FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Pirroja

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Pirroja Empty
MesazhTitulli: Pirroja   Pirroja EmptyMon 03 Apr 2023, 23:53

Pjesë leximi të autorëve antikë sjellur nga 'vlug':

Plutarku / Jetët Paralele / Ilirët dhe Iliria në autorët antikë. A.Sh.Sh

Paraardhësit dhe fëmijëria.

Thonë se i pari që u bë mbret i thesprotëve dhe i molosëve, pas përmbytjes1 qe Faetoni, i cili ishte njëri prej atyre që erdhën në Epir bashkë me Pellazgun dhe disa thonë se aty në mes të molosëve banuan Deukalioni e Pirrua, pasi ndërtuan tempullin e Dodonës. Me kalimin e kohës pastaj, Neptolemi, birr i Akilit, me njerëzit që kishte sjell me vete pushtoi vendin dhe la pas tij një dinasti mbretërish, që u quajtën pirridë sepse ai, kur qe fëmijë qe mbiquajtur Pirro, dhe Pirro quajti njërin nga djemtë e tij të ligjshëm, që e kishte me Lanasën, të bijën e Kleodaut, birit të Hyllit. Dhe prandaj edhe Akili në Epir nderohej si hyjni dhe në gjuhën e atij vendi u quajt Aspet.2

Pas mbretërve të parë, ndër ata të mesit, të cilët ishin gati barbarë dhe të parëndësishëm për fuqinë dhe ndërmarrjet e tyre, i pari që u dallua, pse zbukuroi qytetet sipas zakoneve greke, u dha dituri dhe ligje të mira, thonë se qe Tarrypa. Biri i Tarrypës ishte Alketa, i Alketës Aryba dhe nga Aryba e Troa lindi Aiakidi. Ky u martua me Ftien, bijën e Menonit thesal, i cili u bë i përmendur për luftën e Lamisë, në të cilën u bë njeriu më në zë pas Leostenit3. Nga Ftia Aiakidi pati Diedamenë, Troen dhe Pirron.

Kur molosët ngritën krye4, dëbuan Aiakidin dhe thirrën në fuqi të bijtë e Neoptolemit; miqtë e aiakidëve i zunë dhe i vranë, por Androklidi dhe Angeli, me disa të tjerë, mundën ta fshehin Pirron e vogël, që e kërkonin armiqë dhe të ikin...

Pasi shpëtuan kështu nga ndjekësit, arritën në Iliri tek mbreti Glaukia dhe, si e gjetën në shtëpi së bashku me të shoqen, e vendosën fëmijën përdhe në mes të tyre. Mbreti atëherë ra në mendim sepse kishte frikë nga Kasandri, që ishte armik i Aiakidit dhe për një kohë të gjatë po mendohej në heshtje. Në këtë kohë Pirrua vetvetiu u afrua këmbadorar gjer tek mbreti dhe i kapi me dorë rrobën dhe u ngrit në këmbë, duke u mbajtur në gjunjët e tij, e bëri të qeshë një herë, po pastaj i shkaktoi dhimbje, duke qëndruar si një lutës që derdh lot. Disa thonë se ai nuk i ra ndër këmbë Glaukisë, por duke zënë me dorë altarin e perëndive qëndroi pranë tij dhe e pushtoi dhe kjo iu duk Glaukisë se ishte diçka hynore. Prandaj ia dorëzoi Pirron menjëherë të shoqes me urdhër që ta rriste së bashku me bijtë e tjerë dhe, pak më vonë, megjithëse fëmija u kërkua nga armiqtë e tij e megjithëse Kasandri i premtoi dyqind talente, mbreti nuk ia dorëzoi; por kur arriti në moshën dymbëdhjetë vjeç, pasi e dërgoi me një ushtri të madhe në Epir, e vendosi aty në fron...5

____________________
1. Bën fjalë për përmbytjen e përgjithshme, nga e cila sipas mitologjisë greke, shpëtuan vetëm Deukalioni dhe Pirrua.
2. Aspet-me sa duket ka lidhje me fjalën shqipe – i shpejtë, që i përgjigjet plotësisht cilësisë kryesore të Akilit.
3. Komandant i ushtrisë greke që mundi Antipatrin e Maqedonisë, duke e detyruar të mbyllet në qytetin Lamia në vitin 323 p.e.s.
4. Në vitin 317 p.e.s.
5. Në vitin 307 p.e.s.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Pirroja Empty
MesazhTitulli: Re: Pirroja   Pirroja EmptyMon 03 Apr 2023, 23:54

Përgatitja fizike dhe ngjitja në pushtet

Kur ishte afërsisht shtatëmbëdhjetë vjeç dhe kujtonte se kishte siguruar fronin, iu desh të bënte një udhëtim mbasi, njëri nga djemtë e Glaukisë, me të cilin ishte rritur së bashku, do të martohej. Atëherë molosët u ngritën1 për të dytën herë, dëbuan miqtë e tij, i rrëmbyen pasurinë dhe thirrën në fron Neoptolemin. Duke humbur kështu mbretërinë dhe i braktisur nga të gjithë, Pirrua shkoi pranë Demetrit, të birit të Antigonit2, që ishte martuar me të motrën e tij Deidamenë...

Duke marrë pjesë në betejën e madhe të Ipsos3, në të cilën luftuan të gjithë mbretërit4, Pirrua që ishte akoma i ri luftoi sëbashku me ushtarët e Demetrit, i vuri përpara ata që ishin drejtuar kundër tij dhe u bë i shquar midis luftëtarëve. Nuk e braktisi Demetrin as edhe kur u mund; përkundrazi i bëri që t’i mbeten besnike qytetet e Helladës dhe kur ai [Demetri] lidhi marrëveshje me Ptolemeun, Pirrua shkoi në Egjipt si peng. Këtu i dha Ptolemeut prova të mëdha të forcës dhe guximit të tij në gjueti dhe në ushtrimet gjimnastikore dhe si e pa që Berenika kishte fuqi të madhe dhe, nga vyrtyti e urtësia, ua kalonte grave të tjera të Ptolemeut, iu tregua shumë i respektueshëm. Meqënëse ishte i shkathët për të bërë për vete më të fortët, ashtu sikurse urrente frikacakët dhe ishte mbi të gjitha i sjellshëm e i urtë në jetë, u zgjodh midis princave të tjerë të rinj për t’u martuar me Antigonën, njërën prej vajzave të Berenikës, që e kishte me Filipin, para se të martohej me Ptolemeun.

Kjo martesë e rriti më tepër emrin e Pirros; duke patur edhe ndihmën e gruas së tij të mençur, Antigonës, ia arriti të mbledhë të hodha dhe ushtri dhe u nis për në Epir, për t’u vendosur në fron. Këtu u prit me gëzim nga një shumicë e madhe populli, që e urrenin Neoptolemin, i cili sundonte në mënyrë mizore dhe të egër. Megjithatë, nga frika se mos Neoptolemi kërkonte ndihmën e ndonjë mbreti tjetër, i propozoi paqe dhe miqësi, duke e bërë shok në pushtet. Por me kalimin e kohës disa njerëz, që dëshironin të gjallnin ndërmjet tyre dyshime, zunë të intrigonin fsheurazi, duke i nxitur njërin kundër tjetrit.

Sidoqoftë shkaku që e shtyu Pirron të vepronte, thuhet se ishte ky: Mbretërit, pasi i bënin fli Zotit të luftës në Pasaron të Molosisë, e kishin zakon të betoheshin para epirotëve se do të sundonin sipas ligjeve, kurse epirotët u betoheshin atyre se do të mbronin mbretërinë sipas ligjeve. Kjo ceremoni zhvillohej në praninë e të dy mbretërve, të rrethuar nga miqtë e tyre, që shkëmbenin me këtë rast shumë peshqeshe. Me këtë rast Geloni, besnik i Neoptolemit, pasi përshëndeti në mënyrë miqësore Pirron, i bëri peshqeshe dy pendë qe.

Myrtili, njëri nga shërbëtorët e Pirros, ia kërkoi: por meqënëse ai ia dha një tjetri, në vend të tij, Geloni kujtoi se Myrtili ishte fyer. E thirri prandaj për darkë dhe në mes të verës, siç thonin disa, pasi kishte përfituar prej tij, që ishte në lule të rinisë, e pruri fjalën atje ku duhej, duke e ftuar të hidhej nga ana e Neoptolemit dhe të helmonte Pirron. Myrtili e pranoi propozimin, duke u hequr se u bind dhe i pëlqente kjo punë, kurse nga ana tjetër i njoftoi Pirros...

Kur mori vesh këtë Pirrua, aty për aty e mbajti veten, por më vonë, duke u siguruar se epirotët më të fuqishëm i kishte nga ana e tij dhe e shtynin që ta zhdukte Neoptolemin e të mos kënaqej me një pjesë të vogël të pushtetit, por të vlerësonte virtytet e tija të larta për të kryer vepra të mëdha, dhe përveç kësaj i shtyrë nga dyshimi se Neoptolemi mund ta vriste më parë, në ditën e flijimit e thirri për drekë dhe vrau.

___________________
1. Në vitin 302 p.e.s.
2. Demetri i mbiquajturi “Poliorket” (307-283)
3. Qytet i Frygisë. Beteja u zhvillua në vitin 301 p.e.s prej Kasandrit, Seleukut, Lysimahut, Ptolemeut të bashkuar kundër Antigonit I dhe Demetrit, të birit të tij.
4. Komandantët e Aleksandrit të Madh, të cilët pas vdekjes së tij kishin ndarë perandorinë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Pirroja Empty
MesazhTitulli: Re: Pirroja   Pirroja EmptyMon 03 Apr 2023, 23:55

Dëshira për pushtime, beteja dhe fama.

Në kujtim gjithmonë të Berenikës dhe të Ptolemeut, kur i lindi një fëmijë nga Antigona e quajti Ptoleme dhe kur themeloi një qytet në gadishullin e Epirit e quajti Berenika.
Pas kësaj, duke menduar për ndërrmarje të shumta e të mëdha dhe duke shpresuar të pushtonte të gjitha tokat fqinje, gjeti mënyrën se si të përzihet në punët e Maqedonisë me këtë shkak: djali i madh i Kasandrit, Antipari, kishte vrarë të ëmën, Thesalonikën dhe dëbuar të vëllanë Aleksandrin. Ky dërgoi njerëz tek Demetri, për t’iu lutur që ta ndihmonte dhe ftoi Pirron.

Meqënëse Demetri po vononte i zënë me punë të tjera, Pirrua duke u nisur për ndihmë i kërkoi si shpërblim për aleancën Stymfenë dhe Prauenë që ishin pjesë të Maqedonisë, kurse nga popujt e pushtuar Ambrakinë, Akarnaninë dhe Amfilohinë. Djaloshi ia dha dhe ky, pasi i zuri dhe vendosi në to garnizone, po i shkëpuste Antipatrit pjesën tjetër të Maqedonisë për t’ia dhënë aleatit të tij. Mbreti Lysimah1 ishte gjithashtu i zënë me punë, por duke dashur t’i vinte në ndihmë Antipatrit dhe duke ditur se Pirros nuk i shkonte kurrë ndërmend të tregohej mosmirënjohës ndaj Ptolemeut dhe nuk ia prishte atij për asgjë, i dërgoi një letër të rreme në të cilën i thoshte se Ptolemeu e ftonte të hiqte dorë nga kjo ndërmarrje dhe të pranonte nga Antipatri treqind talente.

Pirrua si e hapi letrën e kuptoi menjëherë dinakërinë e Lysimahut: përshëndetja me të cilën fillonte letra nuk ishte ajo e zakonshmja: “Babai i dërgon përshëndetje të birit”, por “Mbreti Ptoleme përshëndet mbretin Pirro”. Megjithëse u zemërua me Lysimahun, prapëseprapë ishte i prirur të bënte paqe dhe u takua pët të bërë betimin dhe për ta përforcuar atë me flijime. Por kur u takuan për të bërë fli një dem, një cjap dhe një dash, ky i fundit ra përdhe i ngordhur, pa e prekur fare, dhe ndërsa të tjerët filluan të qeshnin nga kjo ndodhi, prifti Teodor e këshilloi Pirron të mos betohet, duke thënë se hyjnitë paralajmëronin me këtë vdekjen e njërit prej tre mbretërve. Kështu pra, Pirrua nuk bëri paqe.

Megjithëse interesat e Aleksandrit ishin rregulluar disi, prapseprapë Demetri erdhi; dhe u duk e qartë menjëherë se ai vinte në ndihmë të një njeriu, që nuk kishte më nevojë për të dhe që përkndrazi kishte frikë. Në fakt pasi qëndruan së bashku pak ditë me një mosbesim, filluan t’i ngrehin kurthe njëri-tjetrit, por Demetri, duke zgjedhur kohën më të përshtatshme, ia kaloi kundërshtarit, vrau djaloshin dhe shpalli veten mbret të Maqedonisë.

Ai edhe më përpara kishte urrejtje dhe donte të hakmerrej me Pirron, mbasi ky i fundit kishte bërë shumë inkursione në Thesali; përveç kësaj lakmia, sëmundje që e kanë mbretërit, prej natyre e bënë që këta të dy fqinjë të mos mundnin të jetonin në besim e pa u ndrojtur njëri me tjetrit dhe sidomos pas vdekjes së Deidamesë. Tani që kishin pushtuar që të dy një pjesë të Maqedonisë dhe interesat e tyre takoheshin, rivaliteti i tyre kishte shkaqe më të rëndësishme. Prandaj Demetri, pasi kishte bërë një ekspeditë fitimtare kundër etolëve, la këtu Pantauhun me një ushtri të madhe dhe vetë u nis kundër Pirros, i cili nga ana e tij, si mori vesh, u nis kundër të parit. Po për shkak të një gabimi në zgjedhjen e rrugës, nuk u takuan dhe Demetri pasi hyri në Epir, filloi ta plaçkisë.

Pirrua iu va prapa Pantauhut dhe e detyroi të pranojë betejë. Si u përleshën ushtarët, lufta u zgjerua dhe u bë e tëmerrshme sidomos midis komandantëve. Pantauhu, i cili për trimëri, shkathtësi dhe forcë fizike ishte padyshim komandanti më i mirë i mbretit, duke e ndjerë veten të fortë dhe të guximshëm e ngacmonte Pirron, duke e thirrur në dyluftim; dhe Pirrua, të cilit nuk ia kalonte asnjë nga mbretërit për forcë e guxim dhe që donte ta bënte familjare famën e Akilit, më tepër për trimëri se sa për farefisni, shkonte drejt Pantahut në radhët e para të ushtrisë.

Në fillim luftuan me heshta pastaj, si u përleshën, përdorën shpatat me mjeshtëri dhe forcë. Pirrua mori një plagë, por i shkaktoi armikut dy, një në kofshë dhe tjetrën në qafë dhe e rrëzoi atë poshtë, por nuk mundi ta vrasë se miqtë e tij ia hoqën nga duart. Epirotët, krenarë për fitoren e mbretit të tyre dhe me admirim të madh për trimërinë e tij, u sulën kundër këmbësorisë maqedonase, e thyen, dhe duke i ndjekur ata që po iknin vranë shumë prej tyre dhe zunë të gjallë pesëmijë vetë.

____________
1. Sundues i Thrakisë dhe i një pjese të Azisë së Vogël deri në Frygi.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Pirroja Empty
MesazhTitulli: Re: Pirroja   Pirroja EmptyMon 03 Apr 2023, 23:55

i pari midis më të mirëve

Kjo betejë nuk u shkaktoi maqedonasve aq inat për humbjen që pësuan dhe as aq shumë urrejtje për Pirron, sa ishte përkundrazi e madhe fama dhe admirimi që fitoi Pirrua për trimëritë dhe lëvdatat e gjithë atyre që kishin pare gjestin e tij dhe kishin marrë pjesë në betejë. Në fakt pamjen, shpejtësinë dhe shkathtësinë e tij e gjykonin të ngjashme me atë të Aleksandrit dhe u dukej sikur shikonin tek ai pothuajse hijen dhe një përsëritje të gjallë të sjelljes dhe fuqisë së tij në luftë dhe, ndërsa mbretërit e tjerë kërkonin ta ngjasonin në veshjen e purpurtë, në garden personale dhe në qafën e mënjanuar, vetëm Pirrua i afrohej në luftë dhe në trimërinë personale.

Për aftësinë e tij të madhe në rreshtimin e ushtrisë dhe dijet strategjike mund të shërbejë si prove shkrimet që ai ka lënë mbi këtë çështje. Thuhet se kur u pyet njëherë Antigoni se kush ishte komandanti më i mire u përgjigj: “Pirrua, po t’ia arrijë të plaket”, duke dalluar kështu vetëm këtë, midis gjithë bashkëkohësve. Hanibali, sikurse mund të lexohet edhe në jetën e Scipionit, të parin midis gjithë komandantëve për përvojë dhe shkathtësi quajti Pirron, të dytin Scipionin dhe të tretin veten. Duket tamam sikur Pirrua i ishte kushtuar plotësisht dhe thellohej gjithmonë në këtë dije, të cilën e quante me të denjën për mbretërit dhe nuk kujdesej aspak për gjëra të tjera. Thuhet se kur e pyetën në një gosti se cili prej të dyve, që i binin fyellit, Pitoni apo Kafisa, i dukej më i mire, u përgjegj: “Komandanti Polyperh1”, duke pohuar me këtë se për mbretin është më mire të kujdeset dhe të njohi vetëm këto gjëra…


_________________
1. Një prej komandantëve më në zë të Maqedonisë
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





Pirroja Empty
MesazhTitulli: Re: Pirroja   Pirroja Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Pirroja
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Shkencë :: Histori :: Ilirjanët-
Kërce tek: