Shumë njerëz identifikojnë artificialen si diçka të keqe, dhe kjo madje është bërë edhe sinonim i së keqes. Kur themi artificial ne menjëherë na shkon mendja te gjëra të tilla si plastika që po e mbush planetin gjithandej, ose nga ana tjetër kur dikush aktron keq ne themi shumë artificial etj. Ka individë e grupe që përherë e më shumë synojnë përkushtim ndaj natyrës, ruajtje të natyrës, rikthim në "gjendjen natyrore" etj.
Ne si besëlashtë duam natyrën, kemi për detyrë t'a mbrojmë atë, zotat tanë janë zota të gjelbërimit, e pjellorisë. Mirëpo qëndrimi ndaj konceptit artificiale duhet të jetë korrekt. Në radhë të parë ta kuptojmë që ne jemi artificialë si specie dhe se nuk mundemi pa "artificialen", dhe në radhë të dytë ideja e rikthimit ka një gabim në vetvete që duhet rishikuar.
Teza e parë se ne nuk mundemi pa artficialen, është e qartë në vetvete pa patur nevojë të elaborohet shumë thellë. Që nga futja e zjarrit nën kontroll nga ana e njerëzve primitivë, e gjer më sot nuk ka mbetur shoqëri njerëzore që mund të jetojë pa zjarrin, qoftë në vende të nxehta apo të ftohta. Zjarri është artificial, për vetë faktin që është domestikuar apo futur nën kontroll, dhe e kontrollon njeriu. Njeriu nuk mundet pa shtëpi, në cilëndo hapësirë të globit. Njeriu ka nevojë që kur ulet të mbështet diku që të mos i dëmtohet shtylla kurrizore. Krejt këto janë gjëra shumë të thjeshta nga përditshmëria jonë, por janë artificiale. Dhe ne nuk mundemi pa to, sepse si specie kemi ardhur në një stad zhvillimi të pakthim, ku çdo kthim në gjendje shtazore nuk na bën kafshë, por na zhduk në tërësi.
Pra kur gjykojmë artificialen, do të duhej ta gjykojmë në bazë të raportit që ajo krijon me mjedisin, natyrën, dhe njeriun, dhe çfarë dobie apo dëmi na sjell ne.
Mund të shkojmë dhe më thellë. Ka nga ata që kombet i konsiderojnë si krijesa artificiale, ose se Skenderbeu na qenka harruar plotësisht por vetëm shkenca e historisë moderne dhe rilindasit arritën ta ringjallin, e propaganda tjera të kësaj natyre. Çka quajnë këta njerëz natyrore, apo çka kërkojnë më konkretisht?
Por përgjigja është shumë e thjeshtë, sepse sikur historia që është artificiale edhe e tërë specia njerëzore në tërësi është artificiale. Njeriu është një krijesë e krijuar artificialisht nga vetë njeriu. Ashtu sikur u shtëpiakëzuan (domestikuan) kafshët, deri në atë nivel sa kafsha shtëpiake është bërë specie e ndryshme e veçantë nga ajo e egra. Pra këtu kemi të bëjmë me një fazë të re të evolucionit, ku njeriu krijon specie të reja të kafshëve ose bimëve. Krijuesi i qenit nuk qenka ndonjë zot i caktuar, "krijues i vetëshpallur", por vetë njeriu që u kujdes për këtë kafshë për mijëra vjet me radhë. Seleksionimi shumoi vetëm ato kafshë që iu përshtatën njeriut dhe kushteve të reja jetësore. E njëjta gjë vlen edhe për njeriun. Edhe njerëzit u seleksionuan vazhdimisht. Nuk kemi qenë dëshmitarë të jetesës në bashkësi primitive, por mund t'a marrim me mend se njerëz të papërshtatshëm për bashkësitë njerëzore jnë përjashtuar, dhe jetesa e vetmuar nuk u siguronte mbijetesën. Ka mbijetuar pra ky lloj njeriu i seleksionuar nga vetë njerëzit. Njeriu më pas u seleksionua edhe nga shteti, ndonëse ky i fundit përfshin më pak kohë në historinë evoluimit njerëzor. Shteti vret skllevërit që nuk punojnë ose bujkrobërit që bëjnë kryengritje dhe ky përbën seleksionim në evolucionin njerëzor.
Që nga fëmijëria njeriu dresohet për sjellje të caktuara nga vetë familja e tij. Me një fjalë njeriu është qenie artificiale, i krijuar nga vetë njeriu.
Si i tillë nuk ka luksin që të konsiderojë të pamoralshme një gjë vetëm se na qenka artificiale. Ajo që ne quajmë "vlera njerëzore" është artificiale që nga fillimi gjer në fund. Arti, arktitektura, muzika, kultura në tërësi, janë prodhime artificiale.
Këtu nuk bëjnë përjashtim as historia, kombi dhe mitet. Prandaj nuk është arsyetim një ide e tillë që ka për qëllim të denigrojë historinë, kombin ose heronjtë, me arsyetimin se janë ngjallur artificialisht.
Përkundrazi aty shihet një qëllim hyjnor: Historia si shkencë u zhvillua me qëllim që ne si shqiptarë të dimë më tepër për të kaluarën tonë. Zotat deshtën kështu.
Në lidhje me këto çështje ka dhe çështje tjera që potencojnë kthimin në të kaluarën "e natyrshme". Të tilla janë p.sh. tribalizmi apo kthim në sistemin fisnor, komunizmi që shpesh na paraqitet si kthim "në lumturinë e bashkësisë primitive", paleodieta ose të ushqyerit si njerëzit e kohës paleolitike, anarkia apo jetesa poa shtet, njësoj si "dikur" etj. Në këto raste duhet të kihet parasysh e fakti që një gjendje e mëparshme ka qenë më afrë natyrës apo më natyrore, pra ku njeriu ka marrë pjesë më pak në formimin e asaj gjendjeje, nuk do të thotë se ka qenë medoemos më mirë e as nuk do të thotë që ne duhet të kthehemi në ato gjendje sërish. Jo çdo gjë është e nevojshme për t'u kthyer siç ka qenë.
Në të vërtetë janë pikërisht këto gjendje të mëparshme që patën si pasojë gjendjen ku jemi sot. Gjendja fisnore u shkatërrua një çast sepse ishte e papërshtatshme për kushtet e reja të krijuara dhe nëse ne kthehemi në atë gjendje sërish nuk bëjmë gjë vetëm fillojmë dhe njëherë nga zeroja për të ardhur përsëri këtu ku jemi sot. Komunizmi primitiv sido që të ketë qenë është shthurur dhe nëse ne kthehemi në atë gjendje jemi të detyruar sërish ta shohim duke u shthurur ai sistem që të vijmë sërish këtu ku jemi sot. Paleodieta mbase ka qenë vërtetë dieta e njeriut në një kohë kur njerëz kishte pak (gjithsej 10 deri 20 mijë në të gjithë globin) ndërsa gjithandej kishte kope të panumërta kafshësh të gatshme për t'u gjahtuar; nëse sot i kthehen kësaj diete të 7 miliardë njerëzit e botës, për jo më shumë se 5 ditë zhduket çdo kafshë e butë dhe e egër kudo që jeton.
Pra nga e kaluara mësojmë, por nuk mund t'a kthejmë sërish siç ka qenë. Historia është mësuese e jetës.
Nga shembujt mësipërm shohim që ideja e rikthimit në "natyrale" duhet të shqyrtohet me kujdes. Shumë më mirë është të nisemi nga pika ku jemi për të gjetur zgjidhje në këto kushte, sesa të synojmë aventura të cilave nuk ua dimë fundin.
_________________
PAGANËT PO TRIUMFOJNË, IMAMËT PO BIEN, BOTËS SË SHPEJTI DO TI KTHEHET PAQA.