Kur ardianët bënin blatime në DodonëNga Salih Mehmeti - 10 Tetor, 2017, 10:31
Për hieroren e Dodonës është shkruar ndër mijëravjeçarë, edhe kur shekujt e gjatë të religjioneve monoteiste u përpoqën të shkulnin çdo rremb pagan.
Tradita e vjetërsisë ruan kujtimet sesi te orakulli i Dodonës bëheshin përshpirtje, pelegrinazhe e nxirreshin ogure, shkruan Konica.al.
Sellojtë, fisi që banonte përqark Dodonës dimërkeqe siç e quan Homeri, me gjasmë kishin një rremb të fortë ilir, ashtu sikundër të gjitha fiset e Epirit të moçëm.
Arkeologët kanë stivuar një mal evidencash të prekshme që flasin në të mirë të mendimit që fiset ilire të veriut vazhdonin të pelegrinonin gjatë tërë kohës në Dodonën e tyre.
Arkeologu amerikan Howard Fremont Stratton, që shërbente në departamentin e artit të Muzeut të Pensilvanisë, është një nga studiuesit e shumtë që pohon iliricitetin e këtij tempulli pagan.
Në studimin e tij ‘Dodona’, të botuar në vitin 1937, arkeologu amerikan mendonte se priftërinjtë e Dodonës i pranonin blatimet e shenjta të hiperboreanëve në Apolloni të Ilirisë.
Arkeologu grek Sotirios Dakaris përmend një të dhënë interesante: një mbishkrim votiv i larë në argjend, që nuk ishte veçse blatim për hieroren dodonase, mban emrin M. Gangrius Ardiaeus, për të cilin mendohet se duhet të ketë qenë nga fisi ilir i ardianëve. I datuar në shekullin e pestë para erës sonë, kjo e dhënë peshon kah mendimi se ilirët mbanin lidhje të kryehershme me hieroren në Epir.
Një shënim i Serviusit tregon diçka të çuditshme: ilirit Arkes i mveshet vepra e prerjes së drurit të shenjtë të tempullit, por kjo duket se ka të bëjë me një kohë kur kristianizmi po prozelitohej me të madhe.
Si e tillë kjo dëshmi është e dobët përballë fakteve që thonë se orakulli ilir vazhdoi funksionin e tij shpirtëror deri në gjysmën e dytë të shekullit të katërt të erës sonë.
Salih Mehmeti | Konica.al
Burimet:
Sotērios I. Dakarēs, Archaeological Guide to Dodona, 1971, f.104
Howard Fremont Stratton, Dodona, 1937, f.35
http://konica.al/2017/10/kur-ardianet-benin-blatime-ne-dodone/