Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Sistemi i spartanëve Sun 10 Aug 2014, 09:32 | |
| Plutarku - Jetë paralele - Likurgu (fragment i reduktuar)
Pas krijimit të kuvendit të tridhjetë pleqëve, puna e tij e ardhshme, dhe padyshim më e rrezikshmja që ndonjëherë ka ndërmarrë, ishte ndarja e sërishme e tokave. Pasiqë kishte një pabarazi të madhe mes tyre, dhe shteti ishte mbushur me të varfër e nevojtarë, ndërsa e tërë pasuria ishte përqëndruar në pak duar.
Me pëlqimin e spartanëve për këto propozime, duke bërë që përnjëherë t'i ekzekutojë, ai ndau tërë tokën e Lakonisë në tridhjetë mijë ngastra të barabarta, dhe pjesën që i takonte Spartës në nëntë mijë ngastra; këto i ua ndau Spartanëve, sikurse veproi edhe me qytetarë të tjerë. Tregohet se njëherë kur ai po kthehej nga një udhëtim, pak kohë pas ndarjes të tokave, duke qenë arat e posa korrura, duke i parë mullarët të gjithë të barabartë dhe të njëjtë, ai buzëqeshi, dhe u tha të parnishmëve: "E tërë Lakonia duket sikur një pasuri e vetme që posa është ndarë mes shumë vëllezërish".
Duke mos u kënaqur me këtë, ai vendosi që të ndajë edhe pasurinë e tundshme, që të mos mbetet as pabarazia më e vogël mes tyre. Por duke parë se ishte e rrezikshme t'a bënte këtë në mënyrë të hapur, ai ndoqi një strategji tjetër: urdhëroi që të gjitha monedhat nga ari dhe argjendi të hiqen nga përdorimi, dhe një lloj monedhe prej hekuri të vihet në përdorim, me një peshë të madhe, e vlerë të vogël; aq sa, për të mbajtur një shumë prej njëzetë a tridhjetë mina, nevojitej një depo, ndërsa për ta bartur nevojitej një qerre. Me futjen në përdorim të kësaj monedhe, një numër i madh vesesh u ndërprenë në Lakedemon; kush do të vidhte një këso monedhe? Kush do t'a ndalonte padrejtësisht, ose t'a merrte me forcë, a t'a pranonte si mito, një gjë që nuk është lehtë me e fsheh, as nuk ka llogari me pasë, e as që ka llogari me nda në copë? Pasiqë kur ishte hekuri i skuqur, ata e fusnin në uthull, në këtë mënyrë e prishnin, dhe e bënin të pamundur që të punohej sërish.
Kështu atje nuk bliheshin më mallra të huaja dhe cikërrima, asnjë anije tregtare nuk ndalej në limanet e Lakonisë, asnjë orator, falltor endacak, asnjë tregtar laviresh, ose artar a argjendar, gdhendës ose shitës zbukurimesh, nuk fuste këmbën në një vend që nuk kishte flori, kështu që lluksi, i privuar pak nga pak nga ajo që e ushqente dhe e nxiste, u shëndrrua në asgjë, dhe vdiq. Në këtë mënyrë ata u bënë artistë të shkëlqyer në gjërat e zakonshme, që nevojiteshin në përditshmëri; shtretër, ulëse, tavolina, dhe veglat kryesore të një familje bëheshin aq mirë atje sa ishin për t'u admiruar.
Goditja e tretë dhe më mjeshtërorja e këtij ligjvënësi të madh, me të cilën ai goditi akoma më fortë lluksin dhe dëshirën për pasuri, ishte urdhëri që ai dha, që të gjithë duhej të hanin së bashku, të njëjtën bukë dhe të njëjtin mish, dhe lloje tjera të caktuara, dhe jo t'a kalonin jetën e tyre në shtëpi, të shtrirë në shtretër të shtrenjtë me tavolina të shkëlqyera, duke e lënë veten në duar të tregtarëve dhe zierësve, të majmet nëpër skuta, si një kafshë e pangopur, dhe të rrënojë jo vetëm mendjen por edhe trupin, i cili i molisur nga kënaqësitë dhe teprimet, do të kishte nevojë për gjumë të gjatë, banja të ngrohta, të jetë i lirë nga puna, me fjalë tjera do të kërkonte sa më shumë kujdes sikur të ishte i sëmurë.
Ata takoheshin në grupe nga pesëmbëdhjetë, herë më pak a më shumë, dhe secili prej tyre sillte çdo muaj një medimne miell (52 kg), tetë galon verë (30 l), pesë mina djathë, dy mina e gjysmë fiq, dhe një shumë fare të vogël për blerjen e mishit ose të peshkut. Pos kësaj kur ndonjëri prej tyre bënte flijim, do të sillte një pjesë në mensën e përbashkët, poashtu kur ndonjëri ishte në gjueti, sillte një pjesë të mishit aty, dhe këto ishin të vetmet raste kur lejohej të hanin në shtëpi. Më e famshmja prej gjellërave ishte "supa e zezë" e cila ishte kaq shumë e vlerësuar saqë kur gatuhej kjo të moshuarit ushqeheshin vetëm të, duke ua lënë tërë mishin djemve të rinj.
Pasi pinin verë të përkorë, secili shkonte në shtëpi, duke mos përdorur llampa, sepse përdorimi i tyre ishte ndaluar në mënyrë që këta të mësoheshin të marshonin nëpër errësirë në rast lufte. E tillë ishte mënyra e tyre e të ushqyerit të përbashkët. | |
|