FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Qerosi dhe e Bukura e Dheut

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Hylltar
MODERATOR
Hylltar


Male Numri i postimeve : 205
Join date : 23/04/2013
Age : 43
Location : Në Fushat e Elysesë

Qerosi dhe e Bukura e Dheut Empty
MesazhTitulli: Qerosi dhe e Bukura e Dheut   Qerosi dhe e Bukura e Dheut EmptyTue 15 Mar 2022, 23:52

Na ishte njëherë një mbret, i cili kishte tre djem. Ky mbret na kishte një kopsht të bukur fort dhe gjëja më e çmuar në atë kopsht na qe një dru ftoi që pillte nga mot vetëm tri kokrra, por edhe këto tri kokrra vinte kuçedra e i hante.

Një ditë prej ditësh shfaqet para mbretit djali i parë dhe i thotë të atit se do të shkonte të ruante ftoin nga kuçedra, ndaj i lypte uratën, armë dhe tri llambadhe që të ndriçonte vendin. I dha mbreti të birit gjithë ç'i kërkoi dhe me të rënë nata, djali shkoi në kopsht e zuri vend majë një lisi. Kur trokiti mesnata, ia behu kuçedra pas zakonit që kishte, por kur pa vendin rreth e qark pemës të ndriçuar, sakaq kuptoi që i kishin ngritur pritë dhe duke pallur me një zë të shëmtuar që të kallte datën, u lëshua për nga ftoi, rrëmbeu një kokërr dhe shkoi e iku si rrufeja, pa i lënë kohë djalit që fërgëllonte nga frika, të bënte as çak as bam. Shkoi të nesërmen djali para të atit, meit në fytyrë dhe me zërin që ende i dridhej nga tmerri që kishte parë,i rrëfeu gjithë ç'kishte ngjarë. U pikëllua mbreti plak, jo aq për ftoin sesa për djalin e tij që paskësh qenë frikaman.

Një ditë më pas, u dha para mbretit djali i dytë dhe i tha që atë natë do të dilte në kopsht të ruante ftoin nga kuçedra dhe, si mori ç'i lipsej, shkoi e zuri vend majë lisit si vëllai i madh. Por edhe ai s'pati fat më të mirë se i pari. Me t'u fanepsur kuçedra duke ulëritur e sokëllitur, ai u struk majë pemës e s'guxoi të ngrinte dorë kundër saj, po e la të shkonte ashti siç kishte ardhur, megjithë kokrrën e ftoit. Të nesërmen doli para t'et, mbretit, dhe i turpëruar i kallëzoi ç'kishte ndodhur. Mbreti u bë pikë e helm dhe nga hidhërimi i madh zuri shtratin.

Ditën tjetër shkoi te mbreti djali i tretë, i cili na ishte qeros, ndaj vëllezërit e përqeshnin dhe e vinin në lojë. Edhe ky i kërkoi të atit uratën të dilte në kopsht e të ruante ftoin. Mbreti ia dha me zemër të thyer, se nuk kishte fort besë tek i vogli dhe ky, si mori ç'i nevojitej, doli në kopsht me të zbritur nata dhe zuri vend para drurit të ftoit. Kur çatisi kuçedra me tërsëllimë, këtij nuk iu ligështua zemra, po u derdh përpara me trimëri, i ra me shpatë dhe e plagosi keqazi. Si e pa që këtë herë nuk i eci, lubia iku çalë-çalë, duke lënë pas një vërragë gjaku.

Kur morën vesh burrërinë e Qerosit, vëllezërit varën turinjtë dhe i breu zilia, por s'kishin ç'bënin, ndaj deshën s'deshën i shkuan në ndihmë dhe të tre tok ndoqën vijën e gjakut, gjersa arritën te gryka e një honi që s'i dukej fundi. Aty ndaluan dhe po vrisnin mendjen si e qysh të vepronin, kur u hodh Qerosi e tha:

- Mbani vesh e dëgjoni, o vëllezër. Teksa unë do të lëshohem më të poshtë, ju do të më mbani litarët. Kur të tund litarin e bardhë, dijeni që jam mirë e paq, kur të tund të ziun do të thotë që gjendem në rrezik dhe ju tërhiqeni vrik për të më shpëtuar.

Pa një pa dy, Qerosi zbriti në hon dhe porsa i zuri këmba dhé, zuri të këqyrë përqark mos shihte gjurmët a strofkullën e kuçedrës. Duke u endur sa andej-këndej, pa përdhé një plloçë të hekurt. Si e ngriti me mund, vuri re që nën të ishte një shpellë e nëndheshme dhe tri shkallëza po prej hekuri që të shpinin s'di se ku. Qerosi i zdrypi shkallët dhe pa një shtëpizë të këndshme. Trokiti në derë dhe kur ajo u hap, u dha te pragu një vajzë e hijshme që na ishte njëra nga tri të bukurat e dheut. Pasi u përshëndoshën me sho-shoqin, vajza pyeti përse kishte ardhur. Qerosi iu përgjigj e i tha se kishte ndërmend të vriste kuçedrën e të shpëtonte botën mbarë. Pasi e dëgjoi mirë e mirë, vajza u hodh.e tha:

- Në vrafsh dot atë egërsirë, ti do të mbahesh si shpëtimtari i këtij vendi dhe unë të jap fjalën që do të të marr për burrë.

Dhe si shenjë të besnikërisë e të virgjërisë së saj, vajza i dha një furkë që tirrte vetiu ar. Qerosi e mori e përpoqi për dhé dhe sakaq, ajo u shëndrrua në një mollë të artë të cilën ai e futi në gji.

Paskësaj, Qerosi u vu në udhë dhe ca më tej pa një tjetër shtëpizë. U afrua e trokiti dhe ndërkaq u dha te dera një çupëz edhe më e bukur se e para. Si u llafos me të i tha përse kishte ardhur gjer aty, ajo iu zotua:

- Nëse do ta vrasësh kuçedrën, do të martohem me ty, - dhe si shenjë i dha një stap të artë ku qe thadruar një langua duke ndjekur lepujt. Qerosi e mori, e përplasi për dhé dhe stapi erdh e u bë një kokërr dardhë të cilën e futi në gji.

I përcjellë nga çupëza, Qerosi u vu sërish në udhë dhe pak më tutje hasi në shtëpizën e tretë. Trokiti dhe kur porta u hap, u faneps një vashë e njomë, yll e bukur e më e fisme se dy motrat e tjera. Pasi u përshëndoshën e i bënë ca lajka e pajka njëri-tjetrit, siç e donte zakoni, ajo i dha Qerosit një klloçkë të florinjtë dhe dymbëdhjetë zoçka po prej floriri dhe i tha:

- Po të vrasësh kuçedrën, unë do të bëhem nusja jote për jetë e mot.

Qerosi i përplasi për tokë dhe ato u bënë një veirgë rrush i artë, që ai e futi në gji. Paskëtaj e Bukura e Dheut e shpuri dhe i dëftoi vendin ku kishte strofkën lubia, e cila atë çast nuk ndodhej atje.

Atëherë Qerosi zuri vend te hyrja e strofkullës dhe po priste kuçedrën, kur namëta, sheh së largu një vargan njerëzish që përcillnin me kujë e logori një vashë të veshur me të bardha. Si u ngjitën gjer te strofkulla, e lanë vashën te hyrja dhe vetë morën rrugën e kthimit me të qara e të ulëritura. Si u larguan njerëzit, Qerosi iu qas vajzës që dridhej e gulçonte nga lotët dhe e pyeti:

- Ç'ke që qan, moj çupë?

E në atë kohë ajo nisi t'i rrëfejë sesi kuçedra kishte zaptuar krojet e burimet dhe për çdo grusht ujë iu kërkonte banorëve të fshatit nga një vashë të njomë, e kësisoj, donin s'donin ata ishin shtrënguar të hidhnin short për çdo herë, dhe kësaj radhe shkurtëza i kishte rënë asaj, bijës së mbretit.

Atëherë, Qerosi u hodh e i tha të mos kishte frikë nga kuçedra dhe se ai do t'i shpëtonte njëherë e mirë prej saj, atë dhe gjithë vashat e tjera të fshatit. Paskëtaj, iu lut ta lejonte të mbështeste kryet në pëçinë e saj e të pushonte pakëz dhe, kur të shihte kupedrën duke ardhur, t'i bënte zë në çast. E teksa vasha po i çmorriste kryet Qerosit, kuçedra e llangosur në gjak po vinte për nga shpella. Vasha e pa dhe u drodh nga frika e sakaq një sumbull loti e nxehtë iu rrokullis nga sytë e i ra Qerosit mbi qeren e kokës. Ky u zgjua në past, brofi në këmbë dhe e pyeti çupën:

- Ç'është?

Po ajo e zeza s'kishte gojë t'i rrëfente tmerrin që po i shihnin sytë, ndaj i dëftoi me shenja kupedrën që po afrohej. Atëkohë, Qerosi iu derdh përsipër si dragua dhe e goditi për vdekje, aq sa kuçedra nuk mundi as t'i bëjë ballë, as t'ia mbathë, por duke u hequr osh, shkoi e u fut te burimi i ujit, ku dha shpirt e ngordhi. Pas pak, uji zuri të gurgullojë e të shfryjë nga burimi i kuq, i kuq prej gjakut të lubisë. E bija e mbretit iu qas Qerosit dhe pasi iu fal me përulësi, i tha se i ati i saj s'kishte për t'ia harruar kurrë këtë të mirë dhe, si i mbushi enët me ujë, mori rrugën e u kthye në pallat. Kur e panë prindërit dhe farefisi, një gaz e hare e paparë e pushtoi pallatin. Paskëtaj u kujtuan ta pyesin si e qysh kishte shpëtuar nga bisha. Ajo u foli për trimin e gjithë sa kishte ndodhur te strofkulla e kuçedrës. Atëherë, mbreti brofi më këmbë dhe urdhëroi të sillnin para tij trimin që kishte vrarë kuçedrën dhe i kish shpëtuar jetën së bijës. Rojat rendën në çast dhe pas urdhërit të mbretit e sollën Qerosin në pallat. Kur e pa, mbreti u ngrit më këmbë, e priti me ndere të mëdha dhe e vuri të rrijë në krah të tij. Paskëtaj, duke i lëvduar trimërinë para oborrtarëve, si dhe dashurinë e detyrimin që ndjente, i tha:

- Dua të më thuash e të më kërkosh pa ndrojtje, ç'të të dojë zemra, qoftë edhe gjysmën e mbretërisë, se unë dëshiroj të ta shpërblej me çdo kusht këtë të mirë të madhe. Veç kësaj, në qoftë se ta ka ënda, do të doja të të jepja time bijë për nuse.

Qerosi e dëgjoi me vëmendje dhe kur mbreti e sosi fjalën, i tha:

- Të falemnderit, o mbret për pritjen e shkëlqyer dhe fjalët e mira që the për mua, por tash për tash, nuk kam për të kërkuar gjë. Por ndoshta, ndonjëherë do të kem nevojë për krahun e hijen tënde dhe atëherë do të vij t'i lyp megjithë zemër. E tash më jep lejë të largohem se më presin detyra të tjera.

Dhe Qerosi u nda me mbretin dhe të bijën dhe u ngrit e shkoi fill e te të bukurat e dheut, të cilat e pritën me gaz e dashuri të madhe dhe i thanë se pas fjalës që kishin lidhur, ishin gati për martesë.

Atëherë Qerosi u foli me zmër të hapur dhe u tha se kishte ardhur t'i merrte me vete të trija dhe se dy të mëdhatë do t'i martonte me vëllezërit më të rritur, ndërsa të voglën do ta mbante për vete. Ndërkaq vashat u bënë gati dhe që të katër u nisën për në botën e përmbidheshme. Kur mbërritën ta honi, Qerosi u bëri zë vëllzërve t'i lëshonin litarët. Si e lidhi në litar vajzën e parë, ai iu thirri atyre ta ngrinin, duke u bërë të ditur se këtë ia kishte vluar vëllait të madh. Kur ngritën të dytën, u tha se kjo i përkiste vëllait të mesëm. Në atë hop, kur ata po tërhiqnin lart vashën e dytë, hidhet e vogla dhe i thotë Qerosit:

- Seç kam një parandjenjë që vëllezërit e tu kanë mendje të ligë. Duan të më marrin mua e ty të të lënë këtu poshtë. Por ti mos u mërzit, vrapo te strofkulla e kuçedrës dhe aty do të shohësh dy desh, një të bardhë e një të zi. Shih të kapësh të bardhin se ai do të ndihë të ngjitesh mbi dhe. Veç ki mendjen se mos zësh të ziun, atëherë do të mbetesh këtu dhe je i humbur përjetë. Sa për mua mos u merakos, se kurrë nuk do t'u jepem vëllezërve tu, por do të qëndroj besnike në jetë të jetëve dhe do të të pres gjer ditën që të kthehesh.

Dhe përnjëmend ashtu ndodhi. Vëllezërit e lëshuan për herë të tretë litarin dhe kur e nxorën vashën mbi tokë u mahnitën nga bukuria e saj dhe sidoqë e dinin që kjo i qe vluar vëllait të vogël, ranë në ujdi ta mbanin për vete, ndërsa Qerosin ta linin aty ku ishte, në fund të honit. U helmua Qerosi i ngratë nga sjellja e pabesë e vëllezërve, por ndërkaq iu kujtua porosia e së Bukurës së Dheut dhe u nis me vrap për te strofkulla e kuçedrës. Ku mbërriti, gjeti vërtet dy desh, një të bardhë e një të zi, por nga nguti në turravrap e sipër, në vend të të bardhit mbërtheu dashin e zi. E kështu për të zezën e tij, s'qe e thënë të dilte nga honi, ndaj vajti dhe u ul nën hijen e një lisi. Aty, ndërsa po vriste mendjen si e qysh t'ia bënte, dëgjoi ca klithma shpezësh të trembura. Tek ngriti sytë përpjetë, pa folenë e shqiponjës dhe një gjarpër që qe kacavarur pas pemës e po drejtohej për nga foleja të hante zogjtë. Zogjtë ciasnin e të këpusnin shpirtin dhe dukej sikur po lypnin ndihmë, ndaj pa një pa dy, Qerosi brofi më këmbë, zgjeshi shpatën dhe e preu copë e çikë gjarprin. Pastaj u kthye te rrëza e drurit, u shtri dhe sakaq e kaploi gjumi. Kur erdhi shqiponja, e ëma e zogjve dhe e pa Qerosin tek flinte nën hijen e pemës, pandehu se ishte ai që vinte ngaherë e ia vriste zogjtë edhe u vërsul mbi të t'i kërrente sytë. Por zogjtë hem me zëra e hem me shenja, i dhanë të kuptojë se ai djalosh nuk ishte vrasësi, po shpëtimtari i tyre. Atëherë, shqiponja fluturoi gjer te deti, qulli pendët dhe erdhi e me flatrat e shtrira i ndejti mbi krye Qerosit, që t'ia bënte gjumin dhe më të lehtë. Kur u zgjua Qerosi dhe pa shqiponjën mbi krye krahëhapur, i shkoi mendja për keq e u ndërsye t'i binte e ta vriste, po ajo e mori me të mirë dhe me fjalë të ëmbla e zbuti duke i thënë se ai i kishte shpëtuar jetën fëmijëve të saj, ndaj ajo i detyrohej shumë dhe për shpërblim ishte e gatshme të bënte çdo gjë që ai t'i lypte.

Si e dëgjoi mirëe mitë, Qerosi iu gjegj:

- Unë kërkoj vetëm një të mirë nga ty, a mund të më ngjitësh në botën e sipërme?

E shqiponja i tha:

- Fare kollaj, po për ta bërë këtë gjë, më nevojiten dy furra bukë, dy desh të pjekur dhe dy voza me ujë. Të gjitha këto do të mi ngarkosh në shpinë, ku do të hipësh edhe vetë, dhe saherë që unë të t'ia bëj Krrau, ti do të më hedhësh në gojë një furrë bukë, një dash të pjekur dhe një vozë me ujë.

Qerosit iu kujtua mbreti i atij vendi, të cilit i kishte shpëtuar të bijën nga kuçedra dhe, pa humbur kohë, shkoi t'i kërkonte çka i lipsej shqiponjës. Mbreti hapi qytë kur dëgjoi kërkesat e Qerosit, ngaqë ishin hiçgjë për një mbret, në krahasim me të mirën e madhe që i kishte bërë djaloshi, dhe dha urdhër t'ia plotësonin dëshirën në çast. Si u përshëndosh për të fundit herë me mbretin dhe të bijën, Qerosi shkoi te shqiponja e pasi ia ngarkoi nozullimet në shpinë, hipi edhe vetë dhe shqiponja rrahu flatrat e u ngrit në ajër. Por udhëtimi nuk doli aq i lehtë sa ç'kishte kujtuar Qerosi. Kishin një copë herë që po fluturonin, kur shqiponja hapi gojën dhe ia bëri krrau. Atëherë Qerosi shpejt e shpejt i hodhi në gojë një furrë buke, një dash të pjekur e një vozë me ujë. E kësisoj vijuan të fluturonin, por s'kaloi capak kohë e shqiponja bëri sërish krrau dhe Qerosi i vërviti në gojën e hapur furrën em bukë që kishte mbetur, dashin e pjekur dhe vozën e fundit me ujë. E kështu e shtynë edhe një copë udhe, por ende pa mbërritur shqiponja shqeu sqepin dh bëri për të tretën herë krrau. Por këtë radhë Qerosit s'i kishte mbetur gjë prej gjëje që t'i jepte për të ngrënë. Në çastin që filloi të shquhej bota e sipërme, shqiponjës iu prenë krahët e dalëngadalë zuri të binte. Qerosi e pa pisk dhe, a e dini ç'bëri? Zgjeshi shpatën nga milli, preu pulpin e këmbës së majtë e më pas të së djathtës dhe ia dha shqiponjës t'i hante. Shqiponja i mblodhi fuqitë dhe me dy të rrahura të flatrave, doli në botën e mbidheshme. Kur u ulën në tokë, shqiponja vuri re që, Qerosi po çapitej çalë-çalë dhe e pyeti:

- Pse ecën ashtu, o bir njeriu?

Në krye Qerosi s'donte t'i tregonte, por shqiponja ngulmoi gjersa e shtrëngoi t'i kallëzonte të vërtetën. Paskëtaj ajo hapi gojën, nxori të dyja pulpat që nuk i kishte gëlltitur, po i kish mbajtur nën qiellzë, ia leu plagën me pështymë dhe ia ngjiti mishin aq mirë sa nuk kishte dallim nga më parë. Para se të ndaheshin, shqiponja shkuli një pendë të zezë nga flatrat, ia zgjati Qerosit dhe i tha:

- Kur të jesh në nevojë, digje këtë pendë dhe çdo dëshirë që do të kesh do të përmbushet.

Më e para gjë që bëri Qerosi me të arritur në tokë, pyeti në qe gjallë i ati dhe, a e kishte mbajtur fjalën e dashura e zemrës, e Bukura e Dheut. Paskëtaj rrahu të gjente ndonjë punë dosido dhe ta nxirrte jetën duke rrojtur me nder. Ndaj vajti te një argjendar dhe iu lut ta merrte çirak, pa rrogë, sa për një çapë bukë e ndonjë rrobë të vjetër.

Një ditë vjen nga pallati një lajmëtar dhe i thotë argjendarit se e kërkonte mbreti. U ngrit argjendari e shkoi në pallat të mbretit, por, kur u kthye prej andej, ishte aq fort i dëshpëruar sa s'rrëfehet me gojë. E pyeti Qerosi ç'hall kishte, po argjendari s'i tregoi as ditën e parë, as të dytën, veç ditën e tretë i dëftoi sesi e kishte pritur mbreti dhe i kish kërkuar t'i bënte një furkë të artë që tirrte vetiu ar, ngaqë do të martonte djalin e madh dhe nusja dëshironte që me hir a me pahir t'i bënin dhuratë furkën e fëmijërisë. Në mos, i kishte thënë mbreti, do të të pres kryet. Dhe argjendari i shkretë u shkreh në vaj. Qerosi e mori me të mirë dhe e qetësoi duke i thënë:

- Quaje të mbaruar këtë punë, mjaft të më sjellësh tri okë arra dhe po aq verë nga më e mira.

Sidoqë s'iu zuri besë fjalëve të Qerosit, argjendari fatkeq vrapoi për në pazar dhe, pasi bleu gjithë ç'i kish kërkuar çiraku, u kthye me një frymë në dyqan. Qerosi i mori arrat e verën, u mbyll në një dhomë dhe zuri të thyejë arra e të pijë verë për shtatë palë qejfe. Argjendari me gjak të prishur se koha po kalonte, bënte çbënte dhe shkonte e vinte syrin te tëplasurat e derës, ngaqë ishte edhe kureshtar e donte të shihte ç'po bënte çiraku. Por Qerosi që na ishte një dinak i prapë, i hakërrehej dhe i thoshte:

- Lipsu tutje se do të më përsyshësh punën.

Kur po afrohej ora që argjendari të paraqitej në pallat e të dorëzonte furkën, Qerosi nxori nga gjiri mollën e artë, e përplasi përtokë dhe sakaq ajo u shëndrrua në furkë që tirrte vetiu ar. Papo, kur e pa i ziu argjendar u pataks dhe u gëzua aq fort sa s'dinte ç'ndere t'i bënte Qerosit.

Kur u kthye nga pallati mbretëror solli me vete tre qerre me florinj, që mbreti ia kishte dhënë si shpërblim. Dy ia taksi Qerosit dhe një e mbajti për vete. Por Qerosi nuk i pranoi dhe i tha:

- Mua më mjafton dashuria e tim zoti.

Si shkoi ca kohë, një ditë erdhi një tjetër lajmëtar e i tha argjendarit se e kërkonte mbreti në pallat. Shkoi argjendari dhe kur u kthye ishte ngrysur e nxirë në fytyrë edhe më fort se herën e parë. E pyeti Qerosi ç'hal kishte, po argjendari s'hapi gojë as ditën e parë, as të dytën, veç ditën e tretë i dëftoi sesi e kishte pritur mbreti dhe i kish kërkuar t'i bënte një stap të artë me langua që gjuante lepujt, se do të martonte djalin e dytë dhe nusja dëshironte me hir e me pahir t'i bënin dhuratë stapin e fëmijërisë. Në mos, i kishte thënë mbreti, do t'i shkoj kryet në satër. Qerosi e mori me të mirë dhe i tha:

- Kjo punë është e mbaruar, mjaft që t'i sjellësh tre okë arra dhe po aq verë nga më e mira.

Dhe argjendari i ngratë e mbajti vrapin në pazar dhe, si mori gjithë ç'i duheshin, u kthye në dyqan. Ashtu si herën e parë Qerosi u mbyll në dhomë e ia shtroi me të ngrëna e të pira dhe sa herë që argjendari i qasej derës e vinte syrin te të plasurat, i gërmushej:

- Lipsu tutje se do të më përsyshësh punën.

Kur erdhi ora që argjendari të shkonte në pallat e të dorëzonte stapin, Qerosi nxori nga gjiri dardhën dhe e shuku përdhe. Në çast u shfaq stapi i artë me langua që ndiqte lepujt. U mrekullua argjendari kur e pa, e rrëmbeu dhe rendi për në pallatin e mbretit. Kur u kthye solli me vete tre qerre me florinj. Dy ia taksi Qerosit dhe një e mbajti për vete, po Qerosi i tha:

- Mua më mjafton dashuria e tim zoti.

Pasi martoi edhe djalin e dytë, si kaluan sa kohë, mbreti përhapi fjalë me kasnecët e tij, se ai që do të ishte i zoti të merrte mollën e artë majë flamurit që kishte vendosur në një nga kullat e pallatit, do t'i jepte për grua motrën e vogël e të të bukurave të dheut, ndërsa trimin do ta bënte bir për shpirt. Rrodhën në atë vend burra nga të gjitha anët e dheut, por kurrkush prej tyre s'mundi të hovte aq lart sa të arrinte mollën e artë. E dëgjoi edhe Qerosi kumtin e mbretit dhe mori e dogji pendën e zezë që i kishte falur shqiponja. Para tij u faneps një pelë e zezë me flatra, si dhe një petk fund e krye i qëndisur me ar. U vesh e u ngjesh Qerosi, i kërceu pelës në shpinë dhe shkoi te vendi ku ndodhej flamuri e majë tij molla e artë. Kur e panë gjindja atë trim veshur me ar, kaluar mbi pelën e zezë, u mahnitën nga nuri e hjeshia e tij. I grahu Qerosi pelës dhe ajo u ngrit fluturimthi dhe sa hap e mbyll sytë e rrëmbeu mollën e artë. Mbreti u çmerit kur pa këtë djalosh kaq të zotin, ndaj e pyeti për emrin. Atëkohë, Qerosi i zbriti pelës, zhveshi rrobat e arta dhe tha:

- Ma thonë emrin Qeros dhe jam yt bir, o mbret.

Por as mbreti plak, as vëllezërit e as e Bukura e Dheut nuk e njohën, ngaqë kishte ndryshuar pamje e qe bërë yll i bukur gjatë kohës që ishte ngjitur nga bota e nëndheshme në të mbidheshmen.

Të dy vëllezërit zemërligj dolën para t'et dhe, duke treguar me gisht nga Qerosi, i thanë:

- Ky është një gënjeshtar, o imzot, që shtiret si vëllai ynë i ndjerë, ndaj jep urdhër ta marrin e t'i presin kryet.

Por sapo ata sosën fjalën, u hodh e Bukura e Dheut dhe tha:

- Veç unë mund ta zbuloj, o mbret, në është ky djalë yt bir e im shoq apo ndokush tjetër, - dhe u kthye nga Qerosi e i tha: - Atë ditë që të dhashë fjalën se do të bëhesha nusja jote po të vrisje kuçedrën, të fala një shenjë të besnikërisë sime. A mund të më thuash çfarë shenje ishte?

Pa hapur gojë e pa folur, Qerosi nxori nga gjiri verigën e rrushit të artë dhe e përplasi. Namëta, për habinë e të gjithëve, ajo u shfytyrua dhe u bë klloçkë e artë me dymbëdhjetë zogj.

Atëherë njerëzit shpërthyen në brohoritje, ndërsa mbreti plak u ngashërye ngaqë e dinte të vdekur të birin. E mori ngrykë dhe e uli në fron të mbretërojë më këmbë të tij. Vëllezërit ziliqarë e frikamanë i lidhi me hekura të rëndë dhe i hodhi në burg të kalbeshin për së gjalli. Paskëtaj u bë një dasmë e madhe që zgjati shtatë dit e shtatë net. Qerosi u martua me të Bukurën e Dheut dhe jetuan e u trashëguan të lumtur gjer në fund të jetës.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Qerosi dhe e Bukura e Dheut
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Pamje të bukura nga Karpatet e Dakisë

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Kulturë :: Krijimtaria gojore-
Kërce tek: