FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Mësyshi

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Mësyshi Empty
MesazhTitulli: Mësyshi   Mësyshi EmptyTue 04 Apr 2023, 09:12

Syri i keq, ose mësyshi është një dukuri e paidentifikuar mirë në besimet popullore, sepse nuk dihet kush e ka "syrin e keq" madje as personi përkatës nuk është koshient se e ka këtë veti. Syri i keq dëmton bagëtinë, por edhe fëmijët dhe çdo gjë tjetër që është e bukur. Ai shkakton sëmundje të ndryshme madje edhe vdekjen. Prandaj fëmijve u vëhet hajmalia në qafë, në rrobe, në djep etj, kurse bagëtisë sidomos qejve të bukur u vëhet në ballë. "Syni i keq mundet edhe lisin me e tha" - thuhet në popull. Prandaj për çdo gjë që i pëlqen ndokujt, qoftë njeri, kafshë, apo send, duhet të thuhet "mos e paftë syni i keq".
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Mësyshi Empty
MesazhTitulli: Re: Mësyshi   Mësyshi EmptyTue 04 Apr 2023, 09:14

Syri i keq. Besim popullor. Syri i keq haset edhe si marrje mësysh. Në Shqipëri mendohej se një vështrim keqdashës vetvetiu mund të bëjë dëm. Prandaj, njerëzve që besohet se kanë një vështrim të tillë, pra sy të keq, nuk u dilet përpara. Mendohej gjithashtu se sybardhët kanë më shumë gjasa të kenë sy të keq.

Fëmijët e vegjël, bagëtitë e tufës ose gjërat me vlerë nuk bën të lëvdohen para të tjerëve, në mënyrë që të mos i zerë syri i keq. Ai që i ngul sytë një fëmije mund të pështyjë ose të fërkojë sytë me duar, në mënyrë që fëmijën të mos e gjejë gjë e ligë. Syri i keq mund të largohet me anë sendesh të vogla, që vihen mbi ose pranë personit apo gjësë në fjalë. Rreth qafës së bagëtisë shpesh varej një lugë druri, kurse në ballë të foshnjës në djep vihej një monedhë, ose në hundë i ngjyhej një pikë bojë ndryshku. Monedha dhe rruaza qelqi të kaltërta mund t'i lidheshin fëmijës në tufën e flokut në ballë. Edith Durhami (1863-1944) shkruan se edhe koka e gjarprit, e prerë me tehun e mprehtë të një monedhe prej sermi, shërbente si hajmali kundër syrit të keq. Ajo duhet të thahej dhe të mbërfhehej midis dy medaljesh ose dy figurash të Shën Gjergjit, e pastaj të bekohej nga një prift. Punë kundër syrit të keq bënin edhe hudhra dhe dhëmbët e ujkut. Deri së voni, familjet që u kishte vdekur djali e vishnin djalin tjetër si vajzë dhe ia linin flokët të gjata, në mënyrë që ai të mbrohej nga ndonjë goditje e dytë e syrit të keq. Arat dhe bujqësia përgjithësisht mbroheshin duke vënë mbi një hu të lartë kafkën e kalit apo të demit. Në Kosovë edhe sot është zakon që femijëve t'u vishen të brendshmet mbrapsht, në mënyrë që syri i keq të mos u depërtojë në shtat.
Tatomir Vukanoviçi shkruan se, deri në Luftën II Botërore, ndër shqiptarët e Kosovës ka patur një zakon që, gjatë bartjes së tinarëve nga pylli në mullijtë me ujë, burri hipte mbi tinar ose ecte përbri tij i çveshur lakuriq. Pasi kishte pirë sasi të mira pijesh alkoolike për të marrë guxim, ai çvishej dhe e shoqëronte bartjen lakuriq. Gjatë gjithë rrugës kapte me dorë organet gjenitale dhe fliste për to, duke bërë lloj-lloj shakashë me qëllim që kalimtarët të mos ia hidhnin sytë tinarit. Me sa duket, ky zakon ushtrohej gjatë gjithë vitit, pavarësisht nga moti. Po ashtu, në Shqipërinë veriore, kur qeve u vihej zgjedha për herë të parë, i zoti shkonte në stallë një natë më parë vetëm e i çveshur lakuriq me një gur në dorë, u vinte zgjedhën dhe bënte disa ecejake me to. Kjo do t'i mbronte nga syri i keq më pas e do t'ua forconte zverkun.
Edhe sot, shumë zotër shtëpish në Shqipëri, e sidomos ata që ndërto-jnë shtëpi ose ngrehina të reja, varin ndonjë lloj hajmalie në pullaz ose në trarë për të larguar syrin e keq. Sendet më të rëndomta që përdoren sot për këtë qëllim janë brirët e buallit, vargjet e hudhrave, dordolecët ose madje edhe flamurët. Ata që blejnë rroba të reja shpesh mbajnë hajmali në xhep që të mos i zerë syri i keq.

Besimi te syri i keq nuk haset vetëm në Ballkanin e jugut, ndonëse është me interes të theksohet se autori romak Plin Plaku (23-79 të e. r.) ka vërejtur praninë e tij ndër ilirët që banonin në këtë rajon në lashtësi. Ai thotë se kishte ilirë që "dinin të hidhnin vështrim me sy të keq, të bënin magji e madje edhe të vrisnin" (Historia Naturalis 7.16). Aulus Gellius-i (123-165 të e. r.) rrëfen të njëjtën gjë një shekull më pas (Noctes Atticae 9.4, 8).

Robert Elsie
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Mësyshi Empty
MesazhTitulli: Re: Mësyshi   Mësyshi EmptyTue 04 Apr 2023, 09:14

Syri i keq

Besimi se me të shikuar mund t'u bësh dëme njerëzve, kafshëve e madje edhe gjërave, ishte i përhapur edhe në mesin e ilirëve. Shkrimtari romak, Plini, i cili shkruan për këtë, është i bindur se në mesin e ilirëve kishte njerëz të cilët me shikim mund t'i bëjë mësyshë dhe ta mbytë ata që i shikonin më gjatë... Është me rëndësi të përmendet se këta njerëz i kanë nga dy bebe në secilin sy. Duke u mbështetur te Plini po këtë e thotë edhe një autor tjetër romak, Aul Geli. Besimi se kishte njerëz që me të shikuar mund të bijë mësyshë dhe të dëmtonin ishte shumë i përhapur te popujt primitivë, po madje edhe te popujt e civilizuar dhe nuk është kurrfarë specifike ilire. Është e çuditshme që një njohës aq i mirë i kulturave paleoballkanike, si ishte Qiro Truhelka mendon se popujt që jetojnë sot në Ballkan këtë besim e morën nga ilirët.

Aleksandër Stipqeviç - Ilirët
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





Mësyshi Empty
MesazhTitulli: Re: Mësyshi   Mësyshi Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Mësyshi
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Theologji :: Kulte-
Kërce tek: