DJELMËNIA DHE MBAJTJA E ARMËS NË LIGJIN FISNOR
Sipas Ligjit Fisnor (ndryshe Ligji i Maleve apo Kanuni, këtu e tutje Ligji), mbajtja e armës është e drejtë e çdo mashkulli të rritur, ndërsa përdorimi i herë-pas-hershëm dhe i përhershëm iu lejohet edhe femrave. Kjo nuk është anarki siç mendojnë disa, por një jetë e rregullt ku zbatohet drejtësia, siç do ta shohim në vijim. Ligji nuk njeh shtet të ndarë nga populli. Ligji njeh një shtet-popull, ku populli e shteti janë një. Megjithatë mund të bëjmë disa paralele mes shtetit fisnor dhe shtetit të sotëm. Në shtetin e sotëm kemi policë të cilët mbajnë armë, dhe zbatojnë ligjin nën urdhrat e togerit të tyre ose eprorit të radhës duke dënuar kundërvajtësit. Në Ligj kemi ‘anëtarë fisi’, ‘djelm’ ose ‘djalëri’, të cilët po ashtu mbajnë armë dhe zbatojnë ligjin nën urdhërat e prijësit të djalërisë (vojvodës) ose flamurtarit (bajraktarit) duke dënuar ‘kryekcyemit’ e ‘ngucakeqët’, ‘fajtorët’ e ‘gjakësit’.
Në Ligj fisi është një popull dhe organizimi shoqëror i fisit është një shtet në përmasa më të vogla, por i një natyre demokratike-ushtarake. ‘Anëtarët e fisit’ sipas Ligjit janë ‘7 e 70 vjet’, pra që luhaten brenda kësaj moshe, por me kalimin e kohës kjo formulë është ndryshuar në ‘16 e 60 vjet’, mbase për arsye praktike për të ruajtur djemtë e rinj nga rreziku.
Nga KLD-varianti i Pukës:
NENI 6. Anëtarët e fisit
Anëtarë të fisit janë gjithë burrnimi i fisit “në 7 e 70”. Antarët e fisit kanë të drejtë të hyjnë në djelmninë e fisit dhe ku do që të jenë, t’i dalin zot fisit të vet. Mos me i dal kush zot fisit të vet me fjalë e me armë, do të japin arsye para fisit. Edhe mos me mbet fajtorë, me marrë jesin. “I ktheve shpinën fisit tand, vend ma ndër burra s’ke”.
Siç e shohim, anëtarët e fisit janë pjesëtarë të djelmënisë, e cila është ushtri dhe njëherësh polici e fisit. Pra ‘anëtar i fisit’ do të thotë dhe ushtar dhe polic. Të tillë janë të gjithë meshkujt brenda moshës. Detyra e secilit anëtar fisi është të mbrojë fisin e tij me fjalë e me armë. Me fjalë d.m.th. të ushtrojë ‘kundër-propagandë’ kur dikush mundohet të ulë poshtë fisin e tij dhe ta akuzojë për të paqena, kurse me armë d.m.th. kur dikush rrezikon fisin e tij me mbrapshti e krime.
Detyra e anëtarit të fisit për të mbrojtur fisin me armë ka bërë që për pesëqind vite rresht fiset malësore të luftojnë të bashkuar kundër turqve, e më pas edhe kundër shkijeve, sepse pushtimet e tyre rrezikonin pikërisht fisin, apo fiset e ndryshme shqiptare.
Pra, siç shohim këta njerëz historikisht nuk kanë luajtur as rol “rebeli”, as “hajduti”, por kanë qenë qytetarë të mirëfilltë të shtetit të tyre demokratik (në të cilin ushtrohej demokraci e vërtetë, dhe jo demokraci pretencash siç shihet në ditët tona). Këta qytetarë njëkohësisht ishin të punësuar si policë që zbatonin ligjin e tyre në vendin e tyre. Për punën e tyre si policë, anëtarët e fisit merrnin edhe shpërblimet përkatëse ashtu sikur policët e sotëm që marrin pagë.
Punët që bën djelmënia (policët) janë të ndryshme:
1. Ndalon martesën brenda gjakut e farefisit për të lindur fëmijë të shëndetshëm
Para se me hy për martesë, pyet për fis e gjak. “Doli çika e fisit tand, hiq dorë prej saj”. “Martesë në fis s’mund bash. Bane guxove, ke fisin në shpinë”.
2. Ruan nusen nga sulmi e grabitjet derisa ajo të zhvendoset në shtëpinë e re tek burri (krushqit).
3. Mbron mikun nga cilido armik që mundohet ta plaçkisë a ta vrasë.
NENI 141. Detyrime të veçanta për mikun
Mikut me hasëm mbi krye ja ke detyrë ndere të përcjellmen deri sa ta çosh ku lyp ai a ta sigurosh me ndoj shoq a dashamirë për aty.
4. Ruan rendin dhe qetësinë publike kur ka festa disaditore që festohen në tërë trollin e fisit.
NENI 147. Besa e fisit për miqt e festës
Fisi ban sull e ve besë për festën me miq (Brigjet e Dush). Besa vehet për natën e festës e çaç ditë sa ka festa. Dita e fundit, Ditori i festës, ka besë deri sa të prendoj dielli mal më mal. Besa asht ndorja e mbarë fisit që e ka vu.
Me hy miku mbrenda fisit që po lut festën, bahet ndorja e mbarë fisit. I bani kush dhunë apo e vrau, fisi mbarë kërkon nder e gjak.
Qe i fisit dorasi, i digjet shpija e gjaja i merret gjobë. Dorasi ndiqet për gjak. Me e xan, fisi e vret katundisht, tue e lanë gjakhupës.
5. Zbaton ligjet e Kuvendit, sikurse policia e sotme zbaton ligjin e miratuar në parlament.
NENI 166. Tagri i Kuvendit
Kuvendi ka tager gjygjesh e peshimesh, dënimesh e gjobash, sullesh e besëlidhjesh.
Mbi ujdinë dhe sullet e Kuvendit nuk mundet me dal kush. Pakica i bindet shumicës e nuk mundet me ba kryemveti.
Ujdi e sulle të Kuvendit mbrenda e jashtë tij i çojnë në vend burrat e dheut me pleq e krenë, vojvodë e bajraktarë. Lajmsit shkojnë derë për derë. Me ndodh e mos me u bind kush, shtërngohet me gjoba e gjobtarë, me unë zjarmi e pushkët e djelmnisë. Mos me u bind prap, ja qitet jashta katundit, ja leçitet për nji brez si shpi.
6. Zbatimi i ligjit është aq i fortë sa djelmënia (policia) dënon edhe zotninë (prijësin) për gabime të bëra. Ndër to përmenden tradhëtia kombëtare dhe sjellja prej laviri.
NENI 205. Kufizimi i të drejtave të zotnisë
Zotnia s’ka të drejtë me ba kryemveti pa krenë e pleq, pa vojvodë e sterpleq. Bani kryemveti a u bashkue me anmikun e vendit tuj thye Kanú e Besëlidhje, krenë e pleq, vojvodë e djelmni kanë tagër me i ra pré dhe me e djeg e me e pjek.
Me ba me korit ndoj fis, fisi ka tagër prej dheut me i ra pré me unë në dorë. Una e fisit e përket derën e zotnisë. Për nder e gjak i shtrohet Kanusë si kushdohi. Po çado me ba, me u leçit nuk leçitet e prej vendit nuk qitet.
7. Ruan krenët e krahinës në kuvendin mbarë-krahinor, nga ndonjë sherr, që mund të lindë, ngjashëm sikur deputetë e sotëm që rrahen nëpër parlamente të ndryshme nëpër gjithë botën. Në këtë rast djalëria mban rregullin.
NENI 211. Detyrat e djelmnisë në kuvendet e në besëlidhjet e Pukës
Djelmnia, në gjyqe e pleqni, në Kuvend e në Besëlidhjen e dheut e të malit të vet a me malin kufijar nuk ka za. Ka detyrë mos me u përzie në punët e krenëve e të bajraktarëve, të pleqve e stërpleqve dhe të pleqsive.
E drejta e detyra e saj asht me ruejt krenët e veta prej njaj kryekcyemi e ngatrrestari.
Me kërcnue e me ba vrasë s’ka të drejtë; por me marr gjak flakë për flakë, po. “Djelmnia sigurinë me pushkë e ka. Për çat punë thirret e mbahet mbas”.
8. Mbron trollin e fisit nga shfrytëzues të paautorizuar.
NENI 237. Preja
Mos me ju përgjegj dikujt dikush me Kanú për çka e ka tandue, i bje pré tufës a gjasë mbarë ku ta ketë: në mal a në vrri. Preja ma së forti merret për kufi kullotash, po merret edhe për ngatrresa të tjera.
NENI 473. Pashtraku me pré
Me kundërshtue çobani me pushkë pashtrakun, i zoti i kullotës ka të drejtë me ira pré me katund të vet. Katundi tjetër s’ka të drejtë t’i përkrahet katundsit të vet. “Pashtraku asht me Kanú.”
Kur i zoti i tufës vetëm a me katund as pashtrak nuk lan, as gjanë s’e hek prej kullotës së huej, atëherë të zot e kullotës kanë të drejtë t’i bien pré rrethas me katund e bajrak dhe t’ja marrin pré të gjithë tufën. Preja kthehet sa ta pleqnojnë pleqtë fajin.
9. Dënon me vdekje atë që vret një shqiptar.
NENI 240. E drejta me marr gjak
Me vra dikush ndoj njeri, shpija e të vramit ka të drejtë me ja marr gjakun. Nuk pat kand të shpisë, të drejtë me ja marr gjakun ka i dami nji zjarmi, i kushrini a i vllaznisë. S’pat asnja sish, ka të drejtë fisi i vet.
“Burri i fort ndjek e vret gjaksin, dorasin” - thot Kanúja.
10. Ndërmjetëson e ndal luftimet e zënkat mes palëve që luftojnë duke mbajtur rregull, rend e paqë.
NENI 249. Ndërmjeca
Ndërmjeca bahet me ndal grindje e ngatërresa, dhunë e rrënim, zjarr e pushkë; bahet me shafit gjakun e xet e me pshtue jeta njerzish. Me hy ndërmjet ka të drejtë kushdohi: burri e grueja, shoqi e udhtari, miku e dashamiri, prifti e hoxha.
11. Merr nën mbrojtje një njeri të dobët, apo në çaste të vështira.
NENI 253. Ndorja të bahet mik
Detyrë ndere e burrnie e ke me i dal zot, edhe anmik me e pasë. Të ra dikush ndore, ke detyrë me i thirr hasmit të tí: “Mos ma prek, bre burr, se më ka rá ndore!” “Të rá ndore, jetën e nderin e vet ta besoi ty. Ti shpinën s’mund t’ja kthejsh, veç në mos paç kurrfar burrnie”.
12. Mbron pronën publike.
Kisha ka tagër me hy ndërmjet me kryq e ungjill, me famullitar e kumbon kishe kudo në famulli të vet. Ndera e kishës asht ndera e famullisë. Famullia ja mbron nder e pasuni. Vuni kush dorë, i pari i fesë me famulli ja kërkon me i kthye.
Vau asht në besë të dorzanëve. Me u ba vrasë, dorzanët i bien në shpinë gjaksorit për besë të preme. “Në vá s’i dilet kuj në pritë. Gjaksorët të lypin vend tjetër.”
NENI 412. Detyra të veçanta të Kabashit në panair
Katundi i Kabashit me fisin mbar ka detyrë me caktue rojet rreth panairit. Lajmësit kanë detyrë me lajmue pjesmarrësit mbar për sullet e Kabashit. Sullet janë:
1) kush vjen në panair ka detyrë me ardh me shit e me ble, me pa e me ndie, pa bá dhunë e ngatrresë
2) kush ve prit e ban pré mbrenda kufijve të Kabashit, ban mikprem fisin e Kabashit
3) çdo shpi në Kabash e ka për nder me prit e me qit për mik çdo pjesëmarrës në panair
4) çdo i kabashës ka për detyrë mos me pengue kand gjatë panairit me shit e me ble, me këndue e hedh valle, me u ra veglave e tupanit, me qit në shej a për qef, si ditën si natën
5) kush del kundër sulleve ka Kabash e Pukë në shpinë
NENI 499. Vrasje në vende beset
Katundi me katundin kufijar cakton me Kuvend të përbashkët vende beset për ta.
Këto vende janë rrugëkryq: ku bahen kuvende; ku merret drejtimi për te njani a tjetri katund; ku qitet nusja në pjekjeç ku jepet kushtrimi katund me katund; ku bahet mallimi i gjasë në kullosë.
Me vra kand në ksi vende beset, gjaksi grihet katundisht e shkon gjakhupës. Me u vra kush në moh, do të hetohet me kapucar e betarë prej dy katundeve të vendit në besë.
13. Zbaton dënimin e fajtorit për mbrapshti të bame, kur ky nuk jep gjobën me mirëdashje
NENI 477. E kryemja e dënimeve
Kryemjen e dënimeve me gjobë e bajnë pleqt e gjobës. Kur fajtori nuk bindet, bashk me pleqt e gjobës shkojnë edhe djelmnia e fisit ja e bajrakut.
14. Mbrojnë cilindo njeri të fisit të vet, qoftë mashkull a femër, i ri a i vjetër, nga dhuna dhe çnderimi.
NENI 486. Mbrapshtina kundër shoqnisë mbarë
Mbrapshtinat kundër nderit të çdokujt tuj e korit, janë mbrapshtina kundër vllaznisë e fisit të tij, kundër katundit e bajrakut të vet. Vllaznia e fisi ka detyrë ndere me ju ba krah të vetit, kur tjetri i bje në qafë dhe e korit.
Pra, këto janë disa nga detyrat kryesore të djelmënisë, që nuk dallojnë shumë nga detyrat e policisë së sotme, veç asaj se djelmënia e fisit në misionin e saj organik zbaton drejtësinë e popullit-shtet, ndërsa policia e sotme vepron si amortizator që mbron shtetin nga populli.
Sa i përket shpërblimeve për punën që bën djelmënia, ka disa raste që ia vlen t’i përmendim:
NENI 549. Grabitja dhe preja në rrugë të madhe
“Rruga e madhe ka punën e vet!” “Burrit që asht burr nuk i del punë me rrugë të madhe!”
Me dalë kush e me grabit rrugën e madhe, tandon katundin. Me ndodh i katunds, katundi i merr gjobë nji ká dhe e danë katundisht.
NENI 270. Fetari, mik në katund
Fetari është miku i parë ndër miqt e katundit.
Për sa të jetë në shërbim të fesë, asht në bukë të katundit.
Me ndodh e me e vra kush fetarin, i pritet mik katundit. Dorzanët e kishës e të xhamisë me djelmninë e bajrakut gjaksin e grijnë katundisht, shpinë ja djegin, gjindët ja qesin jasht bajrakut dhe tokën ja lanë për kishë, gjaja e gjallë bahet gjoba e djelmnisë.
NENI 471. Pashtraku për dam e faj kullose
Me u kap tufa e huej në mal a në vrri të tjetrit, i zoti i tufës do të laj pashtrakun. Sa tufa të jenë, çaç herë do të lajnë pashtrak.
Pashtraku lahet me berr për qafe. Me u kap në lavër gjaja e katundit të huej me të imta e me të trasha, për pashtrak merret një ka, ose kambë berri për 80 copë të imta. Pashtrak mbrenda katundit merret nji ka a katër desh, kur i zoti i tufës fut gjanë në lavër a livadhe para ditës së caktueme prej katundit.
Ogiçi i kumbonës as merret, as jepet pashtrak. Asht ndera e tufës.
Pashtraku dahet katundisht, ja lihet për nevoja të xhamisë.
Policia e atëhershme (djelmënia e fisit), nuk merrte pagë mujore, se nuk varej ekonomikisht nga puna e tij si ‘djalë’ (polic), por siguronte jetesën nga bagëtia e bujqësia, nga zejet, tregtia, transporti lumor, hoteleria, mullinjtë, etj, ndërsa aktiviteti policor ishte i përkohshëm, kur nevojitej forcë shtesë për të dënuar fajtorin. Dhe meqenëse puna bëhej sipas rastit, edhe shpërblimi jepej sipas rastit.
Djelmënia përveçse polici, është edhe ushtri. Edhe në këtë rast udhëheqjen e kanë në dorë prijësit e djelmënisë dhe flamurtari, por pushteti i takon tërë djelmënisë.
Në rast rreziku kjo ushtri mblidhet në kuvend dhe me anë të votave jo të fshehura vendoset për paqe ose luftë. Megjithatë, historikisht, së pari nga vetë natyra luftarake e fiseve, së dyti nga rreziqet e mëdha të paraqitura nga armiku ose kushtet e rënda të paqes, nuk kanë lejuar përcaktimin për paqe. Pothuajse gjithmonë djelmënia është përcaktuar për luftë.
Pas përcaktimit për luftë, kuvendi vazhdon duke diskutuar kush do të luftojë, ku, kur do të fillojë lufta etj. Kur lufta bëhet brenda flamurit (bajrakut), luftojnë tërë anëtarët e fisit, ndërsa kur luftohet jashtë flamurit del vetëm nga një burrë për shtëpi, sepse në një luftë me përmasa krahinore nuk është paraqitur nevoja për rekrutim masiv meqenëse mblidhej numër i mjaftueshëm njerëzish.
NENI 174. Kuvende për nevoja lufte
Kuvendi për nevoja lufte, i tubuem me djalë për shpi, ban të ditun të thirrmen e katundit, bajrakut, dheut a Malit mbarë për luftë kundër anmikut të vendit. Me të ra Kuvendi në ujdi për luftë, bahet besëlidhja e Shtatë Bajrakëvet të Pukës për besë e pajtim shpija me shpi e katundi me katund për sa kohë do të vazhdojë lufta.
Kuvendi cakton djelmninë për luftë, ditën e nisjes; cakton rrugët e qafat që do të zihen me prita. Për luftë jashtë bajrakut cakton “burr për shpi”; mbrenda bajrakut “7 e në 70 vjeç”. Djalin e vetëm nuk asht Kanu me e marr djelmnia në luftë. “Shpija s’duhet qit fare”.
Djelmënia vetësiguron veshmbathjen, armën, municionin, ushqimin, për të përballuar 3 ditë, luftë. Pas 3 ditësh ushqimi sigurohet nga flamuri nën të cilin luftohet.
NENI 195. Detyrat e djelmnisë së bajrakut
Djelmnia e bajrakut me prijsit e vet ka detyrë me u tubue me pushkë në dorë katunde-katunde sa herë t’ja lshoi kushtrimin bajraktari.
Për veshë e mbath, pushkë e fishekë dhe bukën për tri ditë i ka detyrë me i marrë prej shpisë së vet.
NENI 32. Detyrat në bajrak e në dhé
Çdo shtëpi ja ka detyrë bajrakut e dheut:
1) Me ju gjegj kushtrimit me burrë për shpi
2) Me ju gjet krah djelmnisë së bajrakut me ujë e bukë, me armë e fishekë, sa herë të jetë në luftë me hasmin e vet e anmikun e vendit
Kësaj ushtrie i takon plaçka e luftës që i zihet armikut, dhe në bazë të barazisë të përcaktuar nga Ligji, plaçka ndahet në pjesë të njëjta për të gjithë ushtarët.
Plaçkën e luftës, kapun ushtarëve të anmikut, djelmnija ka të drejtë me e da ndër veti mbas luftës.
Një institucion i tillë si djelmënia, që kryen funksionet e ushtrisë dhe policisë, nuk mund të funksionojë pa armë. Prandaj bartja e armës u bë që në kohërat më të hershme një zakon jo vetëm i lejueshëm, por edhe i detyrueshëm.
Historikisht arma për shqiptarin së pari është fetish, gjësend i shenjtë, jo nga besëtytnia, por nga arsyeja e shëndoshë. Vjedhja a grabitja e armës nuk falet dhe hajduti patjetër do të ndëshkohet se Ligji nuk njeh falje për këto raste. Dhe kjo ka ndikuar që fiset që mbajtën Ligjin të ruajnë praktikisht dhe lirinë për shekuj me radhë, sepse çdo gjë përfundon në çastin kur dorëzohet arma. Arma është forca fizike e një shteti. Pa armë nuk ka shtet.
Veç të tjerash, pavarësisht se armiku gjithnjë bën premtime të mëdha për ata që dorëzojnë armët, vetë mungesa e armëve në duart e djelmënisë është mosgaranci për zbatimin e premtimeve. Armiku mund të bëjë premtime të lloj-llojshme e të mos i zbatojë për sa kohë atyre që u janë bërë premtimet u janë hequr armët e rrjedhimisht nuk kanë se si të shtrëngojnë armikun për mbajtjen e premtimeve. Ndaj dhe dorëzimi i armëve vlerësohet si marri e madhe edhe në rast se kjo kushtëzohet me luftë.
Arma është shok i pandarë i ‘djalit’. Në moshën 14 e sipas rrethanave deri kah mosha 16 vjeçare, ka zhvillime rrënjësore në jetën e individit. Në këtë kohë arrihet mosha madhore sipas Ligjit dhe ngjarjet më të rëndësishme janë: fejesa, marrja rituale e pushkës, përgjegjësia ndëshkimore (që nga kjo kohë djali përgjigjet për çdo gabim dhe nuk llogaritet më si fëmijë), aftësia për të mbajtur shtëpi (djali tash e tutje mund të ndahet e të marrë pjesën e vet në pasurinë e familjes).
Çdo fëmijë stërvitet nga familja nga mosha 11-12 vjeçare deri në çastin kur merr pushkën në dorë me ritualin e caktuar. Familja ka për detyrë t’i blejë armën djalit.
Historikisht arma në male vlerësohet më shumë se jeta. Trimat nuk brengoseshin nëse vriteshin në luftë, por kishin íri (inat) t’u merrej pushka nga armiku. Pavarësisht kësaj mendësie, arma gjithsesi njihet si e drejtë e dhënë nga shoqëria. Kështu, nëse djali nuk paraqitet pas kushtrimit të prijësit, apo largohet nga lufta, apo plaçkit ndërsa shokët e tij luftojnë, atëherë flamurtari në emër të tërë djelmënisë ia merr armët djalit.
Kjo është ngjashëm sikurse sot një ushtarak që shkel detyrën ose ligjin dhe pushohet nga puna duke iu hequr të drejtat dhe privilegjet.
As nji djalë s’ka të drejtë me ju shmang kushtrimit të prijsit të tij a të bajraktarit. Bani e ju shmang a iku prej lufte tuj u da shokësh, bajraktari me djelmni ka të drejtë e detyrë me i hek armën krahut e me ja djeg shpinë. “Djalit që ja hek pushkën djelmnia, s’ka ma vend ndër burra. Mbetet i koritun”.
Plaçkën e luftës, kapun ushtarëve të anmikut, djelmnija ka të drejtë me e da ndër veti mbas luftës. Plaçka dahet në pjesë të barabarta. Me u lshue kush mbas plaçke gjatë luftës, bajraktari me djelmni ka të drejtë me i hek pushkën dhe me e lanë pa pjesë plaçke.
Historikisht armët në Ligj ndahen në dy lloje: të brezit dhe të krahut. Në kohët e lashta armë e brezit ishte kordha (shpatë e shkurtër), ndërsa armë e krahut ishte harku me shigjeta. Pas futjes në përdorim të armëve të zjarrit, armë brezi u bë koburja (revolja, gjashtarja, pistoleta), ndërsa armë krahu u bë pushka.
Pra, siç shohim nga të gjitha të dhënat e deritashme, mbajtja e armëve në shoqërinë shqiptare që zbaton Ligjin nuk është kurrsesi anarki, por traditë dobiprurëse duke qenë se përmes armëve mbahet rendi e rregulli, ndërsa djelmënia e armatosur përbën forcën fizike të shtetit “të padukshëm” shqiptar.
(botuar në fletushkën Vargmal, autor Genc Kastrati)