Zeusi
Kultin e Zeusit e sollën në gadishullin ilirik fiset indoevropiane në fillim të mijëvjeçarit II p.e.r. Emri i tij që ka në rrënjë pjesën -di-, është i lidhur me ditën dhe ai ishte në fillim zoti i qiellit të pastër. Ai kishte dhe atribute tjera dhe vetë aftësinë e transformimit. Kështu, në atributin e Zeus Melihios, ai përfytyrohej si një gjarpën i nëntokës.
Faltorja më e lashtë e Zeusit gjendej jashtë territorit grek në Dodonë, ku ai sipas Homerit quhej 'pellazgjik' dhe shërbehej nga fat-thënësit selë (selloi). Këtu, në Epir, ai ruante edhe bashkëshorten e vet indoevropiane, Dionën.
Në Ilir dhe Epir, Zeusi nderohej si kryezot. Qendra kryesore e kultit të tij Dodona, kishte një faltore të hapur rreth lisit të shenjtë të rrethuar me trekëmbësha bronzi. Nga zhurma e tyre dhe e fletëve të lisit orakujt parashikonin fatin e njerëzve ose të ngjarjeve.
Kulti i Zeusit dhe Dionës ishte në Epir një kult zyrtar. Në atributet e tij si zot i pushtetit, para tij bëhej betimi i mbretërve epirotë. Vetë dinastia eakide e niste origjinën e vet nga biri i Zeusit, Eaku, prej të cilit rrodhën Akili dhe Neoptolemi.
Kulti i Zeusit na del edhe në Amantia (Iliri) në formën epirote i shoqëruar nga Diona dhe me rrufenë si atribut, por edhe si hyjni ktonike, me simbol gjarpnin (Zeus Melihios). Në këtë formë e ndeshim edhe në monedhat e Bylisit. Në Dyrrah Zeusi gjithashtu nderohet gjerësisht në monedhat e qytetit. Ai ka si simbol trekëmbëshin, lidhur me atributin e vet si Zeus olimpik. Në Shkodër dhe Lis (Lezhë) fytyrlën e tij e ndeshim përsëri në monedhat e bronzit, por të shoqëruar me anijen, që nuk duhet të lidhet drejpërdrejt me simbolikën e tij, sepse deti është fushë e veprimit të Redonit.
Sigurisht Zeusi ilir ndryshonte nga ai grek, prandaj e ndeshim në kohën romake me epitetin Jupiter Parthinus.