët Empty
MesazhTitulli: Mjekësia te ilirët   Mjekësia te ilirët EmptySat 26 Feb 2022, 20:57

A. Stipçeviq, "Ilirët"

SEMUNDJET


Për njohjen e sëmundjeve prej të cilave lëngonin ilirët janë dy burime, por që të dyja të pamjaftueshme të na japin një pamje fare të zbehtë për gjendjen shëndetësore në Iliri në kohën parahistorike dhe atë historike. Ekspertët mjekësorë nuk kanë shfrytëzuar ende sa duhet faktet arkeologjike që duke analizuar eshtrat, të cilat janë zbuluar në varret ilire ose në vendbanimet e tyre, të mund t'i konstatojnë shumë sëmundje*.

Pak më tepër marrim vesh prej autorëve antikë, mirëpo edhe te ata shënimet më së tepërmi kanë të bëjnë me periudhën mbasi romakët i pushtuan ato vise, ndërsa për kohët më të lashta, janë shumë më të rralla. Kështu, është interesant shënimi të cilin e shkroi hsitoriani Apiani se Apoloni te autariatët e dërgoi mortajën për shkak se keltët u nisën kundër Delfit. Mortaja dhe epidemi të ngjashme me siguri mjaft shpesh do të kenë goditur popullsinë ilire, sepse për sëmundje të këtilla kemi më së shumti shënime. Megjithatë, nuk është e mundshme që në bazë të këtyre shënimeve të autorëve antikë të vërtetohet se për çfarë sëmundjesh ka qenë fjala me të vërtetë.

ILAÇET

Ilirët njihnin shumë barëra mjekuese, me të cilat mjekonin sëmundjet e ndryshme. Disa nga bimët e këtilla u bënë të njohura edhe në periudhën romake për shkak të veçorive të tyre të jashtëzakonshme mjekuese. Edhe ato mund të na japin një pamje fare të zbehtë dhe jo të plotë të farmakopejës së pasur. Ne do t'i përmendim, sepse ilaçet që janë bërë prej tyre, e bënë të njohur këtë farmakope në tërë Perandorinë Romake.
Ndër këto bimë, më e njohura ishte lulëshpata, e njohur në kohën antike me emrin Iris Illyrica, veçoritë e shumta mjekuese të së cilës i lavdërojnë shumë autorët antikë, prej filozofit grek Teofrastit e deri te mjeku Dioskurid dhe polihistoriani Plin. Sipas Dioskuridit, trungjet e thara të lulëshpatës i shpërthejnë të thatët, vënë në gjumë, shërojnë dhimbjet e kokës, ndërsa kërcejt e bluara, të përziera me mjaltë shkaktojnë abort e të tjera. Plini thotë se trungu i luleshpatës mjekon edhe shumë sëmundje të tjera, gjithashtu ky trung, për shkak të aromës së këndshme, shërben edhe për pergatitjen e lëngjeve aromatike. Pluhuri i irisit, i përzier me disa barëra të tjera shërben për përgatitjen e hapeve, të cilat zonjat e larta romake i mbanin të rreshtuara rreth qafës në mënyrë që të zhduknin erën e pakëndshme të djersës. Eshtë interesant edhe fakti se Plini rekomandon që trungu i tharë i luleshpatës t'i varej në qafë foshnjes kur të nisnin t'i dilnin dhëmbët. Ky zakon është ruajtur, në të vërtetë, në disa vise tonat edhe sot! Edhe shumë autorë të tjerë shkruajnë për kualitetet e jashtëzakonshme, natyrisht të tepruar, të irisit që rritet në Iliri (Columella, Galen, Paulus Aegineta dhe gati të gjithë që në antikitet shkruan për mjekësinë dhe farmakologjinë) duke vërtetuar kështu popullaritetin shumë të madh të kësaj bime në botën e atëhershme.

Prej një numri të madh bimësh të tjera mjekuese që janë rritur në truallin ilir dhe eksportoheshin nëpër tërë Perandorinë Romake, famën e arriti genciana ose sanëza, në terminologjinë bashkëkohore botanike e njohur si Gentiana lutea L. Ilirët, e mandej edhe të tjerët e përdornin këtë bimë kundër sëmundjeve të ndryshme, të thatit etj., ndërsa emrin e mori nga mbreti ilir Genci, për të cilin thonë se i pari i njohu veçoritë mjekuese të saj.

Prej këtyre shënimeve mund të përfundojmë se mjekësia popullore e bazuar në përdorimin e bimëve mjekuese ishte mjaft e zhvilluar te ilirët. Përveç kësaj mjekësie racionale, bazuar në përvojë, ekzistonte edhe tjetra, ndihmën e së cilës e kërkonin të sëmurët atëherë kur bimët mjekuese nuk mund t'i mjekonin sëmundjet ose plagët e tyre. Kjo ishte mjekësia magjike, e cila duket qartë se ishte e përhapur sa edhe ajo e para. Në kohën romake ishin veçanërisht të njohur magjistarë nga Panonia. Është ruajtur edhe lajmi për një magjistar të tillë, i cili gjoja, me të prekur e mjekoi perandorin Hadrian nga ethet.

Nuk ka dyshim se edhe në popullarizimin e madh të perëndisë Eskulap në mesin e ilirëve, në kohën romake, duhen parë dëshmitë indirekte për zhvillimin e mendimit mjekësor midis tyre. Aq më tepër simbas mendimit të studiuesit Milan Budimir, bile edhe vetë emri i kësaj perëndie të mjekësisë te grekët dhe romakët ka origjinë ilire.


* Si shembull se si në bazë të eshtrave të të ndjerit mund të zbulohen sëmundjet nga të cilat kanë lënguar ato po marrim shembullin e një gruaje, eshtrat e së cilës janë zbuluar në një varr në Trebenisht. Sipas analizës të cilën e bëri dr G.B. Slivic ajo grua "në fëmijëri kishte lënguar nga rahiti" (Ekspertizën e paraqet Nikola Vulic Novi grobovi kod Trebenista, Spomenik Srpske kraljevske akademije. lib. 76, 1933, fq. 34).
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Mjekësia te ilirët Empty
MesazhTitulli: Re: Mjekësia te ilirët   Mjekësia te ilirët EmptySat 26 Feb 2022, 21:00

LINDJA, JETA, VDEKJA

Varoni na rrëfen se gratë ilire lindnin lehtë. Kur vinte koha e lindjes, largoheshin nga puna në fushë, lindnin pa ndihmën e askujt dhe menjëherë ktheheshin e vazhdonin punën, duke mbajtur fëmijën "sikur ta gjenin e jo ta lindnin".

Lehtësia me të cilën gratë ilire i lindnin fëmijët, dhe që aq shumë e kishte habitur romakun Varon nuk ishte kurrsesi specifike për iliret, sepse me të njëjtën lehtësi lindnin të gjitha gratë në civilizimet e paurbanizuara. Fatkeqësisht ilirët para okupimit romak, e shumë kohë pas tij, ende nuk dalloheshin për diçka prej popujve të" tjerë në të njëjtën shkallë të zhvillimit, e kjo ishte mortaliteti i madh i fëmijëve të vegjël. Carlo Marcheseti, i cili e gërmoi nekropolin e madh nga koha e hekurit te Mosti në Soçë (Santa Lucia) afër Tolminit, numroi 770 skelete fëmijësh (ose 28,15%) ndaj 1960 (ose 71,85%) të rriturish. Një situatë të ngjashme e kemi edhe më vonë në kohën romake, duke gjykuar simbas shënimeve për kohën e të varrosurve që i gjejmë në varrezat e kësaj periudhe. Nga analiza e të dhënave për moshën e të varrosurve në varrezat e periudhës romake mund të zbulohet gjithashtu edhe jeta mesatare e ilirëve në kohë. Kështu marrim vesh se jeta e mashkujve, mesatarisht ka zgjatur rreth 39 vjet, ndërsa te gratë 36. Në Panoni dhe në Norik, ku kushtet e jetës ishin relativisht më të mira se në viset malore të Ballkanit Perëndimor, meshkujt jetonin mesatarisht 43,15 vjet, ndërsa femrat 43,93 vjet. Nga këto monumente e dimë se në lliri kishte njerëz që jetuan nga 100, bile edhe 125 vjet (në Salonë).
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Mjekësia te ilirët
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Mjekrrat te ilirët
» Lulengjyrat te ilirët
» Pijet te ilirët
» Higjiena te ilirët
» Veshmbathjet te ilirët

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Shkencë :: Mjekësia besëlashtë-
Kërce tek: