FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

I PARI FORUM PAGAN SHQIPTAR NË INTERNET!!! MIRË SE VINI, REGJISTROHUNI DHE SHKËMBENI IDETË TUAJA ME BESËLASHTËT E TJERË!
 
ForumForum  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share | 
 

 Si luftonin shqiptarët në mesjetë?

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Tomor
ADMIN


Numri i postimeve : 382
Join date : 17/03/2013

MesazhTitulli: Si luftonin shqiptarët në mesjetë?   Thu 04 Sep 2014, 18:58


RRETH DISA MËNYRAVE TË LUFTIMIT TË SHQIPTARËVE NË MESJETË

Bashkim LAJÇI

Marrë për botim, më 20.06 .2006

P ë r m b a j t j a e sh k u r t ë r: Në këtë punim bëhet fjalë për disa mënyra të luftimit, të cilat shqiptarët i zbatuan gjatë mesjetës, sidomos për mënyrën e luftimit nëpërmjet pusisë, mashtrimit, frikësimit, befasisë, depërtimit në taborin e armikut, pastaj formave të ndryshme, si dhe për mënyrat e luftimit në det e në lumenj.


Në mesjetë, sikurse edhe gjatë periudhave të tjera kohore, mënyrat e luftimit ishin të ndryshme. Zbatimi i njërës apo mënyrës tjetër gjatë luftimit shpeshherë varej nga faktorë të ndryshëm e, para së gjithash, nga numri i ushtarëve dhe armatimi i tyre, pastaj konfiguracioni i terrenit, kushtet atmosferike si dhe nga faktorë të tjerë.

Njëra nga mënyrat e luftimit, që pati zbatim të gjerë në mesjetë ishte edhe pusia, apo zënia e pritës. Kjo mënyrë luftimi kërkonte zënien që më parë të vendeve, ku duhej të kalonte armiku, duke e bërë të mundur asgjësimin e tij me sulm e goditje të befasishme dhe të rrufeshme me forca të pakta.

Duke qenë se kjo mënyrë e luftimit në kombinim me kurthet, lehtësonte plotësimin e detyrës me sa më pak humbje, atë e aplikuan edhe shqiptarët në betejat e tyre të shumta me armikun. Në njërën nga këto beteja, ta zëmë, kur osmanët marshonin drejt vendit tonë, te lugina e Shkumbinit, çeta të armatosura shqiptarësh të organizuara nga vetë Skënderbeu, duke shfrytëzuar terrenin e vështirë malor, u shkaktuan, nga pusitë e tyre, dëme të mëdha armiqve pikërisht nga pusia.

Përveç kësaj mënyre, një mënyrë tjetër luftimi ishte edhe mashtrimi i kundërshtarit. Sipas një dokumenti të vitit 1379, mësojmë për luftën e Gjin Bua Shpatës kundër sundimtarëve të Napolit dhe mashtrimin që ai ua bëri atyre. Kur sundimtarët e Napolit arritën në Artë dhe e rrethuan qytetin, duke sjellë afër murit rrethues makina gurëhedhëse, Gjin Bua Shpata, nga ana tjetër, nuk hyri në qytet, por qëndroi jashtë. Ai mblodhi për këtë shqiptarët dhe mbasi u konsultua me ta që ta ndiqnin në rrezik me gatishmëri, u vërsulën papritmas kundër ushtrisë italiane, e cila kishte rrethuar qytetin. Duke i vënë italianët në ikje, vranë shumë prej tyre, kurse pjesën tjetër (që mbeti) e zunë të gjallë.

Po këtë taktikë e përdori edhe Skënderbeu gjatë rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Ai duke lënë vetëm një garnizon prej 1500 burrash nën komandën e kont Uranit, një nga komandantët e tij të shquar, vetë me pjesën tjetër të ushtrisë, prej afërsisht 8 mijë vetash, qëndroi jashtë mureve të Krujës, duke shfrytëzuar si bazë për veprimet e tij ushtarake, malin e Tumenishtit në veri të qytetit. Në kohën kur osmanët filluan bombardimin e kështjellës me shpresë se mbrojtësit shqiptarë do të dorëzoheshin nga topat e rëndë që përdoreshin për të parën herë në Shqipëri, Skënderbeu nga jashtë e godiste pareshtur ushtrinë osmane. “Ditë për ditë - shkruan Barleti - Skënderbeu u binte shatorreve dhe nuk i linte asnjë çast të pushonin, i sulmonte pareshtur. Dhe sikurse një përrua që duke zbritur nga malet me vete, përmbys dhe shkatërron, ashtu edhe Skënderbeu, duke u sulur gjithmonë fshehurazi, ku nga një anë dhe ku nga një tjetër, mbi shatorret armike, u shkaktonte kërdi, dëme dhe humbje të pamasë”.

Taktikë të ngjashme Skënderbeu përdori edhe në betejën e Gjormës, në afërsi të Laçit. Qysh në fillim të betejës ai bëri sikur po tërhiqej nga Dibra e Poshtme në drejtim të Lezhës, duke i dhënë kështu armikut të kuptonte se gjoja ishte trembur dhe se po kërkonte ndihmë nga aleatët shqiptarë. Mirëpo, ata nuk e dinin se ky ishte vetëm një veprim taktik i Skënderbeut, ndaj e trimëruar nga një veprim i këtillë, ushtria osmane, së cilës i printe Hamza Kastrioti (nipi i Skënderbeut që kishte dezertuar nga ushtria shqiptare), zvogëloi vigjilencën dhe pa u ruajtur nga pusitë, filloi të plaçkiste. Skënderbeu e priste këtë moment dhe, më 7 shtator 1457, në kulmin e vapës, derisa ushtria osmane e shthurur po pushonte nën hije, e goditi befas dhe e shkatërroi tërësisht. Kjo ishte humbja më e madhe që pësoi ushtria osmane në 14 vjetët e fundit nga ushtria shqiptare.

Frikësimi i kundërshtarit, po ashtu, ishte një mënyrë tjetër e luftimit që përdorej gjatë mesjetës. Përdorim të gjerë kishte veçmas mënyra e frikësimit të kundërshtarit me anë të zhurmës që krijohej nga tingujt e daulleve, zurlave, borive, trumbetave etj. Kjo formë e frikësimit u përdor edhe gjatë Betejës së Kosovës në vitin 1389. Kronisti turk Mehmet Neshri fillimin e kësaj beteje e përshkruan kështu: “Mbasi lindi dielli, sulltan Murati Gaziu urdhëroi që të bien daullet e luftës. Në çdo anë, tingujt e daulleve, zurnave, borive e trumbetave e mbushën qiellin...”.

Tjetër mënyrë e luftimit ishte vrasja e kuajve, me qëllim që kundërshtarit t’i pamundësohej lëvizja e shpejtë. Për këtë mënyrë të luftimit njofton edhe Ana Komnena, kur bën fjalë për luftën në mes të ushtarëve keltë e bizantinë: “...duket se perandori ka pasur përvojë mbi armët kelte – shkruante ajo – dhe porosiste ushtarët e vet që të goditnin me shigjetat më shumë kuajt duke lënë burrat dhe i porosiste që t’i detyronin këta me anën e shigjetave e me qëllim që porsa të zbarkonin nga kuajt të ziheshin robër lehtë»”. Po ashtu, edhe në betejën ndërmjet bizantinëve dhe anzhuinëve në Berat (1281 – 1282), anzhuinët, duke parë se ishte e pamundur t’i goditnin ata, tentonin që t’i godisnin kuajt e tyre, me qëllim që t’i bënin këmbësorë ata që kapardiseshin mbi kuajt. Duke bërë përshkrimin e luftës së shqiptarëve gjatë sulmit në Tornin thuhet kështu: “...Dhe mbasi shqiptarët zunë nga para e nga prapa (u turrën rreth e rrotull mbi Tornin) këmbësorët me shtizat filluan të thernin kuajt”. Kundër kalorësisë përdoreshin edhe mjete të tjera. Kështu, bie fjala, duke bërë fjalë për luftën e Aleksit me normanët, Ana Komnena njofton se Aleksi, me këtë rast, përdori tribolë. Tribolët vendoseshin në tokë, në pozicion nga do të kalonte kalorësia, pra, aty ku mendohej se armiku do të bënte sulm më të furishëm.

Një mënyrë tjetër e luftimit që pati përdorim të gjerë gjatë mesjetës ishte edhe rrethimi i kundërshtarit, me qëllim që atij t’i pamundësohej furnizimi me ushqime e gjëra tjera të nevojshme. Këtë mënyrë të luftimit osmanët e aplikonin shpeshherë në luftë kundër shqiptarëve. Ajo u përdor edhe gjatë rrethimit të Shkodrës, kur, me qëllim që t’i detyronin shqiptarët që të dorëzoheshin, osmanët ua ndalin atyre ujin për disa ditë rresht. Aq e vështirë ishte situata në kështjellë, shkruante përjetuesi i këtyre ngjarjeve, Gjergj Merula, sa që “...atyre që s’ishin të aftë për luftë s’u jepej asnjë pikë ujë...”. Duke qenë të lodhur tej mase nga mungesa e ujit dhe duke mos pasur zgjedhje tjetër, shkodranët u detyruan të dorëzoheshin.
Taktikë të njëjtë osmanët zbatuan edhe gjatë rrethimit të Krujës në vitin 1466, pra, në kohën kur sulltani ndërtoi kështjellën e Elbasanit me qëllim që: “ ...të mos lejonte ilirët që të dilnin askund jashtë qytetit ose të zbrisnin nga malet për të punuar, ose për të nxjerrë e për të kullotur (bagëtinë) ose të bënin diçka tjetër, por i mbante gjithmonë të mbyllur”. Sipas kronistëve osmanë, krutanët të shtyrë nga uria e tmerrshme, shpeshherë ishin të detyruar të ushqeheshin edhe me mish të qenve e të maceve.

Ngjashëm vepruan osmanët edhe në Gardhiq të Peloponezit. Sipas disa kronistëve osman, “ ...pasi i rrethoi dhe i mbylli plotësisht (shqiptarët – B. L.) – sulltani – i ruante fuqimisht duke dashur t’i nënshtronte me anë të urisë e etjes. Duke qenë nën presionin e urisë, të afshit mbytës të stinës së verës si dhe të vuajtjeve të tjera dhe duke qenë një shumicë e madhe, mungesa e ujit dhe pakica e ushqimeve dhe sendeve të nevojshme shkatërroheshin keq. Duke mos pasur asgjëkund ndihmë dhe duke mos pasur shpresë që të kenë (ndihmë edhe në të ardhmen) kalonin pa dashur nga ana e sulltanit dhe i dorëzoheshin atij pa bisedime”.14

Kur osmanët me një ushtri të madhe, në vitin 1434, ishin drejtuar në tokat arbëreshe, ata që u futën brenda, arbëreshët i rrethuan, sa që nuk mund të dilnin lehtë, as nuk kishin me çka të ushqeheshin. Të lodhur nga uria ata u detyruan të largoheshin prej atyre viseve ku kishin hyrë.

Një mënyrë tjetër e luftimit që kishte për qëllim depërtimin në taborin e armikut pa u diktuar ishte edhe gërmimi nën tokë, përkatësisht hapja e kanaleve nëntokësore. Ana Komnena kur bënte fjalë për pushtimin e Durrësit (1107 – 1108) nga ana e Biemundit, shkruan se si ushtarët e Biemundit: “...ecnin duke gërmuar nën tokë si urithët, duke shpuar tunele të nëndheshme dhe duke i mbrojtur pjesët e sipërme nga gurët dhe shigjetat e hedhura nga lartësia (e kështjellës) diku me anë breshkash me çati në majë të tyre, dhe diku duke e shikuar nga lart – poshtë hapësirën e tokës, gërmonin dhe shikonin drejt përpara me anën e disa trarëve me majë. Kështu, gërmonin, duke ecur drejt, dhe hapën një kanal të gjerë dhe mjaft të gjatë; ndërsa dheun e gërmuar vazhdimisht e nxirrnin jashtë me karroca”.

[You must be registered and logged in to see this image.]
Mënyra e gërmimit të kanaleve nëntokësore

Befasia apo sulmi mbi armikun kur ai më së paku e priste, ishte po ashtu një mënyrë e luftimit që kishte zbatim të gjerë gjatë mesjetës. Mund të themi se kjo ishte mënyra më e preferuar e shqiptarëve në betejat e tyre kundër osmanëve. Pra, alarmimi i vazhduar i armikut, shqetësimi i kundërshtarit me sulme të vogla e të papritura, prerja e rrugëve të furnizimit të ushtrive perandorake, të cilat pikërisht për shkak të përpjesëtimeve të tyre mund të goditeshin më lehtë dhe në fund sulmi i befasishëm, i rrufeshëm, pasi ishte futur armiku në kurth. Këto përbënin anën e fortë të kësaj ushtrie, ashtu siç përbënte karakteri sulmues anën e fortë të strategjisë mbrojtëse të ushtrisë shqiptare që vepronte sipas parimit: “Mbrohu duke sulmuar”.

Mënyra të këtilla luftimi aplikonin edhe mercenarët shqiptarë. Në një kronikë Zhan d’ Utani luftën e mercenarëve shqiptarë e përshkruan kështu: “Me të marrë shenjën e komandantit të armatës, ata suleshin në betejë duke kaluar me trok mes linjave të armikut, me heshta të gjata me vezme në maja, e godisnin me rrëmbim armikun dhe ashtu e hutonin fare; fill pastaj kalonin në sulm të ri derisa arrinin edhe repartet e tjera të armatës. Të rreptë dhe të kanunit kombëtar të nderit, pas mbarimit të luftës nuk harronin kurrë se: “Koka e falur nuk pritet”.

Mënyra e luftimit në det

Me luftim në det kuptojmë ndeshjen, përkatësisht përleshjen e dy apo më shumë anijeve. Mënyra kryesore e luftimit në det, duke filluar nga shekulli VI deri në shek. XV, ka qenë abordanzhi. Sipas kësaj mënyre, anijet kundërshtare rreshtoheshin në formë gjysmërrethi dhe fillonin t’i afroheshin njëra-tjetrës. Gjatë afrimit, ato gjuanin njëra-tjetrën me topa, me qëllim të shkatërrimit sa më të madh të palës kundërshtare. Epilogu i kësaj mënyre të luftimit mund të dihej vetëm pas përfundimit të luftës gjoks më gjoks, që pasonte në fund të betejës. Përveç topave, luftëtarët përdornin edhe mjete të tjera hedhëse, si: hobe, shigjeta e harqe, vetëqitës dhe shtiza.

Kjo mënyrë e luftimit kishte disa rregulla të veta. Sipas këtyre rregullave, njëra nga palët kundërshtare duhej të lajmëronte palën tjetër se ishte e gatshme për luftë, duke shtënë një herë në të thatë. Pas kësaj shenje edhe pala tjetër, me një apo dy të shtëna, njoftonte se ishte e gatshme për luftë. Pas këtyre paralajmërimeve lufta mund të fillonte. Në këtë mënyrë nisi edhe Beteja e Lepantit, më 7 tetor 1571, në të cilën morën pjesë edhe shqiptarët me anijet e tyre. Duhet thënë se në këtë betejë velanijet më të mëdha ishin të rreshtuara në zonën e mesit të flotës, meqë ato duhej ta mbanin barrën më të madhe.

Mënyrë tjetër, që kishte përdorim të gjerë, veçmas kur luftohej në ujërat e lumenjve, ishte edhe zënia e rrugës së anijeve, duke hedhur në lumë drunj e gjësende të tjera. Këtë mënyrë të luftimit e zbatuan edhe osmanët më 15 qershor 1474. Për t’ua bërë të pamundur kalimin anijeve të Venedikut nëpër lumin Buna, ata hodhën një sasi të madhe drurësh në lumë. Mirëpo, falë shkathtësisë së kapitenit të anijeve venedikase Trijadan Grit, venedikasit e kapërcejnë edhe këtë penge-së.

Për dallim nga këto mënyra të luftimit, të parët tanë – ilirët, më tepër e praktikonin mënyrën guerile të luftimit, pasi që anijet e tyre të luftës ishin relativisht të vogla karshi anijeve të rënda greke e romake. Kështu, duke i shfrytëzuar mundësitë e mrekullueshme, që ua krijonte bregdeti për sulme të befasishme, ata zhvilluan taktikën e luftës, e cila i bëri zotërues absolutë të Adriatikut për shumë shekuj.

Duke përfunduar, duhet thënë se mënyra e luftimit në det, gjatë kohës, nuk ka pësuar ndryshime të mëdha. Bile deri në shek. XV kjo mënyrë e luftimit me asgjë nuk është dalluar nga mënyra e luftimit e epokës skllavopronare.

_________________
Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://zojsi.albanianforum.net
 
Si luftonin shqiptarët në mesjetë?
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Feja e shqiptarëve ndër shekuj
» Paganizmi te Shqiptarët
» Pse shqiptarët gjatë gjithë historisë kanë qenë dhe janë tradhëtarë?
» Shfaqje te shqiptarët
» Wahabizmi te shqiptarët

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Edukim fizik :: Arti ushtarak-
Kërce tek: