FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Buzmi

Shko poshtë 
2 posters
AutoriMesazh
Tomor
ADMIN
Tomor


Numri i postimeve : 1205
Join date : 17/03/2013

Buzmi Empty
MesazhTitulli: Buzmi   Buzmi EmptyThu 29 Sep 2016, 18:25

Buzmi dhe bimësia e natyrës

Buzmi është një dru (ose disa drunj) riti që vihet për t’u djegur në zjarrin e vatrës natën e një të kremteje, që bie pas kthimit të diellit për verë [diku natën e Kërshëndellave, më 24 dhjetor, diku për kolendra, natën e vitit të ri a në ndonjë rast tjetër, që ka lidhje (në origjinë) me kultin e diellit]. Me buzmin kryheshin një sërë ritesh të karakterit magjik që kishin për qëllim, duke u mbështetur në besimet e lashta popullore, pjellorinë, d.m.th. shtimin e prodhimit në bimët e arave, në perime, pemë e vreshta, shtim e mbarësi prodhimi në gjënë e gjallë.

Në shekujt e vonë është ruajtur në formë zakonesh a ritesh që synojnë pjellorinë, por në origjinë (ku kemi edhe shpjegimin e tij më të plotë) kemi të bëjmë me hyjninë e bimësisë; ky demon, apo hyjni, në një ditë të caktuar vdiste dhe ringjallej i përtërirë. Nëpërmjet këtyre riteve synohej që fuqia e hyjnisë të kalonte në bimët e bujqësisë a në blegtori, t’u jepej atyre forcë që të shtoheshin, të ishin të shëndetshëm, të kishin mbarësi.

Mbeturinat e riteve të buzmit i gjejmë deri në gjysmën e parë të shek. tonë në krahina të ndryshme si në Veri e në Jug të Shqipërisë, gjithashtu në Kosovë, në arbëreshët e Greqisë e të Italisë. Pra mund të thuhet se ky është një fenomen i dukshëm i mbarë truallit shqiptar, i mbarë trevave të banuara nga shqiptarët.

Ritet më të pasura në lidhje me buzmin ndeshen në Shqipërinë e Veriut si Mirditë, Pukë, Dukagjin, Malësi e Madhe, Shkodër e Lezhë po kështu dhe në Kosovë.

Në Veri të Shqipërisë, në përgjithësi, quhet me emrin «buzmi i kërshëndellave», por në ndonjë vend tjetër dhe «trungu i kërshëndellave»; në Jug quhet më tepër «Kërcuri i vitit të ri» a kërcuri i kolendrave; quhet dhe «kopaçja e vitit të ri».

Fjalën «buzëm» në kuptimin e këtij druri ritual ose dhe jashtë këtij kuptimi E. Çabej e shpjegon si një fjalë autoktone të shqipes të trashëguar nga rrënja e një fjale të lashtë indoevropiane. Për fjalën «kërcuri» ka mendime se kjo është me burim nga sllavishtja e vjetër, por E. Çabej e dijetarë të tjerë e shpjegojnë si fjalë të lashtë të vetë shqipes e që prej këndej pastaj ka shtegtuar ndër gjuhë të tjera të Ballkanit.

Buzmi a buzmet në vise të ndryshme të Shqipërisë ishin drunj madhësish të ndryshme, llojesh të ndryshme; mund të ishin një ose disa drunj (kur ishin më shumë mund të quheshin buzmet), prandaj po paraqesim variante të ndryshme për këtë fenomen për treva të ndryshme, duke përfshirë këtu dhe ritet përkatëse.

Nopça na thotë se në Malësinë e Madhe fusnin në dhomë një degë hardhie dhe disa drunj (kërcunj). Mbi njërin dru vendosnin bukë dhe djathë, mbi tjetrin një gotë raki dhe vështronin se në ç’anë lëshonte lëng dega e hardhisë që nxehej nga zjarri i vatrës. Po rrodhi në anën e gotës së rakisë, atëherë do të thoshte se vreshti dhe fiqtë do të jepnin prodhim; po rrodhi lëngu në anën e kundërt, që ishte anë e të zonjës së shtëpisë, tregon bagëti të mbarë dhe shumë bulmet.

