FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

I PARI FORUM PAGAN SHQIPTAR NË INTERNET!!! MIRË SE VINI, REGJISTROHUNI DHE SHKËMBENI IDETË TUAJA ME BESËLASHTËT E TJERË!
 
ForumForum  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share | 
 

 Kulla

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Tomor
ADMIN


Numri i postimeve : 380
Join date : 17/03/2013

MesazhTitulli: Kulla   Sun 17 Mar 2013, 22:01


Kulla në fshatrat e Dukagjinit i ka mbajtur deri vonë të gjitha elementet që e përcaktojnë si tip të posaçëm të ndërtesës së banimit. Ajo zakonisht ka bazamentin në formë katrori (rreth 8:8, 9:10 metra etj.), ndërsa edhe lartësia e saj pak a shumë ka po këto dimensione, kështu që jep pamjen e trupit gjeometrik të ngjashëm me kubin. Dimensionet e tilla bëjnë të mundshme lidhjen e ngushtë të gjitha ambienteve, ndër to edhe pamjen, kontrollin e mirë nga të gjitha anët, që ka rëndësi të madhe për një mbrojtje me sukses. Themelet e kullës zakonisht ndërtohen prej gurëve të mëdhenj, të gjerë rreth 1 metër, ndërsa trashësia e mureve vjen duke u zvogëluar gradualisht, kështu që në katin e sipërm ajo është rreth 60 deri 70 cm. Qoshet e kullës, dhe muri rreth dritareve mbarohen prej gurit të latuar. Kullat e Dukagjinit kanë rregullisht dy ose tri kate (kam pasur rastin të shoh në terren vetëm një numër të vogël kulla fshatarësh në katër kate, por ka dhe të tilla, sidomos në regjionin e Rekës, në podgurin e Pejës etj.)

Kulla dykatëshe në pjesën përdhese rregullisht e ka ahrin ku mbahen kafshët. Ahri nuk ka asnjë dritare, por vetëm frëngji dhe në disa raste, njëfarë dritareje të ngushtë e të gjatë përmbi derë, afër tavanit, që shërben për dritë dhe për ventilacion. Midis ahrit është një shtyllë e fortë përmbi gur të madh që shërben si bazament i saj. kjo shtyllë në pjesën e sipërme ka një "jastëk" druri të fortë, përmbi të cilin është vendosur një lëndë e trashë e quajtur "quprí" që lidh dy muret e kundërta të kullës; përmbi qupri janë trenët anembanë ahrit. Shtylla midis ahrit dhe qupria përmbi të e mbajnë të gjithë konstruksionin e brendshëm të kateve të tjera. Në disa raste ahri ndahet me një gardh ose me dërrasa në pjesë më të vogla për lloje të ndryshme të kafshëve. Në ahër, në të gjitha anët pranë murit është grazhdi prej thuprave. Dera e hyrjes ka gjithmonë vetëm një krah, pjesa e sipërme është në formë harku, ajo është e vogël, por rregullisht prej dërrasave të forta të ahut ose të qarrit, shpesh herë e veshur me llastër të fortë, ka bravën e fortë ose shulin e drurit, kështu që nuk mund të hapen kurrsesi nga ana e jashtme. Në disa kulla në ahër është e ndarë me mur një dhomë që shërben si kuzhinë ose magaze.

Në kat është një korridor i gjerë - divanhanja, e cila duket si një lloj paradhome. Gjatë murit në divanhane janë të ngulura dërrasat e gjera në një lartësi prej 1 deri 1.5 metra ku verës mund të rrinë njerëzit, madje edhe të flenë. Në këtë lartësi shpesh herë edhe muret janë të qitura pak përjashtë, si njëlloj ballkoni, dhe kjo i jep pamje më të bukur kullës. kjo pjesë e divanhanes quhet "dyshekllëk"; ajo është plot dritare të vogla të rreshtuara njëra pranë tjetrës, pjesa e sipërme e tyre ka formën e harkut. Dyshekllëku në disa kulla është prej dërrasave të trasha prej gështenjës ose qarrit, të zbukuruara shpeshherë me gdhendjen artistike të vijave ose figurave gjeometrike, që e shton anën estetike të kullës. Ky konstruksion i drurit, bashkë me konstruksionin e kulmit, të mbuluar me tjegulla, i jep fasadës së pjesës së mesme të shtëpisë atë pamje dhe atë ritëm arkitektonik, që të gjithë këta mjeshtër të panjohur popullorë, pa diploma të shkollave teknike e të fakulteteve, i bën artistë, veprat e të cilëve edhe ekspertët i admirojnë. Pamjes së jashtme të divanhanes i kushtohet një kujdes i posaçëm te çdo kullë. Me këtë qëllim në disa raste bëhet kombinimi i tullës së pjekur dhe i gurit. Po kështu te disa kulla zbukurohen edhe qoshet e mureve, rrethi i dyerve dhe i dritareve. Kullat me divanhane të drurit janë më të vjetra se të tjerat.

Në një mur të divanhanes, që nuk është balli i kullës, gjendet njëfarë dollapi i cekët me një lartësi prej gjysmë metre, ku mbahen enët e ujit. Në fund të këtij dollapi është një birë për rrjedhjen e ujit - me një gyp ose rrasë guri që del pak përjashta, që mos të laget muri i jashtëm. Ky vend quhet abdes-hane, dmth një lloj lavaboje ku njerëzit e shtëpisë lajnë faqet dhe duart. Vendi ku dalin shkallët në kat ka nga dy anët një rend shtyllash të vogla të zbukuruara. Diku këtu është edhe një derë ose kapak i vogël për ta mbyllur këtë dalje të shkallëve natën. Në divanhanen e disa kullave është dhe oxhaku i vogël që përdoret për të bërë kafe gjatë verës. në një anë të divanhanes rri varur sofra e madhe. Shumë kulla divanhanen e kanë pa tavan. Me rastin e ndonjë feste, kur mblidhen më shumë njerëz, mbathjen e lënë përjashta në divanhane. Në një skaj të saj, ndërmjet dhomës së miqve dhe murit të jashtëm të kullës, është një korridor i ngushtë e i gjatë që çon për në nevojtore, muret e së cilës janë të qitura përjashta. Këto nevojtore duken zvarrë, ndërsa disa tjera janë të muratuara deri te themelet e kullës.

Kthina kryesore në çdo kullë është dhoma e miqve, e cila rregullisht gjendet në katin më të lartë, e cila quhet edhe oda e burrave. Këtu flenë meshkujt e pamartuar dhe musafirët. Dhoma e miqve është e madhe, por mjaft e ulët; kjo ka rregullisht dy dritare njëra pranë tjetrës, të mëdha rreth 60:80 cm, të hapura kah oborri, më rrallë kah rruga. Dritaret i kanë kapakët me dy krahë, të drurit të fortë. Në fshatin Isniq, në kullën e Rexhep Ramë Kuklecit, këta kapakë janë të trashë 11 cm. Dritaret e vogla dhe kapakët e trashë duhet të jenë mbrojtje e mirë nga sulmi eventual.



Në anën e kundërt të derës së dhomës është oxhaku, i cili përveç anës së tij praktike, paraqet edhe një stoli të posaçme në dhomën e miqve, me anën e sipërme në formë harku dhe me një raft të ngushtë përmbi të. Në disa raste kjo pjesë e oxhakut është prej një rrase të madhe guri të butë, dhe atëherë kjo është e zbukuruar me mjeshtëri. Në oxhak, nga të dy anët, është një hekur në formë të kalit, i cili quhet "kali i oxhakut", përmbi të vihet një hekur në tëcilin mbështeten drutë e zjarrit. Para oxhakut shtrihet "sandraçi". Kjo është një hapësirë e vogël e shtruar me pllaka guri ose me tulla të pjekura mirë, diku edhe me qeramikë, dimensionet e tij janë rreth gjysmë metri gjatësie, ndërsa gjerësia është sa oxhaku. Këtu dimrit nxirret prushi nga oxhaku për t'u ngrohur dhoma më mirë. Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, në këto dhoma ka filluar të përdoret stufa, ose "furrumi" i llastrës.

Prej derës deri te oxhaku shtrihet një hapësirë, një rrugë e gjerë një metër, e shtruar me dhé të rrasur, ose me dërrasa. Kjo hapësirë quhet "arallak" ose "ndërmjet drunave". Nga të dy anët e kësaj hapësire janë të shtruara cergat ose qilimat; nën këto është kashta ose bari. Hapësira në të cilën shtrihen cergat është rrethuar me drunj të hollë katrorë të shtruar në dysheme, kështu që pengojnë të përhapet kashta nëpër dhomë. Zakonisht njëra cergë është më e madhe dhe më e bukur se tjetra. Kjo shtrohet në anën ku janë dritaret, dmth në anën që ka më shumë dritë dhe prandaj është më e bukur. Kjo konsiderohet si anë ku duhet të rrinë musafirët më të largët dhe më të nderuar, dhe prandaj quhet cerga e madhe. Rrëzë mureve, përmbi cerga, janë të rreshtuar jastëkët e leshtë, të zbukuruar me qëndisje të ndryshme popullore dhe me ngjyra të përshtatshme. Në cergën e madhe pranë oxhakut, është vendi më i nderuar në dhomë dhe quhet "balli i oxhakut". këtu rri musafiri më i respektuar, para së gjithash bajraktari, ose ndonjë plak i fisit. Në këtë vend përmbi cergë shtrohet sexhadja, ose "postaçia" e ogiçit. Musafirët rrinë këmbëkryq njëri pranë tjetrit të rreshtuar pranë murit në të cilin mbështeten. Në anën tjetër të oxhakut është vendi i të zotit të shtëpisë. Këtu, në mur, është një dollap i vogël ku mbahet gjygymi dhe xhezvet e kafes. Përmbi të, mund të jetë një dollap tjetër me kapak druri, ku mbahen gjëra tjera të imta. Në fund të dhomës është një dollap më i madh, ku mbahen ndërresat e shtratit. Kapakët e dollapeve, dhe dera e dhomës, shpesh herë janë të zbukuruara në mënyrë artistike me gdhendje të ndryshme, ose me ngjyra.

Në fund të njërës cergë, mu pranë derës, gjendet zakonisht një shtrat i fiksuar prej dërrasash, që në Dukagjin quhet "trapazan". Në anën e kundërt, në fund të cergës tjetër, është një hapësirë e vogël e mbushur me dhé, rreth së cilës janë bankat prej një dërrase të ngushtë, në të cilat dimrit në mbrëmje rrinë njerëzit e shtëpisë së moshës më të re rreth tangarit të mbushur me prush. Dimrit këtu i terin edhe opingat. Rreth e përqark mureve nën plafon, në disa dhoma gjenden raftet, zakonisht prej dërrasave. Këtu mbahen gotat, shishet e vogla, pjatat e bakrit ose të porcelanit, por shpesh herë aty rreshtohen mollë të zgjedhura dhe ftonj të mëdhenj. Në fund të dhomës është varësja në mur, e cila më parë shërbente, para së gjithash, për varjen e armëve. Në njërin mur është e varur llamba e vajgurit, në tjetrin lahuta, ose instrumenti popullor shqiptar çiftelia me dy tela të hollë. Tavani është prej "shikllave" - dërrasa të ngushta të zbukuruara me vija të drejta gjatë skajeve, të rreshtuara në mënyrë që skaji i njërës dërrasë e mbulon skajin e tjetrës, kështu që edhe kjo renditje bën efektin e vet estetik.

Marrë në përgjithësi, dhoma e miqve në kullat e Dukagjinit është një pasqyrë e rregullit, e pastërtisë, e harmonisë; ajo ka një ngrohtësi shtëpiake dhe shpreh mikpritjen tradicionale të këtyre viseve, si dhe prirjen e vendasve për bukuri e komoditet familjar. Vlen të përmendet se dhoma e miqve në të gjitha kullat është deri në hollësi gati krejtësisht e njëjtë, sidomos përsa i përket rregullit të brendshëm. Kjo vjen nga fakti se popullsia e këtyre viseve ka një mënyrë të përbashkët të jetës, ka vese, sjellje e traditë të përbashkët.

Konstruksioni i kulmit të kullës së Dukagjinit është shumë i ulët, kështu që muret e jashtme bien më tepër në sy. Kulmi është npë katër ujëra dhe kurrë nuk mbulohet me dërrasa ose me kashtë, por vetëm me tjegulla, që nuk është rast edhe në vise tjera. Mbi kulm është baxha, nëpër të cilën depërton drita në tavan dhe mund të dilet në kulm për të ndërruar tjegullat në rast nevoje. Dikur në njërin skaj të kulmit lartësohej "karollhana" (në formë të kullës së vogël), nga e cila mund të kontrollohej më lehtë, nëse i afrohej armiku kullës. Pushteti i xhonturqve ka urdhëruar që të rrëzohen këto karollhane, të zgjerohen dritaret e të mbyllen frëngjitë e kullave (rreth vitit 1910), prej të cilave shqiptarët i vritnin zaptijet e njerëzit e pushtetit turk. Cvijiqi shkruan se i ka parë karollhanet më 1900 në kullat e këtyre anëve. Këto i përmend edhe Baron Nopça në Shqipërinë e Veriut.

Mark Krasniqi
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://zojsi.albanianforum.net
Tomor
ADMIN


Numri i postimeve : 380
Join date : 17/03/2013

MesazhTitulli: Re: Kulla   Thu 12 Mar 2015, 23:01

Në arkitekturën popullore të Lugut të Baranit dominon kulla - tip i shtëpisë së fortifikuar, e ndërtuar në shumë fshatra të Rrafshit të Dukagjinit, të Drenicës etj. gjatë shekullit XIX dhe në dhjetëvjetshat e parë të shekullit XX, për të mbrojtur sigurinë e familjes dhe të pasurisë nga sulmuesit eventualë. Kulla është e përhapur sidomos në Rekë dhe në fshatrat rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, në Dushkajë e në Lug të Baranit. Ato janë prej mureve të trasha të gurit, ose të tullave, por aty këtu mund të shihet edhe ndonjë kullë me mure qerpiçi. Në katin e parë kulla nuk ka fare dritare, por vetëm frengji, në katet e sipërme dritaret janë të vogla, por përveç tyre ka edhe frengji. Në katin më të epërm është vetëm oda e miqve me një korridor të gjerë përpara dhe me nevojtore në një qoshe. Nëse kulla është trikatëshe, në katin e mesëm janë qileret e çifteve bashkëshortore, kurse në katin përdhesë, në ahër mbylleshin bagëtia, ndërsa tash ky kat zakonisht është shtëpi zjarmi, ose shfrytëzohet për bodrum. Pranë kullës, nëse është familja e madhe, përkatësisht ngjitur me të, është shtëpia përdhese, ku ndodhet "shtëpia e zjarmit" (shtëpia e grave) dhe qileret. Kulla është tip i njohur i shtëpisë edhe në Malësi të Gjakovës dhe në disa vise të tjera të Shqipërisë së Veriut.

Në Lug të Baranit, shumica e shtëpive të banimit janë kulla. Disa nga këto janë të mbuluara me rrasa guri, të cilat i marrin në grykë të Bistricës, afër Nepoles. Bie në sy se çdo shtëpi në këtë zonë është e rrethuar me mur të lartë e të fortë, i cili gjithashtu në të kaluarën kishte rol mbrojtës, ngjashëm si kulla që ndodhet brenda këtyre mureve. Gjithashtu spikat dera e madhe e oborrit, e cila në disa raste ka dimensione shumë të mëdha dhe formë të posaçme - me një hark në anën e sipërme dhe të veshura me llamarinë të fortë. Dyert e oborrit, muri i lartë dhe kulla e fortë në rrethin e tij përbëjnë një kompleks arkitektonik, një tërësi kompakte, e cila lë mbresa madhështore në ambientin fshatar. Në oborr të shtëpisë janë objektet ekonomike - shtalla e bagëtisë, koshi dhe hambari i drithit etj. Disa nga këto, sidomos hambari e shtyllat e koshit, janë të stolisura bukur me gdhendje në dru. Me këtë lloj mjeshtrie stolisen shumë bukur tavanet e dhomave të miqve, kapakët e dollapave, dyert etj.

Mark Krasniqi

_________________
Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://zojsi.albanianforum.net
 
Kulla
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» A ekziston qytetërimi në Mars?
» Kulla me fantazma

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Kulturë dhe Natyrë :: Arkitektura-
Kërce tek: