Kandhaon
Numri i postimeve : 836 Join date : 09/08/2014 Location : Në breshta, mes bredhave,
| Titulli: Liqeni i Ohrit Sat 01 Apr 2023, 01:17 | |
| Liqeni i Ohrit Ky liqe i bukur i vendit tonë gjindet në basenin e thellë shkambor i rrethuem nga të gjitha anët me male të nalta. Tashpërtash një pjesë e madhe e këtij liqeni është e okupuar nga pushtuesi bullgar. Sipërfaqja e tij âsht 348 km2. Qysh nga krijimi i tij e ka pasë gati të njajtën madhësi, sepse sipërfaqja e tij deri më sot pak âsht zvogëlue. Ky âsht liqeni ynë ma i thellë. Thellësija ma e madhe e tij âsht 286 m, e kjo âsht thellësija ma e madhe se sa thellësija e gjithë pjesëve veriore të Detit Adriatik.
Në lindje të liqenit ngriten mali i Petrinjës, Galiçica, me naltësi mbi 2000 m. si dhe Mali i Thatë. Megjithëse këto male kanë përbamje të gurit gëlqeror ma tepër janë të mbulueme me kaçuba, pyje dhe në naltësi me kullosa plot barë. Në perëndim ma t'ulta janë malet e Beliçkës dhe të Mokranjës në naltësi të mbulueme me pyje ahishtesh dhe dushkajash, kurse afër brigjevet të tij gjinden trungje fiqsh, arrash dhe lejthijash. Anët e malevet ngriten pothuejse gati prej vetë liqenit, kështuqë brigjet e tij - kryesisht janë të nalta e të rrëpishme. Vetëm nji brez i ultë i tokës, krejtësisht i ngushtë, shtrihet rreth liqenit dhe paraqet fundin e tij t'asaj kohe kur ai përfshinte sipërfaqe ma të mëdha. Në veri, te Struga dhe Ohri, bregu i liqenit âsht i ultë dhe ranor, poashtu âsht edhe në jug te Manastiri i Shën Naumit.
Bregu i jugut dhe ai i lindjes janë brigje burimesh. Ndoshta nuk ka ma kurrkund mbi tokë liqej, të cilët marrin aq shumë ujë prej burimevet si Liqeni i Ohrit. Aq shumë ka burime. Nga ana jugore, vetëm në nji prese të vogël të gurit gëlqeror, burojnë afër 80 kroje. Prej çdo zgavre, prej çdo shpelle të vogël shpërthen ujë. Diçka me larg gjinden gurrat e pasuna të Drinit të Zi, i cili mbas rrjedhjes së shkurtë derdhet në liqe. Burimet gjinden ose në breg ose në fund të liqenit. Afër Ohrit në bregun lindor të liqenit gjinden gurrat e forta Studençishte.
Afër Studençishtes gjindet Enti hidrobiologjik, i cili ka për detyrë me studjue jetën organike të liqenit. Në kët ent bahet edhe shumimi i troftave, llojit ma të mirë të peshqve t'Ohrit me të cilat për çdo vjet peshkëzohen Liqeni i Ohrit dhe i Prespës, e në vjetët e fundit edhe liqeni artificial i Mavrovës afër Dibrës.
Uji âsht jashtzakonisht i kthjellët dhe i tejdukshëm për arsye të rrjedhjes së përhershme t'ujit të pastër prej shum burimevet si dhe për shkak të fundit dhe brigjeve të tija shkambore, ku rrallë gjindet lymi bregor, të cilin valët mund ta hidhshin në liqe. Uji i kthjellët dhe thellësija e madhe bajnë që liqeni ta ketë ngjyrën e bukur, të kaltërt, dhe ndonjiherë të kaltërt në të mbyllët, ku kaltërsija e tij nuk âsht aspak ma e dobët se ajo detare. Vetëm afër brigjeve uji âsht i gjelbërt sidomos në brezin e gjanë rreth bregut jugor.
Liqeni i Ohrit âsht i pasun me botën e gjallë. Në té jetojnë shumë lloje peshqish dhe gjallesa të tjera uji. Këto janë llojet e sotshme që gjinden edhe n'ujnat të tjera të vendit tonë si dhe nëpër ujnat e visevet të tjera të botës. Por ajo që ban të njohtun Liqenin e Ohrit, simbas së cilës përmendet në shkencë, âsht se janë gjetë në te organizma t'imta shtazore që kanë jetue në tokë dhe janë zhdukë para shum mija vjetësh. Këtu kanë qëndrue dhe deri më sot. Të tilla janë gjetë edhe në liqenin Bajkall në Azi.
Prej llojeve të ndryshme të peshqve që zehen në liqe si ma i mirë konsiderohet trofta e Ohrit, kurse simbas mënyrës së jetës dhe gjuetisë ma interesante âsht njala. Ka trajtën e gjarpnit dhe rritet deri në nji metër.
Shekuj me radhë njerëzit kanë gjuejtë njala në liqej me ujë t'ambël t'Europës dhe t'Amerikës. Por vetëm n'ata liqej, të cilët me anë të rrjedhjeve të lumejvet lidheshin me detë. Njalat nuk i kanë gjetë asnjiherë në liqejt që s'kishin rrjedhje. Pse ishte ashtu këtë s'e dijshin. Madje as shkencëtarët nuk dijshin ma tepër se ata. Dijshin vetëm aq se n'ujnat e ambla ku jetojshin njalat asnjiherë nuk ishin gjetë larve, madje as njala krejtësisht të vogla, vetëm aso të reja por të zhvillueme. Nga kjo kanë konstatue se aty nuk shumoheshin. Asht vu re se njalat në nji kohë të caktueme në grumbuj nisen prej ujnavet t'ambla ku jetojnë dhe nëpër lumej shkojnë në detë. Ky ka qenë shkak që shkenctarët ta ndjekin udhtimin e tyne. Disa dheta vjet shkencëtarët e Europës dhe t'Amerikës studjuen udhtimin e njalavet - dhe mbas nji pune të durueshme shumvjeçare me plot mund, enigma u zgjidh.
Asht vërtetue se njalat e rrituna i braktisin liqejt dhe nëpër lumej nguten në detëatëherë kur t'u vijë koha për shumim. Atyne u bashkohen edhe njalat që jetojnë në grykat e lumejve në detë, dhe së bashku udhtojnë drejt Oqeanit Atlantik. Kështu udhtojnë ditë e netë me qinda dhe mija kilometra. Kur të mbërrijnë n'Oqeanin Atlantik në hapsinën në mes 22° dhe 30° të gjanësisë gjeografike veriore, si dhe në mes 48° dhe 65° të gjatësisë gjeografike perëndimore, aty mbarsohen, lëshojnë ikrat e mandej ngordhin. Ndërkaq të vegjlit e njalave të primë nga instikti shkojnë n'ujna t'ambla rrugëve të njajta nëpër të cilat prindët e tyne kishin ardhë.
Prej ikravet zhvillohen larva shum t'imta, të cilat në fillim kanë formë pjate dhe krejtësisht të tejdukshme, dhe gradualisht zhvillohen në njala të reja "qelqore" që i përngjasin gjarpnit. Ky proces zhvillimi i larvave në njala gjarpnore te njalat e Amerikës zgjat nji vjet, kurse te ato t'Europës 3-4 vjet. Gjatë kohës së këtyne ndërrimevet larvat udhtojnë nëpër Oqean, të ndihmueme prej rrymave detare. Ato mbërrijnë deri te lumejt e tokave t'Europës dhe t'Amerikës. Nji pjesë nëpër Gjibraltar hyn në Detin Mesdhe e prej këtij në detna tjerë t'afërm, kështu dhe n'ate t' Adriatikut. Miliarda njalash t'imta dhe të tejdukshme nxitojnë atëherë përpjetë lumejve tue i shfrytëzue dhe prroskat, kanalet ma të vogla, madje edhe baltën e hollë. Gjatë kësaj kohe ato gradualisht e fitojnë ngjyrën, të mbyllët në shpinë, të çelun në bark. Nji pjesë e tyne mbetet në lumej, pjesa tjetër vazhdon në liqej. Kur mbërrijnë atje rriten shpejt dhe për disa vjet mbërrijnë gjatësinë prej 60-70 cm.
Prej Liqenit t'Ohrit njalat udhtojnë nëpër Dri, i cili te Struga del prej liqenit. Kjo ngjan në kohën e netëve t'errta e me erë, kur të shtyme prej valëve në grumbuj hyjnë në Dri. Në kët kohë peshkatarët i gjuejnë ma tepër. Zanë me qinda kilogramë njala. Aty ku del Drini prej Liqenit ka qenë gjuetorja kryesore e njalave e quejtun - Dalan. Në mënyrë të posaçme lumi pritet me trina të thurruna me thupra, në mes të cilavet ndalen njalat.
Kur fryen era jugore, valët e nalta hedhin shum ranë në bregun verior të Drinit, gjâ që pengon derdhjen e ujit. Për kët shkak niveli i liqenit rritet. Për t'u rregullue derdhja e ujit në kohën e sundimit turk në këto vende, Drini pastrohej prej rane në mënyrë primitive, por të suksesshme. Tri katunde afër liqenit kanë qenë të liruem prej pagesës së tatimevet, por kanë qenë të detyrueme me u kujdesë për pastrimin e Drinit. Katundarët kët punë e kanë krye në mënyrë që çdo vjet i tubojshin gjithë buejt dhe i shtijshin në Dri. Tue shkelë nëpër lum, buejt rrëmihshin ranën nën kambë e cila çohej përpjetë dhe e bante uji. Drini i pastruem shprazte sasi të mjaftueshme uji për ta mbajtë ekuilibrin në mes të derdhjes e rrjedhjes. Në fillim të shekullit XIX edhe këto katunde u detyruen me pague tatime, kurse u liruen nga obligimi për pastrimin e Drinit. Prej atëherit niveli i liqenit gjithnji rritej ngadalë dhe mbas disa dheta vjetsh liqeni u zmadhue dukshëm. Nën ujë u gjindën shum objekte, të cilat dikur ishin në tokë. Asht vërshue rruga e vjetër në mes t'Ohrit dhe Strugës. Rreth Strugës toka e ulët u shëndrrue në këneta të mëdha.
Më pas u dëlir shtrati i lumit me një bager dhe u larguan Dalanët, sepse kjo gjâ pengonte derdhjen e ujit. Mbas largimit të trinavet dhe të pastrimit të përsërishëm të Drinit niveli i liqenit zbriti siç ka qenë më parë.
Peshkatarët ndërtuen një gjuetore tjetër, 15 km larg prej Struge e cila nuk e pengon rrjedhjen e Drinit. Gjuejnë përsëri edhe në vendin e vjetër, por në tjetër mënyrë. Netëve t'errta e me erë, kur njalat hyjnë në Dri, n'urat e vogla të lumit qëndrojnë njerëzit afër njani tjetrit. N'ujë lëshojnë sakat, rrjetat në trajtë të thasëvet, në grykën e të cilavet gjindet nji rreth i fortë, nji shkop i përforcuem ose nji tel i trashë me çka e mbajnë rrjetën. Të gjitha rrjetat vehen afër njana tjetrës me gryka të çeluna përballë ardhjes së njalavet. Nga presioni i ujit rrjetat zgjanohen dhe shtrëngohen. Kur të mbushen me njala, peshkatarët i nxjerrin, e shprazin gjahun dhe përsëri i lëshojnë n'ujë.
Në veri, buzë liqenit, gjinden dy qytete, Ohri dhe Struga. Ohri âsht ma i madh. Pjesa e tij e vjetër gjindet në nji kodër, që nëpër mjet pjesës së pjerrët lëshohet në liqe. Rrugët janë të pjerrëta, shtëpijat njana mbi tjetrën me shum dritare që shikojnë kah liqeni. Pjesa tjetër e qytetit, ma e re dhe ma e bukur shtrihet në bregun e ultë dhe të rrafshët të liqenit.
Përgjatë një zhvendosje tektonike të tokës që ndodhi 3,5 miljonë vjet më parë në mes të Ballkanit në kufirin e sotëm midis Shqipërisë dhe Maqedonisë u krijua Liqeni i Ohrit. Ky është liqeni më i vjetër në tërë Europën.
Në zonën e këtij liqeni rriten bimë dhe kafshë të llojeve tepër të lashta dhe të rralla të cilat nuk gjenden në ndonjë vend tjetër të botës. Për këtë arsye ky liqen ndodhet nën mbrojtjen e Unescos si pjesë e pasurisë së njerëzimit. Mirëpo shqiptarët dhe maqedonasit e ndotin liqenin duke hedhur në të gjithnjë e më tepër mbeturina ushqimesh dhe pisllëqe që vijnë nga shtëpitë, turizmi, agrikultura dhe industria. Kështu sipas llogarive të bëra, nëse ndotja nuk do të pushonte liqeni do të vdiste pas 10 deri 50 vjetëve.
Pisllëqet përbëjnë ushqim për algat e liqenit të cilat po përhapen gjithnjë e më tepër duke ua thithur oksigjenin e ujit peshqve, ngjalave e gaforreve. Si pasojë është ulur dukshëm numri i këtyre të fundit. | |
|