Gurët që bëjnë veprime magjike
Ritin pagan të lutjeve ndaj gurëve, sot e hasim në vende të ndryshme në trojet shqiptare, në veçanti në disa rajone të Maqedonisë. Disa prej tyre janë “Guri i Gjallë” në fshatin Moranë (Shkup) dhe “Guri i Vërtakicës” afër fshatit Studeniçan.
Aty shkojnë gratë që nuk u rrojnë fëmijët, për se flet edhe atributi “guri i gjallë”.
Pastaj, në viset e Tetovës dhe të Gostivarit te “Guri i Grave” dhe “Gurra Llapoush”.
Këta gurë pelegrinazhi duhet të jenë me zanafillë shumë të lashtë, që nga kulti pagan, por, me kalimin e kohës, kanë marrë atribute hyjnore. Njerëzit me dëshira të vetat që u luten këtyre gurëve, janë të shumtë, duke filluar nga gratë që nuk lindin, të cilat kërkojnë ndihmë për të mbetur shtatzëna, nga ato shtatzëna që luten të kenë fëmijë jetëgjatë, e deri tek vajzat dhe djemtë beqarë, që luten për fat në martesë dhe jetë të lumtur.