FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Neoshqiptarizma

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Neoshqiptarizma Empty
MesazhTitulli: Neoshqiptarizma   Neoshqiptarizma EmptyWed 08 Mar 2023, 21:06

Organizimi moral i shoqërisë jashtëshkollore


Neoshqiptarizma Vg2

BRANKO MERXHANI
Fletushka "Vargmal", nr. 02, e enjte, 24 qershor 2010

Organizimi materjal i Shoqërive jashtëshkollore u plotësua pothua kudo. Në çdo qëndër prefekture u formua nga një shoqëri, u bënë zgjedhjet, u zgjodhën kryetarët dhe anëtarët. Fituan dhe nga një ndërtesë këto shoqërira dhe tabellat u vendosën përmbi hyrjen e këtyre. Nga pikëpamja materjale, çdo gjë që ishte e nevojshme të bëhet në fillim, u bë. U hodhën themelet e para t'organizatës dhe veprimi mund të fillojë. Vetëm në Kryeqytet u shënua një farë vonese. Shpresojmë se edhe kjo do të zhduket për pak kohë. Dhe kështu do të plotësohet organizimi materjal tërësisht dhe do të fillojë një aktivitet i përgjithshëm, i zgjeruar në çdo degë, që parashikon rregullorja përkatëse.


As ideja, as edhe vepra e organizimit e këtyre shoqërive, siç dihet, nuk janë krijesa të gjendjes së sotëshme. Krijimi i këtyre shoqërivet ishte parashikuar,

qoftë edhe në mënyrë jo aq të qartë dhe të gjërë, edhe nga Ligja organike e famshme e Arsimit të kohës së z. Mirash Ivanajt. Gjëndja e tanishme e gjeti gati, hem, bazën ligjore të punës, hem, deri në një pikë, themelet e para të saj. Gjeti gati godinën, skeletin, protoplasmën.

Puna që ësht për t'u bërë tani ësht të merret në dorë kjo form' e parë, të punohet dhe të plotësohet edhe nga pikëpamja morale. Ësht koha që të nis Organizimi moral i këtyre shoqërive. Të krijohet toni intelektual i Organizatës, t'i jepet shpirt, përmbajtje, kuptim dhe orjentim. Këto shoqërira, që gjinden larg nga çdo lloj influence politike të pa-pëlqyer, munden shum bukur të bëhen qëndra të një aktiviteti kulturor të dobishëm dhe të marrin përsipër rolin e përhapjes dhe të propagandës së njohjeve shoqrore të reja...

Shpirti i Punës dhe Shpirti i Bashkëpunmit. Ja, me dy fjalë, gjithë programi i organizimit moral të shoqërive jashtëshkollore. Emocjoni i punës, si edhe emocjoni i bashkëpunimit, duhet të bëhen fuqira vepronjëse kryesore t'epokës së tanishme. Duhet të luftohen pasjonet egoistike, tendencat individuale dhe një kuptim i ri i punës duhet të përhapet e të zhvillohet.


Brezi i ri shqiptar ka për detyrë të krijojë një Shqipëri të re. Ky vend i ri nuk do të ngjajë, nga asnjë pikëpamje, me vendin e prindërve t'onë, vendi i shkatrruar nga mbrënda, vëndi i njerëzve të shpërndarë, gjithë elementet të cilat rronin të veçuara njeri nga tjetri dhe të tërhequra mbrënda qarqeve të ngushta të familjevet dhe të fisevet. Punë për rilindjen e epokës së re që kemi përpara nesh, është një punë e përbashkët, një punë kolektive. Kolektive, me kuptimin më të gjërë të fjalës. Punë e përbashkët, kolektive nuk do me thënë të burgosen të gjitha energjitë e disa njerëzve të vetmuar në këndet që s'kanë as një afrim midis tyre, nuk do me thënë të kufizohen përpjekjet e jetës mbrënda në qarqet e vogla t'interesave vetjake të palidhura. Ky kuptim i punës ësht kuptim i trashëguar nga kohrat e kaluara.

Përfundimet e këtij kuptimi janë të dukëshme...

Ne kemi nevojë, pikë së pari, të krijojmë një ndryshim themelor në kuptimin e Punës. Duhet të kuptojmë se n'Atdhen e ri shqiptar, njeriu nuk është një individ i thjeshtë. Ësht një individ kompleks, një njeri shoqëror - një Bashkëatdhetar. Një njeri, që nuk ka të mendojë vetëm veten e vet, nuk ësht vetëm antar i familjes së tij, por ësht antar i një gjenije shum më të madhe, i një grumbullimi shum më të gjerë dhe më të përhapur - ësht antar i Shoqëris dhe i Shtetit.

Jemi përpara të Shtetit dhe pastaj jemi të vetëhes s'onë. Vetëm gjysma e ditës është e jona. Gjysma tjatër i përket Shtetit. Bashkëatdhetari që rron i mënjanuar në këndin e vet dhe i kufizuar mbrënda qarkut t'interesavet të tija vetjake, ose, fundi i fundit, të familjes së tij dhe që nuk çfaq asnjë dëshirë për një bashkëpunim shoqror, ësht typi i njeriut shqiptar t'epokavet pre-historike. Ky typ duhet të çduket nga mesi. Dhe duhet të luftohet rreptësisht.

Në Shqipërinë e re vendin e njeriut të thjeshtë, që nuk ka asnjë interesim për punërat e përgjithëshme kombtare, duhet t'a marrë Bashkëatdhetari, që ndjenë se rron mbrënda në një Tërësi shoqërore me qëllime dhe me ideale të përbashkëta nacjonaliste. Duhet të krijohet një typ njeriu shqiptar, që rron gjallërisht mbrënda në jetën shoqërore të Shqipris dhe që merr përsipër edhe një punë shoqërore. Një Bashkëatdhetar, me kuptim modern, njeriu shoqëror, që shpenzoi një pjesë të ditës së vet duke punuar për të tjerët dhe bashkë me të tjerët...

Qëllimi kryesor i organizimit moral të shoqërive jashtëshkollore, duhet të jetë ky: Të krijohet një jetë mendore, djepi i formimit të ndjenjavet shoqërore dhe baza e një edukate kolektive. Të krijohet një vatrë intelektuale, ku do të mblidhen djemt' e mësuar të kombit me shkolla të ndryshme, të njihen midis tyre, të shkëmbejnë iderat dhe të futin bazat e një Bashkëpunimi të shëndoshë rreth përcaktimit dhe shërimit të plagave shoqërore të kombit.

Sot s'kemi asnjë tjetër shesh veprimi veç fushës së ngushtë të një veprimi profesional. Jemi një tok njerëzish të shpërndarë e të vetmuar që s'dijnë ç'të bëjnë jashtë orëve të shkollës ose të zyrës. Kalojmë orët t'ona të pushimit nëpër kafenetë duke pirë duhan dhe duke u përrallosur për punërat akademike, që s'kanë asnjë lidhje me jetën e vendit: Jemi Shqiptarë, që nuk rrojmë në Shqipëri!...



"Illyria", Nr. 38, 1936


Edituar për herë të fundit nga Kandhaon në Wed 08 Mar 2023, 21:56, edituar 1 herë gjithsej
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Neoshqiptarizma Empty
MesazhTitulli: Re: Neoshqiptarizma   Neoshqiptarizma EmptyWed 08 Mar 2023, 21:11

Njeriu dhe kombi


BRANKO MERXHANI
Fletushka "Vargmal", nr. 02, e enjte, 24 qershor 2010

Dialog me një të vdekur


Vajta edhe një herë në Monastir, prap një pasdreke. Qetësia e atyre viseve më dëfren zemrën dhe lejon të hapen mendimet e mija gjer e gjatë. Edhe këtë radhë nuk e gjeta Murgun atje. Kish ikur që n'agim nër n'arat. Mungonin edhe murgët e vegjël, ndihmsat. Dhe e kishin haruar të çlironin rrojtësin e tyre, qenin, nga pema ku ishte lidhur. Ky posa më pa, u ngrit nga dheu, bëri një sulm kundër meje me hov e me egërsi sa që edhe pak do të mbytesh nga zinxhiri që mbante në qafë, më dëftejti disa herë dhëmbët e tij dhe lehu, lehu gjer sa u largova andej dhe as më shifte më, as më merte erë. Shkova dhe u ula përmbi një gurë përtej Monastirit dhe soditja detin. Dhe atje më ngjajti një gjë e çuditshme, që do të më mbetet ndërment sa do të jem gjallë. M'u dukë sikur erdhi e u ulë pranë meje Pater A.B., një Murg i vjetër dhe dialektik, për të cilin kisha dëgjuar qysh prej kohe se paska vdekur. Dhe më foli kështu:


- E ç'kemi, o mik i dashur, nga Shqipëria? Kam etje të madhe të mësoj diçka nga ty. Ti e di mirë se unë nuk jam një njeri harbut, si të tjerët atje brënda. Jam i mësuar.

- O! gëzohem tepër, - iu përgjegja me një herë, sikur t'a kisha njohur prej shumë vjetve dhe sikur të mos dijsha se kish vdekur. Dhe pastaj i thash:

- Asgjë të re nga Shqipëria! Mua më duken të gjitha ashtu siç kanë qënë përherë. Të rejat do të jenë ato që do të bëjmë ne, ose djemët t'anë. Ti, o murg, pa thuajmë, ç'farë lloj të reja do të mësosh?

- Ja, thonë se në filan vënd paska krizë qeverie, krizë kabineti, krizë...

- A! domethënë edhe ti qënke Politikan! Këtë gjë nuk e dija. Mua nuk më përkasin aspak këto gjëra. Nuk çaj kokën për thash' e themet e politikanëvet. Për mua, politika, krizat, ndrrime kabinetesh etj. etj. s'janë veçse kallëzime gënjeshtare, fjalë kafenesh, plot magji, dinakëri! - theatro, komedira e asgjë tjetër. Këtu, në këtë shkretëtirë ku ndodhesh, si nuk ke mundur t'i davarisish nga mëndja qeveritë, kriza kabinetesh etj.?

- Po dëndur më ka rënë ndër mënt idea e Kosmopolitismit dhe shumë herë mendova se janë të kota të gjitha përpjekjet që bëjnë njerëzit në fushën e politikës

- qeverit, krizat, luftërat etj. A nuk jemi të gjith njerëzit një lloj? Pastaj sa para shpenzohen për luftërat dhe sa njerëz lëjnë kokallët e tyre! Pse të mos çduken nga mesi kufit që ndajnë kombet?

- Si? Të çduken?... Të ishin të hartuara me shkumës mbi ndonjë dërrasë të zezë shkolle, ose me shkop mbi ndonjë fushë kumishte, puna që thua ti, do të ishte fare e lehtë. Po ja që puna s'është kështu. Ja, që s'e kemi në dorë.

- Pse të mos e kemi në dorë? Sikur të merreshin vesh kombet midis tyre, të lidhnin besë...

- Mirëpo, ja, që nuk e duanë. Sa nga kombet janë të lodhur nga vetja e tyre, s'ka gajle, le të flenë. Po prap mbeten një tok kombe të tjerë që nuk dëftejnë asnjë shënjë lodhjeje. Dhe qëndrojnë në këmbë me sytë e hapur si ujqërit e uritur, dhe zgjuarsia e tyre nuk i lënë të qetsohen, por i shtyn pa reshtur për në fitime e sundime, dhe nuk ngopen kurrë. Dhe bëhen luftëra. Në fillim të këtij shekulli kush mund të parashikonte se Japonezët do të dilshin në shesh, me kaq fuqi jete, në këndet e humbura t'Azis?

- Mirë, lëri me një anë kombet dhe merr njerëzit, individët, që bëjnë dhe përbëjnë kombet. Prano se njerëzit që dëshërojnë qetsin e tyre dhe që nuk kanë qëllim tjetër veçse të kalojnë jetën, me sa ësht e mundur, të sigurtë e të lumtur, që janë të çkujdesur për ushtritë, luftërat, kombet, lavdëritë, ngallnimet etj., - njerëzit paqëdashës - janë duke u shtuar ditë për ditë.

- Këta janë të dobët dhe të lodhur. Kërkojnë lumtërin. Dhe lumtëria për këta, domethënë gjumë dhe qetësi. Kurse të fuqishmit kërkojnë një lumtëri tjetër - mundimet, rreziqet, ngadhnjimet...

- Nuk e di në se janë të fuqishëm, ose të dobët; një gjë vetëm di unë: sasia e njerëzve që kërkojnë të kalojnë jetën në qetësi të plotë, larg turbullimevet, ngacmimevet dhe luftëravet, shkon dita-ditës duke u shtuar.

- Nuk kam bërë Statistikën e tyre, as atë të tanishme, as edhe të përparshmen.

- Flas të paktën sa për Europën. Nëpër vëndet e tjera të botës mund të mos jetë puna kështu. Por edhe atje me kohë njerëzit do të fillojnë të mendojnë siç mendon tani pjesa më e madhe e Europianvet.

- Mbase! Por mua nuk më pëlqen të mendoj për gjërat që sot nuk janë. Me "do të bëhet" dhe me "do të shohëm" mendojnë ata që meren me profetira. Unë nuk e di se ç'do të bëhet nesër. Bile dyshoj nëse e di se ç'bëhet sot. Nesër, mund të bëhet kështu, por mund të bëhet edhe ashtu. Kush mund t'a dijë nëse në vënd që të sundojnë të dobtit, nuk do të sundojnë të fuqishmit? E vërteta ësht se t'Arthmen e kemi në dorë ne; por nuk e kemi në dorë të bëjmë parashikime. Edhe më i zgjuari midis nesh nuk mund të parashikojë me saktësi se ç'ka për të ngjarë nesër. Por si do qoftë mua më duket se e Arthmja nuk do të jetë e të dobtëvet.

- Mirëpo, idea e Kosmopolitismës ësht më e drejtë nga idea e Atdhetarismës.

- Nuk e di. Unë di vetëm një gjë: Unë nuk mund të bëhem kosmopolit - me gjithë se më duket edhe mua si një gjë e drejtë kur e mendoj. Kosmopolitismi nuk mundi ende të futet në palcën t'ime, të trazohet në dejet e mija, të bëhet prona e ime dhe ndjenja e ime. Kosmopolitismi për mua është një përfytyrim i huaj. Mund t'a kuptoj vetëm me llogjikën. Por ndjenja ime nuk ësht.

- Mirëpo, mund të bëhet ndjenja e djemvet të tu. Mjete komunikimi, lehtësira udhëtimi, libra të panumërta, lloj-lloj shkolla që hapen dita ditë, gjuhë që mësojmë...

- I di të gjitha. I di edhe ato që akoma nuk dihen. Mbase është kështu. Por që të bëhen djemtë e mi kosmopolitë, duhet t'i marr e t'i çoj nëpër vëndet e huaja, në Romë ose në Paris, të mos mësojnë fare gjuhën e tyre, të mos dëgjojnë asgjë shqipe rreth e rrotull tyre, d.m.th., të rriten jashtë çdo Atdheu, me mësuesa kosmopolitë, me dhjetë gjuhë, dhe të shëtisin nga një vënd në tjetrin pa reshtur gjatë gjithë jetës së tyre. Kujtimi i viteve të mituris së tyre duhet të mos jetë shqip, por as edhe italian, as frëng; sepse qëllimi i Kosmopolitismit nuk ësht të shpëtojnë djemtë t'anë nga gremina e një Atdheu për t'i fundosur në shkretëtirën e një Atdheu tjetër. Atdheu, përmbi çdo gjë tjetër, ësht një kujtim i mituris. Pastaj vinë trashëgimet e shkaqet e tjera. Mirëpo unë si munt t'i bëj djemtë e mi kosmopolitikë, kurse unë vetë nuk jam dhe nuk e ndjej se Kosmopolitismi është më i mirë nga Atdhetë? Të largohem prej tyre, të çdukem, të mos i shoh kurrë më, vetëm për hatërin e kosmopolitismit? Më duket se ësht e tepërt. A di, pra, si do t'i rris djemtë e mi? Ja do t'i lë të linden atje ku linden; do të lë fjalët e mija të derdhen mbi ta kështu si pas rastit, do të lë shëmbëllën t'ime dhe bota rreth e rrotull t'a influencoj krejt lirisht; do të përpiqem vetëm të zgjuaj çdo gjë në brëndin e tyre, jetën që kanë, çdo gjë që është e tyre, nëse kanë diçka të veçantë. Dhe le të bëjnë ç'të duanë. Por unë nuk mund të pushoj të jem shqiptar, sepse kështu e do një theori, ose një ndjenjë, jo e imja, por e huaja...


- Mirëpo, me kohë gjithë njerëzit do të bëhen kosmopolitë. Kombet janë grumbuj njerëzish që rrojnë së bashku. Që nga çasti kur këta grumbuj nuk do ta shohin më t'arsyeshme të jetojnë së bashku, të kenë një tokë, një qiell, një gjak, do të çduken pak nga pak edhe ndjenja se kombi ësht një person dhe kështu kombi do të shpërndahet: do të bëhet leckë!

- Në çdo epokë të shënuar të Qytetërimit, lindet ndjenja e kosmopolitismit nga shkaku i lodhjes kombëtare ose politike. Edhe Romakët në kohën e qytetërimit të tyre të përparuar, thoshnin: "Ubi bene, ibi patria". Edhe në kohët e atëhershme ishin të shumtë ata që i ëndëronin po këto gjëra, që ti m'i përsërit sot pas kaqë shekujsh. Theoritë e tua, ja, që të paktën s'janë as të reja. Pas Romakvet erdhën një tok kombe të tjerë dhe qëndruan në këmbë, rrojtën midis tyre e më së fundi çdo një prej tyre, gjeti vëndin e vet dhe u përmblodhën secili brënda në caqet e caktuara të kufive ethnike. Si nuk e sheh ti se Kosmopolitismi nuk ësht gjë tjetër veçse një nga çfaqjet e shumta të Qytetërimit?

- Je patriot, të lumtë!

- Të falem nderit, por "patriot" s'jam. Kjo fjalë nuk është vendosur ende mirë në shqipet. Eshtë një fjalë e madhe, fjalë e ditës, përdoret kudo, ka lloj-lloj ngjyra, gjithë farë fytyra, kuptimi, zera! Nuk më pëlqen të më falësh tituj që futen në kallëpe të ndryshme. As edhe cilësitë që kërkojnë merita. Janë kaq të trazuara shkaqet që më bëjnë të veproj në çdo rast kështu ose ashtu - kaq të trazuara sa që s'mund t'u dalë në krye edhe unë vetë. Dhe të them të vërtetën nuk më mërzit aspak kjo gjendje. Përkundrazi më gëzon. Më bënë të ndiej thell e më thell gjithë çqetësimet e mija dhe bashkë me këto edhe tërë thelbin e shkaqevet të pakuptuara e të turbullta të jetës s'onë. Më pëlqen të mos mund të shpjegoj një veprimin t'im. Çduket pasuria e shkaqevet kur përpiqem t'a shpjegoj. Sa i varfër është çdo shpjegim aq e pasur është jeta! Jeta, që është e freskët dhe e njomë, e pa shterur, pa krye e fund, e pakufishme, mystike, tri herë e thell, anarshike dhe e pashpjeguarshme, plotë me mythe dhe me probleme, ironike dhe e ashpër, e çmëndur, premtimmadhe dhe indiferente, dorëhapur dhe e ligë!...


- Pra, pse të mos pranosh idetë e mija, kurse jeta qënka kaq e gjërë dhe e pasur e kurse ti vetë nuk e brengos në ngushtësit e errëta patriotike?

- Dëgjo këtu, or murg! Në një fushë të lartë, e rrethuar në të katër anët me maja të mprehta si thika, dhe me kufitë që njerëzit e quajnë Atdhe, atje jam lindur, atje janë varrosur kockat e gjyshvet të mi, atje jam ushqyer e rritur qysh në vogëli. Çdo kujtim i kësaj fushe është një kujtim që më përketë mua. Djalëria ime është një kujtim i thell e i patundshëm që më bënë të dua e të dashuroj Atdhen. Në këtë fushë gjeta veten t'ime dhe këtu jam duke qëndruar në këmbë, dikur me qejf, dikur pa qejf. Në këtë fushë po eci, po vrapoj, po mërzitem, po dëfrehem, këtu çqetësohem, këtu lodhem dhe këtu bie në gjumë.


Në këtë fushë e shoh diellin dhe nxehem, ose fitohem, dhe gjej shpella ku mund të futem, të zhdukem, gjej hijet ndën pemët dhe ujrat e freskëta. Dhe pasi është nevojë të lëvis, në këtë fushë breth me një mijë kujdesje të vogla e të mëdhaja dhe trazohem në punrat njerëzore që të tymosem më tepër dhe pastaj të pastrohem e të dalë në shesh siç delë edhe floriri nga zjarri. Ç'gjë tjetër është politika, veçse një ilaç pastërtije dhe energjie - një purgatif? Janë edhe fusha të tjera përmbi faqen e dheut, por ku gjetkë, cila fushë tjetër është plot me kujtime të vjetra e të reja? Cila fushë tjetër është më e çuditshme, më e gjallë, më e pasur në vija, në hije, në freskitë, e në ngjyra, pallate dhe ëndërime? Pse të zgjeth një fushë tjetër? I tërë dheu është një fushë e gjërë dhe e gjatë, por pasi është shumë e madhe për çdo njeri, çdo kush vë kufi gjer ku arijnë syt' e tij dhe brënda në këto kufira rron bashk me njerëzit e tjerë, të cilët nga shkaku i kësaj jetese së përbashkët të gjatë po në një fushë, lidhen njëri me tjetrin dhe bëhen kushërinj. Një herë që kam Atdhen t'im - e i kam të gjallë në brendin t'ime - pse të mos e pëlqej nga të gjithë atdhetë e tjerë? Ne jemi ose bëhemi patriot vetëm duke rrojtur në mes të Kombit t'onë. Rrojmë, jo për Kombin por brënda Kombit. Pse t'a lëmë? Të gjitha kombet i përngjajnë njeri tjetrit - siç the edhe ti vetë: "grumbullime njerzësh" - dhe nuk e vlen bara qeran që të bëjmë një zgjidhje. Mua më pëlqen të mbetem kështu si jam dhe atje ku jam.


- Por unë nuk të thash të ndrosh Atdhen, të thash vetëm: "bëhu kosmopolit".

- Po ajo është. Njëra sjell tjetrën. Unë nuk do të mundohem kurrë të dalë nga Komb'i im. Jam mirë kështu dhe atje ku ndodhem. Pastaj një mundim i këtillë më duket i kotë dhe i lodhshëm. Po ashtu lodhem edhe kur e kam mëndjen gjithëmon te Komb'i im. Në çdo rast e në çdo çfaqje të fatit, unë e ndjej se s'kam se si të dalë prej Kombit t'im. Pra ç'nevojë kam që ta kem gjithmon ndër mënd? Unë jam dhe duhet të shtrihem si pas vëndit dhe nuk e marr Kombin t'im veç si një organ, që më hynë në punë dhe që më është, njëkohësisht, edhe një mbështetje, ku mund të gjej një skut në kohë rreziku. Mbështetem mbi të për të shkundur degët e mija.

Më pëlqen të rroj brënda Kombit për hesapin t'im dhe duke u mbështetur mbi 'të bëhem më tepër njeri, d.m.th., diçka më shumë dhe më i mbaruar nga njeriu.

- Pra, edhe ti harron Kombin dhe ndjen veten si diçka të gjallë, mbase edhe si njeri!

- Jo! Gjersa e kam ndërgjegjen e Kombit, të gjitha mendimet e veprimet e mija ushtrohen vetvetiu nga një farë disipline. Çdo ndërgjegje e bënë njerin më të përsosur si njeri. Pastaj unë besoj se vetëm ai që ndjen thellë kombësin e vet mund të ndjej thellë edhe kombësit e tjera. Sa për të huajtë, nga këta, më pëlqejnë vetëm ata që kuptojnë se tërë kombet ngjajnë midis tyre, por me gjithë këtë ruajnë me kujdes veçantin e tyre kombëtare dhe e mbajnë lart e më lart. Ndjenja e Atdhetarismit ësht si një instikt. Vetëm me ndihmën e këtij instikti mund t'i kuptojmë kombet dhe nga kombet njerinë. Kështu e kuptoj unë Kosmopolitismën. Nuk është gjë që arrihet me një herë. Duhet të kalojmë shumë faza. E para: duhet të ndjejmë veten t'onë kështu siç ësht. Dhe pasi t'a ndjejmë veten e t'a analizojmë mirë, do t'a kuptojmë edhe më thellë Kombin t'onë. Nga kombsia jonë do të ecim në kombsira të tjera dhe pastaj do të kthejmë përsëri në vetësin t'onë dhe më së fundi do të arrijmë të kuptojmë edhe Njerëzimin. Sa thonë e janë Kosmopolitë pa kaluarë të gjithë këto faza, çështjen e marrin shumë të përciptë dhe s'kanë për t'u afruar kurrë as edhe në pragun e Njerëzimit. Këta bëjnë disa përgjithësime fluturake dhe pandejnë se diçka bëjnë. Por a ka gjë më të lehtë nga përgjithësimet? Ësht zanati me të cilën merret zakonisht llogjia e jonë dhe ësht kulmi i dembëllekut...


- Mirëpo, ç'kërkon njeriu brënda në një komb?

- Njeriu dhe kombi janë dy kuptime që plotësojnë njëri-tjetrin. Njeriu përfaqëson të gjitha fuqitë e kombit të vet, ëndrat e tija janë ëndra të kombit dhe shpresat e kombit janë shpresat e tija. Nëse komb'i im i humbi shpresat e veta, do t'i japë të mijat. Dhe prap nga ai do të marr shpresë, kur unë do të dëshpërohem. Në qoftë se Komb'i im nuk ka asnji ëndër dhe endet rrugësh pa ideale, atëherë do t'i jap ëndrat e mija, idealet e mija, por prap fuqin për të krijuar e për të vërtetuar ëndrat dhe idealet e mija, do t'a gjej brënda në Kombin t'im. Në qoftë se u verbuan sytë e Kombit t'im dhe nuk i shohën fuqitë që ka në brëndin e vet, atëhere do t'i tregoj unë rrugën me syt' e mi, që shohin dhe dallojnë mir' e bukur hovet e tij të fshehur.


- Çudi! më zgjuan pamjet që kurrë nuk më kanë rrënë ndër mënd gjer më sot. Ndjenja e Atdhetarismit ësht tharë në brëndin t'ime nga shkaku i ulërimeve t'egra që dëgjohen rreth kësaj fjale.

- Mos e humb besimin, o murg! Në qoftë se t'është shkrirë idea atdhetare në zëmrën t'ënde as që nuk mund t'a besosh më, prap mund të jesh një njeri i drejtë, mjaftë t'i mbetesh besnik Atdheut t'ënd dhe të mos të vij turp të përmëndësh emrin e tij. Një Fe është edhe kjo. Këtu nëpër mes shkretëtirës dhe qetsis së vdekjes, ke kohë që t'i mendosh këto gjëra. Unë po iki. Vete që trazohem me njerëzit e mi, të derth të gjitha fuqit e mija në humnerën e pa fund, në quhet komb, të shkrij jetën t'ime duke ndjerë thellë gjithë pikëllimet e jetës kombëtare me dhimbje, me enthusiasmë, me mërzitje edhe me dëshpërim. Dhe në qoftë se ësht e shkruar që të çduket komb'i im, unë do të jem prap i gëzuar. E dua aq sa pranoj të vdes që të ndjej agonin e vdekjes së tij. S'ka gjë në botë që meriton të vajtohet pse vdes. Një i këtill mund të jem: ja një dele e urtë në kopen e njerëzvet, ja ngadhnjonjësi i tyre. Një skutë tjetër nuk di - veçse jetën në shkretëtirë. Mirëpo nuk mund të mbetem murg gjithnjë. Nuk më mjafton përtacia, as edhe vetëm mendimi. Dua edhe kripën e tij, energjinë. Dhe hijen e vdekjes e kam në zemrën t'ime që të më frymëzojë pasionin e jetës. Vdekja ësht për të gjallët një bar i dehur që zgjon gjithëmon në brëndin t'onë llahtarin

e jetës.

- Mirëpo, unë që jam i vdekur, ç'të them?

- Hesht dhe ik! Shpirtin t'ënd e kam unë në brëndin t'ime - unë, që jam i gjall dhe bashkatdhetari t'ënd!...

Hija e tij u çduk dhe s'e pash më.



"Përpjekja shqiptare", Nr. 14, 1938
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Neoshqiptarizma Empty
MesazhTitulli: Re: Neoshqiptarizma   Neoshqiptarizma EmptyWed 08 Mar 2023, 21:19

Pse nuk jam marksist?


Neoshqiptarizma Vg3

BRANKO MERXHANI
Fletushka "Vargmal", nr. 02, e enjte, 24 qershor 2010

Një nga miqtë e mi duke parë paragrafin e vogël që shkrova në numrin e Dhjetorit rreth surprizës që deshi të na bënte z. Drejtor i Zyrës së Shtypit, ndofta pa patur paramendime ndaj nesh, por vetëm, le të themi, nga zelli i tepërt për plotësimin e detyrës që i ngarkuan - në një nga letrat e tij të fundit më shkruan:


"...Mirë, që ti nuk je Marksist pa princip, është një gjë që nuk mund t'a mohoj kurkush. Bile vërehet haptazi. Midis njerëzvet që meren me Sociologji, rallë janë ata që i simpathizojnë in globo parimet doktrinare të shkollës marksiste. Sidomos kur kemi të bëjmë me një Durkheim, një gjë e tillë as që na shkon nga mëndja fare. Mirë po, pse kufizohesh vetëm duke shënuar se teorikisht nuk je anëtar i kësaj shkolle dhe nuk na shpjegon edhe arsyet e këtij qëndrimi t'ënd? A nuk të duket që vlen të shkruhen disa radhë rreth kësaj theme - sidomos sot? Shteti, për arsye që i di vet, shpalli luftë të tmerëshme ndaj komunizmit dhe është rrezik se mos merr në qafë (gabimisht) edhe disa njerëz krejt të pafajshëm dhe bile shumë të vlershëm (në se do t'i lënin të lirë të punonin) që të kontribuojnë diçka në shvillimin normal të këtij vendi.

Kam frikë se mos krijohet ndonjë konfusion i dëmshëm vetëm e vetëm nga shkaku i mëriravet foshnjarake të disa (për fat të mirë) shumë të pakët, gjoja intelektualë ose edhe nga shkaku i konsepsionit shumë të ngushtë (për fat të keq) që dëftejnë zakonisht në të tilla raste funksionarët e shtetit.

Mua më duket se një pun'e tillë ka vlerën e sajë dhe është tamam aktuale. A thua se nuk është një nga detyrat e intelektualëvet të ndriçojnë nga njëra anë opinionin publik dhe nga ana tjetër të përpiqen me sa u iepet që edhe Shteti të mos bije në gabime të zbatimin e vendimeve që mer për një ose për tjetrin shkak?..."



Nuk kam asnjë kundërshtim, as një pengim që të mos pranoj këtë thirje aq interesante dhe me vënd të këtij miku të shqetësuar aq shumë. Unë jo vetëm se nuk jam anëtar i parimeve doktrinare të shkollës Marksiste, por jam edhe antikomunist. Hem si njeri - mendimtar, hem, dhe bile shumë më tepër, si njeri shqiptar. Jo vetëm në lëmin e shkoqitjevet theorike, por edhe në pikëpamjet politiko-shoqërore të shvillimit ndërkombëtar, unë nuk jam nga ata që pranojnë thezën se gjoja bota e qytetëruar e sotëshme është ndarë në dy fronte ideollogjike që luftojnë njëri tjetrin gjer në pikën e fundit.

Bota e sotëshme, ashtu siç e shoh unë, është ndarë jo në dy, por në tre fronte ideologjike; pjesa e tretë, pjesa më e madhe, më e shëndoshë, më impozante, mbeti besnike ndaj parimeve të Demokratisë përparimtare dhe kapërcen me fuqi dhe me vullnet gjithë tronditjet dhe tërë nervozitet që shkaktoi lufta ndërkombëtare e periodës 1914-1918 në struktura shoqërore të popujve të mëdhenj që muarnë pjesë n'atë ndeshje më të tmerëshme të së gjithë historisë së njerëzimit. Dhe jam i bindur se popujt e qytetëruar, popujt e mbrumur dhe të ritur brenda një tradite të gjatë shvillimi kultural, nuk mund t'i sakrifikojnë për hir të një aksidenti katastrofal, siç është çdo ndeshje luftarake, Lirit e tyre të shtrenjta dhe të shenjta për fitimin e të cilave derdhën pjesën më fisnike të gjakut të tyre brez pas brezi botëra të tëra.

Kjo ësht bindja ime e pa tundur. Pra le të përpiqem të kënaq dëshirën dhe kureshtjen e mikut mendjehollë, letrat e të cilit shpeshherë më dëfrejnë shpirtin dhe më japin shkak të mendoj mbi disa gjëra që thatësit e rrethit t'onë mendor na i mshehin prej syrit dhe na i bëjnë që të mos i shohim fare, kurse në realitet janë gjëra t'afërme dhe të gjalla që shvillohen mu nën hijen e hundës s'onë.

Siç dihet rreth kritikës së Marksismit që nga pjesa e fundit të shekullit të kaluar e gjer më sot janë shkruar volume librash të panumërta që mund të mbushin tërë raftet e bibliothekave zyrtare dhe private që kemi sot në Shqipëri. Unë këtu do të kufizohem të shpiegoj pikëpamjet e mija duke krahasuar doktrinat marksiste me ngjarjet praktike të jetës shoqërore.

Një nga pretendimet e Marksismit, ndofta jo nga më themeloret, por nga më të përshtatëshmet për të rekrutuar anëtarë, ësht ky:

- Dy të tretat e fitimevet të popullit shkojnë nëpër duart e një të pestës së popullsisë së një vëndit.

Shkencat ekonomike dhe statistikat provuan që në krye gabimin e këtij pretendimi. Statistikat që janë bërë me metodën shkencore më të përsosur në këto kohë të fundit nxuarrnë në shesh analogjin e shtimit të pasuris së të varfërve në rast se fitimet e të pasurve do të përndaheshin popullit. Kjo llogari nuk është një pun' e lehtë. Por përfundimi i saj është kaq i hapët dhe kaq kategorik sa që edhe ato pika të pakta që mund të bisedohen nuk kanë pasur fuqin që të influencojnë gjykimin t'onë të fundëm. P.sh. sociologu gjerman Reiners shumë kohë më parë provoi se në qoftë se fitimet që kapërcejnë 8000 marka në vit do të shpërndaheshin midis atyre që janë të shtrënguarë të punojnë për bukën e gojës, fitimi i përditshëm i këtyre të fundit nuk do të shtohej më tepër se vetëm me një përqindje minimale e 0,19 marka. Me këtë shumë në Gjermani nuk mund të blehen as edhe katër cingare. Pra Marksizmi nuk ka gjetur aspak "ilaçin për të zhdukur nga mesi varfërin"

Nga ana tjetër prapë statistikat na mësojnë, me një mënyrë që nuk lë as edhe dyshimin më të vogël, se në çështjen e sigurimit të mirëvajtjes së një populli, një nga faktorët që lozin rolin e parë është përdorimi dhe përparimi i Teknikës. B.f. në Shtetet e Bashkuara t'Amerikës, ku Teknika ka arritur kulmin, që nga viti 1919, prodhimi kombëtar ësht shtuar 42%. Influenca e madhe dhe kategorike që ka organizimi teknik mbi shtimin dhe mbi rregullimin më të mirë të pasuris së një populli mund të mirret vesh edhe nga disa krahasime të vogla të tjera. Simbas statistikave gjermane - jo të kohës hitleriane - prodhimi mekanik vjetor që bie për çdo frymë n'Amerikë është 99 RM. Kurse në Kinë, vend primitiv dhe pa farë teknike, është vetëm 0,20 RM. Në Shqipëri po thua 0.


Një argument tjetër i Marksismit, nga ata që ka marrë në qafë dhe që ka sjellur vërdall mendjen e shumë njerëzvet, është ky:

- Regjimi kapitalist zhduk industrin e vogël

Përkrahësi më i fortë i kësaj theorije ka qënë i famëshmi Kautzky. Mirë po statistikat provuan të kundërtën. Industria e vogël kudo dhe kurdoherë mundi të mbrojë vehten e vet dhe bile shumë bukur. Me një mënyrë të përgjithshme mund të themi se industria e madhe është vendosur kurdoherë pranë industris së vogël, kudo që ndodhej një industri e tillë. Industria e madhe është një çpikje e kohëravet të reja; është një burim i ri për pasurin kombëtare. Asgjëkundi nuk u zhdukën sipërmarjet e vogla. Pastaj ç'rëndësi ka për Ekonomin kombëtare të një populli në se industria është e madhe apo e vogël?

Puna qëndron gjetiu: Për Ekonominë kombëtare rëndësi më kryesore kanë prodhimet e makinavet, një punë kjo që mvaret jo nga kuadri formal i veprimit industrial, por nga disa kushte të veçanta, si bie fjala lloji dhe shkalla e organizimeve tregtare dhe teknike. Këto kushte ndryshojnë simbas kategoris s'industris. Kurse Filosofia marksiste nuk lë asnjë çështje pa e futur nën klishen e saj të përgjithësimit. Kërkon që disa formula ndërkombëtare, që paska çpikur, të zbatohen njëlloj në tërë ngjarjet dhe çështjet.

Studime krahasore ekonomike dhe përfundime të gjyrmimeve të bëra mbi zbatimin e Theorisë së Analogjis kanë mposhtur gjithë këto "zgjidhje shpëtimtare" të Marksismit si kërpudha të dobëta dhe t'ushqyera mangut të arës ideologjike të njerëzimit. Shifrat që do të shohim në paragrafin që vijon do të na mbushin kokën.


Ja edhe një tjetër pretendim marksist dhe bile një nga më themelorët:

- Fitimet e kapitalistëve shtohen gjithnjë, kurse mëditjet e punëtorëvet ulen.

Statistikat përgënjeshtruan edhe këtë avaz. Wutinski, një nga shkencëtarët më me rëndësi të kohës s'onë, llogarit dhe konstaton në këtë mënyrë mëditjet vjetore të thjeshtë të punëtorëve industrialë t'Amerikës:

Viti: 1879 1889 19.09 1919

Mëditjet: 661 831 1.112 2302

Ja se si e përmbledh edhe gjendjen e vitit 1932, Hekner-i, prapë një nga shkencëtarët me autoritet: "Pretendimet se gjoja grumbullimi i kapitalit në njërën anë, shkakton shtimin e mizerjes s'anës tjetër", është një gjë krejt absurde dhe bie në kundërshtim flagrant me ngjarjet e rjedhëshme. E vërteta është kjo. Sa më tepër përparon koncentrimi i kapitalit aq më tepër përmirësohet edhe gjendja e punëtoris.

Theorisienët që mbrojnë thezën marksiste thonë: "Një punëtor ka të drejtë të mendojë se nga puna e tij pasurohet vetëm kapitalisti dhe në qoftë se nuk shtohet edhe mëditja e tij analogjikisht me shtimin e fitimit të kapitalistit etj., e tjera." Mirëpo gjithë kjo leteratyrë kryengritëse nuk bëri pothua asnjë efekt mbi shpirtin e punëtorit. Punëtori amerikan dhe europjan sot është në gjëndje të çmojë më mirë nga çdo kush tjetër gjëndjen dhe të drejtat e veta. Kur një punëtor ndjen se gjendja e vet ecën mirë nuk merr vesh asgjë nga kontrastet shoqërore që i përshkruan me ngjyra kaqë të tmerëshme theorisieni marksist dhe nuk ndjen asnjë dëshirë që të shkojë pas thirjeve kryengritëse të tij. Në qoftë se punëtori ndodhet me të vërtetë në një gjëndje mizerable, atëherë vetëm një efekt mund të ketë kjo ndodhi: Mizerja do të bëhet Ideologji dhe rryma revolucjonare e proletariatit do të shkojë duke u shtuar. Mirë po një proletar mizerablë si do të jetë në gjendje të realizojë detyrat e larta që i ngarkon Marksi? Nga mizerja vetëm një gjë del: Mizerje!...

Tani le të flasim pak mbi shëmbëllën e Rusis sovjetike. Rusia e kohës së Carëve ka qënë një vënd që ndodhej jashtë kuadrit europjan. Ronte ende në epokën feudale dhe despotike, epokë nga e cila Europa europjane kishte dalë dhe kishte shpëtuar të paktën dy shekuj. Prandaj një krahasim midis Rusis cariste dhe Rusis bolshevike s'ka asnjë vleftë për një kritikë rreth parimeve doktrinare të Marksismit. Marksismi lindi n'Europë bashk me një tokë theorirash të tjera, dhe fati i tij do të provohet prapë në vëndlerjen e vet.

Një shkrimtar frëng, Charles Louis Philippe, pritëka ardhjen e Barbarëve. Rrugat që kryqëzohen midis Petersburgut carist dhe Moskës bolshevike, si dhe stepet e pafundëshme që shtrihen në të dy anët e Uralëvet, janë grykat e kalimit nga ku shkuan tufa-tufa çeta aventurierësh që plaçkitnin çdo gjë që u delte përpara. Udhëtarët që sot kalojnë nëpër këto rruga s'kanë asgjë me vete që bie ndër mend fytyrën e shokëve të tyre të vjetër.

Kohët ndryshuan. Ata që pritën dikur n'Europë ardhjen e Barbarëve mbetën gojëhapët. Nga asnjë anë nuk u dukën Barbarët. Përkundrazi nëpër stepet ruse u hapën rrugat, u shtruan vija hekuri, dhe këtej futën në thellësit e Azisë tej-për-tej çpikjet mekanike, tymet e fabrikave dhe bashkë me to edhe karavane iderash të tëra që mbajnë me vete plaçkat e tepëruara, skartat, të superproduksionit ideologjik të popujvet t'Europës.

Drejtimi i rrugës shkon nga Perëndimi në Lindje. Nuk është Azia Perëndia e dheut që cakton typin e qytetërimit të Botës. Ndofta kështu ka qënë dikur. Në kohë shumë të lashta. Sot nuk është më. Siç duket këtu kanë për t'arritur më së fundi punët. Azia do të europianizohet - si b.f. janë duke u europianizuar, simbas temperamenteve të veçanta të popujve të tyre, Tyrqia, Persia, Kina, edhe... Rusia vet!

Sido kudo Bolshevizmi është një prodhim rus dhe s'mund të ketë veç se edhe një shvillim rus. Atje, kush e di, mund të kenë ndryshuar shumë gjëra. Por Dhespotismi. Dhe gjer sa nuk do të çkulet nga vendi i tij ky armik i tmershëm i çdo përparimi dhe i së vërtetës, nuk do të jet' e mundur të mësojmë diçka të sigurt mbi gjendjen e atij vendi. Atje çdo gjë është edhe një eksperiment dhe çdo eksperiment është një problem i s'ardhmes. E ardhmja! Ja gogoli bolshevik!

Thonë disa: "Qeveria bolshevike për hirë të lumturis së brezave t'ardhëshme sakrifikon jetën dhe lumturin e brezave të tanishëm". Mirë po këta harrojnë se Marksistë kanë qënë prapë ata që kritikuan ashpërsisht kapitalistët e parë që duallën në shesh pas revolucionit industrial n'Angli. Ç'faj kanë patur këta njerëz? Se nuk mundën atëherë të siguronin në favor të punëtorëve interesa që u siguruan kapitalistët e pastajshëm? Se u sakrifikuan breza të tëra punëtorësh që të sigurojnë t'ardhmen e punëtorëve të sotshëm t'Anglisë?...

- "Nëpunsat e një Qeverije despotike", thonë Marksistët, "kanë një zotësi teknike më të lartë dhe janë në gjëndje ta mendojnë më mirë jetën dhe lumturin e punëtorëve". Prallë! Qytetrimi i Europës ka 2000 vjet që provoi me fakte dhe argumenta që s'mund të rrëzohen se zotësia nuk është një vlerë e prerë.

Është një vlerë shumë e veçantë dhe shumë relative. Qysh prej kohës së- Sokratit mëndja njerëzore njeh se te një kapitan i një anije, te një mjek, te një makinist, gjenden veç e veç vlerat dhe zotësit e ndara dhe të ndryshme. Nëpunsat e shtetit janë vetëm nënpunsa të shtetit, dhe aq. Që të bëhesh një reformator i shkëlqyer, veç zotësive teknike të mëdha, duhet të kesh edhe fuqi imagjinate të vrullëshme shumë, por edhe diçka tjetër. Zotësin që të mos rrëmbehesh shpejt e shpejt nga gjërat fantastike dhe nga ëndërimet sentimentale!...

Regjimi bolshevik paska si qëllim kryesor të zhdukë regjimin kapitalist t'Europës: Ëndër! Bolshevizmi rus s'është gjë tjetër veçse një mënyrë zbatimi ruse që ka si qëllim të futij në Rusi methodhat kapitaliste t'Europës. Ndryshimi në mes është në mënyrën me të cilën zhvillohet ky proces, i cili atje kërkon rrugat që të pajtohet me temperamentin e vëndit. Bolshevizmi që të vërë në dorë mjetet e punimit që përdor kapitalizmi europian dha gjermë sot viktima të tmershme dhe therorizoi me miliona frymë njerëzish. Në realitet Marksismi nuk mohon aspak vlerën e regjimit kapitalist. Vetëm pretendon se methodhat e tij shtojnë rrymën e papunësis. Pse? Regjimi kapitalist nuk paska qënë i zoti të sigurojë ekuilibrin midis prodhimit dhe nevojës; vetëm Marksismi qënka në gjendje të bëjë këtë gjë; në qoftë se në Rusi nuk u sigurua ende, do të sigurohet brënda 4, 5 ose 30 vjetëve me doemos! Ka kush që do të na kallzojë dikur prallën e këtyre profetirave: Historia.


A doni që t'ju thom edhe një gjë tjetër? Dëgjoni: Unë nuk e pranoj se gjithë faji dhe përgjegjësia e trubullimeve që sot kalon bota dhe gjithë krizat ekonomike, të mëdha e të vogla, është e drejtë t'i ngarkohet kurrizit të qytetërimit europian ose edhe vetëm regjimit kapitalist. Të tilla trubullime ngjajnë edhe në prehrin e Natyrës së lirë dhe janë shumë më të rëndësishme. Jeta e shtazave t'egra është një luftë e pambaruar ndaj fuqive të Natyrës.

Ndryshimet trubullonjëse, tronditjet, vuajtjet dhe krizat në historin e Europës nuk filluan të çfaqen vetëm atëhere kur doli në shesh sistemi i tanishëm, as edhe kur u dëgjua për herë të parë emëri "kapitalist" Kapitalismi arriti në kulmin e tij më të lartë brënda në këtë 150-vjeçarin e fundit. Periodat e mëparëshme, b.f. gjithë epoka mesjetare, kush mund të na thotë se kaluan pa trubullime?

Historia është e hapët dhe mjafton të krahasojmë ngjarjet: Në kohët mesjetare popujt e Europës pësuan një tok rrëzime dhe vuajtje dhe bile shumë më të tmerrëshme nga ato të sotëshmet. Gjithashtu edhe historia e popujve t'Azis ësht' e mbushur krejt me një tok ndryshime, qoftë shkatërimtare qoftë ndërtonjëse, që u shkaktuan nga një varg të tërë kushtesh natyrale ose edhe temporale.

Qytetërimi europian, në krahasim me epokat e vjetra të qytetërimeve, mundi të gjejë mjete më të përsosura dhe të realizojë përparime kolosale më pemë-dhënëse për të luftuar me më tepër fitime këto rryma shkatërronjëse ose edhe ndaj përfundimeve të këqija të këtyre trubullimeve. Këtu, rreth kësaj pike themelore, përmblidhet tërë rëndësia e problemit: Midis botëkuptimit europjan dhe botëkuptimit Marksist ka një ndryshim në themel. Të dy këta botëkuptime nuk ndahen vetëm në punën e përshkrimit të historisë ose edhe të komentimit të përfundimeve të qytetërimeve të ndryshme, por ndahen në një pikë shumë të mëparëshme, ndahen në parimet që shërbejnë si bazë studimi rreth problemave të jetës dhe rreth fatit të botës. Nëse Marksistët pandehin se kanë zgjidhur problemin e ekuilibrit brënda në shtet ose në se predikojnë se paskan zbuluar çelsin e çuditshëm të parrajsit t'ardhshëm, mua më duket se këto trumbetime dhe paralajmërime s'janë veç se vjellja e injorancës së tyre. Ose shumë-shumë bëjnë gabimin e pafalshëm të lënë krejt mënjanë pjesën më të madhe të faktorëve që shkaktojnë ose përfundojnë shvillimin e ngjarjevet njerëzore.


Ideali i Europës, methodhat e punimit t'Europës frymëzohen nga parimet e liris, të personalitetit të varietetit dhe përmbi çdo gjë tjetër nga parimi i "ndarjes së punës shoqërore". Dhe nga ky shkak të gjithë problemat që paraqet jeta shoqërore europiane ose edhe e europianizuar, pa përjashtuar edhe problemin e ekuilibrit në Shtet, janë probleme të koklavitura që s'mund të zgjidhen menjëherë. Një filosof engles shkruante pak kohë më parë:

"Në se kohët janë të këqija, në se njerëzit mbeten pa punë, në se djemt nuk gjejnë gjë për të shuar urinë e tyre, Njerëzimi është sëmur. Emri i vërtetë i kësaj sëmundjeje është injoranca"...

Ndryshimet shoqërore nuk mund të parashikohen as të shmangen. Gjithashtu edhe sëmundjet. Kjo është një nga të vërtetat e para që njeh bota. Të paktën Europa ka disa shekuj që provoi në trupin e vet qënien dbe vuajtjen e kësaj së vërtete. Rusia u mundua shumë të përhapij gjëmimin revolucionar ndërkombëtar që prej kufivet të sajë perëndimorë gjer në bregdetet e Atlantikut. S'bëri gjë. Ose bëri vetëm këtë: Thelloi më tepër hendekun e ngatresavet midis popujvet, madhëroi dallgën e mizerjes dhe në disa vënde të perëndimit shkaktoi një kthim - qoftë edhe të përkohshëm - në kohët mesjetare.

Por a nuk do të ishin njohur dhe do të kishin arrijtur në një marrëveshje popujt midis tyre më lehtë nëse rryma demokratike e Europës do të kishte ndjekur rrugën e saj pa patur vështirësirat që duallnë mu në gjirin e vet? Të paktën kemi para nesh një shëmbëll mjaftë me rëndësi që na jep besimin se popujt mund të kuptojnë shumë më mirë një Europë të çliruar prej iderave të huaja: Azia sot arriti të kuptojë se methodhat e punimit europian mund të zbatohen në çdo kënd të botës dhe të përdoren prej tërë popujvet; kudo që janë pranuar këto methodha suallnë përfundime të mira dhe të shkëlqyera. Kjo është e mjaftuarshme sot për sot. Është një çapë përpara. Një çapë që s'mund të mbetet e mbërthyer atje ku arriti. Do të vazhdojë edhe më përpara. Do të vijë dita në të cilën bota mbarë do të kuptojë më mirë parimet e Fesë së Lirisë, atë gjë që një Kanti e quajti "Feja e Vërtetë". Dhe ata nga bashkatdhetarët t'anë që kanë nëpër dejt e tyre disa pika gjaku fisnik dhe në shpirt ambicjen të punojnë dikur që të nxjerrin gërmadhën t'onë nga pellgu i varfëris mendore dhe i mizerjes lëndore, le të përpiqen të mësojnë përmënç dhe të çajnë në thellësit e zëmrave të tyre me një dorë që nuk dridhet para punës të tmerëshme që i pret, këtë varg të pavdekshëm të Goethe-s:

"Wer immer strebend sich bemtiht, Den konnen wir erlosen!"

Pa një përpjekje të tillë nuk ka Shqipëri! Ndryshe le të përgatitim që tani trastat t'ona. Toka e Europës u ngushtua shumë. Për parasitët vetëm një fat është shkruar: Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëhere plaçkat në krah dhe mbeç t'u mirë o Vatan!






"Përpjekja shqiptare", Nr. 4-5-6, 1937
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





Neoshqiptarizma Empty
MesazhTitulli: Re: Neoshqiptarizma   Neoshqiptarizma Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Neoshqiptarizma
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Shkencë :: Politikë-
Kërce tek: