FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

I PARI FORUM PAGAN SHQIPTAR NË INTERNET!!! MIRË SE VINI, REGJISTROHUNI DHE SHKËMBENI IDETË TUAJA ME BESËLASHTËT E TJERË!
 
ForumForum  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share | 
 

 Boshnjakizimi i malësorëve

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Cani



Numri i postimeve : 12
Join date : 08/07/2014

MesazhTitulli: Boshnjakizimi i malësorëve   Thu 31 Jul 2014, 09:51

Përshtypje udhtimit: prej Tuzit në Triepsh

18/08/2013

Tuzi asht nji katund i madh ase nji qytezë e vogël në kambë të Deçiçit i zhvilluem në kohën e Mbasluftës së Dytë e i zmadhuem sidomos mbas viteve ’90. Afërsia me Podgoricën nuk ka mujtë me e ndihmue, pse vetë kryeqyteti malazez asht nji konglomerat ndërtesash të shëmtueme të stilit komunist që nuk e përfaqson aspak shtetin e vogël ballkanik.

Tuzi në verë asht si nji furrë që djeg natë e ditë. Anës rrugës kryesore kafehanet e pafundme janë të mbushuna deri në mesnatë me njerëz që flasin shqip e serbisht.

Në sheshin ku çdokush që njeh sadopak historinë e atij vendi, heroizmin e Bratilës me 6 prill 1911 kur Ded Gjo Luli ngriti flamurin shqiptar, do të pritte me pa bustin e Ded Gjo Lulit, nuk gjen tjetër veçse nji trumë të stilit boshnjak, në formë kafazi që mund të kundrohet prej pazarit të Khartumit deri në Sarajevë. Ma tej xhamia me minare të bardhë prej ku qysh në nadje heret nis ajo që shkrimtari Paolo Rumiz e ka quejtë “lufta akustike” e Ballkanit. Ushtria e decibelëve me uniformë arabe çan ajrin e randë ende pa lind drita, edhe pse në këtë vend asht vështirë me besue se ndokush mund ta kuptojë atë gjuhë! Ndërsa medreseja madhështore jashtë Tuzit i asht kushtue Mehmet Fatihut II, prania e të cilit në historinë tonë nuk e di nëse asht për t’u kujtue kësodore!

Rreth e rrotull nji kotje e pafund që s’len pa kaplue as dy policët e patrullës që pijnë si të tretun në mendime kafen në nji bar buzë rrugës që çon pluhun.

Tuzi vitet e fundit ka përjetue ardhjen e disa mija myslimanëve boshnjakë prej Bijelo Poljet, të cilët qeveria malazeze i ka vendosë në lagjen Karabushko, në hymje të qytezës. Zhvendosja e tyne në Tuz asht ba për me mundë përfundimisht praninë shqiptare si shumicë në ketë qytezë kufitare. Partitë politike shqiptare në Mal të Zi, të tepërta për numrin e kësaj etnie, nuk kanë ndonji randësi politike dhe nuk mbrojnë identitetin kombtar. Nji pjesë e tyne asht kthye në patericë të partisë së Gjukanoviqit, të tjerët bajnë hije pothuejse kot.

Në të djathtë të rrugës që merr nga jugu, mes nji kopshti të gjelbëruem – që asht edhe vendi i vetëm ku kanë mundë me gjetë azil statuja e Nanë Terezës dhe busti i Ded Gjo Lulit, gjindet kisha e françeskanëve. Këta të fundit, me aktivitete dhe botime shqip, janë ndër të paktit që mbajnë gjallë frymën kombtare. Tuzi ka shumë shpirtna. Vitet e komunizmit titoist nuk kanë ikë pa pasoja. Kah ana tjetër përmes nji shtrese enveristash kosovarë të diasporës ka hy nji frymë e keqe gjoja nacionaliste që vijon ende. Islami radikal, i toleruem prej malazezëve, ka përparue shumë në dekadat e fundit e për çudi edhe berishizmi ka lanë gjurmë të këqija ndër shqiptarët e kësaj treve. Tuzi asht diçka e tjetërsueme, diçka për t’u harrue, nji vend ku deri tash humbja dhe harresa janë ulë kambëkryq.

Lamë mbrapa Tuzin e ngjitemi maleve të mbulueme me shkozë, frashën e dëllinja. Kudo ndihet era e sherbelës dhe e trumzës së thame, poshtë, në të djathtën, Cemi si nji kordon blu herë duket e herë zhduket mes zajesh, pranë arash me kollomboq e vneshtash të harlisuna. Vijojmë rrugën e thepisun drejt Grudës.

Larg kah perëndimi fusha e Podgoricës duket e mjegullueme prej ajrit të nxehtë. Nji plak e nji fëmijë na përshëndesin me përzemërsi anës rrugës që ndan me mure të thata gurësh kopshtet me misër, kumbulla, manda e hardhija. Gjithçka duket se asht e braktisun. Të gjitha këto katunde kanë mbetë shkretë, shumica e banorëve kanë ikë për me jetue në Amerikë. Mbërrijmë tek kisha e Grudës, por nuk asht ma ajo e vjetra ku Át Anton Harapi çonte meshë dikur. Pranë saj ka mbetë në kambë e damtueme dhe e braktisun qela ku françeskani shirokas pat jetue në vitet 1918-19. Më vijnë ndër mend përshkrimet e tija mjeshtrore tek “Andrra e Prêtashit”. Ndihen vetëm gungallat. Hyjmë me kujdes në qelën që asht damtue shumë prej termekut të vitit 1979. Përtokë janë do libra shkollet të hjedhun, do revista kishtare shqip e kroatisht, shtretën të vjetër, kandila me voj gurit e almise të ndryshme. Në nji krah shihet lugina e Cemit e sipër, përtej lumit, Kalajt e ma nalt shtëpia e bajraktarit të Grudës; në krahun e djathtë – krenare në braktisjen e saj – rrin e vetmueme shtëpia e Prêtash Cukës me nji qiparis përbri; sipër Suka e Grudës. Qe si e përshkruente Harapi tek “Andrra e Prêtashit” nji mbasdite veret sot e 95 vjet ma parë:

“Dielli ishte në të rám. Hijet kishin marrë brigjet e thata të Cemit, e, si t’ishin kah endin nji pëlhurë të zbetë, por të madhnueshme mbi atë brî mali, me turrin e lehtë të nji flladi, kandshëm po u kapshin në Sukën e Grudës. Shkrepat, vetmue prej rrezeve të diellit, rrethue me njomsín e shërbeles së përqukueme e aty këtu prej ndo’ i lisi të rrallë, merrshin nji trajtë vigane”.

E njejta pamje, të njejtit njerëz. Asgja nuk ndryshon mes këtyne shkrepave të thatë. Udhërrëfyesi na tregon kudo për luftna, për të vramë, për vorre shqiptarësh dhe anmiqsh. Turqit dhe malazezët kanë lanë ndër këto male eshtnat e tyne pa mujtë me zhgulë e me shfarosë farën e këtyne fatosave shtatnaltë, burra e gra me shikim të ngultë e të thellë e me fytyra të ambla e të bardha.

Kushedi a asht njohtë Át Anton Harapi me shkrimtarin arbëresh prej Zaret Josip Rela, i cili në vitin 1918, i komanduem prej austro-hungarezëve punonte në Triepsh, ku madje edhe shestonte veprën e tij të pambarueme “Pengtorët”!

Ngjitemi ma nalt drejt Triepshit. Rruga asht e mirë, kishat në ledina janë të godituna, shtëpiat janë të reja e të hijshme. Mungojnë vetëm banorët. Shohim të rrënueme kazermën e “Ushtrisë popullore”, e cila dikur mbikqyrte vendasit. Tej nga verilindja shihet Rrapsha e pak ma poshtë Veleçiku. Atje tej asht Shqipnia. Çudi, pse edhe këtu s’më duket se jam në nji vend të huej! Jo për tjetër po për gjakun që kanë derdhë banorët e Hotit, Grudës e Triepshit për me mbetë me Shqipni: luftna të pandërpreme prej 1878 e deri në 1920. Kush mund t’i harrojë sakrificat e gjakun e fatosave si Çun Mula, Nik Lekë Pepaj, Smajl Martini, Marash Uci, Prelë Toma, Pllum Gjeka, Gjokë Doda, Ded Gjo Luli, Baca Kurti, Ismail Marku e shumë e shumë të tjerë!

Sivjet famullia e Triepshit feston 250 vjetorin e saj. Arkivi i Propagandës, prej të cilit studiues të vlertë si Peter Bartl e Italo Sarro kanë botue me qindra dokumente, asht plot me fakte që flasin për malsinë e Mbishkodrës e për Triepshin në veçanti. Këto fise u gjinden për shekuj me rradhë mes dy rreziqesh: pushtuesve osmanë dhe sllavëve. Prania e Kishës katolike qe themelore përgjatë shekujve për mos me lejue as sllavizimin dhe as turqizimin e asaj treve, tue u ba kështu faktor në ruejtjen e përkatsisë etnike e fetare. Sidomos françeskanët nuk i lanë asnji çast vetëm malsorët e veriut të Shqipnisë, tue ua zbutë zemrat dhe tue mbajtë të gjallë frymën kombtare.

Sot Malsia asht braktisë. Njerzit janë shpërngulë në Amerikë. Ata që janë ulë në fushë gjinden gjithnji mes dy zjarresh të pafikuna, kah nji anë sllavët kah ana tjetër islamikët gjithnji e ma radikal. Historia nuk ka ndryshue. Ndërkaq malsia e Krajës asht sllavizue pothuejse krejt. Nuk dihet sesi do të shkojnë punët, por me tkurrjen e malsorëve, shqiptarizma në Mal të Zi këtu e pesëdhjetëvjet asht e shenjueme me u shkri.

La mbrapa Deçiçin, Bratilën, Vuksanlekajn e drejtohem kah Shqipnia, ndoshta shpresa e fundit vjen prej këtej, nji shpresë që na shtyn me besue se shqiptarët do të munden me vijue me qenë të tillë në ketë tokë, dashninë ndaj së cilës e kanë dëshmue me gjak.

http://mapo.al/2013/08/pershtypje-udhtimit-prej-tuzit-ne-triepsh/
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Boshnjakizimi i malësorëve
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Si e zgjedhin trollin e shtëpisë malësorët e veriut
» Jashtëtokësorët e kanë vizituar Tokën
» Konspiracioni dhe jashtëtokësorët
» A është kërkimi për jashtëtokësorët ide aq e mirë
» Një vajzë misterioze që ka një nënë njerëzore dhe një baba jashtëtokësorë!

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Tokat tona :: Malësia-
Kërce tek: