FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

I PARI FORUM PAGAN SHQIPTAR NË INTERNET!!! MIRË SE VINI, REGJISTROHUNI DHE SHKËMBENI IDETË TUAJA ME BESËLASHTËT E TJERË!
 
ForumForum  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share | 
 

  Lufta e dragonjve me kuçedrën

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Tomor
ADMIN
avatar

Numri i postimeve : 458
Join date : 17/03/2013

MesazhTitulli: Lufta e dragonjve me kuçedrën   Sun 22 Feb 2015, 16:22


Et'hem Haxhiademi, Illyria, 14 shtator 1935

Lufta e dragonjve me kuçedrën

Ndën mjegull t’reve humbin çuka e maie
En’tym këthen hapsina,
Shtërgata nis e breshën hudh ndër skaje
Pëllcet dhe bubullina;
Rrëkaj fillon të derdhet
Midis shkreptimash shiu edhe rrëfésh,
Përplasen udhës ujnat prej rrëkésh
E zot mëshohen n’çerdhet,
Pastaj shiu trashet me furi të madhe
Dhe s’duken lisat mâ nëpër livadhe.

Në kët’ rrebesh të egër vë’ përpara
Të fortët qé pendari
Dhe ikën me rrëmbim të madh nga ara
N’ kasolle t’ vet prej bari:
Nga mes’ i pyllit kputet
Gjahtori tue shtrënguemun armën n’ dorë
Edhe nxiton ndën lisat madhështorë
Të ndonji shpell’ qi t’ futet;
Kur ernat shtohen dhe mbi pllaja sulen,
Dëllenjat nga dy anët n’ dhé përkulen.

Ahere ngrihen edhe ngrát punëtore
Nëpër shtëpija t’ veta
E me kërrsij të shveshuna n’ obore
Vrapojn’ me hapa t’ leta;
Ndër gjerba vën’ kusija
Të mbledhin shin qi derdhet e n’ qymezin
I mbyllin pulat bashkë me këndesin
Qi t’ ruhen nga duhia,
Pastaj si mbyllin porta edhe dritare,
Fëmijt përmbledhin dhe s’ lëvizin fare.

Kur nëpër votra flak’ e zjarrit ngrihet
Me xixa të shëndriçme
Atje mbi mal kuçedra del e shtrihet,
Dhe britëm lëshon t’ fuqishme;
Njerëzia gjith’ frikohet,
Kur zân’i saj hapsanën çán me ré
Edhe at’ ast shkëputen shtat rrëfé
Sa Pani vet’ hutohet;
Nga ulurima qi ahere ndihet
Jehona shkon e n’ kup’ të qiellit shkrihet.

E tmerrshmja shtaz’ qi me tërbim tund dhna
Si gurë e ka fytyrën;
Nga trupi shëmbëllen porsi balena,
Dhe ka si t’ gjarprit ngjyrën;
T’ mbërthyëme i ka putrat
Me thonj të fortë e t’ prehët e t’ këthymun,
Qi ç’ do njeri gati âsht me e shqymun
Si dallandyshat flutrat;
Ajo kah breth rrëshqanthi nëpër pllaja,
Të vegjël e t’ mëdhej i pushon vaja.

E kur me bubullina shtohet shiu
Tyke prodhue potere,
Kuçedra mbasi don t’haj mish njeriu
Bërtet mâ shumë ahere;
Nga mali ku âsht ulet
Dhe si n’ unaza i këthehet shtati,
Se udhën don të marri drejt kah fshati
E bishti i përkulet;
Kah ecën kokën nalt e mban t’ vranueme,
Dhe shkumb’ nga goja qit si e tërbueme.

Me dy kâmbët e shkurtuna ndër trapa
Tyke rrëshqit’ kalon
E barkun bashk’ me bishtin e heq mrapa,
Se tepër i rândon;
T’ përgjakshëm syt i heth,
Kur rreth e rrotull tokën kqyr qi shkel
Edhe nga goj’ e bishës avull del,
Sa zemrën të rrëqeth,
Nga vrulli qi me doemos t’ dali mundës,
I lujn’ me shpejtësi fejat e hundës.

E pse urija dhe mâ shumë e kap,
I bie me putrat tokës,
Por âsht e rând’ ahe s’ mund të shkoj’ me vrap,
Prandaj qimet e kokës
Përpjet ásaj i ngrihen
Dhe nga nji her’ kafshon bishtin e vet
E prej zémrimit dhe mâ shum’ bërtet,
Por mâ kâmbët i pihen;
Ahere mbet’ e lodhun edhé shtrihet
E fryn’ si merr qit gjuhën e lëpihet.

Kur rrin kështu me sy të sgurdullumun
E dhén gërmon me thonj,
Atje mbi ajër tyke fluturumun
Po dukën shtat’ dragonj;
Me pupla jan’ ndën sqetulla,
Por t’ armatos’ me harkë edhe shigjetë
Dhe u notojnë krahat nëpër retë;
Si bisk u zgjaten vetullat
Kah kqyrin me dy syt si moll’ verike,
Sa shtaza kur i sheh trembet prej frike.

Nëpër hapsin’ si tymin çajn’ me dorë
Pastaj nga dal zânë ulen
E pregatien me mburonj’ n’ krahnurë
Kuçedrës qi t’ i sulen;
Kur kâmbët pjekin n’ dhet
Edhe të shtatë grushtat i shtrëngojnë
Përpara se me shpatat t’ a qëllojnë
Shënojn’ me nga nji shgjetë;
Gjithnji tyk’ u arumun me nga dalë,
Prej tmerrit bisha gjuhën qit si ngjalë.

E mbassi nga dragoit ajo qarkohet,
Qi nëpër dur’ kan’ shpata,
Fillon edhe mâ tepër të tërbohet
Dhe ngren thonjt porsi lata;
Me vrull ahere sulet
Përmbi anmiqt e vet me dhamb’ të qitun
E don t’ i trubulloj’ tyke bërtitun,
Por shtati i përkulet
Dhe bie mbi kamb’ të para tyk’ qëndrumun
Gati ndonji prej tyne për t’ kafshumun.

Porsi kur nëpër pyll rrëfeja kris
E si gjam’ e bubullimës,
Nj’ ashtu ahere shpatat mbi kurris
Kërcasin t’ egërsinës;
Dridhtim i vjen mbar’ tokës,
Kur gjak fillon ajo pastaj me vjellun,
Sepse të shtat’ dragoit me nji të sjellun
I bijn’ në kaçkël t’ kokës;
Kuçedrës kshtu i pritet krejt fuqia
Dhe qafën var tetposht nga vilania.

Mbi kët’ fitim as nji prej tyne s’ tutet,
Por qi e gjall’ t’ mos mbesi,
Mâ afër gjithsecili don t’ i futet
Pra turren si rrëfe
Edhe mâ shum’ durimin nuk e mbajnë,
Porse me vrull të math qafën i çajnë
E kryet i lshojn’ për dhe;
Ahere nis dhe gjaku t’ i kullojë,
Të hapi syt e gjuhën t’ mbledhi n’ gojë.

Si tundet koka n’ ledhna e fëlliqet,
Masandej syt i mbyll,
Se nuk i ngel fuqi mâ të përpiqet,
E verdhet krejt si dyll;
Por at’ çast asaj prap
Shtat krenë i dalin n’ qafën e këputun,
Qi i shtrëngon fatozat krejt të tutun
Andej të shkojn’ me vrap;
Kah ecin n’ gjak të shtazës marrin ngjolla
Dhe nga nji gjarpër u bin nëpër sholla.

E pse në gjarpna kâmbët u kthehen
Nuk munden t’ jen’ të shpejtë,
Prandaj pra barkas bijnë edhe i ndehen
Kuçedrës për kundrejtë;
Shpërthehet gas i saj
Edhe e ngren përpjet qafën e gjatë
Tyke i qasun anësh krenët t’ shtatë
Dragonjt e mjer’ t’ i hajë;
Në këtë kohë ata kërrusin kryt
Nëpër mburonja, se u erren syt.

E frikshmja shtaz’ përmbahet ndër dy kâmbët
Për t’ marr’ mâ shum’ fuqi
Dhe hudhet pastaj tyke shtrëngua dhâmbët
Mbi ta me mjaft furi;
Dragonjt luftojn’ me pallë
E dy tre krenve ua fusin n’ fyt
Qi tyk’ e rras’ përpiqen me e mbyt
E mos t’ a lân’ të gjallë;
Ajo i rreh me bishtin si berojë
Edhe bërtet me shpatat nëpër gojë.

Por trimave me fletë u shtohet zémra
E n’ shtat u ngulin shtiza,
Me gjarpnat qi u bînë atyne n’ thêmra
E pickojn’ ke kërthiza;
Ajo gjithnji lëvis
Edhe prej dhimbjesh kthehet e përkthehet,
Mirpo nga plagët, gjaku nuk i mehet,
Qi merr gjithnji n’ kurris,
Prandaj ngren putrat nalt edhe me thonjt
Kërkon qi t’ i gërrici t’ shtat’ dragonjt.

Kur qe ahere duken për së largu
Të vijn’ tyke vrapumun
E të rradhos’ në formën e nji vargu
Si trima të mësumun
Nji turm’ prej Amazonash,
Qi lumin kishin shtyr të Termodonit,
I cili derdhet përtej Helespondit
Nëpër nji seri pronash
Prej tyne të zotnuëme, sepse kurr
Nuk kishte lindun n’ ato vënde burr.

Kto gra trimnesha n’ Temiscir banojnë
Tyke jetue t’ gëzuëme,
Nji shtet të gjitha të veçant’ formojnë
Por pa qen’ të martuëme;
Gas ndër beteja ndinë
Edhe i kan’ të preme sis’t e djathta
Për me i pasun durët mâ të shkathta
Me hark kur do të shtinë
E kur me vrull do t’ hudhin ndonji ushtë
Ahere qik an për të ngelun ngushtë.

Këto mburonja në nji an’ kan’ var
E n’ tjetrën an’ kukurra
Me bere plot e t’ lidhme me litar
Dhe duken porsi burra;
E leshnat të përdredhme
U varen anve kur jan’ tyke ardhë
Dhe shëmbëllejn’ porsi pëllumba t’ bardhë
Me tufa të përmbledhme;
Virgjinat luftëtare tek kalojnë
Nëpër midis shkreptinash kâng’ këndojnë.

Porsa në vendin e betejës vinë
T’ gufmuëme në krahnuer,
Gati për të luftue të gjitha rrinë
Me lata nëpër duar;
Ç’ e madhe kris potere!
Ç’ do Amazon kuçedrës n’ fyt i rras
Nga nji shigjet të prehët për t’ a plas
Edhe kështu ahere
Me latat sjellin mbi kurris të saj,
Gjersa i derdhet gjaku posht rrëkaj.

Por shiu gjithnji bie në mes t’ errsinës
Trazumun me rrëfe,
E lan shpejt gjakun krejt të egërsinës,
Qi derdhet si rrëke;
Ajo me trup të lagët;
Edhe nji her’ përmatet të bërtasi
Por s’ka fuqi nga dhimbjet as të flasi,
Qi iu shkaktun’ nga plagët,
Prandaj pra shtrihet prapët si gufomë
Dhe shpinën e mbështet bi bar të njomë.

Ahere Amazonat luftëtare
I sjellin ndër kaptina
Edhe ja çajn’ për mezi trupin fare
Tyke i lan’ si trina;
Kuçedra ngorth at ças
Dhe pa anmike bashkëluftuesit mbeten,
Prandaj pra të dy palët përshëndeten
Me buz të kthyëme n’ gaz;
Si shoqi shoqin me kët rast lëvdojnë,
Për shenj kujtimi armët i ndrrojnë.

E pra këta të dejën prej fitimit
E dajn’ në pjesa gjakun,
Ç’ do Amazon e merr si mbas takimit
Nji cop tyke mburr krahun;
Dragonjt një tjetrën anë
Gufomës së kuçedrës nëpër dhambë
I kpusin të shtat’ gjuhët tri pëllëmbë
E në kokurra i lanë;
Pastaj si marrin frym’ e s’lodhen pak
Trimneshat udhës shkojn’ t’ lyme me gjak.

Sikundër ikin tojat nëpër qiell
Të gjitha rradhë radhë,
Kur krejt hapsina âsht mbëlue me diell,
Nji ashti si tuf’ e bardhë
Kalojn’ tyke këndumun
Trimëneshta Amazona flok’ gështenja
Nëpër rrëpina pyjesh me dëllenja,
Qi malet kan’ rrethumun,
Gjërsa s’ i sheh mâ syn e humbin fare
Nëpër errsinë e tym kto luftëtare.

Ahere dhe gragonjt mâ nuk vonojnë,
Por ngrejë leshnat mbi vetulla,
Dhe nëpër ajër rishtas fluturojnë
Me puplat qi kan’ n’ sqetulla;
Hapsina uturinë
Dhe kris shkreptima në të katër anët
Tyke ndriçua nga her qiellin e vranët
Sa e frikon njerinë,
Kurse dragonjt nuk tremben por vazhdojnë
Qi t’ munden prej nga erdhën prap të shkojnë.

Në kët’ mënyr’ kështu kuçedra tretet
Qi qe aq shumë e frikëshme
Dhe as nji pjes’ mbi tokën mâ nuk mbetet
Nga shtaza e rrezikshme;
Pa prâ shiu tyke ranë
E lan dhe gjakun qi u derth për dhe,
I cili e pat mbush si nji rrëke
Gjith’ vendin aty pranë,
Gjersa porsi përpara prap pastrohet
Dhe far’ e egërsinës krejt farrohet.

Ahere hapet edhe ngjyr’ e qiellit
Sikundër qe përpara,
Dhe rishtazi shkëlqen rrezet e diellit
Rrëfet nuk ndihen mâ,
Dhe shiu pushon qi derdhesh me të madhet
Nëpër të blertat ara;
E përsëri përdreth nëpër livadhet
Fëllanza t’ amblin zâ,
Se bubullimat e ndalojn’ poteren
E nëpër rrugat të gjithë ujnat shteren.

Prap qesh natura dhe përtrihen gazet
Në zemërn e njeriut,
E t’ karta duken tjegllat mbi pullazet
Të laguna prej shiut;
N’ oborre hapen dyrë
E dalin foshnjet n’ lodra të stërviten
Dhe grat me llân t’ përveshme pregatiten
Me t’ kandëshmen fytyrë
Në punët e përditshme pa u kursye
Shtëpizat rishtas n’ rregull për t’ i kthye.

Nashti gjithkush këthehet n’ zeje t’ vet;
Ndër rruga tyk’ u sjellun
Dhe ëmbëltor i vorfën prap thërret
Fëmijët për t’ i ndjellun;
Së largu zë dëgjohet
Shkadhitsi nëpër pem’ tyke këndumun
Dhe pse mundi nga puna me fillumun
Thellësisht në shpirt gëzohet;
Kështu shtrëngata tyke shkuë me vrap,
Gjithsija ngjallet dhe përtrihet prap.

http://fejashqiptare.org/showthread.php?t=424

_________________
Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://zojsi.albanianforum.net
 
Lufta e dragonjve me kuçedrën
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Dragoi dhe Kuçedra
» Jashtetokesoret dhe lufta e Kosoves?
» Lufta e Trojës
» Lufta kunder stresit
» Troja

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Krye :: Arti dhe veprimtaria besëlashtë-
Kërce tek: