Kybela – një nga emrat e Hyjneshës së Madhe të Frigjisë, që ndryshe quhej edhe “Nëna e Madhe”, ose Nëna e perëndive, Agdista (Agdistis) dhe Dindimena. Ajo kishte shumë epitete: hyjnesha ose nëna e Peisonontit, e Idas etj. Shumë herët qe identifikuar me Rean dhe paraqitej si bija e Qiellit dhe Tokës, gruaja e Kronit, nëna e Zeusit, Herës, Dhemetrës, etj. Kybela është personifikim i natyrës që vdes e ngjallet, hyjneshë e tokës, e bujqësisë, e pyjeve. Mendonin se ajo jetonte në fund të pyllit mbi malet, e shoqëruar nga koribantët, luanët dhe kafshët tjera.
Miti tregon se Kybela dashuroi Atisin. Kur ky e fundit nuk e donte më dhe kërkonte të martohej me një të vdekshme, hyjnesha vajti në dasëm dhe i marrosi të gjithë ata që ndodheshin aty. I kapur nga tërbimi, Atisi iku në mal ku edhe vdiq. Në gjithë Anatolinë perëndimore kishte plot faltore: në Frigji ku ishte qendra e kultit të saj, në shumë vende të Lidisë, në malin Idea, në Pesionont, ku kishte një orakull të dëgjuar, etj. Që nga shek. V p.e.s. kulti i Kybelës u përhap në shumë vende të Greqisë. Për nder të saj u formuan shoqata fetare greke dhe frigjiane, dhe çdo vit ia festonin festën më 22-27 mars. Ajo shoqërohej me ceremoni simbolike, ku paraqitej e gjithë historia e dashurisë së hyjneshës me Atisin. Dhimbja, gjymtimi, vdekja dhe ngjallja e Atisit, shoqëroheshin me vrapime orgjike dhe valle të dalldisura. Përveç ceremonive popullore, organizoheshin mistere të veçanta në shoqatat frigjiane dhe greke. Në Romë kulti i Kybelës u përhap në shek. III p.e.s.
_________________
Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi