FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

Forumi i Bashkësisë Besëlashtë / Forumi i parë pagan shqiptar në internet / Mirë se vini / Regjistrohuni dhe mësoni më shumë rreth nesh
 
ForumForum  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Jeta kanunore tek ilirët

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Jeta kanunore tek ilirët Empty
MesazhTitulli: Jeta kanunore tek ilirët   Jeta kanunore tek ilirët EmptyTue 19 Aug 2014, 20:03

(nga libri "Ilirët" i Aleksandër Stipçeviç)

Struktura sociale

Mbi strukturën sociale të Ilirëve, arkeologjia dhe burimet historike na japin të dhana të pakta, të cilat nui mjaftojnë ma ba nji rekonstruim të kënaqshëm të këtij aspekti me randësi të jetës së Ilirëve. Para së gjithash ndryshimi që edhe në kët lamë mund të vërehet ndërmjet popujve të ndryshëm ilirë, nuk na lejon të përcaktojmë nji vleftë të përgjithshme të informatave nga burimet historike.

Mandej të njajtat informata janë shumë fragmentare dhe jo shumë autentike, kështuqë vështirë mund të caktohet vlefta e tyne dokumentare. Megjithatë, tue kombinue burimet e ndryshme që kemi në dispozicion, mund të formojmë një mendim mbi shkallën që Ilirët kanë mbërri në zhvillimin shoqnor në periudhat e ndryshme të historisë së tyne mijëvjeçare.

Për kohnat ma të vjetra mund të konstatohet se, në bazë të rezultateve të arkeologjisë, ndër Ilirët nuk kanë ekzistue ende ato ndryshime sociale, që mund të konstatohen në periudhat protohistorike.. Por, mu në shekullin VIII-VII para e.r., mund të dallojmë në disa vise simptomet e nji shkatërrimi gjithnji ma të dukshëm të shoqnisë klanore dhe afirmimin e klasës ushtarake. Pikërisht për këtë kohë, në vorrezat e Gllasincit dhe në lokalitete tjera, gjinden armë, të cilat në periudhat e përparshme, ishin shumë të rralla.

Dezintegrimi i shoqnisë primitive në kët kohë asht i lidhun me zhvillimin gjithnji e ma intensiv të industrisë xehtare e të metalurgjisë dhe me rritjen e tregtisë. Mirëpo, e këtë duhet të kemi parasysh kur asht fjala për strukturën sociale, organizimi social i Ilirëve nuk mbisundoi kurr, dhe në asnji trevë fazën e vërtetë klanore. Kjo nuk ndodhi as në shtetet monarkike të formueme në jug të Ilirisë, mbasi edhe këto shtete ruejtën shumë elemente karakteristike të shoqnisë klanore.

Shënimet për mbretninë e formueme në shekullin III para e.r., rreth fisit të Ardiejve tregojnë se ky shtet, gjithsesi ma i përparuemi ndër të gjithë shtetet tjera formue prej Ilirëve, nuk ishte gja tjetër, veçse nji lidhje fisesh, të cilat kurr nuk e kanë hudh poshtë autonominë e vet për hir të monarkëve të Shkodrës.

Teuta nuk ka mundë, por ndoshta as qç ka dashtë, me ndërhy në punët që janë konsiderue si punë të fisevet, e me ndalue kusarinë që ata e kanë konsiderue si çdo mjeshtëri tjetër e burim të randësishëm ekonomik. Prandaj ajo nuk mundi me u dhanë ambasadorëve romakë nji garanci që ata kërkojshin përkitazi me kusarinë që ushtrojshin nënshtetasit e saj, vetëm për arsye se nuk kishte fuqi të frenojë kët aktivitet të tyne.

Pushteti mbretnor, pra, ishte i kufizuem në çdo mënyrë mbreti nuk mundte me e detyrue parinë e çdo fisime ndërmarrë nji akcion që nuk ishte në aprim me interesat e tyne.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Jeta kanunore tek ilirët Empty
MesazhTitulli: Re: Jeta kanunore tek ilirët   Jeta kanunore tek ilirët EmptyTue 19 Aug 2014, 20:03

Vetë mbretnija e Ardiejve na paraqet, në anën tjetër, si institucionet sociale të Ilirëve përparojshin kah format gjithnji ma të zhvillueme dhe si në kët mbretni, në kohën e Agronit, filloi të formohet nji shtet i vërtetë dhe i vetëm, sikur nji monark ma energjik se Teuta t'i kishte marrë frenat e qeverisë mbas vdekjes së Agronit, ndoshta do t'a kishte shpejtue shkatrrimin e institucioneve tradicionale dhe afirmimin e autoritetit mbretnor. Teuta nuk dijti të vijojë rrugën e trasueme prej paraardhësvet: lejoi të prëtërihet pushteti i prisavet lokalë dhe këta, tue vazhdue aktivitetin e tyne si kusarë, e çuen vendin e vet në greminë.

Jemi në gjendje me e rindërtue strukturën shoqnore të disa fiseve ilire kryesisht në bazë të dokumenteve të kohës romake. Shënimet ma të plota i kemi për fisin e Dalmatëve, kurse popullatat tjera, sidomos ato të provincave të vendit, parashtrojnë diference të pa randësi në krahasim më kët fis, kështuqë shum gjana, të cilat do t'i konstatojmë rreth strukturës sociale të Dalmatëve, vlejnë edhe për Ilirët tjerë.

Kjo popullatë ilire, simbas Plinit Plak, ishte e ndame në 342 dekurije, të cilat padyshim janë identifikue me fise. Pesë ose gjashtë dekurije kanë formue nji civitas, çfarë simbas nji letre të P.Vatinit drejtue Ciceronit, në tokën e Dalmatëve kanë qenë nja tetëdhetë. Këtyne civitateve padyshim u gjegjën katoikiai-të e Strabonit, i cili i përmend nja pesëdhetë vendbanime në tokën e Dalmatëve "të denja për t'u përmendë". Deri tash qe e mundun me e përshkrue teritorin e disa civitateve në bazë të dokumenteve epigrafike të epokës romake, të cilat na përkujtojnë kufijt ndërmjet teritorit të nji civitas dhe tjetrit.

Po përmendim, për shembull, dy mbishkrime, të cilat e dallojnë me saktësi teritorin e Narestinëve (banorët e Narestës, sot katundi Jesenicë, ndërmjet Splitit dhe Omishit) prej atij të Pituntinëve në veri dhe Onastiëvet në jug. Teritori i tyne ka përfshi nji sipërfaqe prej afër 15 km2. Natyrisht, të gjitha civitates nuk përfshijshin gjithëmonë nji sipërfaqe të njajtë me këte, mbasi shtrimja e secilit civitas mvarej prej konfigurimit gjeografik.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Jeta kanunore tek ilirët Empty
MesazhTitulli: Re: Jeta kanunore tek ilirët   Jeta kanunore tek ilirët EmptyTue 19 Aug 2014, 20:04

Civitates formoheshin prej bashkësive sociale në të cilat nuk ka ekzistue prona private. Këte e vërteton Straboni, i cili në nji pasus të Gjeografisë së vet na njohton se dalmatët në çdo tetë vjet e ndajshin tokën midis tyne. Nji institucion i tillë social ishte i njohtun në Greqinë homerike, te Germanët dhe Keltët, por lajmi i Strabonit (i përcjellun mandej edhe nga Stefani i Byzantit), asht i vetmi këtij lloji që na informon mbi kët doke arkaike te Ilirët. Me sa duket, toka i takonte civitas-it e jo ndonji njisije tjetër sociale, çka mund të konstatohet në bazë të faktit që në epokën romake kufizimi i tokës, i dokumentuem prej mbishkrimeve epigrafike, asht ba ndërmjet civitates. Shpesh herë administrata romake ka qenë e detyrueme me ndërhy në konflikte, shpesh edhe të përgjakshme, ndërmjet civitates të ndryshme. Toka mandej ndahej për nji periudhë tetë vjetësh midis fiseve të ndryshme ose vetëm midis familjeve.

Prej mbishkrimevet epigrafike të periudhës romake marrim vesht se anëtarët e krenëve të dekurive kishin edhe nji arkë të përbashkët. Megjithatë mundemi vetëm me supozue cili ka qenë funksioni i saktë i kësaj arke, por sigurisht, funkcionimi i tyne në nji epokë aq të vonshme asht shum i randësishëm për karakterin e shoqnisë ilire.

Në krye të çdo bashkësije ishin kryetarët e tyne, të cilët në dokumentet epigrafike e në shkrimet romake quhen princë (princeps) dhe kryepar (praepositi). Kështu e njohim nji princeps Delmatorum, njifarë Licinius Teuda praepositus et princeps Iapodum, nji princeps Desitiatum, etj. Në epokën romake këta merrshin pjesë në administratën perandorake, por institucioni i princave dhe i kryeparëve ishte padyshim me origjinë pararomake. Këte e dëshmon, mbi të gjitha, Livi, i cili, tue përshkrue luftën kundër Istërvet, përmend pranë mbretit të tyne Epulit, edhe principes Histrorum.

Funksioni i kësaj principate klanore ilire nuk asht krejt i kjartë, por me sa duket princat, në kuptimin e përgjithshëm të terminit të përdorun prej burimeve (nuk duket se të gjitha burimet kët emërtim e kanë përdorë me të njajtën domethanje), ishin kryetarë të secilit civitates, ndërsa kryeparët ishin në krye të fiseve. Pra princat dhe kryeparët përbajshin njifarë këshilli aristokratik, që udhëhiqte fatin e nji fisi.

S'ka dyshim, nën emnin administrativ të kryeparëve mëshihej funkcioni i krenëve të fiseve, të cilët historianët grekë dhe romakë, në përshkrimet e luftave kundër Ilirëve, i quejshin "mbret". Dhe në saje të këtyne burimeve kuptojml se edhe kryetarët e fiseve u nënshtroheshin plotësisht vendimeve të këshillit të princave.

Ajo vlen, sikurse pamë, edhe për ato popullata, të cilat kanë arrijtë shkallën ma të përparueme në zhvillimin e vet social si asht, p.sh. mbretnija e Ardiejve. Mbas humbjes së lirisë, Ilirët i ruejtën për nji kohë të gjatë institucionet e veta sociale, e Romakët dijtën me mjeshtëri me i përdorë kryetarët e fiseve e princat, tue u dhanë nji vend të caktuem në sistemin administrativ, sistem i cili, mbasi kaloi fazën kaluese, ma në fund hyni në administratën romake.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kandhaon

Kandhaon


Numri i postimeve : 837
Join date : 09/08/2014
Location : Në breshta, mes bredhave,

Jeta kanunore tek ilirët Empty
MesazhTitulli: Re: Jeta kanunore tek ilirët   Jeta kanunore tek ilirët EmptyTue 19 Aug 2014, 20:04

Disa shënime të teksteve të vjetra që shqyrtojnë çashtjen e jetës sociale të Ilirëve, na zbulojnë veçori shumë interesante, por që asht vështirë me i vërtetue e me i vlerësue gjithëmonë e me sukses. Kësaj kategorije i takojnë shënimet mbi matriarkatin te Ilirët.

Shënimi ma i vjetër historik që ka të bajë drejtpërdrejt me matriarkatin te Ilirët ose, ma saktësisht, te populli ilir Liburnët, asht ruejtë në Periplusin e Pseudo-Skylaksit, në të cilin, në paragrafin ku jep përshkrimin e bregdetit liburn, lexojmë se Liburnët i idhëheqshin gratë e këto kanë mundë me pasë marrëdhanje seksuale, si me shërbëtorët e vet ashtu edhe me të huejt. Kët shënim mandej e vërtetojnë në mënyrë direkte ose indirekte shkrimtarët tjerë e gjithashtu edhe burimet tjera, kështuqë do të ishte e pamundun me dyshue për rangun e posaçëm që kishte grueja te Liburnët. Po përmendim vetëm nji fakt, i cili indirekt e vërteton ekzistencën e matriarkatit te Liburnët, ate se të gjitha hyjnitë liburne ishin fmena; nji dëshmi tjetër që paraqet randësinë e grues, shihet edhe në përqindjen e madhe të përmendoreve të vorrezavet kushtue grave në krahasim me ato të meshkujve.

Megjithate, në bazë të të gjitha shënimeve që kanë të bajnë me kët problem, duket, se shoqnija liburne nuk e ka njohtë matriarkatin e vërtetë në periudhën protohistorike, por ma parë do të jetë se ajo ka ruejtë mbeturinat e këasj forme të vjetër sociale në strukturën e vet, mbeturina që paraqesin nji stadium të tejkaluem, edhepse jo komplet, të nji institucioni me origjinë ndoshta edhe paraindoeuropiane. Shenja tjera, përpos këtij që ka të bajë ma matriarkatin, na bajnë të mendojmë për Liburnët si për nji popull me origjinë mesdhetare, të indoeuropeizuem gjatë shekujve nën ndikimin e Ilirëve të afërt.

Mirëpo, me sa duket, edhe te fiset tjera ilire, grueja gëzonte privilegjë të posaçme, gja jo e zakonshme në nji shoqni patriarkale si ishte ajo ilire. Po përmendim faktin e njohtun, kur në shtetin monarkik të Ardiejve në fron ishte nji grue, Teuta. Ky rast, natyrisht, nuk ka të bajkë fare me matriarkatin, sikurse mendojnë disa shkencëtarë, për arsye se fisi i vërtetë i Ardiejve i kishte të gjitha karakteristikat e nji fmailje patriarkale (këte na dëshmon edhe vetë fakti se Agroni ishte poligamist, mbasi kishte dy gra: Teutën dhe Triteutën), por ky asht rast karakteristik dhe jo i rëndomtë për nji shoqni sikurse asht kjo.

Nji grup tjetër i shënimeve historike ka të bajë me ekzistimin e skllavëve te Liburnët, tjerët te Ardiejt, kurse në bazë të burimeve epigrafike të periudhës romake, mund të konstatohet se edhe Ilirët tjerë kanë njohtë njifarë skllavnije para se të vijnë Romakët. Theopompi, për shembull, përmend se Ardiejt kishin jo ma pak se 300 000 skllavë, por ky numër, sikurse edhe shënimet tjera mbi skllavninë te Ilirët, me siguri asht i zmadhuem. Kështu pra vështirë mund të supozojmë se Ilirët kishin sklavë të vërtetë, në rend të parë, tue shqyrtue strukturën klanore të shoqnisë së tyne, por që ndër Ilirët e kohës protohistorike filloi të mëkambet institucioni i skllaverisë, nuk duhet dyshue. Përkitazi me këte duhet përmendë se Ardiejt, Liburnët dhe popullatat tjera, të cilat janë marrë me kusari dhe kanë luftue kundër Grekëve, lehtë kanë mundë ma zanë robë, të cilët mandej kanë qenë të detyruem të punojshin për ta. Kësisoji, Polibi tregon se kusarët e Teutës i zejshin anmiqt dhe i bajshin skllavë. Megjithate, jemi të mendimit se këta robë nuk e kanë përjetue kurr midis Ilirëve gjendjen e vërtetë të skllavëve
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





Jeta kanunore tek ilirët Empty
MesazhTitulli: Re: Jeta kanunore tek ilirët   Jeta kanunore tek ilirët Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Jeta kanunore tek ilirët
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Higjiena te ilirët
» Veshmbathjet te ilirët
» Blegtoria te ilirët
» Gjuetia te ilirët
» Ilirët që shndërroheshin në ujq

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Shoqni :: Shoqurtësí-
Kërce tek: