Misteret Eleusine – festa fetare në Athinë për nder të hyjneshës Dhemetër dhe vajzës së saj Persefonit. Kulti i këtyre dy hyjneshave bënte pjesë ndër kultet më të vjetra, që pasqyronin vdekjen e natyrës në vjeshtë e dimër, dhe ringjalljen e saj në pranverë, dhe e kanë zanafillën në periudhën mikene.
Sipas traditës eleusinet ishin themeluar nga Dhemetra, që kërkonte Persefonin e rrëmbeyer dhe e fshehur nga Hadi në mbretërinë e nëntokës. Baza e eleusineve ishin ritet magjike që kryheshin për nder të Dhemetrës në qytetin e vogël të Eleusinit, 20 km nga Athina. Pas bashkimit të Eleusinit me Atikën, kulti i Dhemetrës dhe i Persefonit, mori edhe disa elemente të kultit të Dionysit dhe u bë festa zyrtare e Athinës.
Në këtë kult theksohej se Dhemetra u kishte lënë porosi athinasve që të përhapnin bujqësinë midis njerëzve. Ishin dy parë eleusine: të mëdhat dhe të voglat. Eleusinet e mëdha mbaheshin në vjeshtë (rrëmbimi i Persefonit dhe martesa e saj me Hadin – simbol i vjeljes së rrushit dhe të lashtave). Eleusinet e vogla mbaheshin në pranverë (kthimi i Persefonit dhe martesa e saj me Dionysin – simbol i zgjimit të natyrës).
Në misteret eleusine lejoheshin të merrnin pjesë vetëm të shuguruarit, pasi kishin kaluar një sërë provash. Ai që donte të shugurohej në misteret eleusine, duhej t’i nënshtrohej një rishtarie që zgjaste të paktën një vit. Rishtarët pranoheshin në eleusinet e vogla (shkurt-mars). Ceremonia e pranimit të tyre bëhej natën, pasi ata pastroheshin më parë me ujë. Rishtarët mblidheshin pranë tempullit, mbuloheshin me mërsinë, lanin duart dëgjonin leximin e ligjeve të Dhemetrës, hanin dhe pastaj hynin në faltore, ku mbretëronte një erësirë e madhe. Kjo errësirë zhdukej menjëherë. Një dritë e fortë ndriçonte shtatoren e stolisur të Dhemetrës, por kur turma fillonte të admironte shtatoren drita zhdukej. Kubetë e tempullit ishin të përshkuara prej vetëtimave, që linin të dukeshin aty-këtu, fantazma të frikshme dhe figura të përbindshme. Zhurma e bubullimës e shtonte edhe më shumë frikën në shpirtin e rishtarit. Më në fund pas një çasti të qetë hapeshin portat, dhe përmes dritës së qindra pishtarëve, dukej një kopsht i bukur i caktuar për vallëzim, festa dhe qejfe. Në këtë kopsht prifti u zbulonte rishtarëve gjërat e shenjta dhe sekretin e mistereve. Rishtarët ishin të detyruar të mbanin në sekretin më të madh çdo gjë që ndodhte gjatë mistereve.
Pas një viti rishtari lejohej në eleusinet e mëdha, që bëheshin në vjeshtë (shtator-tetor). Ato vazhdonin nëntë ditë. Në ritualin e eleusineve të mëdha hynin procesioni solemn nëpër rrugën e shenjtë nga Athina në Eleusin, dhe misteret përkatësisht shfaqja që paraqiste brengosjen e Dhemetrës, që kishte humbur vajzën e vet dhe gëzimin për kthimin e saj.
_________________
Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi