Dhemetra
Dhemetra ishte bija e dytë e Reas (reja) dhe Kronit (kroit). Nderohet si perëndeshë e fuqisë jetëdhënëse të tokës. Ishte hyjneshë e pllenimit dhe bujqësisë të cilën e nderonin veçanërisht fshatarët.
Miti kryesor mbi Dhemetrës, hyjneshën e pllenimit, është i lidhur me legjendën mbi rrëmbimin e vajzës së saj, Persefonës, nga hyu i botës së nëndheshme, Hadesi. E dëshpëruar Dhemetra nëntë ditë e kërkoi më kot vajzën, ditën e dhjetë mësoi nga Dielli se Persefonën e kishte rrëmbyer Hadesi. Dhemetra e la Olimpin dhe në formën e një plake filloi të udhëtonte nëpër botë. Ndërkaq toka pushoi së dhëni drithë dhe pllakosi një uri e madhe. Atëherë Zeusi vendosi që Persefona të shkonte tek e ëma, por me kusht që një pjesë të vitit ta kalonte në tokë me Dhemetrën, e kohën tjetër që i mbetej ta kalonte me Hadesin. Atëherë Dhemetra u kthye përësir në Olimp dhe toka filloi të jepte përsëri drithë.
Sipas besimit të lashtë ajo u mësoi njerëzve bujqësinë, krijimin e qyteteve dhe të ligjeve. Pas grabitjes së Persefonës ajo u vendos në Eleusinë te mbreti Celé, gruaja e të cilit Metanira, e priti mirë pa e ditur s kush ishte. Këtu Dhemetra mori përsipër të rriste djalin e Metanirës, Triptolemin dhe ta bënte atë të pavdekshëm. Për këtë qëllim ajo ditën e ushqente me qumështin hyjnor të gjirit të saj dhe e lyente me ambroz, kurse natën
e vinte mbi zjarr për ta xhveshur nga çdo gjë tokësore. Fëmija rritej i shëndetshëm dhe aq shpejt sa ngjalli kërshërinë nënës. Kjo e fundit donte të dinte se çfarë ndodhte gjatë natës dhe çfarë magjie përdorte Dhemetra. Ajo u fsheh në një qoshe të dhomës e kur e pa se hyjnesha ishte gati ta vinte djalin mbi zjarr, bërtiti kaq shumë sa magjia u prish. Atëherë Dhemetra i tregoi se kush ishte. Para se të largohej nga Eleusina ajo i mësoi djaloshit Triptolem artin për të punuar tokën, përdorimin e plugut dhe të qerres dhe e porositi që t'u mësonte njerëzve bujqësinë. Me qerren e mbrehur nga dy grifonë Triptolemi i shpërndau këto njohuri në vende tjera.
Qendra e kultit ë Dhemetrës ishte Eleusina. Për Dhemetrën dhe Persefonën bënin shumë kremte në vende të ndryshme:
- si themeluese e rregullit, Dhemetra nderohej në kremtën e Thesmoforisë (bartëse e ligjeve).
- Antesteritë, në ishullin e Sicilisë
- misteret Eleusine në vjeshtë e pranverë
Më të rëndësishme ishin kremtet e Eleusinës, nga qyteti ku ndodhej një nga faltoret më të dëgjuara të saj. Në to merrnin pjesë vetëm njerëzit e caktuar në ceremonitë sekrete që mbanin emrin Misteret e Eleusinës.
Dhemetrës i blatonin dema, lopë dhe fruta.
Dhemetra paraqitej me një pamje të butë dhe mban një lidhëse të flokëve mbi ballë ose një stefane të lartë (polos). Është gjithmonë e veshur me himation dhe atributet e saj janë skeptri, kallinjtë e grurit, kornukopja dhe pishtari.
Emri i Dhemetrës mendohet të jetë i lidhur me tokën, nga pjesa jogreke -de. Si e tillë ajo nderohej si mbrojtëse e të vdekurve që quheshin edhe demetrisi. Me këtë lidhet atributi i saj si ktonia. Në paraqitjet artistike të periudhës arkaike dhe klasike mund të përmendim skenat me figura ë zeza të sjelljes së Persefonës nga Hermesi, të nisjes së Triptolemit, të kthimit të Dhemetrës në Olimp. Në skulpturë mund të kujtojmë shoqërimin me Aresin dhe Dionisin në frizin lindor të Parthenonit ose me Koren në timpanin lindor të po këtij monumenti.
Në Apoloni (Pojan të Fierit), kulti i Dhemetrës u soll nga Korinthi, ku ajo konsiderohej një perëndeshë e lashtë pellazge. Gjethja e hedhurinave të terrakotave në anën perëndimore të Apolonisë tregon se faltorja e saj gjendej në drejtim të fushës pjellore. Këto terrakota paraqesin Dhemetrën dhe Koren me kurora lulesh në kokë. Gjithashtu nga Apolonia njihet edhe një skulpturë e Dhemetrës e periudhës klasike, që ndodhet sot në Luvër.
Në Romë kulti i Dhemetrës shkrihej me kultin e hyjneshës romake Cerera (Kerera) që lidhet me rrënjën -korr-. Kulti i Kererës mori përhapje të madhe mes fshatarëve. Kremtet për nder të Kererës, kerealitë, mbaheshin në muajin prill. Hyjnesha paraqitej me kunorë kalliri, me pishtar dhe kaçile me fruta.