Të dhënat janë mbledhur nga terreni në vitet 1934-37, nga Tatomir Vukanoviç dhe më pas janë botuar pas Luftës II Botërore:
____________________________________________________________________________________________________________________
Buzmi - Në Drenicë, shqiptarët në prag të Buzmit (kërshëndellat ortodokse, 7 janar), secila shtëpi gatuan dy-tri pite me arra dhe mjaltë, me lakra dhe kungull. Në sofër atë natë shtrohet: mjaltë, arra, fiq dhe pemë tjera.
Në Ditën e Buzmit në mëngjes prehet buzmi, dhe kjo bëhet duke qenë kthyer kah Lindja. Kur e sjellin Buzmin në shtëpi, fillimisht e vendosin nën strehën para shtëpisë, ndërsa në mbrëmje e fusin në shtëpi, dhe e vendosin në zjarr. Arrat thehen më 5 janar, e që shërbejnë pastaj për nevojat e Buzmit. Nuk praktikohet që dikush t'a sulmojë dikë për ditën e Buzmit, sepse besohet se njerëzve përkatës u dalin puçërra në trup.
Në ditën e Buzmit zihen kunguj dhe hahen, e poashtu edhe misër, në kokërr ose në tramak. Pos këtyre hahen edhe pemë: arra, si edhe ftonj, por vetëm ata ftonj që nuk janë të vrarë, "që të jenë të shëndoshë".
Në mbrëmjen e Buzmit mbahet darka fisnore e përbashkët - kolektive, e cila përbëhet nga pite, mish, arra dhe pemë tjera. Nëpër shtëpi shtrojnë kashtë, dhe atë natë festojnë.
Në Buzëm, në mëngjes, gratë marrin lëvozhgat e arrës dhe i hedhin mes drunjve të pemëve, me besim se pemët atë vit do të jenë më pjellore.
Kur njëra pemë është jo-pjellore, atëherë njëri nga njerëzit e shtëpisë, të cilës i takon pema, herët në mëngjes merr sëpatën dhe i flet pemës, duke u sulur drejt saj, sikur don ta presë, dhe atëherë do t'i thotë njëra nga gratë e shtëpisë, e cila në këtë punë e përcjell: Çka do të bësh?
- Dua t'a pres -përgjigjet ai - se nuk po bën pemë.
- Mos e prej, mos pikërisht sot. Lëre edhe këtë vit, do të bëjë pemë kjo. Por nëse nuk bën dhe këtë vit, atëherë vitin tjetër preje!
Për Buzëm, që urithi në vitet e ardhshme të mos bëjë dëm në ara e livadhe, zihen pemë të thara (ashaf), si dhe lloje të ndryshme drithrash të përzier, dhe aty thërrmohen, dhe përgatiten arrat për drekë. Të gjitha këto hahen atë natë (fshati Tërdefc).
Tek shqiptarët në fshatin Palac, praktikohet deri në ditët tona, në mbrëmjen e Buzmit, që të sillet në shtëpi buzmi dhe të vendoset në zjarr për t'u djegur. Atëherë thuhet: "sa zjarr, aq karrica drith".
Për Buzëm, hanë hudhra, dhe lyhen me trupin e hudhrës, "që shtrigat të mos i sulmojnë" gjatë atij viti.
Në Buzëm është zakon që një fije e zezë të lidhet nyje, dhe kjo bëhet kështu. Një burrë lidh fijen, dhe tjetri e pyet se çka po bën. Ai që lidh përgjigjet: "po i lidhi armiqtë". Dhe më tej tjetri përsëri e pyet se çka po bën, dhe ai përgjigjet: "po e lidhi gjarpërin" e më tej me radhë, se si i lidh, ujkun, qentë e egër, urithin, djallin e ngjashëm. Kjo lidhje bëhet rreth zingjirëve sipër zjarrit, edhe urdhërohet flaka e fuqishme që ajo fije të digjet. Besohet se të gjithë armiqtë , krijesat dhe gjallesat e përmendura me radhë, do të jenë të djegur, përkatësisht banorët e asaj shtëpie do të jenë të shpëtuar atë vit.
Në prag të Buzmit, nuk është zakon që çifti bashkëshortor në familje të kalojnë natën së bashku në shtratin bashkëshortor, nuk është zakon që të bëhen marrëdhënie seksuale, kjo është tabu. Kështu veprohet nga besimi, që urithi të mos jetë në ara dhe livadhe duke bërë grumbuj dheu (fshati Tërdefc).
Pranvera 22 mars - Gjatë Ditës së Pranverës, nuk është zakon tek shqiptarët e Drenicës që të shkojnë për të prerë e krasitur drunj. Besohet se atë ditë "pylli lut Zotin" dhe "i hyn shpirti në trup". Kush gabon në këtë, dhe pren e dëmton drunj, do të mbetet sakat (fshati Petreshticë).
Shëngjergj 6 maj - herët në mëngjes, është zakon që anëtarët e familjes të lahen, pastaj gjuajnë pushkë rreth torishtave. Në prag të Shëngjergjit në mbrëmje mblidhen djemtë në një vend e vajzat në vend tjetër, dhe aty me këngë e valle festojnë.
Kur agon para Shëngjergjit, "e presin Shëngjergjin me të shtime pushke". Fillimisht shtijnë rreth shtëpive dhe torishtave të tyre, pastaj përsëri vazhdojnë festimin.
Për Shëngjergj domosdo pastrohen shtëpia dhe oborri, që më parë janë stërpikur me ujë.
Në prag të Shëngjergjit, gjelbërohen dyert, si dhe të gjitha ndërtesat në oborrin e shtëpisë, si dhe pusi, mulliri dhe çezma. Në mëngjesin e Shëngjergjit, rrahen me gjelbrim, të gjitha rrobat dhe të gjitha bagëtitë. Domosdo sillet në shtëpi ujë i ftohtë i freskët. Mblidhen gjethe të shumëllojshme dhe vendosen rreth enëve, ku përgatitet e ruhet bulmeti. Të gjitha këto deri këtu, bëhen para se të lindë dielli. Njëjtë edhe rrobat, të gjitha duhet të lahen para se të lindë dielli. Për shëndet më të mirë, në atë ujë hidhen hithëra të freskët (gjelbër), ndërsa për rrypi poashtu mbahen kërcenj të hithit. Për Shëngjergj, vajzat krehen tek drunjtë e plepit, që "vajzave t'u rriten flokët" (fshati Shalë).
Për Shëngjergj ndërrohet kashta në të gjitha dhomat përveç odës së musafirëve, e cila nuk ndërrohet në këtë kohë.
Në mbrëmjen në prag të Shëngjergjit, secili mashkull i martuar, i detyruar është që të ketë marrëdhënie seksuale me gruan e tij, "për bereqet të shtëpisë" (fshati Rezallë).
Për Shëngjergj, herët në mëngjes, rrapëllojnë me kova, dhe asgjë nuk flitet në atë moment, "që të mos i zërë gjumi ditën gjatë atij viti". Për Shëngjergj dhe ditën e tretë pas Shëngjergjit, gratë nuk qepin asgjë. Kjo bëhet që "bagëtinë, të mos i hajë gjatë verës gjarpëri".
Për Shëngjergj, herët në mëngjes, duhet t'u jepet lopëve "krypë e krunde". Mirë është që me këtë të përzihet pak mish turtulli. Kjo bëhet "që gjatë verës të mos ndahet ndonjë lopë nga kopeja" (fshati Tushillë).
Për Shëngjergj është zakon që e tërë familja të ngritet herët. Së pari hanë mollë ose ftonj, ose copa të bukës, pastaj gjellë të ndryshme, sa më mirë të përgatitura. Për mëngjes domosdo së pari hahet "pershesh me tomel" bukë misri e thërrmuar në qumësht të zier të papërpunuar.
Kosmografia dhe klimatologjia
Kur ndodh zënia e diellit ose hënës, besohet se së shpejti do të ketë luftë në këtë botë.
Kur bie një yll, besohet se dikush "pikërisht atëherë po vdes" (fshati Polluzhë).
Kur në qiell, në mbrëmje, gjatë verës, bie "vetima" nga jugu, besohet se së shpejti do të bjerë shi. Nëse kjo vetëtimë ndodh gjatë dimrit, atëherë besohet se do të bjerë borë (fshati Palac).
Kur bubullon, besohet se bubullimën e mban Shën Ilia, ndërsa kur bubullon dhe sulmon rrufeja, besohet se atë e ka bërë djalli. "Guri i rrufesë" quhet "guri rejes", dhe mbahet si hajmali, kushdo që "e gjen".
Tërmetet - Një pendë qe, e mban tokën në shpinën e tyre. Kur këta qe dridhin veshët e tyre, dridhet edhe toka, dhe kështu shkaktohet tërmeti.
Nën tokë ka "xeherore qelqi", dhe kur kjo digjet, dridhet toka, ndërsa "xeherorja e gazit" digjet nën tokë (fshati Klinë e epërme).
Buburrecat - Shtëpia që ka buburreca, besohet se ajo shtëpi ka bereqet (fshati Nekofc).
Gjarpëri - Tek shqiptarët e Drenicës besohet se gjarpëri e merr helmin nga hardhuca. Hardhuca gjarpërit "ia vjell helmin në gojë" dhe kshtu gjarpëri bëhet i helmueshëm (fshati Vuçak).
Gjarpëri i shtëpisë - Shihet si mëkat me mbyt cilindo gjarpër. Midis gjarpërinjve, ata të shtëpisë përjetojnë një kult të veçantë, si dhe ata që jetojnë në gërmadhat e kishave.
Tregohet se njëherë njëri e kish shpërthyer "xhemijen" (anije) në det. Vjen gjarpëri dhe me trupin e tij e mbyll vrimën, që populli në anije të mos fundoset. Prandaj është mëkat të vritet gjarpëri.
Gjarpërin e shtëpisë e ka secila shtëpi, sepse kjo është roja e shtëpisë. Këtë gjarpër është mëkat me mbytë. Por nëse e kafshon ndokë atëherë duhet të mbytet (Klinë e epërme).
Gjarpëri i shtëpisë është roje e shtëpisë, dhe këto shumohen nëpër themelet e shtëpisë. Kur dikush e sheh, nuk duhet të bërtasë, por ngadalë dhe qetë ta drejtojë për në vrimën nga ku ka dalë. Në popull besohet se gjarpëri i shtëpisë e ruan shtëpinë, dhe e mbron atë nga çdo sulm (fshati Nekofc).
Gjarpëri i shtëpisë nuk vritet, dhe atë, as që mundet dikush me vra, sepse "ajo kthehet dhe bëhet çdoherë e më e madhe, ndërsa atëherë njeriu nga tmerri çmendet. Mund të dëbohet, nga shtëpia dhe oborri por jo edhe të vritet (fshati Prekaz i poshtëm).
Gjinkalla - Kur "gungalla" në ditët e thata të verës, dhe në vapë, këndon, besohet se së shpejti do të ndërrojë moti, do të bjerë shi (fshati Rezallë).
Magjitë
Ata që bëjnë magji, besohet se "edhe mund ta çmendin dikë". Ata mund dikujt t'ia shkatërrojnë lidhjen martesore. Me magji mundet që dikujt të mos i bëjnë bagëtitë qumësht, ose që qumështi vazhdimisht t'i prishet. Magjitë duhet të "hidhen" në njeriun përkatës që ka dashur të dëmtojë, ose në shtëpinë e tij (fshati Polluzhë).
Syri i keq
Në Drenicë ekziston një bestytni e përhapur në "syrin e keq". Mendohet se ka shumë njerëz që kanë syrin e keq, por në botë numri më i madh i këtyre janë gra. Më të rrezikshmit janë sytë e gjelbër.
Për mbrojtje nga syri i keq, duhet gjithëmonë të fshihet balli, që të mos ia shohin. Poashtu ai që ka syrin e keq, duhet të thotë "mashalla" dhe atëherë nuk mund të ketë magji. Ose këtë t'a thotë dikush që është i pranishëm, por jo ai të cilin e shikojnë sytë e magjishëm.
Më shpesh ndodh me kafshët shtëpiake. Për këtë edhe bagëtisë u vihen hajmali në ballë, ose në vend të këtyre stilisje të bukura, që syri i keq së pari të shohë ato, sepse pas kësaj është pa të keq dhe jo-magjik (fshati Polluzhë).
Qeniet e këqija
Në Drenicë, me tepri janë të përhapura besimet në qenie të këqija të shumëllojshme.
Kulshedra - Ekziston tek drenicakët, një besim i përhapur, që në ajër (qiell) jeton kulshedra. Ajo dëshiron t'a pijë tërë ujin në tokë, që t'i dëmtojë njerëzit. Rrufeja hidhet që t'a mbysë që të mos e pijë tërë ujin (fshati Shalë).
Kur fryn era dhe shpërndan nëpër qiell retë, besohet se kjo është kulshedra (fshati Palac).
Posa të fillojë të bjerë shi, nga frika prej stuhisë, merren thupra (purteka), dhe dilet në oborr, që t'a frikësojnë atë, sepse kulshedra ndalon shiun të bjerë.
Kulshedra shkon tek barinjtë nëpër mrize, duke dashur t'ua hajë zemrën (fshati Palac).
Shtriga - Në Drenicë besohet se ka shtriga, gra shtriga. Kështu quhet edhe kërpudha e thatë, e cila mbron shtëpinë dhe njerëzit e saj nga gratë shtriga. Kjo kërpudhë zakonisht vihet në një vend të dukshëm dhe të shquar (fshati Llaushë).
Lugati - Tek shqiptarët në Kosovë dhe Dukagjin ekzistojnë besime të shumta rreth lugatit. Nëse të vdekurin e kapërcen maca ose pula, besohet se ai do të bëhet lugat. Ai pastaj bën dëme të llojllojshme në fshatin, lagjen apo shtëpinë e tij. Me gëzim vjen tek vejushka e re, dhe me të çon dashuri gjatë natës. Nga kjo lidhje dashurie, besohet se lind djali i lugatit që quhet "dhampir - dhampiraq". Besohet se i vetmi ky mund ta shohë lugatin dhe ta gjuajë. Dhe gjuajtja e lugatit ndodh çdoherë në "aksham", kur bagëtia kthehen nga kullotat, dhe gjuajtja bëhet me pushkë. Kur bagëtia i afrohet fshatit, lugati ndodhet, siç besohet, në bririn e një kau, dhe atëherë "dhampiraqi", e sheh dhe e gjuan, ashtuqë të mos shpëtojë i plagosur. Atëherë e tregon gjakun e lugatit të vrarë. Në fshatrat e Drenicës mes dy luftërave botërore të kaluara, nuk ka pasur dhampiraq, por i kanë sjellur ata nga Dukagjini, sidomos nga Anadrini.
Kur vdes lugati, për dyzet ditë askush nuk mund t'a shohë, por pas kësaj gjithkush mund ta shohë, por në formë të atyre gjërave që njeriu i sheh, sepse lugati mashtron: si gur, si bagëti, si dru, si shtëpi. Kur e gjuan dhampiraqi, më nuk mund të ngritet, por si i vdekur qëndron në varrin e tij (fshati Marinë).
Kush ka në tufën e pulave të veta një gjel të zi, besohet se në këtë shtëpi nuk mund të vijë lugati (fshati Divjakë).
Dreqi - Në grupin e qenieve të këqija në Drenicë, dreqi e ka funksionin e vet kobndjellës të veçantë. Madje nëse ky është dreq me bisht, ai është më i rrezikshmi. Besohet se më së shumti dreqi shfaqet në formë të buallicës përkatësisht të dhisë. Mund të shëndrrohet në gjithçka vetëm që t'a arrijë qëllimin e tij, i cili është kryesisht kob-keq. Në njerëz trima dreqi nuk shkon por vetëm tek frikacakët. Kryesisht dreqi jeton vetëm, që t'iu bëjë sa më shumë keq njerëzve, por i kanë edhe familjet e tyre. Në njerëz trima dhe kreshnikë, dreqnit sulmojnë të shoqëruar në grup.
Që nga vegjëlia, dreqi shkon në punë të tij dhe mëson zanatin e tij. Dreqnajka është më e rrezikshme se burri i saj dreqi, dhe ajo u bën njerëzve edhe më shumë të këqija.
Murtaja - udhëton nëpër botë zakonisht si një shtegtar, më shpesh natën. Kthehet nëpër shtëpi ku ka ndytësi dhe papastërti, por fshihet nga njerëzit. Ajo hyn në shtëpi dhe të gjithë prej saj vdesin dhe zhduken. Së pari mposht blegtorët, pastaj me radhë njerëzit tjerë.
Sipas besimit popullor, i përhapur nëpër të gjithë popujt ballkanikë bashkëkohës, duhet që dy vëllezër binjakë, me dy qej binjakë, ta lërojnë fshatin me parmendë, besohet se pas kësaj në fshat nuk mund të vijë murtaja. Lërohet nga perëndimi kah lindja.
Dybesueshmëria
Në Drenicë, ka gjurmë të dybesueshmërisë. Kjo konsiston në mbjetjen edhe të zakoneve krishtere edhe islame, qoftë haptas apo fshehtas. Në shtëpinë e Tahir Bajramit - Berishës, në fshatin Berishë, kanë në odën e miqve, në murin lindor, të vendosur me gozhdë në kornizë ikonën e ShënMërisë me Krishtin. Tahiri dhe familja e tij i takojnë fesë islame. Por nëna e Tahirit, ka qenë katolike si vajzë, dhe është martuar për një shqiptar musliman. Në çeizin e vajzërisë, ka sjellur si pajë edhe këtë ikonë dhe e ka mbajtur deri në vdekje, që kanë vazhduar edhe fëmijët e saj ta bëjnë por këta e kanë varur në odë, ndërsa ajo e mbante në sandëk.
Mjekësia popullore
Kush o mjek?
Qaj qi hjek!
Sipas besimeve popullore të drenicakëve, uji nga burime të caktuara shëron shumë sëmundje. Këtu vje në shprehje burimi tek Manastiri i Deviqit, ku të sëmurit shqiptarë, sikurse edhe të sëmurit serbë, i kërkojnë sëmundjes ilaç dhe të sëmurit shpëtim.
Nga burime të shumta në malin Qiqavicë, sipas besimeve popullore, fuqi shëruese kanë burimet: Kroi i Despotit, kroi i Arsenijes, kroi i Dushanit, dhe kroi i Groznikut.
Në plagën e kafshimit të gjarpërit, vendoset "mjaltë pa zjarr". Poashtu, shërohet edhe në këtë mënyrë. Vrasin gjarpërin armik, i cili e ka ngrënë dikë, ia presin kokën, e coptojnë dhe kokën e coptuar e vendosin në plagë (fshati Gradicë).
Idhujt agrarë - Një lloj i strumbullarit nga Drenica, është i bërë në pamje antropomorfe të figurës së njeriut, pa duar dhe këmbë. Terminologjia e strumbullarit është sikur e njeriut: krye (koka), përfundi së cilës është qafa. Pjesa e trashur përfundi qafës quhet bark. Kokën e ka të bërë në formë të kokës së njeriut. Kur bëhen shirjet, këtij strumbullari siç praktikohet në këtë anë, i bëjnë kurbane kallinj të grurit. Posa të korret gruri, ndahet 1/15 e kallinjve të grurit, dhe me të zbukurojnë kokën e strumbullarit. Sipas botëkuptimit popullor, kjo bëhet për "bereqet".
Në përgjithësi është zakon në Drenicë, që strumbullarit në kohën e korrjeve t'i ofrojnë një dorëz ose dugë drithi. Kjo zakonisht ndodh kur bëhen shirjet, kur organizohet edhe darka e përbashkët, e cila vendoset në dy sofra, si "darka e lomjeve".
Drangoi - ky është njeriu që lufton kundër kulshedrës. Dragoin askush nuk mund ta shohë, dhe nëse e sheh ai do të vdesë. Kulshedra vje verës në male ku mrizon bagëtia, dhe dëshiron t'ua hajë çobajve zemrën. Kur fryn era dhe sjell re, besohet se këtë e bën Kulshedra (fshati Shalë).
Besohet se është fat që një shtëpi ta ketë gjarpërin e shtëpisë, sepse ai mbron shtëpinë nga djalli dhe nga sulmet e ndryshme. Zoti atë e ka krijuar si një roje të shtëpisë dhe e ka urdhëruar që askë nga ajo shtëpi të mos e hajë ndërsa në vende tjera mund t'a hajë ndokënd.
Bretkocën që jeton në shtëpinë e dikujt, askush nuk bën ta mbysë (fshati Kozhicë).
Shqiptarët e Drenicës për vetveten
Shqiptarët e Drenicës e shohin veten si një soj i zgjedhur dhe kreshnik. Shqiptarët drenicakë nga fshatrat që kufizohen me Kosovën, me gjithë nderimin ndaj shqiptarëve të Kosovës, i shohin ata si diçka më të ulët, si "më të vogël se veten".
____________________________________________________________________________________________________________________
_________________
Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi