FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Xhafer Deva

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Xhafer Deva Empty
MesazhTitulli: Xhafer Deva   Xhafer Deva EmptySun 02 Apr 2023, 12:23

Xhafer Deva


Xhafer Deva Xhafer-deva-1_________________________________________________________________Xhafer Deva Lkjhgf

Xhaferr Deva (Mitrovicë, 21 shkurt 1904 - Palo Alto, Kaliforni 25 maj 1978) ka qenë llogaritar, inxhinier pyjor, sipërmarrës, nëpunës, Ministër i Brendshëm i Shqipërisë, veprimtar antikomunist në mërgim dhe lektor.

Biografia

U lind nё Mitrovicё më 21 shkurt 1904 si djali i pestë, ndër shtatë djemt e Ibrahim agë Devës dhe Esmës nga familja Osmani. I ati i Xhaferrit ishte me origjinë nga Deva, kishte jetuar e punuar në Nish, ku kishte qenë ndër tregtarët më të njohur dhe vijoi veprimtarinë e tij si grosist druri edhe në vendbanimin e ri ku u vendos si i ardhur rishtas.

Mësimet fillestare i kreu në Mitrovicë, dhe të mesmen në Selanik para Luftës Ballkanike. Më pas vazhdoi shkollimin e tij në Stamboll në "Robert College" për tregti - shkolla më e vjetër amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara, që në gjuhën turke quhet: İstanbul Amerikan Robert Lisesi, ku mësoi anglishten. Ndoqi kurse për Pyjëtari në Vjenë.

Pas “Robert Kolexhit” në Stamboll, Deva u vendos në Aleksandri si punonjës në Bankën Osmane. Duke vuajtur nga reumatizmi, la Egjiptin dhe shkoi për kurim në Austri. U rikthye në vendlindje më 1932 për t'u përkujdesur dhe për ta mbarështuar më tej sipërmarrjen drusore, manifaturën dhe 8 mijë lirat turke që i la i ati i ndjerë. Me paratë ndërtoi një punishte bashkëkohore për përpunimin e drurit, pjesët e së cilës i solli nga Çekosllovakia.

Qe kryetar i dhomës së tregtisë të Mitrovicës dhe anëtar i bordit financiar të njësisë administrative.

Xhafer Deva Xhafer-deva-1

Veprimtaria politike

Hyn në politikë pas pushtimit të Mbretërisë Serbo-kroato-sllovene më 17 prill 1941, pёr organizimin e pushtetit nё rajonin Mitrovicë-Podujevё-Vushtrri, që ishte ajo pjesë e trevës së Kosovёs nёn pushtimin gjerman. I cilësuar si njeri i afërt me të Plotfuqishmin e Reich-ut në Europën Juglindore Hermann Neubacher, të cilit i kishte fituar besimin; themeloi administratën me nëpunës, agronomë, arsimtarë shqiptarë. Mendohet të ketë punuar pranë Abwehr, shërbimit informativ ushtarak gjerman për një kohe të pacaktuar.[5] Në bashkëpunim me Rexhep Krasniqin dhe Ernest Koliqin, hap shkolla shqipe në territoret shqiptare të ish-Mbretërisë SKS, e drejtë e cila ishte mohuar nga ish-mbretëria.

Pasi takoi Neubacher në Beograd, niset për Tiranë me Ago Agajn dhe me vete batalionin "Kosova". Deva merr postin e min. të Brendshëm në qeverinë Mitrovica.

Më 14 shtator 1943 dhe deri nё mbarim tё luftёs ishte kryetar i organizatёs Lidhja e Dytё e Prizrenit dhe drejtoi qendresёn pёr tё penguar futjen e trupave partizane jugosllave nё Kosovё. Në muajt e pranverës ngarkon një ndër krerët e "Lidhjes së Dytë të Prizrenit", Bedri Pejanin, të krijonte divizionin SS "Skanderbeg" - emri i plotë zyrtar: 21. Waffen-Gebirgs Division der SS Skanderbeg (Albanische Nr.1).

Nё shtator të 1944 Shefqet Verlaci pat propozuar Devën të bëhej kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, por ky propozim nuk u pëlqye nga shumica e asaj kohe.

Mbas arratisjes ne Austri me 1944, rekrutohet nga CIA amerikane dhe sherben si agjent deri ne fund te jetes se tij.

Xhafer Deva Xhafer-deva-1

Mërgimi

Pas mbarimit tё luftёs shkoi nё Austri në dhjetor të 1944, mandej në Itali, nga Italia në Egjipt më 1947 ku takohet me Mbretin Zog. Takoi anëtarët e grupeve politike të ndryshme dhe nënshkroi një protokoll të quajtur "Protokolli i Aleksandrisë" me katër pika.

Nga Egjipti në Damask të Sirisë në fund të 1947. Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse botimi i gazetës "Bashkimi i Kombit" në vitin 1948, si zëdhënse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II Botërore. Në shkurt të vitit 1948 ambasada amerikane në Romë e thërret, ku dhe kthehet. Nga 20 prill 1950 largohet drejt Greqisë e Turqisë e Egjiptit që të takonte dhe rekrutonte njerëz në dobi të axhendës së Komitetit Kombëtar "Shqipëria e Lirë" dhe operacionin "Valuable". I zhgënjyer, kthehet në Romë ku punoi pranë Zyrës Polake për Ndihmën e Emigrantëve duke mbledhur fonde për emigrantët shqiptarë.

Në vitin 1956, Deva shkoi në Amerikë. Në fillim jetoi e punoi në New York, më vonë në Boston, kurse në vitin 1960 shkoi në Kaliforni, ku vendoset në Calavera County.

Më 1966 rikrijoi organizatёn "Lidhja e Tretë të Prizrenit në Mërgim", qё propagandoi çlirimin e Kosovёs e tё trojeve tё tjera shqiptare nё Jugosllavi. E respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë Atdheut; vërehet në krye të tubimeve politike shqiptare të udhëheqjes nacionaliste, në Aleksandri të Egjiptit, më 1949 dhe në Madrid më 1972.

Ndërroi jetë më 25 maj 1978, në nekrologjinë e tij shkruhet se shërbente si ndihmësdrejtor i shërbimit postar në Universitetin e Stanfordit, ku qe lektor në vitet 1959-1971.

Xhafer Deva Xhafer-deva-2

Trashëgimia politike

Ndër bëmat e jetës politike së Devës përmendet ngritja në këmbë e një administrate shqiptare në Mitrovicë pasi Mbretëria Jugosllave u pushtua nga trupat gjermane.

Bashkëkohësit

Kolonel Faik Quku e përshkruan:

"Ministri i Mbrendshëm Xhafer Deva, megjithse nuk e njihte Shqipnin, ishte i pajisun me cilësitë e ushtarit gjerman: i vendosun, guximtar, i veprimit, i disiplinuem dhe anmik i komunistave, por e ndiente veten si te paralizuem mes Kryeministrit Rexhep Mitrovica, që e konsideronte të sëmurë, dembel dhe të pavendosun dhe Kryetarit të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërit, që e konsideronte konfuz, pa program, njeri që nuk e mban fjalen dhe që u nënshtrohet ndërhymjeve ilegale... I pakënaqun prej punëve që nuk shkonin mirë dhe konfuzionit që ekzistonte, nga marsi i vitit 1944, Xhafer Deva mendon me u ba diktatori i Shqipnisë, gja që do t'ishte zgjidhja ma e përshtatshme, por që nuk realizohet, sepse e kundërshtojnë gjermanët. Si në fillim, kryesinë absolute të Mehdi Frashërit, ashtu edhe kësaj here, pushtetin diktatorial të Xhafer Devës, eksponentat kryesor të Ballit Kombëtar, e pranojshin... mendonte që me anën e ekzekutimeve me pastrue qytetet e Shqipnisë nga komunistat, tue fillue nga Tirana. Ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i sjelljes në Shqipni të regjimentit "Kosova"."

Xhafer Deva Xhafer-deva-2

Shpëtimi i hebrenjve

Nga fundi i pranverës së vitit 1944 nazistët kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, po dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi. Mbështetur në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësis hebraike në Shqipëri, duke përfshirë dhe hebrenjtë e deportuar prej vendeve të Europës Qendrore, që kishin gjetur këtë vend si strehë shpëtimi, Rafael Jakohel dhe Mateo Mathatia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i nazistëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje të gjithë bashkësisë ("Shoah"), iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë:

"Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva, i cili njihej si anti-semit. Ata shkuan të takonin me ministrin Deva, megjithëse e dinin rrezikun që u vinte rrotull nga ky takim. Të dy pranuan sfidën, duke u lënë familjeve lamtumirën përpara se të niseshin. Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t'i bindtte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve".

Nderime

Në Prishtinë, Ferizaj dhe Mitrovicë ka rrugë që mbajnë emrin e tij.

Xhafer Deva Xhaferdeva


Edituar për herë të fundit nga Kandhaon në Thu 06 Apr 2023, 21:31, edituar 2 herë gjithsej
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Xhafer Deva Empty
MesazhTitulli: Re: Xhafer Deva   Xhafer Deva EmptySun 02 Apr 2023, 13:02

Ju flet Moska-Xhafer Deva, i gjykuar sipas një modeli ukrainas-09.02.2022


Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Xhafer Deva Empty
MesazhTitulli: Re: Xhafer Deva   Xhafer Deva EmptyMon 03 Apr 2023, 18:59

E vërteta e Masakrës së 4 shkurtit, për të cilën akuzohet Xhafer Deva


Xhafer Deva Xhaferdeva-1024x620

Shkruar nga Dr. Vasfi Baruti

Masakra e 4 shkurtit! Ato ditë shkurti 1944 (e më pas), kur hidhërimi pushtoi Tiranën, pis-politika komuniste mashtroi e luajti si deshi me masakrën për interesa të veta! Trakti i PKSH-së për atë masakër, i botuar më 4 shkurt 1945, në gazetën “Bashkimi”, ishte qind për qind fals, mashtrues, sepse gënjeu e mashtroi lexuesit e tij për dhjetëra vjet, kurse trakti i vërtetë është ai me nr. 31 (dt. 5 shkurt, botuar në “Buletinin e Zërit të Popullit” 1944), që saktëson jo 80 të vrarë, por të “vrarë me dyzina të rinjsh”. Por, të dokumentuar nga procesverbalet e atëhershme janë vetëm 10 të vrarë. Masakra e 4 shkurtit që rëndom trajtohet e menduar dhe programuar përpara 4 shkurtit nga “klika naziste e Xhafer Devës”, ishte provokim i drejtpërdrejtë e shkak i dy atentateve (3 shkurt) të qarkorit të Partisë Komuniste për Tiranën.

Mashtrimi

Në gazetën “Bashkimi” të 4 shkurtit 1945, në dy faqe të saj botohej trakti i parë i Qarkorit të Partisë Komuniste për Tiranën, ribotohej edhe më 1962 në vëllimi “Thirrje dhe Trakte të PKSH, 1941-1944”, botim i Institutit të Marksizëm-Leninizmit. Por, trakti është fals, gënjeshtër, sepse trakti i vërtetë botohej në “Buletini i Zërit të Popullit”, nr. 31, 5 shkurt 1945 dhe ribotohej për herë të parë në vëllimin III “Zëri i Popullit dhe buletinet e tij”, viti 1986, botimi Akademisë së Shkencave.

E ngjashmja e dy trakteve janë 36 shkronjat shqip e disa emra të përveçëm dhe të pangjashëm: trakti origjinal ka një faqe e pak në librin e botuar, kurse trakti fals më shumë se katër faqe në botimin e vitit 1962, dhe në përmbajtje s’mund të lexosh asnjë paragraf, fjali ose rresht të njëjtë. Të dy traktet, edhe ai origjinali, edhe ai fals kanë të njëjtin autor: është mendja e dora e Nako S. Trakti fals shkruhej e botohej për ditën e demonstratës së madhe politike, që mbahej në Tiranë e gjithë qytetet e vendit, në përkujtesë të masakrës së 4 shkurtit.

Ngjarja

Më 4 shkurt, nga ora 01 e pasnatës, nazistët e Xhafer Devës me urdhër të tij ekzekutojnë në rrugët e Tiranës shumë njerëz të pafajshëm dhe më çnjerëzorja: kufomat lihen në rrugë deri mbrëmjen e asaj dite! Burimi i parë i masakrës, i shkruar ato ditë është një letër e Nako S. (në kreun e qarkorit të PK për Tiranë e shefi i lidhjes me qendrorin e komunistëve) që ia drejton udhëheqjes (Miladin P., Koçi Xoxe, Liri G.): “Të dashur shokë – Ali [Miladin P.], Trashi [Koci X.], Muzhik [Liri G.]… Në Tiranë reaksioni është shumë i madh. Më 3 shkurt vranë në rrugë katër të rinj, njëri prej tyre kishte qenë partizan. Shpifën se këta do bëjshin reaksion. Tue gdhi 4 shkurti… pushkatojnë ndër rrugë gadi 80 njerës. Mund ta merrni me mend se çfarë terrori ka këtu…. Këtu situate është e vështirë. Kontrolle për ditë e për natë. Të dalin shokët dhe miqtë tanë nga qyteti nuk është e mundur, pse çetat janë likujduar gadi… 13 shkurt. Të fala Deti”.

Do të kalonin vetëm tre ditë dhe më 17 shkurt Nako S. u shkruante të njëjtëve kuadrovikëve të lartë për një problematikë tjetër, por u rikujton të katër të vrarët e 3 shkurtit dhe asnjë kujtesë me emra e numër për 80 të vrarët e orëve të para të 4 shkurtit. Ditët e fundit të shkurtit del gazeta “Bashkimi” (nr. 5, pa datë) e faqen e parë e mbulon artikulli “4 shkurt 1944”, me autor Lame Kodra [Sejfulla Malëshova], mbushur përplot slogane e fjalë të përgjithshme e asnjë fakt për numrin e emrat e të vrarëve. Ndërsa, kishte kaluar thuajse një muaj që ishte kohë e pamjaftueshme për të marrë informacion konkret për ngjarjen: identifikimi i “80” të vrarëve, që shkruante më parë N. S.

Të masakruarit, sa janë?

80? 86? 45? 8 apo 14!Në letrën e 13 shkurtit Nako S. “numëron” 80 të vrarë në masakrën e 4 shkurtit, kurse në traktin e vërtetë të shkruar prej tij, siç e pohonte në letrën e 13 shkurtit dhe që botohej për herë të parë më 1986 në vëllimi III i serisë së “Zëri i Popullit e buletinet e tij”, “numëronte” të “vrarë me dyzina”. Por, 80 të vrarë është diferencë e madhe me të “vrarë me dyzina”, sepse “me dyzina” do të thotë më shumë se 12 apo 24…

Është e qartë se mashtrohej më së keqi me numrin e të vrarëve në masakër dhe ai mashtrim me fanatizëm vijon të mbahet gjallë edhe sot. Më 4 shkurt, në gazetën “Bashkimi” në Tiranë “numërohen” 80 të vrarë (me emra identifikohen 24 viktima), që citohen vit pas viti e deri ditët e sotme.

Më 2011 botohet libri “Lufta italo-greke”, nga prof. Arben Puto, e pos të tjerash hapet debat për “86 viktima të masakruar” e të “saktësuar” (pa burim) prej autorit, por fjala e profesorit ka peshë, merr vlerë. Por, për rastin numri 86 është një rren e stërmadhe. Autori është i politizuar në tërë qenien e tij!

Argumenti i parë vjen nga vetë Nako Spiru, në traktin e shkruar me dorën e tij, të cituar më parë. Edhe studiuesi Gilman Bushati, kërkues i burimeve arkivore, zbuloi procesverbalet e prokurorisë (5 e 6 shkurt) me të vrarët më 3-4 shkurt, botuar në “Gazeta Shqiptare”, e që është thuajse pranë (me 14 të vrarë) të vërtetës. Në vitin 2011 Organizata Kombëtare e LANÇ-it, në gazeta “Pavdekësia” boton një listë me dëshmorët e 4 shkurtit, ku identifikohen të listuar 42 persona.

Nga listimi në “Pavdekësia”, në procesverbalin e 6 shkurtit janë nëntë të identifikuar, dy të paidentifikuar, dy me identitete italiane, kurse një (Ali Ferra) i vrarë nuk është i listuar në “Pavdekësia”. Si përfundim, katër janë të vrarë në mbasditen e 3 shkurtit, shtatë të vrarë natën e 4 shkurtit (bashkë me dy italianë). Në listimin e “Pavdeskësisë” me statusin dëshmorë janë edhe shtatë të vrarë (s’listohen në procesverbalet e Prokurorisë) të identifikuar me emra e vitrënie (1944), por pa datën e rënies në vendimin e marrë në librin “Dëshmorët e Atdheut” (2012) dhe as që dihet nëse janë vrarë më 4 shkurt apo në një datë tjetër të vitit 1944.

Të listuar në “Pavdekësia”, dëshmorë të 4 shkurtit janë e tetë persona, por që me identitetet e tyre në libri “Dëshmorët e Atdheut” binin dëshmorë në krahina e vende të tjera: Hava Meça në Brataj të Vlorës, Inajete Dumi në Qarrishtë, Nife Sula në Çaush të Krujës, Rakibe Dervishi në Kallarat të Vlorës, Shyqyri Gorblleshi në Prishtinë, Trëndafile Hasanliaj në Vranisht të Vlorës, Vait Shima në Bërzhitë të Tiranës, Xhemal Misku në Bosnjë… Taktika e masakruesve ishte të vrasin dhe t’i lënë rrugëve për terror, prandaj s’ka asnjë arsye që të fshiheshin të masakruarit. Sekretari privat i ministrit Xhafer Deva, Isuf Deva (i pushkatuar) në dëshminë e tij (janar ’47), në hetuesi e nën tingujt e dajakut, pohonte se “Xh. Deva pohoi se ishin vrarë jo më shumë se 7-8 njerëz dhe nuk pranoi 80 të vrarë” (cituar dosja 2064-a 1947 nga kërkuesi objektiv Astrit Jegeni) dhe thuajse se e dhëna e dëshmisë së tij përkon me procesverbalet e Prokurorisë.

Përfundim: Në procesverbalin e Prokurorisë, të 6 shkurtit, me 12 të identifikuar të vrarë dhe dy të paidentifikuar me emra, konstatohet: Nga 12 të identifikuarit, katër janë të vrarë në pasditen e 3 shkurtit dhe tetë të tjerë të vrarë në orët e para të 4 shkurtit, nga të cilët dy janë italianë. Pra, janë 10 të vrarët e 4 shkurtit dhe katër të 3 shkurtit. Dhe 10 apo 14 të vrarë në masakrën e 4 shkurtit janë me diferencë të shumë madhe me 80 apo 86 të “saktësuar” nga Arben Puto!

Masakruesit

Në letrën e 13 shkurtit N. S. lë në hije autorët e masakrës së 4 shkurtit, kurse në letrën e 17 shkurtit, Kadri Cakranit (në rrethin e ngushtë të Ballit) i jep autorësi për vrasjen e katër personave më 3 shkurt. Kurse Sejfulla M., thotë: “Terrori e masakra qenë përgatitur me plan e me kohë. Atentatet kundër personaliteteve shqiptare ishin një provokacion i poshtër i organizuar nga klika qeveritare. Kryeartikulli i ‘Bashkimit të Kombit’ si edhe masat terroristike qenë biseduar e pranuar në kabinetin e Xhafer Devës para ngjarjeve të 3-4 shkurtit”. Kurse trakti fals përgjegjësinë e përcaktonte: “Atentati do të kurdisej nga Xhafer Deva në bashkëpunim me Xhelal Staraveckan [s’ishte protagonist në masakër] e Kadri Cakranin…”. Mëkatari kryesor mbeti Xhafer Deva, me të drejtë. Masakra e 4 shkurtit menduar dhe planifikuar kohë përpara 4 shkurtit, propagandojnë komunistët! E vërteta, cila është?

E paramenduar

Qarkori i Partisë Komuniste për Tiranën, në të dy traktet, ai origjinali e ai falsi, përgjegjësinë për masakrën e 4 shkurtit e kërkoi dhe e gjeti tek klika naziste e Xhafer Devës, e cila kohë më “parë” kishte planifikuar masakrën terroriste dhe paralajmërimi terrorist bëhej në artikullin “Gjaku don gjak”, në gazetën “Bashkimi i Kombit”, të atij “tre” shkurti të përgjakshëm. Dhe, “prova” e fortë lexohej në “traktin” fals të shkruar nga Nako S. e që botohej në “Bashkimi” i 4 shkurtit 1945: “Në mëngjesin e 3 shkurtit. Themi 3 dhe jo 4 shkurtit. Atëherë, në mëngjesin e 3 shkurtit, shkon për shtyp, prej zyrave të Xhafer Devës, artikulli i gazetës ‘Bashkimi i Kombit’, ‘Gjaku don gjak’. Për këtë jemi në gjendje të japim të gjitha provat”.

Gazeta “Bashkimi” e 4 shkurtit, në gjysmën e parë të faqes 3 botonte artikullin e plotë “Gjaku don gjak” dhe poshtë titullit në kllapa: (Botuar në gazeta ‘Bashkimi i Kombit’, nr.?, dt. 4 shkurt 1944). Kurse, në gjysmën e dytë të po asaj faqe botohej “trakti” fals me titull: “4 shkurti 1944”. Një mashtrim idiot: artikulli “Gjaku don gjak”, i botuar më 4 shkurt në gazeta “Bashkimi i Kombit” dhe i ribotuar në “Bashkimi” e në të njëjtën faqe me traktin fals, propagandohej me “siguri” të madhe (Trakti: “Mëngjesin e 3 shkurtit. Themi 3 dhe jo 4 shkurt”) se “Gjaku don gjak” botohej më 3 shkurt, për t’i mashtruar shqiptarët se në këtë datë bëhej paralajmërimi për atë gjak që përgjaku rrugët e Tiranës në të gdhirë të 4 shkurtit. Ja pra, shkrimi “Gjaku don gjak” s’ishte paralajmërim për masakrën e 4 shkurtit dhe qorri nuk do pengëla se rrëzohet vetë! Atëherë, cili ishte shkaku i masakrës së 4 shkurtit?

Atentate

Në zonën e Tiranës së re, më 3 shkurt, guerilët komunistë në befasi i bëjnë atentat makinës së autoriteteve të regjimit pushtues ku mbeti i plagosur a pa jetë shoqëruesi i afërt i Kadri Cakranit. Reaksioni hakmarrës ishte i menjëhershëm e terrorist, siç jepej në kronikë të ATSH të asaj dite: “Njoftim. Dje në ora 15 disa grupe të terroristësh të përgatitur me hollësi në disa vende të qytetit sulmuan automobile dhe personalitete me bombë… U vranë Todo Shkurti, Vangjel Capo, Hasan Çeliku, Mihal Koço.”! Pas këtij atentati, pasditen e vonë të 3 shkurtit, guerilë të qarkorit komunist i bëjnë një goditje të befasishme të armatosur makinës së ministrit Xhafer Deva, por mbahej i fshehur nga qarkori i Tiranës, nëpërmjet Nako S., por e vërteta zbulohet nga Isuf Deva (fare i afërt i ministrit), sekretar privat i tij, i cili edhe në rrethana torture dëshmonte: “Komunistët më 3 shkurt i bëjnë atentat makinës së Xhafer Devës, plagoset dhe vdes në spital i nipi, adoleshenti Fahri Ibrahimi”. (Dosja 2064/a 1947 e cituar nga publikimi i Astrit Jegeni.)

Në luftën kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre, assesi s’mund të jenë përjashtuese aksione e atentate guerile komuniste, por në ç’situatë politike ishte fronti komunist i luftës? Nako S. në një letër për Miladin P., të 30 janarit i shkruante për një situatë terrori dhe se forcat partizane ishin thuajse në shpartallim, kurse në letrën e 13 e 17 shkurtit për Popoviqin, Xoxe e Gega, u shkruante: “…Të gjithë çetat tona nga Shkumbini e nalt kanë mbetur me nga 10-12 veta ose më pak… Këtej po shkohet drejt likuidimit të forcave tona ushtarake. Reaksioni ka grumbulluar shumë fuqi, por edhe ne nuk kemi ditur me i mbrojtur çetat, na u shkrinë në duar. Populli nuk do të luftojë… Situata këtu është kritike. Kjo fushatë shkon paralel me terrorin dhe për këtë arsye pak nga pak fiton tokë. Tirana mbulohet përditë nga gazeta e me trakte kundër nesh. Pikat kryesore janë: 1. Miladin P. e Dushan M. 2. Vëllavrasja (shkaktuar nga ne). 3. Lufta ideologjike kundër interesave të Atdheut (nga ana e jonë)… Më duket se në disa gjëra kemi qënë mjaft sektarë. Populli nuk kupton mirë vrasjet politike. Mushketa e Kosturi nuk gëlltiten nga populli. Atentati kundër Bahrit (Omari) gjithashtu ka qënë i tepërt…”. Në këtë situatë terrori, pushtuesi ishte zot në vend dhe të goditej ai në pabesi me guerile pritej të llogaritej mirë qari e zarari. Dhe, cili ishte qari për komunistët? Buja, atentat kundër gjermanëve e bashkëpunëtorëve të tyre! Po zarari? Me probabilitet qind për qind: për një jetë gjermani 100 jetë shqiptarësh të pafajshëm! Por, Qarkorit as që i shkonte ndërmend zarari për shqiptarët e pafajshëm!

Qarkori K. i Tiranës nuk desh t’ia dijë asfare për pasojat që vuante populli tiranas nga atentatet komuniste ndaj gjermanëve. Argumenti: goditje e befasishme e komunistëve kundër gjermanëve, në rrugën e Dibrës. Qari komunist: lajmi gojë më gojë për goditje me armë të një automjeti gjerman në lëvizje dhe ja zarari që lexohet në njoftimin e Komandës së Lartë gjermane: “Natën duke i gdhirë 21 tetori, në rrugën e Dibrës u bë një atentat i shëmtuar kundër një automjeti gjerman. Durimi i fuqive të armatosura gjermane mori fund. Masa ndëshkimi: 1. Lagjja rreth e rrotull vendit të ngjarjes në rrugën e Dibrës, do të shembet. 2. 100 të burgosur komunistë prej Tirane e që i përkasin rangut intelektual dhe që ndodhen në fushën e përqendrimit të Prishtinës do të pushkatohen menjëherë për hakmarrje. 3. 80 pjesëtarë të njohur të nacionalçlirimtares në Tiranë do të mbahen peng dhe në rast përsëritje kundër pjesëtarëve të armatës gjermane do të varen. Komanda e Fuqive te Armatosura Gjermane në Shqipëri” (Bashkimi Kombit 24 tetor.). Nazistët e mbajtën fjalën: Më 23 tetor gjermanët urdhëruan të burgosurit shqiptarë të hapin një gropë dhe u vranë e groposën 104 shqiptarë të Kampit të Prishtinë. Përgjegjësinë e krimit e mbajnë urdhëruesit e krimit dhe ata janë drejtuesit e Qarkorit K. të Tiranës. S’ka dyshim se Nako S., mjaft nga ato shpirtra do të ishin sot në jetë, pa atë goditje marroke komuniste ndaj pushtuesve.

Demonstrata politike, pse?

Në përkujtim të 80 të vrarët më 4 shkurt 1944, në gjithë qytetet e vendit bëhen demonstrate politike dhe më e madhja demonstrate në Tiranë. Në gazetën “Bashkimi” të asaj dite lexohet komunikata: “I gjithë tregu do të rrijë i mbyllur për gjithë ditën, kafet e restorantet do të mbyllen. 1. Në ora 8-30 do të bëhen lutje në faltore për viktimat e terrorit. 2. Në ora 10 metingu në Kinema Kosova dhe fjala e general Koçi Xoxe. 3. Në orën e metingut i gjithë populli do të rrjeshtohet simbas lagjeve, organizatave, dikastereve dhe organeve të pushtetit në shesh nga ku do të transmetohen mitingu me altoparlant” (Bashkimi, 4 shkurt ’45).

Në faqet e gazetës pushtohesh nga një frymë ushtarake, që binte mbi njerëzinë tiranase. Përse i gjithë ky manifestim – demonstratë. Faqja e parë e gazetës nis me titullin e stërmadh: Demonstrata të mëdha në gjithë qytetet e vendit për të vrarët e 4 shkurtit. Përveçse nderimit për të vrarët, kishte dhe dy arsye të forta për demonstratat: së pari, populli i Tiranës e kishte të gjallë në kujtesë atë çka pa rrugëve të qytetit 75 ditë më parë: më shumë se 100 të pushkatuar natën nga 28 tetori deri 16 nëntor 1944, dhe për ta zbehur sa më shumë këtë pamje makabre bëhej ai organizim që ngjante si gjëmë. Së dyti, për të mprehur shpatën që do të binte mbi të kamurit, me emrin borgjezë që kërkoheshin në litar, siç lexohet në letrën e Nako S., të 17 shkurtit ’44.

“E pabesueshme, por e vërtetë”!

Në 70-vjetorin e masakrës së 4 shkurtit, disa të përditshme botojnë një fjalim të Luan Ramës, që pos të tjerash “zbulon” tre terrorizmat më të mëdha të historisë së Luftës: masakrën e Borovës nga gjermanët, masakrën e 4 shkurtit në Tiranë nga të djathtët – bashkëpunëtorë të pushtuesve gjermanë – dhe 104 shqiptarët e vrarë në kampin gjerman të Prishtinës. E saktë. Por, “harron” terrorizmat komuniste e pa gjyq: më shumë se 100 intelektualë, ushtarakë e të tjerë të pafajshëm në Tiranë, të vrarë natën nga 28 tetori deri 16 nëntor 1944; 180 të pafajshëm (nga rajonet Vlorë, Korçë e Elbasan) të masakruar e varrosur në një gropë të përbashkët te përroi i Shipskës të Voskopojës në ditët e para të shkurtit 1944; mijëra të masakruarit e Tivarit; 63 të vrarët në Matjan të Lushnjës; 20 të vrarë në Klos të Matit (të ftuar për bisedë politike nga një ish-zëvendëskomisar brigade); 26 martaneshas (mes tyre e fëmijë) te Operacioni i Dimrit.

Sa e pabesueshme, po aq e vërtetë! Historia jonë e mbushur ding me rrena dhe në pamundësi të rroket e vërteta, madje e në vepra të botuara së fundi,nga historian të shumënjohur si objektiv e të paanshëm!

Xhafer Deva Xhd5

Burimi
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Xhafer Deva Empty
MesazhTitulli: Re: Xhafer Deva   Xhafer Deva EmptyMon 03 Apr 2023, 23:13

Dok. u gjurmu nga Vlugu dhe është në anglisht. Përkthimi poshtë i mesdimrit.

1944: Deklaratë e Xhafer Devës, gjeneralit Hill (Qev. shqiptare - Qev. britanike)


AQSH. F. 441. V. 1944. D. 256. fl. 5,6,2,4


Tiranë, 27.4.1944

Z. Xhafer Deva, Ministri i Brendshëm, duke iu përgjigjur apelimit të gjeneralit Hill ndaj popullit shqiptar në Radio Londra, transmetoi këtë fjalim nga Radio Tirana:

Gjenerali Hill ishte mjaft i sjellshëm tek u angazhua për disa minuta me çështjen shqiptare, duke iu drejtuar popullit dhe jo qeverisë, sepse, sipas opinionit të tij, qeveria e Tiranës nuk pëlqehet nga populli shqiptar e kësisoj mund të renditet në kategorinë e “qeverive kuislinge”. Për më tepër, gjenerali përmendi dhe emrin tim, duke shtuar se një farë Xhafer Deva bashkëpunuaka ngushtë me gjermanët dhe e ka vënë veten në shërbim të tyre.

Për këto arsye gjenerali Hill më detyroi t’i përgjigjem. Gëzohem që me cilësinë time si shqiptar kam rastin dhe lirinë t’i përgjigjem gjeneralit përmes Radio Tiranës, jo sipas mënyrës së tij të shprehjes, por sipas mënyrës së një shqiptari të Kosovës që në vetvete ka respekt të veçantë për popullin anglez, duke qenë se ka pasur dhe rastin të njohën gjuhën angleze dhe madhështinë e këtij populli.

Pa ndonjë qëllim të këshilloj të tjerë, ndihem i detyruar ta theksoj që në fillim se jam një shqiptar i mirë e si i tillë i qëndroj besnik folklorit tonë burimor. Ka një thënie mes tonë në lidhje me atë se kafshatën e madhe duhet ta përtypësh mirë para se ta kapërdish, e sakaq të mos flasësh fjalë të mëdha para kohe. Në dritën e këtij folklori do t’i përgjigjem dhe gjeneralit të nderuar.

Nga njëra anë ju i bëni nder popullit shqiptar duke e lëvduar atë si të ndershëm, fisnik e mikpritës, e nga ana tjetër, këshillat të cilat ia jepni popullit, e jo qeverisë (sepse këtë refuzoni ta njihni), bien ndesh me vetë parimet e ndershmërisë, fisnikërisë dhe mikpritjes së popullit shqiptar. Shqiptari Xhafer Deva, i cili ka nderin t’ju përgjigjet, fare qartë ju thotë se nuk është në shërbimin e gjermanëve, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë në shërbimin e tyre, por në të njëjtën kohë nuk është as në shërbimin e britanikëve, amerikanëve a sovjetikëve. Xhafer Deva ka nderin të jetë në shërbimin e popullit shqiptar dhe sigurisht që ky shërbim është nderi më i madh që ai mund të gëzojë.

Nëse ju konsideroni shqiptarë të mirë vetëm ata që janë në shërbimin e britanikëve, në emër të sterlinave të tyre të çmueshme, atëherë jam i detyruar t’ju them se paraja nuk bën miq, z. gjeneral. Dallimi mes qëndrimit tuaj dhe qëndrimit tim është se ju keni dalë në treg për të gjetur shqiptarë që të vihen në shërbimin tuaj dhe ndërkaq quani tradhtarë të gjithë ata që nuk pranojnë të vihen në shërbim të të huajve. Unë i përkas asaj kategorie njerëzish që janë krejt në shërbimin e vendit amë dhe jo në shërbimin e britanikëve, gjermanëve apo sovjetikëve.

Ju sigurisht që nuk po nderoni as veten e as kombin tuaj nëse konsideroni si shqiptarë të mirë vetëm ata që janë nën rrogën e britanikëve apo sovjetikëve.

Për mua është kënaqësi e veçantë të di që në kohë paqeje, ju keni dhënë kontribut për Shqipërinë duke i organizuar asaj xhandarmërinë kombëtare, gjë që përbën kontribut të çmuar në sigurimin e një force shtetërore që është ruajtëse e qëndrueshmërisë dhe e rendit.

Mund të jeni i sigurt, gjeneral, se dhe unë si shqiptar i thjeshtë dhe aspak në shërbimin e të huajve, po punoj ditë e natë me mundësitë e mia mendore e fizike për të vazhduar punën tuaj në mirëorganizimin e kësaj qëndrueshmërie dhe paqeje, në të cilën kanë nderin të marrin sot pjesë dhe shqiptarët e Kosovës së lirë. Nëse kontributi që Kosova po bën, nuk kufizohet vetëm në materialet ushqimore por dhe në fuqinë e punës, krah për krah me vëllezërit e pjesëve të tjera të Shqipërisë, në mënyrë që të shmanget gjakderdhja që ju zoti gjeneral keni shkaktuar duke avancuar interesat e vendit tuaj, gëzohem këtu t’ju përgjigjem në mënyrë që të keni mundësi të pyesni për shpjegime më të gjegjësishme rreth çështjes së agjentëve tuaj që gjenden nëpër Shqipëri.

Është më se e drejtë të thuhet se qeveria shqiptare i përdor forcat e saj kundër elementëve të tillë që shkaktojnë shqetësime në trojet shqiptare. Ne duhet ta përsërisim se të vetmit njerëz që shkaktojnë shqetësimin e paqes dhe rendit publik në Shqipëri, janë të ashtuquajturit “nacional-çlirimtarë”, apo siç populli i quan, “nacional-shkatërrimtarë”, apo më mirë akoma, komunistët, të cilët hasen sot vetëm në jug të Shqipërisë sepse nuk ka vend për ta në Shqipërinë e mesme a në veri.

Komunistët sigurisht që gëzojnë ndihmën e Britanisë së Madhe, hamendas me ndihmën e zyrës suaj. Por këto ndihma ndaj komunistëve, mes të cilëve nuk mungojnë kriminelët ordinerë, i kanë shkaktuar shumë dëme Shqipërisë, ndërsa po e kam të pamundur të vërej nëse i kanë shkaktuar ndonjë dëm, armiqve tuaj, gjermanëve...

Gjendja, kështu siç ka ardhur, më bën të pyes se a nuk do të ish më mirë sikur Britania e Madhe t’i sillte popullit shqiptar barna përmes Kryqit të Kuq në vend të armëve dhe municioneve, të cilat me radhën e vet përdoren vetëm për promovimin e interesave të Dushanit dhe Miladinit?!

Populli shqiptar do t’i ishte mirënjohës Britanisë së Madhe, nëse shihte se ajo po mendon për shërimin e plagëve të tij, dhe madhështia britanike do të rritej dhe më, falë dëshmisë së një ndihme të vërtetë në ditët e sotme si dhe pas lufte.

Kemi mësuar me shumë keqardhje se ju mbani qeverinë shqiptare përgjegjëse duke pohuar se trupat shqiptare janë përdorur jashtë kufijve të Kumanovës dhe Preshevës. Gëzohem të kem rastin të theksoj botërisht se qeveria shqiptare as me hir as me pahir nuk ka dërguar asnjë ushtar shqiptar jashtë kufijve kombëtarë. Mohimet e mia mbështeten mbi të vërtetën e pastër dhe kjo deklaratë mund të verifikohet fare lehtë.

Kërcënimet e bëra nga ju në drejtim të një qeverie, të cilën refuzoni ta njihni, janë të kota dhe mbajnë aq vlerë sa fjalët në erë. Por duke qenë se argumenti ka të bëjë me kufijtë shqiptarë, do t’ju isha mirënjohës të dëgjoja prej jush personalisht, jo thjesht kërcënime të thata, por pohime më të përcaktuara dhe të qarta.

Është kënaqësi për mua t’ju vë në dukje se qeveria shqiptare nuk ka në programin e saj asnjë kërcënim kundër asnjë populli. Ajo ka detyra për të përmbushur në të mirën e popullit të saj brenda kufijve dhe një prej këtyre detyrave më të rëndësishme është ndihma ndaj familjeve të dëmtuara dhe shpëtimi i qytetarëve shqiptarë të goditur nga bombardimet anglo-amerikane.

Për sa i përket ideologjive, shqiptarët, si pjesëtarë të një kombi të vogël, nuk janë aspak të interesuar se cila prej formave të qeverisjes, nacional-socializmi apo komunizmi janë të mira a të këqija. Nuk është në dorën tonë të japim gjykim për gjëra të cilat populli gjerman mund t’i kryejë vetë. Ne shqiptarët nuk jemi gjë tjetër veçse shqiptarë, e kemi simpatitë tona, disa për Mbretin, disa për Republikën, por askush nuk ka ndonjë simpati për ideologjitë e huaja. Pra do të ishte më me mend për ju që të mos vrisni kohë duke u përpjekur të na konvertoni në komunistë a nacional-socialistë, duke qenë se këto janë prirje politike që do të dështonin katërcipërisht për shkak të markës së tyre të huaj.

Për sa i përket gjermanëve, vlen për ne të theksohet se ata nuk kanë ndërhyrë fare në çështjet tona dhe janë sjellë siç do të ishin sjellë dhe forcat britanike sikur të kishin ndaluar në Shqipëri.

Ka diçka që na duhet ta vëmë në dukje dhe kjo është se shqiptari nuk mund të bëhet assesi komunist, siç po përpiqeni ju ta bëni. Ka arsye për këtë dhe këto arsye duhet t’i keni mësuar tashmë prej qëndrimit tuaj në Shqipëri. E në fund, për sa i përket fjalimit të 1941-it të kryeministrit Çërçill, ai fjalim ka të njëjtën peshë për ne që ka dhe për popujt e tjerë të Evropës.

Në mbyllje jam i detyruar të theksoj se kërcënimet tuaja kundër qeverisë së rimëkëmbjes, e cila është vetëm e vetëm në shërbim të vendit amë, thjesht mbështesin argumentet e armiqve tuaj. Ne nuk i frigohemi gjyqit luftarak e as akuzave tuaja, sepse jemi të bindur, z. gjeneral, se nuk do të jeni ju gjykatësi në atë gjyq. Ju jam mirënjohës për atë pjesë të fjalimit ku na këshilloni të jemi të bashkuar pavarësisht prirjeve politike dhe t’i qëndrojmë besnikë flamurit shqiptar dhe jo atij të sovjetikëve.

Për sa i përket apelimit tuaj të ngrohtë për bashkim të cilin ia drejtoni të gjithë shqiptarëve, ju meritoni falënderimet e mia dhe mirënjohjen e popullit shqiptar.

Për sa i përket grindjeve tona të brendshme, për mendimin tim, ato janë shenja të foshnjërisë sonë politike dhe ne, si të gjithë fëmijët, pas disa rrahjesh do të lëndohemi e mandej do të nxjerrim mësim.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Xhafer Deva Empty
MesazhTitulli: Re: Xhafer Deva   Xhafer Deva EmptyThu 06 Apr 2023, 21:30

Milazim KRASNIQI

Në kujtimet e Herman Nojbaherit, emisarit special të Rajhut të Tretë (Hitlerit) në Ballkan, përvijohet edhe figura Xhafer Devës, krahas edhe disa figurave të tjera të rëndësishme shqiptare, sidomos Mehdi Frashërit dhe Anton Harapit. Opinionet dhe vlerësimet e Nojbaherit janë shumë interesante dhe historiografia jonë do të duhej t’i kishte një burim të rëndësishëm për informim dhe hulumtim të mëtejshëm. Pozita e lartë e Nojbaherit në vitet 1943-1944 si emisar special i Hitlerit në Ballkan (Juglindje) i ka mundësuar të jetë jo vetëm hartues i politikave po edhe njohës i akterëve kryesorë të atyre ngjarjeve.Me këtë rast po kufizohem vetëm në vlerësimet e tij për Xhafer Devën, për arsye të aktualitetit.

E para, vendimin për ta formuar Shqipërinë e pavarur, pas kapitullimti të Italisë, e kanë marrë autoritetet gjermane. Në vitin 1943, për shkak të rritjes së valës së lëvizjeve komuniste në Ballkan, Hitleri e ndryshon qasjen ndaj vendeve ballkanike, duke tentuar të krijojë shtete të pavarura, të cilat do të mund të përballonin rrezikun komunist. Pra, Shqipëria futet në këtë skemë, jo për ndonjë privilegj, po për të krijuar një mekanizëm që të frenohej komunizmi. Xhafer Deva ishte person i përshtatshëm për atë koncept, si nacionalist shqiptar dhe antikomunist i vendosur. Pra, në asnjë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë botëkuptim nacist të Devës po për një botëkuptim nacionalist e antikomunist të tij. Përafrimi në këtë rast ndodhë sepse Deva kishte synim Shqipërinë etnike dhe luftimin e komunizmit. Në asnjë rast dhe me asnjë fjalë Nojbaheri nuk e paraqet Xhafer Devën si ndonjë njeri me simpati për nacizmin, po si njeri me ambicie në politikën shqiptare. Kur ftohet Deva që të vinte në Tiranë (pra nuk kishte fare i informuar më herët për vendimin) Nojbaheri ia dërgon avionin që ta merrte: “Xhafer Devës, në Mitrovicën e Kosovës, ia lashë në dispozicion avionin e vogël të tipit “Storch.” Kishte ardhë çasti i tij i madh politik”, shprehet Nojbaheri. Pastaj Nojbaheri i përshkruan përpjekjet e Xhafer Devës e të Ibrahim bej Biçakut për formimin e një komiteti për shpalljen e Shqipërisë së pavarur. “Dy shqiptarë, në fillim secili për vete, u munduan të formonin një komitet nacional reprezentativ, i cili do të kishte legjitimitet për ta shpall pavarësinë e Shqipërisë dhe qeveria e përkohshme të merrte pushtetin. I pari ishte shqiptar nga Shqipëria, Ibrahim bej Biçaku, nga Elbasani, i dyti Xhafer Deva, nga Mitrovica e Kosovës. Negociatat zhvilloheshin natë e ditë.” Nojbaheri paraqet vështirësitë që patën liderët shqiptarë në negociatat e brendshme në të cilat ai pohon se nuk u përzie. Pastaj informon se ishte arritë të formohej qeveria në formën e një Komiteti nacional, kryesues i të cilit ishte Ibrahim bej Biçaku, ndërsa Deva ministër i brendshëm. Sipas Nojbaherit, “ e vetmja gjë që posedonte Shqipëria në atë moment (kur u formua qeveria, (plotësim imi) ishin format tradicionale të shoqërisë së saj: familja, klanet dhe fiset.” Pra, Nojbaheri nuk thotë në asnjë rast se u imponua ndonjë ligj nazist, madje asnjë vendim i Rajhut të Tretë. Bile edhe për ushtarët gjermanë thotë se aty ishin vetëm “mysafirë kalimtarë.”

Lidhur me formimin e divizionit “Skenderbeg”, të dhënat e Nojbaherit janë me rëndësi të madhe. Ai tregon se ka qenë kundër formimit të atij divizioni, por Himleri kishte arritë ta bindte Hitlerin për formimin e atij divizioni. Nojbaheri pohon se “detyra kryesore ishte shkatërrimi i aktiviteteve lokale partizane dhe këtë në kufijtë e Shqipërisë.” Nojbaheri tregon se ai personalisht nuk ka lejuar që divizioni të shkonte më Mitrovicë, nga frika se do të ndodhte hakmarrje ndaj serbëve. Sipas tij, qeveria shqiptare nuk ka pasur të bëjë me formimin e divizionit “Skenderbeg”. Sipas Nojbaherit “qeveria shqiptare nuk kundërshtoi.” Shpresa e saj ishte që të përdorej më vonë si themel për formimin e ushtrisë e të xhandarmerisë, pra si kalkulim në politikat e brendshme e aspak si motivim për ta ndihmuar nazizmin. Veprimet e divizionit “Skenderbeg”, sipas tij nuk kanë të bëjnë me qeverinë shqiptare. Me rëndësi në këtë kontekst është angazhimi i Nojbaherit që të pengohej shkuarja në Mitrovicë, e cila në atë kohë ishte nën Serbinë e Nediqit. (Rrëfimi më interesant i Nojbaherit është pikërisht për Nediqin.)

Për më tepër, Nojbaheri dëshmon se Xhafer Deva e ka ndaluar dhunën ndaj serbëve! “Xhafer Deva, i cili në Kosovë ishte me ndikim, më premtoi se do të intervenonte që të ndalej përndjekja e serbëve. Ai në këtë pati sukses.” Pra, sipas fjalëve të protagonistit kryesor të atyre ngjarjeve, Xhafer Deva e ka ndalë dhunën ndaj serbëve!

Nojbaheri jep një të dhënë poashtu me interes për aktivitetet e Deves: “Xhafer Deva në korrik 1944, për shkak të sëmundjes, paraqiti dorëheqjen. Shkoi në Gjermani për mjekim. Ndërsa pas shërimit kishte si synim t’i përkushtohej tërësisht Kosovës dhe atje ta forconte pozitën e vet.” Bile sipas tij, Deva nuk planifikonte të largohej ng Kosova as pas kapitullimit të Gjrmanisë. “Xhafer Deva kishte për qëllim që pas largimit të trupave gjermane, të qëndronte në vend dhe të vazhdonte luftën guerile. Pala gjermane lëshoi rastin t’i jipte pajisjet e domosdoshme teknike, prandaj nuk i mbeti tjetër vetëm se ta lëshonte vendlindjen .” Konkluzioni që del është se ai donte të vazhdonte ta mbronte Kosovën nga serbët dhe nga komunistët, pavarësisht se po largoheshin gjermanët. Pra, kauza e tij ishte lokale, shqiptare, nuk kishte lidhje me ideologjinë naziste.

Për të kuptuar sa më mirë realitetin e asaj kohe, është me interes edhe ky konstatim i Nojbaherit: “në mesin e shteteve ballkanike, në të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore isha aktiv, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia ishin vende të okupuara. Ai që thotë që Rumania e Bullgaria ishin të okupuara, ai gënjen pafytyrësisht. Ato pohime bien në fushën e propagandës. Por as në Shqipëri armata gjermane, Vermahti, nuk kishte në duart e veta as aparatin ushtarak, as gjyqësinë. Shkurt, në ato vende as gjermanët e as unë, nuk mund të ishim okupatorë. Prandaj është gënjeshtër që njerëzit në ato vende janë pushkatuar pse kanë bashkëpunuar me okupatorin.” Sipas kësaj i bie që edhe veprimet e dhunshme që kanë ndodhë gjatë asaj kohe në Shqipëri ( ku hynte edhe Kosova) janë përgjegjësi e qeverisë shqiptare dhe e lëvizjeve shqiptare, por qeveria nuk ishte qeveri kuislinge. Nëse Shqipria nuk ishte e okupuar në mënyrë klasike, i bie që e gjithe historiografia jonë duhet të rivlerësojë ngjarjet e asaj periudhe (1943-1944) nga e para. Sidoqoftë e vërteta e plotë duhet të hulumtohet në shumë dëshmi e dokumente të tjera. Dëshmia e Nojbaherit mund të shërbejë si indikacion, për t’u orientuar më mirë në hulumtimet që duhet të bëhen në arkivat gjermane, britanike, amerikane, etj. (fragment) 12 shkurt 2022
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





Xhafer Deva Empty
MesazhTitulli: Re: Xhafer Deva   Xhafer Deva Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Xhafer Deva
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Shkencë :: Histori :: Shqiptarët-
Kërce tek: