Sagë garibaldine: plani i arbëreshëve nga Amerika jugore për kryengritje antiturkeNga Salih Mehmeti - 5 Tetor, 2017, 6:04
Historia e mërgimtarëve shqiptarë në Amerikën e jugut është e bashkëlidhur me një rrëfim interesant të revolucionarit italian Xhyzepe Garibaldi.
Idealisti i pandreqshëm italian, pasi ishte dënuar me vdekje pas shuarjes së kryengritjes së dështuar të Piemontit, më 1836 iku në Amerikën e Jugut, shkruan Konica.al.
Për një kohë, ai luftoi përkrah kryengritësve të Rio Grande do Sul që përpiqeshin të shkëputeshin nga Brazili. Pasi ushtria perandorake braziliane ngushtoi qarkun, Garibaldi bashkë me gruan e tij Ana Maria Ribeiro shkuan në Montevideo në Uruguaj.
[You must be registered and logged in to see this image.]Në vitin 1843, çifti Garibaldi do të drejtonin «Këmishat e Kuqe», të përbërë nga vullnetarë italianë, kundër regjimit të diktatorit argjentinas. Në mesin e luftëtarëve të tij duhet të kenë qenë edhe mjaft arbëreshë, të cilët bën emër të nderuar në risorgimento-n italiane.
Lidhja e arbëreshëve me familjen Garibaldi do të vazhdonte edhe në brezin pasues. Kolonitë arbëreshe në San Paolo dhe Buenos Aires ishin në lidhje të vazhdueshme me Riçioti Garibaldin, të birin e Xhyzepes.
I rritur në frymën e idealizmit të të atit, por edhe i ndikuar nga qarqet luftëdashëse të Romës, Riçioti prej kohësh po shestonte idenë e një kryengritje të përgjithshme antiosmane, ndërkohë si zgjidhje të realitetit parapëlqente një federatë panballkanike.
Në fillim të shekullit të njëzetë, në San Paolo të Brazilit dhe në Buenos Aires të Argjentinës, u krijuan dy shoqata të arbëreshëve të mërguar që ishin gati të ndihmonin planin me të holla dhe vullnetarë.
Ndër figurat me të spikatura italo-shqiptare në Amerikën jugore ishin Xhyzepe Skutari, kryetar i komitetit shqiptar të San Paolo-s, si dhe profesori Orazio Irianni, kryetar i komitetit shqiptar të Buenos Aieres-it.
Gjenerali Riçioti kishte kërkuar që të viheshin në dispozicion të tij një mijë arbëreshë të armatosur e të stërvitur. Plani ishte shestuar asisoj që arbëreshët vullnetarë të transferoheshin fillimisht në Maltë, prej nga do të nisnin mësymjen e madhe pa implikuar Qeverinë e Romës.
Një rrethanë që kishte ngjallur mosbesim ishte edhe bashkëpunimi naiv i aventurierit italian me komitët bullgarë dhe andartët grekë.
Sado ky plan nuk dha fryte për arsye që mund të meren me mend, si mosorganizimi i mjaftueshëm dhe kuturisja aventuriere në Shqipëri, ai përbën një tjetër dëshmi të rolit të madh që kanë luajtur komunitetet arbëreshe për kauzën shqiptare. /konica.al/
Salih Mehmeti | Konica.al
[You must be registered and logged in to see this link.]