FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR

I PARI FORUM PAGAN SHQIPTAR NË INTERNET!!! MIRË SE VINI, REGJISTROHUNI DHE SHKËMBENI IDETË TUAJA ME BESËLASHTËT E TJERË!
 
ForumForum  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share | 
 

 Hakmarrja e legjendës

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Tomor
ADMIN
avatar

Numri i postimeve : 385
Join date : 17/03/2013

MesazhTitulli: Hakmarrja e legjendës   Sat 05 Jul 2014, 15:24

Hakmarrja e legjendës

Vërtetësinë e Mujit dhe Halilit në fshatin Marinë nuk e konteston askush. Gurët e këtyre kreshnikëve, që gjenden në këtë fshat, janë krenaria dhe njëkohësisht burimi i një frike të vjetër. Sipas banorëve, ata që janë munduar të ndryshojnë vendin apo formën e gurëve të Mujes dhe Halilit, sot nuk jetojnë më.



Legjendat Muji dhe Halili, të cilët kanë jetuar vetëm në imagjinatën e shkrimtarëve, janë ringjallur në një fshat të Drenicës.

Në telin e Lahutës, ata edhe më tutje shkulin lisa dhe peshojnë shkëmbinj. Muji dhe Halili kanë qenë dy malësorë që kanë pasur fuqi mbinatyrore. Ata, sipas legjendës, ishin shtatgjatë, muskulorë dhe me mustaqe të gjata.

Madje, fshati Marinë i Drenicës ka një lidhje shumë të veçantë me këta dy malësorë. Këtë lidhje e bëjnë më të fortë dhe të prekshme tre gurë të mëdhenj, të cilët qëndrojnë afër shkollës së fshatit.

Brez pas brezi në Marinë me rrethinë tregohen legjenda se si këta gurë janë peshuar nga duart e Mujës dhe Halilit.

Ndërsa profesorët e shkollës fillore nuk kanë nevojë t’ua vizatojnë nxënësve madhësinë e gurëve në dërrasë të zezë. Ata i kanë vetëm pak metra larg shkollës dhe fëmijët kanë mundësi edhe t’i shohin nga afër.

“Së pari kur i kanë gjuajtur gurët Muji dhe Halili, si ka ra këtu njerëzit kanë menduar që është tërmet, por kur ka ra ka shpërthye uji”, rrëfen Kushtrimi i cili është në klasën e tretë.

Marinasit këta tre gurë i ruajnë si sytë e ballit. Ata besojnë se kush i prek gurët, mund t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi në familje. Në këtë mënyrë, gurët janë ruajtur nga dëmtimi.

“Nuk kanë guxu, kush e ka prek atë janë domtu të gjithë. Kush e ka prek iu ka kajt nana”, thonë një banor i fshatit Marinë.

Vërtetësinë e tyre nuk e konteston askush në Kosovë. Madje as të rriturit.

Ata besojnë se këta tre gurë janë hedhur nga duart e Mujës dhe Halilit nga fshati Gradicë, i cili gjendet tri kilometra larg Marinës. “Para 150 vjetëve këta gurë janë këtu, dy këtu e një qatje. Thonë që i kanë gjuajt prej Qyqavice, Tali e Muja këta e Halili atë”, rrëfen Metush Hoti nga fshati Marinë, duke treguar me gisht gurët e mëdhenj.



Madje edhe mësuesit besojnë fort në legjendën e kreshnikëve. Kamber Hoti këtë bindje çdo ditë ia transmetohen edhe fëmijëve në shkollën fillore në Marinë. Ai tregon se si kanë ardhur këta gurë në fshatin e tyre. “Është kap guri me dy duart, edhe është hulat edhe është hedh sa ka pas fuqi në lartësi shumë të madhe. Kësaj loje i kanë thënë gurapeshë”, tregon ai.

Ndryshe nga banorët, sociologu Shemsi Krasniqi thotë se legjenda që është thurur për kreshnikët Mujin dhe Halilin ka një mesazh tjetër. “Mesazhi i vërtetë i saj është se fuqia njerëzore është shumë e madhe, dora e njeriut është shumë e fuqishme, mundet të bëj çudi, mund të bëj mrekulli”, vlerëson Krasniqi.

Pavarësisht kësaj, mësuesit dhe banorët e fshatit Marinë e kanë ndërmend t’i ruajnë këta gurë, në mënyrë që legjenda për Mujin dhe Halilin të mos vdesë kurrë. “Si punëtor i arsimit kam propozuar që t'iu sigurohet një bazë, të ruhen, por ku me gjet njerëz që do ta kryejnë atë punë”, rrëfen Sejdi Mziu, mësues i vjetër në këtë fshat.

Këta tre gurë janë krenaria dhe njëkohësisht burimi i një frike të vjetër të fshatarëve. Ata që janë munduar të ndryshojnë vendin apo formën e gurëve të Mujes dhe Halilit, sot nuk jetojnë më.

“Një person e ka shpinë qatje, ia ka hek një copë për me zidu një bunar, atë dite iu ka sëmur një djalë , i ka mbet sakat, tash ka vdek, por gjatë gjithë jetës u kanë sakat”, rrëfen Metush Hoti, banor i këtij fshati.

Ndërsa, mësuesi Kamber Hoti di edhe një rrëfim po kaq të errët për fuqinë mistike të gurëve. "Një shtëpi në lagjen time atje ka bë thyerjen e gurit të madh, por ajo shtëpi e atij personi që e ka thye gurin, është shuar, vetëm një djalë prej asaj familjeje ka mbijetuar”, tregon mësuesi.

Ndërsa sociologu Shemsi Krasniqi vlerëson se frika qindravjeçare e banorëve është e natyrës psikologjike. Sipas tij, mosrespektimin e kultit e lidhin me fatkeqësi. “Fatkeqësitë gjithmonë ndodhin, por bashkësia, popullata e projekton fatkeqësitë si pasojë e një veprimi që nuk e ka respektuar kultin apo vlerën që e ka krijuar bashkësia”, shton Krasniqi.

Ndërsa kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, është më i drejtpërdrejt. Ai thotë se banorët e Marinës janë duke bashkëjetuar me një frikë të paarsyeshme, që nuk ekziston në realitet.

“Ky është një besim i kotë, një besëtytni, që nuk ka të bëjë absolutisht me të vërtetën. Këto janë vetëm trillime djallëzore që janë ngulitur nga imagjinata të sëmura të njerëzve se nëse lëvizet ky guri do t'i ndodhë dikujt diçka në familje”, thekson ai.

Edhe Don Shan Zefi nga Kisha Katolike e Kosovës mendon po ashtu se kjo është thjesht një legjendë.

“Është shumë e qartë se kemi të bëjmë me një mitologji. Fuqia e Zotit mund të bëjë mrekulli, por në këtë rast, në këtë fshat, mendoj se kjo është thjesht një legjendë dhe nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën”, thotë Zefi.

Por, mësuesi më i vjetër në fshat, Sejdi Mziu këmbëngul se ajo në të cilën besojnë fshatarët nuk është e trilluar. Ai thotë se vërtet kanë ndodhur raste kur njerëzit kanë vdekur, për shkak se janë mundur t’i dëmtojnë këta gurë. Ai tregon disa raste të punëtorëve që kanë punuar në ndërtimin e rrugës. Sipas tij, shumica e atyre që e kanë lëvizur njërin gurë nga vendi tashmë kanë vdekur.

“Nuk është besëtytni, është fakt se të gjithë ata që jo me qëllime të këqija, por edhe me qëllimin më të mirë, kanë pësuar. Prandaj kjo nuk është rezultat i besimit, krijimit të një bindjeje, por është e vërtetë”, rrëfen Mziu.

Rrëfimet për gurët çdo ditë ushqehen me frikë të re. Për ta tashmë janë thurur shumë rrëfime. Sipas banorëve, dikur afër këtyre gurëve janë shfaqur edhe krijesa të papara më herët. Sipas tyre, këto krijesa kanë shërbyer si mbrojtës të gurëve të Mujit dhe Halilit.

“Unë si unë, tash në moshën 65 vjeçare e mbaj mend gurin kur ka qenë sa grushti. Me i thanë dikujt që guri rritet ndoshta çuditet, por këta janë gurë të shenjtë”, thotë mësuesi tjetër Kamber Hoti.

Por, në këtë teori nuk beson sociologu Krasniqi. “Nuk besoj që gurët rriten, por rriten fjalët, shtohen besimet”, thotë ai, duke nënqeshur.

Baca Kamber ka edhe një rrëfim edhe më trishtues, që iu është thurur gurëve të Mujit dhe Halilit, që marinasit i ruajnë si sytë e ballit.

“Shumë njerëz e kanë pa një gjarpër të madh në zgavrën e gurit të madh dhe verës prej zhegut këndon. Ka qenë me një kaqurotë shumë të madhe dhe ka dalë në kohën kah 8:00...9:00 e mëngjesit”, rrëfen Kamber Hoti.

Por, a del dikush brenda dhe jashtë Marinës që ka guxim të dëmtojë këta gurë?

“Jo, kurrë, se kush i ka dëmtuar, ia ka pa sherrin”, thotë Metushi i bindur në fuqinë shkatërruese të gurëve.

Edhe mësuesi Kamber thotë se gurët e Mujit dhe Halilit nuk bën t’i prekë askush. Sipas tij, çdo njeri që i dëmton ata mund të vdesë nga mallkimi i gurëve.

Ndërsa sociologu Shemsi Krasniqi nuk beson në këto rrëfime të errëta të banorëve. Megjithëkëtë, ai thotë se as vetë nuk do të kishte guxim t’i dëmtojë këta gurë.

“Personalisht nuk iu besoj, por personalisht nuk do t'i dëmtoja në asnjë rast, as nuk do të provoja në asnjë rast t’i bindi popullatën që nuk ka nevoje t’i besojë kësaj... Lëri njerëzit le të mendojnë në mënyrën çfarë të duan”, shton ai.

Ndërkohë, në oborrin e shkollës së Marinës vazhdojnë të luajnë fëmijët, derisa rrëfimi për mallkimin e gurëve do të rritet bashkë me ta. Më fëmijët do të rritet edhe frika e hakmarrjes së legjendave.

Sociologu Shemsi Krasniqi vlerëson se mitet në këtë fshat vështirë se do të zhduken ndonjëherë.

“Për faktin që fshati është i populluar dhe nuk ka tendencë të braktiset, mendoj se ky kult do të vazhdojë të mbijetojë edhe në gjeneratat e ardhshme”, thekson ai.

Në këtë janë të bindur edhe marinasit. “Miti për paprekshmërinë e tyre do të ekzistojë sa të ekzistojë njerëzimi”, thotë mësuesi Sejdi Mziu.


Historia e Mujit dhe Halilit

Nga malet e Çiçavicës, pasi kanë pirë qumështin e zanës, Muji dhe Halili kanë bërë garë se cili mund të gjuajë gurë më larg se tjetri. Natyrisht ata gurë kanë qenë të përmasave shumë të mëdha, por qumështi i zanës u ka dhënë atyre një fuqi mbinatyrore. Dhe gara kishte përfunduar pikërisht në fshatin Marinë, ngase gurët që janë gjuajtur prej tyre, janë përplasur në tokën që sot quhet Marinë.

Përshkrimi i personazheve është i mbinatyrshëm; ata flasin me orët, luftojnë me mazdrake (topuz), gjaku i tyre derdhet si lumë, i kanë mustaqet nga një pash, e hedhin topuzin me aq forcë sa ngrihet pluhur nëntë pashë lart etj. Heronjtë e këtyre legjendave janë të shumtë, por kryesorët janë Muja e Halili.

Artan Behrami
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://zojsi.albanianforum.net
Tomor
ADMIN
avatar

Numri i postimeve : 385
Join date : 17/03/2013

MesazhTitulli: Re: Hakmarrja e legjendës   Thu 26 Jan 2017, 21:16



Në maje të një kodre, jo fort të lartë, pa u lëkundur nga shekujt rri ende guri i Mujës. Muja dhe Halili nuk kanë mbetur vetëm legjendë tek shqiptarët. Gjurmët e ekzistencës së tyre po ruhen ende në një fshat malor të Kosovës. Me një diametër rreth një metër e gjysmë, guri, që Muja sipas legjendës e kishte gjuajtur nga Çyçavica në fshatin Morinë (Marinë) të Skenderajt, qëndron ende aty.

Ai nuk ka lëvizur asnjëherë nga ai vend, ku sipas banorëve vendas e kishte hedhur vetë Muja i legjendës. Legjendat shqiptare rrëfehen ende sot në mesin e popullatës. Mirëpo, gjurmët e këtyre legjendave ka pak njohuri se ekzistojnë. Në disa vende të Kosovës, qeniet njerëzore, objektet, figurat që përbëjnë legjendat janë ruajtur. Banorët e fshatit Morinë besojnë se tre gurët (njëri i Mujës, njëri i Halilit dhe një i Talit) janë të shenjtë dhe askush deri më tani, siç rrëfejnë vetë ata (banorët), nuk ka guxuar dhe as nuk guxon t’i dëmtojë. Nga të parët e tyre kanë trashëguar rrëfime nga më të ndryshmet. “Kush guxon të prekë këta gurë e zë mallkimi”, është amaneti që përcillet brez pas brezi për gurët.

Kemajl Gucati, banor i këtij fshati, thotë se ashtu siç i sheh sot gurët, janë ashtu siç u kanë treguar paraardhësit. “Asnjëherë nuk ka ndryshuar pamja e tyre”. Thotë ai për “Zërin”. Gucati tregon se nuk ka ndodhur që dheu rreth tyre të mblidhet ose të shembet. Ai thotë se as bora nuk rri mbi ta. Frika nga mallkimi i gurëve dhe pasojat ka ruajtur formën e gurëve dhe i mban të padëmtuar shekuj pas legjendës së thurur për Mujën e Halilin.

“Pleqtë na kanë treguar sesi një plak i katundit kishte pas tentuar ta thyejë një gurë, ai ishte munduar gjithë ditën ta bëjë këtë dhe nuk ia kishte arritur, por në mbrëmje ia hoqën një copë. Kur ky plak, siç na tregonin pleqtë, kishte shkuar në shtëpi, ai kishte gjetur të çmendur familjarët”, thotë Gucati për “Zërin”. E në gurin e Mujës, që sipas banorëve është guri kryesor nga të tre gurët, shihen gjurmët se është thyer dhe i mungon një pjesë. “Me ma dhanë krejt dyjen unë nuk shkoj me i prek. A është e vërtetë ajo nuk e di, po unë nuk e provoj”, thotë më tej Kemajli. Ai tregon se edhe gishtat e dorës së Mujës janë në gur, por kjo pjesë shihet më pak pasi që është në pjesën e gurit të kapur për tokë.

Misteri i vdekjeve pas prekjes së gurit

Një ngjarje që e mbajnë në mend më të moshuarit e fshatit është ajo kur është ndërtuar shkolla e fshatit Morinë, në vitit 1996. “Kur është ndërtuar shkolla e kanë lëvizur gurin dhe kah kanë shuar të katër mjeshtërit kanë pësuar aksident dhe kanë vdekur”, tregon Kemajl Gucati.

81-vjeçari, Jetullah Gucati, tregon se në gurë janë shenjat e gishtërinjve, por gurët janë rrotulluar dhe shenjat janë në pjesën kah toka. Si banorët e tjerë të fshatit edhe Gucati thotë se gurët nuk guxojnë të dëmtohen. “Pleqtë tregonin se një fshatar e ka thyer njërin nga gurët dhe i është çmendur gruaja. Djali i i ishte bërë me gung dhe ka vdekur pas lufte. Nuk ka munduar të lëvizë hiç”, tregon Jetullah Gucati për gazetën, e po ashtu tregon edhe historinë e serbëve që kanë vdekur në një aksident pasi kanë lëvizur gurët kur është ndërtuar shkolla.

Për gurin e Mujës, që është i shpuar në mes, Jetullah Gucati thotë se aty çdo vit del nga një gjarpër. Ai tregon edhe për bunarin që është në kodër e askush nuk e di kur është hapur. “Bunari që është në kodër nuk e mban mend askush se kur është hapur. Bunari është nën gurin e Mujës”, ka treguar Gucati, duke shtuar se në po atë kodër paska qenë edhe një kishë katolike. “Fqinji që e ka pasur shtëpinë aty, kah lëvronte gjente varre aty, e askush nuk i mban mend ato varre”, thotë ai, duke shtuar se askush nuk guxon t’i dëmtojë gurët. “Sepse pa të gjetur diçka nuk e lë”, shprehet ai.

Muhamet Hoti, një tjetër banor i këtij fshati, thotë se gurët kanë qenë dhe janë të shenjtë. “Nuk kemi guxuar të kalojmë kah ata. Kushdo që i ka prekur iu ka pa sherrin. Janë bërë me behane”, ka thënë Hoti, derisa ka treguar historinë e një bashkëfshatari të tij. Për kodrën pran së cilës janë gurët e kreshnikëve, për të cilët rapsodët kanë thurur mijëra vargje, Hoti thotë se ka qenë kodër me bari e disa njerëz e kanë prishur për ta shtruar rrugën, të pestën disa ditë janë aksidentuar dhe kanë vdekur. “Këta ishin serbë që kanë marrë gurë nga kodra dhe vdiqën mistershëm”, shprehet ai, derisa thotë se gurët gjithmonë kanë pasur fuqi. “Pleqtë nuk kanë guxuar t’i prekin, nuk i prekim as ne. Njëri gurë është shembur, por nuk po guxon ta prekë asnjë njëri”, ka treguar Hoti.

Gurët e Morinës, “të shenjtë”

Se gurët janë të shenjtë Muhamet Hoti tregon një histori që lidhet me familjarë të tij. “Është sëmurë një grua tek miqtë, atëherë nuk kishte makina, dhe me traktor e kemi dërguar tek një hoxhë në fshatin Drenoc, tek mulla Osmani. Kur kemi shkuar atje kemi hyrë në odë, ajo ishte veç gjallë. Kur hoxha i shkruante, e kam dëgjuar se e përmendte, Pusi i Dobranit, Pusi i Kodrisë edhe gurët e Morinës. I dha hajmali dhe gruaja u shërua”, ka thënë Hoti, i cili beson se gurët janë të shenjtë. “Guri i mesit e ka një lloj shkalle, i ka pas edhe vendet e filxhanëve që ka pirë kafe”, thotë Muhamet Hoti, duke iu referuar gurit të Halilit.

Gurët e Mujës e Halilit janë të shenjtë edhe për Besim Gucatin. Ai thotë se gurët nuk kanë lëvizur kurrë, janë në të njëjtën gjendje prejse i kanë gjuajtur Muja e Halili. “Thonë se në fashat dikush e ka thyer një copë të tij dhe i është çmendur djali. Ata janë gurë të shenjtë dhe me i prek nuk bon”, ka thënë Gucati, duke shtuar se gurin e ka thyer me çekan, ka nisur me të ta ndërtojë shtëpi, në mbrëmje i është çmendur djali dhe më askush nuk i ka prekur ata gurë. “Edhe fëmijët e dinë që janë të shenjtë”, shton ai.

Kemajl Gucati tregon së në malin pranë fshatit është fërkemi i kalit të Mujës. “Në mal është fërkemi i kalit të Mujës, që është shumë e madhe dhe kurrë nuk është dëmtuar. Atë nuk e mbulon dheu”, ka treguar Gucati, i cili ka thënë se babai i tij ka vizituar kullën ku kanë lindur Muja e Halili. “Ai tregonte se vendi ku Muja e ka lidhur kalin ka qenë 5 a 6 metra e lartë. Ata kanë qenë kreshnikë”, ka thënë Gucati. E nga vizita që babai i tij i kishte bërë kullës në fshatin që legjenda tregon se ata kanë lindur, i ka sjellë atij edhe një tjetër rrëfim.

“Kur i kanë rrethuar armiqtë, Muja nga hidhërimi i ka mëshuar kullës dhe fërkemi që ka mbetur në kullë ka qenë aq e madhe sa nxinte 100 thasë miell”, kujton Kemajl Gucati, nga ngjarja që i kishte treguar babai i tij.

Të tre gurët, i Mujës, i Halilit dhe ai i Talit, janë pranë shkollë së fshati, ndërsa fëmijët rriten duke mësuar legjendën për gurët dhe për fatkeqësinë që sjellin nëse i dëmtojnë. E krahas kësaj, ata ishin aty duke bërë fotografi.

“Edhe fëmijët janë të njoftuar se nuk duhet t’i dëmtojmë dhe askush nuk i prek.

I shoh nxënësit që bëjnë ‘selfie’, tek gurët, por nuk iu bëjnë dëm”, shprehet Kemajl Gucati.

Njerëzit jetonin bashkë me perënditë

http://zeri.info/kultura/13499/gjurmet-e-mujes-dhe-halilit-ne-drenice/

_________________
Mos i shko në qafë shoqit, nepi shkaf i përket, e jeto nierxisht. Mi kto âsht ngrehë ajo nertesë e madhnueshme qi i thonë shoqni, njeky âsht Kanuni i shoqnis! - Shtjefën Gjeçovi
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://zojsi.albanianforum.net
 
Hakmarrja e legjendës
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Hakmarrja e legjendës
» Kënga e Konstandinit dhe atdheu i legjendës
» Hipnoza, mes realitetit dhe legjendês

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
FORUMI BESËLASHTË SHQIPTAR :: Theologji :: Kreshnikí-
Kërce tek: