|
| Oswald Spengler, "Prusianizmi dhe socializmi" | |
| | |
Autori | Mesazh |
---|
Tomor ADMIN
Numri i postimeve : 1205 Join date : 17/03/2013
| Titulli: Re: Oswald Spengler, "Prusianizmi dhe socializmi" Fri 23 Jun 2023, 20:33 | |
| 23Më i keqi i këtyre fjalëkyçeve është komunizmi. Kritika e tij preku një çështje me rëndësi të skajshme: pronën. Këtu nuk është vendi për të diskutuar, as për së largmi, kuptimin e pamatë simbolik të gjërave të tilla kaq komplekse si marrëdhënia mes pronës dhe martesës, pronës dhe idealit politik, apo pronës dhe botëkuptimit. Për më tepër, për këto gjëra çdo kulturë e madhe ka folur me gjuhën e vet. Koncepti Perëndimor për pronën qëndron shumë larg atij të Antikitetit, Indisë, dhe Kinës. Prona është fuqi. Pak respekt ka njeriu Faustian për pronën e ngurtë dhe jo-dinamike, dhe për konceptin “të kesh”. Në vend të tyre ai e vendos theksin te rëndësia e një prone që “jep”. Ndjenja e kënaqësisë së botës antike vetëm me grumbullimin e pasurisë është e rrallë mes nesh. Krenaria e pushtuesit modern, e tregtarit dhe kumarxhiut, madje edhe e koleksionistit të artit, bazohet në idenë se duke marrë trofeun ka fituar fuqi. Etja e Spanjollëve për ar dhe uria e Anglezëve për territore të reja drejtoheshin drejt pronave që krijonin më shumë pronë. Kundër këtij koncepti energjik të pronës, një tjetër këndvështrim mbizotëroi në Rilindje dhe Paris: ideali i pensionistit 157. Qëllimi i kësaj forme lakmie nuk ishte potenciali dinamik, por vetëm kënaqësia; jo “gjithçka” por “mjaftueshëm”; jo vepra por “jetë”. Condottieri-t 158 i donin principatat dhe thesaret e oborreve për ta shijuar në maksimum kulturën e komfortit të shekullit të tyre. Shtëpia bankare Mediçi, nga të parat në Europë, ishte larg dëshirës për kontroll të tregut botëror. Luigji XIV i niste lart e poshtë gjeneralët dhe taksambledhësit e tij për t’i siguruar mbështjejen e duhur materiale ekzistencës së vet Olimpike si ”Mbret Diell”. Aristokratët Francezë të Versajës qenë brumosur plotësisht me botëkuptimin e Rilindjes. Kultura e tyre nuk ishte aspak dinamike. Udhëtarët Anglezë si Jangu u çuditën kur panë, vetëm pak para Revolucionit, se sa keq e administronin ata pasurinë e tyre. Ishin të kënaqur që thjesht “e kishin”, sa kohë që Intendant-i 159 dërgonte paratë e duhura për jetën Pariziene. Kjo aristokraci e shekullit të tetëmbëdhjetë përfaqësonte kontrastin më të mprehtë të mundshëm përballë aristokracive vepruese, fituese dhe pushtuese të Anglisë dhe Prusisë. Klasa e pasur Franceze motivohej vetëm nga dëshira për vetëruajtje, dhe nuk qe në gjendje të merrte kontrollin e tregut botëror apo të përfshihej në kolonizim të mirëfilltë edhe në ditët më të lavdishme të historisë së Francës. Mirëpo grandseigneur-i 160 i 1750-s, si tip, është vërtet pararendës i bourgeois të 1850-s, pensionistit të padëmshëm që bëhet i rrezikshëm vetëm kur frymëzohet nga mendjemadhësia kombëtare, emrin e të cilit Marksi nuk duhet ta kishte zgjedhur kurrë për të përshkruar shoqërinë kapitaliste. “Kapital” është fjala madhore që përshkruan konceptin Anglez të pronës. Kjo fjalë nënkupton energji ekonomike; është parzmorja që vishet para se t’i bashkohesh betejës për sukses. Në vend të kavalierit dhe pensionistit Francez këtu kemi manjatin e tregut të aksioneve, naftës dhe çelikut, kënaqësia e të cilit qëndron në ndjesinë e plotfuqisë ekonomike. Pronën ai e kupton ekskluzivisht si pronë private. Me sytë e tij, e ftohura e një njeriu të vetëm mund të shkaktojë shembjen e tregut në të gjithë botën; një telegram me tre fjalë të lëshojë katastrofa larg në anën tjetër të planetit; dhe tregtia dhe industria e kombeve të tëra të jenë në varësi të kreditit të tij personal. “Pronë private” – është e rëndësishme ta rrokim kuptimin e plotë dramatik të këtij termi. Miliarderi kërkon liri absolute për t’i rregulluar çështjet e botës sipas vendimeve të tij private, me vetëm një standard etik në mendje – suksesin. Ai i mposht kundërshtarët e tij duke përdorur si armë kreditin dhe spekulimin. Trusti është ushtria dhe shteti i tij, ndërsa shteti politik vetëm diçka më tepër se agjenti i tij të cilit i ngarkon luftra të tilla si ajo me Spanjën ose Afrikën e Jugut, apo traktatet dhe bisedimet e paqes. Qëllimi përfundimtar i këtyre kryetipave të vërtetë është ta kthejnë të gjithë botën në një trust të vetëm gjigant. Përsa i përket atyre, e drejta formale e pronës private të qytetarit të zakonshëm mund të vijojë të mbetet e pacënuar; ai ka liri të plotë t’i gëzojë, t’i shesë, dhe t’i përdorë zotërimet e veta si t’i leverdisë. Mirëpo vlera ekonomike e këtyre zotërimeve si kapital tregtar shtyhet të lëvizë nëpër disa shtigje të mirëpërcaktuara e drejtuar nga larg prej një agjensie qëndrore tërësisht jashtë kontrollit të tij. Në këtë mënyrë manjati i parasë është pronar në kuptim më të lartë. Popuj dhe shtete të tërë detyrohen të punojnë nën komandën e tij të heshtur dhe vullnetin e tij të gjithëpranishëm. Ky koncept i pronës, vetëm një maskë për liberalizmin e tregtarit, është diametrikisht kundër konceptit Prusian. Prusiani e sheh pronën jo si plaçkë private, por si pjesë të një të mire të përbashkët; jo si mjet shprehës të fuqisë personale, por si të mirë materiale të mbajtur në mirëbesim, për administrimin e së cilës ai si pronar është përgjegjës para shtetit. Prusiani nuk e mat mirëqenien kombëtare me shumën e pasurive private; përkundrazi, ai i sheh pasuritë private si funksione të një potenciali ekonomik të përgjithshëm të kombit të vet. Duhet t’i kemi gjithmonë parasysh fjalët e mrekullueshme të Frederikut të Madh: “Unë jam shërbëtori i parë i shtetit”. Dhe kur këtë qëndrim ta bëjë të vetin çdo individ, socializmi bëhet fakt. Nuk ka kontrast më të mprehtë ndaj kësaj ideje sesa pohimi i famshëm i Lugjit XIV, “Shteti jam unë”. Nga froni dhe deri në rrugë, bota Perëndimore nuk ka mundur dot të prodhojë një kontrast më të fortë se ai mes Prusianizmit dhe Jakobinizmit, mes instinktit socialist dhe atij anarkist. Është baza e armiqësisë së përjetshme mes dy popujve tanë. Në Shën Helenë Napoleoni theksoi se “Prusia ka qenë pengesë për planet e Francës që nga koha e Frederikut, dhe e tillë do të jetë gjithmonë. Ishte pengesa më e madhe në planet që kisha për Francën”. Sepse vërtet mënyra me të cilën punëtori Francez e drejton dëshirën e tij për hakmarrje kundër klasës së pasur është pikërisht e kundërta e socializmit; është komunizëm në kuptim të vërtetë. Edhe punëtori Francez dëshiron të jetë pensionist. Ai e përbuz komfortin e të tjerëve që nuk mund ta sigurojë për vete. Qëllimi i tij është barazia në kënaqësi, mundësi të barabarta për jetën si pensionist. Kjo është ideja pas formulës së famshme dhe tipike Franceze të Prudonit 161: “Prona është vjedhje”. Në Francë prona nuk nënkupton fuqi, por sigurimin e mundësisë për kënaqësi. Zotërimi i përbashkët i të mirave materiale në vend të ndarjes së mjeteve të prodhimit nëpër korporata, shpërndarja e pasurisë (“e gjitha u përket të gjithëve”) në vend të përdorimit të forcave vlerë- formuese për të krijuar truste – ky është ideali Francez në kundërshti me atë Anglez. Ai mishërohet në utopinë socialiste të Furiesë: shpërbërje e shtetit në njësi të vogla komunale apo “falansteri”, qëllimi i të cilave ishte komforti më i madh i mundshëm me punën më të vogël të mundshme. Robert Oueni u përpoq ta formulonte si një lloj reforme të kapitalit dëshirën e klasës së ulët Angleze për të përvetësuar idealin e pronës së klasës së lartë. Mirëpo do të ishte nënvlerësim i madh i instinktit Viking të mendosh se kapitali Anglo-Amerikan do të tërhiqet qoftë edhe një hap të vetëm në rrugën e vet drejt dominimit ekonomik absolut të botës. Liri personale e pakufizuar dhe pabarazi natyrale e njerëzve, bazuar në shkallë përkatëse të talentit personal, këto janë urdhëresa bazë të kredos Anglo-Saksone. Në vend të socializmit autoritar, miliarderi Anglez apo Amerikan mbështet një tjetër formë mbresëlënëse socializmi privat, një program mirëqenieje shoqërore në shkallë të gjerë që nga njëra anë e kthen fuqinë e tij në kënaqësi personale, dhe nga tjetra mposht moralisht përfituesit e fondeve të mirëqenies. Teknikat spektakolare të shpërndarjes së këtyre milionave janë maskim i efektshëm për mënyrën me të cilën u siguruan së pari. Është i njëjti qëndrim i piratëve të vjetër, që teksa festonin në kështjellën e sapo-pushtuar, u hidhnin robërve mbeturinat e tavolinës: dorëzimi vullnetar i pasurisë i shton vlerën pjesës që mbetet. Çështja nëse akte të tilla vullnetare duhen bërë apo jo detyrim ligjor është pika kryesore e përplasjeve të partive ekonomike të Anglisë dhe Amerikës së të ardhmes. Sot ka njerëz që janë dakord me idenë e transferimit te pseudo- shteti të disa hapësirave të gjera ekonomike që janë më pak të prekshme nga spekulimi, të tilla si minierat apo industria e hekurudhave. Mirëpo sigurisht kjo bëhet vetëm duke ruajtur pas fasadës privilegjin special të përdorimit të këtij “shteti” si organ ekzekutiv të interesave të bizneseve të tyre duke shfrytëzuar format demokratike të parlamentarizmit, që do të thotë duke paguar fushatat zgjedhore dhe gazetat për të kontrolluar opinionin e zgjedhësve dhe lexuesve. Këtu qëndron rreziku i frikshëm i skllavërimit të të gjithë botës nga biznesi i madh. Sot mjeti i tij është Lidhja e Kombeve, në dukje një sistem kombesh që kanë “vetëqeverisje” sipas modelit Anglez, por në realitet një sistem provincash dhe protektoratesh popullatat e të cilëve shfrytëzohen nga një oligarki biznesi me ndihmën e parlamenteve dhe ligjeve të blera, njësoj si shfrytëzohej bota Romake nga korrupsioni i senatorëve, prokonsujve, dhe tribunëve popullorë. Marksi e pa lindjen e këtij sistemi, dhe ai u bë shënjestra e kriticizmit të tij gërryes për shoqërinë. Ai deshi ta përmbyste idenë Angleze të plotfuqisë së pronës private, por përsëri gjithë sa mundi të formulonte ishte vetëm një mohim: shpronësim të shpronësuesve, grabitje të grabitësve. Megjithatë, ky parim i vjetër Anglez ka diçka prej kredos Prusiane: ruaj respektin e plotë Gjermanik për pronën, por fuqinë brenda saj jepja shtetit, të gjithës, dhe jo individit. Ky është kuptimi i kombëtarizimit. U ndoq sistematikisht nga qeveritë Prusiane që funksiononin me instinkt të pacënuar nga teoria, nga dhomat civile dhe ushtarake të Frederik Vilhelmit I deri te institucionet e mirëqenies shoqërore të Bismarkut. Mirëpo Marksistët ortodoksë dhe heterodoksë të Revolucionit Gjerman janë vënë në garë me njëri-tjetrin se kush ta shkatërrojë i pari. Socializim nuk do të thotë shtetëzim me shpronësim apo grabitje. Ai nuk merret aspak me vlerën formale të pronës, por vetëm me teknikat e administrimit. Të blesh industri lart e poshtë për hir të ndonjë slogani, dhe t’ua dorëzosh ato trupave administrativë që janë injorantë për mënyrën se si funksionojnë sipërmarrjet e mëdha në vend se t’i mbash ato nën përgjegjësinë dhe iniciativën e pronarëve të tyre – kjo është mënyra më e mirë për ta dreqosur socializmin e vërtetë. Metoda e Prusisë së Vjetër ishte krijimi i strukturës ligjore të potencialit të përgjithshëm prodhues duke ruajtur me kujdes të drejtën e pronës dhe trashëgimisë, dhe duke i lejuar intelektit, iniciativës, energjisë, dhe talentit personal po aq liri sa do t’i jepej një shahisti të zot që ia ka marrë dorën të gjithë rregullave të lojës. Kështu u bë më së shumti me sindikatat dhe kartelet e vjetra, dhe nuk ka arsye pse të mos shtrihet më tej sistematikisht në metodat e punës, vlerësimin e punës, shpërndarjen e fitimeve, dhe në marrëdhëniet e brendshme mes planifikuesve dhe personelit zbatues. Socializim do të thotë shndërrim i ngadalshëm dhe i gjatë me dekada i punëtorit në shërbyes civil ekonomik, i punëdhënësit në zyrtar administrativ të përgjegjshëm me fuqi të madhe autoriteti, dhe i pronës në një lloj feudi të trashëguar në stilin e vjetër dhe të lidhur me disa të drejta dhe privilegje të caktuara. Në socializëm vullneti ekonomik mbetet po aq i lirë sa vullneti i shahistit; vetëm efekti përfundimtar ndjek një kurs të drejtuar. Hohencolernët krijuan tipin e shërbyesit civil Prusian, të parin e këtij lloji në botë. Me aftësitë e tij socialiste të lindura ai i jep siguri mundësisë së një shoqërizimi të ri. Në dyqind vitet e fundit sjellja e tij ka mishëruar atë që simbolizon socializmi për ne sot – detyrë që duhet kryer. Nëse punëtori Gjerman heq dorë nga Marksizmi dhe fillon të mendojë si socialist, ai do të bëhet shumë shpejt tipi që sapo treguam. “Shteti i së ardhmes” është shteti i shërbyesve civilë. Ky është një prej kushteve përfundimtarë dhe të pashmangshëm drejt të cilëve civilizimi ynë po ecën pa u ndalur. Edhe socializmi i miliarderit mund ta shndërrojë heshturazi një komb në një armatë “zyrtarësh” privatë. Trustet e mëdha janë që tani praktikisht shtete private që ushtrojnë protektoratizm mbi shtetin zyrtar. Socializmi Prusian, gjithsesi, nënkupton përfshirjen e këtyre “shteteve” me interesa profesionale brenda shtetit në tërësi. Kundërshtia mes konservatorëve dhe proletarëve në fakt nuk qëndron aspak te domosdoshmëria e një sistemi socialist autoritar, që mund të shmangej duke përdorur sistemin Amerikan (këtë shpresojnë liberalët Gjermanë), por te çështja e komandës supreme. Sot mund të duket se ekzistojnë dy sisteme të ndryshme socialiste, njëri nga lart dhe tjetri nga poshtë, dhe të dy me formim diktatorial. Por megjithatë në realitet ata do të bashkohen gradualisht në një formë të vetme përfundimtare. Për momentin njerëzit janë të pavetëdijshëm për këtë fakt, aq shumë sa të dyja partitë shohin Kushtetutën si faktor vendimtar. Mirëpo kjo nuk është çështje ligjesh, është çështje personalitetesh. Nëse udhëheqësit e punës nuk do të jenë të aftë të tregojnë shumë shpejt aftësi shtetarie të nivelit të lartë që u kërkohen, të tjerë do ta zënë vendin e tyre. Në një sistem politik që e zbeh me vetëdije dallimin mes punëtorëve dhe drejtuesve, duke i garantuar një karrierë të sigurt çdo individi të kualifikuar, nga punëtori i krahut deri te drejtuesi ekzekutiv i korporatës – në një sistem të tillë shtetari i lindur do ta ketë të lehtë të shohë se qëllimet e konservatorëve dhe proletarëve janë të njëjta dhe në fund bashkohen në një të vetëm: shtetëzim i plotë i jetës ekonomike në rrugë ligjore në vend të shpronësimit. Udhëheqja e një sistemi të tillë nuk mund të jetë “republikane”. Le ta flakim tej çdo iluzion, “republika” sot nënkupton korruptimin e pushtetit ekzekutiv nga kapitali privat. Princi i bindet traditës së dinastisë së vet dhe filozofisë së mjeshtërisë në qeverisje. Sido që ta mendojmë, kjo e mban atë larg interesave politike të veçanta të partive të llojit të sotëm. Ai vepron si arbitër i tyre. Dhe nëse, në një shtet të strukturuar në socializëm, anëtarësia në këshillat profesionale duke përfshirë edhe vetë Këshillin Shtetëror do të përcaktohej vetëm nga këndvështrimi i dhuntive praktike të individit, princi mund ta ngushtojë përzgjedhjen duke përdorur kritere etike dhe morale. Presidenti, kryeministri, përfaqësuesi i popullit, këta janë gurë shahu të partive, ndërsa vetë partia është gur shahu i atyre që paguajnë për të. Sot princi është mbrojtja e vetme që ka qeveria përballë biznesit të madh. Fuqia e kapitalit privat po imponon bashkimin e parimeve socialiste dhe monarkiste. Ideali individualist i pronës private nënkupton nënshtrimin e shtetit nga fuqitë e pavarura ekonomike, dhe kësaj i thonë demokraci, që përkthehet në korruptim të qeverisë nga pasuria private. Në një demokraci moderne udhëheqësit e masave nuk e gjejnë veten në kundërshti me kapitalistët, por me paranë dhe fuqinë e saj të paemër. Çështja është se sa prej këtyre udhëheqësve janë të zotë t’i rezistojnë një force të tillë. Nëse dikush do të donte të dinte dallimin mes një demokracie teorike dhe abstrakte dhe njërës që ka ekzistuar për njëfarë kohe, dhe si e tillë e bindur për shkëlqimin e vet, le të lexojë atë që shkroi Salusti për Katilinën dhe Jugurtën 162. Fati i Romës pa dyshim na pret edhe ne, mirëpo një rend monarkisto-socialist mund ta bëjë këtë fat të parrezikshëm. Këto janë tre idealet që sot janë mbërthyer në konfikt me njëri-tjetrin: ideali komunist i shpërndarjes së barabartë të të mirave materiale të botës, ideali individualist i përdorimit të tyre për të krijuar truste biznesi, dhe ideali socialist i administrimit të tyre në emër të së gjithës. _________________ Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
| |
| | | Tomor ADMIN
Numri i postimeve : 1205 Join date : 17/03/2013
| Titulli: Re: Oswald Spengler, "Prusianizmi dhe socializmi" Fri 23 Jun 2023, 20:37 | |
| 24Deri më tani jam vetëpërmbajtur ta përmend Rusinë 163 - qëllimisht, sepse me Rusinë nuk është çështje popujsh të ndryshëm, por botësh të ndryshme. Rusët nuk janë aspak një popull si Gjermanët dhe Anglezët. Njësoj si tributë Gjermanike të periudhës Karolingiane 164, ata mbajnë brenda vetes potencialet e shumë popujve të ardhshëm. "Rusianizmi" është premtimi i një kulture të ardhshme teksa mbi botën Perëndimore shtrihen gjithnjë e më shumë hijet e muzgut. Dallimet e mprehta mes shpirtit Perëndimor dhe atij Rus zor se mund të përshkruhen me mprehtësinë e duhur. Sado të thella qofshin ndarjet shpirtërore, fetare, politike dhe ekonomike mes Anglisë, Gjermanisë, Amerikës dhe Francës, kur krahasohen me Rusinë këto kombe papritmas shfaqen si një botë e vetme. Është e lehtë të gënjehesh nga disa banorë të Rusisë që reflektojnë ndikim të fortë Perëndimor. Rusi i vërtetë së brendshmi është po aq i huaj për ne sa ç’do të ishte një Romak i Epokës së Mbretërve apo një Kinez shumë kohë para Konfucit, sikur të shfaqeshin papritmas mes nesh. Rusët kanë qenë të vetëdijshëm për këtë çdo herë që kanë hequr një vijë ndarëse mes “Nënës Rusi” dhe “Europës”. Për ne, shpirti primitiv i Rusisë është diçka që qëndron pas baltës, muzikës, vodkës, butësisë, dhe një melankolie të çuditshme. Ne i formojmë natyrshëm gjykimet tona në mënyrë subjektive, që do të thotë si njerëz të vonë, urbanë, dhe të pjekur intelektualisht të një kulture krejt të ndryshme. Për pasojë ajo që “shohim” në Rusi nuk është vetëm një shpirt që sot po zgjohet, të cilin as Dostojevski nuk mundi ta përshkruante, por tabloja jonë mendore për të, e formuar nga pamja jonë sipërfaqësore e jetës Ruse dhe historisë Ruse, që është falsifikuar edhe më tej nga përdorimi i fjalëve tipike Europiane të tilla si vullnet, arsye, dhe Gemüt 165. Dhe megjithatë ndoshta disa prej nesh janë në gjendje të krijojnë një përshtypje thuajse të pamundur për t’u përshkruar të atij vendi që nuk lë asnjë dyshim për hendekun e madh që na ndan. Ky popull fëminor, i paartikuluar dhe i frikshëm, është ngatërruar, plagosur, torturuar, dhe helmuar duke i imponuar prirje të një kulture “Europiane” të pjekur, mashkullore, dominuese, dhe krejt të huaj. Trupi i tij është çpuar nga qëndra urbane të stilit dhe ambicjes Europiane, kurse vetëdija e tij e pazhvilluar është infektuar me këndvështrime, filozofi, ide politike dhe parime shkencore të tejpjekura. Më 1700-n Pjetri i Madh i imponoi popullit të tij stilin Barok të politikës, të kompletuar me diplomaci kabineti, politikë dinastike, administrim, dhe flotë ushtarake detare të stilit Perëndimor. Më 1800-n, nën maskën e shkrimtarëve Francezë që ia dolën me sukses të ngatërronin mendjet e një pakice të vogël intelektuale, aty u shfaqën idetë Angleze, të pakuptueshme në thelb për ata njerëz. Kurse Marksizmin e pati prezantuar inteligjenca Ruse e librave që para 1900-s, duke qenë krejt në padije për origjinën e këtij krijimi kompleks të dialektikës Europiano-Perëndimore. Pjetri i Madh, duke e shndërruar shtetin carist në fuqi madhore brenda sistemit Perëndimor, e shtrembëroi zhvillimin e tij natyral. Ndërsa “inteligjenca”, që vetë ishte prodhim i shpirtit Rus pasi qe korruptuar në qytetet e llojit të huaj, hyri në skenë me një përgjërim të zymtë për disa institucione vendase që do të duhej të ngriheshin në një të ardhme të largët, dhe kështu e shtrembëroi mendimin primitiv të vendit të tyre në një lloj teorizimi shterpë dhe fëminor sipas stilit të revolucionarëve profesionistë Francezë. Në sajë të bindjes së pamatë dhe gatishmërisë për sakrificë të Rusëve, Petrinizmi dhe bolshevizmi kanë arritur disa gjëra shumë konkrete në këtë imitim të pakuptimtë dhe shkatërrimtar të krijimeve Perëndimore të tilla si Oborri i Versajës dhe Komuna e Parisit. Mirëpo këto institucione kanë patur ndikim vetëm në sipërfaqen e ekzistencës Ruse; secili prej tyre mund të zhduket dhe rishqafet me befasi të paparashikueshme. Deri më tani Rusia ka patur vetëm përvoja fetare, jo shoqërore apo politike. Dostojevski, në fakt një shenjtor që e kanë shfaqur nën maskën e pakuptimtë, qesharake, dhe Perëndimore të një romancieri, keqkuptohet nëse “problemet” e tij shoqërore konsiderohen veçmas formës së tij letrare. Thelbi i tij i vërtetë gjendet më shumë mes rreshtave sesa në vetë ato, dhe te Vëllezërit Karamazov ai arrin një forcë besimi të krahasueshme vetëm me atë të Dantes. Nga ana tjetër, politika e tij revolucionare i pati fillesat në një rreth metropolitan tepër të vogël që nuk ndjente më si Rus dhe që për sa i përket origjinës zor se mund të quhej Rus. Për pasojë mendimi politik i Dostojevskit u mbërthye mes dy skajeve të dogmatizmit të imponuar dhe kundërshtimit instinktiv. Këtej vjen urrejtja e thellë, e frikshme, dhe themelore e Rusisë për Perëndimin, atij helmi brenda trupit të vet. Ndihet në vuajtjen e brendshme të Dostojevskit, në shpërthimet e dhunshme të Tolstoit, dhe në dhimbjen e heshtur të njeriut të zakonshëm. Është një urrejtje që nuk shuhet dot, shpesh e pavetëdijshme dhe shpesh e fshehur pas një prirjeje të sinqertë për dashuri dhe mirëkuptim, një urrejtje primitive për çdo simbol të vullnetit Faustian: qytetet (Peterburgun në veçanti) që u ngritën si pararoja të këtij vullneti mes qetësisë rurale të stepave të pafund; artet dhe shkencën, mendimin dhe ndjenjën Perëndimore, shtetin, sistemin ligjor, strukturën administrative, paranë, industrinë, edukimin, “shoqërinë” – në fakt për gjithçka. Është urrejtja primitive Apokaliptike kundër Kulturës Antike. Çdo bolshevizëm ka diçka nga hidhnimi i humnershëm i Makabeve, po aq sa dhe nga ai i rebelimit shumë më të vonë që çoi në shkatërrimin e Jeruzalemit 166. Mirëpo vetëm ky dogmatizëm i ashpër nuk do të kishte mjaftuar për ta mbajtur në këmbë këtë lëvizje deri në ditët e sotme. Instinktet e nënvetëdijshme anti-Perëndimore të Rusisë, së pari të drejtuara kundër Petrinizmit, i kanë dhënë forcë bolshevizmit. Mirëpo duke qenë se vetë bolshevizmi është zgjatim i Petrinizmit me kohë edhe ai do të shkatërrohet për ta çuar deri në fund çlirimin e Rusisë nga “Europa”. Proletari i Perëndimit dëshiron ta riformatojë civilizimin Perëndimor në përputhje me dëshirat e veta; inteligjenca Ruse, me instinkt kur nuk është e vetëdijshme, dëshiron ta shkatërrojë. Ky është kuptimi i nihilizmit Lindor. Civilizimi ynë Perëndimor është bërë tërësisht urban prej kohësh; në Rusi nuk ka diçka të tillë si “masa”, por vetëm “popull”. Çdo Rus i vërtetë, edhe kur punon si mësues apo zyrtar civil, në thelb është fshatar. Atij nuk i interesojnë edhe aq qytetet e dorës së dytë me masat e tyre të dorës së dytë bashkë me ideologjitë e tyre. Pavarësisht Marksizmit, problemet e vetme në atë vend janë të natyrës rurale. “Punëtori” Rus është një keqkuptim. I vetmi realitet është toka e paprekur dhe e pacënuar, njësoj si dikur në Europën Karolingiane. Ne kaluam përmes kësaj faze një mijë vite më parë, prandaj dhe nuk e kuptojmë njëri-tjetrin. Ne Europiano-Perëndimorët nuk jemi më në gjendje të jetojmë në harmoni me tokën e virgjër. Kurdoherë që shkojmë në “fshat” ne e marrim qytetin brenda vetes me të gjitha kuptimet mendore të tij; dhe e marrim në gjak, jo vetëm në kokë si inteligjenti Rus. Kur Rusi zhvendoset në qytetet e tij ai e merr fshatin me vete së brendshmi. Nëse duam ta kuptojmë këtë çarje të pariparueshme mes “socializmit” Perëndimor dhe atij Lindor duhet ta kemi parasysh gjithmonë dallimin mes shpirtit Rus dhe sistemit politik Rus, mendësinë e udhëheqësve dhe instinktet e atyre që udhëhiqen. Sepse çfarë tjetër është Pan-Sllavizmi përveçse një maskë politike e stilit Perëndimor që mbulon ndenjën e fortë të një misioni fetar? Me gjithë fjalëkyçet industriale të tilla si “vlerë e shtuar” dhe “shpronësim”, punëtori Rus nuk është punëtor urban, nuk është njeri i masave si në Mançester, Esen, dhe Pitsburg. Në fakt ai është një mbjellës dhe korrës që ka braktisur shtëpinë, me urrejtje për atë fuqi të huaj dhe të largët që i prishi mjeshtërinë e vërtetë prej së cilës shpirti i tij nuk shkëputet dot. Nuk ka aspak rëndësi se me çfarë pikëpamjesh punon ky bolshevizëm. Edhe nëse programi tij do të kthehej krejt përmbys, misioni i pavetëdijshëm i Rusisë që po zgjohet do të mbetet i njëjtë: nihilizmi. Dhe megjithatë bolshevizmi ka ndikim të pamatë në mendjet e fermentuara të intelektualëve të qyteteve tona. Është bërë si tip zbavitjeje për mendjet e lodhura dhe të rrënuara, armë për shpirtrat e kalbur megalopolitanë, shprehje e gjakut që po prishet. Spartakizmi i salloneve i përket së njëjtës kategori me teozofinë dhe okultizmin; për ne është njësoj siç qe kulti i Isisit, jo për skllevërit Orientalë në Romë, por për vetë Romakët dekadentë. Fakti që u vendos në Berlin lidhet me mashtrimin monstruoz të këtij Revolucioni që nuk kishte asgjë të vërtetë. Pak rëndësi ka që idiotët tanë kokëboshë filluan të ngrinin “këshilla fshatarësh” duke imituar modelin Soviet, apo që askush nuk e vuri re se problemi madhor i Rusisë janë çështjet rurale ndërsa shqetësimet tona janë ekskluzivisht urbane. Përballë socializmit Spartakizmi në Gjermani nuk ka të ardhme. Mirëpo është e sigurt që Bolshevizmi do ta pushtojë Parisin, sepse kur përzihet me anarkizmin sindikalist ai arrin ta kënaqë shpirtin e lodhur Francez të etur për sensacion. Do të jetë forma e duhur e shprehjes së taedium vitae-s së atij qyteti gjigant kaq të tejngopur nga jeta. Si helm i rrezikshëm për intelektet e rafinuara të Perëndimit ka të ardhme shumë më të madhe sesa në Lindje. Në Rusi ai do të zëvendësohet nga një formë e re carizmi, i vetmi sistem i mundshëm për një popull që jeton në kushte të tilla. Ka shumë mundësi që ky carizëm t’i ngjasojë më shumë sistemit socialist Prusian sesa parlamentarizmit kapitalist. Dhe megjithatë e ardhmja e forcave të pavetëdijshme të Rusisë nuk qëndron te zgjidhja e problemeve politike dhe shoqërore, por në lindjen e pritshme të një besimi të ri, i treti që do të shfaqet nga matrica e Krishtërimit, njësoj si rreth vitit 1000 kultura Gjermaniko-Perëndimore krijoi në mënyrë të pavetëdijshme formën e dytë të Krishtërimit. Dostojevski është një nga profetët e këtij besimi të ri; ky besim është akoma i paemër, por ka filluar të shfaqet që tani me një forcë të qetë dhe të butë deri në pafundësi. Për ne qytetarët e botës Perëndimore, besimi ka mbaruar. Në shpirtrat tanë urbanë ajo që dikur ishte ndjenjë e vërtetë besimi është intelektualizuar prej kohësh në “problematika”. Kisha u kompletua me Këshillin e Trentit. Puritanizmi është kthyer në kapitalizëm, Pietizmi sot është socializëm. Sektet Anglo- Amerikane përfaqësojnë vetëm etjen e biznesmenit nervoz për argëtim teologjik. Nuk ka spektakël më të neveritshëm sesa përpjekja e disa grupeve Protestante për të ringjallur kufomën e besimit duke e spërkatur atë me parfum bolshevik. E njëjta gjë është provuar me okultizmin dhe teozofinë. Dhe nuk ka asgjë më mashtruese sesa shpresa që besimi i ardhshëm i Rusisë mund të nxisë një ringjallje të besimit në Perëndim. Nuk duhet të ketë më asnjë keqkuptim: me urrejtjen e tij për shtetin, shkencën dhe artin, nihilizmi Rus drejtohet gjithashtu edhe kundër Romës dhe Vitenbergut 168, shpirti i të cilëve është i pranishëm në të gjitha format e kulturës Perëndimore dhe si i tillë pjesë integrale e asaj që ky nihilizëm synon ta asgjësojë. Rusia do ta shtyjë këtë zhvillim mënjanë dhe do të lidhet edhe një herë, nëpërmjet Bizantit, drejtpërsëdrejti me Jeruzalemin. Bolshevizmi është një karikaturë e përgjakur e problemeve Perëndimore që filluan nga ndjeshmëritë e besimit Perëndimor. Sot do të duhej të kishte qenë e qartë se sa i pakuptimtë dhe sipërfaqësor është për këtë lëvizje Ruse problemi i madh dhe universal me të cilin përballet sot Perëndimi: zgjedhja mes ideve Prusiane dhe Angleze, mes socializmit dhe kapitalizmit, shtetit dhe parlamentit. _________________ Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
| |
| | | Tomor ADMIN
Numri i postimeve : 1205 Join date : 17/03/2013
| Titulli: Re: Oswald Spengler, "Prusianizmi dhe socializmi" Fri 23 Jun 2023, 20:38 | |
| Po përmbledh. Dëshiroj që ky shkrim i shkurtër t’u japë atyre njerëzve tanë që për arsye të iniciativës, vetëdisiplinimit dhe superioritetit të tyre mendor janë thirrur për të udhëhequr brezin e ardhshëm, një tablo të qartë të kohëve në të cilat jetojmë dhe drejtimit ku jemi të destinuar të ecim.
Tani e dimë se çfarë luhet: jo vetëm destini Gjerman, por destini i të gjithë civilizimit. Pyetja kritike jo vetëm për Gjermaninë por për të gjithë botën – por që i duhet dhënë përgjigje për të gjithë botën në Gjermani – është kjo: në të ardhmen, do ta sundojë biznesi shtetin, apo shteti biznesin?
Përsa i përket kësaj pyetjeje madhore, Prusianizmi dhe socializmi janë një dhe të pandarë. Deri më tani nuk e kemi kuptuar këtë, madje edhe sot nuk është akoma e qartë. Mësimet e Marksit, bashkë me egoizmin klasor, janë fajtorë sepse kanë bërë që forca socialiste e punës dhe elementi konservator ta keqkuptojnë njëri-tjetrin, dhe kështu të keqkuptojnë socializmin.
Mirëpo tashmë është mëse e qartë që të dy palët kanë qëllime të njëjta. Prusianizmi dhe socializmi qëndrojnë së bashku kundër “Anglisë brenda” nesh, kundër disa qëndrimeve që e kanë copëtuar dhe debilizuar shpirtërisht të gjithë popullin tonë. Rreziku është shumë i madh. Mjerë ata që i kthejnë shpinën kësaj ore për shkak të egoizmit apo padijes. Do të rrënojnë veten dhe të tjerët. Solidariteti do të nënkuptojë përmbushjen e idesë së Hohencolernve dhe në të njëjtën kohë shpëtimin e punës. Shpëtim ka ose për konservatorët dhe punëtorët bashkë, ose për asnjërin.
Puna duhet t’i flakë tej iluzionet Marksiste. Marksi ka vdekur. Si formë ekzistence socializmi sapo ka filluar; si lëvizje e veçantë brenda proletariatit Gjerman socializmi ka marrë fund. Për punëtorin ka vetëm socializëm Prusian, ose asgjë.
Konservatorët duhet ta heqin qafe egoizmin e tyre që dikur, gjatë mbretërimit të Zgjedhësit të Madh, i kushtoi kokën kapitenit Fon Kalkshtajn 169. Pavarësisht nga çfarë mund të mendojmë për demokracinë, ajo do të jetë forma politike që do t’i mbijetojë këtij shekulli. Për shtetin mund të ketë vetëm demokratizim, ose asgjë. Për konservatorët do të ketë vetëm socializëm të vetëdijshëm ose asgjësim. Mirëpo ne duhet të çlirohemi nga format Angleze dhe Franceze të demokracisë. Ne kemi tonën.
Kuptimi i socializmit është që jeta të mos dominohet nga kontrasti i pasurisë dhe varfërisë, por nga rangu që përcaktohet nga arritjet dhe aftësitë. Ky është lloji ynë i lirisë: liri nga tekat ekonomike të individit.
Shpresa ime e zjarrtë është që askush që ka lindur me aftësinë për të komanduar të mos mbetet në hije, dhe askujt që i mungon ky talent i lindur të mos t’i jepet përgjegjësia e komandës. Socializëm do të thotë aftësi, dhe jo dëshirë. Vendimtare nuk është cilësia e qëllimeve, por ajo e arritjeve. U drejtohem të rinjve tanë. U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë palcë në kocka dhe gjak në vena. Stërvituni! Bëhuni burra! Nuk na duhen më tepër ideologë, më tepër dërdëllitje për Bildung, kozmopolitanizmin, dhe misionin intelektual të Gjermanisë. Na duhet forcë, na duhet skepticizëm kurajoz, na duhet një klasë kryetipash socialistë. Edhe njëherë: socializëm do të thotë forcë, forcë, dhe më tepër forcë. Skemat dhe mendimet janë asgjë pa forcën. Shtegu drejt forcës tashmë është treguar: elementët e vlefshëm të punës Gjermane krah për krah përfaqësuesve më të mirë të idesë së shtetit të hershëm Prusian, të dy grupet bashkë të vendosur për të ndërtuar një shtet rreptësisht socialist për ta demokratizuar kombin tonë në stilin Prusian; të dy bashkë të shkrirë në një njësi të vetme nga e njëjta ndjenjë e detyrës, nga vetëdija e një detyrimi madhor, nga vullneti për t’u bindur me qëllim për të udhëhequr, për të dhënë jetën për fitore, nga forca për të bërë sakrifica gjigante për të arritur atë për të cilën kemi lindur, atë që jemi, atë që nuk mund të jetë pa ne.
Ne jemi socialistë. Le të shpresojmë se kjo nuk ka qenë më kot.
_________________ Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
| |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Oswald Spengler, "Prusianizmi dhe socializmi" | |
| |
| | | | Oswald Spengler, "Prusianizmi dhe socializmi" | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |