FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

I PARI FORUM PAGAN SHQIPTAR NË INTERNET!!! MIRË SE VINI, REGJISTROHUNI DHE SHKËMBENI IDETË TUAJA ME BESËLASHTËT E TJERË!
 
ForumForum  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share | 
 

 Bindi, perëndia e ujërave

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Tomor
ADMIN
avatar

Numri i postimeve : 445
Join date : 17/03/2013

MesazhTitulli: Bindi, perëndia e ujërave   Thu 26 Jun 2014, 14:13


Bindi - hyj japod apo hyj gjithilir?

Sa dihet deri më tash, fiset ilire nuk kishin ndonjë pantheon të rregulluar. Autori Pseudo Skymno, në veprën e tij “Periegesis”(V.422), shkruan se ilirët ishin adhurues të zjarrtë të hyjnive të tyre. Fiset e caktuara nderonin hyjnitë e caktuara dhe, shpeshherë, nderimi i një hyji kufizohej në një regjion të ngushtë. Për këtë arsye kemi një numër relativisht të madh hyjsh të cilët nderoheshin në viset e ndryshme të Ilirikut nga fiset e ndryshme ilire dhe lidhur me nderimin e kulteve të këtyre hyjve mësojmë kryesisht nga tekstet e mbishkrimeve të monumenteve epigrafike.

Një ndër figurat më interesante në mitologjinë ilire në përgjithësi ishte Bindi, hyj i cili para së gjithash nderohej nga fisi ilir i japodëve1 . Nderimin e kultit të Bindit në mesin e japodëve e dëshmojnë edhe një varg altarësh me mbishkrime në gjuhë latine në rrethinën e Bihaqit të sotëm.
Kontaktet e para të japodëve me romakët datojnë që nga viti 171 p.e.s., kur Senati i Romës kërkonte falje nga japodët dhe fiset e tjera fqinje, për shkak të sjelljeve jo të mira që i kishte bërë konsuli Cassius Longinus. Përkundër këtij gjesti gjentil nga ana e Romës japodët në vitin 129 p.e.s. i sulmoi konsulli Caius Sempronius Tuditanus, i cili pësoi disfatë dhe nga debakli total e shpëtoi gjenerali D.Junius Bruttus. Megjithatë Longinus u kthye në Romë dhe kremtoi triumfin “ex iapodibus” më 1 tetor të këtij viti”2. Gjatë fushatës së vet kundër dalmatëve konsulli Lucius Caecillius Metella kaloi nëpër trojet e japodëve në vitin 119 me ç’rast arriti deri në Siscia3.
Për shkak se ishin të vendosur në jug nga rruga kryesore që lidhte Italinë dhe Danubin, japodët për një kohë relativisht të gjatë ishin të qetë nga sulmet e romakëve.
Në vitet e 70-ta p.e.s. japodët i sulmoi konsulli Caius Cosconius i cili luftoi dy vite, por pa ndonjë sukses të theksuar.

Në kohën e sundimit të Jul Cezarit Iliriku i pati takuar Cezarit, por i doli nga dora dhe Cezari nuk mundi ta kontrollonte. Ndërsa pas vrasjes së tij, Oktaviani (më vonë i njohur si August), në vitin 35, filloi sulmet e organizuara kundër japodëve nga qendra bregdetare Senia drejt brendësisë së territorit të japodëve, me ç’rast shumica e vendbanimeve japode u dorëzuan dhe i shpëtuan shkatërrimeve. Rezistencë të madhe romakët hasen vetëm në Metullum, rënia e të cilit shënoi edhe pushtimin e japodëve. Pas japodëve Oktaviani i nënshtroi edhe fiset e liburnëve dhe të dalmatëve dhe fill pas pushtimit të këtij fisi të fuqishëm nën pushtetin romak ranë edhe fiset e tjera ilire, të cilat u vunë nën qeverisjen e Senatit. Në fakt shtypja e kryengritjes së Batonit dhe pushtimi definitiv i ilirëve nga romakët shënon përfundimin e fazës parahistorike dhe futjen e ilirëve në epokën historike4.

Aristokracia fisnore japode filloi të paraqitet nëpër tekste të mbishkrimeve të monumenteve epigrafike qysh para fundit të shekullit I të e.s., madje përmes titujve princeps dhe praepositus5.
Dhe pikërisht pjesëtarët e kësaj aristokracie fisnore, të cilët, të drejtat qytetare romake i kishin fituar nga perandori Vespasian (69-79 të e.s.), lanë gjurmë të pashlyeshme të nderimit të kultit të Bindit (trajta e latinizuar Bindus) në territorin rreth qytetit të sotëm Bihaq, në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës.
Nderimin e kultit të hyjit autokton, Bindit, tek japodët, e dëshmojnë një numër i konsiderueshëm altarësh votivë kushtuar këtij hyji, të zbuluar dhe të publikuar në fund të shekullit XIX, shumë nga të cilët, më vonë, janë thyer dhe deri më sot, kanë mundur të ruhen, në fragmente ose në tërësi, vetëm 11 sosh, në lokalitetin e vogël malor Gollubiq (Privilica)6, jo larg qytetit të Bihaqit, ku sipas gjasave ndodhej edhe një tempull i tij, në breg të një përroi, i cili, jo larg këtij vendi, derdhet në lumin Una. Në bazë të analogjive të tempujve të kohës në fjalë, mund të supozohet se tempulli ishte i hapur ashtu siç ishte rasti në lokalitetin britanik Stonehange (Stounhenxh) dhe në disa lokalitete të tjera.

të përbërë nga bazamenti, trupi konkav me fushë mbishkrimore dhe nga kapiteli i dekoruar me dy voluta anësore. Sipas karakteristikave epigrafike dhe artistike datohen në shekullin I të e.s. Disa nga këto monumente janë të dekoruara me vizatime të skalitura, të cilat kanë motive antropomorfe dhe zoomorfe. Teknika artistike e paraqitjeve në altarë është identike me atë të paraqitjeve figurale në të ashtuquajturat “urna japode” nga shekujt V-IV p.e.s., në të cilat paraqiteshin motivet e kultit të të ndjerëve.7 Paraqitja më interesante antropomorfe është vizatimi i një mashkulli me mjekër, i cili është i kthyer në anën e majtë dhe është lakuriq. Kjo figurë, në dorë të djathtë mban një delfin, ndërsa në dorën e majtë mban diçka që sipas gjasave duhet të jetë tredhëmbësh. Këtë figurë e shoqëron figura e Tritonit me trup të peshkut, i cili, po ashtu, në dorën e djathtë mban delfnin, ndërsa në krahun e majtë mban remin e anijes. Këto fakte dëshmojnë se kemi të bëjmë me një hyjni të ujërave, respektivisht të detit.

Në njërin nga altët kushtuar Bindit është paraqitja figurale me motive zoomorfe, ku mbi fushën mbishkrimore janë dy figura simetrike të cjepve me brirë të gjatë e të drejtë të kthyer njëri kundër tjetrit, kurse mes tyre altari me zjarr mbi të. Nën fushën mbishkrimore është edhe një figurë e cjapit e kthyer në anën e majtë, identike me dy cjeptë më lart.
Në 8 nga 11 mbishkrime është ruajtur përkushtimi në gjuhën latine: Bindo Neptuno, i cili dëshmon faktin se kujt i ishin përkushtuar monumentet me mbishkrime në fjalë. Trajta Bindo është rasa dhanore nga emri Bindus që është formë e latinizuar e emrit të zotit ilir të ujerave, të burimeve dhe të pjellshmërisë, Bind8,  me të cilin ishte i afërt edhe hyji Vidasus, që paraqitej gjithmonë i shoqëruar nga hyjnesha Thana9, ndërsa Neptuno është rasa dhanore e emrit të njërës nga perënditë kryesore të panteonit romak. Këtu, pa dyshim, kemi të bëjmë me një identifikim të hyjit autokton me Neptunin romak. Meqë Bindi sipas interpretatio romana identifikohet me Neptunin, ky fakt dëshmon mbi rëndësinë e vet Bindit kur dihet se Neptuni ishte një ndër tre hyjnitë që, sipas mitologjisë romake, mes vete e kishin ndarë tërë universin. Në lashtësi Neptuni ishte vetëm hy i burimeve dhe i lumenjve, por, më vonë, me identifikimin e tij me Posejdonin grek, i tërë universi u nda mes tri kryeperëndive dhe, sipas shortit, Neptunit i takonin të gjitha ujërat, përfshirë detet dhe oqeanet. Ai po ashtu fitoi përcjelljen e madhe, ku bënte pjesë gruaja e tij Salasia (hyjneshë e burimeve, e cila në mitologjinë greke quhej Amfitrita), i biri Tritoni (gjysmënjeri- gjysmëpeshk) dhe shumë qenie të tjera që jetonin në thellësi të ujërave. Në shumicën e përkushtimeve paraqiten së bashku emri i Bindit dhe i Neptunit (BINDO NEPTUNI), gjë që dëshmon se, tek ilirët, kulti i Bindit kishte traditë të lashtë dhe se ata vazhduan ta nderonin hyjin e vet me emrin e tij origjinal të cilit ia shtonin emrin e hyjit romak Neptunit, me të cilin hyji i tyre burimor kishte shumë ngjashmëri. Meqë festa e Neptunit e quajtur Neptunalia kremtohej me 23 korrik10, në kohën e nxehtësive më të mëdha kur shtereshin burimet dhe rrjedhat e tjera të ujit, ka gjasë që edhe festa e Bindit ndër ilirët kremtohej në ditën e njëjtë.

Paraqitja figurale e hyjit të lakuriqur në njërin nga altarët kushtuar Bindit dëshmon se ky hy autokton ilir pos emrit kishte edhe atributet ikonografike dhe simbolike të njëjta me Neptunin (tredhëmbëshin, delfinin, remin), që janë dëshmi të pamohueshme se Bindi nderohej jo vetëm si hy i burimeve, por edhe i deteve. Ky hyj i lakuriqur me tredhëmbësh në dorë paraqitet në aversin e monedhave të quajtura “barbare”, të zbuluara në afërsi të Privilicës, në reversin e të cilëve paraqitet figura e delfinit, pra simbol përcjellës i hyjit të detit.
Fakti se altarët e Bindit ishin të vendosur në një ambient malor, afër burimit, ku supozohet të ketë qenë edhe një tempull i hapur i sajuar nga një altar qendror në mes dhe altarë të tjerë përreth tij. dëshmojnë mbi Bindin si hyj i ujërave, ndërkaq paraqitja figurale me altarë mbi të cilin digjej zjarri dhe me cjep anash, flasin për natyrën e Bindit që bashkon dy antipode: ujin dhe zjarrin, me ç’rast elementi i zjarrit është imanent ndaj ujit.

Antagonizmi i ujit dhe i zjarrit si rezultat të fundit ka ripërtëritjen e natyrës dhe arritjen e harmonisë. Bindi hyn në radhën e Zotëve të ujërave të cilët udhëheqin me Cikle dhe e vendosin rendin11. Neptuni i lashtë romak ishte pajtues i zjarrit në ujëra.

Paraqitja e cjepve në kompozimin figural në njërin nga altarët, si dhe zbulimi i kockave të kafshëve shtëpiake në vendin ku janë zbuluar altarët, dëshmojnë mbi faktin se Bindit i flijoheshin, respektivisht, i thereshin dhe i digjeshin kryesisht cjapi ose dhia që, po ashtu, e afron me Neptunin të cilit i kushtoheshin këto kafshë e, përmes tij, edhe me Posejdonin grek (të cilit i kushtohej kali ose demi).
Për rëndësinë e kultit të Bindit flet edhe fakti se në të shumtën e rasteve si dedikues, respektivisht persona të cilët e realizojnë premtimin apo betimin e dhënë më herët, paraqiten pjesëtarët e aristokracisë indigjene lokale me emra epikorikë (Parmanicus,Teuda12) dhe kognomene latine, të cilët janë bartës të titujve: princeps (i parë, prijës) dhe praepositus (komandant ushtarak), gjë që flet edhe në të mirë të mundësisë se në afërsi gjendej kryeqendra administrative dhe politike e fisit të japodëve. Titulli “praepositus” ka kuptimin e komandantit ushtarak dhe ka gjasa që bartësit e tij, që kishin origjinë autoktone, në këtë rast të kenë qenë pjesëtarë të ushtrisë romake dhe, në këtë kontekst, Bindi, përmes indigjenëve që ishin inkuadruar në ushtrinë romake, në njëfarë mënyre, hyri në sferën e kulteve zyrtare të besimeve romake.13 Dilemën lidhur me çështjen se si një fis ilir kontinental e nderonte hyjin e detit, prof. Enver Imamoviq e shpjegon me faktin se në lashtësi japodët jetonin në bregdet ku nderonin hyjin e vet epikorik të detit dhe se liburnët i detyruan ta braktisnin bregdetin dhe të vendoseshin në brendësi ku vazhduan ta nderojnë hyjin e detit, të cilin, pas pushtimit romak, e identifikuan me Neptunin14.

Dhe derisa për shkak të dëshmive epigrafike dhe natyrës së tij kulti i Bindit lidhet me territorin e japodëve ilirë dhe me pjesën veriore të Bregdetit Adriatik, në bregun jugor të Adriatikut (Ulqini me rrethinë) dhe në pjesën e brendshme të Ilirikut të banuar me fiset e tjerë ilire, gjurmët eventuale të nderimit të këtij kulti janë të natyrës tjetër.
Këto gjurmë pasqyrohen në kulturën dhe në traditën shqipe e, para së gjithash në leksikun, pjesët e të cilit janë në përdorim edhe sot në trajta origjinale si: send bind, bindem, Përroni i Pinçit, përbindësh e disa të tjera që kanë ngjashmëri dhe analogji edhe në pjesët e tjera të ish-Ilirisë si dhe në fushën e mitologjisë ku përmes figurave të caktuara që mund të identifikohen si pasardhëse të Bindit paraqitet natyra dualiste e Bindit, ndoshta e trashëguar nga Neptuni, e cila, siç shprehet prof. R.Ushaku, në vete ngërthen elementet e së mirës dhe së keqes njëkohësisht15. Në veri të Shqipërisë janë ruajtur disa togfjalësha, si: Bindi i botës, Bindi i dheut dhe Bindi i Zotit, që mund të kenë lidhje me kultin e lashtë të këtij hyji.

Prof. E. Çabej ndërkaq e trajton nocionin bind (=i mbush mendjen) dhe i cek mendimet e shkencëtarëve Meyer, Bugge, Boisacq, Walde-Pokorny, Kamarda, Walde-Hofman, Jokl, Bogdani, N. Frashëri etj., duke theksuar mendimin e Brugmannit (kam besim, besë, besëlidhje) si më të drejt, por duke mos e lidhur nocionin bind me teonimin Bind.16
Reminishencë e kultit të Bindit-Neptunit ndoshta mund të jenë altarët që i kushtohen Neptunit të zbuluar në trojet dardane, respektivisht në Mitrovicë dhe në Prizrenin të sotëm,17 buzë lumenjve Ibër dhe Drini i Bardhë. Në këtë rast mund të ketë ndodhur që hyji vendës i ujit të jetë identifikuar nga vendësit me hyjin romak, por duke mos e cekur fare emrin e hyjit lokal bashkë me atë të Neptunit, siç ishte rasti tek japodët.
Për shkak të natyrës së ndërlikuar të Bindit, ka gjasa që dedikuesit e altarëve, respektivisht shoqëria ilire, nga Bindi kërkonte plotësimin e kërkesave të shumëfishta, para së gjithash të plleshmërisë e cila fillon nga uji por përfundon me funksionimin e plotë të bashkësise18.

Të gjitha këto mund të jenë indikatorë të faktit se kulti i Bindit nuk ishte i kufizuar vetëm në trevën e fisit ilir të japodëve dhe në rrethinën e saj, por se Bindi mund të ketë qenë hyj i nderuar edhe në viset e tjera të Ilirikut nga popullsia vendëse si hyj autokton i ujërave. Ç’është e vërteta ka disa të dhëna se në Shqipërinë Veriore të sotme është nderuar hyji i ujërave Redoni19, por ato janë të paqarta dhe diskutabile.
Kulti i Bindit, ndërkaq, përmes ndikimit që ushtronin pjesëtarët vendës të ushtrisë romake i tejkaloi kufijtë lokalë e fisnorë dhe depërtoi edhe në sferën e kulteve panilire dhe të atyre zyrtare të Perandorisë Romake.
Edhe pse monumentet kushtuar Bindit janë zbuluar qysh në çerekun e fundit të shekullit 19, duhet cekur faktin se interesimi për hyjin Bind filloi relativisht vonë tek shqiptarët, respektivisht me veprat e prof.dr. Ruzhdi Ushakut, por megjithatë emri i tij në trajta të shumta u përhap relativisht shpejt kështu që sot kemi një varg emrash vetjakë si derivate të ndryshme nga emri i këtij hyji, si janë, bie fjala, para së gjithash, emri origjinal Bind, pastaj trajtat Binda, Bindit, Bindan, Bindot, Bindor, Bindis20, Ilirbind, Ilirbinda, Ilirbin, Ilirbina21 e të ngjashme anembanë trojeve shqiptare e posaçërisht në Kosovë dhe në regjionin e Ulqinit.

Gjurmime albanologjike - Folklor dhe etnologji, 38, 2008, Prishtinë 2009.

Naser Ferri
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://zojsi.albanianforum.net
 
Bindi, perëndia e ujërave
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Histori Shqiptare
» 10 Shenjat e Ditës së Fundit - A ka ndodhur ndonjëra?
» Heronjte e Mitologjise
» Yjet, Yjesitë dhe Zodiaku
» Nivelet e Shpirtërave sipas Allan Kardec

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Theologji :: Besa e Lashtë-
Kërce tek: