Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Monedhat Wed 16 Mar 2022, 15:58 | |
| MONEDHAT
Zhvillimi i shpejtë ekonomik dhe shoqëror i shoqërisë ilire, nga fundi i epokës së vjetër dhe në fillim të epokës së re të hekurit, shkaktoi edhe shfaqjen e mjeteve të pagesës - monedhave. Deri në shek. IV para e.re. ilirët, bile as ata më të zhvilluarit në Iirinë e jugut nuk i njihnin monedhat, por për pagesë me tregtarët e jashtëm përdornin disa gjëra të vlefshme, siç ishin rrotullat metalike, guaca të ndryshme e të tjera, ose ndoshta, pagesa të tilla bëheshin në natyrë në formë shkëmbimi. Shumica e ilirëve nuk do të përdorin monedhat deri me ardhjen e romakëve. Për dalmatët këtë e dimë edhe prej një lajmi të cilin e gjejmë te Straboni: "Veçoria e tyre në krahasim me banorët e tjerë në këtë bregdet është edhe kjo, se nuk shërbehen me monedha të prera, e kjo është veçori e përbashkët me shumë barbarë të tjerë".
Megjithatë, prej shek. IV para e.re. fillojnë të presin monedha edhe ilirët në Ilirinë e jugut, të cilët në pikëpamje kulturore dhe ekonomike ishin më të përparuar, kishin zhvilluar shumë forma të jetës urbane, kishin organizmat e tyre shtetërore dhe në përgjithësi kishin arritur atë shkallë të zhvillimit shoqëror kur monedha bëhet instrument i domosdoshëm i zhvillimit të mëtejshëm ekonomik.
Para se ilirët të fillonin vetë të presin të hollat e veta, ato i presin në Ilirinë e jugut kolonitë greke Dyrrhachion (rreth vitit 430 para e.re.) dhe Apolonia (disa vjet më vonë). Monedhat e prera në qytetet greke bëhen shumë të pranueshme te ilirët, kështu që në sasi të mëdha i gjejmë gati në të gjitha viset ilire, bile edhe më larg në lindje, te dakët etj. Ilirizimi progresiv i këtyre kolonive greke, sidomos në shek. III dhe II para e.re. si dhe paraqitja e një numri gjithnjë e më të madh emrash ilirë në këto monedha, na jep të drejtë që për këto të holla të flasim, nëse jo sikur të ishin ilire, atëherë gjithsesi si për monedha ilire-greke. Aq më tepër pasi në serinë e monedhave që priten në Dyrrhachion paraqiten edhe monedhat e sundimtarit ilir, Monouniut dhe trashëgimtarit të tij Mytilit (fillim i shek. II. para e.r.)
Krahas me aktivitetin e këtyre prerësve të të hollave, të hollat e veta i presin edhe vetë ilirët, vërtet jo në sasi aq të mëdha dhe jo me kualitet aq të mirë siç priteshin nëpër ato qytete. Prandaj, përdorimi i këtyre monedhave ishte i kufizuar në viset ku priteshin duke mos arritur kurrë përhapjen që e kishin monedhat e Dyrrhachionit dhe të Apolonisë.
Qysh në shek. IV para e.re. prodhohen monedhat e argjenda në qytetin ilir Damastion (midis vitit 400 dhe 280 para e.re.) Këto ishin monedha me kuaiitet shumë të mirë dhe për nga pamja e tyre nuk mbeteshin prapa prej ekzemplarëve grekë. Po në atë shekull, farkojnë monedhat e veta edhe kolonitë greke në detin Adriatik, si Korkyra Melaina, Issa, Herakleja dhe Farosi, në atë kohë paraqitet në ishullin Vis edhe emisioni i monedhave të farkuara të sundimtarit lokal ilir, Ioniosit.
Në shek. III para e.re. shfaqen monedhat e qyteteve ilire dhe ilire-greke në Shqipërinë e sotme: Amantias, Byllisit, Scodrës, Lissosit, Oricumit dhe Olympit. Përveç këtyre monedha pret edhe qyteti ilir Rhizon (Risan, në gjirin e Bokës së Kotorit).
Në shek. II para e.re. pasi romakët bënë hapa vendimtarë në ato vise, monedhat i farkojnë edhe dy fise ilire - daorsët (rreth Neretvës) dhe labeatët (rreth liqenit të Shkodrës). Gjithashtu në shek. II para e.re. monedhat e tyre edhe dy sundimtarë ilirë: Genci (197-168) dhe Balloi.
Për njohjen e historisë politike dhe ekonomike të këtyre qyteteve, të fiseve dhe të sundimtarëve monedhat kanë rëndësi të madhe, mirëpo, duket se në kohën kur dolën në shesh këto monedha, për shkak të sasive të vogla që priteshin, ato nuk mund të kishin rol të rëndësishëm si mjet pagese. Bile as monedhat e qyteteve të pasura dhe të mëdha greke si Issa ose Fari nuk qarkullonin shumë më larg se brezi i ngushtë i bregdetit adriatik, prandaj mund të thuhet lirisht se monedhat e kolonive nuk kishin rol më të rëndësishëm në ekonominë e fiseve ilire rreth e rrotuil. Megjithatë, fakti se në një numër aq të madh qytetesh ilire gjatë shek. III, e veçanërisht të shek. II para e.re. janë farkuar monedha tregon se ilirët, në ato vise, kishin nisur të këmbenin në pikëpamje ekonomike dhe kulturore me koionitë e afërme greke.
Në të njëjtën kohë kur farkoheshin monedhat në Ilirinë e jugut dhe në bregdetin e Adriatikut të Jugut e të mesëm, edhe një fis, peonët, presin prej shek. IV para e.re. monedhat e veta. Mbretërit e tyre, Audoleon, Patraos dhe Lykkeis zhvillojnë një aktivitet mjaft të madh në këtë fushë. Mirëpo ky aktivitet dallohet fare pak për nga kualiteti dhe pamja prej atyre që farkoheshin në Greqi. Edhe vetë peonët në këtë kohë helenizohen gjithnjë e më shpejt dhe kështu gjithnjë e më tepër humbin karakteristikat e fisit barbar, johelen.
Fiset e tjera ilire, bile edhe ato më përparimtare si japodët ose liburnët, ose ato që jetonin në viset e pasura me xehe në Slloveni nuk presin para ardhjes së romakëve monedhat e tyre. Ata rrallë përdornin monedhat e huaja.
Gjatë shek. II dhe I para e.re. qarkullojnë edhe monedha të tjera të ndryshme të provincës, afrikane, italike dhe greke. Është e mundshme që këto monedha ilirëve ua sollën tregtarët nga Afrika, të cilët vinin këndej për të marrë qelibar dhe mallra të tjera, mirëpo na duket e besueshme se disa sasi më të mëdha të këtyre monedhave kanë arritur në duar të ilirëve si plaçkë e luftës pirate).
| |
|