Korporatat - shoqatat e zejtarëve dhe tregtarëve
Korporatat në mesjetë ishin shoqata të shtresës së tretë, që si rregull përfshinin një lëmi të caktuar profesionale, me detyrën kryesore për të ruajtur interesat e anëtarëve të vet zejtarë apo shitës nga konkurrenca, nga politika fiskale e shtetit, nga arbitrariteti i feudalëve, si dhe për të mbikqyrur e disiplinuar veprimtarinë e tyre. Korporatat kryenin edhe funksione tjera shoqërore në interes të anëtarëve por edhe të konsumatorëve dhe të shtetit.
Njihen me emrat
gilde (guild),
kolegje,
vëllazëri (fraternita),
korporata,
arte,
hanza,
esnafe,
rufete. Në Durrësin mesjetar njiheshin si kolegje (
collegia) ashtu siç quheshin edhe në kohën antike ca organizime të ngjashme, duke qenë se këtu kishin një traditë të pandërprerë që nga lashtësia. Në trojet shqiptare njiheshin edhe me termat grekë (bizantinë)
systima dhe
synergasia.
Anëtarësia e korporatës takohej në ndërtesën e posaçme (guild-hall) Në korporata bënin pjesë mjeshtrit-pronarë shitoresh, ortakët e bashkëpunëtorët, zejtarët e varur dhe nxënësit që merrnin zanatin. Korporatat kishin organet e veta qeverisëse: zakonisht kuvendin e mbarë mjeshtërve, dhe ky pastaj zgjidhte me votime, një këshill më të ngushtë dhe kryetarin e korporatës (që rëndom njihej me titullin bizantin
protomajstor). Korporatat për të mënjanuar konkurrencën ndalonin hyrjen në qytet të një malli të prodhuar nga zejtarët e qyteteve tjera, caktonin çmimin e mallit, cilësinë dhe sasinë që do të prodhohej nga çdo zejtar, madje shpesh edhe numrin e veglave, të punëtorëve me mëditje, kohën e punës, pastaj ndalonin reklamimin e një prodhimi nga një zejtar në dëm të një zejtari tjetër, dhe kishin krijuar një numër pengesash që e kishin vështirësuar pranimin e mjeshtërve të rinj. Përveç kësaj i përcaktonin edhe kushtet e punës e të pagës dhe proceset teknologjike, dhe këto nganjëherë bëheshin në bashkëpunim me shtetin. Shteti edhe ua jepte licensat e veprimtarisë dhe pushtetin në lëminë e tyre të veprimtarisë për territorin e caktuar, rëndom për qytetin ku vepronin. Korporatat kishin edhe gjykatat e veta, dhe inspektuesit të cilët gjobisnin ata që nuk respektonin çmimet dhe ulnin cilësinë e prodhimeve. Korporatat mbronin anëtarët edhe nga grabitjet e ndryshme, organizonin furnizimin me lëndë të parë gjë që ishte më lehtë kur e bënin bashkërisht.
Për çdo fushë të prodhimtarisë a të shitblerjes ka një korporatë të veçantë. Kështu në mesjetë kanë qenë të rëndësishme korporatat e bukëpjekësve, mullisëve, rrobaqepësve, endësve, tjerrësve, lëkurëpunuesve, farkëtarëve, këpucëtarëve, bujtinave, kasapëve, të tregtisë së prodhimeve ushqimore etj. Ndonjëherë kur një zeje është zhvilluar së tepërmi, ka pasur një specializim të madh, prandaj edhe numër më të madh korporatash. Kështu p.sh. në Kostandinopojë kishte korporata të posaçme për tjerrje të mëndafshit, endje të mëndafshit, ngjyrosje të mëndafshit me purpur, tregti të mëndafshit të papërpunuar, tregti të stofrave të mëndafshta siriane dhe tregti të veshjeve të mëndafshta; secila prej këtyre veprimtarive kishte korporatën e vet, ku bënin pjesë një numër i madh zejtarësh, respektivisht tregtarësh.
Korporata ishte shoqatë me anëtarësim mbi baza vullnetare në kuptimin që një njeri nuk mund të detyrohej me dhunë të ushtronte zejen e caktuar. Por nga ana tjetër një njeri ishte i kushtëzuar të bëhej pjesë e korporatës nëse dëshironte të ushtronte zejen përkatëse. Ushtrimi i zejtarisë ishte i ndaluar për ata që nuk ishin anëtarë të korporatës. Për këtë korporata përkatëse kishte edhe autoritetin nga vetë shteti, në lëminë e caktuar të veprimtarisë dhe në territorin e qytetit a komunës së caktuar. Pra korporata kishte monopol mbi zejen e caktuar brenda territorit komunal.
Korporatat kishin edhe funksione tjera dytësore, në interes të anëtarëve, p.sh. ushtronin kultet fetare, mbanin kremte fetare, ndihmonin anëtarët në momente të vështira, përballonin krizat e mundshme në rastet e superprodhimit etj.
Në botën krishtene si dhe në hapësirën arbërore në mesjetë korporatat u ndikuan fuqishëm nga kisha, dhe më pas u shkrinë me shoqëritë ndihmëse fetare dhe me institutin e krishtenë të hospitalit. Korporatat në radhë të parë emrin e merrnin nga ndonjë shenjtor krishten, zakonisht shenjtori që ishte mbrojtës i veprimtarisë së caktuar. Kjo të kujton kohërat e lashta pagane kur secili zot ishte përgjegjës për një zeje të caktuar. Kështu në trojet shqiptare njihen korporata e Shën Gjergjit, e Shën Mërisë, e Shën Mërkurit etj. Korporatat e krishtena luanin rol në mirëmbajtjen dhe pajisjen e kishave, ndërsa më vonë esnafet e kohës osmane do të jenë të lidhura ngushtë me tarikatet e ndryshme. Kështu urdhëri bektashi ishte i lidhur me shpatabërësit, dyfekpunuesit, leshpunuesi, dhe qeleshepunuesit. Urdhëri kadiri ishte i lidhur ngushtë me regjësit e lëkurëve (lëkurëpunuesit dhe këpucëtarët).
Për të ushtruar më mirë veprimtarinë, zejtarët e të njëjtës korporatë punonin pranë njëri tjetrit, prandaj edhe sot nëpër qytete evropiane gjejmë rrugë të emërtuara sipas veprimtarive profesionale që kryheshin në to, dhe që të kujtojnë korporatat e mesjetës, madje edhe rrugë ku edhe sot ka shitore me të njëjtat prodhime ose të njëjtat veprimtari.
Korporatat kishin edhe funksion arsimor. Nxënësit që mernin zanatin, ishin djem të rinj që nuk njihnin teknikën e prodhimit, hynin në shërbim të mjeshtrit pa pagesë për disa vite, që mund të ishte 2-3 vjet ose deri në 7 vjet. Pas kësaj konsideroheshin zejtarë bashkëpunëtorë (shokë, kolegë apo kallfë). Për t'u bërë mjeshtër me të drejta të plota duhej poashtu një kohë e gjatë pune si bashkëpunëtor, pastaj nevojitej shumica e votave të kuvendit të zejtarëve, si dhe duhej që zejtari bashkëpunëtor të bënte një kryevepër në lëminë përkatëse, e ndonjëherë edhe një taksë që shkonte në arkën e përbashkët të korporatës. Mjeshtri i ri, merrte lejen për hapjen e punishtes apo shitores dhe fillonte veprimtarinë si një mjeshtër me të drejta të plota.
Korporata kishte dhe arkën e përbashkët, që mbushej sa nga kontributet e anëtarëve sa nga gjobat që u viheshin atyre që shkelnin rregullat, dhe nga burime tjera.
Korporata kishte edhe funksion të mbrojtjes e të sigurisë. Për t'u mbrojtur nga inkursionet e kusarëve e bandave e shpesh edhe nga vetë feudalët, korporatat kanë organizuar reparte të armatosura që në periudhën anarkike të sundimit osman njiheshin si
beqarët e esnafit. Vetë Bushatlinjtë filluan ngjitjen e tyre në pushtet me Mehmet Bej Bushatliun (Mehmet Pashë Plaku) si një udhëheqës i korporatës së tabakëve, dhe duke pasur në dispozicion trupat e armatosura të beqarëve.
Krahas korporatave më të zakonshme për zeje e tregti, kishte korporata për profesione tjera më të pazakonshme. Kështu në Firencë ekzistonte korporata e bankierëve, ku bënin pjesë të gjithë fajdexhinjtë dhe pará-këmbyesit e qytetit; korporata e gjykatësve, avokatëve dhe noterëve; korporata e mjekëve dhe barnatoreve; korporata e muratorëve. Vetë universitetet filluan si korporata të mësuesve dhe nxënësve që të mbroheshin të drejtat e tyre, dhe këtë sistem e mbajnë edhe sot universitetet ku profesori me asistentin janë një trashëgimi e mjeshtrit me nxënësin (çirakun). Në vende të ndryshme kishte edhe korporata të muzikantëve, këngëtarëve, artistëve dhe atyre që u binin veglave. Me shpikjet e reja në fushën e artilerisë, si bie fjala topi, gopedri, etj., kjo fushë ushtarake, nuk u organizua në njësite ushtarake siç janë sot, por në korporata sikurse ato të zejtarëve: përbëheshin nga mjeshtri që kishte në pronësi disa topa, pastaj artilerët që kryenin operacionet artilerike, nxënësit apo çirakët si dhe shërbyesit apo ndihmësit që ndihmonin artilerët.
Korporatat mbanin emblema ngjashëm sikur aristokratët e kohës Krahas korporatave qytetare, në Shqipëri kishte edhe fshatra e krahina të tëra që merreshin me një zeje të vetme. Të tillë ishin fshati Gunës (me punimin e gunave) dhe fshati Samarisi (me punimin e samarëve) në rrethinën e Shkodrës. Përmenden edhe fshatrat Shtitar (punues të shqyteve), dhe Zllatar (artarë ose argjentarë), të cilëve Kodi i Dushanit ua ndalonte qëndrimin jashtë për të parandaluar falsifikimin e parave. Një dukuri e tillë mesjetare, ku fshatra e krahina të tëra merren me një zeje është ruajtur deri më sot në trojet shqiptare. Kështu hasjanët ende sot mbajnë furrat e bukës jo vetëm nëpër Kosovë por edhe në shtete tjera të rajonit, goranët njiheshin për zejen e ambëltoreve, opojarët dhe tetovarët për zejen e gjelltoreve, shqiptarët e fesë katolike kryesisht artarë e argjentarë), gurpunuesit e Lunxhërisë me ndërtimin e puseve të ujit për pije, mullinjve, krojeve dhe kanaleve të ujitjes, ndërsa në një të kaluar dibranët përhapën kudo artin e ndërtimit të kullave. Është e mundshme që edhe fiset Shalë e Shosh të kenë marrë emrin fillimisht nga zeja që kanë ushtruar (punimi i shalave për kuaj dhe shoshave), që për kohën do të kenë qenë zeje mjaft fisnike dhe të rëndësishme për jetën e malësorëve, dhe që më vonë kanë mbetur si emra fisesh.
Një organizim i tillë do të bëjë jehonë shekuj më vonë. Sistemi nazifashist i Musolinit dhe Hitlerit, ishte sistem i korporatave por të përshtatur në kushtet e reja të sistemit kapitalist me industri të zhvilluar dhe jo më në kushtet e prodhimit zejtar me vegla dore si në mesjetë.