Në Dukagjin «buzmi bujar» na del si një shtagë – dru arre i lëmuar e i drejtë bashkë me një degë hardhie; vihen në zjarr të kryqëzuara dhe thuhej: «Po vjen buzmi bujar me bulqi (bujqësi) e shtrri (dhis e qingja)». Njerëzit e shtëpisë e mbulonin buzmin bujar me prush i lëshonin sipër krande të thata për të marrë zjarr më mirë; në zjarr vinin më vonë dhe një dru të trashë për të ndihmuar ndezjen e zjarrit dhe që të digjet sa më mirë buzmi. Shihet ana e trashë e buzmit për bereqet dhe ana e ngushtë për mbarësi në blegtori sipas shkumëzimit që bën buzmi në njërën a në tjetrën anë. Plaku i shtëpisë merrte thërrime buke e raki e i hidhte në anën e trashë të buzmit që binte nga shpina (ana e vatrës) dhe ca djathë e hedh në anën e hollë. Edhe Nopça thotë se buzmi për Dukagjinin ishte një dru arre i shoqëruar me një degë hardhie. Në zjarr hidhnin degën e arrës që ishte buzmi e mbi të hidhnin djathë; ai shton se hirin e drurit të buzmit dikur e kanë hedhur në ara që ato të jepnin shumë drithë. Në dëshmitë e shkruara në këtë drejtim për Veriun thuhet se çdo shtëpi e përgatiste që me kohë një trung për kërshëndella e që përgjithësisht quhej «buzëm», por theksohet se në shumicën e vendeve qisnin në zjarr «një hardhi dhe një trikë arre që përbënin buzmin e vërtetë». Coprat e këtyre të fundit i ruanin pa djegur e të nesërmen bashkë me hirin e tyre i qisnin në bashtinë e në kopsht. Kjo gjë na jepet edhe për Dukagjinin. Në qoftë se nuk kishte degë arre a shermend hardhie, merrnin degë nga pemë të tjera, mjaft që të merrej në arë a prozhëm të vet. Në Dukagjin i zoti i shtëpisë bashkë me një djalë dilte e merrte gemin e arrës e të hardhisë e bashkë me disa krande të tjera i qiste në vatër aty thoshte : «Mirësevjen buzmi bujar!» (diku thonin «Buzmi buzmar!» I zoti i shtëpisë i vinte ata dy gema kryq përmbi zjarr duke thënë: «Po vjen buzmi bujar, me gjeth e me bar, me edha e shtjerra e mbas tyre na vjen vera!» (diku thonin: «Po vjen buzmi bujar me bulq e me shtrri!»). Pasi vinte ato gema në zjarr, merrte një çik djathë, gjalpë, bukë, e disa kokrra groshe të ziera dhe i vinte në skajet e tyre. Njerëzit e shtëpisë hidhnin mbi të krande e ashkla për t’u ndezur mirë zjarri dhe më sipër akoma vihej edhe një trung i madh për të fuqizuar zjarrin.

Në Nikaj-Mërtur si buzëm shërbenin tre shkopinj arre që nxirreshin atë ditë në mëngjes e viheshin te dera e shtëpisë: dy afërsisht nga një metër të gjatë dhe një diçka më i shkurtër. Në mbrëmje i fusnin brenda një burrë dhe një djalë i vogël i cili, kur hynte brenda, gjatë përshëndetjes, thoshte: «Po vi me mall e ma gja, me dushk e me bar...». Shkopinjtë e vënë kryq në zjarr «i ushqenin» i zoti dhe e zonja e shtëpisë me çdo lloj ushqimi; nga sasia e shkumëzimit parashikohej bereqet në anën e buzmit që ishte nga i zoti i shtëpisë dhe bulmet në anën e buzmit që ishte nga e zonja e shtëpisë. Të nesërmen copat e buzmit të ndezura i shkrepnin te lëmi duke thënë: «gacë e karricë e kokër e koshiq».

Rr. Zojzi, duke folur për buzmin në malësitë e Veriut, thotë se ai ishte një trung qarri që vihej në zjarr atë natë (më njëzet e katër dhjetor). Z. Dukagjini thotë se ky trung i gjatë që vihej natën e buzmit mbi zjarr, shpohej në të dy anët me tyrielë, ku i bëhej nga një vrimë për të hedhur në të ushqimin.

Në Grykë-Orosh buzmi përbëhej nga dy shkopinj arre afërsisht nga një metër të gjatë, të njomë, të prerë po atë ditë, që viheshin kryq mbi zjarr e me të cilët veprohej pothuajse si në Nikaj-Mërtur. Në Mashtekore-Orosh, buzmi ishte një shkop arre rreth një metër i gjatë, i njomë, i nxjerrë po atë ditë. Në Kushnen buzmi ishte një dru qarri rreth një metër, i gjatë e i trashë sa këmba e njeriut; i bëheshin në të dy anët nga një vrimë për të hedhur ushqime gjatë ngrënies. Në të tri rastet e fundit buzmin brenda e fusnin një djalë e një vajzë duke thënë se po vinin me dhen, me dhi, me dhiz, me qingja, me grurë, me misër e me të gjitha të mirat. Në Iballë të Pukës buzmi përbëhej nga tri degë: dy prej bunge e një prej qarri. Në Fushë-Arës buzmi përbëhej nga pipa (degë të holla) të marra një nga çdo pemë e një nga hardhia; në zjarr me ta vihej dhe një trung i madh i ruajtur personalisht.

Në Myzeqe, në disa fshatra, natën e vitit të ri përdornin si drurë riti dy shkopinj thane me të cilët plaku i shtëpisë shpupuriste zjarrin e hidhte aty me radhë përce për fat për të gjithë njerëzit e shtëpisë. Në Fier kërcuri i kërshëndellave ishte një trung i madh lisi ose shkoze. Është me interes të shënohet se ky trung në Fier, në Paftal të Beratit e krahina të tjera të Jugut digjej pak natën e kërshëndellave, fikej e ndizej përsëri natën e vitit të ri, fikej sërishmi dhe digjej përfundimisht më 6 janar. Besohej se kjo ishte mirë për bereqet, shtesë në bagëti e mbarësi në familje. Për këtë të kremte përdorej dhe në Çermë të Mokrës (Pogradec) një trung për t’u djegur. Në Guzmar të Tepelenës si të tillë shërbenin dy «kopaçe»: «buzmi i koftarëve» dhe «buzmi i vitit të ri». Në Sheper më 24 dhjetor vinin në zjarr një trung me shenjë që ishte përgatitur për këtë të kremte që shumë kohë më parë. Në Leshicë të Përmetit vihej në zjarr kërcuri i posaçëm i Vitit të Ri dhe, kur digjej, e shkrepnin plaku dhe plaka duke shqiptuar: «kecra e shqerra, dhen e dhi, nuse e djem plot në shtëpi», formula këto të përafërta me të Mirditës ku me këtë rast, gjatë shkrepjes ose gjatë djegies së dëllinjës në zjarr thuhej: «Zhiz e kingja, lopë e viça», duke e përsëritur disa herë. Në Himarë «kërcuri» vihej në zjarr natën e vitit të ri. Në Piqeras të Sarandës kërcuri i kërshëndellave ishte një trung i madh ulliri.

Në Rrëzë të Tepelenës, sipas Hanit, natën, më 23 duke u gdhirë 24 dhjetor, të gjithë njerëzit e shtëpisë e kalonin natën rreth zjarrit ku fusnin tri bisqe (degë, shkopinj) qershie të cilat, pasi digjeshin pak, i nxirrnin përsëri dhe i ruanin. Bisqet e qershisë hidheshin në zjarr dhe më një janar – ditën e vitit të ri, dhe më 6 janar – ditën e ujit të bekuar. Pastaj copat e shkopinjve bashkë me hirin e tyre, që kishin mbledhur në këto tri netë, shpërndaheshin nëpër vreshta.

Edhe Kosova në lidhje me buzmin kishte pothuajse të njëjtat rite me ato të viseve të ndryshme të Shqipërisë së Veriut. Buzmi këtu na paraqitej më tepër si shkopinj. Në Kuç të Malit të Zi, me qëllim që të shtohej bagëtia, mbi buzëm qëndronte një vajzë e vogël e shtëpisë. Po kështu veprohej edhe te Vasojeviçët për qëllim fryti në ara, kopshte, pemë e njerëz, në vathë e në shtrungë. Vasojeviçët shkrepnin copat e buzmit e thonin kur delnin shkëndia; «kaq drithë ndër ara, kaq bletë në zgjua, kaq fat e përparim në shtëpi, kaq koka mashkulli», pra afërsisht ashtu siç bëhej në Shqipërinë e Veriut dhe në disa vise të Jugut.

Nga dëshmitë e paraqitura për buzmin na del si vijon:

Ky fenomen është dëshmuar në gjithë trevën shqiptare dhe në përgjithësi është i lidhur me periudhën e kthimit të diellit për verë. Ritet në lidhje me të kanë të bëjnë me dëshirën për shtim të frytit të drithërave, pemë e rrush, në blegtori si dhe për mbarësi në njerëz.

Si buzëm përdoret një trung (natyrisht i thatë, ose degë të njoma). Është i njohur nga studimi i mitologjisë krahasuese se tamam origjinale janë drunjtë e njomë e jo trungjet e prera para një viti a para disa muajsh. Si buzëm në disa raste na del qarri a lisi, siç ndodh në edhe në disa popuj të tjerë indoevropianë dhe Frezeri këtë e shpjegon me faktin se qarri (a lisi) është vendndejtja e hyjnisë së rrufeve në mitologjinë indoevropiane, pra është dru i posaçëm kulti. Në Shqipërinë e Veriut në shumë raste si buzëm shërben arra dhe kjo, është e kuptueshme, për faktin se në besimet popullore hija e arrës është më shumë se çdo pemë a dru tjetër, vendndejtje shpirtrash, hijesh, figurash të ndryshme mitologjike, pra për shqiptarët në origjinë duket të ketë qenë një dru kulti i posaçëm. Në këtë drejtim është domethënës fakti se arra është bimë e përhapur në gjithë trevën shqiptare. Në rolin e buzmit na del edhe hardhia, ulliri a bimë të tjera frutore e këto në vetvete përfaqësojnë demonin e bimës përkatëse, një demon që flijohet, për t’u ripërtërirë i fortë vitin e ardhshëm, për t’i dhënë forcë prodhimit, bimës që përfaqëson (rrushit, ullirit, mollës, mënit e kështu me radhë). Meriton të vihet në dukje se në shumicën e rasteve buzmi përbëhej nga një ose disa drunj të caktuar frutorë, fakt që flet për traditë të lashtë pemëtarie e vreshtarie, gjë që konfirmohet dhe nga dëshmi të ndryshme të karakterit historik.

Është me interes të shënohet fakti që, edhe pse buzmi mund të bëhej nga një, dy, tre e më shumë degë drunjsh frutorë, prapëseprapë në pjesën më të madhe të rasteve ishte i shoqëruar nga trungu i lisit (i qarrit). Kjo shpjegohet me arsyet e një tradite të lashtë indoevropiane. Buzmin e shoqëronte edhe dëllinja (përcja) e kjo mendojmë se ka lidhje me natyrën e saj të gjelbër dhe me cilësinë për të bërë zhurma gjatë djegies; pra përfaqëson në vetvete dy tipare të veçanta të demonit të vegjetacionit: ngjyrën e zërin që jepnin forcë.

Buzmi ushqehej e kjo në origjinë konsiderohej si flijim i hyjnisë së vegjetacionit. I jepej buzmit nga të gjitha ushqimet me qëllim që dhe ai t’u jepte njerëzve prodhime nga të gjitha llojet; edhe djathë i jepnin buzmit sado që vetë atë natë nuk hanin të tillë ushqim. Djathin ia jepnin që ai të japë bulmetin. Le të kujtojmë se në Malësi të Madhe në mbrëmjen e buzmit thernin një dash, e ndanin prushin e zjarrit në dysh dhe e linin gjakun të derdhej në vatër aty midis zjarrit. Pastaj mblidhnin gjakun e përzier me hi, me dru e me bukë dhe e përdornin si ilaç për njerëz e për bagëti. Një pjesë të mishit të dashit të pjekur e hanin vetë e një pjesë ua ndanin të vobektëve. Në Sheper, natën e buzmit fusnin në zjarr një bri dashi. Këtu ka pra në origjinë kemi të bëjmë me flijime të mirëfillta hyjnisë së vegjetacionit që përfaqësohej në buzmin a kërcurin.

Riti magjik i të shkrepurit të urëve të ndezura të buzmit te koshari i drithit, ndër bagëti e në ara, ka të bëjë me besimet në lidhje me forcën e zjarrit për prodhimtari, për pjellori, forcë që e fiton demoni i vegjetacionit gjatë flijimit të tij në zjarr, pra gjatë kontaktit me zjarrin. Kemi parë se copat e buzmit pas djegies i venë në koshar të drithit, a në vathë të bagëtive, diku i hedhin në skaje të arave ose i kryqëzojnë në lëmë.

Mark Tirta, "Mitologjia ndër shqiptarë"

_________________
Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
Mbrapsht në krye Shko poshtë
https://zojsi.albanianforum.net
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 836
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Buzmi Empty
MesazhTitulli: Re: Buzmi   Buzmi EmptyWed 15 Mar 2023, 21:31

Një ndër kremtet më të pëlqyera nga populli ynë ndër shekuj. Kremtimet fillojnë që në mbrëmjen e 21 dhjetorit që është nata e fundit e Dimnorit, dhe vazhdojnë ditëve tjera: më 22 është piku diellor i dimrit, më 23 mbahet agjërimi i posaçëm, vihet një guriçkë në gojë që në mëngjes dhe rrihet pa ngrënë deri në mbrëmje, më 24 është nata kur ndizet buzmi apo cungu i madh që hidhet në vatër, më 25 në mbrëmje farefisi së bashku festojnë në lëmin e drithit që përgatitet në arë, ku hanë ushqime dhe pinë venë.

Për buzëm zakonisht therret derr i majmë. Natën e buzmit ftonjtë lihen në një vend ku i kap acari dhe të nesërmen futen brenda e pasi që shkrihen përdoren si specialitet i kësaj feste.

Buzmi Buzmi-1024x680

https://beslasht.fandom.com/wiki/Buzmi
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Buzmi
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Revista pagane "Buzmi"

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Kulturë :: Kremtet besëlashta-
Kërce tek: